Hytbe e Qabes 03-08-1441 H 27-03- 2020
Shejh Abdullah El Xhuhenij Tema: Kërkoni shpëtim prej Allahut
Falenderimi i takon Allahut, Atë falenderojmë e i kërkojmë ndihmë, Atij i kërkojmë falje dhe tek Ai pendohemi. Allahut i kërkojmë mbrojtje prej të këqijave të vetëve tona e prej punëve tona. Atë që Allahu e udhëzon s`ka kush e humb e atë që Ai e humb s`ka kush e udhëzon.
Dëshmoj se ska të adhuruar me meritë përpos Allahut, ai është i vetëm e pashok.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij.
“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë myslimanë!” (Sure Ali Imran, 102.)
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj i Cili u krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjellta dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikqyrës mbi ju.” (Nisa:1)
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat dhe do t’jua falë gjynahet tuaja. Kush i bindet Allahut dhe të ërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” (Sure Ahzab, 70-71.)
Ligjërimi më i bukur është Fjala e Allahut dhe udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (salallahu alejhi ue selem). Gjërat më të këqija janë risitë në fe, çdo risi është bidat e çdo bidat është humbje e çdo humbje është në zjarr.
O njerëz jini të devotshëm ndaj Allahut dhe dijeni se ju do të takoheni me Të. Një person të cilit nuk i dhuron krenari devotshmëria ai nuk mund të ketë krenari me diçka tjetër.
O rob të Allahut, jeta e kësaj bote është jetë e sfidave dhe e sprovave, e situatave të ndryshme, e netëve dhe ditëve të ndryshme. Në këtë jetë ka mësime për atë që është i vëmendshëm, në të ka gëzim e lumturi, mërzi e pikëllim, vështirësi e lehtësim, shëndet dhe sëmundje. I falur në këtë jetë je atëherë kur Allahu të shpëton në çdo gjendje të saj.
Ibn Hibani në sahihun e tij transmeton se Rifeate ibn Rafi`in ka thënë: Ebu Beker Es Sidik r.a hipi në mimber, qau pastaj tha: I dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue
selem) para një viti hipi në mimber qau pastaj tha: “Kërkojini Allahut falje dhe shpëtim sepse askujt nuk i është dhënë gjë më e mirë pas besimit të fortë se sa shpëtimi.”
Ibn Maxheh në Sunenin e tij përcjell nga Ebu Hurejra r.a se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Robi nuk mund të gjejë lutje më të mirë se fjalët: “O Allah, të lutem të më shpëtosh në këtë jetë e në jetën tjetër!”
Pas mirësisë së dëshmisë së teuhidit besimit në Allahun nuk ka mirësi më të mirë se të jesh i shpëtuar. Shpëtim do të thotë të jesh i shpëtuar në fe prej sprovave dhe të jesh i shpëtuar në fizikun tënd prej sëmundjeve të ndryshme e vuajtjeve të rënda.
Shpëtimi është një shprehje e përgjithëshme që përfshin spostimin e çdo gjëje të urryer. Ai është mirësia më e madhe që Allahu i jep robit të Tij. Për këtë është detyrë e çdo individi të kujdeset e ta ruajë atë. Luteni Allahun për shpëtim o rob të Allahut. Kërojeni atë prej Allahut se me të vërtetë është mirësi e madhe.
Dijetari i madh Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Këtu janë bërë bashkë dy shpëtime; i fesë dhe i jetës. Robi nuk do ta arrijë mirësinë në dunja e në ahiret vetëm se me besimin e sigurtë dhe me shpëtim. Besimi i sigurtë largon prej tij ndërshkimet e botës tjetër ndërsa shpëtimi largon prej tij sëmundjet e kësaj jete të zemrës e të trupit të tij. Kështu e tërë çështja e botës tjetër vërtitet rreth një fjale dhe e tërë çështja e kësaj bote në një fjalë. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) me praktikën e tij model i kërkonte Allahut shpëtim mëgjes e mbrëmje.
Rob të Allahut nuk ka gjë që i sjell mirësitë e Allahut dhe i largon fatkeqësitë si dhikri (përmendja) e Allahut të madhërishëm. Dhikri sjell mirësi të mëdha dhe largon fatkeqësi të mëdha. Allahu i lartësuar thotë: “Allahu, në të vërtetë, i mbron besimtarët.” (Haxh; 38). E në një këndim tjetër të këtij ajeti në vend të fjalës ‘judafiu’ i mbron vjel fjala ‘ jedfau’ shpaguan. Mbrojtja dhe shpagimi i Allahut për ta është në varësi të forcës së besimit dhe përsosjes së tij. Lënda e parë e besimit dhe forca e tij është përmendja (dhikri) i Allahut të lartësuar. Ai i cili e ka besimin më të plotë dhe dhikrin më të shumtë për të do të jetë mbrojtja dhe shpagimi i Allahut më i fortë e më i madh ndërsa për atë që pakëson i pakësohet, përmendje për përmendje dhe harresë për harresë.
I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) kaloi pranë disa njerëzve të sprovuar dhe tha: “A nuk kishin mundësi ata ti kërkonin Alahut mbrojtje!?” Transmeton Bezari prej Enes ibn Malik r.a dhe e ka konsideruar të saktë Imam Albani (Allahu i lartësuar e mëshiroftë). I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue
selem) me këtë pyetje retorike sikur u thotë atyre njerëzve; I jeni dorëzuar kësaj sprove duke qenë se e keni mjekimin dhe ilaçin e duhur për atë që ju ka kapluar e cila është lutja për mbrojtje!?
O robër të Allahut, botën e ka sulmuar një epidemi e që ka zbritur me urdhërin e Allahut. Një virus me përmasa mjaft të vogla e me dëme të mëdha është përhapur në shumë vende duke përshkuar disntaca të mëdha. E nuk ka mbrojtje më të mirë ndaj tij se sa nëpërmjet traditës së Profetit (salallahu alejhi ue selem) dhe udhëzimit të umetit të tij me këtë lutje madhështore të mjaftueshme. Me të i shtohet robit lidhja me Zotin e tij e fiton siguri e qartësi.
Me këtë rast o vëlla im musliman duhet të tregohesh i qetë sepse ajo është mirësia më e madhe e Allahut për njeriun në kohë vështirësish. Gjithashtu kujdesu të kryesh sa më shumë adhurime në kohë sprovash e pështjellimesh sepse njerëzit janë të pakujdeshëm ndaj adhurimit në kohë të tilla. I fituar është ai person të cilit Allahu i jep sukses në adhurim gjatë kohëve të tilla.
“Thuaju: Kush ju shpëton nga errësira e tokës dhe e detit, kur i luteni Atij haptazi dhe fshehurazi (duke thënë): Nëse Ai na shpëton prej këtyre (rreziqeve), vërtet do të bëhemi mirënjohës. Thuaj: Allahu ju shpëton nga ato dhe nga çdo e keqe tjetër, por prapëseprapë ju adhuroni të tjerë veç Tij”. Thuaj: Ai ka fuqi t’ju ndëshkojë prej së larti ose nga poshtë këmbëve tuaja, ose t’ju përçajë në grupe e të vuani nga duart e njëritjetrit. Shih si ua shpjegojmë shpalljet, që ata të mund të kuptojnë! Por populli yt e quan të gënjeshtërt atë (Kuranin), ndonëse ai është i vërtetë. Thuaj: Unë nuk jam rojtari juaj. Do të vijë koha, kur çdo profeci do të përmbushet dhe ju do ta merrni vesh.” (El Enam; 64-67).
Allahu na bekoftë me Kurani madhështor e na mundësoftë të kemi dobi me ajetet e urtësitë në të e na bëftë dobi me udhëzimi e më të mirit të të dërguarve.
Thashë këtë që dëgjuat dhe i kërkoj falje Allahut për veten, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah. Kërkojini falje dhe pendohuni se ai është Falës e mirënjohës.
Hutbeja e dytë
Falenderimi i takon Allahut, shpikësit të çdo krijese dhe rigjallësit të tyre, madhështori plot mirësi, larguesi i vështirësisë e dëbuesi i fatkeqësive. Butësia e tij qarkullon kudo e robi nuk e kupton, e mira e Tij zbret vazhdimisht tek ne ndërsa e keqja jonë ngjitet tek Ai. Mirësia e tij ka përfshirë tërë krijesat e njerëzve nuk i
duhet tjetërkush veç Tij. I Lartë je Ti o Zoti ynë nuk të kemi adhuruar si duhet e nuk të kemi madhëruar siç e meriton. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, i vetëm e i pashoq dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i tij, Bekimet dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, mbi familjen, shokët dhe mbi ata që ndjekin rrugën e tij.
Jini të devotshëm ndaj Allahut me vërtetësi dhe përjetojeni mbikqyrjen e tij në vetmi e në publik.
O muslimanë, një prej domosdoshmërive të besimit në Allah është besimi se Allahu i madhërishëm është Krijuesi i universit, Ai e menaxhon, krijon çka të dojë dhe zgjedh, I lartësuar e i pa të meta është Allahu i Madhërishëm.
O robër të Allahut, Kurani Fisnik përmban urtësi, sekrete dhe dobi për njerëzit. Allahu në Librin e Tij fisnik ka thënë: “Lufta është bërë detyrim për ju, ndonëse e urreni. Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.” (El Bekare; 216).
Imam Ibnul Kajim, Allahu e mëshiroftë ka thënë:
“Robi duhet të dijë se diçka e urryer mund të sjellë atë që duhet dhe nga ana tjetër e pëlqyera mund të sjellë diçka të urryer. Nuk ke siguri, diçka e dëmshme të vjen pranë të dobishmes por prapë nuk duhet ta humbësh shpresën sepse me diçka të dëmshme mund të vijë diçka e dobishme. Njeriu nuk e di përfundimin e ngjarjeve. Allahu di në lidhje me to atë që njeriu nuk e di. Kështu njeriu duhet të jetë i qetë e të mos hamendësojë diçka të keqe në Zotin e tij, në përgjedhjet e ndryshme që bën. Kështu do të zbrazë zemrën e tij prej supozimeve e planifikimeve me të cilat ngjitet në një kodër e zbret prej një tjetre. Megjithëse ai nuk mund të dalë jashtë asaj që është përcaktuar nga Allahu mbi të. Njeriu po të kënaqet me zgjedhjen e Allahut për të do ta rrokë përcaktimi duke qenë në pozita të lëvduara e mirënjohëse dhe i ndihmuar nga Allahu në zgjedhjen e tij. Njeriu kur është i saktë në delegim dhe pranim të situatës gjen strehë në butësinë dhe dhembshurinë e Allahut që ka qenë e përcaktuar. Atëherë njeriu gjendet mes butësisë dhe dhembshurisë së Allahut. Dhembshuria e mbron prej asaj që trembet ndërsa butësia ia lehtëson situatën në të cilën gjendet. Sjellja me e dobishme për njeriun kur zbret kaderi i Allahut është dorëzimi. Ta dorëzojë veten e tij para kaderit të Allahut; i hedhur përdhe si të ishte i vdekur sepse ‘luani nuk pëlqen të ha kërma’.” Këtu mbaron fjala e tij, Allahu e mëshiroftë.
Çdo njeri në vendimin dhe përcaktimin e Allahut është mes dy gjendjesh; besimtar dhe jobesimtar.
Besimtari në çdo rast e di se ajo që ka vendosur Allahu i madhërishëm është e bukur. Kur e godet vështirësi duron ndaj përcaktimit dhe pret shpëtimin prej Allahut duke shpresuar të shpërblehet për të. E nëse kalon kohë të kënaqshme falenderon Allahun për të dhe i kryen në mënyrën më të mirë detyrat ndaj Tij. Ndërsa jobesimtari është si ka thënë Allahu; “Disa njerëz të tjerë e adhurojnë Allahun me kusht: Nëse u ecën mbarë, janë të kënaqur, por, nëse i godet fatkeqësia, ata kthehen në mohim e kështu humbasin këtë botë dhe tjetrën. Pikërisht kjo është humbja e qartë.” (Haxh; 11).
O musliman, islami ka nxitur për marrjen e masave mbrojtëse dhe ka ligjëruar dispozita që garantojnë mbrojtje në fizik, vende, ushqime dhe enë kuzhine. Islami ka ligjëruar abdesin, larjen e tërë trupit, pastrimin e xhamive, largimin e papastërtive nga rrugët. Islami ka ligjëruar gjërat e pastra e ka ndaluar gjërat e papastërta. E gjitha kjo për të ruajtur vetveten, për të mbrojtur shoqërinë tënde, kështu që mbroni vetet, familjet dhe shoqërinë tuaj me mbështetje tek Zoti juaj, me marrjen e shkaqeve të ligjshme e me çdo gjë të dobishme që të fitoni shëndet me besim dhe shpëtim me stabilitet.
O musliman, për garantimin e shëndetit dhe për shpëtimin tuaj, autoritetet në këtë vend, Allahu u dhëntë sukses kanë ndërmarë proçedura dhe masa mrojtëse të përftuara prej parimeve fetare përpara se të jenë thjesht masa njerëzore. Ata po japin në këtë aspekt maksimumin e ne duhet të jemi të solidarizuar me ta për mbrojtjen tonë duke ndjekur udhëzimet dhe këshillat e tyre, e të distancohemi prej njerëzve që përhapin panik dhe të mos përhapim lajme që vijnë prej tyre.
Vëlla i sëmurë, i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Atij që Allahu ia do të mirën e godet me diçka.” Transmeton Buhariu. Kjo është një përgëzim madhështor për ty dhe ngushëllim për atë që të ka rënë. Kështu që bëj durim, shpreso në shpërblimin e Allahut dhe beso fort se Krijuesi yt, Ai i ka në dorë të gjitha çështjet e tua. Mundohu të marrësh shkaqet e shërimit e mos bjer në pesimizëm edhe nëse fatkeqësia të zgjat sepse përgëzimet lindin prej barkut të fatkeqësive.
Robër të Allahut përpiquni të njiheni me nevojat e vëllezërve invalidë, të pafuqishëm e të varfër dhe kështu ndoshta Allahu frikën tonë na e shdërron në siguri, zemërimin e Tij në kënaqësi, falje e mëshirë. Të mëshirëshmit i mëshiron i Gjithëmëshirëshmi.
O Allah tu të përket lavdia, tek Ti drejtohen ankesat, Ti je Ndihmuesi, prej Teje vjen ndihma, nuk ka ndryshim të gjendjes dhe forcë veçse prej Teje. Ne nuk posedojmë për vetet tona as dobi e as dëm. Ne jemi të dobët e të ngratë në çdo aspekt. Ne dëshmojmë që po na le të mbështetemi në vetet tona qoftë edhe për një moment të vetëm dije se na ke lënë në dobësi, në pamundësi, në gabim e në gjynah. Ne o Zoti ynë kemi siguri vetëm tek mëshira jote me të cilën na krijove, na furnizove, na dhe mirësi të njohura e të panjohura dhe ke larguar prej nesh tërë ato fatkeqësi. Na mëshiro o Zot me një mëshirë pas të cilës nuk do të kemi nevojë për askënd tjetër veç Teje. Ai i cili kërkon dhe shpreson prej Teje nuk mbetet duarthatë.
O Allah ne të kërkojmë mëshirë për fëmijët tanë, të moshuarit tanë dhe vendeve tona. Të lutemi të na e largosh këtë bela që ka kapluar shtëpitë dhe robërit e tu, bela e cila i ka gjunjëzuar të gjithë banorët e tokës e nuk e mund dot atë vetëm Zoti i qiellit! Të lutemi me mëshirën Tënde o i Madhërishëm duke qenë pranë Shtëpisë së Shenjtë të cilën e ke bërë mbështetje për njerëzit, për të cilën janë përmalluar sot adhuruesit.
O Allah kjo epidemi me urdhërin Tënd ka zbritur e me urdhërin tënd largohet. O Allah ne arritëm mirësi të cilat nuk i patëm treguarvëmendjen e duhur, me detajet me të thjeshta të jetës sonë por që tani jemi të privuar prej tyre, të lutemi Ty që je i Lartmadhërishëm e fisnik të largosh prej nesh këtë bela e këtë sëmundje o Zoti ynë dhe na mëshiro me mëshirën Tënde e mos na dëbo prej dyerve të Tua duarthatë!
O Allah na mëshiro se ti me ne je i mëshirshëm e mos na ndërshko se ti mbi ne je i plotfuqishëm, na drejto se ne nuk mund të drejtohemi vetë, na drejto për tek Ti o më i miri që lypet e më i madhi që shpresohet!
O Allah mos na vrit me zemërimin tënd, mos na shkatërro me ndërshkimin Tënd por na shpëto!
O Allah na ruaj nga largimi i mirësive të Tua, nga largimi faljes Tënde, nga befasia e ndërshkimi tënd dhe nga i gjithë zemërimi Yt!
O Allah largoji prej nesh çmimet e larta, epideminë, kamatën, imoralitetin, tërmetet, vështirësitë dhe sprovat e rënda të dukshme e të padukshme veçanërisht nga vendi ynë e prej të gjithë vendeve të muslimanëve o Zot i botërave!
O Allah mbrohemi me kënaqësinë Tënde ndaj zemërimit Tënd, me shpëtimin Tënd ndaj ndërshkimit Tënd edhe me Ty prej Teje. Ne nuk mund të të lavdërojmë Ty si e meriton, Ti je ashtu si e ke lavdëruar veten Tënde!
Allahu është më i Madhi!
Allahu është më i madh nga ajo prej së cilës ne frikësohemi dhe druhemi!
O Allah shpëtoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse ke shpëtuar familjen e Ibrahimit.
Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.
O Allah bekoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse bekove familjen e Ibrahimit.
Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.
E së fundmi falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!