Hytbeja e Kudsit 20 Dhul Hixhe 1439, 31.8.2018
Besimtari e thotë të vërtetën pa ju frikësuar askujt
Jusuf Munejneh
Falënderimet i takojnë Allahut, i Cili e ka lartësuar fenë e Tij, e ka poshtëruar idhujtarinë me ndihmësit e Tij, e ka bërë që e vërteta të triumfojë mbi të kotën dhe padyshim, që e kota ka qenë gjithmonë e nënçmuar.
Vazhdimësia në të njëjtën gjendja është e pamundur, i Lartësuar qoftë Ai që e ndryshon çdo gjendje, ndaj o Zot përmirësojë gjendjen tonë në më të mirë, na e mundëso që këtë jetë ta mbyllim me vepra të mira!
Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Ai i Cili ka zgjedhur në mesin e robërve të Tij një grup të cilët do t’i përmbahen rrugës së drejtë duke mos u ndikuar nga zhgënjimet e të tjerëve, si për të treguar se feja e Tij triumfon dhe asgjë nuk mund të triumfojë mbi të dhe mbi grupin e Tij të përzgjedhur, Allahu ka urdhëruar se do triumfoj Unë, bashkë me të dërguarit e Tij, vërtetë Allahu është Ngadhënjimtar mbi çdo gjë.
Dëshmoj se zotëria ynë Muhamedi, është rob dhe i dërguar i Tij, ai i priu besimtarët për në triumfe, i edukoi me dashuri, vëllazëri, harmoni, dhembshuri, sinqeritet dhe bindje, i mësoi se si duhet të qëndrojnë përballë armikut dhe të mbrojnë fenë dhe vendet e tyre të shenjta.
Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij të cilët çliruan botën mbarë, qëndruan e rezistuan në rrugë të drejtë, për të ardhur në ditën e Kiametit me kokën lart e për të marrë si shpërblim Xhenetin në ditën e Gjyqit të Madh.
E lusim Zotin që dhe ne të na bëjë pasues të rrugës së tyre, ditën kur do tundohen këmbët e hipokritëve për veprat e bëra, e kur mbi të padrejtët të zbresë dënimi i Allahut.
Besimtarë të nderuar! Kjo botë është vend sprove madje është e shkatërrueshme, ndërsa bota tjetër është e përhershme, vend në të cilin edhe shpërblehesh, do shpërbleheni në bazë të veprave, ndaj punoni në të përkohshmen për në të përhershmen, ne jemi krijuar në këtë botë për të vazhduar për në ahiret.
Vëreni, o robër të Zotit, se cilën rrugë do ndiqni, cilat banesa do banoni, ku janë mbretërit që marshonin kryelartë me plot stoli?! Ku janë sunduesit që i ndërtoni të larta fortesat e tyre? Ku janë fëmijët e njomë? Ata sot janë në barkun e tokës. A e ndjen prezencën e ndonjërit po zërin e tyre?
Lufta më e madha është ajo me veten, i lumtur, i qetë dhe i fituar është ai që nuk ia plotëson tekat vetes, pasimi i epsheve të sëmur, ndërsa frika prej Zotit të shëron.
Dije se ajo që ta largon pasionin nga zemra, është frika prej Atij që e din se të vështron dhe kur je vetëm.
Angazhoje veten me vepra të mira, nxito e puno para se të thërritesh për t’u larguar, puno në këtë botë para se të transferohesh për në botën tjetër.
Feja jonë është e qartë, Zoti ynë i di të fshehtat dhe sekretet, di edhe se çfarë fshehin sytë dhe zemrat.
Myslimani e thotë të vërtetën dhe s’i frikësohet tjetërkujt, përveç Allahut, sepse e di se do të pyetet për diturinë, trupin dhe pasurinë e tij.
Do pyetet për pasurinë se nga e ka fituar dhe ku e ka shpenzuar, do pyetet në ditën ku dhe fëmijët do thinjen prej brengave dhe gjëmave të asaj dite.
Ditën kur gjidhënësia do e braktisë foshnjën e gjirit, shtatzëna do e dështojë foshnjën në bark, dhe e gjitha kjo, prej tmerrit të asaj dite.
Kriminelët do njihen atë ditë, do merren zvarrë dhe prej qafave të tyre, ndërsa të pasurit do japin llogari për çdo pjesë të pasurisë së tyre, ndërsa të varfrit, do i paraprijnë të pasurve për në xhenet me plot 500 vite.
Thotë Profeti a.s: “Fukarenjtë do hyjnë në xhenet një gjysmë dite më shpejt se të pasurit dhe dita është 1000 vjet.”
Imagjinoni fjalën e Allahut: “Atë ditë kur askujt nuk do i bëjë dobi pasuria e as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahut” Shuara 88.
Dhe thotë: “O besimtarë! Mos lejoni që pasuria dhe fëmijët t’ju largojnë nga të përmendurit e Allahut” Munafikun 8.
Si mundet që familja të të pengojë nga një shpërblim kaq i madh, si mundet diçka që do shuhet e do tretet të të privojë nga një shpërblim i tillë?! Si mundet që inatet dhe hakmarrjet të të pengojnë nga xheneti?
Më e madhe se kjo, është dhe fakti se në atë ditë, njerëzit dhe të afërmit nuk do të të njohin, do të të fajësojnë për neglizhencën tënde.
Pasuria pas të cilës u ende, do shuhet dhe do tretet, do vijë dita kur dhe vëllai, fëmija, gruaja dhe prindi do largohen prej teje.
Kini frikë, o robër të Zotit, nxitoni për tek Ai para se të vijë një ditë ku nuk bën dobi tregtia, miqësia e as ndërmjetësimi!
Ruhuni nga harami se ngrënia e haramit ta nxin zemrën, ta ngushton gjoksin, ta verbon shikimin e ta mbyll horizontin!
Ai që ushqehet me hallall i zgjerohet zemra, i ndriçohet mendja, punon të mira dhe lufton për të qenë i përulur dhe i devotshëm ndaj Zotit.
Ka thënë imam Ebu Hanifja: “Nëse ndokush e adhuron Allahun natën dhe ditën, mirëpo nuk interesohet për atë që fut në barkun e tij, atij s’i pranohet asnjë vepër.”
Vëllai im! Ushqehu me hallall dhe s’të cenon fakti se nuk je agjërues i vazhdueshëm, apo nuk je prej atyre që e falin namazin e natës.
Ka thënë dijetari Abdulkadir el Xhejlanij: “Kam hetuar në mbarë veprat e mira dhe s’kam gjetur më të mirë se ushqimi i të varfërve, do dëshiroja ta kisha gjithë dynjanë dhe t’i ushqeja të tjerët.”
Ushqeji të tjerët, ji fjalë pak, ji çelës për në të mira dhe dije se çdo vepër e mirë konsiderohet lëmoshë.
Vepërmiri më i vyer është ai që është i dobishëm për të tjerët, u ndihmon dhe i gëzon, i bashkon dhe i pajton.
Të nderuar besimtarë! Ne jemi në prag të fillimit të sezonit të ri mësimor, ndaj dhe po shfrytëzoj rastin të përkujtoj mësuesit dhe nxënësit.
I them nxënësit: “Mëso dhe trego vullnet në mësime, bëjë nijet që të arrish kënaqësinë e Allahut me një vepër të tillë, të bëhesh dorë ndërtuese e këtij Umeti, të bëhesh faktor që mbjell lumturi në shoqëri, që shoqëria jonë të ngrihet mbi baza të shëndosha dhe të ndershme.”
I drejtohem mësuesit: “Kujtoje vazhdimisht se misioni yt, është misioni i profetëve, ndaj ji mësues i ndershëm dhe i përgjegjshëm për fëmijët tanë, mësoju atë që është e dobishme për këtë jetë dhe botën tjetër dhe ji shembull për ta me virtytet dhe sjelljet e tua!”
E lus Allahun t’iu japë suksese të vazhdueshme!
Imam Abas ibn Muhamed, i është drejtuar edukatorit të djalit të tij: “Nderin e tyre e kam lënë në dorën tënde, ndaj ruaji prej dënimit, mësojua librin e Zotit, ai prej Tij zbriti dhe prej Tij u qartësua dhe i mjafton njeriut si injorancë që të mos e dijë vlerën e tij.”
Mësojua hallallin dhe haramin në mënyrë që të mos jenë të padrejtë, ushqeji me urtësi, pasi urtësia është pranvera e besimtarit dhe e zemrave.
Shembulli i dijetarëve në tokë është si shembulli i yjeve në qiell, kur janë të qarta të udhëzojë, e kur janë me vranësira të turbullojnë.
Kush mëson, vepron dhe i mëson të tjerët, thërritet në qiej lart i madhërishëm, mësuesi nuk duhet të jetë i sertë, por as nxënësi nuk duhet të jetë neglizhent.
O ti mësues! Mos ji prej atyre që përcjell dije e urtësi, ndërsa vetë ndjek rrugën e të paudhëve.
Para se ta mbyll hytben e parë, dëshiroj të uroj haxhilerët të cilëve ua mundësoi Allahu kryerjen e një prej shtyllave të islamit, takimin me vëllezër nga e gjithë bota në Shtëpinë e Shenjtë.
Ju ishit bashkë në tavaf, në mina, në Arafat, sakrifikuat dhe qëndruat zgjuar natën me lutje.
Ju u lutët që veprat tuaja të jenë të pranuara, për përmirësimin e mbarë botës islame, që Zoti të na bashkojë si të ishim një trup i vetëm, të bashkuar për mirësi e jo për dëm, të na afrojë dhe të mos na përçajë, të na bëjë të qëndrueshëm në rrugën e drejtë.
Zoti ua pastë pranuar Haxhin, ua pranoftë sakrificat, ua faltë gjynahet dhe ju bëftë prej fitimtarëve!
Profeti a.s ka thënë: “Allahu gëzohet për pendimin e robit të Tij, më shumë nga ç’mund të gëzohet ai që e ka humbur kafshën e tij dhe më pas e ka gjetur atë.”
Lutuni Zotit, duke qenë të bindur se do t’ju përgjigjet!
Falënderimet i takojnë Allahut që nuk e harron atë që e përmend Atë dhe nuk e zhgënjen atë që i lutet Atij, dhe i mjafton atij që i mbështetet Atij.
Ai është shpresa jonë kur çdo shpresë shkëputet, ndihmuesi ynë ndaj çdo të padrejti, i lartësuar qoftë Ai, të mirën e shpërblen me të mirë po ashtu dhe durimin!
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, i Cili ka përzgjedhur njerëz në mesin e krijesave të Tij, të cilët janë të qëndrueshëm në udhën e Tij, të privilegjuar me ndihmë e dhurata prej Tij, ata janë të kapur fort pas synetit të profetit të Tij, falënderimi i qoftë Atij për çdo caktim.
Lutemi për paqe dhe begati, për profetët dhe evliatë, për dëshmorët, dijetarët dhe familjen e profetit!
Të nderuar besimtarë! Ç’është e vërteta, ne sot jetojmë një gjendje të vështirë, pasi administrata amerikane e ka bërë zyrtare shpalljen e Kudsit, si kryeqytet i Izraelit.
Kjo deklaratë tregon për vështirësitë që na presin në periudhën e ardhshme.
Edhe pse Palestinezët u ulën të tavolinën e negociatave, nën presione ndërkombëtare, por ata vazhdojnë të mos na i njohin të drejtat tona, vazhdojnë t’i ngrinë pasuritë tona dhe ndihmat që janë nisur për ne.
Duhet ta dini se ata nuk ndihmojnë kënd pa interes, ata janë njerëzit që adhurojnë jetën dhe monetaren.
Ne nuk e duam ndihmën tuaj, pasi që qëllimet tuaja tashmë janë të qarta për këdo.
I themi popullit tonë: “Nuk ka hajër një popull që ha atë që s’e prodhon, vesh atë që nuk e prodhon.”
Mbështetuni Allahut, Një dhe i Vetëm, i Cili furnizon çdokënd!
Riskun e kërkon njeriun, ashtu sikurse e kërkon dhe vdekja, por Zoti ka zgjedhur që risku i të devotshmëve të vijë andej nga nuk e presin.
Myslimani e ka detyrë që ta ushqejë vëllain mysliman, sikurse ushqehet edhe vetë, ta veshë prej asaj që vishet, ta ngushëllojë dhe t’i qëndrojë përkrah në sprovat që ai kalon.
Të nderuar besimtarë! Pavarësisht tolerimeve të panumërta, ata sërish e nxorën kokën e tyre, në terrorin e ushtruar, në ndërtimin e lagjeve të reja, të mbështetur nga politika amerikane e cila hesht ndaj çdo akti që cenon pushtuesin dhe nuk gjen kohë të diskutojë për çështjen tonë dhe të emigrantëve.
Për çështjen e Kudsit, as që e kanë ndërmend të flasin, ndërsa për pjesën e azilantëve kanë nisur të diskutojnë diçka, por jo në realitet, pasi që nuk kanë në axhendën e tyre, diçka që quhet shteti palestinez, duke e quajtur këtë si traktati i shekullit.
Kërkojnë prej nesh lëshime të tjera, por çfarë na ka mbetur vallë për të toleruar?!
Ju vetë po e shihni gjendjen në të cilën jetojmë ne sot, ndërsa e ardhmja e Kudsit është akoma dhe më enigmatike.
Ekonomia jonë sa vjen e rrënohet nën emërtime të ndryshme si: lëvizje ekonomike e turistike.
Xhamia jonë përdhoset prej pushtuesve duke ndërhyrë në të kohë e pa kohë.
Kur do ta kuptojë bota islame dhe arabe se çfarë po kanoset për ne, që jetojmë këtu në Kuds.
Xhamia jonë është bërë si një lodër në duart e tyre, të cilët caktojnë, se kur mund të hapet e kur jo, kush mund të futet e kush jo, deri dhe punonjësit e rregullt nuk kanë shpëtuar prej këtyre shtrëngimeve.
Ju e dini që kjo tokë është vakuf, është pronë islame dhe nuk i lejohet jomuslimanit që ta përdorë atë dhe përgjegjësi i saj është drejtoria e vakufeve dhe s’lejohet në asnjë mënyrë ndërhyrja në mënyrën e administrimit të saj.
Të nderuar besimtarë! Ne myslimanët, nuk pranojmë të jetojmë të poshtëruar, të shtypur, të na përdhosen vendet tona të shenjta e të na mohohen të drejtat tona, e kur kjo ndodh, atëherë të gjithë duhet të reagojmë e t’i dalim në mbrojtje vatanit tonë.
Armiqtë e fesë nuk ndalen së luftuari fenë, ata punuan për rënien e kalifatit dhe ju sot keni mbetur sikurse jetimët, në tryezën e bishave.
Kalifati islam ishte institucioni që bashkonte myslimanët, organizonte jetën në trevat e tyre, ndërtoi në trevat e tyre fuqi të madhe, të cilat ia kishin frikën të gjithë.
Ata kanë shumë kohë që thurin intriga, punojnë për shuarjen e identitetit tuaj, për shuarjen e qytetit dhe vendeve të shenjta.
Këtë e kanë treguar me prishjen e shtëpive, vrasjen dhe krimet e ndryshme që detyrojnë njerëzit të largohen nga vendbanimet e tyre dhe e gjitha kjo për të krijuar shtetin e tyre në këto treva të begata.
Gaza është e rrethuar dhe e izoluar, padrejtësia sa vjen dhe shtohet, ndërsa ajo na thërret e thotë: “Jam shqyer që ditën që është shqyer demi i bardhë.”
Legjendarët tanë të izoluar janë me barqet bosh, sytë e tyre lotojnë prej pikëllimit, e trupat e tyre janë të dërrmuar nga lodhja.
Si mundet të flej i urituri dhe i kërcënuari?
I drejtohem të burgosurve tanë e u them: “Bëni durim e qëndroni fort, ajo që ju keni përballuar deri më tani, edhe malet e forta nuk do e kishin përballuar. Ju keni Allahun, Ai është me ju dhe s’do ua çojë dëm përpjekjet tuaja.”
Zot plotësoja dëshirat e tyre, shëroji të sëmurët dhe të plagosurit e tyre, forcoje dobësinë e tyre, mbështeti në rrugën e tyre.
Me veprën dhe sakrificën tuaj ju jeni zotërinjtë e botës, ju u hodhët në vdekje për të fituar jetën.
Ju mjafton si krenari që i bëtë ballë dëshirave dhe përzgjedhjeve personale, dijeni se dhe të parët tuaj kanë duruar e luftuar dhe pas saj kanë sunduar, ndaj dhe ju duroni e luftoni se më pas do sundoni, vërtetë që e ardhmja u takon besimtarëve.
Zot mëshirona se Ti je Mëshirues, mos na ndëshko se Ti i ke mundësitë dhe je Ngadhënjimtar!
Zot mos lejo të sundohemi nga arrogantët e të padrejtët, mbroji njehsuesit prej nesh të vegjël dhe të mëdhenj, na jep siguri, harmoni, begati e mirësi!
O Allah mbroje xhaminë Aksa prej çdo intriganti dhe armiku, pastroje nga njollosja e çdo të paudhi, na bëj prej atyre që qëndrojnë përreth tij të palëkundur deri në ditën e fundit.
Zot pranoje prej nesh, vërtetë Ti je Dëgjues dhe i Ditur, pranoje pendimin tonë, Ti je Ai që i pranon pendimet!
Falna ne, prindërit tanë dhe mbarë myslimanët, Allahu urdhëron për drejtësi, bamirësi, ndihmesën e nevojtarit, ndalon nga e keqja, e liga dhe padrejtësia!
Përmendja e Allahut është gjëja më madhështore, Allahu di dhe ju nuk dini.