Ambicia e lartë dhe ndërtimi i lavdisë

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    14-04-1448 H     25-09-2026 D

Shejh Jaser Ed-Dosari

Tema       Ambicia e lartë dhe ndërtimi i lavdisë

Lavdërimet janë për Zotin, i Lavdëruari në çdo gjendje, Ai që përshkruhet me cilësitë e madhështisë dhe lartësimit. Zotin e Lartësuar e falënderojmë për begatitë e Tij të shumta dhe mirësitë e Tij të vazhdueshme.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, i Madhi dhe i Lartësuari. Dëshmoj se Muhamedi është robi i Zotit dhe i dërguari i Tij, të cilin Zoti i tij e formoi me vepra të bukura dhe virtyte fisnike. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij,  shokët dhe familjarët më të mirë, mbi tabi’inët dhe të gjithë ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Kthimit tek Zoti.

Në vijim

O njerëz! Këshilloj ju dhe veten time që t’i frikësohemi Zotit në çdo gjendje dhe të kërkojmë kënaqësinë e Tij në të gjitha fjalët dhe veprat tona. Devotshmëria është furnizimi më i mirë për udhëtarët drejt Zotit, thelbi i lumturisë së njerëzve të devotshëm dhe rruga drejt fitores me Xhenetin e begatë.  “Allahu pranon vetëm prej të devotshmit.” (El-Ma‘ide 27)

O muslimanë!

Nga përsosmëria dhe bukuria e Islamit është se ai nxit gjithçka që i motivon shpirtrat për të arritur gradat e larta dhe i ngre vendosmërinë për të fituar pozitat e larta në këtë botë dhe në botën tjetër, Ahiret. Nga cilësitë më madhështore që e lartësojnë njeriun dhe e largojnë atë nga pafuqia dhe poshtërimi është ambicia e lartë. Ajo është sekreti i suksesit, çelësi i dhe shkalla që e ngjit njeriun drejt majave më të larta në çështjet e fesë dhe të kësaj bote.

Tekstet e Sheriatit janë të mbushura me atë që i gjallëron ambiciet, nxit njerëzit të shpejtojnë drejt virtyteve dhe të garojnë në fushat e veprave fisnike. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Pra, bëni garë me njëri-tjetrin për punë të mira.” (El-Bekare 148)  Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kur t’i kërkoni Zotit, kërkoni Atij Xhenetin Firdeus.” Hadithin e transmeton Buhariu. Nga Husejn Ibn Aliu, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Vërtet Zoti i do çështjet e larta dhe fisnike dhe i urren çështjet e ulëta, të pavlera.” Hadithin e transmeton Taberaniu.

O besimtarë! I dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte shembulli më i mirë në ambicien e lartë dhe i arritjes së majave më të larta.  Ambicia e tij ishte e përqendruar në përhapjen e teuhidit, Njësimit të Zotit dhe në nxjerrjen e njerëzve nga adhurimi i krijesave drejt adhurimit të të Fuqishmit dhe të Denjit për çdo lavdërim. Ai barti barrën e thirrjes, duroi dhe qëndroi i palëkundur, derisa bota iu nënshtrua mesazhit të tij, zemrat u ndriçuan me të dhe njerëzit hynë në fenë e Zotit grupe-grupe.

Shokët e tij të nderuar, Zoti qoftë i kënaqur me ta, ndoqën rrugën e tij dhe u kapën fort pas udhëzimit të tij. Ata ishin nga njerëzit me ambicien më të lartë, me vendosmërinë më të fortë, nga më të shpejtët në vepra të mira dhe në garim për vepra fisnike. Ata sakrifikuan veten dhe pasurinë e tyre në mbrojtje të fesë së tyre, në shërbim të umetit të tyre dhe në përmbushjen e detyrimeve ndaj shoqërive dhe vendeve të tyre. Ata ndriçuan lindjen dhe perëndimin me dritën e besimit, me udhëzimin e Kuranit dhe me sunetin e më të mirit të njerëzimit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.

LEXO  Dobitë e Haxhit - Dr.Su'ud Esh'shurejm - 17.08.2018

Më pas, selefët, të parët tanë të mirë, dhe ata që i ndoqën me mirësi ecën sipas rrugës dhe udhëzimit të tyre. Ambiciet e tyre u ngritën, vendosmëria e tyre u forcua dhe ata arritën nivele të larta lavdie.

Prandaj, nuk i ka hije besimtarëve që ambiciet e tyre të kënaqen me gjëra të ulëta apo shpirtrat e tyre të mjaftohen me diçka më pak se yjet. Lum ai që nxiton drejt majave të lartësisë dhe garon për nderin më të lartë!

Ibn Kajimi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Ambicia e lartë është të mos ndalesh para  rrugës së Zotit dhe të mos lidhesh me askënd tjetër përveç Tij. Shenjë e rënies së ambicies është kënaqësia e robit me gjëra të ulëta dhe qetësimi i tij me çështje të pavlera.”

O adhurues të Zotit! Ambicia e lartë është prej shenjave të pjekurisë së mendjes, shëndetit të të menduarit, drejtësisë së gjykimit, fisnikërisë së synimit dhe lartësisë së shpirtit. Zoti ka caktuar nderim për atë që e ka ambicien të lartë dhe udhëzim për atë që është i sinqertë në vendosmërinë e tij. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona.” (El ‘Ankebut 69)

Kush lufton me veten e tij, Zoti i hap atij dyert e begative, ia lehtëson shkaqet e të mirave dhe e furnizon prej nga nuk e pret. Kështu kuptohet, o adhurues të Zotit, se ambicia e lartë nuk është një luks intelektual dhe as një ide filozofike, por është rrugë drejt realizimit të synimeve madhështore dhe mjet për të arritur kënaqësinë e Mbretit, të Gjithëditurit.

O ju njerëz me vendosmëri! Jeta është e kufizuar dhe frymëmarrjet janë të numëruara. Gara vazhdon dhe në të fitojnë vetëm njerëzit me vendosmëri të fortë dhe me ambicie të larta. Kur shpirtrat janë të mëdhenj, trupat lodhen për të arritur atë që synojnë. Ndërsa ai që e mëson veten me rehati dhe qetësi, litarët e qetësisë do ta presin deri në fund të poshtërimit. Ambicia, nëse ngrihet, e lartëson njeriun drejt bukurisë dhe përsosmërisë, e nëse bie, e zhyt atë në dobësi dhe gjendje të keqe.

O njerëz! Nga gjërat më të mëdha që e zgjojnë ambicien është që njeriu të kuptojë vlerën e jetës së tij, ta dijë se ditët e tij janë kapitali i tij dhe ta dijë se ajo që ka kaluar prej tyre nuk kthehet më. Ta dijë se, njeriu nuk është krijuar kot, por është krijuar për të adhuruar Zotin dhe për ta ndërtuar tokën në mënyrën që e kënaq Krijuesin e tij. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!” (El-Mu’minun 115)

Nga Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, transmetohet  se i dërguari i Allahut paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i ka thënë një burri, duke e këshilluar: “Shfrytëzo pesë gjëra para pesë të tjerave: Rininë tënde para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para angazhimit dhe jetën tënde para vdekjes.” Hadithin e transmeton Hakimi.

Prandaj, le të jenë ambiciet tuaja të larta dhe nxitoni drejt gradave më të larta. Kujdesuni për atë që ju sjell dobi, kërkoni ndihmën e Zotit dhe mos u dorëzoni nga paaftësia. Mos të ju mashtrojnë shpresat e rreme dhe mos u zhytni në kënaqësitë e përkohshme. Shoqërohuni me njerëz me ambicie të larta dhe me shpirtra fisnik.

LEXO  Disa cilësi të  besimtarëve - Meka 28.01.2022

Ruajuni përtacisë dhe mos lejoni që zvarritja e punëve të bëhet pengesë mes jush dhe veprimit. Merrni shembull nga ata që kanë kaluar para jush dhe nxirrni mësime nga ata që janë larguar nga kjo botë.

I mençuri është ai që e merr veten në llogari dhe punon për atë që vjen pas vdekjes, ndërsa i paafti është ai që ndjek dëshirat e veta dhe ushqen shpresa të kota nga Zoti pa punuar.

Adhurues të Zotit! Zoti na bëftë dobi të gjithëve me Kuran dhe sunet, dhe na bëftë dobi të gjithëve nga argumentet dhe urtësitë që ata bartin.

Zotit i kërkoj falje për vete dhe për  ju,  tek Ai kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dërguarin e Allahut, profetin tonë Muhamedin, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që e pasojnë.

Në vijim

Ambicia e lartë nuk do të thotë braktisje të kësaj bote apo largim prej saj. Përkundrazi, ajo është forcë e brendshme që e shtyn njeriun të kërkojë gjërat më të larta në fe dhe në jetën e kësaj bote, të japë të gjitha përpjekjet për t’i arritur ato dhe të ngrihet mbi gjërat e ulëta e të pavlera. Kështu, njeriu bashkon në mes mirësive të të dy botëve dhe gjen lumturi në jetën e kësaj bote dhe në botën Tjetër, Ahiret. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë:  “Por përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë.” (El-Kasas 77)

Zoti ju mëshiroftë, dijeni se njeriu me ambicie të lartë nuk njeh rrugën e përtacisë, nuk ndjek shtigjet e dorëzimit dhe dobësisë dhe nuk kënaqet me gjëra të ulëta. Shpirti i tij ngrihet me një vendosmëri të sinqertë që nuk e kap lodhja dhe me një përpjekje të vazhdueshme ku nuk depërton mërzia. Ai synon majat dhe fluturon në horizontet e madhështisë ashtu si shqiponjat, dhe shkruan arritjet e tij në faqet e lavdisë me shkronja që shndrisin.

Asnjë popull nuk ka arritur arritje të pavdekshme dhe nuk ka trashëguar lavdi të qëndrueshme, përveçse me ndihmën e Zotit, me ambicie të larta, me vendosmëri të fortë, seriozitet e përpjekje, durim dhe këmbëngulje. Ambiciet e larta janë porta e popujve drejt majave më të larta, rruga e shpirtrave drejt virtyteve më të bukura. Përmes tyre ngrihen vendet dhe shoqëritë, përparojnë shtetet dhe ndërtohen qytetërimet.

Vërtet, atdheu ynë i bekuar, mbretëria e Arabisë Saudite, po jep sot shembujt më të spikatur të ambicies së lartë dhe vendosmërisë së fortë, nën një udhëheqje të matur, me një vizion të qartë e të mençur, që synon përsosmërinë dhe begatinë në fusha e drejtime të ndryshme. Ajo qëndron e palëkundur në parimet e saj, krenare për vlerat e saj dhe bashkon traditën me modernitetin në një ekuilibër të veçantë, duke dëshmuar se ruajtja e traditës nuk do të thotë mbyllje ndaj botës, se moderniteti nuk do të thotë humbje e identitetit dhe se lidershipi i vërtetë arrihet duke i bashkuar të dyja.

O ju njerëz! Pjesë e besnikërisë ndaj këtij atdheu bujar është që ambiciet e bijve të tij të jenë në përputhje me aspiratat e tij. Besnikëria ndaj atdheut nuk është vetëm fjalë që thuhen apo slogane që ngrihen, por se është përkushtim dhe përkatësi, vlera dhe parime, detyrë fetare dhe përgjegjësi morale, që shfaqet në kryerjen e punës me përpikëri, në përmbushjen e amanetit, në respektimin e ligjeve dhe rregulloreve, në ruajtjen e pasurive dhe arritjeve të atdheut, në përhapjen e mirësisë dhe virtytit, në forcimin e dashurisë dhe solidaritetit, në kujdesin për unitetin, në bashkimin e fjalës, në bindjen dhe respektimin e autoritetit dhe në qëndrimin pranë bashkësisë.

LEXO  Dashuria për atdheun... natyrshmëri dhe mirësi

Besnikëria shfaqet gjithashtu në refuzimin e ekstremizmit dhe fanatizmit, në ruajtjen nga grupet e devijuara, përkatësitë e dëmshme dhe idetë shkatërruese, si dhe në përballimin e thashethemeve dhe përhapjes së frikës. Ashtu si atdheu mbrohet nga shkaqet e përçarjes brenda tij, ai mbrohet dhe nga çdo agresion që synon tokën, sigurinë dhe vendet e tij të shenjta.

Ajo që kemi parë nga sulmet e padrejta dhe përpjekjet agresive që synojnë atdheun tonë dhe vendet tona të shenjta, deri aty sa agresioni është shtrirë në Meken e Shenjtë, vendin e shenjtë, kiblën e Islamit dhe vendin drejt të cilit anojnë zemrat e njerëzve, si dhe në Medinën e Ndriçuar, strehën e besimit, është një krim i madh, gabim i rëndë dhe agresion ndaj vendeve të shenjta të cilat Zoti i ka madhëruar. Kjo na e shton bindjen për madhështinë e amanetit që kemi. Ruajtja e atdheut është detyrë fetare, mbrojtja e tij dhe e vendeve të shenjta është adhurim, uniteti është mburojë dhe bashkimi i fjalës është mbrojtje për vendin.

Prandaj, ruani sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin e atdheut tuaj. Jini në lartësinë e vizionit dhe aspiratave të tij dhe përpiquni t’i shërbeni atij, secili sipas pozitës dhe mundësive të veta. Në mënyrë që secili prej nesh të jetë një gur themeli në ndërtim dhe burim mirësie e zhvillimi, duke kontribuar në rrugëtimin e një atdheu ambicioz, brezat e të cilit trashëgojnë përgjegjësinë për ruajtjen e arritjeve të tij, vazhdimin e përparimit dhe ndërtimin e së ardhmes së tij.

Adhurues të Zotit! Dërgoni salavate mbi njeriun me moralin më madhështor, profetin tuaj të nderuar Muhamedin, sepse Zoti ju ka urdhëruar për këtë në Librin e Tij të qartë, ku ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje profetin tonë Muhamed dhe familjen e tij, siç e mëshirove Ibrahimin dhe familjen e tij, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar. O Zot, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, në të dy botët vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me udhëheqësit e parë të drejtë,  Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun.  O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me të gjithë sahabet, me tabi’inët dhe ata që i ndjekin në mirësi deri në Ditën e Kijametit, dhe me ne së bashku me ta, me mëshirën, mirësinë dhe bujarinë Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë, ndihmo  fenë Tënde, librin Tënd, Kuranin,  sunetin e të dërguarit Tënd, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, dhe robërit e Tu besimtarë.

O Zot, mbro dhe ruaj këtë vend me besimin dhe akiden e tij, tokën dhe vendet e tij të shenjta, sigurinë dhe stabilitetin e tij, mirëqenien dhe zhvillimin e tij. Ruaje atë dhe vendet e muslimanëve nga komplotet e komplotuesve dhe agresioni i agresorëve.

O Zot, jepi sukses udhëheqësit dhe kujdestarit të çështjeve tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, mbretit Selman dhe zëvendësit të tij besnik, Muhamed Ibn Selman, në çdo gjë që Ti do dhe me të cilat je i kënaqur. Jepu sukses atyre dhe mbështetësve të tyre  në çdo gjë që është e mirë dhe e dobishme për vendin dhe popullin, fitore dhe fuqizim për Islamin dhe muslimanët.

O Zot, ruaj dhe ndihmo njerëzit e sigurisë tonë, mbrojtësit dhe ushtarët tanë në kufijtë tanë, ji mbrojtje dhe ndihmë, mbikëqyrje dhe mbështetje për ata.

O Zot, largo shqetësimet e atyre që janë të shqetësuar, largo të vështirat e atyre që janë në vështirësi, mundëso larjen e borxheve  atyre që janë në borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve. O Zot, mëshiro të vdekurit tanë dhe të vdekurit e muslimanëve.

O Zot, të lutemi të jesh me vëllezërit tanë në Palestinë, jepu atyre siguri, mbrojtje, stabilitet dhe qetësi shpirtërore.

O Zot, mbro xhaminë Aksa,  bëje atë krenare dhe të nderuar deri në Ditën e Gjykimit,

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1688485513278122/1991021811614246

Post Author: endrit