Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa 11-01-1448 H 26-06-2026 D
Shejh Muhamed Selim
Tema Trajtimi i mirë themeli i një familjeje të shëndetshme
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili ka thënë: “ Allahu ju ka dhënë shtëpi për të banuar…” (En-Nahl 80)
O muslimanë dhe muslimane! Jetoni jetën tuaj me Librin e Zotit, Kuran, dhe me sunetin e të dërguarit të Tij me udhëzimin e shokëve të tij që të jenë shtëpitë tuaja vende qetësie.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, e ka bërë kontratën martesore mbi një trajtim të mirë dhe harmoni të qëndrueshme midis bashkëshortëve, ajo është besëlidhja të fortë, të cilën Ai e përshkroi: “…dhe kur ato kanë marrë nga ju besë të fortë?”(En-Nisa’ 21)
O ju burra! Kini frikë Zotin në sjellje me bashkëshortet tuaja dhe jini për to shoqëruesit më të mirë.
Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, është betuar në Zotin e Plotëfuqishëm se një bashkëshorte nuk e përmbush detyrën e saj ndaj Zotit të saj derisa të përmbushë të drejtat e saj ndaj bashkëshortit të saj. Ai tha: “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, gruaja nuk e përmbush detyrën e saj ndaj Zotit të saj derisa të përmbushë të drejtat ndaj bashkëshortit të saj.” Prandaj, kujdes dhe kujdes nga zemërimi i Zotit, o ju bashkëshorte, sepse Zoti i Plotëfuqishëm nuk është i kënaqur me një grua derisa ajo të ruajë të drejtat e bashkëshortit të saj.
O Zot, bëj shtëpitë tona vende pushimi. O Zot, bëj shtëpitë tona vende paqeje. O Zot, bëj shtëpitë tona vende sigurie.
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje më të mirin e burrave, më të mirin e bashkëshortëve dhe më të mirin e njerëzve Muhamedin. O Zot, fale dhe bekoje familjen e tij të pastër, shokët e tij të mirë dhe ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Kijametit.
Në vijim
O ju bashkëshortë, duani bashkëshortet tuaja. O ju bashkëshorte, duajini bashkëshortët tuaj. Familje pa një dashuri të bazuar në dhembshuri dhe mëshirë, çatia e saj është drejtë shembjes, muret i ka të çara dhe struktura e saj është në prag të rrënimit. Zoti nuk dëshiron këtë për ju, sepse Ai thotë për ju: “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.”(Er-Rum 21)
O besimtarë! O besimtare! Dashuria dhe mëshira nënkuptojnë që zemrat e bashkëshortëve të jenë të dashura me njëri-tjetrin, që burri ta dojë gruan e tij dhe të jetë i kujdesshëm që të mos e dëmtojë atë.
O ti bashkëshort! Ki frikë Zotin e Plotfuqishëm dhe përmbush detyrat që Zoti të ka obliguar të kryesh ndaj bashkëshortes tënde, sepse ti je përgjegjës për të dhe do të mbahesh përgjegjës për neglizhencën ose mos përmbushjen e tyre. Në një hadith fisnik thuhet: “Zoti i Plotfuqishëm do të pyesë çdo kujdestar për atë që i është besuar, nëse e ka mbrojtur apo e ka lënë pas dore, derisa të pyes burrin për njerëzit e familjes së tij.”
O ju besimtare! Binduni bashkëshortëve tuaj dhe kini kujdes nga çdo sjellje e turpshme dhe e pandershme. Dijeni se trajtimi i mirë i një burri ndaj gruas së tij nuk është shenjë dobësie apo gjykimi të dobët nga ana e tij, por përkundrazi është përsosmëria e burrërisë dhe besimit nga burri që i frikësohet Zotit në dobësinë e gruas së tij dhe është i vetëdijshëm për Të.
I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Nëse do t’i urdhëroja dikujt t’i bënte sexhde dikujt, do t’i urdhëroja gruas t’i bënte sexhde burrit të saj.”
O gratë e besimtarëve! Zoti i Plotëfuqishëm, i Cili i porositi burrat të sillen mirë me ju dhe të jetojnë me ju në mënyrë të mirë, është Ai që urdhëroi bashkëshorten ta dëgjojë bashkëshortin e saj dhe t’i bindet atij për sa kohë që ai nuk kërkon që ajo të shkelë ligjin e Zotit, sepse “Nuk ka bindje ndaj krijese në mosbindje ndaj Krijuesit.”
O ju besimtare! Ne duam ta shohim çdo grua Palestineze nga Kudsi, dhe në fakt të gjitha gratë muslimane, si një shembull të mirë në veshjen e saj, në ecjen e saj, në sjelljet e saj dhe në jetesën e mirë me burrin e saj dhe familjes e tij. Gjithashtu duam që bashkëshorti ta trajtojë mirë familjen e bashkëshortes së tij dhe të ruaj të drejtat e lidhjes familjare dhe të martesës, n në mënyrë që bashkëshortja të trajtojë mirë familjen e tij. Sepse mirësia e bashkëshortes ndaj familjes së burrit të saj buron nga karakteri i saj fisnik, morali i saj i mirë, besnikëria e sinqertë e saj dhe nga e drejta e burrit të saj mbi të. Kjo është ajo që presim nga bashkëshortja besimtare në Kuds dhe rrethinat e tij, e cila kërkon kënaqësinë e Zotit të Plotëfuqishëm dhe e cila përpiqet që emri i saj të regjistrohet në pozitën më të lartë me paraardhësit e drejtë, mirë, për të cilët Zoti ka thënë: “Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta!”(En-Nisa’ 69)
O ti muslimane! Ai që të thotë se je një treg i lirë ka gënjyer, ai që të pëshpërit se je një mall i lirë është një gënjeshtar i qartë, sepse ti je xhevahir i çmuar, thesar i paçmuar dhe margaritar që asnjë person i lig nuk guxon ta prekë. Ti je nëna e çmuar, ti je motra e dhembshur, ti je vajza e devotshme, ti je bashkëshortja e dashur dhe e drejtë. Qëndro e palëkundur në besimin tënd që të jesh nga ato që janë të lidhura me këtë vend të shenjtë, dhe mbaj fort vlerat e besimit që të ngjitesh në shkallët e Xhenetit. Ji çelës i të mirës për bashkëshortin tënd dhe familjen e tij, për fëmijët e tu dhe familjen tënde, dhe për të gjithë muslimanët, sepse kjo është lidhja e fortë për të cilën do të shpërblehesh.
O ju bashkëshortë dhe ju bashkëshorte! Flisni mirë, bëni vepra të mira, silluni mirë dhe ruani gëzimin në shtëpitë tuaja, sepse kjo, për Zotin e Aksasë, është nga fisnikëria dhe feja, nga mirësia dhe aspiratat e larta në kënaqësinë e Zotit të botëve.
Po, o ti bashkëshort! Zbukurohu për gruan tënde me fjalë të mira, vepra të mira dhe pamje të jashtme, sepse ai që ishte më i mirë se ti e bënte këtë. Profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Më të mirët prej jush janë ata që janë më të mirët me familjet e tyre, dhe unë jam më i miri prej jush me familjen time.” Pra, më i miri prej njerëzve, o bir i Ademit, është ai që ia lehtëson gjërat gruas së tij në atë që e kënaq Zotin e tij.
Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, ka thënë: “Më pëlqen të zbukurohem për bashkëshorten time, ashtu siç më pëlqen që ajo të zbukurohet për mua.”
A nuk dëshiron të jesh burrë me besim të plotë? Atëherë përmbaju udhëzimit të të dashurit tënd, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ku ai thotë: “ Nga besimtarët me besim më të plotë janë ata që kanë karakterin më të mirë, e më të mirët prej jush janë ata që janë më të mirët me bashkëshortet e tyre.”
Ndërsa ti, o bashkëshorte! Zbukurimi yt jashtë shtëpisë është nga shkaqet e imoralitetit dhe ajo e zemëron Zotin. Por se është marrëzi që të zbukurohet gruaja jashtë shtëpisë së saj për dikë tjetër përveç bashkëshortit të saj është e ndaluar, dhe të zbukurohet për burrin e saj në shtëpinë e tij është e lejuar.
O Zot, na dhuro besim të plotë, na ruaj nga marrëzia në mendime dhe veprime, na bëj ndër burrat dhe gratë e udhëzuar drejt.
O ti bashkëshort fisnik! Nëse urren bashkëshorten tënde për shkak të karakterit të saj të keq, ose sepse një tjetër është më e bukur se ajo, dhe ajo është që e ruan nderin, pastërtinë e saj, Zoti të kërkon të jesh i duruar me të gjitha këto prej saj, sepse në durim ndaj saj qëndron çdo e mirë. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Në qoftë se ato nuk ju pëlqejnë (atëherë duroni sepse), është e mundur që juve të mos ju pëlqejë diçka, por që Allahu t’ju sjellë nëpërmjet saj shumë të mira.”(En-Nisa’ 19)
Ky është profeti i Zotit, Zekerija, paqja e Zotit qoftë mbi të, Allahu na tregon për gruan e tij, dhe thotë: “…duke ia bërë gruan të aftë (për lindje).” (El-Enbija’ 90) Zekerija, paqja e Zotit qoftë mbi të, gruan e kishte me sjellje të keqe, me gjuhë të gjatë, fliste shumë, dhe e vrazhdë me të, ai e duroi këtë për hir të Zotit të Plotëfuqishëm derisa Zoti e ndryshoi atë dhe ajo u bë me karakter të mirë.
O ti bashkëshort! Nëse je burrë dhe nëse je besimtar, atëherë mos e lër fjalën e divorcit të dalë nga goja jote. Divorci nuk është burrëri por është në kundërshtim me realitetin e besimit, sepse besimi është që të sillesh me bashkëshorten tënde, ashtu siç të ka urdhëruar Zoti yt, i Cili është më i Fortë, më i Lartë dhe më i Madhërishëm se ti, dhe të ndjekësh rrugën e të dërguarit tënd, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.
O ju bashkëshortë, Zoti thotë për ju: “ Por, nëse ato ju binden, atëherë mos i ndëshkoni më. Allahu, me të vërtetë, është i Lartësuar dhe i Madhëruar!” (En-Nisa’ 34)
O ti bashkëshort! Nëse je si Ebu Aliu dhe Antar Ibn Shadadi ndaj gruas tënde, Zoti është më i Lartë dhe më i Madh se ti, dhe Ai është më i aftë ndaj teje.
O ti bashkëshort besimtar! Gjëja e parë që duhet të bësh nëse je i zemëruar me bashkëshorten tënde është të kujtosh natyrën me të cilën Zoti e krijoi atë, se ajo është delikate në ndjenjat e saj, si një shishe qelqi që, pasi të thyhet, është e vështirë të riparohet. Dëgjo të dërguarin tonë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kur ai i krahasoi gratë me shishe qelqi, kur i kërkoi Anxheshës, udhëheqësja e deveve në udhëtim, që të ngadalësonte vrapin deveve, që të mos ecin shumë shpejt, në mënyrë që mos i dëmtonin gratë që ishin hipur mbi to. Ai i thotë asaj: “O Anxhesha, ngadalëso, më qetë, sepse po udhëton me shishe qelqi.” Nga ana tjetër, bashkëshortja që ka rënë dakord ta ketë këtë burrë si bashkëshort duhet të kujtojë se ai është kujdestari i saj dhe se ai është deveja e saj mbi të cilën ajo vendos barrën dhe ngarkesën e saj, dhe burri i saj nuk është një deve që ajo mund ta bëjë të gjunjëzohet kur të dëshirojë. “Burrat kanë autoritet mbi gratë…” (En-Nisa’ 34)
O ti bashkëshorte! Qëndro pranë burrit tënd kur e godet një fatkeqësi, ose kur e godet ndonjë dëm dhe lëndim. Hatixhja është një shembull i kësaj, kur i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, erdhi tek ajo me zemrën që i dridhej dhe i tha: “Më mbulo, më mbulo.” Hatixhja, Zoti qoftë i kënaqur me të, u përgjigj: “Jo, për Zotin, Zoti nuk do të të turpërojë kurrë sepse ti mban lidhje farefisnore, mban barrën e të dobëtëve dhe ndihmon në kohë të vështira për hir të së vërtetës.”
O ti bashkëshort! Kujto mbështetjen e bashkëshortes ndaj teje në kohë telashesh dhe fatkeqësish. I dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e kujtonte mbështetjen e Hatixhes për të gjatë gjithë jetës së tij dhe thoshte: “ Për Zotin, ajo besoi tek unë kur njerëzit nuk më besuan, më strehoi kur njerëzit më refuzuan dhe u bekova me fëmijë prej saj.”
O ti bashkëshort i devotshëm dhe besimtar! Kur u martove, solle një qenie njerëzore në shtëpinë tënde dhe jo një mobilie. Prandaj, ruaje identitetin fetar dhe shoqëror të bashkëshortes tënde brenda kufijve të mësimeve të ligjit Islam. Ku është njerëzorja dhe mbështetja e ndërsjellë midis bashkëshortëve? Pse çiftet përjetojnë ndryshime të papritura të komunikimi, të papërshtatshme për muslimanin, duke e bërë njëri të braktisë tjetrin për shkak të një tipari që nuk i pëlqente tek ai? A nuk ka thënë profeti ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Një besimtar nuk duhet ta urrejë një besimtare, nëse nuk i pëlqen një tipar i saj, me siguri do gjejë një gjë tjetër tek ajo që i pëlqen, e kënaqën atë.” ? Ku është durimi dhe toleranca midis bashkëshortëve? Ku janë cilësitë fisnike midis tyre, të cilat janë ndër çelësat më të rëndësishëm të Xhenetit?
O ju besimtarë, o ju besimtare! Martesa në Kuds dhe rrethinat e tij është tregti me Zotin duke formuar familje muslimane dhe duke rritur pasardhës të mirë. Martesa nuk është tregti në gjykata dhe midis kujdestarëve, por ajo është tregti që nuk dështon me Allahun, Zotin e botëve, ajo është rrugë drejt kënaqësisë së Zotit dhe Xhenetit të Tij.
O ju bashkëshortë! O ju bashkëshorte! Mos u ndalni nga përmbushja e të drejtave që keni ndaj njëri-tjetrit, as mos i neglizhoni ato. Përmbushini ato me dëshirë, duke kërkuar shpërblim nga Zoti. Sepse këto janë nga mjetet për përmirësimin e familjes muslimane Palestineze në një kohë kur ka pak që mund ta ndihmojnë atë dhe në një kohë kur njerëzit po komplotojnë kundër saj.
Në një hadith sahih thuhet: “Një zemër mirënjohëse, një gjuhë që e kujton Zotin dhe një bashkëshorte e mirë që të ndihmon në çështjet e jetës tënde të kësaj bote dhe të fesë tënde, janë gjërat më të mira që njerëzit mund të grumbullojnë.”
I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Silluni mirë me gratë.” Jetoni së bashku me mirësi, përmbahuni nga dëmtimi i tyre dhe mos vononi në përmbushjen e të drejtave të tyre. Jepuni bashkëshorteve tuaja atë që u takon për sa i përket shpenzimeve. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e sqaroi këtë të drejtë kur u pyet: Kush është e drejta e çdo njërës prej bashkëshorteve tona mbi të? Ai tha: “Të ushqesh atë kur ushqehesh vetë dhe ta veshësh atë kur vish veten.”
O ti bashkëshorte! Mos e ngarko burrin tënd me më shumë sesa mund të përballojë në aspektin e shpenzimeve. Shpenzimet e tepërta janë si padrejtësia e tij në to. Prano atë që Zoti i ka caktuar burrit tënd si furnizim dhe mos shiko gratë e tjera, sepse kjo është nga pamaturia, mendjelehtësia dhe injoranca.
O ju besimtarë! O ju besimtare! Shndërroni shtëpitë tuaja në Kuds dhe rrethinat e tij në vend drejtimi për bindjen ndaj Zotit dhe në vend drejtimi për bindjen ndaj dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Vërtetë Allahu i Plotëfuqishëm thotë: “ Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut.”(Ta Ha 132) Disa dijetarë kanë nxjerrë përfundimin nga ky ajet se kush ruan të drejtën e Zotit në familjen e tij Zoti nuk do t’ia kursejë furnizimin për ta. Shtëpisë në të cilën i binden Zotit dhe të dërguarit të Tij, Zoti derdh mbi të furnizim me bollëk. Nëse nuk më besoni, provojeni.
Zoti i mbron shtëpitë ngjitur me xhaminë Aksa, andaj mos i shembni dhe mos i shkatërroni ato. Zoti i mbron bashkëshortet që u bekuan me martesë në Kuds dhe rrethinat e tij, sa me fat janë ato nëse i frikësohen Zotit në këtë martesë. Zoti mbron bashkëshortët që pretendojnë se janë të lidhur me xhaminë Aksa, dhe ata janë të lirë nga lidhja me bashkëshortet e tyre për t’iu bindur Zotit në marrëdhëniet e tyre me to.
O ti bashkëshort! O ti bashkëshorte! Dëgjoni me vëmendje fjalët e mia, sepse ato janë më të mirat që urdhëroheni të bëni, ose të këqija që ju ndalohen të bëni. Nëse ktheheni djathtas kthehuni nga Libri i Zotit. Nëse ktheheni majtas kthehuni nga suneti i të dërguarit të Zotit. Nëse ktheheni përpara mbani mend qëndrimin tuaj para Zotit. Nëse ktheheni pas jush mbani mend se humbja më e madhe është të ktheheni prapa nga ligji i Zotit.
O Zot, na bëj ndër ata që e dëgjojnë fjalën dhe ndjekin më të mirën e saj. O Zot, mbush shtëpitë tona me dashuri. O Zot, mbush shtëpitë tona me mëshirë. O Zot, na jep karakter të mirë me bashkëshortet tona, fëmijët tanë dhe të gjithë njerëzit.
Adhurues të Zotit! Kërkoni falje tek Zoti dhe pendohuni tek Ai, lutuni Atij duke qenë të bindur në përgjigje!
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin e botëve. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok. Ka urdhëruar bashkëshortët dhe ka thënë: “Kijeni frikë Allahun dhe dijeni se do të takoheni me Atë. Jepu lajm të mirë besimtarëve (se do fitojnë Xhenetin).”( El-Bekare 223)
Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Ai iu drejtua bashkëshortes duke i thënë asaj: “Gruaja është kujdestare mbi shtëpinë e burrit të saj dhe fëmijët e tij, dhe ajo është përgjegjëse për ta.” O Zot, fale dhe mëshiroje Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij dhe pasuesit e tyre në mirësi deri në ditën e Gjykimit.
Në vijim
O ti bashkëshort që i bën padrejtësi bashkëshortes! Zoti nuk është i pavetëdijshëm për ty, dhe se Ai nuk është i paaftë të të ndëshkojë me një dënim prej Tij. Prandaj, nxito të pendohesh dhe largoje nga gruaja jote padrejtësinë ndaj saj dhe dëmin që po i shkakton asaj, sepse Zoti është ndihmuesi i saj dhe se Zoti është mbrojtës i të shtypurve.
O ti bashkëshorte muslimane! O ti grua! Mos u rebelo kundër ligjit të Zotit dhe mos i shkel kufijtë e Zotit. Dije se beteja jote e parë dhe e fundit është me shejtanin dhe dëshirat e tua, dhe jo me bashkëshortin tënd dhe familjen e tij.
O ti bashkëshorte! Të konsiderojmë besimtare dhe grua të mençur, të virtytshme me prejardhje fisnike, mos u bëj mosmirënjohëse ndaj burrit tënd, duke mohuar favorin dhe mirësinë e tij në një moment të gabimit të tij. Dije se gruaja, sikurse i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Nëse ajo fal pesë namazet e saj ditore, agjëron muajin e saj, Ramazanin, ruan dëlirësinë, nderin e saj dhe i bindet burrit të saj, do të hyjë në Xhenet nga cila portë e tij që ajo dëshiron.”
Po, kjo është bashkëshortja besimtare që do të hyjë në Xhenet në Jetën e Përtejme dhe do të llogaritet midis grave që i janë përkushtuar Zotit në këtë botë, e cila vendoset mbi plagë dhe ajo shërohet, me lejen e Zotit.
Ndërsa ti, o bashkëshort! Ji vërtet i lidhur fort me martesën tënde dhe bëje shtëpinë tënde një parajsë sigurie dhe drejtësie, një shtëpi dashurie dhe dhembshurie. Mos u rrih, mos ji i pasjellshëm, mos u sill keq me familjen tënde dhe të sillesh mirë me njerëzit. Ji burim paqeje për bashkëshorten tënde që të jesh burrë dhe të jesh nga njerëzit më të mirë.
O ju baballarë dhe ju nëna! Ne të gjithë e dimë se shumica e ngjarjeve të dhunshme që ndodhin në shoqëri, shkatërrimi i shtëpive përmes divorcit dhe problemeve familjare, shkaktohen kryesisht nga gratë, së pari gruaja, nëna e burrit dhe së dyti nëna e gruas. Kjo sepse e para ka përfituar nga burri i saj, dhe sepse e dyta dhe e treta kanë marrë kontrollin e dashurisë së djalit dhe vajzës së tyre.
O ju baballarë dhe ju nëna! Kur martuat bijtë dhe bijat tuaja, ata ishin të ligjshëm dhe fetarisht të përshtatshëm, ishin me mendje të shëndoshë dhe në moshë të pjekur. Për këtë arsye, ju nuk keni kujdestari mbi ta, prandaj mos ndërhyni në punët e bijve dhe bijave tuaja të martuara, përveçse duke urdhëruar për të mirën dhe duke ndaluar nga e keqja, në përputhje me rregullat e Sheriatit. Kjo në mënyrë që të mos shkatërroni familjet dhe të mos ndani bashkëshortët me të keqen e asaj që bëni.
O ti bashkëshort! Bashkëshortja jote ka rënë dakord të lërë babanë, nënën dhe vëllain e saj për të gjetur dashurinë, besnikërinë dhe mbështetjen e tyre tek ti, andaj ji i devotshëm, i pastër dhe mbështetje besnike për bashkëshorten dhe familjen tënde.
Dhe ti, o bashkëshorte! Ji çelës i së mirës dhe mos i pëshpërit të keqen burrit tënd, duaji ata që janë përreth tij.
O ju familje muslimane në Kuds dhe rrethinat e tij! Dashuri, dashuri dhe mëshirë, mëshirë, sepse ato kultivojnë dashuri në shtëpitë tuaja. Mbillni pemën e dashurisë dhe hani frutat e saj me mirësi dhe kënaqësi, në mënyrë që shtëpitë tuaja të rritni fruta të mira dhe me këto rritje të mira të mund të shkoni në Aksa dhe të ktheheni.
O Zot, beko bashkëshortet dhe pasardhësit tanë, bëj ata drita e syve tanë, udhëzoji dhe mbaji të palëkundur në bindjen Tënde.
O Zot, mbro shtëpitë tona nga çdo e keqe, mbaj larg nesh shejtanin, mbushi shtëpitë tona me përkujtimin, mirënjohjen dhe adhurimin Tënd të mirë.
O Zot, jepu sukses nxënësve të shkollave të mesme në atë që Ti do dhe me të cilën je i kënaqur. O Zot, jepu atyre sukses, arritje dhe përparim, sill gëzim dhe lumturi në shtëpitë e familjeve të tyre me suksesin e tyre, dhe bëji ata thesar për fenë dhe umetin Tënd.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro mosbesimin dhe jobesimtarët. O Zot, bashko zemrat e muslimanëve në të vërtetën, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, përmirëso marrëdhëniet e tyre dhe udhëzoji ata në rrugët e paqes. O Zot, ndihmo fenë Tënde! O Zot, ndihmo Librin Tënd! O Zot, ndihmo sunetin të dërguarit Tënd, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.
O Zot, largo vuajtjet e të pikëlluarve, lehtëso vuajtjet e të munduarve, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve, kthe të shpërngulurit pranë familjarëve të tyre shëndosh e mirë dhe mundëso shlyerjen e borxheve atyre që kanë borxhe.
O Zot, bëj Aksanë tonë të sigurt me sigurinë Tënde, të lartësuar me fuqinë Tënde, dhe na mundëso vajtjen dhe ardhjen në të në çdo kohë. O Zot, na mbro nga të këqijat e shpirtrave tanë dhe nga të këqijat e veprave tona, dhe na mbro nga e keqja e çdo njeriu të lig, o Zot i botëve.
O Zot, na fal ne, prindërit tanë, ata që kanë të drejtë mbi ne! O Zot, fal besimtarët dhe besimtaret, muslimanët dhe muslimanet, dhe bëj që përfundimi i punëve tona të jetë me vepra të mira. Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun e Madhërishëm, Ai ju kujton ju, falënderojeni Atë për të mirat e Tij Ai do ju japë më shumë.
Ndërsa ti që fton për namaz, fto në namaz!
“…Vërtet, namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe, vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)
Afrim Smakaj