Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 10-02-1448 H 24-07-2026 D
Shejh Bander Ibn Abdul Aziz Balejla
Tema Faktorë që kontribuojnë në stabilitet deri në vdekje
Lavdërimet janë për Zotin e Vetëm, Gjykatësin e Drejtë, i Cili na ka nderuar me bekimin e Islamit dhe na ka stolisur me bukurinë e besimit. Zotin e Madhërishëm e lavdërojmë dhe Atë e falënderojmë, zbriti tek ne Kuranin dhe na veçoi me mesazhin e zotërisë së bijve të Ademit.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, në të gjitha botët dhe universet. Dëshmoj se Muhamedi është robi i Zotit dhe i dërguari i Tij, i zgjedhuri dhe miku i Tij. Zoti i tij e dërgoi para Orës si bartës të lajmeve të mira, përgëzues, dhe paralajmërues për njerëzimin dhe xhindët. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, për sa kohë që dy ngjyrat ndërrohen dhe dy të rejat zëvendësohen, pasojnë njëra-tjetrën, mbi familjen dhe mbi shokët e tij, njerëzit e vlerave, bamirësisë, devotshmërisë dhe kënaqësisë.
Në vijim
O ju njerëz! Porosis ju dhe veten time, me devotshmëri ndaj Allahut. Kini frikë Allahun, Zoti ju mëshiroftë, dijeni se qëndrueshmëria në fenë e Allahut është kapitali më i madh i besimtarit në këtë jetë dhe rruga e shpëtimit të tij pas vdekjes. Këmba e Islamit nuk qëndron e palëkundur veçse mbi urën e dorëzimit dhe nënshtrimit ndaj Allahut.
O ju muslimanë! Me kalimin e viteve dhe largimin e kohëve nga drita e udhëzimit të më të mirit të njerëzimit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, janë shtuar sprovat, përhapur fitnet (trazirat dhe tundimet), shumëfishuar dyshimet, shtuar epshet, shtuar shpërqendrimet dhe zbavitjet pasuan njëra pas tjetrës.
Nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Nuk do të vijë mbi ju asnjë kohë, veçse ajo që vjen pas saj do të jetë më e keqe, derisa të takoni Zotin tuaj.” Hadithin e transmeton Buhariu.
Vërtet, fatkeqësia më e madhe që mund ta godasë besimtarin nuk është pakësimi i pasurisë apo i furnizimit, por se fatkeqësia më e madhe dhe sprova më e rëndë është sprova në fe dhe luhatjet në bindje, besim. Për këtë arsye, i dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e shtonte shpesh këtë lutje: “Dhe mos lejo që fatkeqësia jonë të jetë në fenë tonë.” Hadithin e transmeton Buhariu dhe të tjerë.
Në Musnedin e Imam Ahmedit transmetohet se Shehr Ibn Havshabi tregon që i kam thënë Umu Selemes, Allahu qoftë i kënaqur me të: “O nëna e besimtarëve! Kush ishte lutja e të dërguarit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, që e përsëriste më shumë kur ishte tek ti?” Ajo tha: “Lutja që ai e thoshte më shpesh ishte: “O Rrotullues i zemrave, ma përqendro zemrën time në fenë Tënde.”
Ajo ka thënë: “I thashë: ‘O i dërguari i Allahut! Sa shpesh e thua këtë lutje: “O Rrotullues i zemrave, ma përqendro zemrën time në fenë Tënde.”Ai u përgjigj: ‘O Umu Seleme! Nuk ka asnjë bir të Ademit, njeri, veçse zemra e tij është midis dy gishtave të Allahut të Madhëruar. Kë do Ai e mban të palëkundur dhe kë do e lë të devijojë.’”
Prandaj, është detyrë për çdo musliman që kujdeset për sigurinë e fesë së tij dhe shpreson takimin me Zotin e tij q që të mbahet fort pas asaj që ruan besimin e tij dhe të kapet pas asaj që mbron monoteizmin e (Teuhidin) e Tij. Themeli dhe baza e kësaj është lutja drejtuar Allahut të Lartësuar, sepse nuk ka qëndrueshmëri për atë që Zoti i tij nuk e bën të qëndrueshëm. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Dhe sikur mos të kishim forcuar Ne, gati do të kishe anuar pak nga ata.” (El-Isra’ 74)
Nëse kjo ishte gjendja e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, atëherë çfarë mund të thuhet për njerëzit pas tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të?! Prandaj, ishte detyrë e besimtarëve t’i luteshin Allahut, Sunduesit, Mëshiruesit: “(Ata thonë:) “O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i madh!” (Al ‘Imran 8)
O ju muslimanë! Nga shkaqet më të rëndësishme të qëndrueshmërisë në fenë e Allahut është kujdesi i vazhdueshëm ndaj Kuranit Fisnik, duke e lexuar, medituar mbi ajetet e tij, kuptuar domethëniet e tij dhe duke vepruar sipas tij. “Ata që nuk besojnë thonë: “Përse Kurani nuk i është shpallur i tëri përnjëherë?!” Ne ta kemi shpallur kështu për të forcuar zemrën tënde dhe ta kemi zbuluar qartazi varg pas vargu.”(El-Furkan 32) Po ashtu, shoqërimi me njerëzit e mirë dhe largimi nga njerëzit e këqij. “Dhe qëndro me ata që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar Fytyrën (kënaqësinë) e Tij dhe mos i shmang sytë nga ata (tek të tjerët), duke dëshiruar stolitë e shkëlqimin e kësaj jete. Mos dëgjo atë zemrën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë e, që shkon pas dëshirave, duke shkelur çdo kufi në veprimet e veta.” (El-Kehf 28)
Pastaj, duke kujtuar historitë e njerëzve të mirë të së kaluarës, nga profetët dhe të dërguarit, si dhe të atyre që i ndoqën ata me mirësi ndër shekuj. “Ne po t’i tregojmë ty disa nga historitë e të dërguarve, për të ta forcuar zemrën. Në këtë sure të ka ardhur ty e vërteta. Ajo është këshillë dhe kujtesë për besimtarët.” (Hud 120)
Adhurues të Allahut! Nga shkaqet më madhështore është dhe përkushtimi në bindjen ndaj Allahut, kapja fort pas Librit të Tij, qëndrimi me bashkësinë e besimtarëve dhe largimi nga përçarja e mosmarrëveshjet. “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon Shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë.” (Al ‘Imran 103)
Pastaj, duke qenë të vazhdueshëm në veprat e mira: “E sikur të vepronin ata siç këshilloheshin, kjo për ata do të ishte më mirë dhe do të ishin më të fortë në besim. Atëherë, Ne, pa dyshim, do t’u jepnim shpërblim të madh nga ana Jonë dhe me siguri do t’i udhëzonim në rrugë të drejtë.” (En-Nisa’ 66–68)
Vepra më e madhe e mirë është besimi në Allahun. “Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje; Allahu bën ç’të dojë.” (Ibrahim 27)
Duke u larguar nga vendet e dyshimta dhe epshet, me shmangien e tubimeve dhe argëtimeve të kota, njeriu ruan fenë e tij dhe pastron zemrën. “Kur t’i shohësh ata të nënçmojnë Shpalljet Tona, largohu prej tyre, derisa të kalojnë në bisedë tjetër! E, nëse djalli të bën të harrosh, sapo të përmendesh, mos rri me keqbërësit!” (El-En’am 68) “Ai jua ka shpallur në Libër: Kur të dëgjoni se mohohen fjalët e Allahut dhe bëhet tallje me to, atëherë mos rrini me ata (njerëz që veprojnë kështu), derisa të ndërrojnë bisedë, përndryshe do të ishit si ata. Allahu do t’i tubojë në Xhehenem të gjithë hipokritët dhe mohuesit.” (En-Nisa’ 140)
Adhurues të Zotit, kini frikë Allahun! Jini të durueshëm dhe të palëkundur në bindjen ndaj Allahut, që të fitoni dhe të shpëtoni.
Zotit i kërkoj falje për veten, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, tek Ai kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Allahun, nuk ka Krijues tjetër përveç Tij dhe nuk ka Zot tjetër përveç Tij. Zotin e Lartësuar dhe të Madhërishëm e lavdërojmë dhe Atë e falënderojmë, për mirësitë e Tij të mëdha e të vogla, të dukshme e të fshehta.
Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi krijesën më të mirë të Allahut, Muhamedin, birin e Abdullahut, profetin dhe të përzgjedhurin e Tij, të dërguarin dhe të dalluarin e Tij, mbi familjarët dhe shokët e tij, njerëzit e vlerave, dhe mbi të gjithë ata që i pasojnë në mirësi deri sa të zgjasë koha.
Në vijim
Zoti ju mëshiroftë! Kini frikë Allahun dhe dijeni se nderi më i madh me të cilin Allahu i Madhëruar e nderon robin e Tij në këtë jetë është që ta përfundojë jetën në Islam dhe ta dorëzojë shpirtin e tij në besim, iman. Nga shkaqet më të mëdha për ta arritur këtë nder është vazhdimësia në bindje ndaj Allahut dhe qëndrueshmëria në rrugën e drejtë.
Kush i frikësohet Allahut në vetmi dhe ruhet prej Tij, Zoti i Lartësuar do t’i japi siguri në çastin e vdekjes së tij. Gjëja më e madhe me të cilën besimtari e takon Zotin e tij është që ta dorëzojë shpirtin e tij pa e ndotur atë me dyshime, pa e devijuar atë pas epsheve. Rëndësia nuk qëndron tek mangësitë e fillimit, por tek përfundimi i mirë. Përfundimi më i madh është që muslimani të vdesë në teuhid, Njëshmëri të Allahut dhe në sunet.
Prandaj, kapuni fort pas Librit të Allahut dhe sunetit, sipas metodologjisë së të parëve të këtij umeti, selefëve, dhe largohuni nga njerëzit e devijimit dhe të risive në fe (bidatit). I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Përmbajuni sunetit, traditës, time dhe sunetit, traditës së halifëve të drejtë e të udhëzuar pas meje. Kapuni fort pas tij me dhëmballët. Ruajuni nga gjërat e shpikura në fe, sepse çdo bidat është humbje.” Hadithinin e ka transmetuar Ahmedi dhe autorët e Suneneve.
Jini të durueshëm, sepse ai që qëndron i palëkundur, i duruari në fenë e tij në kohën e sprovave është si ai që mban një gacë të zjarrtë në dorë. Nga Ebu Tha’lebe El-Hushenij, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Pas jush do të vijnë ditët e durimit. Durimi në ato ditë është si të mbash një gacë zjarri në dorë. Kush punon mirë në ato kohë do të ketë shpërblimin e pesëdhjetë njerëzve që bëjnë të njëjtën vepër.” Ata e pyetën: “O i dërguari i Allahut, shpërblimin e pesëdhjetë prej tyre?” Ai tha: “Jo, shpërblimin e pesëdhjetë prej jush.” Hadithin e ka transmetuar Ebu Daudi dhe të tjerë.
Lutuni dhe dërgoni përshëndetje për krijesën më të mirë të Zotit, Muhamedin të birin e Abdullahit, Zoti juaj ju ka urdhëruar për këtë, Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, profetin tonë Muhamed.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me të gjithë shokët e tij, me tabi’inët, me ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Gjykimit, dhe me ne së bashku me ta, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë dhe ndihmo robërit e Tu besimtarë, që të Njësojnë Ty.
O Zot, largo shqetësimet e atyre që janë të shqetësuar nga muslimanët, largo të vështirat e atyre që janë në vështirësi, mundëso larjen e borxheve atyre që janë në borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve.
O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, mbështet me të vërtetën, me sukses dhe vendosmëri udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta. O Zot, jepi atij jetë të gjatë dhe shëndet të mirë, me mirësi dhe begati të shtuar. O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij besnik, në atë që është në dobi të vendit dhe popullit, në krenari dhe lavdi të Islamit dhe muslimanëve, o Zoti i botëve.
O Zot, ruaj ushtarët tanë që vigjilojnë në kufi. O Zot, ruaj ata me syrin Tënd që nuk fle dhe mbroji ata me forcën Tënde që nuk pakësohet, o Zoti i botëve.
O Zot, të lutemi që të jesh me vëllezërit tanë të shtypur në çdo vend. O Zot, ji mbështetësi, mbrojtësi, ndihmësi dhe mbrojtësi i tyre. O Zot, zëvendëso dobësinë e tyre në forcë, frikën e tyre në siguri dhe mjerimin e tyre në mirëqenie e begati. O Zot, ndihmoji ata në Palestinë kundër pushtuesve sionistë.
O Zot, na ruaj nga sprovat, qofshin ato të dukshme apo të fshehta, veçanërisht në vendin tonë dhe në të gjitha vendet e muslimanëve.
O Zot, na përmirëso në fenë tonë e cila është pjesë e jetës tonë, përmirëso jetën tonë ( në këtë botë) që është vendqëndrimi i përkohshëm për ne, dhe përmirëso jetën tjetër (Ahiretin) në të cilën është takimi ynë. O Zot, bëj jetën tonë shtim të çdo mirësie dhe vdekjen lehtësim për ne nga çdo e keqe.
“O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i madh!”(Al ‘Imran 8)
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare 201)
“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)
Afrim Smakaj