Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja shpëtimi i umetit

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     07-06-1447 H   28-11-2025 D

Shejh Muhamed Selim 

Tema   Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja shpëtimi i umetit

Lavdërimet janë për Zotin, e ka përshkruar Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe ka përmendur nga cilësitë e tij në fjalën e Tij që thotë: “ Ai do t’i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t’i ndalojë nga të këqijat….” (El-A’raf 157)

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, ka përshkruar njerëzit e drejtë nga mesi juaj dhe ka thënë: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat…” (Et-Tuebe 71)

Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Ju ka dhënë lajmin e mirë, përgëzuar se shpërblimi i atyre prej jush që urdhërojnë në të mirë dhe ndalojnë nga e keqja dyfishohet, sikurse shpërblimet e atyre që ishin para nesh nga ky umet. Ai ka thënë: “Ka njerëz nga umeti im që do të marrin të njëjtat shpërblime si të parët prej tyre, sepse ata ndalojnë nga e  keqja.” O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje të dërguarin tonë Muhamedin, familjen e tij të pastër, shokët e tij që ndihmuan fenë dhe ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Gjykimit.

Në vijim

O ju muslimanë! Kini frikë Allahun, Zotin tuaj, dhe bëni kujdes nga tolerimi ose kënaqia me të keqen në mesin tuaj,  sepse ajo do të jetë shkaku i shkatërrimit tuaj nëse nuk e ndryshoni ose nuk e shmangni atë. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Ruajuni ngatërresave, të cilat nuk godasin vetëm ata që bëjnë keq; dhe ta dini se Allahu dënon ashpër!” (El-Enfal 25) Bëni kujdes nga një sprovë që nuk do të prekë vetëm shtypësin, të padrejtin në mesin tuaja, por do të prekë  të drejtët dhe të ligjtë nga mesi juaj.

O ju muslimanë! Të këqijat më të mëdha për të cilat nuk jeni të vetëdijshëm, është e keqja e braktisjes së gjykimit me atë që ka shpallur Zoti në Librin e Tij, Kuran, dhe përmes fjalëve të të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Ndërsa udhëheqësi, prijësi i besimtarëve, Othmani, Zoti qoftë i kënaqur me të,  kishte të drejtë, tha të vërtetën kur na përmblodhi realitetin tonë të hidhur në të cilin jetojmë dhe mënyrën për ta ndryshuar atë në të vërtetë, në udhëzim dhe drejtësi, dhe na ka thënë: “Zoti frenon me pushtetarin,  atë që nuk e frenon me Kuran.”

O pasues të Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të! O njerëz të Kuranit! O njerëz të Islamit! A nuk e shikoni atë që unë shikoj? Refuzimi i gjykimit me ligjin Islam po depërton në familjet tuaja, në forumet tuaja dhe në institucionet tuaja të ndryshme. Shtëpitë janë rrënuar dhe u mungon bindja e vërtetë ndaj Zotit. Shkollat ​​nuk kanë respekt për dijen e dobishme dhe as për mësues të sinqertë. Shoqatat dhe organizatat janë vende ku shejtani lëshon vezët dhe çel zogjtë e tij. Ndërsa organizmat sunduese, udhëheqëse nuk e shikojnë të vërtetën si diçka që duhet ta dëgjojnë ose t’i binden. Ju jeni bërë thjesht lodra në duart e popujve, pa vend për ju tek ata përveç se në fund të karvanit të tyre. Situata juaj është përkeqësuar nëse nuk sundoni, qeverisni sipas asaj që Zoti ka përcaktuar për ju. Ku janë ata që e dinë të vërtetën dhe urdhërojnë për në të mirë? Ku janë ata që tregojnë mëshirë ndaj krijesave, i mëshirojnë ato, dhe ndalojnë nga ajo që është e keqe?

O besimtarë! Ruajtja e vetes, nderit dhe pasurisë tuaj është prej të urdhëruarit për në të mirë të cilës duhet t’ia kushtoni të gjithë jetën tuaj. Sikurse lënia pas dore e vetes, nderit dhe pasurisë tuaj është nga veprat e këqija të cilën të gjithë duhet ta braktisni dhe ta denonconi. Më trego për vajzat e muslimanëve! A dalin ato të mbuluara? A e kuptojnë ato autoritetin e burrave të tyre mbi to? A urdhërojnë ato ruajtjen e lidhjeve farefisnore, apo urdhërojnë shkëputjen e tyre? Më tregoni për djemtë e muslimanëve, për ndershmërinë dhe bindjen e tyre ndaj Zotit dhe të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të! A ju frikësuat Zotit në rritjen dhe edukimin e tyre? Apo u dhatë atyre liri të plotë në shthurje?

Çfarë do t’i thoni nesër Zotit tuaj, kur të qëndroni para Tij për llogari, për familjet që nuk i mbrojtët nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët? Dhe për një shoqëri që shkatërrohet gur pas guri ndërsa ju shikoni? Ku është e mira, urdhëri për në të mirë, midis jush? Ku është ndalimi, pengimi i së keqes nga ju me besim në Zot dhe në pritje të shpërblimit?

LEXO  Këshilla të dobishme

O besimtarë! A e keni vënë re se si tribalizmi ka devijuar nga busulla e Islamit? Përhapja e moralit të korruptuar dhe sjelljeve injorante midis djemve dhe vajzave në shoqërinë tonë, dhe dështimi për t’iu përgjigjur rregullave dhe ligjeve të fesë suaj, ndonjëherë qëllimisht dhe ndonjëherë nga injoranca, padija, është një nga të këqijat e përhapura midis jush?

Më tregoni për sloganin para islamik, të injorancës, sipas të cilit veproni. “Mbështet, ndihmoje vëllain tënd, qoftë shtypës apo i shtypur.” Ndiqni njëri-tjetrin në konflikte, pamje e neveritshme. Më lejoni ta them këtë nga minberi i xhamisë Aksa: Një pamje e neveritshme.  Mbështetje e një fanatizmi që Zoti e urren dhe e ka ndaluar për ju. Nuk e ndihmoni të shtypurit dhe nuk e pengoni shtypësin nga shtypja e tij. Ku është ndryshimi midis epokës para Islame dhe këtyre veprimeve tuaja? A nuk e ka zëvendësuar Zoti atë për ju me diçka më të mirë, me besim, me devotshmëri, me vëllazëri dhe me besnikëri në fe?

Zoti ju mëshiroftë! A nuk e dini se keqja është si zgjeba, shumë ngjitëse dhe jashtëzakonisht vdekjeprurëse për njerëzit?  Prandaj, kini frikë Zotin, ruajuni prej Tij dhe mos i toleroni të këqijat në mesin tuaj.

O besimtarë! Çfarë është vërtetë irrituese dhe e habitshme  ajo që shikojmë sot nga disa njerëz që kënaqen, kanë kënaqësi, nga keqja dhe mbyten nga veprat e mira. Mjerë për ata njerëz dhe nëse falen, agjërojnë, kryejnë haxhin dhe umren! Prandaj, shpëtoni veten, shpëtoni komunitetet tuaja, shpëtoni veten para se Zoti të zemërohet me ju, e të mos u përgjigjet lutjeve tuaja dhe të mos ju dërgojë mëshirën e Tij. Sepse i dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, na thotë: “O ju njerëz, vërtetë Zoti i Plotfuqishëm ju thotë: Urdhëroni për në të mirë dhe ndaloni nga e keqja, para se të më luteni Mua dhe Unë të mos ju përgjigjem, para se të më kërkoni Mua dhe Unë të mos ju jap, para se të më kërkoni ndihmë Time dhe Unë të mos ju ndihmoj.”

Pasha Zotin e Aksasë! Kjo është gjendja e muslimanëve në kohën tonë. Neve na mjafton Allahu, Ai është Mbrojtës i mrekullueshëm! Portat e qiellit janë të mbyllura për lutjet tuaja. E si mund t’u përgjigjet Zoti lutjeve të atij që braktis urdhërimin për në të mirë? Si mund t’i përgjigjet Zoti dikujt ushqimi i të cilit është i ndaluar, haram,  pija e të cilit është e ndaluar dhe veshja e të cilit është e ndaluar, haram? Si mund  t’i përgjigjet Zoti dikujt gruaja dhe vajza e të cilit dalin të zbuluara dhe të zbukuruara? Si mund t’i përgjigjet Zoti një babai që lë të birin dhe të bijën të shkojnë në rrugë të gabuar? Si mund t’i përgjigjet Zoti dikujt që shiti tokën e vëllait të tij, kompromentoi nderin e tij dhe derdhi gjakun e vëllait të tij? Shikoni duart tuaja, me to keni mbyllur portën e fitores së Zotit për ju duke braktisur ndalimin e së keqes. Kur do të pendoheni nga ky gjynah i rëndë, i madh? Kur do ndaloni së bërit gjynahe dhe të përfshirit në to?

O ju besimtarë! Bëni kujdes që të mos jeni në mesin e “njerëzve të dyshimit” nga muslimanët. A e dini se kush janë “njerëzit e dyshimit” nga muslimanët? Sikurse kanë thanë paraardhësit tanë të drejtë, ata janë: “Popull që  nuk urdhërojnë për në të mirë dhe nuk ndalon nga ajo që është e keqe”.

O ju muslimanë! Kërkoni strehim tek Zoti që të mos jeni midis të vdekurve të gjallë. A doni që  të ju tregoj se kush janë të vdekurit e gjallë? Sikurse Hudhejfe, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë se ata janë: “Ata që nuk e ndalojnë të keqen me duart e tyre, as me gjuhën e tyre dhe as me zemrat e tyre.” Këta janë ata për të cilët Abdullah Ibn Mesudi,  kur u pyet për “të vdekurit e gjallë” ka thënë: “Ata që nuk e njohin të mirën dhe nuk e dënojnë, ndalojnë të keqen.”

Zoti ju mëshiroftë! Shikoni sa nga “njerëzit e dyshimtë” ka në shoqërinë tonë? Zoti ju ruajtë! Imagjinoni sa nga mesi jonë janë të vdekur duke qenë gjallë?

O adhurues të Zotit! O besimtarë! Bëni urdhërimin për në të mirë rrugën tuaj dhe ndalimin nga e keqja karakteristikë dalluese për ju. Mos u mashtroni nga numri i madh i namazeve tuaja, agjërimi juaj i shumët, përmendja e shumët e  Zotit, apo sa shumë nga Kurani keni mësuar përmendësh, ndërkohë që nuk urdhëroni për në të mirën dhe as nuk ndaloni nga e keqja. Kush është i tillë është nga njerëzot me më pak fe, besim, sepse feja e vërtetë është përmbushja e urdhrave të Zotit. Si mund të jesh fetar, besimtarë dhe i drejtë  kur shikon që ndalesat e Zotit shkelen, kufijtë e Tij shpërfillen, feja jote braktiset dhe suneti i profetit tënd neglizhohet dhe nuk zbatohet?

LEXO  Koha e shoshitjeve

Ku janë ata prej jush që urdhërojnë për në të mirë? Ku janë ata që i kundërvihen të keqes, e largojnë dhe përballen me të, në mënyrë që Zoti t’ju fuqizojë në tokë? Prandaj, përpiquni shumë, sforcohuni dhe jini të zellshëm për çdo vepër të mirë,  mos qëndroni duke e parë të keqen, duke u marrë me të, duke e miratuar dhe aprovuar atë, sepse atëherë mbi ju do të zbresë mallkimi dhe ndëshkimi.

I dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, betohet dhe thotë: “ Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, ju duhet të urdhëroni për në të mirë dhe të ndaloni nga e keqja, ose përndryshe Zoti do t’ju dërgojë një dënim prej Tij.”

O besimtarë! O njerëz të drejtë! O adhurues të Zotit! Për shkak të rëndësisë së detyrës së urdhërimit për në të mirën dhe ndalimit nga e keqja, sahabët, Zoti qoftë i kënaqur me ta, i premtuan besnikëri të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  mbi këtë bazë. Xherir Ibn Abdullahi, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Unë i premtova besnikëri të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  për të falur namazin, për të dhënë zekatin dhe për t’i ofruar këshilla të sinqerta çdo muslimani.” Pra, kush prej jush do të ngrihet dhe do t’i premtojë besnikëri Zotit për të urdhëruar në të mirë dhe për të ndaluar në të keqe?

O besimtarë! O muslimanë! Malik Ibn Dinari ka lexuar këtë ajet: “Në qytet ishin nëntë vetë që bënin ngatërresa e nuk vinin rregull.” (En-Neml 48) Deri në fjalën e Tij: “ Dhe kurdisën një kurth, por Ne u ngritëm një grackë, pa e ndier ata.” (En-Neml 50) Pastaj Malik Ibn Dinar tha: “Sa njerëz në çdo fis dhe familje sot shkaktojnë shthurje në tokë dhe nuk përmirësohen?”

Ndërsa unë po ju them: Sa shtëpi, sa lagje nga lagjet e muslimanëve, sa fshatra, qytete dhe kampe, dhe sa vende kanë njerëz të korruptuar që nuk përmirësohen? Kush do të marrë iniciativën për t’i urdhëruar ata? Kush do të marrë iniciativën për t’i ndaluar ata? Ku janë fytyrat që skuqen kur shikojnë të keqen?

O adhurues të Zotit! O muslimanë! Arsyeja për shkatërrimin e të drejtëve bashkë me të ligjtë është dëshmia e tyre për keqbërjet pa i denoncuar ato, sikur çështja të mos i shqetësonte ata, ose sikur të ishin të kënaqur me namazet, agjërimin, zekatin dhe bamirësinë e tyre, dhe mendonin se kishin arritur kënaqësinë e Zotit, faljen e Tij dhe shpëtimin e tyre nga zjarri i Xhehenemit. Si mund të shpëtohen qafat e atyre që kanë qenë dëshmitarë të së keqes dhe i miratuar ato? Si mund të shpëtohen qafat e atyre që janë mësuar me të keqen dhe kanë marrë pjesë në to? Si mund të shpëtohen qafat e atyre që, kur u urdhëruan të bënin mirë, luftuan kundër tyre?

O besimtarë! O muslimanë! O adhurues të Zotit! Siç e shikoni dhe dëshmoni, shkatërrimi po i bren arabët ndërsa ata mbeten të pavëmendshëm, e shikojnë ndëshkimin e Zotit në mesin e tyre dhe nuk veprojnë për ta shmangur atë. Paraardhësit tanë të mirë nga dijetarët kanë thënë: “Kur grindja përhapet, keqbërja bëhet e shfrenuar dhe nuk ka askush që ta denoncojë atë, atëherë të gjithë do të zhduken.” Pra, nëse keqbërja përhapet dhe dijetarët nuk e dënojnë atë, ose nëse keqbërja përhapet dhe dijetarët e dënojnë atë, por publiku i gjerë nuk e dëgjon thirrjen e tyre, atëherë do të pasojë shkatërrimi mbarë, Zoti na ruajt.

Ky është kuptimi i përgjigjes së profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, kur një nga gratë e tij e pyeti: “O i dërguar i Zotit, a do të shkatërrohemi dhe nëse midis nesh ka njerëz të drejtë, të mirë?”  Ai iu përgjigj asaj: “ Po, nëse ligësia përhapet.”

O Zot, kërkojmë mbrojtjen Tënde nga  çdo e keqe, kërkojmë mbrojtjen Tënde nga  çdo padrejtësi, kërkojmë mbrojtjen Tënde nga  çdo shtypje, kërkojmë mbrojtjen Tënde nga  çdo ligësi. Madhërimi është vetëm për Ty,  Ti e di gjendjen dhe pikëllimin tonë, prandaj: Na i shlyej gjynahet tona, na i fal ato dhe na mëshiro! Ti je Zoti ynë! Prandaj na jep fitore kundër atyre që nuk besojnë!

LEXO  “Ne nuk kemi gjak për të derdhur” - Aksa 07.08.2020

Adhurues të Zotit! Ka ardhur në një hadith fisnik: “ Vërtetë Zoti nuk i përgjigjet lutjes së një zemre të shkujdesur, të pavëmendshme, neglizhente.” 

Prandaj, luteni Zotin duke qenë të bindur në përgjigje!

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij, dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën e Kijametit.

Në vijim

O besimtarë! Askush nga ju nuk duhet t’ua ngarkojë të tjerëve përgjegjësinë e ndalimit të së keqes dhe përgjegjësinë e urdhërimit për në të mirën, ndërsa është i mbështetur në divan, sikur kjo çështje të mos i përkasi atij. Sepse të gjithë duhet të urdhërojmë për në të mirën dhe të ndalojmë nga e keqja.

O muslimanë! Jini të butë kur urdhëroni për në të mirën dhe kur ndaloni nga e keqja. Më të mirët nga ata që urdhërojnë për në të mirë dhe më të mirët nga ata që ndalojnë nga e keqja janë ata me karakterin më të mirë dhe zemrat më të durueshme. Disa dijetarë kanë thënë: “Të dëmtosh një musliman është e ndaluar, ashtu siç është e ndaluar të tolerosh keqbërjen e tij.”

O muslimanë! Më i miri prej jush tek Zoti është ai që urdhëron për në të mirë, ndalon nga e keqja, që i frikësohet Zotit të tij dhe mban lidhjet farefisnore.

O adhurues të Zotit! Nëse ndonjëri nga ju nuk është në gjendje të denoncojë një të keqe që shikon, atëherë le të thotë tri herë: “O Zot, kjo është e keqe, o Zot, kjo është e keqe, o Zot, kjo është e keqe.” Nëse e thotë këtë, atëherë ka bërë atë që ai ka në dorë. Kjo është ajo që është transmetuar nga disa prej sahabëve, Zoti qoftë i kënaqur me ta.

O ju besimtarë! Kush dëshiron ta njohë veten se a është nga njerëzit e besimit apo është nga hipokritët, le ta vendosë veten në peshoren e urdhërimit për në të mirë dhe ndalimit nga e keqja. Nëse ai është nga ata që urdhërojnë për në të mirë dhe ndalojnë nga e keqja, pesha e tij do të jetë e rëndë në peshoren e besimit. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat.” (Et-Teube 71) Por nëse ai urdhëron në të keqe, ose e bën atë, ose është i kënaqur me të, dhe ndalon të mirën, atëherë ai është në anën e hipokritëve në peshore. Zoti i Plotfuqishëm thotë: “Hipokritët dhe hipokritet janë të ngjashëm me njëri-tjetrin: kërkojnë që të bëhen vepra të këqija e pengojnë të mirat…” (Et-Teube 67)

O ju besimtarë! O ju durimtarë! Ne kemi gjithmonë nevojë për mëshirën e Zotit, por sot kemi nevojë dhe më shumë për të, ndërsa përjetojmë sprova dhe vuajtje çdo orë, ditë e natë. Prandaj, urdhëroni në të mirë dhe ndaloni nga e keqja, në mënyrë që Zoti të na mëshirojë me mëshirën e Tij të gjerë dhe të na largojë dobësinë, poshtërimin dhe degradimin në të cilin ndodhemi. Zoti atyre që urdhërojnë për në të mirë dhe ndalojnë nga e keqja u ka premtuar mëshirë, duke thënë: “Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu. Se, Allahu me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (Et-Teube 71)

O ju të lidhur me këtë vend! Nga veprat e mira që ju i neglizhoni është udhëtimi i vazhdueshëm për në xhaminë Aksa për namaz në të. Prandaj, kryeni këtë vepër të mirë me udhëtimin për në Aksa, vend udhëtimi i natës së Israsë. Ruani shenjtërinë dhe bekimin e saj, jini fqinji më i mirë me të. E gjithë kjo është ndër veprat e mira që janë të detyrueshme për ju ndaj Aksasë tuaj dhe ndaj qëndrueshmërisë tuaj në fenë tuaj në shtëpinë e shenjtë, Kuds, dhe përreth tij.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro mosbesimin dhe jobesimtarët. O Zot, bashko zemrat e muslimanëve, përmirëso marrëdhënijet e tyre dhe udhëzoji ata në rrugët e paqes.

O Zot, ndihmo fenë Tënde, Librit Tënd dhe sunetin e profetit Tënd, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. O Zot, lehtëso shqetësimin e të pikëlluarve nga muslimanët! O Zot, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët nga muslimanët! O Zot, mundëso lirinë e të burgosurve dhe pengjeve, mundëso shlyerjen e borxheve nga borxhlinjtë. O Zot, na jep një përfundim të mirë në të gjitha çështjet tona, na shpëto nga poshtërimi në këtë botë dhe ndëshkimi në Ahiret. O i Gjallë, o Përjetshëm, Mbajtësi gjithçkaje, me mëshirën Tënde kërkojmë strehim, përmirëso të gjitha çështjet tona.

O Zot, na mbro nga të këqijat e veteve tona, nga të këqijat e veprave tona, dhe na mbro nga e keqja e çdo keqbërësi, o Zot i botëve. O Zot, bëje Aksanë të sigurt me mbrojtjen Tënde, të nderuar me nderin Tënd dhe fitimtare me fitoren Tënde të qartë. O Zot, na jep mundësinë të shkojmë atje në mëngjes dhe në mbrëmje në çdo kohë.

O Zot, na bëj prej atyre që urdhërojnë në të mirë dhe ndalojnë nga e keqja.

O Zot, na fal ne, prindërit tanë, gratë tona, bijtë tanë, bijat tona, fqinjët tanë të drejtë, besimtarë dhe të devotshëm, dhe ata që kanë të drejtë mbi ne. O  Zot, fali muslimanët dhe muslimanet, të gjallët dhe të vdekurit prej tyre.

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun, Ai ju kujton ju, falënderojeni Atë e Ai do ju japë më shumë.

Ti që fton për namaz, fto në namaz!

“…Vërtet, namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe, vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1419753670151309/1366650955245879

Post Author: endrit