Gëzimi i Bajramit dhe premtimi i Zotit për besimtarët për fitore dhe mbështetje

Hutbe e Kurban Bajramit nga xhamia e Aksasë      10- 12-1445  H    16-06-2024 D

Shejh Dr. Jusuf  Ebu Sunejneh

Tema  Gëzimi i  Bajramit dhe premtimi i Zotit për besimtarët për fitore dhe mbështetje

Zoti është më i Madhi,  Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi,  Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi,  Zoti është më i Madhi, sa kohë muslimanët bëjnë vizitë, Haxhin në shtëpinë e shenjtë të Zotit, në Qabe, në përgjigje të thirrjes së Ibrahimit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “ Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë…” (El-Haxhxh 27)

Zoti është më i Madhi, sa kohë njerëzit bëjnë tavaf shtëpinë e shenjtë, j falin namaz tek mekami i Ibrahimit, vrapojnë në mes Safas dhe Mervas, kujtojnë Ismailin dhe nënën e tij në këtë vend, dhe pinë ujë nga pusi i Zemzemit, ilaç për të gjitha sëmundjet.

Zoti është më i Madhi, sa kohë që të mblidhen shpirtra të përmalluar në malin e  Arefatit. Zoti është më i Madhi,  sa kohë u lutën në të, derdhën lot dhe iu falën gjynahet e tyre. Zoti është më i Madhi, për sa kohë kujdesen muslimanët për kryerjen e namazeve të tyre në xhaminë e bekuar të Aksasë dhe e mbushën atë në vazhdimësi. Zoti është më i Madhi, sa kohë të pasurit sillen mirë me të varfrit me dhuratat e tyre dhe afrohen tek Zotit me sakrificat e tyre. Zoti është më i Madhi, sa kohë të burgosurit tanë bëjnë durim dhe përballen me padrejtësinë e të padrejtëve, bënë durim dhe fituan kënaqësinë  e Zotit të botëve. Zoti është më i Madhi, është parulla e muslimanëve, thirrja e muezinëve dhe fjala e besimtarëve në Një Zot. Zoti është më i Madhi, sa kohë dëshmorët tanë ngrihen në arenën e të Gjithëmëshirshmit, në Xhenetet e Larta, fituan pranimin dhe kënaqësinë nga Mëshirëploti, Gjithëmëshirshmi, në tokën e Gazas qëndrestare dhe në tokën tonë të bekuar.

Zoti është më i Madhi,  Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi.

Zoti është më i Madhi,  Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, S’ka Zot tjetër përveç Allahut, Zoti është më i Madhi,  Zoti është më i Madhi, Lavdërime janë vetëm për Zotin.

Falënderimi i takon Zotit, Ai që bashkon xhumanë dhe festat e Bajrameve, Ai që shkatërron turmat dhe ushtritë, bashkues i njerëzve në ditën për të cilën nuk ka pikë dyshimi, Ditën e Gjykimit. “Me të vërtetë, Allahu nuk e shkel premtimin.” (Al ‘Imran 9)

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, dëshmi e pastër nga zemrat.

Dëshmojmë se i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, më i miri që është dërguar me argumente dhe shenja dalluese. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij deri sa të vazhdojë koha në këtë botë.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Kjo është dita juaj, kjo është një nga ditët e Zotit, dita e gëzuar e Kurban Bajramit, dita e Haxhit të madh, dita e kurbanit dhe e sakrificës, dita e dhurimit dhe e përkrahjes, ditë fisnike dhe e lartësuar. “Dhe, atë ditë, do të gëzohen besimtarët  për ndihmën e Allahut…” (Er-Rum 4-5) Falënderojeni Sunduesin tuaj, Allahun e Madhërishëm dhe të Lartësuar për atë në të cilën jeni, pavarësisht dhimbjeve dhe plagëve, pavarësisht humbjeve dhe pikëllimeve, pavarësisht lotëve të cilat janë përzier me pikëllim dhe gjak. A nuk jeni ju ata që Zoti zgjodhi me kujdesin e Tij, ju mbrojti me kujdesin e Tij dhe ju përzgjodhi nga të gjitha krijesat e Tij?! Pra, jini të denjë për krenari dhe lavdi, mbrojtës të tokës tuaj. Ruhuni nga armiqtë dhe mos u bëni kokë turku, jini bartës të dritës dhe udhëzimit.

O ju muslimanë! Në këtë ditë më të mrekullueshme fusni gëzim dhe lumturi, fusni dashuri dhe afrimitet në shtëpitë tuaja dhe mbani lidhjet farefisnore. Mjaft më me shkëputje lidhjesh farefisnore, zbutni zemrat dhe shpirtrat tuaj me përmendjen e Zotit, nxitoni të përmirësoni marrëdhënien tuaj me Zotin. Sa më afër dhe sa më shpejt, le të nxitojnë të rinjtë të përshëndesin të moshuarit, fshijini lotët e jetimit dhe të varfrit, bashkëpunoni në drejtësi dhe devotshmëri, toleroni, mëshironi, falni, lëshimi, tolerimi i muslimanit ndaj muslimanit nuk është turp. A nuk ka thënë Allahu i Lartësuar: “ …të përulur me besimtarët dhe të ashpër me femohuesit…” (El-Ma’ide 54)

LEXO  Në ditën e Bajramit mëshirë dhe besim në Një Zot

O ti musliman! Larg duart tua nga gjaku i muslimanëve, larg barku yt nga pasuria e tyre dhe gjuha jote nga nderi i tyre. Sakrifikoni me kurbanet tuaj dhe mos sakrifikoni me vëllezërit tuaj. Bashkoni zemrat tuaja në një fjalë të përbashkët.

Zoti është më i Madhi,  Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi.

Zoti është më i Madhi,  Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi. S’ka Zot tjetër përveç Allahut, Zoti është më i Madhi,  Zoti është më i Madhi, Lavdërime janë vetëm për Zotin.

O ti musliman! Zhvish zemrën tënde nga neglizhenca, shpirtin tënd nga dëfrimi dhe gjuhën tënde nga fjalët e kota. Pas kësaj merr rrugën që dëshiron, përballo lëndimet e njerëzve dhe largimin, ndërprerjen e tyre. Në Sahihun e Muslimit ka ardhur nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, se një burrë ka thënë: “ O i dërguari i Allahut, vërtetë kam të afërm me të cilët i mbajë lidhjet por ata më largojnë,  sillem butë me ata ndërsa ata sillen me arrogancë ndaj meje, unë u bëj mirë atyre dhe ata më bëjnë keq!” Ka thënë: “  Nëse vërtet është ashtu s’i thua ti, atëherë është njësoj sikur t’i ushqesh ata me hi të nxehtë, dhe vazhdimisht do të jetë me ty një ndihmës i Allahut kundër tyre, përderisa je në këtë gjendje.”

Adhurues të Zotit! Nuk do ti harrojmë të burgosurit tanë e as të tjerët veç tyre nga dëshmorët tanë në këtë ditë. E si mund ti harrojmë ata që kanë sakrifikuar vetet e tyre për të arritur kënaqësinë e Zotit?!  Atyre u themi; Bëni durim sepse padrejtësia nuk zgjatën përgjithmonë, sepse shumë shpejt do të liroheni, o të burgosurit tanë, shëndosh e mirë dhe fitimtarë me lejen e Allahut. Sa do që të zgjasë nata lehtësimi është afër me lejen e Allahut. Besimin tuaj në Zot ta keni të fortë, moralin tuaj të lartë, sepse burgu është shkolla e burrave dhe se në të hyjnë vetëm heronjtë.

Ndërsa ju, o njerëzit tanë! Bëni durim sepse fitorja do të vijë në mënyrë të pashmangshme, ky është premtimi i Allahut. “Është detyra Jonë që t’i ndihmojmë besimtarët.” (Er-Rum 47) “Sigurisht, Ne do t’i ndihmojmë të dërguarit Tanë dhe besimtarët, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në Ditën, kur do të sillen dëshmitarët.” (Gafir 51)

Adhurues të Zotit! Populli ynë në çdo kohë drejtohet për tek Sunduesi ynë, Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar. Në Gazan tonë të dashur dëshmorët tanë burra, gra dhe fëmijë, që të gjithë janë tek  Zotin e tyre, drita e tyre rrjedh para tyre dhe në të djathtë të tyre. Ditët rrotullohen: “Sigurisht, të padrejtët do ta shohin se në çfarë mundimi do të kthehen (pas vdekjes).”(Esh-Shu’ara’227)

Umeti ynë e ka për obligim, detyrë që të punojë për të larguar padrejtësinë nga ata. Mjaft më me gjithë këto vuajtje, mjaft më me vrasje dhe me shkatërrim. Turp pastaj turp për ata që na tradhtuan dhe heshtën përballë  këtij shkatërrimi.

Adhurues të Zotit! Shoku i nderuar i profetit, Xhabir Ibn Abdullah, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, thotë: “ Kur ishte dita e Uhudit kanë sjellë babanë tim të gjymtuar që e kishin mbuluar. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, e ngriti rrobën e mbulesës së tij, apo urdhëroi që të zbulohet, të largohet mbulesa e tij. Pastaj dëgjoi zërin e një gruaje që qante ose ulërinte dhe tha: “ Kush është ajo?!” I kanë thënë: Ajo është e bija e Amrit.” Ka thënë: “ E përse qanë? Melaiket vazhduan ta mbulonin me krahët e tyre derisa u ngrit lart.”

Kështu Zoti e vendosi shpirtin e tij dhe shpirtrat e vëllezërve të tij në shpinën  e zogjve të gjelbër që i shpien në Xhenet, do hanë nga frutat e tij, do pinë nga lumenjtë e tij dhe do strehohen nën fenerë të varur nga froni, derisa Zoti të trashëgojë tokën dhe ato mbi të.

LEXO  Vendosmëri dhe optimizëm me armëpushimin

Zoti është më i Madhi,  Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi.

Zoti është më i Madhi,  Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi.  S’ka Zot tjetër përveç Allahut, Zoti është më i Madhi,  Zoti është më i Madhi, Lavdërime janë vetëm për Zotin.

O adhurues të Zotit! Dijeni se dita e juaj është nderuar nga Allahu me nderimin e Tij, ku ka sprovuar në të Ibrahimin, të dashurin e Tij, me sakrifikimin, therjen e djalit të tij Ismailin, e pastaj ja zëvendësoi atë me një kurban të madh, legjitimoi në të kurbanin, duke e bërë atë simbol deri në ditën e Fundit. “  Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre…” (El-Haxhxh 37) Deveja nga shtatë vjeçare, dashi mbi gjashtë muaj, ndërsa dhia dhe delja mbi një vit. “Kur ato të bien në tokë, hani prej (mishit të) tyre dhe ushqeni edhe atë që lyp, edhe atë që nuk lyp.” (El-Haxhxh 36)

Filloni me therjen e kurbanit pas namazit të Bajramit. Kurbani është simbol  për umetin, popullin  tonë Islam. I dërguari ynë, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka bërë kurban dy desh të mëdhenj me brirë, shkelte leshin e  tyre. Kush therën para faljes së namazit të Bajramit ai nuk ka pjesë nga rituali i Kurbanit, por thjesht ka bërë mish për pjestarët e familjes së tij. Nga udhëzimi i të dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ishte përzgjedhja e kafshës për kurban, dëshira që ajo të jetë e pastër dhe pa të meta. Nuk bënte kurban një kafshë të verbër, me një sy, të çalë apo të gjymtuar, as kafshë me vesh të prerë, apo me brirë të thyer, apo me bisht të prerë. Lejohet për kurban kafsha e imtë që ka mbushur një vit ndërsa kafshët e trasha dy vite.  Personi që bën kurban rekomandohet ta theri vetë sakrificën e tij, nëse është i aftë për këtë gjë. Preferohet që të konsumojë një pjesë nga kurbani me familjen e tij, një pjesë ta japë sadaka për të varfrit, dhe një pjesë prej tij të e bëj dhuratë për fqinjët dhe vëllezërit e tij. I dërguari ynë, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Asnjë vepër që bën biri i Ademit, njeriu, në ditën e kurbanit nuk është më e dashur tek Zoti i Madhëruar se derdhja e gjakut, kurbani.  Ajo, kafsha e kurbanit, vërtetë, në ditën e Kijametit, do të vijë me brirët, leshin dhe thundrat e tij. Gjaku ka vend tek Allahu përpara se të bjerë në tokë, prandaj silluni mirë në therjen e tij, kurbanit.”

Zoti është më i Madhi,  Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi.

Zoti është më i Madhi,  Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi.  S’ka Zot tjetër përveç Allahut, Zoti është më i Madhi,  Zoti është më i Madhi, Lavdërime janë vetëm për Zotin.

Hutbeja e Dytë

Zoti është më i Madhi, lavdërimet e shumta janë për Të, Madhërimi është  për Allahun e Lartësuar, lavdërimet janë për Atë në mëngjes dhe në darkë.

Falënderimet janë për Allahun që u ka dhënë muslimanëve festë që kthehet dhe përsëritet.   Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Zotëruesi i shkëlqimit dhe dritës.

Dëshmojmë se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i dërguari i nderuar. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij deri në ditën që do t’i fryhet surit, borisë.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Omeri, prijësi i besimtarëve emëroi, udhëheqës ushtri në një betejë, Xhavenetu Ibn Harith, i cili luftoi, goditi dhe fitoi, plaçkë lufte. Djali i tij erdhi tek Omeri, i cili hyri dhe tregoi lajmin, për betejën. Omeri i ka thënë: A është plagosur ndonjë nga muslimanët? Ai ka thënë: Jo, përveç një ruvejxhi, forma zvogëluese e burrit. Prijësi i besimtarëve është zemëruar dhe ka thënë: “ Një ruvejxh, një  ruvejxh? Vini këtu me dele apo lopë, dhe një musliman është plagosur? Mos ejani tek unë as ti dhe as babai yt, në detyrë, sa të jam gjallë.”

LEXO  “ Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani!”

O adhurues të Zotit! A e shikuat si ishte kujdesi i udhëheqësit, zyrtarit nga paraardhësit tanë të mirë, selefet, për sigurinë e muslimanëve? E ju e patë se çfarë ka bërë Omeri kur u njoftua për plagosjen e një burri nga muslimanët. Çfarë do të thoshte prijësi i besimtarëve sikur të ishte në mesin tonë sot? Muslimanët vriten, muslimanët përfundojnë në burgje, në vend që të jenë në shkolla të diturisë dhe shkencës. Ata torturohen dhe vdesin në burgjet e pushtuesit.

“ Bajrami disa i gëzoi, i kënaqi, ndërsa mua nuk më kënaqi, por më shtoi ankthin dhe pikëllimin.

Sepse ai më kujto atë të kaluar të të dashurve dhe vëllezërve të mi.”

Zoti është më i Madhi,  Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi.

Zoti është më i Madhi,  Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi.  S’ka Zot tjetër përveç Allahut, Zoti është më i Madhi,  Zoti është më i Madhi, Lavdërime janë vetëm për Zotin.

Adhurues të Zotit! Bajrami duhet të jetë ditë gëzimi dhe hareje. Ai është quajt Bajram, festë, lumturia për arsye se kthehet dhe përsëritet. Por fatkeqësisht, kur festat vijnë, ne  përpiqemi të gëzojmë,  por kur shikojmë gjendjen e muslimanëve, zemrat tona thyhen, zemrat tona pikojnë gjak, keqardhje për atë gjendje në të cilën kemi arritur. Jetë të pafajshme merren në Sudan, në Jemen dhe vende të tjera veç tyre. Ndërsa këtu në tokën tonë të bekuar dhe të pastër dëshmorët ngrihen çdo ditë për tek Zoti.  Situata është jashtëzakonisht e vështirë. Njerëzit na lakmojnë e të poshtërit janë forcuar kundër nesh, por nuk ka ndihmës e as mbështetës përveç Zotit. A nuk është Ai Ndihmuesi?! A nuk është Ai i Gjithëfuqishmi?! A nuk është Ai i Afti për të bërë çdo gjë?! “ Po, Ai është vërtet i Fuqishëm për çdo gjë.” (El-Ahkaf 33) Vërtetë Ai është mbrojtës dhe mbështetës i mrekullueshëm! Por kthehuni te Zoti i Madhëruar, largohuni nga gjërat e ndaluara dhe gjynahet, shmangni pirjen e alkoolit dhe drogave. Të rinjtë tanë po marrin drogë dhe po vrasin veten e tyre. Punoni për ti shpëtuar ata nga balta e së keqes. Shmangni kamatën, vepruesi i kamatës është kundër Allahut të Madhërishëm dhe të Lartësuar.

Ndërsa, ti grua muslimane! Frikësoju Allahut dhe ruaj atë që Allahut të ka obliguar në fenë tënde. Kujdesu për emanetin tënd dhe çfarë të ka dhuruar  Zoti nga të drejtat  bashkëshorte. Edukoi  fëmijët tuaj në bindjen ndaj Zotit, në kryerjen e namazit, në moralin e mirë dhe në mësim e Kuranit përmendësh. Paralajmëroji ata nga të këqijat dhe silluni mirë me ta. Mos dil në tregje e zbuluar, mos u grumbullo me burrat në tregun e tyre, mos e teproni me shpenzime  në dasma. Vërtetë Allahu nuk i do ata që e teprojnë. Mos e ngarkoni burrin tënd me atë që ai nuk mundet me shpenzime ose veshje. Kujdesuni për shtëpinë dhe burrin tënd  që të arrish  lumturinë në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret. Një nga njerëzit e devotshëm, kur pa njerëzit e veshur me rroba të reja ditën e Bajramit, ka thënë: “ Ne shikojmë vetëm një rrobë të veshur në një trup që do hahet nga krimbat nesër. Këta njerëz kanë shpenzuar thesaret e tyre për barkun e tyre dhe paraqiten për tek Zoti i  tyre të rrënuar, falimentuar.”

O, adhurues të Zotit! Mos u bëni nga ky grup njerëzish, por bëhuni nga robërit e Tij të drejtë,  të sinqertë.

Zoti na veshtë ne dhe ju me rrobën e faljes, me shpëtimit dhe kënaqësisë së Tij, na mbuloftë me begatinë e këtij Bajrami dhe me mirësitë e Tij të bollshme, na furnizoftë me pendesë të sinqertë që të meritojmë me të shpërblimin e faljes së Tij, na fustë në Xhenet me Bujarinë dhe Mirësinë e Tij, na dhëntë fitore dhe shpëtim me Fuqinë, Lavdinë dhe Kënaqësinë e Tij.

O Zot, jepu sukses vizitorëve të shtëpisë Tënde të shenjtë, Qabes, me  Haxh të pranuar. O Zot, prano Haxhin e tyre, fal gjynahet e tyre, të lutemi të jesh me ta dhe ktheji ata tek ne shëndosh e mirë. O Zot, në vitin tjetër na furnizo me Haxh të pranuar dhe  përpjekje të shpërblyera.

O Zot, na stolis me bukurinë e besimit, largo nga ne të keqen dhe mosbindjen, o Zoti i botëve.

O Zot, mundëso lirinë e të burgosurve tanë, liro prangat e Aksasë tonë dhe na bëj ne nga robërit e Tu të mirë.

O Zot, o Njohës i gjërave të fshehta, o Ti që të afrohet çdo shpirti të pastër, o Ti që e shpëtove Jusufin nga robëria, largo prej nesh të keqen e armiqve tanë.

O Zot, të kërkojmë të na japësh  besim që nuk thyhet, lumturi që nuk mbaron dhe shoqërinë e profetit Tënd Muhamed, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, në lartësitë e Xhenetit të Përhershëm.

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje zotërinë tonë Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Zoti është më i Madhi,  Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi.

Zoti është më i Madhi,  Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi.  S’ka Zot tjetër përveç Allahut, Zoti është më i Madhi,  Zoti është më i Madhi, Lavdërime janë vetëm për Zotin.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/923644139772041

Post Author: endrit