Hytbe e Qabes 15-02-1442 H 02-10-2020
Shejh Fajsal El Gazauij Tema Shpendët, argumente të Allahut
Falenderimi i takon Allahut, Atë falënderojmë e i kërkojmë ndihmë, Atij i kërkojmë falje dhe tek Ai pendohemi. Allahut i kërkojmë mbrojtje prej të këqijave të vetëve tona e prej punëve tona të këqija. Atë që Allahu e udhëzon s`ka kush e humb e atë që Ai e humb s`ka kush e udhëzon.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përpos Allahut, ai është i vetëm e pashok.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij. Zoti i tij e dërgoi atë udhëzues, përgëzues dhe qortues. Salavatet e Allahut qofshin për të, familjen e tij dhe shokët e tij. Shpëtimi i Allahut qoftë mbi të gjithë.
“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!” (Ali Imran, 102.)
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj i Cili u krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjellta dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikqyrës mbi ju.” (Nisa, 1.)
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat dhe do t’jua falë gjynahet tuaja. Kush i bindet Allahut dhe të dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” (Ahzab, 70-71.)
Meditimi rreth krijesave të Allahut është një prej adhurimeve më të larta të zemrës. Ai është shkak për shtimin e besimit. Allahu në këtë univers na ka paraqitur argumente dhe fakte që tregojnë njëshmërinë e Tij në adhurim. Të gjithë krijesat janë rrugë që të çojnë drejt njohjes së Tij. Ato janë fakte mëse të qarta mbi njëshmërinë e tij në zotërim. I gjithë universi është gjuhë që shpreh njëshmërinë e Tij.
Allahu i fton njerëzit të vështrojnë në qiej e në tokë. Të vështrojnë duke menduar, duke nxjerrë mësime e duke medituar.
Allahu thotë: Thuaj: “Shikoni ç’ka në qiej dhe në Tokë! Por shenjat dhe qortimet nuk u bëjnë kurrfarë dobie njerëzve që nuk besojnë.” (Junus; 101).
O rob të Allahut një prej këtyre fakteve mahnitëse dhe krijesave të mrekulleueshme rreth së cilës duhet meditojmë e të hedhim vështrimin është shpendi. Kjo krijesë e habitëshme. Allahu i ka dhënë disa veçori dhe cilësi që e dallojnë atë prej krijesave të tjera dhe që dëshmojnë qartë për mundësinë apsolute të Allahut të madhërishëm dhe mrekullinë e krijimit të Tij.
Shendët janë popull prej popujve. Allahu i lartësuar thotë:
“Të gjitha kafshët në Tokë e të gjithë shpendët që fluturojnë me krahët e veta, janë popuj të ngjashme me ju. Ne nuk kemi harruar asgjë në Librin Tonë. Pastaj të gjithë do të tubohen para Zotit të tyre.” (EL En`am; 38).
Shpendët janë në bashkësi të ndryshme dhe të lloj llojshëm. Ata janë njëjtë me bijtë e Ademit në aspektin e krijimit dhe furnizimit, jetës, vdekjes dhe tubimit. Nëse disa prej tyre sulmojnë të tjerët apo disa u bëjnë padrejtësi të tjerëve do të merren në llogari ditën e kijametit. Atij që iu është bërë padrejtësi do ti merret haku ndaj zullumqarit edhe pse nuk është shpagim për përgjegjësitë sepse për shpendët nuk ka përgjegjësi por ajo është një shpagim për diçka të kryer.
Në sahihun e Muslimit shënohet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) se ka thënë: Ju do tu paguani detyrimet atyre që u takojnë ditën e kijametit aq sa do të merret e drejta e deles shytë ndaj asaj me brirë.
Allahu do të gjykojë me drejtësinë e Tij mbi kafshët e më pas do ti shdërrojë ato në dhe.
Rob të Allahut, Allahu na tërhet vëmendjen të vështrojmë se si Ai i ka vendosur shpendët mes qiellit e tokës e se si ato shtrijnë e mbledhin krahët në ajër.
Allahu i madhërishëm thotë: “A nuk shohin ata, se si shpendët fluturojnë pa mundim në hapësirat qiellore? Ato i mban vetëm Allahu. Kjo, në të vërtetë, është shenjë për popullin që beson.” (Nahl; 79).
Gjithashtu thotë: “A nuk i shohin shpendët mbi kokat e tyre, se si i hapin dhe i mbledhin krahët? Askush nuk i mban ata, përveç të Gjithëmëshirshmit; Ai, me të vërtetë, sheh çdo gjë.” (Mulk; 19).
Shpendët e madhërojnë Zotin e tyre ashtu sikurse e madhërojnë të gjitha krijesat.
Allahu thotë: “Dhe nuk ka asgjë që nuk e madhëron Atë, duke e lavdëruar, por ju (o njerëz) nuk e kuptoni madhërimin që i bëjnë ata.” (Nahl; 44).
Allahu duke përshkruar madhërimin që i bëjnë shpendët krahëhapur në qiell thotë:
“A nuk e vëren ti, se Allahun e lavdëron çdo krijesë që ndodhet në qiej dhe në Tokë, madje edhe shpezët krahëhapur?! Çdokush e di se si t’i falet e ta lavdërojë. Allahu e di mirë çfarë bëjnë ata.” (Nur; 41).
Ku janë ata që neglizhojnë përkujtimin e Allahut. Të gjitha këto krijesa ato që nxerrin zë apo ato të ngurtat qëndrojnë të frikësuara e të përulura. Ato madhërojnë Allahun dhe i drejtohen vetëm Atij. Me një harmoni të mrekullueshme e me një sistem të habitshëm.
Shpendët i bien në sexhde krijuesit të vet ashtu sikurse të gjitha krijesat bien në sexhde dhe përulen para madhështisë së Tij me hir e me pahir.
Allahu thotë: “A nuk e sheh ti se, në të vërtetë, Allahut i përulen në sexhde ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, edhe Dielli, edhe Hëna, edhe yjet, edhe malet, edhe drurët, edhe kafshët dhe shumë nga njerëzit (myslimanët)?” (Haxh; 18).
Fjala ‘kafshët’ në këtë ajet nënkupton të gjitha gjallesat e prej tyre edhe shpendët.
Shpendët o rob të Allahut është një gjallesë të cilën Allahu ia pati nështruar Daudit a.s Ato i bindeshin Daudit dhe e adhuronin Allahun pas tij.
Allahu thotë: “edhe shpendët e tubuar. Të gjithë i drejtoheshin Atij.” (Sad; 19).
I Lartësuari thotë: “Me të vërtetë, Ne i dhamë Daudit mirësi prej Nesh (dhe thamë): O male dhe zogj! Lavdërojeni emrin Tim bashkë me Daudin”. (Sebe; 10).
Lavdërojeni dhe madhërojeni Allahun duke bërë dhikër me Daudin.
Allahu i madhërishëm thotë:
“Ne ia nënshtruam malet që, bashkë me të, t’i luteshin Allahut, në mbrëmje dhe në mëngjes, edhe shpendët” (Sad; 18,19).
Shendët kanë qenë pjesë e ushtarëve të nështruar për profetin e Allahut Sulejman a.s
Allahu thotë: “Para Sulejmanit u tubua ushtria e Tij e përbërë prej xhindeve, njerëzve dhe shpendëve, të gjithë të radhitur në çeta të gatshme.” (Neml; 17).
Allahu i mundësoi Sulejmanit të kuptonte zërat e shpendëve, çfarë thonin e çfarë flisnin.
E ai duke falenderuar Allahun për mirësitë e tij tha: “O populli im! Neve na është mësuar gjuha e shpendëve dhe na është dhënë gjithçka. Kjo është vërtet dhunti e madhe” (Neml; 16).
O Muslimanë zogjtë u mësojnë njerëzve shumë gjëra të dobishme prej të cilave përfitojnë në jetën e tyre. Në tregimin e Kabilit i cili vrau vëllain e tij Habilin ka shumë mësime. Prej tyre është dhe inspirimi që Allahu i dërgoi korbit që të zbriste në tokë e të gërmonte dheun për të mbuluar me të një korb tjetër të ngordhur. Kështu i mësoi Kabilit si të mbulonte trupin e vëllait të tij.
Allahu i lartësuar thotë: “Allahu dërgoi një korb që rrëmihte në tokë, për t’i treguar sesi ta mbulonte kufomën e të vëllait.” (El Maideh; 31)
Mësime dhe këshilla gjejmë edhe në rastin kur Sulejmani i bën apelin shpendëve. Prej tyre është edhe fjala e Pupëzës drejtuar Sulejmanit a.s:
“Kam marrë vesh diçka që ti nuk e ke ditur” (Neml; 22).
Kjo tregon se Sulejmani me gjithë mirësinë e profecisë, të urtësisë, dijen e gjerë dhe njohuritë e shumta Allahu e sprovoi në diturinë e tij ku Pupëza i mësoi atë që nuk e dinte duke i bërë të mundur të zbulonte atë që nuk e kish zbuluar më parë. Pra edhe në një prej krijesave më të vogla e më të dobëta të Allahut gjen njohuri të cilat nuk i zotëroje më parë me qëllim që vetvetja ti dukej më e tjeshtë e dija e tij më e pakët si një edukim i butë ndaj tij për tu distancuar prej vetëpëlqimit që e dëmton veprën e mirë dhe të bën të harrosh falënderimin ndaj mirësisë.
Ky ajet udhëzon që personi duhet të kuptojë se ndonjëherë tek një më i vogël në moshë e më i pakët në dije mund të gjejë atë që nuk e posedon. Kështu që nuk duhet të nënçmojë askënd por të përfitojë prej gjithkujt. Njeriu nuk duhet të hezitojë të dëgjojë e të përfitojë prej të tjerëve. Sado dije të posedojë njeriu, sado të arrijë dija e krijesave ajo është e kufizuar nuk konsiderohet asgjë përballë dijes së gjerë e të plotë të Allahut e cila ka përfshirë gjithçka.
Në tregimin e Musait a.s dhe Hizrit a.s në sahihun e Buhariut shënohet se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Një zog erdhi dhe qëndroi në bashin e anijes futi sqepin në ujë dhe e nxori. Hizri i tha: Dija ime bashkë me dijen tënde përballë dijes së Allahut janë si ajo që mori ky zog prej ujit të detit. Dija e Hizrit, dija e Musait dhe dija e të gjitha krijesave sistemohet me fjalën e Allahut:
“ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni” (El Isra; 85).
Në fjalën e Allahut: “dhe të kam sjellë lajme të vërteta prej (qytetit të) Shebës.” (Neml; 22) tregohet saktësia e madhe e Pupëzës në verifikimin e lajmeve e njohurive. Ajo nuk përcjell sajesa të përhapura, fjalë të thëna kot apo çdo gjë që dëgjohet pa u siguruar.
Në fjalën e Allahut të Lartësuar;
“Kam parë se ajo dhe populli i saj adhuronin Diellin e jo Allahun. Djalli ua paraqiste të bukura sjelljet e tyre, duke i larguar nga rruga e drejtë, prandaj nuk ishin të udhëzuar. Ata nuk i përuleshin në sexhde Allahut, i Cili nxjerr gjithçka që është e fshehur në qiej dhe në Tokë dhe di çfarë fshihni ju dhe çfarë tregoni haptazi.” (Neml; 24,25).
Tregohet se Pupëza është e krijuar me natyrë të pastër monoteiste e orientuar të jetë e nënshtruar ndaj Allahut. Për këtë ajo e paraqet si gabim të rëndë përuljen në sexhde të Mbretëreshës së Shebës dhe popullit të saj ndaj diellit dhe idhujtaria e tyre ndaj Allahut i cili është i vetmi që meriton të adhurohet.
Kështu duhet të jetë çdo krijesë e pandryshueshme në natyrshmëri dhe e pastër në të. Krijesa me natyrë të tillë e përcepton të vërtetën dhe e ndjek atë, e urren të kotën dhe nuk e pranon atë.
Rob të Allahut prej fakteve që Allahu ia dërgoi popullit të Faraonit si ndërshkim mbi ta për shkak të përgënjeshtrimit dhe inatit të tyre është karkaleci i cili hante të mbjellat dhe bimët e tyre.
Allahu thotë: “Prandaj, Ne u dërguam atyre përmbytje, karkaleca, morra, bretkosa dhe gjak, si shenja të qarta, por ata madhështoheshin dhe ishin popull keqbërës.” (El Araf; 133).
Në tregimin e shpendëve Ebabil të cilët Allahu i dërgoi mbi Ebrahën dhe ushtrinë e tij poseduesëve të elefantit kur deshën të rrënojnë Qaben ka mësime dhe këshillë.
Allahu thotë: “Dërgoi kundër atyre tufa zogjsh, të cilët i gjuajtën me gurë prej baltës së pjekur? Dhe kështu, i bëri si byk i ngrënë.” (Fil; 3-5).
O Musliman, Shpendët janë një shembull madhështor sa i përket mbështetjes tek Allahu. Në hadith të saktë përcillet se i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Nëse do ti mbështeteshit Allahut me vërtetësi do tu furnizonte ashtu siç furnizon shpendët dalin të uritur e kthehen të ngopur. Transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu.
Kjo nuk do të thotë që njeriu të qëndrojë e të mos përpiqet të fitojë duke punuar e të presë ti vijë furnizimi por ai duhet të bëjë shkaqet sepse shpendët nuk qëndrojnë në foletë e tyre për të pritur furnizimin e Allahut por del që në mëngjes herët duke bërë shkaqet për të fituar e pastaj kthehen në fole në fund të ditës me barqe të mbushura.
Ai i cili mbështetet me vërtetësi tek Allahu e lidh zemrën me Allahun dhe e di që fitimi, pasuria dhe grumbullimi i të mirave nuk vjen prej nivelit të zgjuarsisë, forcës, aftësisë, shkathtësisë, zanatit apo të tjera të ngjashme por ai beson plotësisht se Allahu është ai i cili i realizon shkaqet dhe frerët e gjithëçkaje janë në dorën e Tij. Kështu ai i mbështetet Allahut dhe mundohet të bëjë shkaqet në fitimin e furnizimit në mënyrë të lejuar. Allahu është i Pasuri, Furnizuesi. Ai i plotëson nevojat e robërve. Furnizimi është në dëshirën e Tij. Atij që dëshiron Ai i jep furnizim të gjerë e të shumtë e kujt të dojë ja ngushton furnizimin e ia jep me pakicë. E gjitha kjo është sipas urtësisë, përcaktimit dhe vendimit të Allahut.
Nga ky hadith përfitojmë faktin se shpendët e njohin Krijuesin e tyre. Ato fluturojnë për të kërkuar furnizim të nxitur prej natyrshmërisë në të cilën i ka krijuar Allahu nëpërmjet së cilës udhëzohen drejt interesit të tyre.
Ato udhëtojnë drejt vendeve të largëta dhe arrijnë më pas të orientohen për ty kthyer në vendet e tyre pa gabuar. Kjo tregon urtësinë e Krijuesit i Cili i ka dhënë gjithçka krijesave të Tij e pastaj i ka udhëzuar.
Vëllezër të islamit format dhe anët e marrjes mësim dhe këshillimit prej shpendëve janë të shumta.
Në Sahihun e Muslimit përcillet se i Dërguari i Allahut ka thënë: Në xhenet do të hyjnë disa njerëz zemrat e të cilëve janë si zemrat e shpendëve.
Ky përshkrim i zemrave të atyre njerëzve nënkupton tre gjëra: që zemrat e tyre janë si zemrat e shpendëve në butësi, brishtësi, mëshirë e pastërti apo që zemrat e tyre janë si zemrat e shpendëve në frikë e në drojë sepse shpendët janë prej gjallesave që frikësohen dhe ruhen më së shumti. Ata janë njerëz që u janë zbutur zemrat e u është shtuar frika ndaj botës tjetër. Ose nënkupton ata njerëz të cilët në mbështetjen e tyre tek Allahu janë si shpendët të cilat janë prej krijesave që më së shumti i mbështeten Allahut sepse ato ndodh që të dalin nëpër shkretëtirë e nuk e dinë se a do të gjejnë ndonjë farë apo jo e pastaj ato gjejnë farëra dhe Allahu e mbush barkun e tyre me ushqim pa shumë manovra.
Shpendi është një gjallesë e cila nuk mundet ta grumbullojë e ta depozitojë ushqimin e saj për nesër. Allahu ia bën rrizk ushqimin shpendëve edhe pse ato janë të pafuqishëm e ia bën të lehtë.
Allahu thotë: “Sa krijesa ka që nuk e mbajnë dot veten me ushqim! Allahu u jep atyre dhe juve! Ai dëgjon dhe di gjithçka.” (Ankebut; 60).
Gjithashtu thotë: S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës prej Allahut. (Hud; 6).
O muslimanë prej shembujve të adhurimit të shpendëve ndaj Zotit të tyre është dhe ajo që përcillet në dy sahihet; Nga Ebu Hurejra r.a transmetohet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Kur të dëgjoni këndimin e gjelave i kërkoni Allahut prej mirësisë së Tij sepse ata kanë parë melaike.
Në një hadith tjetër të saktë i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) thotë: Mos e shani gjelin sepse ai të ngren për namaz. Transmeton Ebu Daudi. Në një version të Ahmedit “Ai fton për në namaz”.
I Lartësuar është Allahu i Cili i inspiroi gjelit diçka të tillë. Ai e ka përsosur krijimin e Tij.
Në hadith ka argument që nuk bën të shahet e të pëçmohet diçka prej së cilës njerëzit përfitojnë por meriton mirënjohje, nderim, vlerësim dhe mirësi.
Me këto fjalë i kërkoj falje Allahut për veten time e për ju prej çdo gjynahi e gabimi. Kërkojini falje dhe pendohuni tek Ai se Zoti im është Falës e Mëshirues.
Hutbeja e dytë
Falenderimi i takon Allahut që e krijoi universin me forcën e Tij. Ai çdo gjë e ka sjellë me urtësinë e Tij. Krijesat i ka nështruar me krenarinë e Tij. Në krijesat e Tij ka vendosur argumente mbi njëshmërinë e Tij në adhurim që tregojnë se Ai është i Vetëm.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut i vetëm e i pashoq.
Dëshmoj se zotëria ynë profeti Muhamed është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij. Salavatet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij udhëzuesit e devotshëm dhe mbi ata që ecin në rrugën e tyre deri në ditën e gjykimit.
Për vlerën dhe pozitën e lartë të shpendëvë tregon fakti se ato janë bërë argument për disa profetë paqja qoftë mbi ta. Ato kanë qenë fakte të madhështisë së Allahut në ringjalljen e të vdekurve të cilën e realizoi në dorë të Ibrahimit a.s. sikurse paraqitet në fjalët e Allahut;
“Kur Ibrahimi tha: “O Zoti im! Tregomë si i ngjall të vdekurit!” – Zoti i tha: “A nuk beson?” – “Besoj” – iu përgjigj Ibrahimi, “por dëshiroj të më qetësohet zemra.” Allahu i tha: “Merr katër zogj dhe copëtoji. Shpërnda në çdo kodër nga një copë prej tyre pastaj thirri! Ata do të të vijnë me të shpejtë.” (El Bekare; 260).
Shpendët kanë qenë fakte të profecisë së Isait a.s dhe argument përballë popullit të tij.
Allahu për të thotë: “dhe do ta caktojë atë të Dërguar te bijtë e Izraelit (të cilëve do t’u thotë): “Ju kam sjellë prova nga Zoti juaj (që vërtetojnë Profecinë time): bëj për ju diçka prej balte në formë shpendi, fryj në të e me urdhrin e Allahut ajo bëhet shpend i gjallë;” (Al Imran; 49).
Ai bënte forma shpendësh prej balte, frynte në të e pastaj bëhej shpend me shpirt me lejen e Allahut të madhërishëm.
O rob të Allahut, mishi i shpendëve është prej gjërave më të mira të cilat Allahu i ka bërë të lejueshme për robërit e tij në këtë jetë. Ndalohet vetëm mishi i shpendëve që kanë kthetra sikurse përshkruhet në hadith të saktë.
Dobitë e shpendëve nuk ndalen vetëm në jetën e kësaj bote. Banorët e xhenetit do të kenë kënaqësinë të shijonë mishin e shpendëve.
Allahu thotë: “dhe mish shpendësh që ua ka ënda” (El Uakia; 21).
O muslimanë në fenë tonë ka dispozita dhe rregulla fetare në sjelljen ndaj gjësë së gjallë. Islami kujdeset për të qenë sa më të butë ndaj tyre që para se të themelohen shoqata që kujdesen për to.
Duhet mëshirë ndaj kafshëve dhe shpendëve, kështu që nuk lejohet ndërshkimi dhe lënia e tyre të uritur apo ti ngarkosh me diçka që nuk munden. Nuk lejohet mallkimi i tyre, apo të mirren si shënjestër për të mësuar se si qëllohet.
Në sahihun e Muslimit shënohet se Profeti (salallahu alejhi ue selem) e ka mallkuar atë që merr si shënjestër diçka me shpirt. Kjo sepse një gjë e tillë është ndërshkim ndaj gjallesës dhe dëmtim i jetës së saj.
Në hadith të saktë përcillet se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Ai që mëshiron qoftë edhe në therjen e një harabeli, Allahu do ta mëshirojë atë ditën e kijametit. Transmeton Buhariu në Edeb El Mufred.
Disa dijetarë kanë thënë se këtu është përmendur harabeli në veçanti për arësye se ai është shpendi më i vogël që theret për të ngrënë.
Nëse mëshira e Allahut lidhet me mëshirën ndaj harabelit edhe pse ai është diçka i pavlerë tek njerëzit atëherë mëshira e dikujt që vlen më shumë se ai sidomos njeriu është akoma më e rëndësishme. Në hadith të saktë përcillet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka ndaluar vrasjen e katër gjallesave: Milingonën, bletën, pupëzën dhe gjeraqinën. Transmeton Ebu Daudi. Gjeraqina është një shpend me kokë të madhe e me sqep të madh.
Ligji islam e lejon ose urdhëron të vriten gjallesat e dëmshme por nga ana tjetër e ndalon vrasjen e gjallesave, insekteve dhe shpendëve të cilat nuk ka ndonjë dobi apo interes në vrasjen e tyre apo që nuk dëmtojnë me egzistencën e tyre.
Kjo, ndalimi i dëmit dhe i keqbërjes është mëshirë prej Ligjvënësit.
Dy shokë të profetit (salallahu alejhi ue selem) kishin rrëmbyer dy të vegjlit e një shpendi. Profeti (salallahu alejhi ue selem) pa shqetësimin e këtij shpendi për atë që ndodhi dhe tha: Kush e shqetësoi këtë me të vegjlit e saj. Kthejini të vegjlit e saj tek ajo. Transmeton Ebu Daudi.
Kjo është mëshira e profetit Muhamed (salallahu alejhi ue selem) ndaj shpendëve. Në këtë hadith ka thirrje të fortë që çdo person të jetë i mëshirshëm me njerëzit, bamirës, i butë e i dhembshur.
Dërgoni salavate mbi Muhamedin të birin e Abdullahit në shenjë zbatimi të urdhërit të Allahut se Ai i madhërishmi ka thënë:
Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”! (surja Ahzab; 56)
O Allah përmende lart robin dhe të dërguarin Tënd Muhamedin dhe familjarët e tij sikurse ke përmendur lart familjen e Ibrahimit. Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.
O Allah bekoje atë dhe familjarët e tij, ashtu sikurse bekove Ibrahimin.
Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.
O Allah jepi krenari Islamit dhe muslimanëve!
Poshtëroje mohimin dhe mohuesit!
Shkatërroi armiqtë e Tu, armiqtë e fesë!
Bëji ata shembull për atë që zënë mend!
O Allah jepi fitore robërve të tu besimtarë, ruaji ata prej çdo të keqeje, fatkeqësie e belaje, prej çdo të papëlqyere e prej çdo fitneje, largoi prej tyre shkatërrimin që ka zbritur, brengat, sëmundjet dhe ligësitë! Derdh mbi ta mirësinë e rendit e të sigurisë, të paqes e të islamit!
O Allah ruaje vendin e dy Xhamive të Shenjta prej sherrit të keqbërësve, prej kurtheve të njerëzve të ligj, prej dredhive të djallëzuarve, prej çdo dashakeqësi, ziliqari, urrejtësi dhe prej çdo armiku të islamit e të muslimanëve!
Bëje atë vend të sigurtë, të qetë, të pasur e të begatë bashkë me gjithë vendet e muslimanëve!
O Allah largoji prej nesh çmimet e larta, epideminë, kamatën, zinanë, tërmetet, sprovat, gjërat e dëmshme të dukshme e të padukshem largoi këto prej vendit tonë veçanërisht dhe prej të gjithë vendeve të muslimanëve!
O Allah ndihmo vëllezërit tanë të pafuqishëm, luftëtarët në rrugën tënde, ata ruajnë kufijtë tanë, O Allah bëhu ndihmëtari i tyre, mbështetës dhe përkrahës!
O Allah na ruaj në vendet e në shtëpitë tona Përmirësoi prijësat dhe udhëheqësit tanë!
Udhëheqjen mbi ne mundësoja atij që të frikësohet Ty, që është i devotshëm e që mundohet të fitojë kënaqësinë tënde o Zot i botëve!
O Allah jepi sukses udhëheqësit tonë për atë që ti dëshiron e kënaqesh prej fjalëve e prej veprave o i Gjalli e Kujdestari!
Udhëzoje atë drejt bamirësisë e devotshmërisë!
O Allah ne të lutemi të na falësh, të ruash e të na shpëtosh gjithmonë në fenë tonë e në jetën e kësaj bote e në tjetrë!
O Allah na bëj thirrësa udhëzues, jo të humbur e devijues ndaj të tjerëve!
O Allah na mundëso të marrim mësim e të nxëmë mend prej argumenteve të Tua! E mos na bëj prej atyre që i kthejnë shpinën fakteve e që tregohen ndaj tyre të pavëmendshëm e neglizhentë që nuk mësojnë e nuk meditojnë rreth tyre!
O Allah mos na largo mirësitë e tua, mos na e largo faljen tënde, na ruaj prej ndëshkimin të papritur dhe nga gjithë zemërimi Yt!
O Allah na ruaj prej zgjebes, çmendurisë, lebrozës dhe prej çdo sëmundjeje të keqe!
O Allah na mbaj larg sjelljeve, dëshirave, veprave dhe sëmundjeve të këqija!
Falenderimi i takon Allahut Zotit të botëve!