Besimi ushqen zemrën dhe është burim lumturie

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    16-05-1447 H     07-11-2025 D

Shejh Abdullah El Xhuhenij   

Tema    Besimi ushqen zemrën dhe është burim lumturie

Vërtetë lavdërimi i takon Zotit. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje  kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Zoti  s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij.

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al Imran 102)

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e nga ai krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej atyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”(En-Nisa’ 1)

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab 70-71) 

Në vijim

Porosis ju,veten time dhe këdo që dëgjon fjalët e mia, që të kemi frikë nga Zoti i Plotfuqishëm, i Cili krijoi njerëzimin, tek Ai është kthimi, nga Ai është udhëzimi dhe rruga e drejtë.  Frika ndaj Zotit është pasuri, mburojë nga zemërimi i Tij dhe  rrugë për të arritur tek Ai. Kini kujdes nga Zoti i Gjithëdijshëm, përmbajuni bashkësisë tuaj dhe mos u ndani në fraksione, grupacione. Më i mençuri nga njerëzit është ai që gjykon veten, merr veten në llogari, punon për jetën e përtejme, Ahiretin, dhe merr nga drita e Zotit dritë për errësirën e varrit. Le të ketë frikë robi se Zoti do ta ringjallë të verbër kur ai ka parë. Dije se ai që e ka Zotin me vete nuk ka frikë nga asgjë, dhe ai që e ka Zotin kundër tij, nga kush mund të shpresojë pas Tij?

O besimtarë dhe besimtare! Nga bekimet më të mëdha që Zoti i dhuron krijesave të Tij është se Ai i udhëzoi ata dhe i drejtoi që të besonin në Të, e Ai është që ua dhuroi këtë favor atyre. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Ata e quajnë si favor për ty që kanë pranuar Islamin. Thuaju: “Mos e quani si favor për mua se keni pranuar Islamin; përkundrazi, Allahu ju ka dhuruar mirësi dhe ju ka udhëzuar në besim, nëse ajo që thoni është e vërtetë!”(El-Huxhurat 17)

Besimi në Zotin e Plotfuqishëm është besimi dhe bindja e fortë se Zoti i Plotfuqishëm është Sunduesi i të gjitha gjërave, Sovrani, Krijuesi dhe Menaxheri i tyre, dhe se vetëm Ai meriton adhurim nëpërmjet namazit, agjërimit, lutjes, shpresës, frikës, përulësisë dhe nënshtrimit, se Ai është i Vetmi që përshkruhet me të gjitha atributet e përsosmërisë,  Ai që është larg nga çdo e metë dhe mangësi.

Zoti ju mëshiroftë! Dijeni se besimi nuk ka të bëjë me dekorim as me mendimin e dëshiruar, por me atë që është vendosur fort në zemër dhe konfirmuar me vepra. Besimi është thënie, shprehje me gjuhë, bindje me zemër dhe veprim me gjymtyrë dhe organe. Ai shtohet me bindje dhe pakësohet me mosbindje. Besimi është dhuratë hyjnore, bekim i madh dhe fisnik në jetën e  muslimanit. Bekim që pastron jetën, bekon ekzistencën, garanton botën Tjetër, Ahiretin, dhe e lartëson zotëruesin e tij në këtë botë dhe në botën Tjetër, sepse përmban jetën e vërtetë dhe lumturinë e jetës së  përtejme, Ahiretit. Ky bekim njihet vetëm nga ata që e kanë shijuar dhe ndihet vetëm nga ata që e kanë jetuar. Ai është dritë udhëzuese dhe ndriçuese që Zoti i Plotfuqishëm ja dhuron atij  që Ai dëshiron nga robërit e Tij dhe e mban larg atij që Ai dëshiron. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Thuaj: “Me të vërtetë, Allahu shpie në humbje ata që Ai do, ndërsa udhëzon në rrugë të drejtë ata që kthehen tek Ai.” (Er-Ra’d 27) I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ E ka shijuar ëmbëlsinë e besimit ai që është i kënaqur me Allahun  Zot të tij, me Islamin  fe të tij dhe me Muhamedin,  paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, profet të tij.” Hadithi është transmetuar nga Muslimi.

LEXO  Feja ndërveprim social: Përmirësimi i individit dhe i shoqërisë

Besimi i vërtetë, hyjnor, është themeli i çdo mirësie, burimi i nderit, dinjitetit dhe sovranitetit. Zotëruesi i tij jeton me nder, me lumturi, me forcë dhe me vendosmëri në rrugën e së vërtetës. Zoti i Plotfuqishëm u ka premtuar njerëzve të besimit dhe bindjes fitore dhe fuqizim në tokë, në një deklaratë fisnike hyjnore, ajet Kuranor, Zoti i Lartësuari ka thënë: “ Këto janë lajme të qarta dhe udhërrëfyese për të devotshmit. Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni, sepse ju, gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë. Nëse ju ka goditur ndonjë plagë, edhe popullin (armik) e kanë goditur të tilla plagë. Ato ditë (fitoreje dhe humbjeje) Ne i ndërrojmë midis njerëzve, që Allahu t’i dallojë besimtarët dhe për t’i bërë disa nga ju dëshmorë. Allahu nuk i do keqbërësit. E kështu, Allahu i dëlir besimtarët e i shuan jobesimtarët.” (Al ‘Imran 138-141)

Njerëzit e besimit janë të kënaqur me kujdesin e Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar mbi ta dhe gëzojnë një jetë të mirë. Zoti i Plotfuqishëm i do ata, besimtarët i duan ata, Zoti i Plotfuqishëm i mbron ata. Për ata  ka lajme të mira në këtë jetë dhe në botën Tjetër, Ahiret.

Nga ngushëllimet e tyre më të mëdha në kohë sprovash është besimi. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “Çdo fatkeqësi që i bie njeriut, ndodh me vullnetin e Allahut. Ai ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij. Allahu di mirë çdo gjë.” (Et-Tegabun 11)

Ata janë njerëz të sigurisë dhe qetësisë, ata nxitojnë drejt besimit të tyre, forcohen prej tij në gjithçka që u ndodh atyre, nga e mira dhe e keqja, bindja dhe mosbindja, lehtësia dhe vështirësia, përfitojnë nga predikimet dhe përkujtesat, dhe janë gjithmonë në shoqërinë e Zotit të Plotfuqishëm. Besimi i tyre i mbron nga rënia në veprime imorale, me dritën e besimit të tyre ata dallojnë midis të vërtetës dhe të pavërtetës, midis udhëzimit dhe devijimit, dhe midis bidatit, shpikjes, risisë, dhe sunetit.

Zoti i Plotfuqishëm u ka premtuar atyre fitore dhe fuqizim. Ata janë njerëz të nderit dhe dinjitetit. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “ Është detyra Jonë që t’i ndihmojmë besimtarët.” (Er-Rum 47) Melaiket që mbajnë Arshin e të Gjithëmëshirshmit do kërkojnë falje për ta dhe Zoti i Plotfuqishëm do t’i udhëzojë ata, nëpërmjet besimit të tyre, në rrugën e drejtë. Zoti i Plotfuqishëm do t’u japë atyre lajme të gëzueshme në këtë botë dhe në Jetën e Përtejme, Ahiret për siguri dhe lumturi, dhe gëzim të përjetshme në Jetën e Përtejme, Ahiret. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar. Ne jemi mbrojtësit tuaj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Atje do të keni çfarë t’ju  dëshirojë zemra dhe çfarë të kërkoni, dhuratë e pasur prej një Zoti Falës dhe Mëshirëplotë.” (Fussilet 30-32)

LEXO  Agjërimi zgjat disa ditë... prandaj nxitoni para se të jetë tepër vonë

Në vijim

O ju besimtarë! Urtësia e Zotit të Plotfuqishëm kërkoi, ka dashur, që ta bënte këtë umet nga umetet më të mirë të dala për njerëzimin, që urdhërojnë për në të mirë, ndalojnë nga e keqja dhe besojnë  në Zot.  Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar i urdhëroi ata të bëjnë vepra të mira, duke thënë: “… dhe bëni vepra të mira! Vërtet, Unë e di mirë çfarë bëni ju!” (El-Mu’minun 51) Në të vërtetë besimi në Zotin e Plotfuqishëm dhe veprat e mira janë ilaçi i shpirtit dhe ushqimi i zemrës. Kur këto të dyja vendosen në zemër i sjellin të gjitha të mirat poseduesit të tyre në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret. Ato janë litari i shpëtimit me të cilin robi gjen mbrojtje nga valët e dëshirave, dyshimeve dhe tundimeve të tërbuara. Ato janë ilaçi për zemrat, të cilat, kur njeriu  i neglizhon duke gërrmuar pas rrënojave kalimtare të kësaj bote, atëhere atij i ngushtohet  jeta e tij dhe i sëmuret zemra e tij. E ju e shikoni malin e ankesave, shqetësimeve, hidhërimeve, ankthit dhe trazirave në jetën e njerëzve, dhe shikoni efektet e distancimit të vetes nga besimi në Zotin e Plotfuqishëm dhe largimit nga feja dhe ligji i Tij. Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “ Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (En-Nahl 97)

Zoti na bëftë dobi të gjithëve me Kuranin Famëlartë dhe me udhëzimin e zotërisë së të dërguarve. Zotit i kërkoj falje për veten time, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga  çdo gjynah, tek Ai kërko falje, sepse vërtetë  Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Zotin e lavdërojmë për Mirësitë dhe Bujarinë e Tij, Atë e falënderojmë për begatitë dhe dhuratat e shumta të Tij.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd Muhamedin,  familjen dhe shokët e tij.

Në vijim

O robër të Zotit! Frikësojuni Allahut dhe përmbushni besimin tuaj në Zotin tuaj. Dije se besimi në Zotin e Plotfuqishëm i sjell besimtarit kënaqësin e Zotit të Plotfuqishëm në të gjitha rrethanat dhe se ndjenja e kënaqësisë së robit besimtar me Krijuesin e tij është shkaku i parë i qetësisë shpirtërore, e cila është thelbi i lumturisë. Duke qenë i kënaqur me veten dhe me atë që Zoti ka shkruar, caktuar për të, ai është i sigurt për të tashmen e tij, e duke qenë i bindur për Ahiretin dhe shpërblimin e drejtë  është i sigurt për të ardhmen e tij. Kjo do të thotë që besimtari nuk pikëllohet për të kaluarën me lot dhe trishtim, as nuk e jeton të tashmen me pakënaqësi dhe nuk e përballon të ardhmen me frikë, sepse në fenë e tij ka mjete me të cilat ai mund ta ndihmojë veten të këmbënguli në betejën e jetës dhe të përballet me fatkeqësitë, dhimbjet dhe sprovat e saj.

Prandaj, kujdes dhe kujdes që të mos humbisni kënaqësinë e Tij qoftë dhe për një çast, që të mos bini nga favori i Tij. Sepse në lidhjen me Zotin ka forcë për shpirtin, kënaqësi me të dhe qetësi për zemrën. Allahu i Lartësuar në Librin e Tij të Shenjtë, Kuran, thotë: “O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.”(El-Bekare 153)

LEXO  Vlera dhe etiketa e lutjes

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kur shqetësohej nga diçka i drejtohej lutjes, namazit. Lutja, namazi i tij nuk ishte thjesht një ritual për tu kryer, por se ishte më tepër një zhytje në bisedë me Zotin. Kur vinte koha e saj, lutjes apo namazit, i thoshte shokut të tij Bilalit, Zoti qoftë i kënaqur me të: “Na qetëso me të, o Bilal!” Që do të thotë me namaz.

O besimtarë! Këto janë çelësat që hapin sekretet e jetës dhe disa mënyra për të jetuar në paqe, prandaj mbështetuni tek ato në mënyrë që të keni sukses.

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahut dhe binduni Atij. Merrni mësim nga ata që ishin para jush dhe dijeni se do ta takoni Zotin tuaj e do të shpërbleheni për veprat tuaja, të vogla dhe të mëdha, përveç asaj që fal Zoti, vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë. Prandaj, kujdesuni për veten tuaj dhe kërkoni ndihmë nga Zoti, sepse nuk ka fuqi dhe forcë tjetër përveç Zotit.

Adhurues të Zotit! “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, mëshiroje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e mëshirove Ibrahimin dhe familjen e tij me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar.

O Zot, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar.

Shtoni lutjet dhe përshëndetjet mbi mburojën e njerëzimit në qëndrimin e madh në Ditën e Gjykimit, profetin dhe ndërmjetësin tonë Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dhe familjen e tij.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër halifet e drejtë,me të gjithë shokët e tij dhe me pasuesit e tyre në vepra të mira deri në ditën e Kijametit. O Zot, na bëj dobi me dashurinë tonë për ta, o Zot, na ringjall nën shoqërinë e tyre, dhe mos na lejo të devijojmë nga suneti dhe rruga e tyre, o më i Madhi Bujar.

O Zot, ndihmo Islamin dhe muslimanët, me mirësinë Tënde lartëso fjalën e të vërtetës dhe fenë. O Zot, mbështete me të vërtetën, me udhëzim dhe ndihmë udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta, jepi sukses atij në atë që Ti do dhe me të cilën je i kënaqur, udhëzoje atë drejt drejtësisë dhe devotshmërisë,  jepi këshilltarë të drejtë, përmes tij forco fenë Tënde dhe lartëso fjalën Tënde,  bëje atë mbështetje për Islamin dhe muslimanët, dhe përmes tij bashko fjalën e muslimanëve në të vërtetën dhe udhëzim, o Zot i botëve.

O Zot, atij, princit të tij të kurorës, vëllezërve të tij dhe ndihmësve të tyre jepu sukses në të vërtetën, në udhëzim dhe në çdo gjë që është e mirë për popullin dhe vendin.

O Zot, jepu sukses udhëheqësve të muslimanëve që të punojnë me Librit Tënd, Kuranin, dhe me sunetin e profetit Tënd Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, bëji ata mëshirë për robërit e Tu besimtarë dhe bashko fjalën e tyre në të vërtetën, o Zoti i botëve.

O Zot, shtri mbrojtjen Tënde mbi vendin tonë dhe mbi të gjitha vendet muslimane. O Zot, jepu sukses forcave tona të sigurisë dhe atyre të vendosura në kufij e fronte, ji ndihmësi, mbështetja dhe mbrojtësi i tyre. O Zot, kërkojmë mbrojtje me kënaqësinë Tënde nga zemërimi Yt, me faljen Tënde nga ndëshkimi Yt dhe me Ty nga Ti. Ne nuk mund t’i numërojmë lavdërimet që Ti i meriton, Ti je ashtu siç e ke lavdëruar Veten.

O Zot, mos na ndëshko për të këqijat e veprave tona, mos na merr në llogari, përgjegjësi për atë që kanë bërë mendjelehtët nga ne. Na bëj që të mjaftohemi në çdo çështje që na përket, të lutemi që të jesh mbështetës dhe ndihmës për ne.

O Zot, ndihmo fenë Tënde, librin Tënd dhe sunetin e profetit Tënd, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në çdo vend, o Zot i botëve.

O Zot, të kërkojmë falje, sepse Ti je Falës, prandaj dërgo nga qielli shi të bollshëm mbi ne. O Zot, na furnizo me shi! O Zot, ne jemi krijesa nga krijesat Tua, mos na privo nga Mirësitë e Tua për shkak të gjynaheve tona.

O Zot, na fal ne, prindërit tanë, të gjithë muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët dhe të vdekurit.

“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)

“…dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 128)

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1402156791910997/1891851494876392

Post Author: endrit