Sekreti i lumturisë së vërtetë

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    29-10-1447 H     17-04-2026 D

Shejh Dr. Husejn Bin Abdulaziz Ali Shejh 

Tema    Sekreti i lumturisë së vërtetë

Lavdërimet janë për Zotin i Cili u ka dhënë sukses njerëzve të devotshëm për në rrugën e drejtë. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai që dhuron pa masë, Bujari.

Dëshmoj se i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i përshkruar me moralin e lartë. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjen dhe shokët e tij, ata që u përshkruan me pasuesit e rrugës së drejtë.

Në vijim

O ju muslimanë! Porosis veten dhe ju që ti frikësohemi Allahut, Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar, dhe që t’i bindemi Atij në vetmi dhe në publik. “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab70-71) 

O muslimanë! Njerëzit përpiqen me të gjitha mënyrat për të arrtiur qëllimet më të larta nga paqja, qetësia mendore, qetësia e zemrës dhe kënaqësia shpirtërore. Në të vërtetë, Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar na ka informuar se si arrihet e gjithë kjo, sikurse Allahu i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Vërtet, punëdrejtët do të jenë në Xhenet, kurse fajtorët, me siguri, do të jenë në Zjarrin flakërues.” (El-Infitar 13-14)

Jeta më e hidhur është jeta e njerëzve  të pabindur, dhe jeta më e ëmbël është jeta njerëzve të bindur, të cilët gjejnë ngushëllim në afërsinë me më të Madhin  Mëshirues, Allahun. Dijetarët që kanë komentuar  këtë ajet kanë thënë: “Mos mendoni se kjo është e kufizuar vetëm në lumturinë dhe mundimin e Ahiretit, por përkundrazi në tre vendbanimet e tyre, të cilat janë: Vendbanimi i kësaj bote, vendbanimi i gjendjes së ndërmjetme, jeta e varrit, Berzahut, dhe vendbanimi i destinacionit përfundimtar, Ahireti. Lumturia nuk është gjë tjetër veçse lumturia e zemrës, e mundimi nuk është gjë tjetër veçse mundimi i zemrës.”

Vërtetë, ëmbëlsia, kënaqësia e afërsisë me Zotin e Lartësuar është e pakrahasueshme. Gëzimi që njeriu gjen tek Zoti, bindja ndaj Tij, përkujtimi i Tij  dhe lidhja e tij me Librin e Tij, e gjithë kjo është një lumturi që tejkalon të gjitha lumturitë, kënaqësitë dhe dëshirat e kësaj bote në të gjitha  format dhe manifestimet e tyre të ndryshme. Një nga njerëzit e mirë, të drejtë,  ka thënë: “Nëse banorët e Xheneti janë në një gjendje të tillë, atëherë ata vërtet po jetojnë një jetë të mirë!”

LEXO  Këshilla për të qëndruar larg padrejtësisë

O adhurues të Zotit! Po, nuk ka qetësi shpirtërore dhe as kënaqësi zemre përveçse kur zemrat lidhen me Zotin e tyre, i përkushtohen sinqerisht adhurimit të Krijuesit të tyre dhe i nënshtrohen bindjes ndaj Tij nga jashtë dhe nga brenda, fshehurazi dhe haptazi, me fjalë dhe vepra. Allahu i Lartësuar ka thënë: “ Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (En-Nahl 97)

Vëlla musliman! Syri nuk gjen prehje, zemra nuk gjen paqe dhe shpirti nuk gjenë qetësi përveçse nëpërmjet përulësisë së plotë, nënshtrimit dhe dashurisë së madhe për Allahun e Plotëfuqishëm, së bashku me dorëzimin e plotë ndaj ligjit të Tij. Zoti i Lartësuar dhe i Madhërishëm ka thënë: “Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”(Er-Ra’ad 28) Sikurse Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ (që ju porosis) të kërkoni falje nga Zoti juaj e të ktheheni tek Ai me pendesë. Ai do t’ju japë të shijoni kënaqësi të bukura deri në afatin e caktuar dhe do t’i japë çdo të miri shpërblimin e merituar.”(Hud 3)

O adhurues të Zotit! Mirësia e shpirtit, gëzimi i zemrës, lumturia, stabiliteti, rehatia, kënaqësia, drita dhe hapësira e saj, të gjitha këto arrihen vetëm përmes metodologjisë hyjnore në të cilën Allahu i Madhërishëm na ka udhëzuar në Librin e Tij, Kuran, dhe të cilën i dërguari i Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e ka detajuar në sunetin e tij.

Për sa kohë që është kështu, largimi prej saj është burimi i shqetësimit dhe dëmit, vendi i mbledhjes së dhimbjes, pikëllimit dhe vështirësive, shkaku i mjerimit, poshtërimit dhe turpit. Zoti i Lartësuar ka thënë: “ Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër.” (Ta Ha 124)

Kush i kthen shpinën ligjit të Zotit është në ankth të përhershëm dhe pikëllim të madh, sepse ai jeton për jetën e kësaj bote, e mbushur plot me telashe dhe e rrethuar me vështirësi, dhe nëse njeriu posedon para dhe pasuri të bollshme. Ai mbetet në këtë gjendje sepse kënaqësitë dhe lavdia e kësaj bote janë të përkohshme dhe siguria e saj është e paqëndrueshme. E çfarë do të ndodhi kur do përballet me vështirësitë e botës së ndërmjetme, jetës së varrit, Berzahut, dhe më pastaj në Ahiret?!  Zotit i  kërkojmë mbrojtje që të mos zhgënjehemi.

LEXO  Vlera e Haxhit - Shejh Abdulmuhsin el Kasim - Medine - 10.8.2018

Vëllezër të Islamit! I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i përmbledh këto kuptime të larta për ne duke thënë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “O Bilal, na fto për në namaz dhe na jep ngushëllim, qetësi nëpërmjet tij.”  Hadithin e kanë konsideruar të mirë një grup dijetarësh.

Adhurimi, e prej tyre namazi, përmbajnë nga lidhja me Zotin, njohuri për Të dhe dashuri për Të, të cilat i sjellin zemrës paqe, qetësi nga problemet dhe shpërqendrimet e kësaj bote. Zemra e robit lidhet me Zotin e Madhërishëm dhe gjen ngushëllim tek Krijuesi i tij, e Lartësuar është Madhështia e Tij. Kështu, robi besimtarë arrin një kënaqësi që është më e madhja e kënaqësive dhe gëzimeve, kënaqësi që asnjë tjetër në këtë jetë nuk mund të barazohet ose krahasohet me të. Ajo është metoda e afrimit dhe adhurimit të Zotit, adhurim që është Xheneti i kësaj bote dhe lumturia e saj e lartë, kënaqësia e syve, qetësia e shpirtrave, gëzimi dhe lumturia e zemrave. Prandaj dhe i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kënaqësia e syve të mi është në namaz.” Hadithin e  ka transmetuar Ahmedi, Nesaiu dhe Bejhakiu, dhe e kanë konsideruar të saktë një grup dijetarësh të hadithit.

O adhurues të Zotit! Forconi lidhjen me Zotin tuaj dhe gjeni ngushëllim duke iu afruar Atij, do të jeni të lumtur në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret,  dhe do të fitoni çdo çmim të madh.

Zoti na bekoftë me atë që dëgjuam dhe na shtoftë udhëzimin, suksesin, diturinë dhe dritën.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë  Zotin, lavdërime që nuk shkëputen dhe nuk zhduken kurrë.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, i Vetmi dhe i Lavdishmi. Dëshmoj se i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, më i miri që ka plotësuar monoteizmin, Njësimin e Zotit. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjen dhe shokët e tij, ata që fituan kënaqësinë e të Plotfuqishmit, të Lavdëruarit.

LEXO  Këshilla për të fituar dy botët

Në vijim

O adhurues të Zotit! Largimi i shqetësimeve nga shpirtrat dhe largimi i hidhërimeve nga zemrat arrihet vetëm duke iu drejtuar vetëm Zotit dhe duke preferuar kënaqësinë e Tij mbi çdo gjë tjetër. Arsyet më të mëdha për këtë janë: Forca e besimit të dikujt në Njëshmërinë e Zotit, mbështetja e plotë tek Ai, njohja e Zotit, e atributeve të Tij sublime dhe e emrave të Tij të bukur, dashuria e përsosur për Të, Allahun e Madhërishëm, së bashku me afrimin me Të, Zotin e Lartësuar, duke treguar mirësi ndaj krijimit të Tij në të gjitha format e tij. Kush jeton në këtë mënyrë do të arrijë lumturi, gëzim, kënaqësi dhe begati,  Zoti do ta çlirojë atë nga pikëllimi dhe do t’ia largojë shqetësimet. Allahu i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi).” (Et-Talak 2)

Adhurues të Zotit! Nga mjetet, rrugët, legjitime për të sjellë gëzim dhe lumturi, dhe për të larguar shqetësimet e hidhërimet, është shtimi i lutjeve dhe përshëndetjeve për profetin e madh. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, profetin tonë Muhamedin,  familjen e tij dhe të gjithë shokët e tij.

O Zot, fali besimtarët dhe besimtaret, të gjallët dhe të vdekurit prej tyre.

O Zot, largo sprovat dhe fatkeqësitë e muslimanëve. O Zot, mbro të gjithë muslimanët me mbrojtjen Tënde. O Zot, lehtëso shqetësimet e tyre, largo hidhërimet e tyre dhe lehtëso vuajtjet e tyre.

O Zot, të lutemi të jesh kundër armiqve të muslimanëve. O Zot, kërkojmë mbrojtje tek Ti nga e keqja e tyre, O Zotërues i Madhështisë dhe Bujarisë. O Zot, Ti je mbrojtja jonë dhe mbështetja më e mirë, ji mbrojtës dhe ndihmës, përkrahës dhe mbështetës për muslimanët.

O Zot, ruaj sigurinë, stabilitetin, begatinë dhe ushtarët e vendit tonë, largo prej tij komplotet e komplotistëve, planet e intrigantëve dhe sulmet e agresorëve, si dhe të gjitha tokat e muslimanëve.

O Zot, ruaj kujdestarin e dy xhamive të shenjta dhe princin e tij të kurorës,  jepu atyre të dyve jetë të gjatë në bindjen ndaj Teje. O Zot, jepu atyre të dyve sukses  dhe forcoi ata në çdo gjë të mirë.

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

O Zot, na mbro ne dhe muslimanët nga vështirësitë e fatkeqësisë, nga thellësitë e mjerimit, nga drejtësia e keqe dhe nga mburrja e armiqve.

O Zot, kërkojmë mbrojtjen Tënde për të gjithë ne nga humbja e Mirësive Tua, nga përkeqësimi i shëndetit që na ke dhënë, nga ndëshkimi Yt i papritur dhe nga i gjithë zemërimi Yt.

O Zot, na jep shi. O Zot, fresko vendet muslimane me shi të dobishëm dhe fresko zemrat e tyre me qetësi që u sjell gëzim dhe lumturi, o më i Madhi Mëshirues.

Adhurues të Zotit! Përmendeni Zotin sa më shumë dhe madhërojeni Atë në mëngjes e në mbrëmje.

Lutja jonë e fundit është të gjithë lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1536345155158826/843987654670662

Post Author: endrit