Urtësia në sprova dhe këshilla për durim dhe vendosmëri

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa      18-11-1446H   16-05-2025 D

Shejh  Halid  Ebu  Xhumua 

Tema    Urtësia në sprova dhe këshilla për durim dhe vendosmëri

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili është i Shenjtëruar në Veten, në cilësitë dhe n; bukurinë e Tij, është i Lartësuar në Madhështinë dhe në Lavdinë e Tij, i Lartësuar është Ai në Krenari dhe në Përsosmëri. Allahun e Madhërishëm e lavdëroj, ka krijuar krijesat kështu që nuk ka asnjë mangësi ose sëmundje në to. Për Ty janë lavdërimet Zoti ynë, lavdërime të mira, të bekuara dhe largë syfaqësisë. Sunduesi ynë për Ty janë lavdërimet, tek Ti mbështetemi, lavdërimet janë për Ty,  lavdërimet, falënderimet dhe madhërimet  më të larta, lavdërimet më të çmuara, më të pastra dhe më të mirat që mund të jenë.

O Zot, të lavdëroj Ty me lavdërimet e falënderuesve, me lavdërimet e nevojtarëve. Të lavdëroj Ty, o Zot, me lavdërimet e të bindurve, besojnë në forcën Tënde, të atyre që janë të sigurtë për shoqërinë Tënde, lavdërimin e atij që është mbështetur tek Ti e ju zbukura jeta e tij në këtë botë dhe ditët e tij.

O Zot, të lavdëroj Ty me lavdërimin e atij që është i sigurt për afrimin e lajmeve të mira dhe përmbushjen e shpresave, lavdërimin e atij që nuk njeh askënd përveç Teje, atij që nuk pyet, kërkon nga askush tjetër përveç Teje dhe atij që nuk shpreson tek dikush tjetër përveç se nga Ti. O Zot, Ty të takon lavdërimi siç i takon madhështisë së fytyrës Tënde të Madhe dhe Pushtetit Tënd.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Zoti Një e i Vetëm, Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai nuk ka zgjedhur as bashkëshorte, as bir, fëmijë. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë! Dëshmi që zemrat e dëshirojnë me dashuri dhe lutje, dhe para të cilës balli përkulet me nënshtrim dhe bindje.

Dëshmoj se i dërguari, i dashuri dhe zotëria ynë, Muhamedi, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, më i miri nga ata që e kanë madhëruar Allahun me fjalë dhe me vepra. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjarët e tij të afër, sa kohë që vlera është e bollshme midis tyre, dhe mbi shokët e tij, ata që mbrojtën Islamin me mbrojtjen e heronjëve, mbi tabi’inët dhe mbi ata që i ndjekin ata në vepra të mira për sa kohë që dritat ndjekin njëra-tjetrën, për ata dërgojmë lutje dhe përshëndetje të paqta,  të bekuara dhe të vazhdueshme.

Në vijim

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahut, binduni Atij dhe mos e kundërshtoni Atë. E kush dëshiron, paqen, stabilitetin dhe fitoren, triumfin përball armikut të tij, hapur dhe në fshehtësi le ta ndihmojë Allahun e Madhërishëm përmes bindjes ndaj Tij, me veprimin, zbatimin e urdhrave të Tij dhe me shmangijen nga ato që Ai ka ndaluar. Ky është kushti i fuqizimit që Zoti i Plotfuqishëm e ka shpallur për robërit e Tij në Librin e Tij, Kuran, dhe i ka premtuar kujtdo që e përmbush atë se do t’i japë fitore dhe do ta bëjë të qëndrueshëm, dhe se do bëjë mjerimin, vuajtjen dhe humbjen përfundimin e kujtdo që e kundërshton Atë. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ O besimtarë, nëse e ndihmoni Allahun, edhe Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja. Ndërsa ata që nuk besojnë, do të shkatërrohen! Ai do t’ua humbë veprat atyre.” (Muhammed 7-8)

O ju të lidhur me këtë vend! Jetojmë në një kohë kur po përmbysen faktet, po quhen me emra të tjerë dhe po portretizohen në forma të ndryshme që nuk pasqyrojnë aspak natyrën e tyre të vërtetë. Ato janë kthyer mjete në duart e xhelatëve shtypës dhe të padrejtë, për të falsifikuar dhe shtrembëruar të vërtetat dhe faktet.  Mjete në duart e tyre për të justifikuar padrejtësinë, shtypjen, kurther dhe komplotet për veprimet e tyre. Si rezultat i këtyre moraleve të këqija, sjelljeve të turpshme, trajtimit të padrejtë të fakteve dhe ngjarjeve dhe standardeve të dyfishta, në botën e sotme janë shfaqur dualitete të ashpra, bartin një gjë dhe të kundërtën e saj, imazhin dhe të kundërtën e saj, me një frymë agresive të pashembullt në histori.

Këto dualitete të turpshme dhe të padrejta kanë ndihmuar në ndryshimin e fakteve, madje deri në fshehjen e tyre.  Më e rrezikshmja dhe më e përhapura prej tyre është gjuha e barazimit të xhelatit me viktimën, shtypësit me të shtypurin, vrasësit me të vrarin, si dhe dualitete të tjera të panumërta, ndërsa ajo që fshihet është më e madhe dhe më kriminale.

Kjo është dëshmi, argument për shkatërrimin e shumë institucioneve në botë sot. Më e famshmja prej tyre është ajo që në mënyrë të rreme dhe shpifëse njihet, quhet me: “të drejta të njeriut”. Çështja është e dukshme dhe e turpshme, ku turpi dhe shëmtia tani më janë bërë të njohura për të gjithë, të afërm dhe të largët. Ku ka arritur deri në atë pikë sa vetë aroma e erës së saj të keqe ka ofenduar hundër e njerëzve të nderuar.

LEXO  Përmirësimi i umetit është rruga drejt fuqizimit

Nëse dikush i çfarëdo feje vritet diku në çfarë do vendi, ngrihet e gjithë bota mbarë dhe nuk ulet. Media analizon, politikanët denoncojnë dhe dënojnë, institucionet ndërkombëtare qëndrojnë në një këmbë të shqetësuara dhe të trazuar. Ndërsa në vendin tonë këtu në Palestinë, në Kuds, dhe çfarë po ndodh atje, në qytete, fshatra, qyteza dhe kampe, nga zhvendosja dhe shkatërrimi i shtëpive dhe infrastrukturës, vrasja e fëmijëve, grave, të rinjve dhe të moshuarve, shkatërrimi dhe rrënimi që u ndodh shkollave, spitaleve dhe vendeve të adhurimit, që përfshin të gjithë vendin, ku nuk kursehen njerëz e as gurë, nuk tregohet mëshirë për fëmijën e vogël, asnjë respekt për një burrë të moshuar, asnjë dhembshuri për një grua të dobët, të gjitha këto ndodhin para syve dhe veshëve të  botës mbarë, e cila as që lëvizën por qëndron e heshtur.  Nuk ka forcë dhe as fuqi tjetër përveç Zotit. Neve na mjafton Allahu, Ai është Mbrojtës i mrekullueshëm!

Realiteti ynë sot, me të gjitha katastrofat dhe problemet, ua ka bërë të lehtë detyrën regjisorëve të filmave horror dhe fantastiko-shkencorë, të cilët do të na marrin ne materiale të pasura pa asnjë përpjekje apo artificialitet. Është gjithçka e gatshme. Ajo çfarë duhet të bëjnë është të presin disa nga skenat dhe ngjarjet tona dhe t’i ngjisin!

O ju të lidhur me këtë vend! Këtu, besimtarët pyesin, ashtu siç bënin edhe paraardhësit e tyre: Kur do të vijë ndihma e Zotit? Përgjigja vjen drejtpërdrejt dhe shkurt nga Zoti i Plotfuqishëm. “Ja, ndihma e Allahut është afër!” (El-Bekare 214) Dhe pse është tendencë e natyrshme njerëzore pritja e ndihmës dhe të shpejtuarit e lehtësimin,  besimtari e kuron këtë duke pasur mendim të mirë për Zotin, duke kërkuar mençurinë e thellë që fshihet pas sprovave dhe duke medituar mbi qëllimet e mëdha që fshihen pas tyre. Sepse Zoti i Plotfuqishëm është i Gjithëdijshëm dhe i Gjithurtë, asgjë në univers nuk mund të ekzistojë përveçse me urdhrin dhe vendimin e Tij, e Ai Allahu i Plotfuqishëm është më i Urti, më i Dituri dhe më i Mëshirshmi.

Po, Ai është më i mëshirshmi ndaj besimtarëve, nuk cakton për ta asgjë përveç asaj që është më e mira për ta,  Ai nuk i jep fitore armikut të tyre mbi ta. Andaj, nëse dëshironi, lexoni: “ Allahu nuk do t’iu japë kurrë rast mohuesve që t’i shkatërrojnë besimtarët.” (En-Nisa’ 141)

Ditët janë cikle, netët janë të pasigurta, orët janë të ngarkuara, me hidhërim, situata është e afërt, bota ndryshon dhe kushtet përmbysen.

Nga minberi i të dërguari të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, dhe nga xhamia e bekuar e Aksasë, i drejtohemi çdo personi të shqetësuar, të pikëlluar dhe të zemëruar në këtë tokë të bekuar që të mësojë nga modeli dhe i dashuri ynë, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, se si ishte jeta dhe rruga e tij: Durim, nënshtrim dhe pranim. Ajo që ka kaluar nuk mund të zhduket, largohet me trishtim, por me pranim, lavdërim, durim dhe nënshtrim absolut ndaj vullnetit, caktimit të Zotit dhe me besim në caktimin e Tij, të mirën ashtu edhe të keqen.

O ti i sprovuar! Hidh shikimin në të djathtë dhe në të majtë, a shikon tjetër vetëm se të sprovuar?! A shikon diçka tjetër përveç se përsona të vuajtur dhe të goditur?! Në çdo shtëpi ka një vajtues dhe në çdo faqe një lot. Sa të sëmurë shtrihen në shtretërit e tyre, duke u përplasur e rrotulluar, duke rënkuar nga dhimbja dhe duke qarë nga sëmundja për shkak të mungesës së trajtimit dhe ilaçeve? Sa të burgosur kanë kaluar vitet pa ditur asgjë tjetër përveç qelive të tyre të burgut? Sa baballarë kanë humbur fëmijët e tyre të dashur në lulen e jetës dhe rinisë së tyre?

O ju besimtarë, që Njësoni Allahun! Ne e dimë dhe jemi të sigurtë se kjo jetë është burg për besimtarin dhe  Xhenet  për jobesimtarin. Kjo jetë, është shtëpi, vend hidhërimesh dhe fatkeqësish. Pallatet zgjohen të mbushur  me banorët e tyre dhe në mbrëmje, ato ngrysen bosh në fronet e tyre! E shikon familjen të ribashkuar, trupa në shëndet të mirë, pasuri të bollshme dhe shumë fëmijë. Por pastaj, vetëm pas pak ditësh, shikon që vjen varfëria, vdekja, ndarja dhe sëmundja.

O ju të lidhur me këtë vend! Luftërat, grindjet dhe trazirat që i lëndojnë njerëzit dhe ua ngushtojnë gjoksin mund të bëjnë që disa prej tyre të ndiejnë diçka që i ngjan dëshpërimit dhe pashpresës, por në realitet, ato veçojnë radhët, zbulojnë armikun nga miku dhe dallojnë të mirën nga e keqja. Pas kësaj, e mira nuk përzihet me të keqen dhe e vërteta nuk ngatërrohet me të pavërtetën. Përkundrazi, caktimi zbret ngjarje të mëdha, heqën velin nga fytyrat e të ligjëve dhe njerëzit arrijnë ta njohin armikun e tyre të vërtetë. Kjo është një urtësi sublime dhe një mirësi e madhe që Zoti i Plotfuqishëm u ka dhuruar besimtarëve që nga kohët e lashta dhe vazhdon t’ua ripërtërijë atyre herë pas here, në mënyrë që ata të jenë të vetëdijshëm dhe të sigurt për këto çështje. Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ Allahu nuk i lë besimtarët në gjendjen që ndodheni ju, por do ta ndajë të keqin prej të mirit. Allahu nuk do t’ua zbulojë të fshehtën (që vetëm Ai e di), por Allahu zgjedh kë të dojë nga të dërguarit e Tij. Besoni në Allahun dhe në të dërguarit e Tij! Nëse besoni dhe i frikësoheni Allahut, ju do të keni shpërblim të madh.” (Al ‘Imran 179)

LEXO  Muslimani duhet të jetë i angazhuar vetëm me atë që i sjellën dobi

Ajeti Kuranor tregon se ajo që kërkohet nga drejtësia e Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar me gjykimin Hyjnorë dhe të Sovranitetit të Tij mbi univers është që Ai të mos i lërë radhët e besimtarëve të përziera pa i dalluar, veçuar. Me hipokritët që fshihen pas ngjarjeve dhe pretendojnë besimin dhe dashurinë për Islamin, ndërsa zemrat e tyre janë të zbrazëta nga ndjenja e besimit dhe fryma e Islamit. Prandaj, umeti musliman duhet të  jetë i pastër dhe i bashkuar në radhët e tij, në mënyrë që të mund të qëndrojë i bashkuar dhe të dallohet kundër armiqve të tij. Zoti i Plotfuqishëm ka zgjedhur popullin e Palestinës për këtë sprovë dhe kalvar pasi umeti prej një miliard e disa milionë e braktisën atë.

Kështu, na zbulohet se sprovat  nga Zoti janë bekim që u ndodh vetëm atyre për të cilët Zoti dëshiron të mirën. Nëse u ndodh miqve të Tij, u ndodh atyre vetëm për të mirën dhe hirin që Zoti dëshiron për ta. Kjo për shkak të një urtësie të fshehur për ne nga i Gjithëmëshirshmi, i Gjithëdijshmi.

Prandaj, le të kemi frikë Zotin dhe të jemi të sigurt se ligjshmëria e sprovës do të vijë, nëpërmjet të cilës nxirren sekretet e fshehura të zemrave, zbulohen të vërtetat e fshehura të shpirtrave. Përmes tyre nxirret në pah besimi i besimtarëve,  zbulohet mosbesimi i jobesimtarëve dhe hipokrizia e hipokritëve.

O ju muslimanë! Le të jemi të sigurt, të përgëzojmë, të jemi optimistë dhe le ta dimë se sa do të rënda të jenë fatkeqësitë mbi ne, sa do sprova që të bien  bien mbi ne, sa do që të vriten nga mesi ynë, njerëzit tanë, sa do të  torturohen dhe sa do të dëmtohen nga ne, shqetësimi ynë në këtë tokë është qëndrueshmëria dhe durimi. Kjo është toka e lidhjes, qëndrueshmërisë, vendi i tubimit të madh dhe ringjalljes. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Thuaj: “Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu; Ai është Mbrojtësi ynë dhe vetëm tek Allahu le të mbështeten besimtarët!” (Et-Teube 51) Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ O besimtarë, nëse e ndihmoni Allahun, edhe Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja. Ndërsa ata që nuk besojnë, do të shkatërrohen! Ai do t’ua humbë veprat atyre.” (Muhammed 7-8)

Zoti i kërkoj falje për vete dhe për ju. Fitorja është me ata që tek Zoti kërkojnë falje, prandaj tek Zoti kërkoni falje.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin e botëve.

Lutjet dhe përshndetjet janë për të dërguarin e Tij të nderuar, për familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Në vijim

Historia Islame e këtij qyteti të shenjtë dhe e Palestinës së bekuar është histori e ndritur. Ne jemi umet me histori dhe qytetërim të lashtë. Rrënjët tona janë të rrënjosura thellë në këtë qytet të shenjtë dhe në këtë tokë të bekuar, si pema e ullirit, e bashkuar, as lindore as perëndimore. Rrënjët e saj janë të forta dhe degët e saj janë të fiksuara në qiell. E kaluara e saj është lavdi dhe sovranitet, e tashmja e saj është e lidhur me të kaluarën e saj, model dhe shembull. Histori në të cilën të dërguarit e Zotit ishin udhëheqës, ndërsa besimtarët dhe myslimanët ishin zotërinj.

Po, o ju të lidhur me këtë vend! Qyteti i Kudsit ka mbajtur një pozicion prestigjioz në historinë Islame dhe njerëzore, i pakrahasueshëm me asnjë qytet tjetër. Qytet që dallohet për veçantinë e tij që buron nga dimensioni i tij unik shpirtëror i lidhur me kohën dhe me vendin, ku Islami është dëshmi për shenjtërinë dhe madhështinë e tij si qytet.  E me këtë shenjtëri dhe pozitë, status, myslimanët e shikuan Kudsin dhe xhaminë e tij të bekuar, Aksanë,  se është pjesë integrale, e pa ndarë e besimit të tyre. Prandaj ata udhëtojnë drejt tij, hyjnë në ihram për Haxh dhe Umre, e vizitojnë atë për shkak tërëndësisë së tij, duke kërkuar lutje dhe shpërblim, dhe e rrethojnë atë me kujdesin e tyre fetar të nderuar. Prandaj, Kudsi me xhaminë e tij Aksa do të mbetet në zemrën dhe ndërgjegjen e çdo muslimani, dhe lidhja e tyre me të do të mbetet një lidhje e thellë fetare, besimi dhe kulturore. Këto fakte historike vërtetojnë se identiteti i Kudsit është Islam, d dhe se pretendimet e nxjerra këtu e atje në lidhje me pronësinë e tij janë thjesht trillime dhe gënjeshtra të pa baza.

LEXO  Larg tradhtisë dhe hipokrizisë - Aksa 14.08.2020

O ju namazfalës! O ju të idhur me këtë qytet! Xhelati i lig, i mallkuar, dëshiron ti veshë të kaluarës një këmishë të ngushtë, e cila është projektuar, qepur dhe endur në fabrika gënjeshtrash dhe makina falsifikimi. Ai dëshiron të errësojë faktet dhe të ndryshojë realitetin, por realiteti tregon se këmisha është provë e gënjeshtrës së pronarit të saj. A e keni imagjinuar ndonjëherë se prova do ta rrëzonte pronarin e saj?! Dhe a është provë nëse nuk është e vërtetë dhe bindëse?!

A nuk kujtoni fjalën e Allahut: “ Dhe sollën këmishën e tij të përgjakur, me gjak të rremë.” (Jusuf 18)  Këtu gjejmë se e vërteta Hyjnore pohon se gënjeshtra nuk mund të jetë kurrë e vërtetë dhe se provat janë ushtarët e Zotit që mbështesin vetëm të vërtetën. Nëse armiqtë i falsifikojnë ato për t’u mbështetur në to, ato do t’i demaskojnë ata. Gënjeshtra do të mbetet gënjeshtër dhe fytyra e saj do të mbetet e nxirë, pavarësisht se sa përpiqet të zbukurohet me ato që i konsideron si argumente të mjaftueshme për të ndryshuar peshoren.

Kudsi është qytet unik dhe ka qenë i tillë që nga kohët e lashta.  Zoti i Plotfuqishëm na e ka dhuruar atë. I dërguari ynë, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, e ndriçoi atë.  Sa për profetët dhe të dërguarit në Aksanë e tij hapën dyert e saj me çelësin e besimit. Ndërsa e zbukuroi dhe e stolisi me Islam dhe besim Faruku, Omeri, i cili banoi në të dhe u fal në xhaminë e tij të bekuar, në Aksa.

Më pas e çliroi atë Nasir Salahu Din me burra që nuk njihnin asgjë tjetër përveç monoteizmit, Njësimin e Zotit të Vetëm. Ndërsa kurorën e lavdisë së tij e ngriti  Kutuzi dhe Bajbers duke shkatërruar arrogancën e tatarëve tiran dhe atyre që ndoqën rrugën e tyre. Kudsi vazhdon të jetë burim lavdie për myslimanët dhe standard i së vërtetës për besimtarët.

O ju namazfalës! I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, thotë: “ Kush e kryen haxhin për hatrin e Zotit dhe nuk thotë fjalë të kota, të turpshme ose nuk bën gjynahe gjatë tij, do të kthehet si ditën që e ka lindur nëna e tij, i pastër nga gjynahet.”

O ju namazfalës! O haxhi të shtëpisë së shenjtë të Zotit, Qabes! O ju që e keni bërë nijet që të plotësoni obligimin e Haxhit në këtë vit! Përkujtoni se Allahu i Madhërishëm ju ka përzgjedhur që të jeni mysafit të shtëpisë së Tij, Qabes, dhe ju ka mundësuar të jeni nga ata të paktët që u është dhënë kjo mirësi. Prandaj, mbroni vetet tuaja nga gjynahet gjatë këtij sezoni të bekuar. Shmangni fjalët e turpshme, imoralitetin dhe grindjet. Mbani gjuhët tuaja nga shpifja  në nderin e njerëzve. Mbuloni njëri-tjetrin, ruani marrëdhëniet, vëllazërinë dhe unitetin tuaj. Përkujtoni se ju jeni delegacioni ynë tek i Gjithëmëshirshmi, tek profeti i Tij, tek shtëpia e Tij dhe tek robërit e Tij. Ju jeni ambasadorët tanë tek ata. Prandaj, shtoni lutjet tuaja për ne, për Kudsin, për xhaminë e bekuar të Aksasë dhe për Palestinën, që Zoti të largojë padrejtësinë nga ne, të na bëjë të palëkundur dhe të na mbështesë, të bashkojë radhët tona dhe të unifikojë fjalën tonë. Përcilluni atyre përshëndetjet tona dhe përcillni imazh pozitiv të popullit tuaj këtu. Shpjegojini atyre lidhjen e myslimanëve në Bejtul Makdis, Kuds  dhe rrethinat e tij. Inkurajojini, nxitini ata të vizitojnë xhaminë e bekuar  të Aksasë. Kujtojuni atyre thënien e të dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të: “Udhëtimet ndërmerren vetëm për në tre xhami: Për në xhaminë e Shenjtë, Qaben, për në xhaminë time këtu, në Medine, dhe për në xhaminë Aksa.” I lutemi Zotit të Plotëfuqishëm t’ju mbrojë me mbrojtjen e Tij, të kujdeset për ju me kujdesin dhe mbrojtjen e Tij dhe t’ju kthejë tek ne shëndoshë e mirë dhe fitimtarë.

O Zot, kërkojmë ndihmën dhe mbrojtjen Tënde, sepse çdo ndihmë njerëzore na ka zhgënjyer. Ti e di çfarë na ka ndodhur, prandaj, të  gjitha lavdërimet janë për Ty që dëgjon dhe shikon çdo gjë,  i Buti dhe  i Plotfuqishmi.

O Zo, largo izolimin nga të rrethuarit, të uriturit,  të eturit dhe të privuarit.

O Zot, shtypësi, tirani ka mbledhur gjithë forcën dhe tiraninë e tij, ndërsa ne kemi mbledhur për Ty atë që mundemi nga lutjet. O Zot, të lutemi të merresh me të dhe Ti e di këtë. O Zot, zhgënje shpresën e tij, jepi fund shtypjes së tij, mbaje të zënë, angazhoje me trupin e tij, bëje që komploti i tij të shkojë dëm, urdhri i tij të zhduket, pakëso forca e tij  dhe vrite atë me tërbimin e tij, sepse Ti je më i ashpër në forcë dhe më i ashpër në ndëshkim.

O Zot, shkatërro shtypësit, ndihmuesit e tyre dhe kë do  që mbështeten tek ata, dhe kë do që i marrin ata për udhëheqës një e nga një, shkatërroi ata të gjithë një nga një,  lësho ushtarët e Tu mbi ta, shkatërroji me fuqinë dhe forcën Tënde, dhe poshtëroji ata para robërve të Tu të shtypur dhe të dobët në këtë tokë.

O Zot, jepu fat të mirë dhe  të bollshëm robërve  të Tu të shtypur dhe të dobët në këtë tokë. O Zot, ruaj xhaminë e Aksasë dhe ata që janë të lidhur në të, vend udhëtimi i të dërguarit Tënd, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. O Zot, forcoje atë me fortifikimin Tënd të fortë, bëjë atë nën ruajtjen, kujdesin, sigurinë, mbrojtjen dhe garancinë Tënde, o më i Madhi dhe më Bujari.

O Zot, fali besimtarët dhe besimtaret, muslimanët dhe muslimanet, të gjallët prej tyre dhe ata që kanë ndërruar jetë.

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju.

Falënderojeni për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.

“ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

Ti që fton për namaz, fto në namaz!

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/2010733479453276

Post Author: endrit