Mbrojtja dhe fuqizimi për besimtarët e vërtetë

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    17-12-1446 H     13-06-2025 D

Shejh Jaser Ed-Dosari

Tema  Mbrojtja dhe fuqizimi për besimtarët e vërtetë

Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin, Zotëruesi i Bujarisë së madhe, ka plotësuar dhuntinë e Tij mbi robërit e Tij besimtarë dhe ka garantuar mbrojtjen për të bindurit në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, i Plotëfuqishmi i Drejti.

Dëshmoj se Muhamedi  është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, ai që ishte i butë e i mëshirshëm me besimtarët. Paqja, mëshira dhe begëtia e Allahut qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, mbi tabi’inët, mbi ata që i pasojnë gjurmët e tyre dhe ndjekin rrugën e drejtë.

Në vijim

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahut dhe dijeni se kush i frikësohet Atij do të marri mbrojtjen e Tij, e kush u përmbahet kujfijve të Tij, Ai do ta mbrojë dhe do të kujdeset për të. Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë dhe që janë punëmirë.” (En-Nahl 128)

O besimarë! Një nga stinët më të mëdha të adhurimit kaloi këto ditë,  ditët e Haxhit dhe të delegatëve, pelegrinëve përfunduan. Mysafirë të të Gjithëmëshirshmit, urime për ju që arritët në vendin e dëshiruar, sepse ju ishit në mesin e atyre që ju bë thirrje dhe iu përgjigjët. Madhëruat vendet e shenjta dhe ritualet,  dhe duke shpallur Njëshmërinë e Zotit në vendet e shenjta. Urime për përfundimin dhe për atë që Zoti ju ka dhënë nga mirësia dhe favori, veçimi. “Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.”(Junus 58)

Zoti ju mëshiroftë! Dijeni se nga shenjat e pranimit të vepra është vazhdimësia në punë të mira në arritje të dëshirës dhe që mirësia të jetë në rritje. Nga gjërat më të mëdha që e ndihmon njeriun që të qëndrojë i palëkundur dhe të vazhdojë në aktet e bindjes është që robi ta ruaj Zotin e tij në çdo kohë, në mënyrë që të fitojë mbrojtjen e Zotit në jetë e kësaj bote dhe pas vdekjes. Nga Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, tregohet se ka thënë: “ Kam qenë pas të dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, një ditë dhe ka thënë: “ O djalosh, po të mësoj disa fjalë: “Ruaje Allahun, që Ai të të ruajë ty! Ruaje Allahun, që ta kesh pranë! Kur të lypësh, lypi Allahut, e, kur të kërkosh ndihmë, kërko nga Allahu! Dije se, po qe se të gjithë njerëzit do të mblidheshin për të të bërë mirë, nuk do të mund të të bënin mirë, pos asaj që ta ka caktuar Allahu. Dhe anasjellas, nëse bashkohen për të të bërë dëm me diçka, nuk do të mund të të dëmtojnë, përveç asaj që ta ka caktuar Allahu. Tashmë lapsat janë ngritur dhe fletët janë tharë, janë shkruar afatet.” Hadithin e ka transmetuar Tirmidhiu. Ky hadith fisnik është udhëzues madhështorë dhe ka kuptime të gjera. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, e ka filluar me fjalëne tij: “ O djalosh, po të mësoj disa fjalë:” Do të thotë: Fjalë me të cilat Zoti do të të sjellë dobi në jetën tënde në këtë botë  dhe në jetën e përtejme, në Ahiret. Kjo është një hyrje brilante që kërkon nga dëgjuesi të jetë i vëmendshëm dhe të dëgjojë me kujdes atë që po i recitohet, thuhet, dhe të hapi veshët e tij për atë që po i thuhet. Pastaj, i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Ruaje Allahun, që Ai të të ruajë ty!” Që do të thotë: Ruaj të drejtat dhe kufijtë e Tij me vendosmëri, zbatoi urdhrat e Tij dhe shmangu nga ndalesat e Tij me vendosmëri. Kush e bën këtë është nga ata që i ruajnë kufijtë e të Gjithëmëshirshmit,  nga fituesit e premtimit të Tij dhe hyrjen në Xhenetet e Tij. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ (që do t’u thuhet:) “Kjo është premtuar për ju, për këdo që është penduar dhe ruajtur (nga gjynahet), që e ka pasur frikë të Gjithëmëshirshmin, edhe atëherë kur nuk e shihte kush, e që ka ardhur me zemër të kthyer (nga Allahu). Hyni në të (Xhenet) me paqe e siguri. Kjo është Dita e amshimit!” (Kaf 32-34)

LEXO  Bamirësia - Meka 07.02.2020

Adhurues të Zotit! Gjëja më e rëndësishme që duhet të mbrohet nga kufijtë dhe të drejtat e Zotit është ruajtja e monoteizmit, Njësimit të Zotit, dhe zhveshja, largimi i tij nga të gjitha papastërtitë e politeizmit dhe të ngjashmi. Monoteizmi është themeli dhe baza e fesë, e nëse nuk përmbushet, nuk do të pritet asnjë shpërblim për veprat, dhe se me përmbushjen e tij asnjë shpresë apo pritje nuk do të zhgënjehet. Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit. Prandaj, adhuro vetëm Allahun dhe bëhu falënderues!” (Ez-Zumer 65-66)

Nga gjërat më të rëndësishme për të cilën duhet të kujdeset besimtari, pas monoteizmit, Njësimit të Zotit, është kujdesi për namazin. Namazi është shtylla e Islamit, gjëja e parë për të cilën njeru do të merret në llogari. Namazi është sekreti i suksesit dhe çelësi i prosperitetit. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Faleni rregullisht namazin, sidomos atë të mesmin dhe qëndroni me devotshmëri para Allahut, duke iu lutur Atij.” (El-Bekare 238)

O robër të Zotit! Pastaj, ju duhet t’i përmbaheni të gjitha shtyllave të Islamit, siç janë zekati, haxhi dhe agjërimi. Kujdesuni për to siç duhet dhe përmbush detyrat e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme.

Vëllezër në besim! Ndërsa fjala e të dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të: “ që Ai të të ruajë ty!”, ka kuptimin që Allahu e ruan, mbron robin e Tij në fenë dhe në jetën e tij. Me të vërtetë shpërblimi është nga i njëjti lloj i veprës. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Përmbushni premtimin që Më keni dhënë, që edhe Unë të përmbush premtimin që ju kam bërë (për t’ju futur në Xhenet).” (El-Bekare 40)

Ruajtja, mbrojtja e Zotit ndaj robit të Tij është dy llojesh:

Lloji i parë, e që është nga dy llojet më i njohuri, është ruajtja e Zotit për robin e Tij në fenë dhe në besimin e tij, dhe në zbatimin, pasimin e tij të sunetit të dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Zoti e mbron dhe e ruan atë në jetën e tij nga të dyshimtat mashtruese dhe nga dëshirat e ndaluara. Sikurse e pengon, ruan atë nga çdo gjë që do të prishte fenë e tij. Zoti e ruan atë në momentet e vdekjes së tij, duke bërë që ai të vdesë në besim dhe duke ndjekur sunetin.

LEXO  Madhështia e parimeve Islame në luftë dhe paqe

Lloji i dytë: Zoti e mbron atë në interesat e tij të kësaj bote, siç është ruajtja e vetes së tij, fëmijëve, familjes dhe pasurisë së tij, në mënyrë që asnjë papastërti të mos e arrijë dhe asnjë dëm të mos i ndodhë në to. Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ Njeriu ka përcjellës (engjëj), para tij dhe pas tij, që e mbikëqyrin atë me urdhrin e Allahut.” (Er-Ra’d  11) Muhamed Ibn Munkediri, Zoti e mëshiroftë,  ka thënë: “ Zoti mbron, ruan tek një njeri i drejtë, i mirë,  fëmijët e tij, fëmijët e fëmijëve të tij dhe rrethin përreth tij, vendit të tij. Ata do të mbeten nën ruajtjen dhe mbrojtjen e Zotit.”

Sa më shumë që robi, njeriu e ruan Zotin e tij, aq më shumë do ta ruajë Zoti atë. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Ruaje Allahun, që ta kesh pranë!” Kush i ruan, u përmbahet kufijve të Zotit dhe zbaton të drejtat e Tij, do ta gjejë Zotin me vete në të gjitha rrethanat, situata e tij, duke e rrethuar dhe e mbështetur atë,  i jep sukses dhe e udhëzon atë. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë dhe që janë punëmirë.” (En-Nahl 128)

O ju njerëz! Ndërsa fjala e tij: “Kur të lypësh, lypi Allahut, e, kur të kërkosh ndihmë, kërko nga Allahu!”, është sikurse fjala e Allahut të Lartësuar që thotë: “ Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” (El-Fatiha 5) Të kërkosh prej Zotit është t’i lutesh Atij dhe të dëshirosh nga Ai. Është e detyrë, obligim që t’i lutesh vetëm Zotit dhe të kërkosh ndihmën e Tij e të askush tjetër përveç Tij. Askush nuk është në gjendje të sjellë dobi dhe të largojë dëmin përveç Zotit, të Madhërishmit dhe të Lartësuarit.

Adhurues të Zotit! Zoti na begatoftë me Kuranin Famëlartë dhe me synet,  na bëftë dobi nga argumentat dhe urtësitë e tyre.

Zotit  i kërkoj falje për vete dhe ju,  tek Ai kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin. Lutjet dhe përshëndetjet për të dërguarin e Zotit, të dërguarin tonë, Muhamedin, për familjen dhe shokët e tij dhe ata që i pasojnë ata.

Në vijim

O ju muslimanë! E në mbyllje të këtij hadithi madhështorë, i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Dije se, po qe se të gjithë njerëzit do të mblidheshin për të të bërë mirë, nuk do të mund të të bënin mirë, pos asaj që ta ka caktuar Allahu. Dhe anasjellas, nëse bashkohen për të të bërë dëm me diçka, nuk do të mund të të dëmtojnë, përveç asaj që ta ka caktuar Allahu. Tashmë lapsat janë ngritur dhe fletët janë tharë, janë shkruar afatet.” Kuptimi: Çfarëdo që i ndodh robit, qoftë në dobi apo në dëm të tij, është e gjitha e paracaktuar për të. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Thuaj: “Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu; Ai është Mbrojtësi ynë dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët!” (Et-Teube 51) Të gjitha fatet, përcaktimet, janë përfunduar dhe shkruar para se Zoti të krijonte qiejt dhe tokën. Nga Abdullah Ibn Amr Ibn El Asi, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ka thënë: “ E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, duke thënë: Allahu i ka shkruar fatet, caktimet e krijesave pesëdhjetë mijë vjet para se të krijonte qiejt dhe tokën.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.

LEXO  “ Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”

Zoti ju mëshiroftë! Dijeni se kush e njeh Zotin në kohë begatie, Zoti do të jetë me të dhe do ta mbrojë atë në të gjitha rrethanat e tij, dhe do ta largojë nga e keqja në kohë telashe dhe fatkeqësish.

Pelegrinë, haxhinjë të shtëpisë së shenjtë të Zotit, Qabes! Zoti pranoftë haxhin dhe përpjekjet tuaja, Zoti ktheftë për ne dhe për ju këto sezone të bekuara për shumë vite dhe periudha të gjata. Ajo që ngroh zemrën, thërret në krenari dhe obligon mirënjohje  është çfarë po bën udhëheqja e mençur, e drejtë,  në këtë vend të bekuar, nga përpjekje të mëdha dhe vepra fisnike, të cilat, me suksesin e Zotit, kanë rezultuar në një sukses të madh për sezonin e Haxhit këtë vit dhe çdo vit. Zoti i shpërbleftë udhëheqësit tanë me shpërblimin më të mirë, vlerësoftë përpjekjet e tyre dhe u dhëntë atyre shpërblim të bollshëm.

Adhurues të Zotit! Lutuni dhe përshëndeteni udhëheësin e të devotshmëve dhe modelin e besimtarëve, siç ju ka urdhëruar Zoti të bëni në Librin e Tij të qartë, në Kuran, kur ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin besnik, familjen e tij të mirë dhe të pastër, dhe bashkëshortet e tij, nënat e besimtarëve.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër halifet e parë të drejtë, me të gjithë shokët e tij, me tabiinët dhe me ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e Fundit, dhe me ne së bashku me ata, me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Bujar.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë.

O Zot, bëje këtë vend të paqtë, të sigurt dhe të begatë, dhe të gjitha vendet e muslimanëve.

O Zot, prano nga haxhinjtë haxhin dhe përpjekjet e tyre, bëj haxhin e tyre të pranuar, përpjekjet e tyre të shpërblyera dhe gjynahet e tyre të falura.

O Zot, bëje udhëtimin e tyre të lumtur, kthimin e tyre shëndosh e mirë në vendet e tyre dhe rruga e tyre të jetë e sigurt dhe e mbrojtur.

O Zot, jepi sukse udhëheqësit dhe kujdestarit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta dhe princin e tij besnik të kurorës, në atë që Ti do dhe me të cilën je i kënaqur,  jepu atyre shpërblimin më të madh për gjithçka që bëjnë për dy xhamitë e shenjta dhe vizitorët e tyre, duke përfshirë pelegrinët, haxhinjtë,  kryerësit e Umres dhe vizitorët. Shpërbleji të gjithë ndihmësit e tyre dhe punëtorët në shërbimin ndaj mysafirëve të të Gjithëmëshirshmit me shpërblimet më të mira.

O Zot, ruaj dhe ndihmo njerëzit e sigurisë tonë dhe ushtarët tanë në kufijtë tanë, ruaj ata me rojet e Tua, mbroji ata me mbështetjen Tënde, dhe mbikëqyri ata me vëmendjen Tënde. 

O Zot, largo shqetësimet e atyre që janë të shqetësuar, largo të vështirat e atyre që janë në vështirësi, mundëso larjen e borxheve  atyre që janë në borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve,  mëshiro o Zot, të vdekurit tanë dhe të vdekurit e muslimanëve.

O Zot, ndihmo muslimanët e shtypur në Palestinë. O Zot, ndihmo vëllezërit tanë muslimanë të shtypur në Palestinë dhe në çdo vend. O Zot, jepu atyre lehtësim nga çdo shqetësim, rrugëdalje nga çdo vështirësi dhe shpëtim nga çdo fatkeqësi. O Zot, shëro të plagosurit e tyre, ndalo gjakderdhjen e tyre dhe forco zemrat e tyre.

O Zot, ruaj xhaminë e Aksasë dhe bëje atë të fortë dhe  krenare deri në ditën e Kijametit.

“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)

Na fal ne, me të vërtetë Ti je Falës i madh dhe Mëshirëplotë, dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!

 “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare 201)

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/1009796890953841

Post Author: endrit