Emrat e Bukur të Zotit, ndikimi i tyre në pastrimin e shpirtrave

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    22-10-1447 H     10-04-2026 D

Shejh Halid El Muhana

Tema      Emrat e Bukur të Zotit,  ndikimi i tyre në pastrimin e shpirtrave

Lavdërimet janë për Allahun, Zotit Një  i Vetëm! Ai është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai i Cili as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë! Atij i përket sundimi dhe Atij i takon lavdërimi, Ai është i Fuqishëm për të bërë çdo gjë. Atij i përket krijimi dhe sundimi, në dorën e Tij është dobia dhe dëmi. Asgjë nuk i ngjan Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi. Paqja dhe mëshira më e plotë dhe e përsosur qoftë mbi profetin dhe zotërinë tonë Muhamedin, përgëzuesin, paralajmëruesin dhe pishtarin ndriçues.

Në vijim

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahun dhe jini të devotshëm ndaj Tij, binduni Zotit dhe të dërguarit të Tij që të keni sukses. “Ata që i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që kanë frikë nga Allahu e i përkushtohen Atij, do të jenë të fituarit e vërtetë.”(En-Nur 54)

O muslimanë! Njeriu është krijuar duke dëshiruar një jetë të mirë, kërkues i qetësisë dhe që e do lumturinë. Kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet të qenit e një robi i vërtetë i Zotit të tij, plotësues i një adhurimi që përfshin dashurin e përsosur për Të, me nënshtrim ndaj Tij dhe bindje ndaj urdhrave të Tij, duke përmbushur kështu qëllimin e Krijuesit, Zotit të Lavdëruar, në krijimin e njerëzve dhe xhindëve, siç thuhet në fjalët e Tij, Zotit të Lartësuar dhe të Madhërishëm: “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.”(Edh-Dharijati 56) Pastaj, njeriu nuk e kupton robërinë, nënshtrimin nga Krijuesit, përveçse kur e njeh Zotin e tij. Kush e njeh më mirë Zotin e tij do të jetë më i nënshtruar, adhurues, ndaj Tij. Për këtë arsye, Zoti solli të dërguar dhe u zbriti atyre libra për t’i bërë njerëzit të ditur për Zotin dhe Sunduesin e tyre. Kjo dituri është më e mira dhe më sublime nga të gjitha njohuritë, më e nderuara dhe më e larta për sa i përket nderit. Nuk ka dyshim se njohja e Zotit të Plotfuqishëm është themeli i Islamit dhe baza e besimit.

Kjo dituri portën më të madhe të saj ka diturinë për emrat, atributet dhe veprimet e Zotit. Kjo portë që e çon pronarin e saj drejt dashurisë, lavdërimit dhe nënshtrimit ndaj Zotit të tij. Sepse njeriu sa më shumë që e njeh Zotin e tij aq më shumë e do Atë. Njerëzit që e duan më shumë Zotin janë ata që i njohin më mirë emrat e Tij të bukur dhe atributet e Tij të larta. Për këtë arsye të dërguarit e Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ta, ishin me dashurinë  më të madhe të tyre për Zotin, dy miqtë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ta, ishin midis tyre më të mëdhenjtë në dashurinë e tyre për Të.

Adhurues të Zotit! Me njohjen e Zotit të Lartësuar dhe të Madhërishëm përmbushen shpirtrat  dhe pastrohen,  bekohen shpirtrat dhe lartësohen. Me njohjen e Zotit të Lartësuar dhe të Madhërishëm robi ngjitet në pozitën e përsosmërisë, dhe e adhuron Zotin e tij sikur ta shikojë Atë.

Zoti e ka bërë të njohur Veten tek robërit e Tij përmes asaj që ka zbuluar në Librin e Tij, në Kuranin, për Veten, dhe përmes asaj që i dërguari i Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka treguar për Të, nga emrat, cilësitë dhe veprimet e Zotit të Lartësuar. Si dhe përmes asaj që Ai ka krijuar në qiejt dhe tokën e Tij, përmes  asaj që Ai ka krijuar dhe vendosur në to nga shenjat e Tij të mëdha dhe të qarta universale.  Ai është bërë i njohur tek robërit e Tij përmes bekimeve të Tij të bollshme, të dukshme dhe të fshehura. Të gjitha këto tregojnë se Ai zotëron emrat më të bukur dhe më të lartësuar, atributet më të përsosura dhe më të lartësuara, dhe veprimet e Tij që janë shprehja kulminante  e mëshirës, mirësisë, urtësisë dhe drejtësisë. Zoti i Lartësuar është Ai që meriton më shumë lavdërim në këtë jetë dhe në Jetën e Përtejme, për lavdërim në tokë dhe në qiejt më të lartë, lavdërim dhe falënderim që obligon dashuri të përsosur për Të. Ai është më i denjë për t’u përmendur, më i denjë për t’u lavdëruar dhe më i denjë për t’u adhuruar. Ai që  për Veten e Tij të Shenjtë thotë: “Atij i përket shembulli më i lartë në qiej dhe në Tokë.”(Er-Rum 27) Ai është përsosmëria kulminante në ekzistencën, emrat dhe cilësitë e Tij. Zoti i Lartësuar, duke ua bërë të njohur robërve të Tij për ekzistencën e Tij supreme dhe duke i udhëzuar ata në rrugën e Njëshmërisë së Sundimit, thotë: “Allahu, nuk ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Tij. Ai ka Emrat më të Bukur.”(Ta Ha 8)

LEXO  Nga Xhamia e bekuar Aksa, E premte, 24 Ramazan 1447 (9) - 13 Mars 2026

Domethënë: Ai është jashtëzakonisht i bukur në emrat e Tij.Emrat e Tij, i bekuar dhe i lartësuar është Ai, janë më të bukurit e emrave. Ata kanë një efekt të madh dhe të bukur në zemra dhe veshë për shkak të atributeve të lavdërimit, madhërimit dhe falënderimit që tregojnë. Secili prej këtyre emrave tregon atribut të përsosur që nuk ka mangësi në të. Kështu, ata janë më të bukurit. Zoti e emëroi Veten me to dhe ua zbuloi robërve të Tij në mënyrë që ata t’i njohin, të meditojnë për kuptimet e tyre, ta kujtojnë dhe ta adhurojnë Atë me ta.

Zoti i Lartësuar duke u bërë thirrje robërve të Tij që të marrin pjesën e tyre të dijes për emrat dhe cilësitë e Tij dhe duke i udhëzuar ata në rrugën e monoteizmit, besimit në Një Zot, ka thënë: “Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj thirreni Atë (lutjuni Atij) me to…” (El-A’raf 180) Domethënë: Lutje lavdërimi dhe adhurimi, pra, luteni Atë me të dhe lavdërojeni Atë për të, përmendeni dhe lavdërojeni Atë me të, një lutje kërkese, pra, kërkoni përmbushjen e nevojave tuaja duke e përmendur atë dhe kërkoni prej Tij nga begatitë e Tij me të. O muslimanë! Emrat e bukur të Allahut janë të shumtë dhe askush nuk e di numrin e tyre përveç Tij, Zotit të Lartësuar, siç tregohet nga thënia e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ku thotë: “ Të lus Ty me çdo emër që Ti ke, me të cilin e ke quajtur Veten Tënde, ose e ke zbritur në librin Tënd, ose e ke ruajtur në dijen Tënde të fshehtë, e cila është tek Ti.”

Por se Zoti i Vërtetë i ka  bëri të njohur disa prej tyre robërve të Tij dhe ka bërë Xhenetin shpërblim për ata që e adhurojnë Atë nëpërmjet tyre, siç tregohet nga thënia e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ku thotë: “Zoti ka nëntëdhjetë e nëntë emra, njëqind minus një. Kush i numëron, mëson përmendësh, ata do të hyjë në Xhenet.”

Këta nëntëdhjetë e nëntë emra janë emrat më të njohur të Zotit të Lartësuar dhe të Madhërishëm, më të qartët në kuptim dhe më të dukshmit. Numërimi i tyre do të thotë: Të jesh i njohur me fjalët e tyre, të kuptosh kuptimet e tyre dhe të adhurosh Zotin në përputhje me to, duke e lavdëruar dhe madhëruar Zotin, duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke e thirrur Atë, i lartësuar është në fuqinë e Tij, përmes tyre.

Origjina e këtyre Emrave të Bukur janë pesë të përmendurit në suren hapëse të Kuranit, në suren Fatiha. Të gjithë emrat e Zotit të Plotfuqishëm rrjedhin prej tyre.

I pari prej tyre është: Allah. Emri i të Madhërishmit dhe Emri i Tij më i Madh, që përfshin të gjithë kuptimet e Emrave të Bukur dhe Cilësive më të Larta. Kuptimi i tij është: Ai që Sundon dhe adhurohet, që zotëron hyjni dhe përkushtim mbi të gjithë krijimin e Tij, të Cilin të gjitha krijesat e adhurojnë me dashuri, nderim dhe nënshtrim. Allahu ka ndaluar që ndonjë nga krijesat e Tij të emërtohet me të, ose që ndonjë hyjni tjetër përveç Tij të thirret me të. Allahu e ka bërë atë fillimin e besimit, shtyllën e Islamit dhe fjalën e së vërtetës dhe sinqeritetit. Me të, fillojnë detyrat fetare, bëhen betimet dhe kërkohet mbrojtje me të nga shejtani. Me emrin e Tij hapen dhe mbyllen gjërat. I bekuar është emri i Tij,  nuk ka Zot tjetër përveç Tij.

LEXO  Arsyet për të lënë kujtim të mirë

I dyti prej tyre është Rab, Zoti, i Cili zotëron të gjitha atributet e Zotëruesit për të cilat Ai meriton të adhurohet. Ato janë të gjitha atribute të përsosmërisë dhe të gjitha cilësitë e lavdërueshme.  I gjithë krijimi i Tij i dorëzohet Zotërimit të Tij,  sundimit dhe madhështisë së Tij  të gjithë i nënshtruar Atij. Ai është Sunduesi që menaxhon me menaxhim të përsosur. Ai i ushqen robërit e Tij me lloje të ndryshme bekimesh dhe me favore të larmishme. Ai edukon të zgjedhurit dhe të dashurit e Tij me përsosjen e zemrave, shpirtrave dhe karaktereve të tyre.

Emri i tretë dhe i katërt janë: I Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti. Ai me mëshirë gjithëpërfshirëse, i Cili ka përfshirë të gjithë krijesat në furnizimet, mjetet e jetesës dhe interesat e tyre. Me të Ai ka menaxhuar punët e tyre dhe u ka mësuar atyre atë që u sjell dobi. Ai u dërgoi atyre të dërguar me mëshirën e Tij dhe u përcaktoi legjislacione, ligjet fetare, me mëshirën e Tij. “I Gjithëmëshirshmi ua ka mësuar Kuranin (robërve të Tij), ka krijuar njeriun dhe i ka mësuar atij të folurit qartë e rrjedhshëm.” (Er-Rahman 1-4)

Emër që Zoti e ka barazuar me emrin e Tij më të madh sikurse Zoti i Lartësuar ka thënë: “Thuaj: “Thirrni Allahun ose thirrni të Gjithëmëshirshmin, me cilindo emër që ta thirrni ju Atë, Ai ka emrat më të bukur.” (El-Isra’ 110) Vetëm Zoti thirret me këtë emër dhe ua ka ndaluar robërve të Tij ta quajnë veten me të. Ai është Mëshirëploti me mëshirë të veçantë për besimtarët dhe robërit e Tij të devotshëm në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret. Sikurse Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Ai është i Mëshirshëm me besimtarët.”(El-Ahzab 43) Me këtë mëshirë Ai i udhëhoqi ata drejt adhurimit të Tij, i veçoi me bindje ndaj Tij dhe me këtë i futi në Xhenet, që është mëshira e Tij, sikurse Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “Kurse ato fytyra që do të zbardhen e do të shkëlqejnë, do të jenë në mëshirën e Allahut (në Xhenet), ku do të qëndrojnë përgjithmonë.” (Al ‘Imran 107) Zoti i Madhërishëm në hadith Kudsi ka thënë: “ Ti je Xheneti, mëshira Ime, përmes teje Unë tregoj mëshirë për këdo që dua.”

Dhe i pesti i tyre është: Meliku, Sunduesi.  Sunduesi i Ditës së Gjykimit dhe Zotëruesi i saj. Zotëruesi i Mbretërisë, Sovrani, i Gjithëpushtetshmi. Ai, të Cilit i përket sundimi i qiejve dhe i tokës dhe gjithçkaje që është në to. Atij i përket sundimi absolut në këtë botë dhe në Ahiret, në menaxhim, në komandim, në ndalim, në privim, dhe në shpërblim. Të gjithë ata që janë në botë janë robër dhe krijesa të Tij. Atij, Zotit të Plotëfuqishëm, i përkasin kuptimet e sundimit që Ai meriton nga Emrat e Bukur, siç janë: Mbizotëruesi, Fuqiploti, i Gjithëfuqishmi, i Madhërishmi, Madhështori, Fisniku, i Madhi, Përulësi, Lartësuesi, Ngritësi, Nënshtruesi, Gjykatësi, i Drejti, i Gjithëlartësuari.

Vëllezër në Islam dhe besim! Zoti i Lartësuar dhe i Madhërishëm i do emrat dhe cilësitë e Tij, i do ata që i duan ato, i përmendin vazhdimisht dhe e lavdërojnë Atë me to, siç tregohet nga hadithi i Aishes, Zoti qoftë i kënaqur me të, ku thuhet se i dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dërgoi një burrë në një ekspeditë ushtarake i cili u recitonte shokëve të tij në namazin  e tij,  duke e përfunduar recitimin, leximin e tij me suren Ihlas. “Thuaj: “Ai është Allahu, Një e i Vetëm!” Kur u kthyen, ia përmendën këtë të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i cili u tha: “Pyeteni pse e bënte këtë.” Ata e pyetën atë dhe ai u tha: “Sepse është përshkrim i cilësisë së të Gjithëmëshirshmit, e unë dua ta lexoj  atë.” Profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  tha: “Tregoni atij se Zoti e do atë.” Hadithin e kanë transmetuar Buhariu dhe Muslimi në Sahihët e tyre.

LEXO  Durim o populli Palestinez të lidhur me këtë tokë

Zoti na bëftë dobi të gjithëve me udhëzimin e Librit të Tij, Kuranin Famëlartë, dhe me sunetin e të dërguarit të Tij besnik!

Zotit i kërkoj falje për vete dhe ju.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin me lavdërimet që Ai i ka dhënë Vetes në Librin e Tij.  Lutjet dhe përshëndetjet janë për të dërguarin tonë Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Kush i drejtohet njohjes së Emrave  të Bukur të Zotit dhe Cilësive të Tij të Madhëruara dhe të Lartësuara, gëzimi i tij do të përshpejtohet, lumturia e zemrës së tij do të jetë e plotë dhe statusi i tij do të ngrihet në radhët e atyre që udhëtojnë drejt Zotit. Asgjë nuk do të mbetet më e dashur për të sesa Ai, Zoti i Lartësuar, dhe nuk do të ketë dëshirë për asgjë tjetër përveç Tij, veç asaj që e afron atë me Të.

Me të vërtetë, robi do ta gjejë atë dije në vargjet e Librit të Urtë. Ai i cili e shqyrton me kujdes, reflekton mbi të dhe mediton mbi kuptimet e tij,  do të gjejë Zot që ka mbledhur atributet e përsosmërisë dhe cilësitë e madhështisë. Pastaj robi do të shijojë frytet e asaj dijeje, si dashuria për Zotin, nderimi për Të, frika ndaj Tij dhe nënshtrimi ndaj madhështisë së Tij. Atributet e mëshirës, mirësisë, butësisë dhe bamirësisë së Tij mbjellin forcën e shpresës në zemra. Kështu njeriu përpiqet në punë, duke pasur shpresa të mira dhe shpresa e tij forcohet.

Cilësitë e drejtësisë, hakmarrjes, pakënaqësisë, zemërimit dhe ndëshkimit mbjellin fuqinë e frikës nga Zoti, largojnë nga zemrat sigurinë nga planet e Zotit dhe shtypin shpirtin urdhërues. Kështu që dobësohet fuqia e epshit, zemërimit, argëtimit, lojës dhe etjes për gjëra të ndaluara. Cilësitë e urdhrimit dhe ndalimit, dërgimi i të dërguarve dhe shpallja e librave, frymëzojnë fuqi për t’iu bindur të urdhëruarës dhe për t’iu shmangur të ndaluarës,  për të këshilluar njëri-tjetrin për të mbështetur të vërtetën dhe për të besuar në lajme.

Cilësitë e dijes, dëgjimit, shikimit, vëzhgimit, vetëdijes dhe dëshmisë frymëzojnë forcën e sinqeritetit ndaj Zotit, turpit dhe kujdesit ndaj Tij.

Cilësitë e furnizimit, mjaftueshmërisë, kënaqësisë, mbrojtjes, fitores dhe kujdestarisë ngjallin dashuri për Zotin, besim tek Ai, mbështetje tek Ai dhe një mendim të mirë për Të.

Cilësitë e nderit dhe krenarisë çojnë në nënshtrim ndaj Zotit, përulësi para madhështisë së Tij, dorëzim para fuqisë së Tij, nënshtrim të zemrës dhe të gjymtyrëve për Të.

O Zot, të lutemi me emrat e Tu të bukur dhe atributet e Tua të larta për mirësitë e njohjes Tënde dhe për kënaqësinë  e qenit pranë Teje. Të lutemi me mirësinë dhe mëshirën Tënde për kënaqësinë e të parit të fytyrës Tënde fisnike dhe përmallimin për t’u takuar me Ty.

O ju muslimanë! Mënyra më e mirë për t’iu afruar Zotit tuaj në këtë ditë të bekuar është t’i shtoni lutjet dhe përshëndetje për të dërguarin tonë, Muhamedin, udhëheqësin e të devotshmëve dhe zotërinë e të parëve dhe të fundit.

O Zot, fale dhe mëshiroje atë, familjen e tij fisnike dhe të pastër.  O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me Halifet e parë të drejtë,  Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, dhe me të gjithë shokët e tij të nderuar.

O Zot, na fal dhe na mëshiro ne dhe prindërit tanë,  me mëshirën Tënde, na bashko me njerëzit e mirë.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro  idhujtarinë dhe idhujtarët, shkatërro armiqtë e Tu, armiqtë e fesë.

O Zot, të lutemi të jesh me vëllezërit tanë të shtypur në Palestinë. O Zot, jepu atyre fitore mbi armikun Tënd dhe armikun e tyre, o Ndihmuesi më i Mirë.

O Zot, ruaj vendin tonë dhe vendet e muslimanëve nga kurthet e komplotistëve dhe sulmet e agresorëve. O Zot, na jep siguri në atdheun dhe shtëpitë tona, jepu fitoren ushtarëve tanë dhe nënshtro armikun tonë.

O Zot, bëje këtë vend të sigurt, të mbrojtur, të begatë dhe të stabilizuar. O Zot, ktheje rrethin e së keqes kundër atyre që dëshirojnë të keqen mbi vendin tonë. O Zot, kthe komplotet e tyre kundër tyre, na mbro nga të këqijat e tyre dhe bëj planet e tyre shkatërrim për ata, Zoti i Vërtetë, o i Plotfuqishëm, o i Lartësuar.

O Zot, ruaj sundimtarin tonë, kujdestarin e dy xhamive të shenjta dhe princin e tij të kurorës. O Zot, jepu atyre të dyve sukses në atë që Ti do dhe me të cilën je i kënaqur. O Allah, Zotërues i Madhështisë dhe Nderit, ndihmoi ata të dy të bëjnë atë që është e mirë për popullin dhe vendin, dhe të bëjnë atë që i sjell lavdi Islamit dhe fitore muslimanëve.

Adhurues të Zotit! Përkujtojeni Zotin për atë që ju ka udhëzuar dhe falënderojeni Atë për atë që ju ka dhënë.

“ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

 Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1531481835645158/1669676847548314

Post Author: endrit