Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 02-05-1447 H 24-10-2025 D
Shejh Abdurrahman Sudejs
Tema Në hapësirën e Fatihasë… çelësi i udhëzimit dhe rruga e adhurimit
Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, Sunduesit të Ditës së Gjykimit. Zotin e Madhërishëm e lavdërojmë, i Cili e ka bërë lavdërimin ndaj Tij fillimin e sekreteve të Tij dhe përfundim të dispozitave dhe fateve, caktimeve të Tij.
“ Lavdërimet janë për Zotin, i Cili e ka thënë atë duke ua mësuar robërve të Tij, kështu që ia dolën ta lavdërojnë Atë.”
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, bëri Kuranin provën e Tij më të madhe dhe rrugën e qartë drejt Tij.
Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij. Zoti i tij e mbështeti atë me Librin e Tij të qartë, me Kuran, mrekullitë e të cilit ishin të dukshme dhe shenjat e të cilit mahnitën krijimin. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, përmes të cilëve u ndihmua rruga e vërtetë dhe flamuri i saj, lutjet më të mira dhe përshëndetjet më të pastra mbi ata, mbi tabiinët dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira deri në Ditën e Kijametit.
Në vijim
Adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahut, sepse frika ndaj Tij, devotshmëria, është fenari më i mirë, kriteri dhe masa më e madhe. “Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.”( EL-Huxhurat 13)
Zoti ju mëshiroftë! Dijeni se fjala më e mirë është Libri i Zotit, Kurani, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, gjërat më të këqija janë bidatet, risitë e tyre, dhe çdo risi është devijim.
O besimtarë! Zoti i ka dhuruar bekimet e Tij mbi robërit e Tij me Librin e Tij fisnik, Kuran. Libër të cilit nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Kjo është Shpallje prej një të Urti që meriton të gjitha lavdet, që na e ka sjellë më i miri i njerëzimit, Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, për të na udhëzuar drejt mirësisë, dhe mirësia është më e madhe.
Ai është burimi i ëmbël që nuk thahet, shteron kurrë, nuk ndotet asnjë herë, kurrë, thesar i bollshëm, shpenzimi i të cilit vetëm sa rrit cilësinë dhe bollëkun e tij, përsëritja e recitimit të tij nuk sjell gjë tjetër veçse ëmbëlsi dhe kënaqësi. Megjithatë, thesaret e tij u jepen vetëm atyre që i drejtohen me zemër, e dëgjojnë me vëmendje të plotë dhe dëshmojnë.
O ju bartës, njohës, të Kuranit! Lexono, ngrituni në qiell dhe recitoni, sepse ju je besimtarë të Zotit, hyjnorë, kënaquni me Kuranin e jo me botën e dëshirave, pastaj kërkoni ndihmë nga Krijuesi më i Mëshirshëm.
O adhurues të Zotit! I lumtur është ai që ia kushton vëmendjen atij, Kuranit, ia kushton mendimet, meditimin dhe vendosmërinë e tij atij. I suksesshëm është ai që Zoti e ka mundësuar ta meditojë atë dhe e ka zgjedhur ta kujtojë dhe ta mbajë mend, përmendësh, atë. Ai pi prej tij në kopshte dhe merr prej tij në pellgje.
“Më i lagësht mbi mëlçi sesa pika e vesës, dhe më i ëmbël në qepalla sesa gjumi i thellë.”
O muslimanë! Në këtë epokë, e cila është plot me konflikte materiale dhe shoqërore, me fenomene të ndryshme sjelljeje dhe morale, si dhe me koncepte të devijuara në lidhje me sheriatin, ligjin hyjnor, është e nevojshme t’i drejtohemi udhëzimit dhe moralit të Kuranit. Ai përmban të vërtetat e edukimit të virtytshëm dhe themelet e qytetërimit të përjetshëm. Prandaj, suneti dhe udhëzimi i të dërguarit të Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte që i këshillonte shpesh njerëzit me Kuran. Në të vërtetë, ai shpesh u drejtohej njerëzve me të. “Prandaj këshillo me Kuranin këdo që ka frikë paralajmërimin Tim!” (Kaf 45) “O njerëz! Ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.” (Junus 57) Zoti është më i Madhi!
“Zoti është më i madhi, feja e Muhamedit dhe libri i Tij janë më të fortat dhe më të saktat shprehje.
Dielli i udhërrëfimit shkëlqeu përmes tij për njerëzimin, por përshkrimi i madhështisë refuzoi të perëndonte.”
Vëllezër në Islam! Kjo është një pauzë me suren më të madhe në Kuran, sure që muslimani e përsërit vetëm në namazet e obliguara shtatëmbëdhjetë herë, dhe lutja e tij nuk pranohet pa të. Allahu e hapi Librin e Tij fisnik me këtë sure, e cila është Nëna e Kuranit, Sebul Methanie, e përsëritur shtatë herë, dhe e Kurani i Madh. Ajo është sureja Fatiha, sureja më e madhe në Kuran, sikurse është saktësuar dhe nga i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, nga hadithet e Ebi Said Ibn El Muala, Zoti qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i ka thënë atij: “ Do të të mësoj një sure që është sureja më madhështore në Kuran, para se të dalësh nga xhamia.” Pastaj ka thënë: “ Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve, këto janë Sebul Methanie shtatë ajetet që përsëriten shpesh dhe Kurani i madhërishëm që më është dhënë.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu.
Ndërsa Muslimi transmeton hadith nga Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, ku tregon se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Hapja e Librit, Fatihaja, dhe ajetet e fundit të sures Bekare, për çdo shkronjë që lexon prej tyre do të të jepet, shpërblehesh.” “Përgëzo me dy dritat që të janë dhënë, të cilat nuk i janë dhënë asnjë profeti para teje.”
Ndërsa në Musnedin e Imam Ahmedit, me zinxhir trasmetimi të saktë, nga hadithet e Ebu Hurejres, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush fal një namaz në të cilin nuk e reciton Nënën e Kuranit, Fatihanë, atëherë ai, namazi është i mangët, është i mangët.” Ai herën e tretë ka thënë: “ Nuk është i plotë.”
Ajo është sureja e namazit, sikurse Zoti i Plotëfuqishëm në hadith Kud’si të saktë ka thënë: “ E kam ndarë namazin ndërmjet Meje dhe robit Tim në dy pjesë, dhe ai (robi) do ta fitojë atë për të cilën është lutur. Kur robi thotë: “El hamdu lil-lahi rabbil alemin”,( Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve, ), Zoti thotë: “Robi Im më lavdëroi.” Kur robi thotë: “Er-rahmanir-rahim” (të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit,), Zoti thotë: “Robi Im më lartësoi.” Kur robi thotë: “Maliki jeumid-din.” (Sunduesit të Ditës së Gjykimit.), Zoti thotë: “Robi Im më nderoi.” Kur robi thotë: “ Ijjake na’budu we ijjake nesta’in”, (Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë. )Zoti thotë: “Kjo është ndërmjet Meje dhe robit Tim dhe robit i takon ajo të cilën e kërkon.” Kur robi thotë: “Ihdinas-siratal mustekim, (Udhëzona në rrugën e drejtë!) siratal ledhine en amte alejhim, (Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi), gajril magdubi alejhim we led-dalin.” (e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!), Zoti thotë: “Kjo është për robin Tim, dhe ai do ta ketë atë që e ka kërkuar.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.
Umeti musliman! Surja Fatiha ka përmbledhur kërkesat më të rëndësishme dhe të larta, dhe asnjë sure tjetër nuk mund ta zëvendësojë atë. Kjo është arsyeja pse Zoti i Lartësuar, nuk ka shpallur asnjë sure të ngjashme me të në Teurat, Ungjill apo Zebur. Ajo mblodhi parimet e Kuranit, themelet e monoteizmit, besimit në Një Zot, dhe koleksionin, bashkimin e lutjeve. Ajo është kurë dhe shërim, siç është vërtetuar nga i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në hadithin e Ebu Said El Hudriut, Zoti qoftë i kënaqur me të: “ Nga e dije se ajo (Fatihaja) është rukje (shërben për të kuruar)?!” Dijetari i njohur, Ibn El Kajjimi, Zoti e mëshiroftë, ka shpjeguar me hollësi vlerat, udhëzimin dhe statusin e saj, përfshirjen e monoteizmit, parimeve, themeleve dhe objektivave të fesë, lavdërimin, rekomandimin dhe lutjen.
Vëllezër në besim! Surja Fatiha fillon me lavdërim për Allahun, më të Lartin, me lavdërimin dhe mirënjohjen e plotë ndaj Tij, me falënderimin e sinqertë për Zotin e Lartësuar, dhe me pranimin e bekimeve dhe udhëzimit të Tij. Askush nuk e do lavdërimin më shumë se Allahu, prandaj, Ai e lavdëroi Veten dhe Zoti i Lartësuar e bëri lavdërimin pjesë të lavdërimit dhe mburrjes së banorëve të Xhenetit për Të. “Ata do të thonë: “Lavdi Allahut, që përmbushi premtimin e Vet…” (Ez-Zumer 74) “Pastaj do të thonë: “Lavdi Allahut, i Cili e ka larguar hidhërimin nga ne.”(El-Fatir 34) Sikurse bëri lutjen më të mirë dhe të fundit të tyre: “Lutja e tyre aty do të jetë “Qofsh i lavdëruar, o Zot!”. Përshëndetja e tyre do të jetë selami dhe lutja e tyre e fundit do të jetë: “Falënderuar qoftë Allahu, Zoti i botëve!”(Junus 10) Surja fillon me lavdërim dhe falënderim, pastaj përfshin lutje drejtuar Zotit përmes emrave dhe cilësive të Tij: Zoti i Botëve, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti, Sunduesi i Ditës së Gjykimit, pastaj lutje drejtuar Allahut duke e veçuar Atë në adhurim. “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.”(El-Fatiha 5) Pastaj vjen lutja drejtuar Zotit të Madhërishëm Tij, me kërkesat më të rëndësishme dhe dëshirat më të suksesshme, që është udhëzimi: “Udhëzona në rrugën e drejtë!” (El-Fatiha 6) Pastaj besnikëri, besim dhe pafajësi: “Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!”(El-Fatiha 7)
Kjo Sure na mësoi lutjen, lavdërimin, mirënjohjen, ndërmjetësimin, nënshtrimin, besnikërinë dhe pafajësinë.Ajo gjithashtu përfshinë etiketën e lutjes, konfirmimin e atributeve të bukurisë dhe madhështisë, nënshtrimin dhe kërkimin e ndihmës vetëm nga Allahu, Zoti i Botëve, i Vetëm e i pa shok.
Sa shumë nevojë ka umeti të meditojë mbi udhëzimin dhe objektivat e Librit të Zotit të tij, Kuranit, në një kohë në të cilën janë përhapur fatkeqësitë, janë të shumta sprovat, dhe disa janë devijuar nga rruga e drejtë e Allahut, me valë dyshimi dhe ateizmi, forma të ndryshme politeizmi, bidate, herezi dhe shkelje, me sulme ndaj statusit të profetëve dhe të dërguarve, me shpifje ndaj sahabëve dhe familjeve të tyre fisnike, dhe me zgjerim të humnerës së mosmarrëveshjeve, ndërsa ata e përsërisin këtë sure disa herë. Tek Allahu kërkojmë ndihmë.
I lutemi Allahut të na udhëzojë në rrugën e Tij të drejtë, të na bëjë ndër njerëzit që: “ Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.”, dhe të na kursejë, ruajë nga rruga e atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur. Ai është vërtet Bujar dhe i Mëshirshëm.
Zoti na begatoftë të gjithëve në dy shpalljet, në Kuranin Famëlartë dhe në synet, na bëftë dobi me udhëzimin e zotërisë së dy botëve.
Zotit të Madhërishëm i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, Zotit kërkoni falje dhe tek Ai pendohuni, me të vërtetë Ai është i Duruar dhe Falës i Madh.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, Mbrojtësi injerëzve të devotshëm. Zotin e Madhërishëm e lavdërojmë me lavdërime të pafundme dhe të papërcaktuara.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok.
Dëshmoj se i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij, modeli dhe shembulli për të pastërtit, lutje dhe përshëndetje, për familjen e tij të pastër e të bekuar, për shokët e tij të drejtë, për tabi’inët dhe ata që i pasojnë në vepra të mira deri në Ditën e Kijametit.
Në vijim
Adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin, ruhuni nga kryerja e veprave të këqija dhe të dëmshme, përpiquni për gjithçka që është e mirë dhe e dobishme, me lejen e Zotit do të arrini pozitat dhe gradët më të larta.
O besimtarë! Brezat dhe shoqëritë duhet të rriten me udhëzimin e Kuranit Famëlartë, në fjalë, besim, veprim dhe bindje, nga ana shkencore, morale dhe shoqërore, sepse ai është çelësi për ruajtjen e identitetit Islam dhe fortesë e fortë kundër infiltrimit të atyre që janë me ide shkatërruese në tokat krenare të muslimanëve. Kështu, umeti do të nderohet, do përparojë dhe do të arrijë nivelin më të lartë të lavdisë. Ekziston një nevojë e madhe për udhëzimin e Kuranit, veçanërisht në këtë epokë të vështirë, kur bota sot po përjeton trazira dhe shqetësime, po përballet me shumë trazira dhe probleme. Libri i Zotit është ndërmjetësi më i besueshëm, burimi më i pasur, dhënësi më bujar dhe më i dhembshur, shoqëruesi më i mirë, biseda me të cilin nuk të lodhën kurrë dhe përsëritja e të cilit vetëm se rritën bukurinë e lexuesit të tij.
Ne e kemi për detyrë që të pimë dhe të shuajmë etjen tonë nga burimi i tij, në mënyrë që të arrijmë lumturinë në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret. “Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh.”(El-Isra’ 9)
O hafiz, që e ka mësuar përmendësh, Kuranin! Ji i kënaqur me mësimin përmendësh të tij dhe këmbëngul në të, sepse leximi është një fitore që të fitosh falje dhe mëshirë nga Zoti. E kush tjetër përveç Zotit të njerëzve është më i mëshirshëm për njerëzit?
Zoti ju mëshiroftë! Lutuni dhe përshëndeteni me selam të dërguarin tuaj fisnik, sikurse ju ka urdhërua me këtë Zoti juaj, Zoti i botëve, Allahu i Lartësuar, e Ai është që thotë të vërtetën, ka thënë: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
“Dyfishoni lutjet dhe përshëndetjet për të dërguarin tuaj të zgjedhur, ndërmjetësuesin më të mirë, për të përgjedhurin që të udhëzoi, Muhamedin, për familjarët dhe shokët e tij, pastaj për tabi’inët.”
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje të dërguarin tonë Muhamedin, familjarët e tij të mirë dhe të pastër, shokët e tij, të parët e të mirëve, pasuesit e tij të parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, të gjithë shokët e tij, tabiinët dhe ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën e Kijametit, dhe ne së bashku me ata, me Mirësinë, Mëshirën dhe Bujarinë Tënde, o më i Madhi Bujar.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, dhe mbro pasuesit e fesë. O Zot, bëje këtë vend të paqtë, të sigurtë, të qetë dhe me stabilitet, dhe të gjitha vendeve muslimanëve.
O Zot, na jep siguri në vendet tona, jepu sukses udhëheqësve dhe kujdestarëve të çështjeve tona. O Zot, mbështet me të vërtetën, në udhëzim, në ndihmë dhe në të drejtë udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona. O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, dhe zëvendësit të fronit të tij, në atë që është lartësimi i Islamit dhe përmirësimi i muslimanëve, dhe në atë që është e mirë dhe e dobishme për vendin dhe për popullin.
O Zot, jepu sukses të gjithë kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve.
O Zot, jepu sukses njerëzve të sigurisë tonë dhe atyre që janë të vendosur dhe vigjilojnë në kufijtë tanë. O Zot, largo nga ne kurthet e atyre që thurin kurthe, zilinë e ziliqarëve, mashtrimin e mashtruesve dhe sulmet e armiqve, o Zoti i botëve.
O Zot, jepu vëllezërve tanë në Palestinë siguri, mbrojtje, stabilitet, qetësi dhe paqe, dhe ruaj xhaminë Aksa.
O Zot, ruaj xhaminë Aksa të nderuar dhe krenare deri në ditën e Kijametit.
O Zot, na furnizo me shi. O Allah, Ti je Zoti, s’ka Zot tjetër përveç Teje, Ti je i pasur, nuk ke nevojë për diçka, ndërsa ne jemi të varfër, kemi nevojë për Ty, zbrit mbi ne shi dhe mos na bëj nga të dëshpëruarit. O Zot, na dhuro shi mëshire, jo shi mundimi, shkatërrimi apo përmbytjeje.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)
“…dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 128)
O Zot, na fal ne, prindërit tanë, prindërit e prindërve tanë, të gjithë muslimanët dhe muslimanet, të gjallët prej tyre dhe ata që kanë ndërruar jetë, me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon, je afër, ju përgjigjesh lutjeve.
“I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Saffat 180)
Afrim Smakaj