Falënderimet i takojnë Allahut, i cili e ka kapluar gjithçka me mëshirën e Tij, e ka begatuar çdo gjallesë me mirësitë dhe begatitë e Tij, çdo gjallesë i nënshtrohet madhështisë së Tij:
“Murmurima madhëron Zotin me falënderim që i takon, edhe Melekët nga druajtja ndaj Tij” Rad 13.
Atë e falënderoj dhe lavdëroj, dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut, Një i, Vetëm dhe i Pashoq, në krijimtarinë, zotërimin, emrat dhe cilësitë! Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Allahut! Ai është i përzgjedhuri i mbarë krijesave të Tij, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, familjen dhe shokët e tij, si dhe mbi mbarë ata që e ndjekin dhe e pasojnë udhën e tij, deri në ditën e fundit!
Të nderuar besimtarë! Ju porosis, me porosinë që Zoti ka pasur për të parët dhe të fundit, t’i frikësohemi Allahut të Madhëruar!
“Ne i patëm porositur ata që iu është dhënë libri para jush edhe ju, që të keni frikë Allahun!” Nisa 131.
Vëllezër të dashur! Mëshira është ndër cilësitë e Allahut të Madhëruar, me të përfshiu çdo gjallesë, Ai është Mëshiruesi, Mëshirëbërësi, është Mëshiruesi i mëshiruesve.
Duart e Tij janë të shtrira natën dhe ditën, u jep miqve të Tij, e dhëna është më e dashur për të se privimi, ndërsa mëshira e Tij e mund zemërimin.
Në një hadith përcilletse: “Kur Allahu i krijoi krijesat, shkroi në një libër që ndodhet mbi Arshin e Tij: ‘Mëshira ime i paraprin zemërimit Tim’.” Mutefekun Alejhi.
Shenjat e mëshirës së Allahut të Madhëruar, janë të dukshme tek krijesat e Tij e të qarta:
“Prej mëshirës së Tij u bëri juve natën dhe ditën për të pushuar në të dhe për të përfituar nga begatitë e Tij, si dhe që të jini mirënjohës” Kasas 73.
Prej mëshirës së Tij është dhe dërgimi i erërave si myzhde pranë mëshirës së tij, e zbret shiun, e gjallëron tokën pasi që ishte e vdekur.
“Ai është që e lëshon shiun pasi që ata i kanë humbur shpresat, Ai e shtrin mëshirën e vet, Ai është mbikëqyrësi, lavdëruari” Shura 28.
Prej mëshirës së Tij, është dhe mëshira që gjendet ndërmjet krijesave të Tij, por gjithë këto mëshira të përjetuara, nuk janë vetëm se një pjesë e vogël e mëshirës së Tij.
Profeti a.s ka thënë: “Zoti e ka ndarë mëshirën në 100 pjesë, 99 pjesë i ka ruajtur te vetja e Tij, ndërsa një pjesë të kësaj mëshire e ka shpërndarë tek krijesat, sa dhe kali e ngre këmbën që të mos e shkelë mëzin e tij” Mutefekun Alejhi.
Allahu është më i Mëshirshëm me robërit e Tij, nga ç’janë prindërit me fëmijët e tyre, shikoni se si e përshkruan këtë mëshirë Umeri r.a: “I sollën Profetit a.s robërit e luftës, në mesin e tyre ndodhej një grua që kërkonte dikë, e kur e gjeti foshnjën e saj e përqafoi dhe i dha për të pirë. Profeti a.s na u drejtua dhe na tha: -A mundet që kjo grua ta hedhë në zjarr foshnjën e saj?
-Kurrën e kurrës,-i thamë ne.
Profeti a.s na tha: -Dijeni se Allahu është më i mëshirshëm me krijesat e Tij, se kjo nënë me fëmijën e saj”, Mutefekun Alejhi.
Prej mëshirës së Tij me robërit e Tij besimtarë, është se Ai zbret çdo natë në qiellin e kësaj bote, ashtu siç i shkon për shtat Madhërisë së Tij, në shenjë nderimi për lutësit, në shenjë mëshire për të penduarit dhe ata që kërkojnë falje.
Në hadith përcillet: “Ç’do natë, kur mbetet pjesa e tretë e natës, zbret Zoti i Madhëruar në qiellin e kësaj bote dhe thotë: ‘Kush më lutet Mua që Unë t’i përgjigjem, kush më kërkon që Unë t’i jap, kush më kërkon falje që Unë ta fal?!’,” Mutefekun alejhi.
Një mëshirë të tillë e vërejmë dhe me shpërdoruesit të cilëve ua çel dyert, të penduarve u shtrin dorën: “Thuaj o robërit e Mi të cilët e keni ngarkuar veten me shumë gabime, mos e humbni shpresën prej mëshirës së Allahut. Vërtetë Allahu fal gjithë gjynahet, Ai është që fal shumë dhe është Mëshirues” Zumer 53.
Prej mëshirës së Tij është edhe: “Engjëjt që e bartin Arshin dhe ata që janë përreth tij, lartësojnë me falënderim Zotin e tyre, i besojnë Atij dhe i luten që t’i falë ata që besuan duke thënë: ‘Zoti ynë, Ti me mëshirën dhe diturinë Tënde ke përfshirë çdo send andaj fali ata që u penduan dhe ndoqën rrugën Tënde si dhe ruaji nga dënimi i zjarrit. Zoti ynë, futi në xhenete të Adnit të cilat ua ke premtuar, ata dhe kush ishte prej etërve të tyre, grave dhe pasardhësve të tyre. Vërtetë Ti je Ngadhënjyesi, i Urti. Mbroji prej të këqijave, pse atë që Ti e mbron atë ditë prej të këqijave, Ti e ke mëshiruar e ai është shpëtimi i madh” Gafir 8-10.
Xheneti është një tjetër mëshirë e Allahut. Në të fut kë të dojë prej robërve Tij besimtarë, askush nuk mund të futet në të si pasojë e veprave të Tij, edhe nëse do t’i kryejë mbarë urdhëresat dhe obligimet që i takojnë.
Profeti a.s ka thënë: “-Asnjërin nuk e fut në xhenet vepra e tij.
Ata i thanë: -As ty o i dërguar i Zotit?!
Ai tha: -As unë, nëse Zoti nuk më kaplon me mëshirën e mirësinë e Tij” Mutefekun Alejhi.
Ai që lexon dhe hulumton jetën e Profetit a.s, e vë re këtë mëshirë, ai shoqërohej me të vegjlit, lozte me ta, i puthte dhe përqafonte dhe thoshte: “Kush nuk mëshiron, nuk mëshirohet.”
Përcjell Buhariu se kur Profeti a.s barti të birin Ibrahimin tek vdiste, sytë i lotuan, ndërsa Abdurahman ibn Aufi i tha: “-Edhe ti o i dërguar i Zotit (po qan)?
-Kjo është prej mëshirës o Abdurrahman, syri loton, zemra mërzitet, por nuk themi vetëm se atë që e kënaq Zotin tonë, dhe se me vdekjen tënde o Ibrahim, jemi të pikëlluar.”
Njerëzia nuk ka njohur më të mëshirshëm se Profeti a.s me të vegjlit, për këtë ka thënë shërbyesi i tij Enesi: “Nuk kam parë më të mëshirshëm me familjen se Pejgamberi a.s.”
Ndërsa femrat kishin një hise më të madhe të kësaj mëshire, ftonte për butësi e drejtësi me to, nxiste për sjellje të mirë me vajzat.
Përcjell Buhariu se Profeti a.s ka thënë: “Kush furnizohet me ndonjë vajzë dhe e edukon mirë, do e ketë mburojë ndaj zjarrit.”
Kini frikë Allahun, o ju robër të Allahut në ato që ju ka lënë në ngarkim, përcjell Tirmidhiu fjalën e Profetit ku thotë: “Më i miri ndër ju, është ai që sillet mirë me familjen e tij dhe unë jam më i miri ndër ju me familjen time.”
Profeti a.s ishte i mëshirshëm me të dobëtit dhe shërbëtorët, interesohej për ta nga frika se mos nëpërkëmben dhe u mohohen të drejtat, madje mëshirimin e të dobëtëve e ka konsideruar si një ndër shkaqet e riskut dhe triumfit ndaj armiqve.
Ebu Daudi përcjell nga Profeti a.s i cili ka thënë: “Kërkomëni mua te të dobëtit tuaj, vërtetë ju furnizoheni dhe triumfoni nëpërmjet tyre.”
Ditën e çlirimit të Mekës, Profeti a.s u tregua i butë me armiqtë e tij, ata të cilët e përzunë prej vendit të tij, nuk lanë mënyrë pa provuar vetëm e vetëm që t’i bënin keq atij dhe shokëve të tij, u përpoqën që ta vrisnin, mirëpo këtë sjellje të ligë Profeti a.s e ktheu me të mirë, ndaj kur dëgjoi se Sadi kishte thënë: “Sot është dita e hakmarrjes dhe gjakderdhjes”, ai e tregoi haptas mëshirën e tij kur tha: “Sot është dita e mëshirimit”, duke u treguar i mëshirshëm me të vegjlit dhe të mëdhenjtë, armiqtë dhe miqtë, madje kjo mëshirë e tij përfshiu dhe kafshët e gjërat e ngurta, nuk ka la rrugë që të shpien për tek Zoti pa ia bërë të qartë Ymetit të tij dhe pa i nxitur për në të.
Çdo rrugë që të largon nga udha e Zotit ua bëri të qartë, duke treguar kështu se e gjithë jeta e tij ishte mëshirë, po pasha Allahun ai ishte mëshirë, rruga e tij ishte mëshirë, historia e tij ishte mëshirë, tradita e tij ishte mëshirë, të vërtetën e ka Allahu: “Ne të dërguam Ty si mëshirë për të gjitha krijesat” Enbija 107.
Zoti më bekoftë mua dhe ju me atë që gjendet në Kur’an e synet, na e mundësoftë të përfitojmë prej tyre, Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju, ndaj kërkojini falje se vërtetë Ai është Falës i Madh.
Falënderimet i takojnë Allahut, Nismëtarit të Pashoq dhe Ripërtëritësit, Atij që bën ç’të dëshirojë, Mëshiruesit ndaj robërve të Tij besimtarë.
Dëshmoj se nuk Zot tjetër veç Allahut, të Vërtetit të Qartë, dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, prijës i të devotshmëve, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, shokët dhe familjen e tij!
Të nderuar besimtarë, feja Islame është fe e tolerancës dhe mëshirës, fe e paqes për mbarë njerëzimin, fton në bashkëjetesë dhe mëshirim.
Përcjell Nesai në Sunen el Kubra se Profeti a.s ka thënë: “-Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, nuk do të hyni në Xhenet, derisa të mëshironi njëri-tjetrin.
I thanë: -Të gjithë ne jemi të mëshirshëm, o i dërguar i Zotit.
Ai tha: -Nuk konsiderohet i mëshirshëm ai që mëshiron të afërmit, por ai që mëshiron në përgjithësi.”
Kështu të nderuar vëllezër, këtu është për qëllim mëshira e përgjithshme që i mbulon të tërë, ndërsa privimi i saj, Zot ruana, është privim prej mëshirës së Zotit!
Profeti a.s ka thënë: “Kush nuk i mëshiron njerëzit, nuk e mëshiron Allahu i Madhëruar” Mutefekun alejhi.
Njerëzit më primar që emeritojnë këtë mëshirë, janë dy prindërit. Respektimi i tyre sjell lumturi, nderimi i tyre sjell mëshirë e veçanërisht në moshë të thyer.
“Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër përveç Tij, të silleni me bamirësi ndaj prindërve, nëse njërin prej tyre, ose që të dy i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, por thuaju fjalë të mira. Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: ‘Zoti im, mëshiroji ata të dy, sikurse më edukuan mua kur isha i vogël” Isra 23-24.
Një ndër lidhjet njerëzore dhe shoqërore që nuk mund të jenë në rrugë të mbarë pa këtë mëshirë është dhe lidhja martesore, pasi që ndërtohet mbi dashuri e mëshirë.
“Nga faktet e madhërisë së Tij është dhe krijimi i palës tjetër për të mirën tuaj, që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë. Në këtë ka argument për njerëzit që mendojnë” Rum 21.
Ndodh që dashuria të dobësohet mes çiftit, por që e forcon virtyti i mëshirës, kështu që e mëshirojnë njëri-tjetrin dhe përcillet kjo mëshirë te fëmijët e tyre, duke ndërtuar kështu një brez të shëndoshë, pa komplekse dhe paragjykime.
E nëse i afërmi përfton të tillë mëshirë, me patjetër që prej saj përfiton dhe i largëti e veçanërisht të moshuarit, të dobëtit, nevojtarët, ndaj kapuni fort pas këtij virtyti, mëshirojini ata që i keni në ngarkim dhe mëshirohuni mes njëri-tjetrit, se kështu fitoni mëshirën hyjnore!
Ebu Daudi përcjell nga Profeti a.s i cili ka thënë: “Mëshiruesit i mëshiron i Gjithëmëshirshmi, mëshironi ata që gjenden në tokë, t’ju mëshirojë Ai që gjendet në qiell.”
Nuk duhet harruar se kjo mëshirë fitohet duke iu bindur Allahut dhe të dërguarit të Tij, duke u bërë i qëndrueshëm në rrugën e drejtë, sa më shumë të jemi të lidhur me detyrat e Zotit aq më afër do jemi me mëshirën e Tij.
“Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë e ndalojnë nga e keqja, e falin namazin, e japin zeqatin, respektojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t’i mëshirojë Allahu. Allahu është ngadhënjyesi i urti” Teube 71.
Vëllezër të dashur, Zoti ju urdhëron për një vepër të mirë, ku e fillon me veten dhe thotë:
“Allahu dhe Melaiket e Tij, me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhëroni pra atë dhe përshëndeteni me selam” Ahzab 56.
Zot begatoje e jepi të mira Muhamedit dhe familjes së tij, sikurse e begatove dhe i dhe të mira Ibrahimit dhe familjes së tij, Ti je i Lavdëruari dhe i Lartësuari!
Bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, sikurse e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, Ti je i Lavdëruari dhe i Lartësuari.
Ji i kënaqur Zot dhe prej katër kalifëve të tij të drejtë, Ebu Bekrin, Umerin, Uthmanin dhe Aliun, si dhe mbi mbarë sahabët e Profetit, mbi pasuesit e tyre, mbi të gjithë ata që i ndjekin ata deri në ditën e fundit, përfshina dhe ne bashkë me ta, o Mëshiruesi i mëshiruesve!
Zot lartësoje Islamin dhe myslimanët, poshtëroje idhujtarinë dhe idhujtarët, ruaje fenë dhe besimin, bëje këtë vend të qetë e të sigurt, të rehatshëm e të bollshëm si dhe mbarë trevat Islame!
Zot i Gjallë dhe i Përhershëm, ndihmën dhe mëshirën Tënde kërkojmë, na i bjer mbarë gjithë punët tona, mos lejo t’i mbështetemi vetëve tona!
Zot largoja brengat dhe streset çdo të stresuari prej myslimanëve, shlyeja borxhet borxhlinjve, shëroji të sëmurët e mbarë myslimanëve!
Zot rregulloje gjendjen e myslimanëve kudo qofshin!
Zot drejtoje prijësin tonë, ndihmoje, shpërbleje me të mira për kontributin që ka dhënë, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij në gjërat që të pëlqejnë, si dhe mbarë prijësit e myslimanëve!
Zoti ynë, kush na synon neve, vendin tonë, njerëzit e sigurimit tonë me ndonjë të keqe, ktheja kurthet kundra dhe shkatërroji, mbrojtjen Tënde kërkojmë prej të keqes së tyre, në dorën Tënde t’i lëmë!
Zot mbroji ushtarët tanë që gjenden në kufij, për t’i mbrojtur ato, ndihmoji kundër armikut tyre dhe Tëndit, ktheji pranë familjeve të tyre shëndoshë e mirë, triumfues e të shpërblyer!
Zot fali myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët dhe të vdekurit me mëshirën dhe faljen Tënde!
I Lartësuar qofsh Zot prej shpifjeve të gojëligëve, paqja qoftë mbi profetët dhe falënderimi të takon Ty!