Përmirësimi i vetes dhe integritet

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     23-05-1447H   14-11-2025 D

Shejh Dr. Jusuf  Ebu Sunejneh

Tema    Përmirësimi i vetes dhe integritet

Lavdërimet janë për  Zotin, Ai që ngre radhët e të përulurve, besimtarëve, u përgjigjet lutjeve të atyre që janë nevojtarë,  lehtëson vuajtjet e të shqetësuarve,  Ai që e bën lutjen dhe përshëndetjen për ndërmjetësuesin shkak për falje, portë për lehtësimin e hidhërimeve dhe mbrojtje nga pëshpëritjet, vesveset, e shejtanit.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Zotëruesit të Fuqisë dhe Madhështisë, në dorën e të Cilit është sundimi dhe sovraniteti.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij,  erdhi tek ne me udhëzim si përgëzues dhe paralajmërues, e nderoi umetin e tij, të mëdhenjtë dhe të vegjëlit e tij,  shkatërroi plotësisht adhuruesit e idhujve, ishin të pafuqishëm përballë tij dhe nuk mund të gjenin asnjë mënyrë për ta dëmtuar atë. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kurrë nuk u dëshpërua për asnjë gjë që lidhej me të, por ai dëshpërohej për çdo gjë që e shqetësonte umetin, popullin e tij. Paqja dhe mëshira e Zotit e pafundme qoftë mbi atë që Ai e ka zgjedhur dhe favorizuar me gradat dhe pozicionet më të larta,  mbi familjen e tij të pastër dhe të drejtë, mbi shokët e tij të mirë dhe mbi ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Kijametit.

Në vijim

O ti musliman! Zoti të frymëzoftë që ta kujtosh Atë, të dhëntë mundësinë ta falënderosh Atë dhe të bëftë të kënaqur me caktimin e Tij, dhe mos të privoftë nga udhëzimi dhe ndihma e Tij. Zoti mos të lëntë vetëm me veten tënde dhe as me asnjë nga krijesat e Tij. Zoti ju bëftë nga ata që e përmbushin besëlidhjen e tyre dhe janë të sinqertë në fjalët dhe veprat e tyre. Zoti  ju bëftë nga ata që duan Zotin e Plotfuqishëm, që përpiqen në kërkim të Tij me sinqeritet dhe sjellje të mira, dhe që e duan të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, duke e ndjekur dhe e besuar atë. O Zot, na bëj prej tyre, o Zoti i botëve,  dhe na furnizo me këto cilësi të mira dhe fisnike, o Zoti i botëve. Për një gjë të tillë le të përpiqen punëtorët dhe për këtë le të konkurrojnë konkurrentët. Kjo është lavdia e kësaj bote dhe nderi i botës Tjetër, Ahiretit.

O ti musliman! Jepi vetes mundësi, përgatitu,  siç u përgatitën ata që ishin para teje, kurse, bëj llogari për Ditën e Ringjalljes ashtu siç ata kursyen, llogaritën. Dije se ajo që hahet është për trupin, ajo që jepet, dhurohet,  është për jetën e Përtejme, Ahiretin, dhe ajo që mbetet, lihet është për armikun, prandaj zgjidh cilëndo që dëshiron nga këto të treja.

Ah, nga përgatitjet e pakëta, nga udhëtimii gjatë dhe rruga e vështirë!Situata jonë nuk e kënaqën mikun as atë që është i dhembshur me ne. Prandaj, o robër të Zotit,  duhet t’i përmbaheni të vërtetës së vërtetë.

Për Zotin, ka njerëz që kur vendosen në një vend sjellin vetëm gëzim, e bujaria e tyre përhapet kudo sa kohë ata vazhdojnë. Çdo vend ku ata vendosen merr jetë për shkak të tyre, sikur ata të ishin shi mbi sipërfaqen e tokës. Drita e tyre e udhëzon udhëtarin t’i shikojë ato, sikur ata të ishin hëna në errësirën e natës. Syri dëshiron një pamje të bukur prej tyre, sikur ata në sytë e njerëzve të ishin lule.

O ti muslimanë! Bashko shpatullat e tua  me muslimanët dhe bëj kujdes nga lutja e të shtypurve, sepse ajo pranohet. Të mos jetë e keqja e jote më e madhe, e fortë, sesa e mira. Kush e ekspozon veten ndaj akuzave nuk duhet t’i fajësojë ata që mendojnë keq për të.

Në disa ethare ka ardhur: Zoti i shpalli Dautit, paqja e Zotit qoftë mbi të: “ Nëse nuk je shtypës, atëherë mos u shoqëro me shtypësit, të padrejtët,   sepse do të bëhesh i parëndësishëm në sytë e Mi.”

O ju shtypës, të padrejtë! Mos qëndroni me njerëz që e kujtojnë Zotin, sepse nëse ata më kujtojnë Mua, do t’i kujtoj ata me mëshirën Time, e nëse ju më kujtoni Mua, Unë do t’ju kujtoj ju me mallkimin Tim. Kush i frikësohet Zotit të tij, do të përmbahet nga padrejtësia, e kush është në paqe me njerëzit, do të fitojë.

LEXO  Optimizëm dhe shpresa pavarësisht sprovave dhe vështirësive

Thelbi i çështjeve fetare dhe mbrojtja juaj është devotshmëria, stolia juaj është sjellja e mirë dhe fortesa e nderit tuaj është durimi.

O adhurues të Zotit! A e dini se kush është më i padrejti nga ata që i bëjnë padrejtësi vetes? Më i padrejti nga ata që i bëjnë padrejtësi vetes është ai që përulet para atij që nuk e nderon, dëshiron miqësinë e atij që nuk i sjell dobi dhe pranon lavdërimet e atij që nuk e njeh atë.

O ti musliman! Nëse nuk je kripë që përmirëson,  mos u bëj mizë, krimb, që prishën. Kush nuk është në gjendje të mbledhë vlera, virtyte, le të jetë ambicia e tij të braktisë veset.

Nëse njeriu gjurmon të metat e tjerëve, ai i dëmton, prishën, ata. Këtu, ata me zemra dhe mendje të shëndosha duhet t’i bllokojnë sprovat dhe të ndalin çdo njeri në kufijtë e tij. Nuk duhet që gjërat të dalin jashtë kontrollit dhe ta pësojë i njomi dhe i thati.

O adhurues të Zotit! A e dini me çfarë hakmerret njeriu ndaj armikut të tij? Duke e përmirësuar veten.

Parimi bazë i një udhëheqësi është se ai duhet të ketë mendim të dobishëm, plan vendimarrës dhe paraqitje unifikuese, që bashkon. Lidershipi arrihet vetëm përmes politikës, udhëheqjes së mirë.

Nëse besnikëria zhduket do bjeri fatkeqësia, nëse vdes, merr fund, uniteti, do të jetojë, shfaqet, hakmarrja dhe nëse shfaqen tradhtitë do të shkatërrohen bekimet.

I lutemi Zotit të Plotfuqishëm që lidhja e juaj të jetë  mjet për të hyrë në Xhenet, që kujtimi i vdekjes të jetë nga ne dhe ju në mendje, dhe të na ruajë besimin tonë deri në vdekje.

Adhurues të Zotit! Vërtetë Zoti nuk i përgjigjet kurrë lutjes së dikujt që vazhdon në gjynahe.       O ti shpirt! Pendohu tek Zoti i Plotfuqishëm para se të vdesësh. I lumtur është ai që e kujton botën Tjetër, Ahiretin, punon për llogari dhe kënaqet me atë që i është dhënë. Prandaj, o besimtarë, kthehuni te Zoti i Plotfuqishëm me pendim dhe kërkim falje, sepse Ai është që ka thënë: “Vërtet, Unë jam Falës për atë që pendohet, beson e bën vepra të mira dhe pastaj qëndron në rrugë të drejtë.” (Ta Ha 82)

Tek Zoti kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirbërës.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili urdhëroi të vërtetën, bëri të detyrueshme ndershmërinë, bëri haram, të ndaluar, gënjeshtrën dhe ndaloi nga e kota, e pavërteta. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, dëshmi e atij që i nënshtrohet të vërtetës, që flet me sinqeritet dhe vepron me butësi, mirësi.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Ai e bëri umetin e tij më të mirë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i shenjtëroi ata ndërsa ishin pasues të etërve të tyre. Zoti i Plotfuqishëm u ka dhënë atyre lavdi dhe pushtet në fund të kohës, i bëjë ata të mbizotërojnë mbi të gjitha fetë dhe nëse këtë nuk e pëlqejnë politeistët, idhujtarë.

Në vijim

O adhurues të Zotit! O ti muslimanë! Nëse dëshiron rrugën e së vërtetës bashkoju karvanit të ndershmërisë dhe ndiq rrugën e drejtësisë.

O ju besimtarë! Shikoni gjendjen tonë sot: Zemra të humbura, kushte të përmbysura, dëshira dominuese, aspirata të fjetura dhe vendosmëri të zhdukura.

Njerëzit janë larguar nga rruga e Zotit dhe i kanë joshur ata shejtanët. Lidhjet e tyre farefisnore janë ndërprerë dhe lidhjet e tyre janë shkëputur. O ju njerëz! Kur do të ktheheni tek Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar? Deri kur do të vazhdoni të nxitoni drejt fatkeqësive të kësaj bote? Do të vijë dita kur do të thoni: Mjerë për mua që nuk i kam kryer detyrimet ndaj Allahut!

Dhe sa kohë do të vazhdoni të vrisni njëri-tjetrin? Çdo ditë dëgjojmë, shikojmë dhe dëshmojmë vrasje. Mjafton për ne ajo me të cilën po përballemi.

Pse po e ekspozoni veten ndaj shkatërrimit? Për hir të një bote të përkohshme, një kënaqësie kalimtare dhe një gjynahi vdekjeprurës. Sa gjak është derdhur nga makinacionet e një njeriu keqdashës? Sa gra janë dhunuar nga shpifja e një shkelësi? Sa miq të ngushtë janë ndarë, shkëputur? Sa nga të dashuruarit janë armiqësuar, kthyer kundër njëri-tjetrit? Sa miq të ngushtë janë larguar? Sa çifte e kanë braktisur njëri-tjetrin? Sa bashkëshortë janë ndarë? Le të ketë frikë Allahun, Zotin e tij, një burrë që ditët e ka favorizuar dhe fati ka qenë i sjellshëm, që të mos dëgjojë një shpifës ose të mos i kushtojë vëmendje një përgojuesi. Nga Ibn Mesu’di, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Çështja e parë që do të vendoset, gjykohet në mes njerëzve është gjakderdhja.”

LEXO  Qëndroni largë të ndaluarave - Aksa 02.10.2020

O adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahut! O ti musliman! Përkujto se atë që do veprosh sot do e gjesh nesër, në Ditën e Gjykimit! Atë që do të shkruash sot do e lexosh nesër! Do shijoni ndërmjetësimin e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në varësi të praktikimit të sunetit të tij, dhe do të meritoni mëshirën e Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar në varësi të asaj se sa e mëshirojnë robërit veten e tyre. Ata që janë të mëshirshëm i mëshiron Allahu. Mëshironi familjet tuaja  dhe ruajini ata nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.

O rob i Zotit! Frikësoju Zotit dhe përmbaju rregullave të Tij. Bëj kujdes nga pasimi i hapave të shejtanit. E keqja është e turpshmja e përhershme dhe ndëshkimi i të  nesërmes. Frutat e dëshirave janë të turpshme. Kush i beson kohës tradhtohet dhe kush kapet pas saj do të poshtërohet prej saj.

O ju besimtarë! Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar na është drejtuar me fjalën e Tij duke thënë: “ Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara)…” (En-Nur 30) E si është puna me ata që bëj zina, imoralitet?! Zoti ka thënë: “ Mjerë për ata që hanë në peshë (dhe matje).” (El-Mutaffifin 1) E si është puna me atë që ja merr dikujt padrejtësisht të gjithë pasurinë?! Zoti ka thënë: “ … dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin!” (El-Huxhurat 12) E si është puna me atë që e vret, e akuzon  padrejtësisht dhe e lufton atë?!

O njerëz të mendjes! Bëni kujdes dhe përmirësohuni që Zoti të përmirësojë gjendjen tuaj.

Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, ka thënë: “  Sa herë që shfaqet urrejtja në mesin e një populli, Zoti mbjell tmerr në zemrat e tyre. Sa herë që përhapet imoraliteti në mesin e një populli, rritet midis tyre, tek ata vdekja. Sa herë që një popull mashtron në peshë dhe matje, Zoti ua ndërpret atyre furnizimin. Sa herë që një popull sundon me padrejtësi në mesin e tyre përhapet gjakderdhja. Sa herë që një popull e thyen besëlidhjen e tij, Zoti fuqizon mbi ta armikun e tyre.”

O ju besimtarë! Mjaftohuni me këto argumente, paralajmërim për tiranin, të padrejtin dhe ngushëllim për të shtypurin. “Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit!” (Ibrahim 42) Kush bën padrejtësi shkatërron shtëpinë e tij. “Ja shtëpitë e tyre të rrënuara, për shkak të këqijave që bënin.” (En-Neml 52) Padrejtësia është shkaku më i mundshëm i humbjes së bekimeve dhe ardhjes së fatkeqësive. Padrejtësia është e mjaftueshme për të larguar bekimet dhe për të ftuar fatkeqësitë. Dyshimi është errësirë.

O ti musliman! Shiko se si Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar i fsheh gabimet e tua, i mbulon gjynahet e tua dhe nuk të ekspozon në momentet e tua private. Kjo është ajo që përgatit shpirtrat, disiplinon ata me intelekt, njerëzit e mendjes, i udhëzon drejt asaj që është e drejtë dhe sqaron rrugën e drejtësisë. Besimtari është i dëlirë, i pastër dhe bujar. Sa njerëz të uritur ka ushqyer, sa njerëz të zhveshur ka veshur, sa të varfërve u ka mbuluar nevojat dhe sa borxhe ka paguar!

Kush dëshiron Xhenetin le t’i harrojë dëshirat e kësaj bote! Kush i frikësohet Xhehenemit le të largohet nga gjërat e ndaluara! Kush është indiferent ndaj kësaj bote do t’i marrë lehtë fatkeqësitë! Kush e ka mendjen, mendon për vdekjen do të përmbahet nga gjynahet! Duhet ta përmirësoni ushqimin tuaj, sepse ai është themeli mbi të cilin ndërtoni fenë tuaj. Përmirësoni zemrat tuaja dhe vishni çfarë të doni.

LEXO  Siguria dhe besimi: Themeli i një jete të mirë

Jini të duruar në fatkeqësi dhe mos i shkelni të drejtat! Mos e konsumoni padrejtësisht pasurinë e njerëzve! Bëhuni nga ata që janë të kënaqur dhe të duruar! Në durim ka ngushëllim për qetësim, pritje për lehtësim,  mendim të mirë për Zotin dhe shpërblim pa masë. Durimi çon në siguri ndërsa pakujdesia në keqardhje. Kush bën durim do të arrijë dëshirat e tij ndërsa kush është mirënjohës mbron bekimet, mirësitë. “Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit!” (El-Bekare 153) Ajet që Zoti e filloi me durim para namazit, pastaj tha fjalë të madhe, dhe e vendosi Veten e Tij me durimtarët pa namazfalësit. Lavdërimet janë për Zotin që na bëri në mesin e robërve të Tij durimtarë. Kush është i duruar në vështirësi dhe është i kënaqur me caktimin e Zotit e ka plotësuar çështjen e tij.

 Asketizmi, abstenimi nga gjërat e kësaj bote është durim dhe pritje e vdekjes.

O banorët e tokës tonë të bekuar! Përkujtoni se njerëzit e qiellit janë të kënaqur me ju për durimin tuaj. “Sa vendbanim i bukur që është ky!”(Er-Ra’d 24)

Kujdes dhe kujdes nga dëshpërimi, sepse ai sjell shqetësim,  lodhën trupin, bën të ndihesh i zhgënjyer, ushqen dyshimet, mbart gjynahet dhe pret ndëshkim.

O ju besimtarë! O banorë të Kudsit dhe tokave përreth tij! Vdekja është e pashmangshme, ajo është një portë që të gjithë njerëzit do të hyjnë prej saj. “Çdo njeri do ta shijojë vdekjen!”(El-Enbija’ 35) “Çdo gjë që është në Tokë, do të zhduket.” (Er-Rahman 26) “Çdo gjë do të shkatërrohet, përveç Fytyrës (Qenies) së Tij!.” (El-Kasas 88) Shkëlqesia e tij, sheih Abdul Azim Salhab,  ka ndërruar jetë,kryetar i Këshillit të Vakëfeve dhe Çështjeve Islame,  ish-kryetar i Gjykatës së Lartë të Kudsit. I lutemi Zotit të Plotfuqishëm që ta mbulojë atë me  mëshirën e Tij të Gjërë. Ai ishte një njeri me të gjitha virtytet dhe statuset më të larta, duke kombinuar dijen me veprimin, intelektin dhe vlerën, mirësinë dhe butësinë, qëllimet e mira dhe zemrën e pastër. Lotët pikojnë për të dhe ndjemë hidhërimi. Zoti qoftë i kënaqur me të dhe e kënaqtë, dhe vendin e tij të prehjes e freskoftë me ujin e mëshirës, në Xhenet.

Zoti e di dhimbjen tonë me humbjen e tij, sa shumë dëshironim që xhamia Aksa të kishte nga bekimet, mirësitë e tij dhe sa shumë na mungonin lutjet e tij. Zoti i dhëntë një vend në qendër të Xhenetit dhe na bëftë dobi me dashurinë e tij. Ai e kaloi jetën duke i shërbyer dijes dhe dijetarëve, dhe shqetësimi i tij ishte i madh  për çështjet e tokës sonë të bekuar. Ai kalonte ditët dhe netët duke adhuruar Zotin e tij, ai është i gjallë me lavdinë e tij ndërsa ne jemi të vdekur për shkak të humbjes së tij.

O adhurues të Zotit! E tillë është natyrshmëria e kësaj jete. Asgjë nuk mbetet e njëjtë gjithçka që është në të do të zhduket.  Zoti i Lartësuari është i Përjetshmi, Ai është që ka thënë: “Vërtet, jemi Ne që e trashëgojmë Tokën dhe gjithçka gjendet në të dhe ata te Ne do të kthehen.”(Merjem 40) Të Zotit jemi dhe tek Ai është kthimi ynë.

O Zot, kërkojmë mëshirë prej Teje me të cilën udhëzon zemrat tona, bashkon me të radhët tona dhe  rregullon me të  rrëmujën tonë, rivendos me të harmoninë tonë dhe përmirëson me të fenë tonë, mbron me të ata që mungojnë nga ne dhe lartëson me të dëshmitarët tanë, pastron me të veprat tona dhe ndriçon  me të fytyrat tona, frymëzon me të udhëzimin tonë dhe na mbron me të nga çdo e keqe.

O Zot, të lutemi të na lëshosh shi të bollshëm. O Zot, vendi ynë është bërë i shkretë, toka jonë është mbuluar nga thatësira dhe kafshët tona janë tërbuar, nga thatësira.

O Zot, Ti që zbret bekime nga vendet e tyre dhe përhap mëshirë nga burimet e saj, Ti je Ai që i falën njerëzit,  prandaj kërkojmë faljen Tënde, sepse Ti je Falës.  Zbrit nga qielli mbi ne shi të bollshëm, na furnizo me pasuri dhe fëmijë,  bëj për ne kopshte dhe bëj për ne lumenj.

O Zot, njerëzit janë dëshpëruar, ose disa prej tyre janë dëshpëruar dhe mendimet e tyre janë bërë të këqija,  kafshët e tyre janë tërbuar dhe bërtasin si një nënë e pikëlluar për fëmijët e saj, nga se Ti ua ke ndaluar shiun, kështu që kockat e tyre janë bërë të brishta, mishi i tyre është zhdukur dhe dhjami i tyre është shkrirë.

O Zot, ki mëshirë për rënkimin e gruas që rënkon dhe për mallin e saj për të vegjlit, e kush tjetër përveç Teje ju siguron atyre furnizim?

O Zot, mëshiro kafshët e buta dhe bagëtinë që kullosin, mëshiroji ata me mëshirën Tënde, o Zot i botëve. Mëshiro fëmijët e uritur, pleqtë e kërrusur, foshnjat që pinë gji dhe kafshët që kullosin.

O Zot, na e shto fuqinë dhe mos na kthe të privuar, vërtetë Ti je Dëgjuesi i lutjeve, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues. 

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju.

Falënderojeni Atë për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.

“ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1409264021200274/1342912313639088

Post Author: endrit