Çelësat e furnizimit dhe begatia e fitimit

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    22-03-1448 H     04-09-2026 D

Shejh Usame Khajat   

Tema  Çelësat e furnizimit dhe begatia e fitimit

Lavdërimet janë për Zotin, Ai i Cili furnizon kë të dojë me mirësinë e Tij të gjerë. Zotin e Madhërishëm e falënderoj për begatitë e Tij të njëpasnjëshme dhe mirësitë e Tij të pafundme.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Atij askush nuk mund t’ia zmbrapsë urdhrin dhe askush nuk mund ta kundërshtojë gjykimin e Tij.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i zgjedhuri dhe më i miri prej krijesave të Tij. O Zot, fale dhe mëshiroje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.

Në vijim

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Zotit,  adhurojeni Atë me sinqeritet, bëni vepra të mira, kthehuni tek Ai me pendim dhe mbështetuni tek Ai. Merrni nga jeta juaj e kësaj bote për Ahiretin, botën tuaj të ardhshme. Vërtet, ka shpëtuar ai që e ka pasur frikë Zotin dhe ka parapëlqyer faljen dhe kënaqësinë e Tij mbi dëshirat e vetes dhe epshet e saj. “Ata që i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që kanë frikë nga Allahu e i përkushtohen Atij, do të jenë të fituarit e vërtetë.” (En-Nur 52)

O ju muslimanë! Shtylla e jetës së njeriut dhe themeli i mirëqenies së tij është furnizimi i bollshëm dhe dhuntia bujare prej të cilave ai ka dobi,  nga pasuri e mjaftueshme, të mira të shumta, veshmbathja të bollshme, ushqime dhe pije të këndshme, banesë të gjerë, shëndet të plotë dhe të gjitha begatitë e tjera me të cilat Allahu i Madhëruar i ka nderuar robërit e Tij, nga bujaria, mirësia, mëshira, favori dhe begatia e Tij, duke mos i merituar ato. Ato janë dhurata hyjnore dhe mirësi nga Zoti.

Zoti i Madhërishëm është Furnizuesi i vetëm, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi. Ai u ka dhënë krijesave, ndërsa askush nuk ka të drejtë mbi Të, përveç asaj që Ai ia ka bërë detyrë Vetes së Tij. Ai është i Pasuri, i pavarur prej tyre, ndërsa ata janë nevojtarë për Të. Sikurse Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “O njerëz! Ju jeni të varfër e nevojtarë për Allahun, kurse Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i Denjë për çdo lavd.” (Fatir 15) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Vërtet, Allahu është Furnizuesi i vetëm, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi.” (Edh-Dharijat 58)

Nga gjërat që njerëzit e mençur kuptojnë është se çdo gjë ka shkak dhe çdo qëllim ka rrugë për të arritur tek ai. Prandaj, prej urtësisë së Zotit të Gjithëdijshëm dhe të Butë është që Ai ka vendosur shkaqe për furnizimin dhe çelësa me të cilët hapen portat e tij. Kush dëshiron të arrijë qëllimin dhe të fitojë atë që kërkon duhet t’i marrë para sysh këto shkaqe.

Në krye të këtyre shkaqeve është besimi në Zotin e Madhëruar dhe devotshmëria ndaj Tij me devotshmëri të vërtetë. Zoti u ka premtuar atyre që i frikësohen Atij, duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij, se do t’u japë rrugëdalje dhe lehtësim nga vështirësitë e kësaj bote dhe të botës Tjetër, Ahiret,  dhe do t’i furnizojë prej nga nuk e presin. E kjo ka ardhur në fjalën e Zotit të Plotëfuqishëm ku ka thënë: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret…” (Et-Talak 2–3)

Zoti i Madhërishëm ka lajmëruar që nëse njerëzit të besojnë me zemrat e tyre në atë me të cilën erdhën të dërguarit e tyre dhe i frikësohen Zotit të tyre duke kryer vepra të mira, u larguar nga të ndaluarat dhe duke iu shmangur gjërave të dyshimta, Zoti do t’ua hapte atyre begatitë e qiellit dhe të tokës, përmes të cilave do të kishin jetë të mirë dhe furnizim të bollshëm. Sikurse Zoti i Lartësuar ka thënë: “Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe Toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë.” (El-A’raf 96)

Adhurues të Zotit! Nga shkaqet e furnizimit është mbështetja e sinqertë tek Allahu i Madhëruar  dhe kthimi tek Ai. E vërteta e mbështetjes tek Zoti është që zemra të mbështetet tek Ai, Zoti i Plotëfuqishëm, t’ia dorëzojë Atij të gjithë çështjen dhe të jetë e bindur se Ai i mjafton robit të Tij.

Për të pohuar teuhidit, Njësimin e Zotit të Madhërishëm, sepse askush tjetër përveç Tij nuk krijon, nuk furnizon, nuk jep dhe nuk pengon. Askush tjetër nuk meriton të adhurohet përveç Tij. Sikurse thotë për këtë fjala e Zotit të Plotëfuqishëm: “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai.” (Et-Talak 3)

LEXO  Egoja, arroganca - Meka 15.3.2019

Imam Ibnul Kajjimi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Mbështetja tek Allahu është themeli i të gjitha shkallëve të besimit dhe ihsanit, mirësisë, dhe i të gjitha veprave të Islamit. Pozita e saj në raport me to është si pozita e kokës ndaj trupit. Ashtu siç trupi nuk mund të qëndrojë pa kokën, po ashtu besimi, shkallët e tij dhe veprat e tij nuk mund të qëndrojnë pa themelin e mbështetjes tek Allahu.”

Adhurues të Zotit! Mbështetja tek Zoti kërkon përpjekje në tokë për të kërkuar mirësitë dhe begatitë e Tij. Nuk ka asnjë kundërshtim mes këtyre dy çështjeve. Mbështetja në Zot është adhurimi i zemrës, ndërsa përpjekja është adhurimi i gjymtyrëve, ndërsa që të dyja janë adhurime me të cilat jemi urdhëruar.

Zoti  i Madhëruar e ka bërët të qartë kur ka  përmendur begatitë e Tij ndaj robërve të Tij, se e ka bërë tokën të lehtë për ta përshkuar, me përfitimet e saj lehtësisht të arritshme, me rrugët, shtigjet e saj të lehta dhe të rehatshme. Ai i ka urdhëruar ata të udhëtojnë nëpër rajonet e saj dhe të lëvizin në zonat e saj, duke kërkuar fitim dhe duke u përpjekur për jetesën. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Ai jua ka bërë Tokën të përdorshme, andaj ecni nëpër viset e saj dhe ushqehuni me atë që ju ka dhënë Ai. Kur të ringjalleni, do të ktheheni tek Ai.” (El-Mulk 15)

Sikurse i dërguari i udhëzimit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë, duke treguar vlerën e mbështetjes tek Zoti dhe domosdoshmërinë që ajo të shoqërohet me përpjekjen: “Sikur ju të mbështeteshit tek Allahu me mbështetje të vërtetë, Ai do t’ju furnizonte ashtu siç furnizon zogjtë, të cilët dalin në mëngjes me barkun bosh dhe kthehen në mbrëmje të ngopur.” Këtë hadith e ka transmetuar Tirmidhiu në “Xhamiun” e tij me zinxhir të saktë transmetimi, nga hadithet e prijësit të besimtarëve, Omer Ibn El Hatabit, Zoti qoftë i kënaqur me të.

Mbështetja tek Zoti ishte udhëzimi i tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ndërsa përpjekja për të fituar ishte tradita e tij. Prandaj, kush dëshiron të ndjekë shembullin e tij, duhet t’i bashkojë të dyja.

Ibnul-Xheuziu, Zoti e mëshiroftë, ka transmetuar nga Faruku, Omer Ibn El Hatabi, Zoti qoftë i kënaqur me të, se ai ka thënë: “Askush prej jush të mos ulet pa kërkuar furnizimin, duke thënë: ‘O Zot, më furnizo’, ndërkohë që e di se qielli nuk lëshon ar e as argjend.”

Nga shkaqet që sjellin furnizimin është kërkimi falje dhe pendimi i sinqertë nga të gjitha gjynahet.

Zoti i Madhëruar ka treguar përfundimin e kësaj përmes fjalëve të profetit të Tij, Nuhut, paqja e Zotit qoftë mbi të dhe mbi profetin tonë, i cili ka thënë: “ E u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!” (Nuh 10–12) Zoti thotë përmes historisë së profetit të Tij, Hudit, paqja e Zotit qoftë mbi të dhe mbi profetin tonë: “(që ju porosis) të kërkoni falje nga Zoti juaj e të ktheheni tek Ai me pendesë. Ai do t’ju japë të shijoni kënaqësi të bukura deri në afatin e caktuar dhe do t’i japë çdo të miri shpërblimin e merituar. E, nëse ktheni shpinën, unë i frikësohem dënimit tuaj në Ditën e Madhe.” (Hud 3)

Nga shkaqet e furnizimit është edhe lutja. Zoti i ka urdhëruar robërit e Tij të luten, i ka nxitur për këtë dhe e ka bërë atë, lutjen, thelbin e adhurimit. Zoti ka bërë të qartë se braktisja e lutjes është shenjë mendjemadhësie ndaj adhurimit. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që e përçmojnë adhurimin Tim, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar!” (Gafir 60)

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Lutja është vetë adhurimi.” Hadithi është transmetuar nga Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh, me zinxhir të saktë transmetimi.

Lutja është adhurim që bashkon për robin të mirat e kësaj bote dhe të botës Tjetër, Ahiretit. Prandaj dhe nga lutjet më të shpeshta të profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

E mira në këtë botë, siç ka thënë Imam Ibn Kethiri, Zoti e mëshiroftë, përfshin çdo gjë të mirë që njeriu kërkon në këtë botë,  nga shëndeti dhe mirëqenia, një shtëpi të gjerë, një bashkëshorte të mirë, furnizim të bollshëm, dije të dobishme, vepra të mira, një mjet të përshtatshëm udhëtimi, reputacion të mirë dhe gjëra të tjera të ngjashme.

LEXO  Lutje dhe salavate për të Dërguarin e Allahut - Meka 04.02.2022

Ndërsa e mira në botën Tjetër, më e madhja prej tyre, është hyrja në Xhenet, së bashku me të gjitha të mirat që e shoqërojnë atë, siguria nga tmerri i madh në Ditën e Gjykimit, lehtësimi i llogarisë dhe të gjitha çështjet e tjera të mira të botës Tjetër, Ahiret.

Nga shkaqet e furnizimit dhe begatisë së pasurisë gjithashtu është mbajtja e lidhjeve farefisnore, sepse ajo është bindje ndaj Zotit dhe zbatim i urdhrit të Tij. Kjo, sepse ajo është një formë sadakaje, e sadakaja e shton dhe e begaton pasurinë, kështu që ajo rritet dhe lulëzon.

Në dy Sahihët, Buhariu dhe Muslimi, transmetohet nga Enes Ibn Maliku, Zoti qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: E dëgjova të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, duke thënë: “Kush dëshiron që t’i zgjerohet furnizimi dhe t’i zgjatet jeta, le t’i mbajë lidhjet farefisnore.”

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahut dhe kërkojeni furnizimin përmes shkaqeve të lejuara prej Tij. Hapini portat e furnizimit me shpresë të vazhdueshme, me lutje të shumta dhe me përmirësimin e veprave  në vështirësi ashtu edhe në mirëqenie.

Zoti na bëftë dobi me udhëzimin e librit të Tij, Kuranit, dhe me sunetin e të dërguarit të Tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.

Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili e udhëzon atë që kërkon udhëzimin e Tij, i mjafton atij që e merr Atë për Mbrojtës dhe Kujdestar.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok. Nuk ka Zot tjetër përveç Tij dhe nuk ka Furnizues tjetër përveç Tij.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i dalluari prej krijesave të Tij dhe i përzgjedhuri i Tij. O Zot, fale dhe mëshiroje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij dhe ata që e mbështetën atë.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Nga shkaqet për tërheqjen e furnizimit është shpenzimi në rrugët e mirësisë, bamirësisë dhe veprave të mira. Zoti i Lartësuar dhe i Madhërishëm u ka premtuar robërve të Tij që shpenzojnë se do t’ua zëvendësojë atë në këtë botë dhe do t’u japë shpërblim në botën Tjetër, Ahiret. Zoti i Plotëfuqshëm ka thënë: “Ai ua zëvendëson atë që e ndani ju; Ai është Dhuruesi më i mirë.” (Sebe’39)

Dy imamët e hadithit, Buhariu dhe Muslimi, kanë transmetuar nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Çdo ditë, kur robërit zgjohen, zbresin dy Melek. Njëri prej tyre thotë: ‘O Zot, kompensoja atij që shpenzon!’ Ndërsa tjetri thotë: ‘O Zot, shkatërroje pasurinë e atij që nuk shpenzon!”

Në Sahihun e Imam Buhariut, Zoti e mëshiroftë, transmetohet nga Mus‘ab Ibn Sa‘d Ibn Ebi Uekas se ai ka thënë: Sa‘di, Zoti qoftë i kënaqur me të, mendoi se kishte epërsi ndaj atyre që ishin më poshtë se ai. Atëherë i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, tha: “A nuk furnizoheni dhe a nuk ju jepet fitorja vetëm se për shkak të të dobëtëve tuaj?”

Gjithashtu, nga shkaqet e fitimit të furnizimit është nisja herët për ta kërkuar atë, me shpresën e përfitimit nga bereqeti për të cilin lutej i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, për ata që zgjohen dhe nisen herët në kërkim të furnizimit dhe në të gjitha çështjet e tyre.    Kjo në hadithin që e ka transmetuar Tirmidhiu në Xhami’in e tij, me zinxhir të saktë transmetimi, nga Sakhr El Ghamidij, Zoti qoftë i kënaqur me të, nga i dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i cili ka thënë: “O Zot, jepi bereqet umetit tim në mëngjesin e hershëm.”

Sakhr ishte tregtar dhe i dërgonte mallrat e tij herët në fillim të ditës, në mëngjes herët. Si rezultat, pasuria e tij u shtua dhe u bë i pasur, aq sa nuk dinte më ku ta vendoste pasurinë e tij.   Adhurues të Zotit! Ka njerëz që e konsiderojnë të vonuar furnizimin që Zoti ua ka caktuar dhe kjo i shtyn të ndjekin rrugë të devijuara, mjete të ndaluara dhe mënyra të paligjshme. Kështu ata e shkatërrojnë veten duke u futur në fitime të ndyra, transaksione të prishura dhe forma të tjera të pasurisë së haramit, pasojat e së cilës janë humbja e qartë në këtë botë, poshtërimi i madh dhe dënimi i dhimbshëm në botën Tjetër, Ahiret.  Zoti na ruajt nga kjo!

LEXO  Mësime nga vapa e madhe

Për këtë arsye, i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka paralajmëruar kundër kësaj dhe e ka ndaluar umetin e tij prej saj. Në hadithin që e ka transmetuar Taberaniu në “El-Mu‘xhem el-Kebir”, me zinxhir të saktë transmetimi, nga Ebu Umame El Bahiliu, Zoti qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Shpirti i Shenjtë, Xhibrili, më frymëzoi në zemër se asnjë shpirt nuk do të vdesë derisa të plotësojë afatin e tij dhe ta marrë të gjithë furnizimin e caktuar për të. Prandaj, frikësojuni Allahut dhe kërkojeni furnizimin në mënyrë të mirë. Askush të mos lejojë që vonesa e furnizimit ta shtyjë të kërkojë atë duke e kundërshtuar Zotin, sepse ajo që është tek Zoti i Lartësuar nuk arrihet veçse me bindje ndaj Tij.” Në një transmetim të Ibn Maxhes, me zinxhir të saktë transmetimi, nga Xhabiri, Zoti qoftë i kënaqur me të, thuhet: “Merrni atë që është e lejuar dhe braktisni atë që është e ndaluar.”

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahut! Përpiquni të kërkoni mirësinë e Zotit dhe furnizimin e Tij duke përdorur shkaqet që Ai i ka ligjëruar dhe caktuar, duke pasur bindje të sinqertë se nuk ka furnizues tjetër përveç Tij dhe se askush nuk u mjafton robërve të Tij përveç Tij. I Bekuar është Emri i Tij, i Lartësuar është Madhëria e Tij dhe nuk ka Zot tjetër përveç Tij.

Përkujtoni në vazhdimësi se Zoti i Plotfuqishëm ju ka urdhëruar të luteni dhe të dërgoni përshëndetje mbi më të mirët e njerëzimit, sikurse Ai me fjalën më të vërtetë dhe më të mirë ka thënë:  “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur  me katër halifet e tij, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun,  me bashkëshortet e tij, nënat e besimtarëve, me të gjithë antarët e familjes së tij, me shokët e tij, me tabi’inë,  me ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën e Kijametit,  dhe me ne së bashku me ata me Faljen, Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o më i Madhi Bujar.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë, ndihmo robërit e Tu që të Njësojnë Vetëm Ty, bashko zemrat e muslimanëve, njëso rrallët e tyre, përmirëso udhëheqësit e tyre, dhe bashko fjalën e tyre në të vërtetën, o Zoti i Botëve.

O Zot, ndihmo fenë Tënde, Librin Tënd, sunetin e të dërguarit Tënd, Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ndihmo robërit e Tu besimtarë, të sinqertë dhe të palëkundur.

O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso  drejtuesit dhe kujdestarët  e çështjeve tona. Mbështet në të vërtetën udhëheqësin dhe  kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta, jepi atij këshilltarë të mirë dhe udhëzoje drejt asaj që Ti do dhe je kënaqur,  o Ti që i dëgjon lutjet. 

O Zot, jepu sukses atij dhe  zëvendësit të tij në atë që është në të mirë të Islamit dhe në dobi të muslimanëve, dhe në atë që është e mira e tashme dhe e shpejtë në dobi të vendit dhe njerëzve, Ti tek i Cili është kthimi ynë në ditën e takimit. 

O Zot, ruaje këtë tokë, duke i dhënë të gjitha të mirat dhe duke e mbrojtur nga çdo e keqe, dhe të gjitha vendet muslimane, o Zot i botëve.

O Zot, çliro xhaminë e Aksasë! O Zot, ruaj muslimanët në Palestinë. O Zot, ruaj ata nga përpara dhe nga pas, nga e djathta dhe e majta e tyre dhe nga sipër tyre. O Zot, kërkojmë mbrojtje në Madhështinë Tënde që të mos goditen nga poshtë këmbëve të tyre. O Zot, të lutemi që të jesh për ata mbrojtës dhe mbështetës, përkrahës dhe ndihmues,  o Zotërues i Madhështisë dhe Nderit!

O Zot, na  përmirëso në  fenë tonë e cila është pjesë e jetës tonë, përmirëso jetën tonë ( në këtë botë) që  është vendqëndrimi i përkohshëm për ne,  dhe përmirëso  jetën tjetër (Ahiretin) në të cilën  është takimi ynë. O Zot, bëj jetën tonë shtim të çdo mirësie dhe vdekjen rehati prej çdo të keqeje.        

O Zot, jepu shpirtrave tanë devotshmëri, pastroi ata sepse Ti je më i miri që i pastron ata, Ti je Mbrojtësi dhe Kujdestari i tyre.

O Zot,  na mundëso përfundim të mirë në çdo çështje tonën, na mbro nga poshtërimi në këtë botë dhe ndëshkimi në botën Tjetër.

O Zot, kërkojmë mbrojtjen Tënde nga humbja e Mirësive Tua, nga përkeqësimi i shëndetit që na ke dhënë, nga ndëshkimi Yt i papritur dhe nga i gjithë zemërimi Yt.

O Zot, të lutemi na mundëso të bëjmë punë të mira, të heqim dorë nga veprat e shëmtuara, ti duam të varfrit, të na falësh dhe të na mëshirosh. Nëse do të sprovosh robërit e Tu, na merr jetën para se të përballemi me sprovën.   

O Zot, na mbro prej armiqve Tu dhe armiqve tanë me çfarë të dëshirosh, o Zot i botëve! O Zot, ti lëmë Ty të merresh me armiqtë Tu dhe armiqtë tanë, dhe kërkojmë mbrojtjen Tënde nga të këqijat e tyre!

O Zot, na shto të mirat dhe mos na i pakëso ato, na ndero e mos na poshtëro, na jep e mos na privo,  na favorizo e mos favorizo të tjerët mbi ne, na bëj të kënaqur dhe ji i kënaqur me ne.

O Zot, shëro të sëmurët tanë, mëshiro të vdekurit tanë, na  plotëso nga ato që Ti je i kënaqur dëshirat tona dhe na mundëso në mbyllje kryerjen e veprave të mira.

“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” ( El-A’raf  23)

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

O Zot, fale dhe mëshiroje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1672925861500754/2156465155296010

Post Author: endrit