Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa 14-11-1447 H 01-05-2026 D
Shejh Dr. Jusuf Ebu Sunejneh
Tema Aspiratat e njerëzve të drejtë: Bindja dhe besimi
Lavdërimet janë për Allahun, Zbuluesi i të fshehtave, Dhuruesin Bujarë, Ai që afron zemrat e pastra pranë besnikërisë. Zotin e lavdërojmë me lavdërimin e atij nga i cili janë larguar vështirësitë dhe Atë e falënderojmë me falënderimin e atij nga i cili është zbuluar e fshehta. O Zot, lehtëso shqetësimin tonë, mëshiro dobësinë tonë, përmirëso të metat tona, merr nën kujdesin Tënd çështjet tona dhe ji me ne me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Ai që është Unik në fuqi dhe përsosmëri, i përshkruari me atribute të madhërishme dhe të bukura. I Madhi, i Lartësuari, nuk ka asgjë si Ai, Ai është që dëgjon dhe shikon çdo gjë. Ai krijoi njerëzimin që ta njihnin Atë, u dhuroi nga mirësitë e Tij që të jenë mirënjohës ndaj Tij, i favorizoi me të dërguarit e Tij në mënyrë që të besojnë Atë dhe të mos e mohojnë. Madhërimet janë për Atë, Zotin e Përhershëm dhe i Përjetshëm, të Gjallin, të Vetëmjaftueshmin, që nuk vdes kurrë. Atij i përket forca dhe fuqia e papërmbajtshme, Sunduesi i kësaj bote dhe të Botës së Përtejme, Ahiretit. “Vërtet, urdhri i Tij, kur Ai dëshiron diçka, është që t’i thotë asaj “Bëhu!” – dhe ajo bëhet. Prandaj, qoftë lartësuar Ai, në Dorën e të Cilit është pushteti mbi çdo gjë! Tek Ai do të ktheheni!”(Ja Sin 82-83)
Dëshmoj se zotëria, i dërguari, i dashuri dhe mbrojtësi ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, modeli i të gjithë atyre që ndjekin rrugën e drejtë dhe argumenti i Zotit për botën mbarë. O ju besimtarë! Lavdëroni Zotin e Madhërishëm dhe të Lartësuar që Zoti i Plotëfuqishëm ju ka drejtuar përmes tij, profetit, pasi që kishit devijuar, humbur, ju mundësoi të shikoni pasi që ishit verbuar, ju bashkoi përmes tij pasi që ishit ndarë, ju pasuroi përmes tij pasi që ishit të varfër dhe largoi nga ju përmes tij mundimin dhe mjerimin. “ Por Allahu nuk do t’i ndëshkonte ata, përderisa ti ishe në mesin e tyre dhe, Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata, përderisa ata i kërkojnë falje Atij.”(El-Enfal 33)
O Zot, të lutemi që të jesh i kënaqur me familjen e tij të nderuar, me udhëheqësit e njohur, njerëzit e udhëzimit dhe besnikërisë, me të gjithë shokët, rojet e së vërtetës dhe njerëzit e moralit, njerëzit me status dhe fuqi të lartë, njerëzit e dijes dhe bindjes. “…të përulur me besimtarët…”(El-Ma’ide 54) Ata ishin zotërinjtë e përulësisë. Ebu Bekri, Zoti qoftë i kënaqur me të, kur lavdërohej thoshte: “O Zot, Ti më njeh më mirë sesa unë e njoh veten time, dhe unë e njoh veten time më mirë sesa ata. O Zot, më bëj më të mirë sesa mendojnë ata, më fal për atë që nuk e dinë dhe mos më mbaj përgjegjës për atë që thonë.”
Në vijim
O ju muslimanë! Zoti ju mbuloftë me butësinë e Tij të bukur, Ai qoftë shoqëruesi i juaj në qëndrim dhe udhëtim, ju stolistë me bukurinë e devotshmërisë, ju bëftë nga robërit e Tij të drejtë që nuk frikësohen dhe nuk pikëllohen.
Adhurues të Zotit! Allahu i Plotfuqishëm, i Madhërishmi dhe i Lartësuari, lavdërimi është për Atë, ju ka dhënë mbështetjen e Tij dhe ju ka veçuar me Njëshmërinë e Tij. Ai ju ka vendosur, bërë banorë, në Tokën e Shenjtë, Kuds, e cila ka qenë e banuar nga profetët, shenjtorët dhe njerëzit e mirë nga bijtë e këtij umeti. Ata ishin monoteistë, që Njësonin Zotin në besim, mbështetës dhe zbatues të urdhrave të Tij, lavdërimet janë për Atë. Ndërsa ne sot jetojmë në një jetë durimi, mirënjohjeje dhe pranimi të caktimit. Prandaj, ripërtërini qëllimet tuaja të sinqerta për Zotin dhe jepini përparësi Atij në fjalë dhe vepra, të cilat do t’i pastrojnë përpjekjet tuaja. Kini kujdes nga përçarjet dhe jini të bashkuar, sepse nëse e bëni këtë, njerëzit do t’ju kenë frikë dhe do të nxitojnë t’ju binden.
O ju besimtarë! Nëse ju vjen ndonjë urdhër nga Zoti i Plotfuqishëm, atëherë përdorni kënaqësinë, sepse Zoti është i vetëdijshëm për ju, Ai e di se çfarë keni në shpirtin tuaj. Nëse jeni të kënaqur atëherë do të kesh shpërblimin. Ti në kënaqësinë dhe zemërimin tëndnuk mund ta shtosh furnizimin që është ndarë dhe çështjen që është shkruar.
Nëse nuk mund të gjesh një rrugë drejt kënaqësisë atëherë përdor durimin sepse ai është baza e besimit. Nëse nuk mund ta gjesh atë atëherë duhet të durosh. Nëse shqetësohesh dhe durimi yt mungon atëherë kthehu tek Ai me vendosmërinë tënde dhe ankohu tek Ai për shqetësimin tënd. Bëni kujdes nga ngadalësimi në përgjigjen e Tij ose nga të pasurit një mendim të keq për Të, sepse çdo gjë ka një shkak, çdo shkak ka një afat, çdo afat ka një vendim dhe për çdo shqetësim ka një lehtësim nga Zoti.
Kush e di se është nën syrin vëzhgues të Zotit, do të turpërohet të shihet duke shpresuar te dikush tjetër përveç Tij. Kush është i sigurt se Zoti po e vëzhgon do të heqë dorë nga zgjedhja e tij. Kush e di se Zoti është Ai që dëmton dhe sjell dobi, do e largojë frikën e krijesave nga zemra e tij.
Respektoni Zotin e Madhërishëm dhe të Lartësuar, në adhurimin e Tij, kërkoni çështjen nga burimi i saj, bëni kujdes nga mbështetja në krijesa, ose nga lidhja e zemrës suaj me të, lidhje frike ose shprese, ose nga zbulimi i një sekreti të tij, ose të ankohesh tek ai për ndonjë gjë, ose nga mbështetja në vëllazërinë e tij, ose nga gjetja e ngushëllimit tek ai me një ngushëllim që përmban një ankesë pikëllimi. Vërtetë, të pasurit e tyre janë të varfër në pasurinë e tyre, të varfrit e tyre janë të poshtëruar në varfërinë e tyre, të diturit e tyre janë injorantë në dijen e tyre, përveç atyre pak njerëzve që Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar i ka mëshiruar.
Të lumtur janë ata që udhëtuan për tek Zoti i tyre, ata e bënë kënaqësinë furnizimin e tyre dhe ujin e pastër të bindjes pijen e tyre, sepse ata janë në kopshtet e kënaqësisë, në Xhenete, duke dëgjuar mirëseardhjen e Melekve. “(e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!”(Er-Ra’d 24)
O ju besimtarë! Shikoni dhe mësoni nga zonja e pastër Nefisa e bija e Hasanit, Zoti qoftë i kënaqur me të dhe me babanë e saj. Kur vdekja iu afrua, ajo po agjëronte. Ata këmbëngulën dhe e detyruan të prishte agjërimin, e ishin të vendosur për këtë. Ajo tha: “Sa e çuditshme! Për tridhjetë vjet i kam kërkuar Zotit që të mund ta takoj Atë duke qenë me agjërim, a duhet ta prish agjërimin tani?! Kjo nuk mund të ndodhë!” Pastaj ajo filloi të lexonte suren El-En’am derisa arriti tek fjalët e Zotit të Plotfuqishëm: “Ata do të kenë Shtëpinë e shpëtimit te Zoti i tyre. Ai do të jetë Mbrojtësi i tyre, si shpërblim për veprat që kanë bërë.”(El-En’am 127) Këtu, shpirti i saj i pastër ka kaluar tek Krijuesi. Kështu duhet të jenë aspiratat e larta.
Kush e ka këtë botë shqetësimin e tij kryesor do të ketë shumë hidhërim si në këtë jetë ashtu edhe në botën Tjetër, Ahiret. O besimtarë! Nga shenjat e dashurisë për këtë botë kur një person është vazhdimisht i fryrë, i mungon mençuria dhe i preokupuar me barkun dhe pjesët e tij intime. Ai vazhdimisht përsërit: “Kur do të zgjohem që të mund të argëtohem, të luaj, të ha dhe të pi?! Kur do të ngryset që të fle?! Kufomë natën dhe i papunë gjatë ditës!”
Aspirata e njerëzve të mirë është bindja pa kundërshti, gjynahe. Aspirata e dijetarëve është të arrijnë një të vërtetë më të madhe. Aspirata e njohësve është të shtojnë madhërimin e Zotit në zemrat e tyre. Aspirata e atyre që janë të përmalluar për Atë, Zotin, është vdekja e shpejtë. Aspirata e atyre që janë afër Tij është qetësia e zemrave të tyre me Zotin e tyre.
Kështu Musain, paqja e Zotit qoftë mbi të, e pushtoi frika, por ai u qetësua kur dëgjoi fjalët e Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar, ndërsa Ai e thirri: “O Musa, në të vërtetë, Unë jam Allahu, Zoti i botëve!” (El-Kasas 30)
Adhurues të Zotit! Nëse korrupsioni, shthurja, përhapet në tokë dhe det, atëherë ngrini aspiratat tuaja mbi tokë dhe ngjituni lart, duke i bërë ato qiellore dhe të larta, që të mos zhduken, sepse Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar është Ai që thotë: “ Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë dhe që janë punëmirë.”(En-Nahl 128) E kush i frikësohet Zotit, Zoti do të jetë me të. Kush është me Zotin, ai ka me vete anën që nuk mund të mposhtet, Rojen që nuk fle kurrë dhe Udhërrëfyesin që nuk të humbet rrugën kurrë.
Adhurues të Zotit! Vërtet, Zoti juaj ka sezone mëshire në ditët e jetës suaj, prandaj ekspozohuni ndaj tyre, ndoshta ndonjëri nga ju do t’i prekë flladet e mëshirës, pas së cilës nuk do të jetë më kurrë i mjeruar. “Ndërsa ata që kanë besuar dhe bërë vepra të mira, do të jenë në kopshtet e mrekullueshme të Xheneteve. Ata do të kenë te Zoti i tyre çfarë të duan; kjo është dhurata e madhe.”(Esh-Shura 22)
Imam Bejhekiu dhe të tjerë kanë transmetuan se sahabiu, shoku i nderuar, Abdullah Ibn Mes’ud El Hudhali, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregon se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të ka thënë: “ Nuk ka preokupim apo mërzi që mund t’i bieri muslimanit dhe ai të thotë: O Allah, unë jam robi yt, biri i robit tënd, biri i robëreshës tënde. Gjykimi Yt mbi mua tashmë është i kryer, caktimi Yt ndaj meje është i drejtë. Të lutem duke kërkuar prej Teje, me çdo emër që Ti ke dhe me të cilin e ke emërtuar Veten Tënde, apo e ke zbritur në Librin Tënd, apo ia ke mësuar dikujt prej krijesave të Tua, apo që e ke veçuar duke e mbajtur në dijen e Fshehtë tek Ti. Të lutem t’a bësh Kuranin pranverën e zemrës time, heqjen e mërzisë dhe largimin e preokupimit tim!” Allahu ka për t’ia larguar atij preokupimin dhe mërzinë, si dhe ka për t’ia zëvendësuar ato me gëzim dhe lumturi.”
Adhurues të Zotit! I penduar është ai që pendohet nga pakujdesia dhe vetëkënaqësia e tij. Më të mirët nga muslimanët janë ata që janë më në paqe me muslimanët e tjerë.
Drejtohuni Zotit Bujar me lutje dhe nënshtrim, kërkoni falje prej Tij, me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirplotë.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili ngriti aspiratat e të zgjedhurve të Tij drejt lidhjes së tyre me Të, ngriti mendimet e të dashurve të Tij drejt shkëlqimit të Tij dhe mbushi zemrat e shenjtorëve të Tij me dritën e bukurisë së Tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, dëshmi, kauza e së cilës u vendos nga besimi, thelbi i së cilës u përsos nga siguria, doktrina e së cilës u rafinua nga koha dhe burimi i së cilës u bë i ëmbël nga i Mëshirshmi.
Lutjet dhe përshëndetjet tona janë për profetin zgjedhur, të dashurin e të zgjedhurve, nëpërmjet të cilit Zoti ngriti gradat dhe nëpërmjet të cilit Ai nderoi robërit e liruar dhe të varurit, bëri bujarinë e tij një shtëpi për ta në çdo shtëpi, krenarinë e tij për ata që e kërkuan midis emigrantëve, muhaxhirëve, dhe përkrahësve, ensarëve, dritave vezulluese. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, të ndritshme sa lulet dhe të pjekura sa frutat.
O Zot, të lutemi që të jesh i kënaqur me të gjithë sahabët, pasardhësit e fesë, më të sinqertët e të sinqertëve, më të duruarit e të duruarve dhe më të mirët e atyre që qëndrojnë në namaz, ji i kënaqur me ne së bashku me ta me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
Në vijim
O ju adhurues të Zotit! Urime për ju me atë që ju ka thënë Zoti i Plotfuqishëm dhe i Lartësuar, me fjalët e Tij: “Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin…” (Al ‘Imran 110) Ju jeni umeti, populli, i bekuar, i mëshiruar, jeni nën kujdesin e Zotit dhe mbrojtjen e Tij. Pavarësisht të gjithave, ne po kalojmë kohë të vështira e ajo çfarë mund të bëjmë është të jemi të duruar dhe të këmbëngulim. “Ne iu kemi dërguar shumë popujve profetë para teje dhe i kemi dënuar ata me skamje dhe fatkeqësi, për t’u bërë të dëgjueshëm.”(El-En’am 42)
Kush përballet me ngjarje të vështira me një pranim të gjerë do të gjejë ëmbëlsinë e durimit nga Zoti i tij. “ …Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.”(El-Bekare 153) Kjo shoqëri është gjëja më e këndshme që mund të hyjë në zemër.
Adhurues të Zotit! Shumica e njerëzve të kësaj kohe na kanë tradhtuar dhe vendi është pa miq. Shumica e njerëzve sot nuk janë njerëz të vërtetë, ndërsa njerëzit e së vërtetës janë në një rreth më të ngushtë se sëpata! Ku është gëzimi i vendit? Ku janë dritat e tij? Ku është dielli i tij? Ku janë hënat e tij? Ku janë ata që kanë për qëllim atë dhe ku janë vizitorët e tij? Fati i ka transportuar ata në vendbanimin e përjetësisë e kjo është natyra e botës, i largon ata që banojnë në të dhe u bën padrejtësi atyre që kanë qenë të mirë me të!
Nëse pyesni: Si arrihet shpëtimi? Si mund të shpëtojë dikush kur fatkeqësia është e rrethuar nga gjynahe të shumta, çështje të rëndësishme dhe një zemër e konsumuar nga pikëllimi dhe e djegur nga pasioni? Përgjigja është: Po, nëpërmjet sinqeritetit të kthimit tek Zoti dhe vërtetësisë së lutjes. Çdo distancë bëhet e afërt dhe çdo vetmi bëhet shoqëri, duke u përmbajtur nga padrejtësia dhe kryerja e gjynaheve. Nuk ka kamatë, as imoralitet, as alkool dhe as bixhoz. Nuk ka shfrytëzim, as agresion, as vrasje dhe as konsumim të padrejtë të pasurisë së njerëzve.
O ti musliman! Mbylle portën, shkëput të gjitha lidhjet e kësaj bote dhe ulu me Dhuruesin e çdo gjëje! Zoti do të të flasë pa mbulesë dhe melaiket do të hyjnë tek ty nga çdo portë!
Na është transmetuar se profeti i Zotit, Junusi, paqja e Zotit qoftë mbi të, qau derisa u verbua, qëndroi derisa u përkul dhe u lut derisa u rrëzua, nga qëndrimi dhe lutja! Pastaj tha: “Pasha fuqinë Tënde, nëse do të kishte midis meje dhe Teje një det zjarri, do të zhytesha në të nga përmallimi për Ty!”
I dërguari që foli me Zotin, Musai, paqja e Zotit qoftë mbi të, kur Sunduesi i Plotëfuqishëm e pyeti atë: “ “Përse nxitove para popullit tënd, o Musa?”(Ta Ha 83) Me çfarë është përgjigjur? Ka thënë: “…unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde.”(Ta Ha 84) Ai e shprehu përmallimin e tij me kënaqësi.
Urime për ty, o besimtar, urime për ty që i ke ardhur Zotit me zemër të përulur dhe sy të përlotur. Muavije Ibn Ebi Sufjani, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ka thënë: E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, duke thënë: “Asgjë nuk mbetet nga kjo botë përveç sprovave dhe mundimeve.” Zoti na ruajt ne dhe juve nga të gjitha sprovat, nga ato që janë shfaqur prej tyre dhe të fshehurat.
O Zot, na lartëso me Islam, na lehtëso rrugët e mirësisë, dashurisë dhe harmonisë, dhe na bëj nga njerëzit e drejtë, të mirë dhe të suksesit.
O Zot, o Dëgjues i zërave, o Përgjegjës i lutjeve, o Falës i pengesave, o Mëshirues i të përloturve! Ti je i Pasuri dhe Bujar, ne nuk kemi askënd tjetër përveç Teje, mos na zhgënje shpresën tonë, mos refuzo lutjen tonë dhe na jep siguri, mbrojtje, nga ndëshkimi Yt.
Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun e Madhërishëm, Ai ju kujton ju, dhe kërkoni falje tek Ai sepse vërtetë Ai ju falën.
Ndërsa ti që fton për namaz, fto për namaz!
Afrim Smakaj