Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa 30-05-1447 H 21-11-2025 D
Shejh Urvetu Ikrime Sabri
Tema Fundi i të padrejtëve dhe fitorja e të shtypurve
Vërtetë lavdërimi i takon Zotit. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Zoti ai është i udhëzuar, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.
Zotin e lavdërojmë për mirësinë e Islamit, feja e mëshirës, e drejtësisë, e së vërtetës dhe e ndershmërisë.
Lavdërimet janë për Zotin që dërgoi tek ne më të mirin e njerëzimit, Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, sundimtarin me drejtësi, i cili ka thënë: “ Padrejtësia do të jetë errësirë në Ditën e Gjykimit.”
“Mos u sill me padrejtësi nëse mundesh, padrejtësia me ndikimin e saj të shpie në keqardhje.
Sytë e tu flenë, por i padrejti është zgjuar, duke u lutur kundër teje, e syri i Zotit nuk fle kurrë.”
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Atij i takon pushteti dhe lavdia, Ai është i fuqishëm për të bër çdo gjë.
Dëshmoj se Muhamedi është i dërguari i Zotit, udhëheqësi i njerëzve të devotshëm, model për dijetarët aktiv, punëtorë, dhe shembull i predikuesve të sinqertë deri në Ditën e Kijametit.
O Zot, fale dhe mëshiroje zotërinë tonë, Muhamedin, sa numri i krijesave Tua, sa të kënaqesh Ti Vetë, sa pesha e Arshit Tënd dhe sa boja e fjalëve Tua. O Zot, fale dhe mëshiroje atë në këtë botë, fale dhe mëshiroje atë në botën Tjetër, fale dhe mëshiroje atë në tubimin e lartë deri në Ditën e Gjykimit.
“ Zoti e ngriti emrin e tij në minare me Emrin e Tij, duke nxitur kështu dashuri të madhe në zemra.
Zoti urdhëroi besimtarët me fjalën e Tij: “Lutuni dhe dërgoni përshëndetje të bollshme për atë.”
“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)
“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e nga ai krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej atyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”(En-Nisa’ 1)
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab 70-71)
Në vijim
Zoti i Lartësuar dhe Fuqiplotë në librin e Tij, Kuranin Famëlartë, thotë: “Dhe mos anoni nga ata që bëjnë të këqija, përndryshe do t’ju përcëllojë Zjarri. Ju nuk do të keni mbrojtës tjetër përveç Allahut dhe nuk do të ndihmoheni.” (Hud 113)
Adhurues të Zotit! Zoti i Plotfuqishëm krijoi universin, ku deshi që drejtësia të mbizotëronte në të dhe që peshorja e cila qeverisën njerëzit të ishte i drejtë. Bazuar në këtë, Zoti e ka ndaluar padrejtësinë dhe e ka ndaluar atë me forcë, por se e ka ndaluar dhe për Veten e Tij. Nga i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, transmeton se Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ O robërit e Mi, Unë e kam ndaluar padrejtësinë për Veten Time dhe e kam bërë atë të ndaluar në mes jush, prandaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit.”
O ju muslimanë! Zoti i Plotfuqishëm i ka paralajmëruar të padrejtët me dënim në këtë botë dhe me ndëshkim të rëndë në botën Tjetër, Ahiret. Kjo ishte një ligjshmëri hyjnor në shkatërrimin e popujve të mëparshëm, siç ishin populli i Adit, Themudit dhe Faraonit. Këta popuj, përveç mosbesimit dhe idhujtarisë së tyre, ishin popuj të padrejtë, shtypës, ku të fuqishmit prej tyre sundonin mbi të dobëtit e tyre. Ata konsumuar pasurinë e tyre dhe vrisnin të pafajshmit prej tyre pa asnjë të drejtë. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “Me të vërtetë që Faraoni madhështohej në Tokë dhe banorët e saj i kishte përçarë në grupe; disa prej tyre i përndiqte, ua vriste fëmijët meshkuj, ndërsa femrat ua linte gjallë. Ai ka qenë vërtet keqbërës.” (El-Kasas 4) Sikurse ka thënë gjithashtu: “ Por Ne e kapëm atë dhe ushtrinë e tij dhe i hodhëm në det. Shiko se cili ishte fundi i keqbërësve!”(El-Kasas 40)
Zoti i Plotfuqishëm ka caktuar që gjurmët e këtyre popujve të mbeten dëshmi kundër tyre, për të shërbyer si mësim për popujt e tjera, ku gurët e qytetërimit të tyre ishin aq të fortë, sa forca e zemrave të tyre, për tu kujtuar atyre që kanë një zemër të gjallë që pulson me besim: Si do të jetë fati i tiranëve shtypës, të padrejtë? Zoti i Plotëfuqishëm për Faraonin thotë: “ Sot do të shpëtojmë vetëm trupin tënd, që të bëhesh mësim për ata që vijnë pas teje”. Por, në të vërtetë, shumica e njerëzve nuk ua vënë veshin shenjave Tona.”(Junus 92)
Adhurues të Zotit! Zoti i Plotfuqishëm ka garantuar se do t’u përgjigjet lutjeve të të shtypurve, duke u dhënë atyre fitoren në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret, sepse Zoti i Plotfuqishëm nuk e pranon padrejtësinë, dhe nëse përgjigjja e lutjes vonohet në këtë botë, kjo është një formë e dhënies afat. I dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Zoti i Plotfuqishëm i jep afat shtypësit, të padrejtit, por kur e kap atë, Ai nuk e lë atë më.” Pastaj ka lexuar fjalët e Zotit të Plotfuqishëm që thotë: “ I tillë është dënimi i Zotit tënd, kur ndëshkon vendbanimet që bënin gjynahe. Me të vërtetë, dënimi i Tij është i dhembshëm dhe i ashpër.” (Hud 102)
Ndërsa në botën Tjetër, Ahiret, ku mbretëron drejtësia absolute, çdo njeri që ka një të drejtë do të marrë atë në mënyrë të pashmangshme. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Tre vetave, përsonave nuk ju refuzohet, kthehet lutja: Agjëruesit derisa të hajë iftarin, sundimtarit të drejtë dhe lutja e të shtypurve, atyre që u është bërë padrejtësi. Zoti e ngre lutjen e tyre mbi re, hap për ta portat e qiellit, dhe Zoti thotë: Me fuqinë Time, Unë me siguri do t’ju ndihmoj dhe nëse pas një kohe.” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në këshillën që i ka dhënë Muadh Ibn Xhebeliti ka thënë: “ Bëj kujdes nga lutja e të shtypurit, atij që i është bërë padrejtësi, sepse midis tij dhe Zotit nuk ka pengesë.” Ndërsa Ebu Derda’ ka thënë: “ Ruaju nga lotët e jetimit dhe nga lutja e të shtypurit, atij që i është bërë padrejtësi, sepse ato udhëtojnë natën ndërsa njerëzit flenë.”
O ju muslimanë! Është detyrë e umetit, popullit musliman në çdo kohë dhe vend që të largojë padrejtësinë nga shtypurit dhe nuk lejohet që t’i lëmë të shtypurit vetëm pa ndihmë. Por se, ajo që kërkohet është që shtypësi, i padrejti, të parandalohet nga shtypja që ai bën sa më shumë që të jetë e mundur. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Mbështet, ndihmo vëllain tënd, qoftë shtypës apo i shtypur.” Një burrë ka thënë: “ O i dërguari i Zotit, e mbështes, ndihmoj atë të shtypurin, që i është bërë padrejtësi, por shtypësin, të padrejtin si ta ndihmoj, mbështes?” I dërguari ka thënë: “ Frenojeni atë, ose parandalojeni nga padrejtësia, sepse kjo është ndihma ndaj tij.”
Për të larguar padrejtësinë nga njerëzit në lidhje me mosmarrëveshjet midis tyre, vendimet e gjyqësorit në Islam u ligjëruan për të zgjidhur këto mosmarrëveshje. Sistemi gjyqësor gjatë gjithë historisë së tij të gjatë është dalluar për integritet dhe transparencë, dhe për refuzimin e ndërhyrjes nga çdo palë. Por se kalifet dhe princat i nënshtroheshin vendimeve të gjyqësorit dhe uleshin në sallën e gjykatës siç uleshin njerëzit e zakonshëm. Kështu, ata udhëhoqën popullin me drejtësinë dhe përulësinë e tyre.
Adhurues të Zotit! Në të njëjtën kohë muslimanit nuk i lejohet ta ndihmojë shtypësin në shtypjen e tij. Në të vërtetë, heshtja ndaj shtypjes, në vetvete, dhe mosveprimi është ndihmë për shtypësin. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Muslimani është vëllai i muslimanit, nuk i bën padrejtësi dhe nuk e braktis atë.” Le ta dinë ata që i ndihmojnë shtypësit, të padrejtës, se do ta mbajnë gjynahin e tyre dhe se nuk do të justifikohen dot me asnjë gjë. Sepse dëmtimi i muslimanëve nuk justifikohet në asnjë rrethanë dhe është rrugë për keqardhje, nga se shtypësi do t’i mohojë mbështetësit dhe ndjekësit e tij në Ditën e Ringjalljes. Zoti i Plotfuqishëm thotë: “Ah, sikur ta shihnin çastin kur të adhuruarit do t’i braktisin adhuruesit e tyre, kur të gjithë do të shohin dënimin e midis tyre do të këputet çdo lidhje. Atëherë adhuruesit do të thonë: “Ah, sikur të ktheheshim edhe një herë (në jetën e Tokës) e t’i braktisnim ata, ashtu siç na braktisën ne!” Kështu, Allahu do t’ua tregojë veprat e tyre si burim hidhërimi për ta dhe ata s’kanë për të dalë kurrë nga zjarri.”(El-Bekare 166-167)
O ju muslimanë! Padrejtësia merr shumë forma në jetën reale. Prej tyre është të bërit shok, partner, Zotit të Lartësuarin, në adhurim, dhe përvetësimi i ideve që bien ndesh me doktrinën Islame, me vendimet e sheriatit, legjislacionit Islam, dhe me arsyetimin e shëndoshë. Kur ka zbritur fjala e Tij, Zotit të Madhërishëm: “ Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.”(El-En’am 82) Kjo i shqetësoi shokët e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe thanë: “ Cili nga ne nuk i ka bërë padrejtësi vetes?!” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, u tha: “ Nuk është ashtu siç ju mendoni, por është ashtu siç Lukmani i tha të birit: ““O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe.”(Lukman 13)
Adhurues të Zotit! Nga padrejtësia është të gjykosh me ligje të tjera veç ligjit Islam në jetën e njerëzve dhe të zgjedhësh ligje të krijuara nga njeriu që janë në kundërshtim dhe bien ndesh me vendimet Islame dhe me tekstet burimore. Zoti i Plotfuqishëm thotë: “ Kushdo që nuk gjykon sipas asaj që ka zbritur Allahu, ai është shkelës i vërtetë.” (El-Ma’ide 45)
Nga padrejtësia gjithashtu është refuzimi i gjykimit të Zotit të Plotfuqishëm, sepse muslimanit i kërkohet t’i përmbahet sheriatit, legjislacionit të Islamit dhe të jetë i kënaqur me vendimet e tij, e kjo është një nga shenjat e besimit. “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht.” (En-Nisa’ 65)
O ju muslimanë! Nga format e padrejtësisë janë disa praktika në nivelin e punës administrative në institucione, ku ekzistojnë udhëzime dhe rregullore që nuk marrin parasysh interesat e njerëzve, duke u shkaktuar atyre siklet dhe shqetësim. Sikurse kapriçioziteti dhe selektiviteti në zbatim përfaqësojnë një padrejtësi të qartë ndaj nëpunësve dhe punëtorëve.
Nga padrejtësija gjithashtu është shkelja dhe mohimi i të drejtave të punëtorëve, dhe mospagimi i pagave të tyre nga disa punëdhënës, prej ndërtuesve dhe të tjerë,duke shfrytëzuar nevojën dhe dobësinë e tyre. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: Janë tre individë, përsona, me të cilët do të jem kundërshtar në Ditën e Gjykimit: Një njeri që më ka dhënë fjalën Mua dhe pastaj tradhtoi.” Do të thotë; Kush jep fjalën në emër të Zotit e pastaj nuk i përmbahet asaj që ka premtuar. “Një njeri që shet një njeri të lirë dhe konsumoi, ha çmimin e tij.” Dhe dëgjoni, o pronarë biznesesh: “ Një njeri që punësoi një punëtor, mori përfitimin e plotë të punës së tij, por nuk ia pagoi rrogën, hakun.”
O ju muslimanë! Nga padrejtësia është që të mendosh keq për muslimanët kur nuk ka paqartësi dhe nuk ka dyshime. Muslimani është përgjegjës për pastërtinë e zemrës së tij. Ai ka mendim të mirë për vëllezërit e tij besimtarët dhe nuk lejon pëshpëritjet e shejtanit të depërtojnë në zemrën dhe mendjen e tij. Sikurse atij nuk i lejohet që të dyshojë tek ata i nxitur nga propaganda të njëanshme dhe të dyshimta. Tek muslimanët duhet të mendohet vetëm se e mira. “O ju që keni besuar! Largoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah.” (El-Huxhurat 12)
Zoti na bëftë dobi të gjithëve me Kuranin Fisnik, me ajetet dhe me përkujtimet e urta që ai përmban. Tek Zoti kërkoni falje me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Allahun, Zotin e botëve, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dërguarin e besueshëm të Allahut, mbi të gjithë familjarët dhe shokët e tij, dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira deri në Ditën e Kijametit.
Në vijim
Vërtetë nga shfaqjet e padrejtësisë është padrejtësia sociale, shoqërore, e cila përfaqësohet nga padrejtësia e muslimanëve ndaj njëri-tjetrit, veçanërisht në mesin e fëmijëve të së njëjtës familje, madje edhe të së njëjtës shtëpi. Nga format e padrejtësisë është ajo me të cilën përballen disa gra në aspektin e dëmtimit fizik, verbal dhe psikologjik nga burrat e tyre, duke kundërshtuar me këtë udhëzimin e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kur ai ka thënë, duke i drejtuar umetit, popullit të tij: “Më i miri prej jush është ai i cili është më i miri për familjen e tij, e unë jam më i miri prej jush për familjen time.”
Ajo që bie në sy gjatë periudhës së mëparshme është rritja e rasteve të divorcit. Kur shqyrtojmë arsyet, i gjejmë ato si arsye banale, ku pas shumicës prej tyre qëndrojnë familjet e bashkëshortëve, të cilët supozohet të jenë valvula sigurie për mbijetesën dhe stabilitetin e familjeve. Por për fat të keq, pozicioni i tyre është nxitje në divorc dhe shkaktarë në thyerjen e zemrave të bijve dhe bijave të tyre padrejtësisht dhe armiqësisht, pa marrë parasysh interesat e tyre.
Nga padrejtësi është që të trajtohen mosmarrëveshjet bashkëshortore jashtë kuadrit të sheriatit, ligjit Islam dhe shoqërorë, duke iu drejtuar gjykatave jomuslimane ose shoqatave të grave të cilat derdhin vajin e keqdashjes së tyre mbi zjarrin e mosmarrëveshjeve familjare, duke rritur kështu kompleksitetin e tyre në vend që t’i zgjidhin ato.
O ju muslimanë! Vërtetë nga padrejtësia është që babai të bëjë dallime midis bijve dhe bijave të tij, veçanërisht në dhurim dhe në marrjen e disa vendimeve të caktuara financiare për t’i privuar bijat ose disa nga bijtë e tij nga trashëgimija. Kjo shkakton pakënaqësi dhe urrejtje midis anëtarëve të së njëjtës familje. Sapo vdes babai shfaqen mosmarrëveshje dhe ndonjëherë sulme midis anëtarëve të së njëjtës familje, të shoqëruara këto dhe me abuzime verbale. Prandaj, është obligim që babai të shmangë çdo gjë që e shkakton këtë. Zoti e mëshiroftë atë baba që e ndihmon fëmijën e tij që të jetë i bindur ndaj tij.
Nga padrejtësitë është ajo që ka përjetuar qyteti i Kudsit nga sulmet e ndërsjella në mes të anëtarëve të familjeve nën pretekstin e hakmarrjes, nga djegija e shtëpive dhe pronave të njerëzve të pafajshëm, zhvendosjen e njerëzve nga shtëpitë e tyre dhe përhapjen e panikut dhe frikës që nuk bënte dallim në mes të rinjve, të vegjëlve, dhe të mëdhenjëve.
O Zot, na udhëzo, na mbro nga padrejtësitë, ato që janë shfaqur dhe ato të fshehurat. O Zot, nata e të padrejtëve ka qenë e gjatë, prandaj urdhëro për lehtësim dhe agim të afërt.
O Zot, mëshiro të dobëtit dhe të shtypurit kudo që janë dhe largo prej tyre vuajtjet o Zot i botëve.
O Zot, zbrit mbi ne shi dhe mos na bëj prej të dëshpëruarve.
O Zot, bëj të dashur për ne besimin dhe zbukuroje atë në zemrat tona, bëj të urryer për ne mosbesimin, imoralitetin dhe mosbindjen. O Zot, prano nga ne veprat tona dhe na jep sinqeritet në fjalë dhe në vepra.
O Zot, shëro zemrat tona të thyera, mëshiro dobësinë tonë, largo pikëllimin tonë dhe lehtëso shqetësimin tonë.
O Zot, mbro për ne xhaminë e bekuar të Aksasë nga çdo e keqe, bëje atë të mbushur me Islam dhe musliman.
O Zot, na jep nga bindja Jote atë që do të na çojë në Xhenetin Tënd, nga frika ndaj Teje atë që do të qëndrojmë në mes nesh dhe mosbindjes ndaj Teje, dhe nga bindja atë që do t’i bëjë fatkeqësitë e kësaj bote të lehta për ne. O Zot, na bëj të shijojmë nga dëgjimi dhe shikimi ynë përgjithmonë, sa kohë që na mban gjallë, dhe na jep trashëgimtarë nga ne.
O Zot, na mëshiro, sepse Ti je i Mëshirshëm me ne. Mos na ndëshko, sepse Ti je i Mundshëm ta bësh këtë. Ji i Butë me ne në lidhje me atë që ke përcaktuar për ne.
Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju.
Falënderojeni për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.
Lutja jonë e fundit është: Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve. Fto për namazin, Zoti të mëshiroftë.
Afrim Smakaj