Besimi në vendimin dhe kaderin, caktimin e Zotit

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar     29-10-1447 H     17-04-2026 D

Shejh Jaser Ed-Dosari

Tema     Besimi në vendimin dhe kaderin, caktimin e Zotit

Lavdërimet janë për  Zotin, Ai i Cili që krijoi çdo gjë dhe e ka rregulluar si duhet, çdo gjë vazhdon  sipas vullnetit të Tij, me urtësinë dhe planifikimin e Tij.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Ai është mjaftueshëm mbrojtës dhe ndihmës për ne.

Dëshmoj se Muhamedi  është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Zoti e dërgoi atë tek njerëzit dhe xhindët përgëzues dhe paralajmërues, ftues tek Ai me lejen e Tij dhe pishtarë ndriçues. Paqja, mëshira dhe bekimet e Zotit qofttë mbi atë, familjen e tij, shokët e tij dhe ata që i pasojnë në mirësi, atyre u dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.

Në vijim

O ju njerëz! Këshilloj  ju dhe veten time që t’i frikësohemi Zotit, sepse ata që i frikësohen Atij janë fitimtarë. Mbështetuni tek Zoti juaj në gjithçka që bëni dhe dijeni se çdo gjë është në caktimin, kontrollin  e Atij që i thotë gjësë “Bëhu!” dhe ajo bëhet.

O muslimanë! Besimi në vendimin dhe caktimin e Zotit, i mirë ashtu dhe i keq, është kusht nga kushtet e besimit dhe një nga themelet e tij të mëdha, siç na ka informuar për këtë zotëria i njerëzimit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Përmes tij, robi arrin kënaqësinë e të Gjithëmëshirshmit, fiton hyrjen në Xhenet dhe shpëtohet nga Zjarri i Xhehenemit. Nga Zejd Ibn Thabit, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ai ka thënë: E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, duke thënë: “ Nëse do të kishe ar sa madhësia e malit Uhud dhe do ta shpenzoje në rrugën e Zotit, nuk do pranohej prej teje derisa të besosh në caktimin e Tij. Dije se ajo që të ka ndodhur nuk ka qenë e mundur që të shpëtosh prej saj, dhe se ajo prej të cilët ke shpëtuar nuk ka qenë e mundur që të të ndodhë.  Nëse vdes duke besuar ndryshe do të hysh në Zjarr të Xhehenemit.” Hadithin e ka transmetuar Ibn Maxhe.

Nëse ky besim zë rrënjë në zemrat e njerëzve, ai do t’i motivojë vepër mirët në punën e tyre dhe do t’i ngrejë ata në nivelet më të larta të përsosmërisë në të gjitha rrethanat e tyre.

O ju njerëz! Kaderi, caktimi është sekreti i Zotit në krijesat e Tij, çdo gjë të paracaktuar që Zoti ka caktuar do të ndodhë sipas urtësisë së Tij. Zoti i Lartësuar me fuqinë e Tij, ka thënë: “Vërtet, Ne çdo gjë e kemi krijuar me masë të paracaktuar.”(El-Kamer 49) Sikurse Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ I Cili ka krijuar çdo gjë dhe e ka rregulluar si duhet!”(El-Furkan 2) Ai është që krijoi dhe shkatërroi, varfëroi dhe pasuroi, shkaktoi vdekjen dhe dha jetë, çoi në humbje dhe udhëzoi. Çdo gjë që Zoti ynë ka zbuluar për ne, e besuam dhe e pranuam. Çdo gjë që Ai e mbajti për Vete në dijen e Tij, ku urtësia dhe qëllimi i të Cilit janë të fshehura prej nesh, iu nënshtruam Atij dhe jemi të kënaqur me të. Duke besuar në përsosmërinë e urtësisë së Zotit, madhështinë e urtësisë së Tij, ekzekutimin e vullnetit të Tij në sundimin e Tij dhe në menaxhimin e Tij të përkryer. Vërtetë Zoti i Madhërishëm është i Gjithurti, i Gjithëdijshmi, i Cili nuk pyetet për atë që bën, ndërsa ata, krijesat, pyeten. Ai është i  Lavdëruari që meriton lavdërim në çdo situatë. Nuk ka Zot tjetër përveç Tij.

Kush beson vërtet në Zot dhe e di se çdo gjë është me paracaktim dhe kader, caktim nga i Gjithëdijshmi, Mëshirëploti, besimi i tij është i sinqertë, përmbush kërkesat e tij me fjalë dhe vepra, Zoti ja forcon zemrën e tij me kënaqësi dhe e udhëzon atë drejt nënshtrimit dhe bindjes. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Ai ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij. Allahu di mirë çdo gjë.”(Et-Tegabub 11)

LEXO  Dashuria për atdheun... natyrshmëri dhe mirësi

Kush kërkon ndihmë nga Zoti, duke u mbështetur tek Ai me zemër, Ai do ta ndihmojë atë. Kush strehohet tek Ai dhe kërkon mbrojtje nga prania e Tij, Ai do ta mbrojë dhe do ta ruajë atë. Kush mbanë barrë dhe vështirësi në rrugën e Tij, Ai do t’ia bëjë ato të pakta dhe të lehta. Kush e ka sinqerisht për qëllim Atë, Ai do t’i mjaftojë atij, do t’ia zbukurojë rrugët e mirësisë dhe do t’i bëjë ato të mira. Pra, si mundet ai që e di se vdekja është e pashmangshme të ketë frikë nga njerëzit? Si mundet ai që është i sigurt se furnizimi është i ndarë, i caktuar, të ketë frikë nga varfëria? Si mundet ai që e di se Zoti është Ai i Cili i cakton ato të jetë i pakënaqur me fatkeqësitë dhe sprovat? Si mundet të mos presë shpërblimin dhe të shpresojë për thesaret, çmimin e tij, ai që e di se Zoti është Ai i Cili i cakton dhe i menaxhon ato?

Nëse robi beson në këtë, Zoti do t’ia lehtësojë gjërat në kohë telashe dhe vështirësish, dhe do t’i japë qëndrueshmëri kur e godasin fatkeqësitë. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër…” (Ibrahim 27) Për më tepër, ai do të marrë një sevap të madh dhe shpërblim të bollshëm për këtë, sikurse i Gjithëurti, i Gjithëdijshmi ka thënë: “Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë.”(Ez-Zumer 10) Ky është një nga shpërblimet më të mira që Zoti u jep besimtarëve.

Zoti ju mëshiroftë! Dijeni se besimi në paracaktimin dhe kaderin, caktimin e Zotit, ka katër nivele:

I pari prej tyre është niveli i dijes: Besimi në dijen gjithëpërfshirëse të Zotit, se Allahu i Lartësuar është Ai i Cili di çfarë ishte, çfarë është, çfarë do të jetë dhe çfarë nuk ka qenë, e nëse do të kishte qenë si do të kishte qenë.  Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Në çfarëdo pune që të jesh, çfarëdo gjëje që të lexosh nga Kurani dhe çfarëdo pune që të bëni (o njerëz), Ne jemi dëshmitarë, kur ju të thelloheni në të. Zotit tënd nuk i fshihet asnjë grimë peshe, në Tokë e në qiell; as më pak nga ajo e as më shumë nuk mbetet pa u shënuar në Librin e qartë.”(Junus 61)

Së dyti: Niveli i shkrimit: Besimi se Zoti i Plotfuqishëm ka shkruar fatet e të gjitha krijesave në Pllakën e Ruajtur, Leuhi Mahfudh. Ai ka shkruar kohën dhe jetëgjatësinë, mjerimin dhe lumturinë, furnizimin dhe veprat. Abdullah Ibn Amr Ibn El Asi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, tregon se e kam dëgjuar të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, duke thënë: “ Zoti i shkroi fatet e të gjithë krijesave pesëdhjetë mijë vjet para se të krijonte qiejt dhe tokën.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.

Së treti:  Niveli i vullnetit dhe dëshirës: Besimi se çdo gjë që ndodh në këtë univers është me vullnetin e Zotit të Plotfuqishëm në veprim, dhe se asgjë nuk del jashtë vullnetit dhe dëshirës së Tij, as e pazakontë as e jashtëzakonshme. Kështu që ajo që Zoti dëshiron ndodh, e ajo që Ai nuk dëshiron nuk ndodh. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Asnjëherë mos thuaj, për çfarëdo gjëje qoftë, se: “Me siguri që nesër do ta bëj këtë!”, pa shtuar: “Në dashtë Allahu!”(El-Kehf 23-24)

Zoti ju mëshiroftë! Dijeni se besimi në kader, caktim të Zotit, nuk do të thotë që njeriu të mendojë se është i detyruar në veprimet e tij. Përkundrazi, Zoti u ka dhënë njerëzve vullnet dhe zgjedhje të lirë, por se vullneti i tyre nuk ndryshon, nuk del jashtë vullnetit të Zotit të Plotfuqishëm, sikurse Zoti i Madhërishëm ka thënë: “  Por ju nuk mund të dëshironi, përveçse me vullnetin e Allahut! Ai është vërtet i Gjithëdijshëm e i Urtë.” (El-Insan 30) Besimtari në kader, caktim të Zotit,  nuk pushon së ndërmarri mjetet, arsyet, e ligjshme, sepse ai e di se ligjshmëria e Zotit është t’i caktojë çështjet nëpërmjet shkaqeve të tyre.

LEXO  Mendimi i mirë për Zotin

Niveli i katërt i besimit në kaderin, caktimin dhe vullnetin e Zotit është niveli i krijimit: Besimi se Zoti i Lartësuar është Krijuesi i çdo gjëje, nuk ka krijues tjetër përveç Tij dhe asnjë Zot tjetër përveç Tij. Zoti i Lartësuar dhe i Madhërishëm ka thënë: “ Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje.”(Ez-Zumer 62)

Adhurues të Zotit! Zoti na begatoftë me Kuranin Famëlartë dhe me sunet, dhe na bëftë dobi me argumentet dhe urtësitë që ata përmbajnë.

Zotit  i kërkoj falje për vete dhe ju,  tek Ai kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Allahun, Ai që dëgjon çdo gjë, i Gjithëdijshmi, i Plotfuqishmi, i Gjithurti. Ai caktoi dekretin e Tij dhe vullneti i Tij u shpalos para veprave të vepër mirëve.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Zoti i të parëve dhe të fundit. Dëshmoj se Muhamedi  është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, udhëheqësi i të parëve të mirë. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjen e tij, shokët e tij, tabiinë dhe të gjithë ata që i pasojnë në mirësi deri në ditën e Kijametit.

Në vijim

O besimtarë! Vërtetë besimi në vullnetin dhe kaderin, caktimin e Zotit, ka fryte madhështore që nuk numërohen dhe nuk llogariten, dhe efekte të lavdërueshme pozitive të pamatshme. Prej tyre: Paqja e shpirtit dhe qetësia zemrës,  mos trishtim për atë që ka kaluar dhe është marrë, sepse besimtari nuk pikëllohet për humbjen e diçka të dashur, as për ndodhjen e diçka të dëshirueshme. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ (Këtë paracaktim e kemi bërë) që ju të mos dëshpëroheni për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai ju ka dhënë.” (El-Hadid 23)

Kush e di se çdo gjë është me urdhër dhe caktim, do ta ketë më të lehtë të përballojë vështirësitë, do ta stërviti veten të jetë i duruar me fatkeqësitë, nuk do të bëjë dhe nuk do të thotë asgjë përveç asaj që kënaqën Zotin e të gjithë krijesave.  Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!”(El-Bekare 156)

Nga frytet e besimit në vullnetin dhe kaderin, caktimin e Zotit, është nënshtrimi dhe bindja ndaj urdhrit të Zotit, dhe që robi ta dijë se rruga më e mirë është ajo që ka zgjedhur Zoti i tij. Zoti i Lartësuar dhe  i Madhërishëm ka thënë: “ Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.” (El-Bekare 216)

Omer Ibn El Hatabi, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë:  “Nuk më intereson në çfarë gjendjeje jam, nëse është diçka që më pëlqen apo nuk më pëlqen, sepse nuk e di nëse e mira qëndron në atë që më pëlqen apo në atë që nuk më pëlqen.”

Nga frytet e atij besimi është kënaqësia dhe pranimi i caktimeve të Zotit të Plotfuqishëm, duke marrë në konsideratë arsyet, mjetet legjitime. Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Ji i kënaqur, prano, me atë që Zoti të ka caktuar dhe do të jesh më i pasuri i njerëzve.” Hadithin e ka transmetuar Tirmidhiu.

Në mesin e këtyre fryteve është pastrimi i zemrës nga zilia, ligësia dhe pakënaqësia, sepse këto janë sëmundje të papranueshme të zemrës që e shtyjnë poseduesin e tyre të kundërshtojë caktimet e Zotit të Plotfuqishëm. Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë “Shikoni ata që janë poshtë jush dhe mos shikoni ata që janë sipër jush,  sepse kjo ka më shumë gjasa të ju pengojë që të përçmoni mirësitë e Zotit mbi ju.”  Hadithin e ka transmetuar Muslimi.

LEXO  Zotit frikësojuni - Meka 24.01.2020

Prej këtyre fryteve është durimi në kohë vështirësish dhe mirënjohja për mirësitë e Zotit. Nga Suhejbi, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Çështja e besimtarit është e habitshme. Në fakt e gjithë çështja e tij është mirësi. Kjo i ndodh vetëm besimtarit. Nëse i vjen një e mirë, ai falënderon dhe kjo është mirë për të. Nëse e godet një e keqe, ai duron dhe kjo është mirë për të.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.

Nga Ata’ Ibn Ebi Rebah tregohet se Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, i ka thënë: A dëshiron të të tregoj një grua nga banorët e Xhenetit? Unë thashë: Po. Ai tha: Kjo grua me ngjyrë erdhi tek i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe tha: “Unë vuaj nga kriza dhe zhvishem, prandaj lute Zotit për mua.” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i tha: “Nëse dëshiron, mund të bësh durim dhe Xheneti do të jetë i yti, dhe nëse dëshiron, unë do t’i lutem Zotit të të shërojë.” Ajo i tha: “Do të jem e duruar.”  Pastaj ajo tha: “Unë zhvishem, prandaj lute Zotit për mua që të mos zhvishem.”  Kështu që ai u lut për të.” Muttefikun Alejhi.

Vëllezër në besim! Kuptimet e përmendura më lartë janë ndër gjërat më të mëdha që i forcojnë besimtarët kur vështirësitë intensifikohen dhe fatkeqësitë bëhen të rënda. Allahu i Plotëfuqishëm, Njohësi i të fshehtës ka thënë: “ Thuaj: “Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu; Ai është Mbrojtësi ynë dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët!”(Et-Teube 51)

Adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin dhe jini nga ata që kur sprovohen  janë të durueshëm, kur u dhurohen mirësi janë mirënjohës dhe kur bëjnë gjynahe kërkojnë falje, në mënyrë që të arrini lumturinë, shpëtimin dhe fitoren në të dy botët.  

Lutuni dhe përshëndeteni më të mirin e të gjithë njerëzimit, zotërinë e profetë dhe të dërguarve, sepse Allahu i Madhërishëm dhe i Gjithëditur ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje të dërguarin Tënd të besuar, familjen e tij të mirë dhe të pastër, dhe bashkëshortet e tij, nënat e besimtarëve. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër kalifët e udhëzuar drejt, me të gjithë  shokët e tij, me tabi’inët, me ata që i pasojnë në vepra të mira  deri në Ditën e Gjykimit, dhe me ne së bashku me ta me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Bujar.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë, ndihmo fenë Tënde, librin Tënd, Kuranin, sunetin e të dërguarit Tënd, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,dhe robërit e Tu besimtarë.

O Zot,  përjetëso mirësinë e sigurisë dhe mbrojtjes mbi vendin tonë, Mbretërinë e Arabisë Saudite, dhe mbi të gjitha vendet muslimane,  na mbro ne dhe ata nga çdo e keqe dhe fatkeqësi, vështirësi dhe shqetësim, shmang nga ne dhe ata luftërat dhe konfliktet, të këqijat dhe fatkeqësitë,të dukshmet prej tyre ashtu dhe të fshehurat.

O Zot, mbështet me të vërtetën, me sukses dhe udhëzim udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta dhe princin e tij besnik të kurorës, jepu atyre, ndihmësve dhe njerëzve të tyre sukses në të gjitha ato që Ti do dhe me të cilat je i kënaqur, dhe në çdo gjë që është e mirë dhe e dobishme për vendin dhe popullin, fitore dhe fuqizim për Islamin dhe muslimanët.

O Zot, ruaj njerëzit e sigurisë tonë, mbrojtësit dhe ushtarët tanë në kufijtë tanë, o Zot, ji mbrojtje dhe ndihmë, mbikëqyrje dhe mbështetje për ata.

O Zot, largo shqetësimet e atyre që janë të shqetësuar, largo të vështirat e atyre që janë në vështirësi, mundëso larjen e borxheve  atyre që janë në borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve. O Zot, mëshiro të vdekurit tanë dhe të vdekurit e muslimanëve.

O Zot, të lutemi jepu fitore muslimanëve të shtypur në Palestinë dhe në çdo vend, jepu atyre lehtësim nga çdo shqetësim, rrugëdalje nga çdo vështirësi dhe shpëtim nga çdo fatkeqësi.

 “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)

Na fal, sepse Ti je vërtetë Falës i Madh, Mëshirëploti.

“…dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 128)

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1537462291713779/2012908712629889

Post Author: endrit