Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 20-08-1445 H 01-03-2024 D
Shejh Ali Hudhejfi
Tema Ramazani dhe Kurani për muslimanin janë dy mburoja
Lavdërimet janë për Allahun. Çdo lavdërim i përket Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, i Buti dhe i Madhi. Zotin e lavdëroj dhe e falënderoj për mirësitë e Tij të dukshme dhe të fshehta, për ato që dimë prej tyre dhe që nuk i dimë.
Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Poseduesi i Arshit Madhështorë. Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i përshkruari me të gjithë moralin e mirë. O Zot fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd Muhamedin, familjen dhe shokët e tij, ndihmuesit e kësaj feje të vërtetë.
Në vijim
Adhurues të Zotit! Frikësojuni Zotit, sepse kush i frikësohet Allahut duke nxituar në atë që Ai e do, Zoti do e mbrojë nga ajo që ka frikë dhe trembet prej saj, dhe do ta mbrojë nga të këqijat dhe shkatërrimet. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.” (Et-Talak 2-3) Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia lehtësojë çështjen.” (Et-Talak 4)
O ju muslimanë! Po ju afrohet një muaj i bekuar dhe bujarë, në të cilin Allahu ka dhuruar mëshirë të madhe, ku Zoti ka bashkuar në të shumë adhurime dhe lutje, çfarë nuk ka bashkuar në muaj të tjerë veç tij, në mënyrë që muslimanët të shtojnë të mirat dhe begatitë në të, dhe të jenë larg veseve, të metave dhe të ndaluarave. Realiteti i veprave të adhurimit është kryerja e asaj që Zoti e ka urdhëruar, të detyrueshme ose të pëlqyeshme, vullnetare, duke shpresuar në shpërblimin dhe kënaqësinë e Zotit dhe braktisja e asaj që Zoti e ka ndaluar nga frika e dënimit të Tij. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Dhe kushdo që bën vepra të mira, qoftë ai mashkull ose femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi.” (En-Nisa’ 124) Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Thuaj: “Unë kurrë nuk e kundërshtoj Zotin tim, sepse i frikësohem dënimit të një Dite të Madhe”. (El-En’am 15) Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Ez-Zelzele 7-8) Në muajin e Ramazanit janë bashkuar namazet obligim dhe ato vullnetare, zekati për atë që është obligim, si dhe haxhi i vogël, që është umreja në Ramazan, bazuar në fjalën e tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, që thotë: “ Umreja në Ramazan është e barabartë me haxhin, ose, sikur të bësh haxhin me mua.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu dhe Muslimi, nga hadithet e Ibn Abasit, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy.
Në këtë muaj janë bashkuar të gjitha të mirat dhe dashamirësitë, të urdhëruarit në të mirë dhe të ndaluarit nga e keqja, si dhe llojet e dhikrit, përmendjes së Zotit, ku dhikri më i madh dhe më i mirë është leximi i Kuranit. Të gjithë muslimanët gëzohen dhe marrin lajmin e mirë nga i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, me muajin e Ramazanin. Nga Selmani, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregon se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, na është drejtuar me një ligjëratë në ditën e fundit të muajit të Shabanit, dhe ka thënë: “ O ju njerëz, po ju afrohet një muaj i madh, muaj i bekuar, muaj në të cilin ndodhet një natë që është më e mirë se njëmijë muaj. Allahu e ka bërë agjërimin e këtij muaji obligim dhe faljen në të, namazin e teravive, vullnetarë. Kush i afrohet atij, Ramazanit, me ndonjë vepër të mirë vullnetare, është sikur ai që ka falur një namaz farz në një kohë tjetër. Kush plotëson në këtë muaj obligimet do të jetë si ai që ka falur shtatëdhjetë namaze farz në çdo kohë tjetër. Ai është muaji i durimit, e shpërblimi i durimit është Xheneti. Ai është muaji i ngushëllimit, muaj në të cilin besimtarit i shtohet furnizimi. Kush ushqen një agjërues do ti falen gjynahet, do lirohet qafa e tij nga zjarri, dhe do të ketë shpërblim sikur ai, agjëruesi, pa ju pakësuar diçka nga shpërblimi i tij.” Hadithin e ka transmetuar Ibn Huzejmi në Sahihun e tij.
Qielli dhe toka përgatiten për ardhjen e Ramazanit, zemrat e udhëzuara drejtë dhe shpirtrat e pastër bëhen gati për të pranuar, lexuar Kuran, për të pranuar begatitë e tij dhe për të përfituar me dritat e tij, për tu pastruar me pastërtinë e tij dhe thithjen e flladit të tij aromatik, për tu ngjitur në gradët e përsosmërisë së tij, dhe për fituar me edukimin e këtij Kurani, të cilin nuk e ka arritur ndonjë libër tjetër para tij. Ai depërton në shtigjet e shpirtrave nga çdo portë me dëshirë dhe frikë, arsye dhe emocion, me argumente bindëse, me prova që asnjë njeri nuk mund t’i arrijë dhe me lloje të udhëzimeve që nuk mund të devijohen nga tekat e njeriut. Kjo sepse Kurani Famëlartë është mrekullia e madhe për zotërinë e njerëzimit, Muhamedin, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Secilit prej profetëve i është dhënë mrekulli të cilat i kanë besuar njerëzit, ajo që më është dhënë mua është shpallja prej Allahut, Kurani. Kështu shpresoj që të jem me më tepër pasues ditën e Kiametit.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu nga hadithet e Ebu Hurejres, Zoti qoftë i kënaqur me të.
Muaji i Ramazanit, muaji i Kuranit Famëlartë, muaj në të cilin ka zbritur Kurani. Në këtë muaj, Kurani ka autoritet, fuqi dhe ndikim në zemrat, sepse nga agjërimi dobësohen prirjet e së keqes dëshirat e trupit dhe gjynaheve. Dëshirat e trupit dobësohen, dëshirat e shpirtit bëhen më të forta, dëshirat dhe prirjet e mirësisë mbizotërojnë mbi njeriun, kështu që ai priret për nga e mira për të cilën është krijuar dhe përmbahet nga e keqja për të cilën ishte paralajmëruar. Prandaj shtoni sa më shumë leximin e Kuranit. Othmani, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “ Sikur zemrat tona të pastrohen nuk do të kënaqemi me fjalët e Zotit tonë. Unë do ta urreja që tek unë të vinte një ditë që të mos e shikoj Kuranin.” Transmeton Bejhakiu.
O ju muslimanë! Meditoni në mirësitë dhe begatitë e shumta të Allahut, se si Ai u sjell lumturi dhe gëzim banorëve të Xhenetit, në çdo kohë, gjatë kohëzgjatjes së kësaj bote dhe para se të hyjnë në të. Nga Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregon se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Vërtetë Xheneti zbukurohet nga viti në vit për muajin e Ramazanit.” Transmeton Et Taberaniu në ‘El Evsat’.
Nga Ebu Hurejre, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kur hynë muaji i Ramazanit, hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe lidhen shejtanët.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu. Nga Ebu Hurejre, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kur hynë nata e parë e muajit të Ramazanit mbyllen portat e zjarrit, të Xhehenemit, dhe nuk hapet prej tij asnjë portë, si dhe hapen portat e Xheneti dhe nuk qëndron asnjë portë e tij e mbyllur. Një thirrës, Melek, thërret çdo natë; O kërkues i të mirës përparo, dhe o kërkues i të keqes largohu nga e keqja. Allahu largon njerëz nga zjarri, e kjo në çdo natë të tij, Ramazanit.” Hadithin e ka transmetuar Tirmidhiu.
Ndërsa zinxhirët e shejtanëve janë që të mos prishin agjërimin e umetit të Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Prandaj, Zoti ju mëshiroftë, mirëpriteni muajin tuaj me pendesë nga çdo gjynah, sepse sa nga ata që e arrijnë këtë muaj nuk kanë mundësi të arrijnë atë që vjen pas tij?! Jepeni zekatin e pasurisë që keni në duart tuaja do ta gjeni atë mbrojtje nga zjarri i Xhehenemit, para se ajo të kalojë në duart e tjetër kujt veç jush nga trashëgimtarët dhe ti të bëhesh nga ata që mundohen prej saj. Vërtetë ai që nuk e jep zekatin e pasurisë së tij, nëse janë para kesh konsiderohet i guximshëm, d.m.th një gjarpër i zhveshur, që merr me gojën e tij, ku e thith dhe e hedhën mbi të helmin e tij. E nëse pasuria e tij është nga bagëtitë ato do të vendosin sundimin e tyre mbi të, ku do ta shkelim me këmbët e tyre dhe do e godasin me brirët e tyre, në një ditë që do të zgjasi pesëdhjetë mijë vjet, sikurse ka ardhur në hadith sahih tek Buhariu dhe tek Muslimi, Zotit i kërkojmë mbrojtje nga ndëshkimi i Tij. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ . O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju! Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, kështu që Ai i bëri të harronin vetveten! Pikërisht ata janë të pabindurit (ndaj Allahut).” (El-Hashr 18-19)
Zoti na begatoftë të gjithëve me Kuranin Famëlartë, na bëftë dobi me udhëzimin e Kuranit dhe me udhëzimin e zotërisë së të dërguarve dhe me fjalën e tij të saktë.
Zotit i kërkoj falje për vete, ju dhe të gjithë muslimanët.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Allahun, të Lartësuarin të Madhin, të Plotëfuqishmin dhe të Gjithëdijshmin, Zotin tim e lavdëroj dhe e falënderoj, tek Ai pendohem dhe kërkoj falje prej Tij, Allahun e Madhërishëm e lavdëroj për të gjitha mirësitë e Tij.
Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij, përgëzuesi me lajm të mirë dhe qortuesi. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd Muhamedin, familjen dhe shokët e tij, të kapurit fort pas Librit ndriçues, Kuranit.
Në vijim
Frikësojuni Allahut duke u kapur pas sunetit dhe librit të Zotit që të fitoni me shpërblime dhe të shpëtoni nga ndëshkimi.
O ju muslimanë! Ato që e bëjnë njeriun të lumtur janë shumë nga kënaqësitë e kësaj bote dhe kënaqësitë e saj që janë të panumërta dhe të pallogaritshme. Zoti i Madhërishëm ka përmendur lloje të tyre në Librin e Tij: Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Burrave u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara: për gratë, fëmijët, arin dhe argjendin e grumbulluar, kuajt e bukur, bagëtitë dhe arat e lëruara. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete, por shumë më i mirë është kthimi tek Allahu.” (Al ‘Imran 14) Ndërsa i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Vërtet, dynjaja është e ëmbël dhe e gjelbër, e Zoti ju ka bërë mëkëmbës në të që të ju shikon se si punoni. Prandaj, kini frikë jetën e kësaj bote dhe kini frikë gratë! Vërtetë sprova e parë e Beni Izrailëve ishte nga grave.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi, nga hadithet e Ebi Said El Hudrijit, Zoti qoftë i kënaqur me të. Por lumturia e kësaj bote është kalimtare, e rëndë dhe në zhdukje, ndërsa ajo me të cilën meriton vërtetë të gëzohemi me të është ajo që ka dhënë Zoti për ju nga mëshira në këtë muaj nga llojet e bindjeve, adhurimeve. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ O njerëz! Ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët. Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.” (Junus 57-58)
Adhurues të Zotit bëhuni nga vepërmirët! Në hadith ka ardhur: “ Më kërkoni mua te të dobëtit tuaj, d.m.th. jepuni të drejtën e tyre, ngase ju njëmend furnizoheni dhe ndihmoheni me të dobëtit tuaj.” Transmeton Ebu Daudi nga hadithet e Ebi Darda’as.
Lutuni dhe dërgoni salavate për zotërinë e të dërguarve, Muhamedin, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Allahu ju ka urdhëruar për këtë me fjalën e Tij: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale dhe mëshiroje Muhamedin dhe familjen e tij.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me halifet e parë të drejtë Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me shokët e tij dhe ata që i pasojnë në vepra të mira, dhe me ne së bashku me ata me Mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët.
O Zot, poshtëro mohimin dhe mohuesit, idhujtarinë dhe idhujtarët dhe shkatërro armiqtë e fesë.
O Zot, ndihmo librin Tënd dhe synetin e të dërguarit Tënd, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, përgjithmonë, o Zoti i botëve.
O Zot, na fal të gjitha gjynahet tona, të parat dhe të fundit e tyre, të voglat dhe të mëdhatë e tyre, përmirëso përfundimin tonë në të gjitha çështjet, na shpëto nga poshtërimi në këtë botë dhe nga dënimi në botën Tjetër. Të lutemi, o Zot, të na japësh hapje të mirë dhe përfundim të mirë, fillim dhe fund të mirë, të gjitha së bashku, dhe të lutemi të na japësh Firdeusin, Xhenetin më të lartë, o Zoti i Botëve.
O Zot, fali të vdekurit tanë dhe të vdekurit e muslimanëve.
O Zot, na ruaj ne dhe pasardhësit tanë nga shejtanët.
O Zot, bëj të dështojnë planet e armiqve të Islamit me të cilat i duan të keqen Islamit, dhe shkatërro kurthet e tyre, o i Fuqishëm i Plotpushtetshëm.
O Zot, jepi sukses kujdestarit të dy xhamive të shenjta në atë që Do dhe je i Kënaqur, mbështete atë në çdo të mirë, ndihmo me të fenë Tënde, o Zoti i botëve, dhe jepi atij shëndet të plotë.
O Zot, jepi sukses zëvendësit të tij në atë që Do dhe je i Kënaqur, mbështete atë në çdo të mirë dhe përmirësim.
O Zot, ruaj vendin tonë nga çdo e keqe dhe e urryer, ruaje atë nga të këqijat e keqbërësve dhe nga kurthet e mohuesve, o Zoti i botëve.
Ruaj ushtarët tanë me rojet e Tua dhe ruaj kufijtë tanë.
O Zot, lehtëso të vështirat dhe fatkeqësitë nga muslimanët, ruaj vendet e shenjta të muslimanëve, ruaj gjakun e tyre, pasurinë e tyre dhe nderin e tyre, merr nën kujdesin Tënd çështjet e tyre, dhe mos lejo që ti sundojnë armiqtë e tyre, ruaj ata nga të këqijat e vetëve të tyre dhe plotëso nevojat e tyre.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
“Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju, Falënderojeni për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato. Përkujtimi i Allahut është gjëja më e madhe. Allahu është i Ditur për çfarë veproni.
Afrim Smakaj