Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa 04-08-1447 H 23-01-2026 D
Shejh Muhamed Selim
Tema Vëllazëria në fe rrugë drejt paqes dhe sigurisë
Lavdërimet janë për Allahun, Zotin e botëve. Ai bëri popullin tonë, me familjet e tyre fisnike dhe fiset e tyre autentike, vëllezër në fe dhe në shenjtëri.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, ka thënë në Kuran: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër…” (El-Huxhurat 10) O muslimanë! Vëllazëria dhe shenjtëria janë besëlidhja që Zoti ka bërë midis jush në Kuds dhe rrethinave të tij, ashtu siç e ka bërë atë midis të gjithë muslimanëve. Prandaj, uroni për çdo musliman në Kuds dhe rrethinat e tij atë që doni për veten tuaj, dhe urreni për ta atë që urreni për veten tuaj. Shmangni luftën dhe shkaqet e saj, frenoni shejtanin dhe mos e lini të nxisë përçarje midis familjeve dhe fiseve tuaja. Dashuria për Kuranin ju bashkon dhe suneti i të dërguarit të Zotit vendoset në mes tuaj. Xhamia Aksa është vërtet e denjë për t’ju larguar nga çdo përçarje, grindje dhe mosmarrëveshje.
Dëshmoj se Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i cili na ka thënë më shumë se një herë: “Besimtari është vëlla i besimtarit, nuk i bën padrejtësi, nuk e braktis dhe nuk e përçmon atë.” Ai ka thënë: “Besimtari për besimtarin është si një ndërtesë, çdo pjesë e së cilës forcon tjetrën.” Bëni kujdes që të mos mbysni anijen e Kudsit dhe të rrethinave të tij, ose ta fusni shenjtërinë e tij në detin e mosmarrëveshjeve dhe debateve midis jush. O adhurues të Zotit! Bëni kujdes që të mos harroni, gjatë kohërave të grindjeve dhe konflikteve, fjalën e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, që thotë: “ Mos u ktheni në mosbesim pas meje, duke i rënë njëri-tjetrit në qafë, goditue njëri-tjetrin.” O Zot, bëj që familjet tona të jenë paqësore midis tyre dhe bëj që familjet tona të jenë të sigurta prej njëra-tjetrës. O Zot, mëshiroje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e mëshirove Ibrahimin dhe familjen e tij, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar. O Zot, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar. O Zot, mëshiroi ata që i ndjekin në mirësi deri në Ditën e Kiametit.
Në vijim
O ju besimtarë! Ndodhi një mosmarrëveshje midis dy burrave nga Ensarët në kundërshtinë në mes tyre për një të drejtë që po e debatonin. Njëri prej tyre i tha tjetrit: “Do ta marr të drejtën time me forcë.” Që do të thotë se donte ta merrte të drejtën e tij kundër vullnetit të tij, siç thuhet në dialekt, populloore, “me forcë” dhe siç veprojnë disa njerëz sot. Kjo sepse ky Ensari ishte krenar për fisin e tij dhe ishte i sapo hyrë në Islam.
Ndërsa burri i dytë e thirri që të paraqiteshin tek dërguari i Zotit, paqja dhe mësira e Zotit qoftë mbi të, sepse ky është parimi për një musliman. Ai nuk i referohet askujt tjetër përveç Zotit dhe të dërguarit të Tij, dhe nuk i referohet zakoneve dhe traditave që bien ndesh me rregullat e Sheriatit dhe të fesë.
O adhurues të Zotit! Burri që ishte krenar për fisin e tij refuzoi dhe këmbënguli ta merrte të drejtën e tij me forcë nga vëllai i tij musliman. Mendësi e përhapur midis të rinjve sot, të cilët e shohin burrërinë e tyre në fisin e tyre dhe jo në nënshtrimin ndaj Zotit dhe ligjit të Tij. Rezultati i krenarisë me klanin tënd padrejtësisht është i njohur, lufta. Prandaj, dy burrat luftuan duke goditur njëri-tjetrin me sandale, duar dhe shpata. Ky incident ishte një nga arsyet për shpalljen e fjalëve të Zotit të Lartësuar që thotë: “Nëse dy palë besimtarësh bëjnë luftë midis tyre, pajtojini ata.” (El-Huxhurat 9)
O muslimanë! Baza e marrëdhënieve midis muslimanëve është paqja e qëndrueshme midis tyre dhe siguria në shoqëritë e tyre. Askush nuk duhet të sulmojë tjetrin dhe asnjë musliman nuk duhet t’i bëjë padrejtësi muslimanit tjetër, sepse ata janë vëllezër nga Ademi dhe Havaja. Kjo është vëllazëria njerëzore. Sepse ata janë vëllezër në Islam dhe në fe, e kjo është vëllazëri që ja ndalon një muslimani të derdhë gjakun e vëllait të tij, të marrë paratë e tij ose të shkelë nderin e tij. Kjo vëllazëri duhet të jetë e fortë, largë nga lufta, urrejtja, konflikti dhe grindjet.
Kur do t’i kuptojmë fjalët e Zotit tonë të Plotfuqishmit: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër…” (El-Huxhurat 10) Vëllezër në fenë e drejtësisë, sigurisë dhe paqes, dhe vëllezër në shenjtëri, motoja e të cilëve është: “Musliman i vërtetë është ai nga gjuha dhe dora e të cilit muslimanët e tjerë janë të sigurtë.”
O muslimanë! Por nëse shejtani nxit grindje midis besimtarëve në një moment zemërimi, ose në një orë neglizhence të kësaj vëllazërie, atëherë Zoti ka obliguar të dy palët në konflikt të ndalojnë së luftuari, i ka obliguar muslimanët t’i pengojnë ata të luftojnë, dhe ka kërkuar prej tyre që të pajtojnë në mes atyre të dyve me drejtësi. Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ …atëherë pajtojini ata midis tyre, me drejtësi…” (El-Huxhurat 9) Sikurse ka thënë gjithashtu: “ …andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni.”(El-Huxhurat 10) Kur bëjmë paqe midis familjeve, të gjithë duhet të kujtojmë vëllazërinë e fesë dhe të heqim nga zemrat dhe mendjet tona “vëllazërinë e klaneve, fiseve”.
O ju besimtarë! Në incidentin që përmendëm pak më parë, sahabiu ftoi vëllain e tij, sahabiun tjetër, që t’i referohen ligjit të Zotit. Kjo është kujtesë për vëllezërit tanë midis njerëzve të përmirësimit, Zoti i ruajtë dhe bekoftë përpjekjet e tyre, kujtesë për ta, që të korrigjojnë vendimet e tyre nëse ato bien ndesh me ligjin e Zotit të Lartësuar.
O adhurues të Zotit! O pasues të Islamit! Tendenca para-islame që përfshiu shokun që ishte krenar për klanin, fisin, e tij, dhe siç thamë, ai sapo kishte hyrë në Islam, është thirrje, ftesë për të gjithë bijtë e popullit tonë Palestinez që të braktisin tendencën fisnore dhe zellin për familjen dhe klanin, ashtu siç çdo njëri prej jush heq këmishën e tij të ndyrë dhe e hedh tutje, pasi që Zoti ju ka nderuar me lidhjen e vëllazërisë në fe dhe me të kapurit pas Librit të Tij dhe sunetit të të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.
O ju muslimanë! Zoti i Plotfuqishëm ka caktuar që populli ynë të jetë në këtë tokë të shenjtë, me të gjitha klanet, fiset dhe familjet e tij të zgjeruara, të përbëra nga familje nga të gjitha provincat. Kjo është ligjshmëria e Zotit të Lartësuar me të gjithë njerëzit, sikurse Zoti në Kuran thotë: “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise…” (El-Huxhurat 13)
O ju besimtarë! Zoti ju krijoi popull nga mesi i popujve të tokës dhe pjesë nga umeti Islam, në mënyrë që të bashkoheni në fjalën e Zotit, që të përmbaheni fort pas Librit të Zotit dhe në mënyrë që të bashkoheni në sunetin e të dërguarit të Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe që të jeni strukturë e dalluar në dashuri, vëllazëri dhe mbështetje të ndërsjellë.
A janë bashkuar fiset tuaja në fjalën e Zotit? A i janë përmbajtur familjet tuaja Librit të Zotit? A janë mbledhur fiset tuaja, të cilat bashkohen nga prejardhja dhe lidhjet martesore, në sunetin e të dashurit tim dhe të dashurit tuaj Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të?
O ju besimtarë! Zoti ju krijoi në këtë tokë të shenjtë dhe ju bëri familje, krushqi, barqe dhe fise, në mënyrë që të njiheni me njëri-tjetrin në të vërtetën dhe ta ndiqni atë, dhe jo që të grindeni dhe të luftoni me njëri-tjetrin, sepse Allahu i Lartësuar ka thënë: “…dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin.”(El-Huxhurat 13) Zoti përmendi urtësinë e krijimit tuaj në fise, që është: “që të njiheni me njëri-tjetrin”, e jo që të grindeni ose që të luftoni me njëri-tjetrin.
Sa të këqija janë këto morale që kanë çuar në grindje midis jush duke përdorur makina! Dhe sa të këqinjë janë këto shpirtra që janë pushtuar nga injoranca dhe shkatërrimi! “Ata janë si bagëtitë, madje edhe më keq. Pikërisht këta janë të shkujdesurit.” (El-En’am 179)
Ku është fqinjësia e mirë që Zoti ju urdhëroi të keni? Ku janë marrëdhëniet e mira midis krushqisë që Zoti ju detyroi të keni? Ku është dhembshuria, solidariteti dhe kohezioni midis bijve të muslimanëve që janë ndër obligimet e para për ju në këtë kohë?
Sa predikime, ligjërime të ditës së premte u duhen njerëzve që të kuptojnë fjalët e Zotit të tyre? “Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.” (El-Huxhurat 13)
O bartës të Kuranit! O njerëz të Islamit në Kuds dhe rrethinat e tij! Zoti ju thotë në këtë ajet: Fiset dhe familjet tuaja janë të barabarta, nuk ka epërsi midis tyre përveçse në devotshmëri. Kjo do të thotë që familjet dhe klanet duhet të përveshin mëngët e tyre të besimit dhe devotshmërisë e të bëjnë përpjekje maksimale për të garuar midis tyre në frikën dhe devotshmërinë ndaj Zotit.
Ndërsa konkurrenca në mburrje me prejardhjen, në përçmimin e prejardhjes së tjetrit, dhe në mburrjen boshe që nuk ka vend midis të drejtëve, e gjithë kjo është e pahijshme për ju, kur ju jetoni në rrethana të jashtëzakonshme që ju nxitin të jeni vëllezër, adhurues të Zotit, siç ju ka përshkruar i dërguari juaj, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.
O muslimanë! Kjo është një injorancë e kalbur, prandaj hidheni pas shpine. Sa shumë jemi plakur duke pritur që umeti të kthehet në fenë e tij! Sa shumë jemi plakur duke pritur që fiset dhe familjet të kthehen në kushtetutën, ligjin e Zotit të tyre, në Librin e Tij, Kuran dhe në sunetin profetik! O banorë të Kudsit dhe rrethinave të tij! Më i nderuari nga ju tek Zoti dhe tek besimtarët e drejtë është ai i devotshmi dhe i pastri, tek i cili nuk ka keqdashje apo zili. Ai nuk është djali i filan familjeje, apo djali i fisit që mburret me meshkujt e shumët të tij. Sa e mjerueshme është kjo mburrje në vendin dhe kohën e gabuar! Sepse këta njerëz i kanë zemrat e boshatisura nga besimi dhe mendjet e tyre janë të mbushura me mendime injorance dhe mosbindjeje. I dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Zoti e ka larguar prej jush mburrjen me injorancë dhe lavdërimin me baballarët. Njerëzit janë ose besimtarë të devotshëm, ose gjynahqarë dhe të mjerë. Ju jeni bijtë e Ademit e ai është krijuar nga dheu.”
O bij të Islamit dhe ndjekës të Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të! Populli juaj Palestinez është babai i të gjitha fiseve tuaja. Shumë prej jush janë të lidhur me gjakun dhe farefisni. Vrasjet dhe konfliktet që ndodhin herë pas here, ku derdhni gjakun e njëri-tjetrit dhe konfiskoni pronën njëri-tjetrit, nuk janë në përputhje me karakterin tuaj. Ju u krijuat të jeni me një zemër dhe një dorë, të bashkuar në dashurinë për Zotin dhe në bindje ndaj të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. A e kuptoni çfarë po them? A do t’i bindeni Zotit dhe të dërguarit të Tij? Atëherë do të arrini një fitore të madhe.
O Zot, na bëj prej atyre që e dëgjojnë fjalën dhe ndjekin më të mirën e saj. O Zot, bashko zemrat e familjeve tona, bashko fiset tona dhe bashko forcën e tyre në atë që Ti do dhe me të cilën je i kënaqur. O Zot, na trego të vërtetën si të vërtetë dhe na mundëso ta ndjekim atë, dhe na trego të pavërtetën si të pavërtetë dhe na mundëso ta shmangim atë.
Adhurues të Zotit! Kërkoni falje tek Zoti dhe pendohuni tek Ai, lutjuni Atij duke qenë të bindur në përgjigje!
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin e botëve, na ka nderuar me Islamin.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, na ka bashkuar në besim.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, modeli dhe shembulli ynë në mirësi, udhëzim dhe drejtësi. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje Muhamedin, familjen dhe shokët e tij, tabi’inët dhe ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Gjykimit.
Në vijim
O njerëz të Islamit dhe të fesë! Kush tundohet nga vetja i tij për të vrarë një musliman, ose për ta sulmuar atë me dorën e tij ose me armë, morali i tij është bërë i keq dhe e ka braktisur besimin derisa të pendohet. Duke vepruar kështu, ai kryen disa shkelje: Se ka vrarë një shpirt musliman padrejtësisht, ose ka marrë pjesë në vrasjen e tij padrejtësisht. Ky njeri merr zemërimin dhe mallkimin e Zotit. Dhe se ai nuk iu bind, kundërshtoi, profetin Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kur ai ka thënë: “Gjaku, pasuria dhe nderi juaj janë të shenjta për ju, ashtu siç është e shenjtë kjo ditë juaja, në këtë muaj tuajin, në këtë vend tuajin.”
O banorë të Kudsit dhe rrethinave të tij! Kush vret ose merr pjesë në vrasjen e një muslimani padrejtësisht, është sikur të ketë shkelur shenjtërinë e Mekës, shenjtërinë e xhamisë së shenjtë, shenjtërinë e muajit të shenjtë dhe shenjtërinë e xhamisë Aksa. Mjerë dhe turp për këdo që është i tillë!
A nuk e kupton situatën tuaj? Vërtetë, kush vret një musliman nga ju, ose merr pjesë në vrasjen e tij, ka marrë pjesë në vrasjen e një besimtari dhe një adhuruesi nga ata që shkojnë dhe vinë në xhaminë Aksa. E duke vepruar kështu ai zvogëlon numrin e muslimanëve në tokën e shenjtë, Kuds, kështu që gjynahi dhe faji i tij janë më të mëdha.
O ju që jeni të tunduar nga shpirti juaj të vrisni vëllanë tuaj musliman për ndonjë nevojë nga nevojat e kësaj bote kalimtare! Nëse guxon të vrasësh një musliman të mirë që kryen obligimet dhe që kujdeset në kryerjen e obligimeve, atëherë keni vrarë një mik të Zotit dhe ke hapur për veten tënde portën e luftës me Zotin. A nuk ka thënë Zoti i Lartësuar në hadith Kudsi: “Unë i shpall luftë atij që shfaq armiqësi ndaj mikut Tim! ” ?
O muslimanë! Bëhuni si më i miri nga dy bijtë e Ademit kur ka grindje dhe konflikt, i cili i tha vëllait të tij: “Nëse ti ngre dorë të më vrasësh mua, unë nuk do ta ngre dorën që të të vras, sepse, në të vërtetë, unë i frikësohem Allahut, Zotit të gjithësisë.” (El-Ma’ide 28)
Prandaj, mposhtni egon tuaj dhe kundërshtoni shejtanët tuaj. Mos i ngrini duart përveçse për të përfituar ose për t’u sjellë dobi njerëzve. I dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Nëse dy muslimanë takohen me shpatat e tyre, atëherë vrasësi dhe i vrari do të jenë në Zjarr, Xhehenem.”
O besimtarë! O të dashur të të dërguarit! Krimi i parë në tokë është krimi i vrasjes midis vëllezërve, për shkak të zilisë për kënaqësitë kësaj bote kalimtare. Ky vrasës i vëllait të tij mban gjynahin e çdo vrasësi të një shpirti pas tij pa të drejtë, sepse i dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Për çdo shpirt që vritet padrejtësisht djali i parë i Ademit mbart një pjesë të gjakut të tij, sepse ai ishte i pari që vendosi praktikën e vrasjes.” Pse, o injorant, vret dhe sulmon të tjerët? A nuk e di se fati yt është po aq i kobshëm sa vepra jote e kobshme, dhe se ti me Kabilin jeni të barabartë në krim dhe në përfundim? O ju familje të respektuara! O ju fise fisnike! Fshini mosmarrëveshjet tuaja duke braktisur konfliktet, grindjet dhe përçarjet, në mënyrë që uniteti të mbetet fortesa juaj ku mund të tërhiqeni.
Zoti ju mëshiroftë! Dijeni se të përmbaheni nga dëmtimi i njëri-tjetrit dhe nga e keqja është më e mirë tek Zoti sesa namazi dhe bamirësia vullnetare. Kjo sepse të përmbaheni nga dëmtimi i njëri-tjetrit ju sjell dobi të gjithëve, ndërsa aktet vullnetare të adhurimit i sjellin dobi vetëm njërit prej jush. Sepse karakteristika e bashkësisë muslimane, me familjet dhe fiset e saj, është se dobia e saj shtrihet në të gjithë bashkësinë, nuk ka dobi më të madhe sesa që familjet dhe fiset të jenë nën çatinë e vëllazërisë në fe dhe në shtëpinë e bashkuar bazuar në dashurinë e besimtarëve.
Kjo është ajo me të cilën Zoti është i kënaqur për ju dhe prej jush në këto toka të bekuara. Prandaj, bekojeni atë me besim dhe mblidhu rreth saj. Ju jeni robërit e zgjedhur të Zotit në këtë kohë. A do të ngriheni të gjithë, familjet dhe klanet tuaja, për ta përkthyer këtë predikim në një realitet që jetojmë dhe përjetojmë në qytetin e shenjtë të Kudsit dhe në xhaminë e bekuar të Aksasë?
O njerëz të Islamit! O të dashurit e Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të! Ndërsa përkujtoni Isranë dhe Miraxhin, mbani mend se Muhamedi paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është ai që krijoi për ju shtëpinë muslimane Palestineze. Se ju, me familjet dhe fiset tuaja, jeni pasardhës të shokëve të tij dhe të atyre që i ndoqën ata në mirësi. Prandaj mos e shkatërroni shtëpinë tuaj me grindje, konflikte dhe luftëra. Sepse kjo shtëpi në të cilën strehohen fiset tuaja është fortesa juaj dhe ju nuk keni asnjë fortesë tjetër përveç saj.
O Zot, beko vëllazërinë tonë në fe! O Zot, na beko në vendin tonë në tokën e shenjtë, Kuds! O Zot, beko tubimin tonë me dashuri për Ty në xhaminë Aksa! O Zot, beko familjet tona muslimane me besim dhe zbukuro fiset tona me devotshmëri dhe kënaqësi! O Zot, vendose Aksanë tonë nën mbrojtjen, kujdesin dhe garancinë Tënde, dhe na jep mundësinë të shkojmë atje në çdo kohë.
O Zot, ndihmo Islamin dhe muslimanët, lartëso fjalën e vërtetë dhe fenë.
O Zot, mundëso lirinë e të burgosurve dhe pengjeve, zbrit shërimin Tënd mbi të sëmurët dhe të sprovuarit, mundëso shlyerjen e borxheve nga borxhlinjtë. O Zot, lehtëso vuajtjet e të pikëlluarve dhe largo padrejtësinë nga të shtypurit.
O Zot, na mëshiro me mëshirën Tënde të gjerë, o më i Madhi Mëshirues. O Zot, na mundëso të arrijmë muajin e Ramazanit, na jep mundësinë të agjërojmë atë siç duhet, na jep mundësinë të falim namazet e natës dhe na bëj nga të çliruarit e tij nga zjarri i Xhehenemit, ne, prindërit tanë dhe të gjithë besimtarët.
O Zot, na fal ne, prindërit tanë, bashkëshortet tona dhe pasardhësit tanë. O Zot, fali të gjithë muslimanët, burra dhe gra, të gjallët ashtu dhe të vdekurit prej tyre. Vulosi veprat tona me të mira dhe na dhuro gradat më të larta në Kopshtet e Xhenetit.
Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun, Ai ju kujton ju, falënderojeni Atë e Ai do ju japë më shumë, kërkoni falje prej Tij sepse Ai ju falën.
Ti që fton për namaz, fto në namaz!
“…Vërtet, namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe, vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)
Afrim Smakaj