Disa nga arsyet e lumturisë së zemrës dhe qetësisë së shpirtit

Hutbe e ditës së xhuma nga  Meka e bekuar      13- 01-1446  H    19-07-2024 D

Shejh Usame Khajat 

Tema   Disa nga arsyet e lumturisë së zemrës dhe qetësisë së shpirtit

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili është Dhurues dhe Bujar i madh. Allahun e Madhërishëm e lavdëroj, lavdërime me të cilat arrijmë Xhenetet e Tij dhe na jep pozitat e njerëzve të lumtur. 

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, veçon me mëshirën e Tij atë që Ai dëshiron.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, vula e të dërguarve dhe modeli i njerëzve të devotshëm. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd Muhamedin, familjen dhe shokët e tij, tabi’inët dhe ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën e Kijametit, Ringjalljes dhe Shpërblimit. 

Në vijim

O adhurues të Zotit! Kijeni frikë Allahun, ka fituar dhe ja ka arritur ai që i frikësohet Atij  dhe u përgatit për jetën e përtejme, Ahiretin, që në këtë botë. “O besimtarë! Kini frikë Allahun, përpiquni që t’i afroheni Atij me vepra të mira dhe luftoni në rrugën e Tij për të shpëtuar!” (El-Ma’ide 35)

O ju muslimanë! Vërtetë lumturia e zemrës, gëzimi i shpirtit dhe jetesa e mirë dhe e qetë janë synime që kërkojnë të gjithë njerëzit, qëllim që e kërkon i gjithë njerëzimi dhe shpresë që njerëzit e arsyeshëm në përgjithësi e dëshirojnë  ta arrijnë. Kështu që i shikon duke punuar me çdo mjet, marrin çdo shkak dhe hypin në çdo mjet për të arritur me të këtë qëllim dhe këtë synim. Kujt do që Zoti ia ndriçon mendjen dhe e frymëzon me udhëzim, e di se qëllimi përfundimtar i lumturisë, kënaqësisë së plotë, gëzimit, kënaqësisë dhe jetesës së mirë të robit është në njohjen e Zotit të Plotfuqishëm, në Njësimin e Tij në besim, në të qenit i kënaqur me Të dhe në përmallimin për takimin e Tij. Shejhul Islam, Ibn Tejmijje, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Të besuarin në Zot dhe në të dërguarin e Tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, është kulmi, bashkimi i lumturisë dhe baza e saj.” Këtu mbaron fjala e tij, Zoti e mëshiroftë.

Ndërsa ajetet e Librit plotë Urtësi, Kuranit, na kujtojnë se të kapurit me fenë e Zotit, bindja ndaj Tij, Allahut të Lartësuar, të qenit i qëndrueshëm, i palëkundur në metodën e Tij, pasimi i kënaqësisë së Tij dhe braktisja e mosbindjes ndaj Tij, garantojnë kënaqësinë e një jete të mirë në këtë botë me qetësimin e zemrës dhe paqen e shpirtit. Sikurse Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (En-Nahl 97)

O adhurues të Zotit! Në të qenit i sjellshëm me njerëzit, në të gjitha format e dashamirësisë, duke u sjellë dobi atyre me gjithçka që mund të bëhesh i dobishëm për ta, me pasuri, nder dhe mësim i njohurive të dobishme, me urdhërim në të mirë dhe me ndalim nga e keqja, me mbajtje e lidhjeve farefisnore, sadaka, lëmoshë dhe me të tjera veç tyre, të gjitha kanë efekt të mrekullueshëm në qartësimin, pastrimin e zemrës dhe kënaqësinë e shpirtit.

LEXO  Islami feja e vëllazërisë

Adhurues të Zotit! Nga gjërat më të mëdha me të cilat njeriu mund të preki pjesën e tij të lumturisë dhe të arrijë pjesën e tij të suksesit është përmes shmangies së cilësive të qortueshme dhe moralit të urryer, përmes pastërtisë së zemrës nga mëritë, të qenit e tij i pafajshëm nga inatet dhe të mbrojturit e tij nga mëritë. Allahu  ka përshkruar parimet dhe rrugë për robërit e Tij, me të cilat, njeriu,  largohet prej armiqësive, ndarjeve, dhe motiveve të pakënaqësisë, dhe përhapën në mes tyre lumturinë, dashurinë dhe qetësinë. Prej tyre:

Ndalimi i zilisë dhe grindjeve në mes njëri-tjetrit, për të cilën ka ardhur ajo çfarë kanë sjellë Buhariu dhe Muslimi në librat e tyre sahih, ndërsa teksti është nga Imam Buhariu, Zoti e mëshiroftë, nga Enes Ibn Maliku, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Mos e urreni njëri-tjetrin, mos e keni zili njëri-tjetrin dhe mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit gjatë zemërimit, por bëhuni robër të Zotit, vëllezër të mirëfilltë. Për muslimanin nuk është e lejuar të qëndrojë i hidhëruar me vëllanë e tij, të mos flasë me të, më tepër se tri ditë.” Hadithi. 

Prej tyre gjithashtu;  Ndalimi i përgojimit, të cilin i dërguari udhëzues, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, e ka bërë të qartë dhe e ka shpjeguar të vërtetën e tij duke thënë: “Të përmendurit e vëllait tënd me diçka që ai e urren.” Ka thënë: “ A ke parë,  nëse ajo që them është tek vëllai im?” Ka thënë: “ Nëse ajo që ti thua për të është tek ai, atëherë e ke përgojuar, e nëse ajo që ti thua nuk është tek ai atëherë ke shpifur për të.”  Hadithin e ka transmetuar Imam Muslimi në Sahihun e tij.

Ndër gjërat që janë të ndaluara, nga të qenit e tyre prishëse të qetësisë së shpirtrave dhe ndryshuese të zemrave: janë thashethemet.  I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Nuk do të hynë në Xhenet thashethemexhiu.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu në Sahihun e tij. Nemam, thashethemaxhiu është ai që bartën fjalët në mes njerëzve me qëllim prishjen dhe shkëputjen e lidhjeve në mes tyre. Për këtë arsye e ka ndaluar i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, që ta lajmërojnë për shokët e tij me diçka që është e keqe, dhe ka thënë: “ Askush nga ju nuk duhet të më informojë për asgjë për ndonjë nga shokët e mi, sepse unë dua të dal tek ju me zemër të shëndoshë, pastër.” Hadithin e ka transmetuar Ebu Daudi në Sunenin e tij me zinxhir transmetimi të saktë.

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahut, bëni kujdes për shëndetin, pastërtinë e gjokseve tuaja që të mos prishen nga mëritë dhe të mos trazohen nga inatet, të cilat e bëjnë jetën e vështirë dhe jeta trazohet prej tyre.

LEXO  Gjendja e besimtarit kur sprovohet

Zoti na bëftë dobi me udhëzimin e librit të Tij, Kuranit, dhe me synetin e të dërguarit të Tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.

Zotit të Madhërishëm i kërkoj falje për vete, ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirbërës.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, Mbrojtësin, të Lavdëruarin, Atë që bën çfarë do. Allahun e Madhërishëm e lavdërojmë.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai që ka krijuar në fillim dhe përsëritën.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit  dhe i dërguari i Tij, poseduesi i moralit të mirë dhe i metodës së duhur. O Zot, fale dhe mëshiroje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij, dhe ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën e Kijametit dhe më shumë.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Arritja e lumturisë në këtë botë e inkurajon njeriun të çlirohet nga inatet dhe e nxit që të ndajë pasurisë që ka marrë në jetë dhe ndjenjave të tij ndaj vëllezërve. Ai nuk duhet që dështimi i tij, në atë gjë të cilën ia kanë dalë të tjerët, të jetë arsye për të dëshiruar dështim dhe humbje për të gjithë njerëzit. Sepse ai është shumë i pastër nga shpirti për t’i parë gjërat nga një këndvështrim personal, por se ai shikon në interes të përgjithshëm, në të mirën e përbashkët, sado që i mungojnë pasuritë e kësaj bote. Kjo sepse ai e di se zilia është një sëmundje e pashërueshme dhe kundërshti që nuk bashkohet kurrë me besimin në zemrën e një besimtari. Sikurse a ardhur në hadithin që e ka sjellë Imam Nesaiu në Sunenin e tij me zinxhir transmetimi të saktë, nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, ku tregon se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Dhe ka përmendur hadithin.” Ku në të cilin i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Në zemrën e një njeriu nuk bashkohen dot besimi me zilinë.” Zilia është një nga cilësitë më të shëmtuara dhe  prishëset më të mëdha të  moralit. Mjafton shëmtia që e karakterizon atë, sa ata që përshkruhen me të, nga zilia e madhe, urrejnë këdo që u bën mirë nëse e shohin në një gjendje më të lartë dhe më të ngritur se pozita dhe gjendja e tyre. Ata janë në trishtim të përhershëm dhe në ankth të vazhdueshëm.  Në jetën e tyre nuk shijojnë lumturinë,  dhe nuk kanë një jetë komode apo gjendje të mirë.

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahut, dhe përkujtoni se nuk ka rrugë për lumturinë e shpirtit dhe gëzimin e zemrës përveçse duke iu drejtuar Zotit, sepse me Zotin nuk ka kurrë trishtim. Kështu që kushdo që Zoti është me të, ai nuk ka të bëjë me trishtimin, por se i gjithë trishtimi është për atë i cili largohet nga Zoti dhe mbështetet në veten dhe dëshirat, egon e tij.

LEXO  Porosia për devotshmëri porosia më e mirë

Lutuni dhe përshëndeteni vulën e të dërguarve të Zotit, Muhamed Ibn Abdullah, sepse jeni urdhëruar me këtë në librin e Zotit, në Kuran, ku Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, mëshiroje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e mëshirove Ibrahimin dhe familjen e tij, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhërishëm.

O Zot, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe Madhërishëm.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur  me katër halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë familjarët, shokët e tij dhe tabiinët,  dhe me ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën e Kijametit,  dhe me ne së bashku me ata me Faljen, Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o Bujari më i Madh.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë dhe ndihmo robërit e Tu besimtarë, bashko zemrat e muslimanëve, njëso rrallët e tyre, përmirëso udhëheqësit e tyre dhe bashko fjalën e tyre në të vërtetën, o Zoti i Botëve.

O Zot, bëje të paqtë dhe të sigurt  këtë vend dhe të gjitha vendet  muslimane, o Zoti i botëve.

O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso  drejtuesit dhe kujdestarët  e çështjeve tona.

O Zot, mbështet në të vërtetën udhëheqësin dhe  kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta, jepi mbështetës të ndershëm dhe jepi atij sukses në atë që do dhe je kënaqur,  o Ti që i dëgjon lutjet.

O Zot, jepu sukses atij dhe  zëvendësit të tij, në atë që është në dobi të Islamit dhe muslimanëve, dhe në atë që është në dobi të njerëzve dhe vendit, o Ti tek i Cili është kthimi ditën e Gjykimit.  O Zot, ruaj këtë vend të bekuar me të gjitha të mirat, të sigurt nga çdo e keqe dhe të gjitha vendet muslimane, o Zoti i Botëve.

O Zot, ruaj muslimanët në Palestinë. O Zot, ruaj ata në mes duarve të tyre, nga pas tyre, ruaj ata nga e djathta dhe e majta e tyre, dhe nga lartë tyre. O Zot, kërkojmë mbrojtje në Madhështinë Tënde që të mos goditet nga poshtë këmbëve të tyre. O Zot, të lutemi që të jesh për ata mbrojtës dhe mbështetës, përkrahës dhe ndihmues. O Zot, të lutemi të jesh kundër armikut Tënd dhe  armikut të tyre, o më i Madhi më Bujari.

O Zot, na  përmirëso në  fenë tonë e cila është pjesë e jetës tonë, përmirëso jetën tonë ( në këtë botë) në të cilën është vendqëndrimi jonë, dhe përmirëso  jetën tjetër (Ahiretin) në të cilën  është takimi ynë. O Zot, bëj jetën tonë shtim të çdo mirësie dhe vdekjen rehati prej çdo të keqeje.         O Zot, jepu shpirtrave tanë devotshmëri, pastroi ata sepse Ti je më i miri që i pastron ata, Ti je Mbrojtësi dhe Kujdestari i tyre.

O Zot,  na mundëso përfundim të mirë në çdo çështje tonën, na mbro prej poshtërimit në këtë botë dhe ndëshkimit në botën Tjetër.

O Zot, kërkojmë mbrojtjen Tënde nga humbja e Mirësive Tua, nga përkeqësimi i shëndetit që na ke dhënë,  nga ndëshkimi Yt i papritur dhe nga gjithë zemërimi Yt.

O Zot, shëro të sëmurët tanë, mëshiro të vdekurit tanë, na i plotëso dëshirat tona nga ato që Ti je i kënaqur dhe na mundëso në mbyllje kryerjen e veprave të mira të vazhdueshme.

“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” ( El-A’raf  23)

 “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

O Zot, mëshiroje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e mëshirove Ibrahimin dhe familjen e tij.

O Zot, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe Madhërishëm.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/1220134469400469

Post Author: endrit