Arritja e Mbrojtjes në mes të fanatizmit dhe udhëzimit

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    28-06-1447 H     19-12-2025 D

Shejh Mahir El Muajkili  

Tema  Arritja e Mbrojtjes në mes të fanatizmit dhe udhëzimit

Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin i Cili përfshin të gjitha gjërat në dije e Tij, ka numëruar të gjitha gjërat, bekimet e Tij janë të panumërta dhe favoret e Tij janë të pafundme.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, i Lavdëruar është Ai, i Madhi, i Lartësuari, Zotëruesi i Madhështisë, Bukurisë dhe Lavdisë.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari  ynë, Muhamedi është rob i  Zotit dhe i dërguari i Tij, orientoi njerëzit në rrugën e udhëzimit dhe i paralajmëroi ata nga rruga e gabimit dhe shkatërrimit. Paqja e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij, mbi gratë e tij, mbi tabi’inët dhe mbi ata që i pasojnë në mirësi dhe ecin në gjurmët e tyre, atyre u dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.

Në vijim

O besimtarë! Këshilloj ju dhe veten time që t’i frikësohemi Zotit, për falënderimin  e Tij  në kohë të mira  dhe që të jeni të duruar me caktimin e Tij në kohë vështirësishë: “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” (El-Ahzab 70-71)

Umeti musliman! Nderi i diturisë qëndron në nderimin e asaj që dihet. Dituria, njohja më e mirë dhe më e nderuar është njohja e Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar. “Është Ai, i Cili krijoi qiejt, Tokën dhe gjithçka që gjendet midis tyre për gjashtë ditë e pastaj u ngrit mbi Fron. Ai është i Gjithëmëshirshmi dhe pyet për Atë ata që dinë.” (El-Furkan 59) Sa më shumë që njeriu ta njohi Krijuesin e tij, aq më i madh do të jetë besimi i tij tek Ai dhe frika e tij prej Tij, siç dhe Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët…” (El-Fatir 28) Nga emrat e Tij të Bukur janë: “El-Valij” dhe “El-Muveli” Mbrojtësi, të cilët janë përmendur në Kuranin Famëlartë prej tyre fjala e Tij, Zotit të Lartësuar: “ Është Ai që e zbret shiun, kur ata kanë humbur çdo shpresë dhe përhap mëshirën e Vet; Ai është Mbrojtësi i vërtetë dhe i  Denji për falënderim.”(Esh-Shura 28) Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “ Vallë, a mos zgjedhin ata mbrojtës tjetër, përveç Atij?! Sigurisht, vetëm Allahu është Mbrojtësi. Ai i ngjall të vdekurit dhe është i Fuqishëm për çdo gjë.” (Esh-Shura 9) I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në lutjen e tij thoshte: “O Zot, jepi shpirtit tim devotshmëri dhe pastroje atë, sepse Ti je më i miri që e pastron atë. Ti je Ruajtësi dhe Mbrojtësi i tij.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.  Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar është Mbrojtësi, Ai që mbron çështjet e krijesave dhe botës, njerëzve dhe xhindët të tyre,  gjërat e tyre të gjalla dhe të pajetë. Ai është Krijuesi i Vetëm i krijimit dhe Ai është Mbrojtësi i Vetëm i çështjeve të krijesave të Tij.

Mbrojtja e Zotit të Lartësuar është dy llojesh:

Mbrojtja e përgjithshme për besimtarin dhe jobesimtarin, të drejtin dhe të ligun. Zoti i Plotëfuqishëm është Krijuesi dhe Sunduesi i tyre, menaxhon punët e tyre dhe përcakton furnizimet e tyre, kështu që të gjithë robërit, njerëzit,  janë nën Mbrojtjen e Tij dhe i nënshtrohen menaxhimit të Tij, i Lavdëruar është Ai dhe të shenjtë janë emrat e Tij.

Mbrojtja e dytë është një mbrojtje e veçantë, është mbrojtje, kujdesjej, dashurie, mbështetjeje, ndihme, ruajtjeje, suksesi dhe udhëzimi, mbrojtje specifike për besimtarët dhe robërit e drejtë të Zotit. “Allahu është Mbrojtësi i atyre që besojnë. Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë. Sa për ata që nuk besojnë, mbrojtësi i tyre është djalli, i cili i nxjerr ata nga drita dhe i shpie në errësirë. Këta janë banorët e Zjarrit (të Xhehenemit), ku do të qëndrojnë përgjithmonë.” (El-Bekare 257)

Besimtari lufton kundër dëshirave të veta dhe kërkon udhëzimin e Zotit të tij, e nëse bën gjynah, ai kthehet i penduar te Mbrojtësi i tij. “Ti je Mbrojtësi ynë, andaj falna dhe mëshirona! Ti je më i Miri i mëshiruesve!” (El-A’raf 155) Zoti i Madhërishëm duke treguar për besimtarët atë që ua forcon zemrat dhe ua përforcon vendosmërinë, ka thënë: “ Por, Allahu është Mbrojtësi juaj dhe Ai është Ndihmuesi më i mirë.” (Al ‘Imran 150) Kjo mbrojtje është ekskluzive për besimtarët dhe u mohohet jobesimtarëve, siç Zoti i Lartësuar ka thënë: “Kjo për shkak se Allahu është Mbrojtës i atyre që besojnë, kurse për mohuesit nuk ka mbrojtës.” (Muhammed 11)

LEXO  O Zot të kërkojmë të na japësh durim dhe shpërblim

Në Sahihun e Buhariut ka ardhur se kur i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, u plagos në betejën e Uhudit dhe shtatëdhjetë nga shokët e tij ranë dëshmorë, Ebu Sufjani, Zoti qoftë i kënaqur me të, i cili në atë kohë ishte politeist, pabesimtarë, doli dhe filloi të thërriste, duke thënë: A është Muhamedi midis njerëzve? I dërguari, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, u tha: “Mos iu përgjigjni.” Ai pyeti: “A është djali i Ebu Kuhafes midis njerëzve?” I dërguari, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, u tha: “Mos iu përgjigjni.” Pastaj pyeti: “A është djali i Hattabit, Omeri, midis njerëzve?” Ebu Sufjani tha: “Vërtetë këta burra janë vrarë, sepse, sikur të ishin gjallë, do të përgjigjeshin.” Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me të, nuk mundi ta përmbante veten dhe tha: “Gënjen, o armik i Zotit! Zoti të lëntë me atë që do të të turpërojë!” Pastaj Ebu Sufjani tha: “I lartësuar është Hubeli! I lartësuar është Hubeli, idhudh!” I dërguari, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, u tha: “Përgjigjuni atij.” Ata pyetën: “Çfarë duhet të themi, o i dërguar i Allahut?” Ai u tha: “Thoni: Allahu është më i Larti dhe më i Lavdëruari.” Ebu Sufjani tha: “Ne e kemi Uzën dhe ju nuk keni Uza.” I dërguari, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, u tha: “Përgjigjjuni.” Ata pyetën: “Çfarë duhet të themi, o i dërguar i Allahut?” Ai u është përgjigjur duke ju thënë: “Thuaj: Allahu është Mbrojtësi, Kujdestari ynë, dhe ju nuk keni asnjë mbrojtës.”

Vëllezër në besim! Nëse Zoti kujdeset për një rob të Tij, Ai e zgjedh atë, e nderon dhe e udhëzon. Nëse robi  i afrohet Zotit të tij sa një pëllëmbë dore, Zoti i afrohet atij sa një krah. Nëse robii i afrohet Atij sa një krah, Zoti i afrohet atij me hapa gjigant. Nëse robi i afrohet Atij duke ecur, Zoti i afrohet atij duke vrapuar.

Zoti i dhuroi atij një nder të veçantë. Jusufi, paqja e Zotit qoftë mbi të, u hodh në errësirën e pusit, ndërsa Ai, i Lartësuari, bëri që karvani të kishte nevojë për ujë për ta nxjerrë atë. Gruaja e Azizit u frymëzua që të dëshironte fëmijë që të mund ta merrte dhe ta adoptonte.  Ai bëri që të burgosurit të kishin nevojë për një interpretim ëndrrash që ai të mund të lirohej. Zoti bëri që Azizi, udhëheqësi i Egjiptit të kishte nevojë për të që ta emëronte si ministër të tij mbi hambaret e tokës, e pastaj frymëzoi vëllezërit e tij që të dëshironin të kthehen tek ai. Zoti e ribashkoi me prindërit e tij ndërsa ai ishte në kulmin e nderit dhe pozitës. Jusufi, paqja e Zotit qoftë mbi të, tha: “O Zoti im! Ti më ke dhënë pushtet dhe më ke mësuar shpjegimin e ëndrrave! O Krijues i qiejve dhe i Tokës, Ti je Mbrojtësi im edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër! Bëj që të vdes si musliman dhe më shoqëro me punëmirët (në botën tjetër)!” (Jusuf 101)

Të dashur vëllezër! Kush ka Zotin mbrojtës, përpiqet t’ia kushtojë punën e tij vetëm Atij dhe shkëputet nga dëshirat e tij, me frerin e bindjes  frenon veten dhe e vendos veten në mënyrë që të bëhet i drejtë, e zbutën veten në mënyrë që të bëhet i butë, derisa lëvizjet dhe qëndrimi i tij të bëhen për kënaqësinë e Zotit dhe Sunduesit të tij, thjesht vetëm për Të, Një i Vetëm dhe i pa shok. “Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij.” (El-En’am 162-163) Kush ka Zotin mbrojtës, zemra e tij do të jetë në paqe, mendja e tij do të jetë e qetë dhe ai do të jetë i sigurt në mbështetjen e Zotit të tij. Kështu, ai do të jetë në një fortesë të fortë dhe një mbështetje të fuqishme. “Allahu mjafton si Mbrojtës për ju. Allahu mjafton si Ndihmës për ju.” (En-Nisa’ 45) Kush  ka Zotin mbrojtës, është i kënaqur me Atë si Zot të tij, me Islamin si fe të tij dhe me Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, si profet dhe të dërguar të tij. Nuk ka mënyrë tjetër për të arritur mbrojtjen e Zotit përveçse nëpërmjet rrugës së profetit dhe të zgjedhurit të Tij. “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” (Al ‘Imran 31) Besimtari duhet të bëj kujdes për të ndjekur urdhrin e profetit të tij, të shmangë atë që ai ka ndaluar,  të njohë udhëzimin e tij dhe të ndjekë shembullin e tij, në mënyrë që të fitojë lumturi në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret.

LEXO  O Zot na përmirso fenë, jetën në këtë botë dhe Ahiretin - Meka 03.12.2021

Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “ Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar. Ne jemi mbrojtësit tuaj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Atje do të keni çfarë t’ju  dëshirojë zemra dhe çfarë të kërkoni, dhuratë e pasur prej një Zoti Falës dhe Mëshirëplotë.” (Fussilet 30-32)

Zoti na begatoftë në Kuranin Famëlartë dhe na bëftë dobi të gjithëve nga argumentat dhe urtësitë e tij të qarta. Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju nga çdo gjynah dhe gabim, tek Ai  kërkoni falje me të vërtetë Ai është Falës i madh.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, Zotëruesin e Arshit të Madhërishëm, Ai përhapën mëshirën e Tij, Ai është Mbrojtësi i Lavdëruar, Ai krijoi krijesat, disa prej tyre të mjera dhe disa të lumtura, Ai i nderoi mbështetësit e Tij,  Zoti bën çfarë të dojë. “Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të Tij.” (Fussilet 46)

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari  ynë, Muhamedi është rob i  Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, atyre u dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.

Në vijim

O besimtarë! Zoti përmend në Librin e Tij të qartë, në Kuran,  cilësitë e miqve të Tij të devotshëm dhe shpjegon statusin e tyre të lartë, pozicionin e tyre të lartë, fatin e tyre të mirë dhe vendbanimin e tyre të këndshëm, kështu Bujari, Mëshirëploti thotë: “Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar. (Të tillë janë) ata që besojnë dhe   që (i) frikësohen (Allahut).” (Junus 62-63)

Çdo besimtar i devotshëm është mik i Zotit. Ai është që kombinon drejtësinë e brendshme me besimin, dhe drejtësinë e jashtme dhe të brendshme me devotshmërinë. Miqësia e tij me Zotin është sipas besimit dhe devotshmërisë së tij. Miqtë e ngushtë të Zotit nuk mund t’i afrohen Atij, as konkurrentët nuk konkurrojnë për asgjë më të dashur për Zotin sesa me detyrat e Tij që ka përcaktuar dhe detyrimet e Tij që ka obliguar. Pastaj ata përpiqen drejt veprave nafile dhe bëjnë sa më shumë prej tyre që të munden derisa Zoti t’i dojë ata.

Umeti musliman! Nga aspaktet e mëdha të monoteizmit, besimit në Një Zot, në të cilin disa kanë ngecur është, është porta e “njerëzve të mirë”, kur njerëzit nuk i peshonin veprat e tyre me peshoren e Librit të Zotit, Kuran,  dhe të sunetit, dhe nuk i rregulluan ato me metodën e paraardhësve të umetit, selefëve. Kështu, ndodh ekstremizmi me njerëzit e mirë, deri në atë pikë sa disa njerëz, Zoti na udhëzoftë ne dhe ata, filluan t’u luten njerëzve të mirë në vend të Zotit, dhe të kërkojnë ndihmë prej tyre, të therin dhe të bëjnë premtime për ta, të bëjnë tavaf, ecin rreth faltoreve të tyre, duke pretenduar se kjo i afron ata me Zotin, duke pretenduar se kjo i afron ata me Zotin, dhe se ata janë mjete dhe ndërmjetës për të arritur kënaqësinë e Tij. Zoti i Madhërishëm dhe i Plotfuqishëm e ka hedhur poshtë këtë keqkuptim, duke thënë: “Vetëm Allahut i takon adhurimi i vërtetë. Sa për ata që marrin mbrojtës të tjerë, përveç Tij, duke thënë: “Ne u lutemi atyre vetëm që të na afrojnë tek Allahu”, Allahu me siguri që do t’i gjykojë për mospajtimet që kanë patur. Vërtet, Allahu nuk e udhëzon atë që është gënjeshtar e mohues.” (Ez-Zumer 3) Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar duke shpjeguar pavlefshmërinë e lutjes ndaj kujtdo tjetër përveç Tij, ka thënë: “Ky është Allahu, Zoti juaj. Pushteti është i Tiji! Kurse ata, të cilëve ju u luteni në vend të Tij, nuk zotërojnë as sa cipa e bërthamës së hurmës. Nëse ju u luteni atyre, ata nuk e dëgjojnë lutjen tuaj, por edhe sikur ta dëgjonin, nuk do t’ju përgjigjeshin. Në Ditën e Kiametit, ata do ta mohojnë adhurimin që u bënit atyre. Askush nuk mund të të njoftojë ty (o Muhamed) ashtu si Ai që është i Gjithëdijshëm.” ( El-Fatir 13-14) Njerëzit e drejtë, të mirë, janë robërit që janë të obliguar të adhurojnë, asnjë akt adhurimi nuk u drejtohet atyre, as gjatë jetës së tyre as pas vdekjes së tyre, as nuk ndërtohet asgjë mbi varret e tyre, as vendi i varreve të tyre nuk merret si vend adhurimi.

LEXO  Disa nga arsyet e lumturisë së zemrës dhe qetësisë së shpirtit

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e ka mbyllur këtë portë dhe ndaloi ndërtimin e strukturave mbi varre duke thënë:  “  Ata që ishin para jush i merrnin varret e profetëve të tyre dhe të njerëzve të drejtë si vende adhurimi. Mos i merrni varret e tyre si vende adhurimi. Unë ju ndaloj ta bëni këtë.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.

Pikëpamja e saktë në këtë çështje është se nuk duhet të ketë as teprim dhe as neglizhencë në të drejtat e shenjtorëve, njerëzve të mirë, as ashpërsi që mohon të drejtat e tyre, as ekzagjerim në lidhje me ta, përkundrazi, ne i duam ata për hir të Zotit, kërkojmë kënaqësinë dhe mëshirën e Zotit për ta, dhe i lutemi Zotit të na mbledhë me ta në kopshtet e Lumturisë, në Xhenet. “Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë, që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar përmbi ju.” (El-Bekare 143)

O besimtarë! Dijeni se Zoti ju ka urdhëruar në një çështje fisnike, të cilën e filloi me Veten e Tij dhe ka thënë:  “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El-Ahzab 56) 

O Zot, fale dhe mëshiroje Muhamedin, bashkëshortet dhe pasardhësit e tij, siç e mëshirove familjen e Ibrahimit.

O Zot, bekoje Muhamedin,  bashkëshortet dhe pasardhësit e tij, siç e bekove familjen e Ibrahimit, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhërishëm.

O Zot,  të lutemi të jesh i kënaqur me  Halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij dhe tabi’inët, me ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e Kijametit,  dhe me ne së bashku me ta, me Faljen, Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, bëj këtë vend të begatë, të siguri, të qetë dhe të stabilizuar dhe të gjitha vendeve  muslimane.

O Zot, na jep siguri në vendit tonë, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, mbështet me të vërtetën udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona.

O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë,  kujdestarit të dy xhamive të shenjta, dhe zëvendësit të tij besnik, në atë që është lavdia e Islamit dhe përmirësimi i musimanëve, dhe në atë që është në të mirë të vendit dhe popullit, si dhe të gjithë kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve.

O Zot, ruaj tek ne fenë tonë, udhëheqësit tanë dhe sigurinë tonë. O Zot, jepu sukses njerëzve të sigurisë tonë dhe atyre që vigjilojnë në kufijtë tanë.

O Zot, jepu vëllezërve tanë në Palestinë siguri, mbrojtje, stabilitet dhe qetësi shpirtërore. O Zot, të lutemi që të jesh për ata mbrojtje dhe ndihmues, mbështetës dhe përkrahës.  O Zot, mbro xhaminë Aksa dhe bëje atë krenare dhe të nderuar deri në Ditën e Gjykimit.

O Zot, largo shqetësimet e muslimanëve të shqetësuar, lehtëso vuajtjet e të pikëlluarve, mundëso shlyerjen e borxheve atyre që kanë borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve. O Zot, na  përmirëso në  fenë tonë e cila është pjesë e jetës tonë, përmirëso jetën tonë ( në këtë botë) që  është vendqëndrimi i përkohshëm për ne,  dhe përmirëso  jetën tjetër (Ahiretin) në të cilën  është takimi ynë. O Zot, bëj jetën tonë shtim të çdo mirësie dhe vdekjen lehtësim për ne nga çdo e keqe, na shpëto nga poshtërimi në këtë botë dhe nga dënimi në botën Tjetër, Ahiret. O Zot, na bëj prej robërve të Tu të drejtë, të devotshëm,  nga ata të cilët nuk kanë frikë dhe as nuk pikëllohen. O Zot, fali muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët dhe të vdekurit prej tyre.

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare 201)

“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)

“…dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 128)

“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1435471335246209/715027214670780

Post Author: endrit