Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 07-06-1447 H 28-11-2025 D
Shejh Usame Khajat
Tema Nga besimi është të mos i dëmtosh të tjerët dhe ruajtja e gjuhës
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili zgjodhi për popullin më të mirë fenë më të mirë. Zotin e Madhërishëm e lavdëroj, Sunduesin e Vetëm dhe Gjykatësin e Drejt.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai ka nxitur robërit e Tij që të ndjekin rrugën e mirësisë.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, ndaloi nga shkaktimi i dëmtim tek njerëzit përmes shpifjeve dhe akuzave të rreme. O Zot, fale dhe mëshiroje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij, dhe ata që i pasojnë në vepra të mira.
Në vijim
O adhurues të Zotit! Frikësojuni Zotit. “Dhe ruajuni asaj Dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.”(El-Bekare 281) Bëni kujdes nga shkaqet e zemërimit të Tij, kthehuni tek Ai me pendim dhe mbështetuni tek Ai, dhe përfundimi i mirë do të jetë i juaji në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret.
O ju muslimanë! Vërtetë, ndjekja e gjurmëve të paraardhësve tanë të drejtë të këtij umeti dhe më të mirët e tyre është rruga më e mirë për të arritur qëllimin përfundimtar të kënaqësisë së Zotit dhe për të përfunduar në vendbanimin e nderit të Tij në shoqërinë e të zgjedhurve të Tij dhe më të mirëve të krijesave të Tij. Zoti i Plotëfuqishëm e udhëzoi të dërguarin e Tij të zgjedhur, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, që të ndjekë rrugën e paraardhësve të tij nga profetët dhe të dërguarit e Zotit dhe t’i imitojë ata në atë që Zoti i udhëzoi nga e vërteta dhe në atë që Ai i nderoi me prova, argumente dhe udhëzim të qartë. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Këta janë ata, të cilët Allahu i ka udhëzuar në rrugën e drejtë, andaj edhe ti (o Muhamed) ndiq rrugën e tyre.” (El-En’am 90) Nga cilësitë më të bukura me të cilat janë përshkruar të parët nga mesi i besimtarëve është përkushtimi i përsosur për të ndjekur rrugën e bamirësisë në të gjitha aspektet e saj, dhe kujdesi i tyre kundër rënies në humnerën e dëmtimit të burrave dhe grave besimtare, në çdo ngjyrë dhe në çdo formë të saj. Ajo që i motivon dhe i nxitën ata për këtë janë sjelljet e rafinuara dhe karakteri fisnik me të cilat Zoti i tyre, Allahu i Lartësuar i ka edukuar, rritur, kur ua bëri të qartë se lidhja midis besimtarëve është lidhje vëllazërie në fe. Zoti i Lartësuar ka thënë: “ Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër…” (El-Huxhurat 10) Vëllazëri do të thotë sakrifikim i rehatisë dhe e çdo gjëje të dashur për shpirtin, me qëllim përmbushjen e nevojave të muslimanit, përpjekja me seriozitet për të lehtësuar shqetësimin e tij, të qenit garant i përmbushjes së nevojave të tij dhe i lehtësimit të shqetësimeve të tij.
Vëllazëri do të thotë dhembshuri, dashuri, empati dhe përmbushje e të drejtave. Siç ka ardhur në hadithin e transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi, në Sahihët e tyre, nga Abdullah Ibn Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, nga i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, se ai ka thënë: “ Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi dhe nuk e dorëzon atë. Kush është në ndihmë të vëllait të tij, Zoti do të jetë në ndihmë të tij. Kush ia largon muslimanit një brengë, Zoti do ja largojë me të një brengë nga brengat e botës Tjetër, Ahiretit, e kush ja mbulon një të metë muslimanit, Zoti do ja mbulojë të metat e tij në ditën e Gjykimit.” Vëllazëri gjithashtu do të thotë të përmbahesh nga dëmtimi, lëndimi i të tjerëve. Musliman i vërtetë është ai që përmbush Islamit e tij, duke siguruar, lënë të qetë njerëzit nga dëmi i gjuhës dhe dorës së tij, dhe çdo gjë e ngjashme me to. Siç ka ardhur në hadithin e transmetuar nga Imam Buhariu në Sahihun e tij, nga Abdullah Ibn Omer Ibn Asit, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, nga i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, se ai ka thënë: “ Musliman, i vërtetë, është ai, nga gjuha dhe dora e të cilit janë të sigurt muslimanët e tjerë, ndërsa muhaxhir është ai që i braktis gjërat që i ka ndaluar Allahu.”
Ndërsa abuzimi verbal dhe fizik merr shumë forma dhe vjen në mënyra të panumërta, një nga format më të shëmtuara të abuzimit është kur përdoren së bashku si gjuha ashtu edhe dora. Kjo përfshin dikë që i atribuon në mënyrë të rreme cilësi negative një besimtari, si me gojë ashtu edhe me shkrim, për të intensifikuar dëmin, për ta bërë atë më të rëndë dhe për ta bërë më të vështirë shpagimin e tij. Prandaj, ekziston një paralajmërim i qartë dhe një kërcënim i rëndë parandalues kundër kujtdo që dëmton një besimtar duke thënë për të atë që nuk është e vërtetë. Sikurse ka transmetuar Imam Ahmedi në Musnedin e tij dhe Ebu Daudi në Sunenin e tij me transmetim të saktë nga Abdullah Ibn Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, nga i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, se ai ka thënë: “ Kush thotë për një besimtar atë që nuk është e vërtetë për të, do burgoset, zhytet në baltë të rëndë, ndëshkohet, derisa ta dalë, ta tërheqë atë fjalë.” Hadithi. O adhurues të Zotit! Balta e rëndë është qelbi i shtryllur nga banorët e Xhehenemit. Dalja e tij nga ajo që tha është duke u penduar për të dhe duke kërkuar falje tek ai për të cilin e tha atë fjalë. Ky ndëshkim ka ardhur në mënyrë që ai të vuaj dy dënime: Të digjet nga nxehtësia e Xhehenemit dhe të dëmtohet nga mbetjet e banorëve të tij, Zoti na ruajtë të gjithëve nga kjo.
Adhurues të Zotit! Nga shkaqet më të mëdha të dëmit që çon në të është kokëfortësia në mosmarrëveshje. Prandaj, kundërshtari kokëfortë është njeriu më i urryer ndaj Zotit, siç ka ardhur në hadith të saktë nga i dërguari i udhëzimit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Një paralajmërim i ashpër iu dha gjithashtu kujtdo që argumenton për të pavërtetën duke e ditur se është e rreme. Siç ka ardhur në hadithin e transmetuar nga Imam Ahmedi në Musnedin e tij dhe Ebu Davudi në Sunenin e tij me një zinxhir të saktë transmetimi, nga Abdullah Ibn Omerit, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, tregohet se i dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë; dhe përmendi hadithin, i cili përfshin fjalën e tij: “ Kush armiqësohet në të kotë, pa të drejtë, duke e ditur se është e tillë, e kotë,mbetet nën zemërimin e Zotit derisa të heqë dorë prej atij argumenti.” Do të thotë: Derisa të braktisë atë në të cilën ka rënë në grindje, armiqësi në të kotë, të rreme.
Kush trajtohet me injorancë, nuk duhet t’i përgjigjet asaj injorance me të njëjtën mënyrë, nga bindja ndaj Zotit të Plotfuqishëm dhe nga kujdesi që të mos bjerë në atë që nuk është as e mirë dhe as e përshtatshme për besimtarin, të cilin i dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e ka përshkruar me fjalën e tij, në hadithin e transmetuar nga Imam Ahmedi në Musnedin e tij dhe nga Tirmidhiu në Xhami’un e tij me zinxhir të saktë transmetimi, nga Abdullah Ibn Mes’udit, Zoti qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Besimtari nuk është shpifës, as mallkues, as arrogant, as i ulët (në fjalorin e tij).” Sepse, siç kanë thënë disa nga të parët tanë të mirë: “Nuk do ta ndëshkosh dikë që nuk i bindet Zotit në lidhje me ty me asgjë më të mirë sesa t’i bindesh Zotit në të, në këtë çështje.”
Ai që nuk i përgjigjet padrejtësisë me padrejtësi dhe që nuk e largon padrejtësinë me padrejtësi, është i denjë për ndihmën dhe mbështetjen e Zotit të tij. “Allahu, në të vërtetë, i mbron besimtarët. Ai nuk i do tradhtarët mohues.” (El-Haxhxh 38)
O adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin dhe ndiqni rrugën e robërve të zgjedhur të Tij, duke ndjekur rrugën e mirësisë dhe duke shmangur shtigjet e dëmit në të gjitha format e saj, që të jeni ndër të suksesshmit dhe fitimtarët në Kopshtet e Lumturisë, në Xhenet.
Zoti na bëftë dobi të gjithëve me udhëzimin e librit të Tij, Kuranit, dhe me sunetin e të dërguarit të Tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.
Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirëploti.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili ka caktuar fatin e çdo gjëje dhe ia ka rrëfyer rrugën. Zotin e Madhërishëm e lavdërojmë, Atij i përkasin emrat e bukur dhe cilësitë e larta.
Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se zotëri dhe i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. O Zot, fale dhe mëshiroje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij dhe ata që e ndjekin atë.
Në vijim
O adhurues të Zotit! Vërtetë, në fjalët e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në hadithin e transmetuar nga dy Shejhët, Buhariu dhe Muslimi në Sahihët e tyre, nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ai, paqja dhe mëshra e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush beson në Zotin dhe Ditën e Gjykimit të flasë mirë ose le të heshti.” se këto fjalë, përmbajnë çfarë përcakton rregulla të shëndosha të paqes shoqërore dhe hedhin themelet për një jetë të lumtur.
Të folurit e mirë dhe fjalët e mira janë formë e lartë e mirësjelljes që Zoti ua ka urdhëruar të gjithë robërve të Tij, siç na informoi Zoti i Plotfuqishëm për këtë me fjalën e Tij: “Dhe u thoni fjalë të mira njerëzve…” (El-Bekare 83) Të folurit e mirë dhe të ëmbël është mirë me miqtë dhe armiqtë, dhe ka fryte të ëmbla me të gjithë. Sa i përket miqve, ajo ruan dashurinë e tyre, mbështet miqësinë e tyre dhe pengon komplotet e shejtanit që të dobësojë lidhjet e tyre dhe të prishë marrëdhënieve të tyre. “Thuaju, robërve të Mi, që të flasin atë që është më e mira. Në të vërtetë, djalli mbjell ngatërresa ndërmjet tyre.” (El-Isra’ 53) Sa i përket të folurit mirë me armiqt, kjo ose e shuan armiqësinë e tyre dhe tërheq dashurinë e tyre, ose zvogëlon armiqësinë e tyre dhe sprapën komplotet e tyre. “Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë.”(Fussilet 34)
Të folurit e mirë është rrugë që të çon drejt arritjes së kënaqësisë së Zotit dhe bekimit të lumturisë së përjetshme, siç shprehen qartë për këtë fjalët e të dërguarit të udhëzimit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kur thotë: “ Asgjë nuk është më e rëndë në peshoren e besimtarit në Ditën e Gjykimit se karakteri i mirë. Zoti e urren personin e pahijshëm dhe gojëndyrë.” Hadithin e ka transmetuar Ebu Daudi dhe Tirmidhiu me zinxhir transmetimi të saktë.
Adhurues të Zotit! Frikësojuni Zotit dhe përkujtoni në vazhdimësi se Zoti i Plotfuqishëm ju ka urdhëruar të luteni dhe të dërgoni përshëndetje për sjellësin e lajmit të mirë, paralajmëruesin dhe pishtarin ndriçues, Zoti i Madhërishëm ka thënë fjalët fisnike: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, mëshiroje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e mëshirove Ibrahimin dhe familjen e tij, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhërishëm.
O Zot, bekoje Muhamedin dhe familjen e tij, siç e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe Madhërishëm.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë familjarët, shokët e tij, me tabi’inë, dhe me bashkëshortet e tij, nënat e besimtarëve, me tabi’inën dhe me ata që i pasojnë ata deri në ditën e Kijametit, dhe me ne së bashku me ata me Faljen, Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o më i Madhi Bujar.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë, ndihmo robërit e Tu besimtarë, bashko zemrat e muslimanëve, njëso rrallët e tyre, përmirëso udhëheqësit e tyre dhe bashko fjalën e tyre në të vërtetën, o Zoti i Botëve.
O Zot, ndihmo fenë Tënde, Librin Tënd, Kuranin, sunetin e të dërguarit Tënd, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, dhe robërit e Tu besimtarë dhe të sinqertë.
O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso drejtuesit dhe kujdestarët e çështjeve tona.
O Zot, mbështet në të vërtetën udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta, jepi mbështetës të ndershëm, jepi atij sukses në atë që do dhe je kënaqur, o Ti që i dëgjon lutjet. O Zot, jepu sukses atij dhe zëvendësit të tij, në çdo të mirë tani dhe në të ardhmen për vendin dhe popullin, o Ti tek i Cili është kthimi ditën e Gjykimit.
O Zot, ruaj këtë vend të bekuar me të gjitha të mirat, të sigurt nga çdo e keqe dhe të gjitha vendet muslimane, o Zoti i Botëve.
O Zot, ruaj muslimanët në Palestinë. O Zot, ruaj ata në mes duarve të tyre, nga pas tyre, ruaj ata nga e djathta dhe e majta e tyre, dhe nga lartë tyre. O Zot, kërkojmë mbrojtje në Madhështinë Tënde që të mos goditet nga poshtë këmbëve të tyre. O Zot, të lutemi që të jesh për ata mbrojtës dhe mbështetës, përkrahës dhe ndihmues. O Zot, mundëso ushqim për të uriturit e tyre, mundëso veshje të zhveshurve të tyre, shëro të plagosurit e tyre dhe të sëmurët e tyre, shkruaj shpërblimin e dëshmorëve për të vrarët e tyre. O Zot, të lutemi të jesh kundër armikut Tënd dhe armikut të tyre, o më i Madhi më Bujari.
O Zot, na përmirëso në fenë tonë e cila është pjesë e jetës tonë, përmirëso jetën tonë ( në këtë botë) që është vendqëndrimi i përkohshëm për ne, dhe përmirëso jetën tjetër (Ahiretin) në të cilën është takimi ynë. O Zot, bëj jetën tonë shtim të çdo mirësie dhe vdekjen rehati prej çdo të keqeje.
O Zot, jepu shpirtrave tanë devotshmëri, pastroi ata sepse Ti je më i miri që i pastron ata, Ti je Mbrojtësi dhe Kujdestari i tyre.
O Zot, na mundëso përfundim të mirë në çdo çështje tonën, na mbro nga poshtërimi në këtë botë dhe ndëshkimi në botën Tjetër.
O Zot, kërkojmë mbrojtjen Tënde nga humbja e Mirësive Tua, përkeqësimi i shëndetit që na ke dhënë, nga ndëshkimi Yt i papritur dhe nga i gjithë zemërimi Yt.
O Zot, të lutemi na mundëso të bëjmë punë të mira, të heqim dorë nga veprat e shëmtuara, ti duam të varfërit, të na falësh dhe të na mëshirosh.
Nëse do të sprovosh robërit e Tu, na merr jetën para se të përballemi me sprovën.
O Zot, na mbro prej armiqve Tu dhe armiqve tanë me çfarë të dëshirosh, o Zot i botëve!
O Zot, ti lëmë Ty të merresh me armiqtë Tu dhe armiqtë tanë, dhe kërkojmë mbrojtjen Tënde nga të këqijat e tyre!
O Zot, shëro të sëmurët tanë, mëshiro të vdekurit tanë, na plotëso nga ato që Ti je i kënaqur dëshirat tona dhe na mundëso në mbyllje kryerjen e veprave të mira të vazhdueshme.
“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” ( El-A’raf 23)
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
O Zot, fale dhe mëshiroje robin dhe të dërguarin Tënd, të dërguarin tonë, Muhamedin, familjarët dhe të gjithë shokët e tij.
Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve.
Afrim Smakaj