“Unë jam më i mirë se ai”

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    06-03-1447H   29-08-2025 D

Shejh Abdul Bari  Ibn Avad Eth-Thubejti 

Tema  “Unë jam më i mirë se ai”

Lavdërimet janë për Zotin, lavdërime që e kënaqin Atë, e Ai na shpërblen me dhurata të shumta. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok, dëshmi me të cilën shpresojmë mëshirën e Tij dhe të fitojmë kënaqësinë e Tij.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, Zoti i tij e përzgjodhi dhe e udhëzoi, e ai arriti lavdinë dhe gradët më të larta. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, të cilët ndoqën udhëzimet e tij dhe ecën në gjurmët e tij.

Në vijim

Porosis veten dhe ju që t’i frikësohemi Zotit, sepse ajo, devotshmëria ndaj Tij, është bashkimi i të gjitha vlerave,  arsyeja e shpëtimit, çelësi i qetësisë mendore dhe vendbanimi  i lumturisë në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiretit.

“Unë jam më i mirë se ai”, është fjali që mund të thuhet ndonjëherë, por në realitet, nuk është vetëm një frazë që thuhet, por më tepër një ndjenjë e fshehur që futet në zemra dhe vendoset në thellësitë e shpirtit derisa e çon të zotin e saj të rrëzojë burimet e rënies. Fjali që lind nga iluzioni i krahasimeve, kur njeriu e shikon veten si më të denjën për nga vlerat, më të merituarin për status  dhe më primarë që duhet ngritur në gradë. Kjo ndodhën sepse ai mendon se zotëron kualifikime dhe aftësi që të tjerët nuk i zotërojnë, atëherë përçmon pozicionin që të tjerët kanë arritur në status apo furnizim,  dhe thotë hapur ose me vete: Unë jam më i merituar se ai, unë jam më i ditur, unë jam më i zgjuar, unë jam më i merituar për vendin, pozicinin. Kjo ndjenjë në realitet është një kundërshtim i fshehur ndaj drejtësisë së Zotit dhe dyshim në urtësinë e Tij, sikur thënësi i kësaj fraze,  Zoti na ruajt, po përpiqet ta tejkalojë Krijuesin e tij në shpërndarjen e furnizimeve, pozicioneve dhe prestigjit. Kush i dorëzohet ciklit të krahasimeve do të bjerë në kurthin e arrogancës së fshehur dhe do të ecë në të njëjtën rrugë që çoi në shkatërrimin e kundërshtuesit të parë të Zotit.

Kjo fjalë nuk ndalet në kufijtë e gjuhës, përkundrazi shfaqet në forma të ndryshme në jetën e njerëzve. Mund të mos thuhet shprehimisht, por kuptohet nga një vështrim arrogant, një e qeshur sarkastike, një ton arrogant ose një heshtje që tregon përbuzje, ose edhe nga një frazë kalimtare, që fsheh brenda saj një përbuzje të mbuluar. Një menaxher e thotë këtë fjalë kur përçmon punonjësit e tij, njeriu i pasur e thotë këtë fjalë kur një person i varfër ndihet inferior, njeriu fetar e thotë këtë fjalë kur përçmon një njeri që bën gjynahe,  fjalë që e thotë dikush që mburret me mendjen, prejardhjen ose njohurinë e tij. Mund të thuhet edhe në emër të fesë, kur një person mendon se e vërteta është e kufizuar vetëm për dhe se të tjerët veç tij  janë në humbje. Disa njerëz mund ta fshehin atë nën maskën e këshillës, avokimit ose debatit, por në thelb ajo është arrogancë e hapur. Kush e shqipton atë duke lavdëruar veten dhe e shikon veten se është më lartë se njerëzit në rang ose pozicion, thënien e tij e shoqëron me arrogancë në zemër,  me paturpësi ndaj së vërtetës dhe me përbuzje nga njerëzve, krijesave. Ai në këtë mënyrë ka ecur në rrugën e shejtanit, dhe nëse fjalët dhe imazhet ndryshojnë. Si mund të guxojë një krijesë e dobët të kundërshtojë Krijuesin e Madh, Zotin Një dhe të Vetëm, Ai që krijoi dhe caktoi, ngriti dhe uli, nderoi dhe poshtëroi. Ai është i Gjithëdijshmi për atë që është më e mira për robërit e Tij, i Gjithëurti në atë që Ai ka shpallur dhe përcaktuar, dhe urtësia e Tij është përtej asaj që mendjet e kufizuara mund të kuptojnë. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ E si të mos dijë Ai që ka krijuar gjithçka, kur Ai njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Gjithëinformuari?!” (El-Mulk 14) Çdo gjë që Zoti ju ka dhënë është e mirë dhe nëse ju duket e pakët në syrin tuaj. Çdo gjë që Ai ju ka ndaluar në të ka mëshirë dhe nëse mendoni se është privim. Në vonesë mund të ketë sekret, në privim mirësi dhe në humbje shpëtim. Pra, le të jetë besimtari rob i kënaqësisë, jo rob i krahasimeve dhe gabimeve. Gabimi është që ta bësh të më mirën shkallë për të përçmuar të tjerët, ose peshore për epërsi. E ndoshta dikush, statusin e të cilit e nënçmon, do jetë më lartë se ti tek Zotit në shkallë të ndryshme.

LEXO  Durim o populli i Palestinës, durim

Sheriati, legjislacion Islam, nuk është ndalur vetëm tek paralajmërimi kundër arrogancës, por përkundrazi na ka dhënë shembullin më të lartë tek Jusufi, paqja e Zotit qoftë mbi të. Ai ishte një njeri me dije, moral dhe status, megjithatë, kur qëndroi para Azizit, udhëheqësit të Egjiptit, ai nuk tha: Unë jam më i mirë se filani, as nuk kërkoi të shkëlqente duke i ulur të tjerët. Përkundrazi, ai tha me gjuhën e njeriut që është i sigurt në përgjegjësinë e tij: “(Jusufi) i tha: “Më cakto përgjegjës të depove të vendit, sepse unë jam ruajtës dhe njohës (i mirë i këtyre punëve)”. (Jusuf 55) Ai e tha këtë me besimin e njeriut të përulur, jo me arrogancën e njeriut kokëlartë. Jusufi nuk nënçmoi askënd për t’u ngritur mbi ta dhe nuk bëri veten masë suksesi për të tjerët. Përkundrazi, ai paraqiti veten si shërbëtor besnik, jo si mburravec. Ka një ndryshim të madh midis dikujt që shfaq kompetencën e tij për të mirën e umtit dhe atdheut, ai shpërblehet e ngrihet në detyrë, dhe dikujt që nënçmon të tjerët për të treguar superioritetin e tij,  ai shkatërrohet dhe bie. E nëse arroganca zë rrënjë në zemra, shoqëritë do të shthuren, procesi i ndërtimit do të ndalet, bashkëpunimi do të dobësohet dhe do të shpërbëhen lidhjet, derisa të shkatërrohen urat e respektit dhe të ndizen zjarret e zilisë, urrejtjes dhe hakmarrjes. Për këtë i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Nuk do të hyjë në Xhenet dikush që ka në zemrën e tij qoftë dhe një grimcë të vogël sa atomi të arrogancës.” Pastaj e ka komentuar atë me fjalën e tij:  “ Shpërfillje të së vërtetës dhe nënçmim të njerëzve.”  Allahu i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët!” (Lukman 18) I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush i përulet Zotit, atë Zoti do ta ngrejë një gradë, derisa ta vendosë në nivelin më të lartë. E kush është arrogant ndaj Zotit, atë Zoti do ta ulë në një shkallë, derisa ta vendosë në nivelin më të ulët.” Hadithin e ka transmetuar Ibn Maxhe dhe Bejhakiu.

LEXO  Të ecësh drejt Zotit është fitore dhe shpëtim

Zotit  i kërkoj falje për vete dhe për ju, tek Zoti kërkoni falje, vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, Krijuesi dhe Furnizuesi.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok, Sunduesi, Ai që ka fuqi për çdo gjë.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, udhërrëfyesi dhe ndërmjetësuesi ynë. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij.

Në vijim

Porosis veten dhe ju që t’i frikësohemi Allahut.

Sa herë që ndjeni dëshirën për t’u mburrur, mbani mend se mirësitë nuk zgjasin përgjithmonë dhe se ajo që keni sot mund t’ju ​​merret nesër. Prandaj uleni kokën dhe jini të përulur. Nëse shikoni dikë tjetër që favorizohet mbi ju në aspektin e jetesës ose të parave, thuaj: O Zot, bekoje atë dhe më bëj të kënaqur me atë që më ke caktuar. Mbaje gjuhën tënde të lagët me lutje që pastrojnë zemrën përpara se gjërat të përmirësohen. O Zot, pastro zemrën time nga arroganca, mendjemadhësia, mendimi i keq dhe hipokrizia.

O rob të Zotit! Lutuni dhe përshëndeteni të dërguarin e udhëzimit, sepse Zoti ju ka urdhëruar ta bëni këtë në librin e Tij, në Kuran, kur ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të.” (El-Ahzab 56)  Ndërsa i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush lutet dhe me përshëndetën mua një herë, Allahu lutet për të dhjetë herë.” Urime për atë që lutet, e përshëndetën të dërguarin, sepse Zoti e mëshiron dhe e ngre atë në gradë.

LEXO  Pakujdesia dhe rrugët për të shpëtuar prej saj

O Zot, fale dhe mëshiroje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër Halifet e drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me familjarët dhe shokët e tij të nderuar, dhe me ne së bashku me ta me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë  Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, të lutemi  të na japësh gjithë të mirat, të tashmet dhe të vonshmet, nga ato që i dimë dhe ato që nuk i dimë.

O Zot, të lutemi na mbro nga gjithë të këqijat, të tashmet dhe të më vonshmet, nga ato që i dimë dhe që nuk i dimë.

O Zot, të lutemi  të na japësh fillim dhe përfundim të mirë, të përgjithshmet, të parat dhe të fundit, të dukshmen dhe të padukshmen, të lutemi të na japësh gradë të larta në Xhenet, o Zoti i botëve.

O Zot, na  përmirëso në  fenë tonë e cila është pjesë e jetës tonë, përmirëso jetën tonë ( në këtë botë) që  është vendqëndrimi i përkohshëm për ne,  dhe përmirëso  jetën tjetër (Ahiretin) në të cilën  është takimi ynë. O Zot, bëj jetën tonë shtim të çdo mirësie dhe vdekjen rehati prej çdo të keqeje, o Zoti i botëve.   

O Zot, o Mëshirëplotë ndaj të shtypurve, o Mbështetës i të munduarve, o Ti që je afër përgjigjes, o Falsëi i Madh, ji për vëllezërit tanë në Palestinë ndihmë, mbështetje, përkrahje dhe mbrojtje. O Zot, ata janë të uritur, prandaj mundësoju atyre të ushqehen, janë të frikësuar, prandaj qetësoi ata, janë të shpërndarë prandaj bashkoi, janë të dobësuar dhe forcoi ata. O Zot, ata nuk kanë fuqi tjetër përveçse Teje, nuk  kanë asnjë forcë përveçse me mëshirën Tënde, prandaj ushqei nga urija dhe qetësoi nga frika. O Zot, shëro zemrat e tyre të thyera, mëshiro të vdekurit e tyre, shëro të sëmurët e tyre, kthe ata që mungojnë, të humburit e tyre, vishi ata me rrobën e mirëqenies, qetësisë dhe ji i butë me ta, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, ndëshko ata që u kanë bërë padrejtësi, ata që kanë vrarë fëmijët e tyre dhe ata që ua kanë mbyllur shtigjet e jetës së tyre. O Zot, asnjë fuqi nuk është përtej fuqisë Tënde, asnjë ushtri nuk është e mundur përballë ushtrisë Tënde, asnjë britmë e të shtypurve nuk është e fshehur prej Teje, prandaj, jepu atyre fitoren, o i Fortë, o i Pushtetshëm.

O Zot, mbroje këtë vend të bekuar me mbrojtjen Tënde, ruaje atë me kujdesin Tënd, ruaj kufijtë e tij, njerëzit e sigurisë së tij dhe udhëheqësit e tij.

O Zot, ruaj dhe jepi sukses kujdestarit të dy xhamive të shenjta në atë do dhe je i kënaqur. O Zot, udhëzoje atë drejt udhëzimit Tënd, bëje punën e tij që të meritojnë  kënaqësisë Tënde, jepi sukses zvendësit të fronit të tij në çdo të mirë, o Zoti i botëve,   dhe mbështet Isamin dhe muslimanët përmes tyre.  O Zot, jepu sukses të gjithë sundimtarët muslimanë që të punojnë sipas Librit Tënd dhe të zbatojnë ligjin Tënd.

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/3674009152734976

Post Author: endrit