Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 06-07-1447 H 26-12-2025 D
Shejh Dr. Abdul Muhsin Ibn Muhamed El Kasim
Tema Garimi në vepra të mira është rruga drejt shpëtimit
Me të vërtetë lavdërimet janë për Zotin. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë, falje dhe udhëzim kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e udhëzon Zoti s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, për të gjithë dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.
Në vijim
Adhurues të Zotit! Frikësojuni Zotit me frikë të vërtetë dhe binduni Atij në fshehtësi dhe hapur.
O muslimanë! Zoti ka krijuar njerëzit për të adhuruar vetëm Atë, ka bërë këtë botë fushë veprimi për botën Tjetër, Ahiretin, dhe vend konkurimi në bindjen ndaj Tij. Zoti nxitën njerëzit të marrin iniciativa në vepra të mira dhe të nxitojnë për t’iu afruar Atij. Nxitja për të bërë vepra të mira është më shumë sesa thjesht të urdhërohesh për t’i bërë ato, ajo përfshin kryerjen, përsosjen dhe zbatimin e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo është më e përshtatshme në nënshtrim, adhurim të Zotit. Shpirtrat e devotshëm përfitojnë nga konkurenca për të kapur ritmin dhe për të përparuar. Ky është tregues i qartë i ambicies së lartë, karakterit fisnik dhe përngjasim i njerëzve me vlera. Nxitja në vepra të mira është nga gjërat më të mëdha për të cilat mund të lavdërohet njeriu, sepse tregon gatishmëri për t’iu bindur dhe për ta dashur Zotin. Profetët, paqja e Zotit qoftë mbi ta, kanë nxituar për ta kënaqur Zotin. Musai, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “…e unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde.” (Ta Ha 84) I dërguari ynë, Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, një ditë fali namazin me shokët e tij, pastaj u ngrit shpejt dhe kaloi në mes rreshtave të njerëzve drejt dhomave të disa prej grave të tij, sa që njerëzit u alarmuan nga shpejtësia e tij. Ai tha: “Mu kujtuan se kisha pak flori në shtëpi, domethënë flori për bamirësi, nuk më pëlqente që të më mbajë të shpërqëndruar prandaj e solla që ta shpërndajë.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu.
Zoti i Plotëfuqishëm ka lajmëruar se nga karakteristikat e popujve të më parshëm ishin: “ …e urdhërojnë të mirën, e ndalojnë të keqen dhe nxitojnë për të bërë punë të mira.” (Al ‘Imran 114) Zoti urdhëroi këtë umet që të nxitojë drejt faljes dhe Xhenetit të Tij, dhe ka thënë: “ Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka…” (Al ‘Imran 133) Sikurse Zoti i nxiti ata të konkurronin për të, dhe ka thënë: “Prandaj përpiquni t’ia kaloni njëri-tjetrit, duke kërkuar falje prej Zotit tuaj dhe një kopsht të gjerë sa qielli dhe Toka…” (El-Hadid 21)
Shokët e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, nxitonin drejt dashurisë së Zotit dhe të dërguarit të Tij, kur ai, paqja dhe bekimi mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Do t’ia jap këtë flamur një njeriu nëpërmjet të cilit Zoti do t’i japë fitoren. Ai e do Zotin dhe të dërguarin e Tij, sikurse Zoti dhe i dërguari i Tij e duan atë.” Sehli, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “ Kështu njerëzit e kaluan natën duke menduar se kujt do t’i jepej ai flamur, e në mëngjes të gjithë shpresonin për të.” Muttefikun alejhi.
Sahabet, Zoti qoftë i kënaqur me të gjithë, garonin për mikpritjen e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, se kush prej tyre do e shijonte. El Bera’e, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “ Ne erdhëm në Medinë, domethënë, gjatë hixhretit, shpërnguljes, e ata garuan se tek kush prej tyre do qëndronte i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.” Ai tha: “Unë do të rri tek Benu Nexhjar, xhaxhallarët e Abdul Mutalibit, do t’i nderoj ata me këtë.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.
Ata garuan në ndërtimin e xhamisë së profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Ata i mbanin tullat e xhamisë një nga një, ndërsa Amar Ibn Jasiri mbante dy tulla në të njëjtën kohë. Transmetuar nga Buhariu. Ahmedi ka shtuar: I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i ka thënë atij: “O Amar, pse nuk mban një tullë si shokët e tu?” Ai u përgjigj: “Unë kërkoj shpërblim nga Allahu.” Sahabet, Zoti qoftë i kënaqur me ta, u përpoqën që askush të mos i kalonte në adhurim. Të varfrit nga muhaxhirinët erdhën tek i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe i thanë: “Të pasurit i kanë marrë të gjitha shpërblimet dhe lumturinë e përjetshme.” Ai pyeti: “ E pse ndodh kjo?” U përgjigjën: “Ata falen siç dhe ne falemi, agjërojnë siç agjërojmë ne, ata japin lëmoshë ndërsa ne nuk mundemi, nuk kemi, ata lirojnë skllevër ndërsa ne nuk mundemi.” Muttefikun Alejhi.
Garuan në mësimin e udhëzimit të të dërguarit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, që të drejtohen me të. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, Usama, Bilali dhe Othman ibn Talha hynë në Qabe në vitin e çlirimit të Mekes. e mbyllën derën pas tyre dhe qëndruan për një kohë të gjatë. Pastaj doli dhe njerëzit nxituan të hynin. Ibn Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me të dy, ka thënë: Isha përpara tyre dhe e gjeta Bilalin duke qëndruar pas derës. E pyeta: Ku u fal i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të?” Muttefikun Alejhi.
Ata nxituan të bënin atë që i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i thërriste të bëjnë, dhe i jepnin përparësi atij mbi veten e tyre edhe nëse ishin në nevojë. Një burrë shkoi tek i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe i tha: Jam i rraskapitur (domethënë, nga uria). Ai tha: “Kush do ta presë këtë burrë sonte, Zoti e mëshiroftë?” Një burrë nga Ensarët u ngrit dhe tha: Unë do ta mikpres, o i dërguar i Zotit. Kështu ai e priti atë dhe pse kishte ushqim të mjaftueshëm vetëm për fëmijët e tij. Ai i tha gruas së tij: “Shpërqendroi ata me diçka, dhe kur të hyjë mysafiri ynë, fikeni llambën dhe bëjeni të mendojë se po hamë. Kur të arrijë ushqimin, ngrihuni dhe fikeni llambën.” Ai tha: Kështu që u ulën dhe mysafiri hëngri. Kur erdhi mëngjesi, ai shkoi tek i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe i tha: dhe i tha: “Zoti është mahnitur nga ajo që bëre për mysafirin tënd mbrëmë.” Muttefikin Alejhi.
Sahabet, Zoti qoftë i kënaqur me ta, ishin të etur për të fituar cilësi të mira, dhe nëse kjo do të thoshte të largoheshin nga atdheu i tyre. Një grup njerëzish erdhën tek i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe i thanë: “O i dërguar i Zotit, na dërgo një njeri të besueshëm.” Ai tha: “Do të dërgoj tek ju një njeri vërtet të besueshëm.” Shokët e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e pritën me padurim, kështu që ai tha: “Çohu në këmbë, o Ebu Ubejde Ibn El Xherrah.” Muttefikun Alejhi.
Kur i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, na informoi se ka nga ata në këtë umet që do të hyjnë në Xhenet pa dhënë llogari, Ukasha u ngrit dhe tha: “Lutju Zotit që të më bëjë njërin prej tyre.” Ai tha: “Ti je një prej tyre.” Pastaj një burrë u ngrit dhe tha: “O i dërguari i Zotit, lutju Zotit që të më bëjë njërin prej tyre.” Ai tha: “Të parapriu në këtë Ukasha.” Muttefikun Alejhi.
Ashtu siç ata garonin, Zoti qoftë i kënaqur me ta, në adhurime, garonin gjithashtu t’u sjellin gëzim njerëzve. Ka’b Ibn Malik, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Kur u zbulua pendimi im, dëgjova zërin e një burri që bërtiste nga maja e malit Sal’a, duke bërtitur me gjithë zërin e tij: “O Ka’b, gëzohu!” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, njoftoi pranimin e pendimit tonë nga Zoti, njerëzit erdhën të na jepnin lajmin e mirë dhe lajmëtarët shkuan drejt dy shokëve të mi për ti përgëzust ata. Një burrë hipi mbi një kalë drejt meje dhe një lajmëtar nga Eslem u ngjit me shpejtësi në mal. Zëri ishte më i shpejtë se kali. U nisa drejt të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ndërsa njerëzit erdhën tek unë në grupe, duke më përgëzuar për pendimin tim, derisa hyra në xhami ku ishte i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ulur me njerëz përreth tij. Talha Ibn Ubejdullah u ngrit përballë meje, erdhi duke vrapuar derisa më shtrëngoi dorën dhe më përgëzoi, e nuk do ta harroj kurrë këtë nga Talha.” Muttefikun Alejhi.
Ndërsa Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili konsiderohet shembulli i sahabëve në dhurim me dakortësi, e dhuroi të gjithë pasurinë e tij për Zotin dhe për të dërguarin e Tij. Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, na urdhëroi një ditë të jepnim lëmoshë, ku rastësisht kisha shumë pasuri në atë ditë. Thashë: “Sot do ta kaloj Ebu Bekrin, nëse ndonjëherë do ta kaloj atë, në sadaka.” Kështu që solla gjysmën e pasurisë sime. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, më tha: “Çfarë ke lënë për familjen tënde?” Unë u përgjigja: “Po kaq, gjysmën.” Pastaj Ebu Bekri solli gjithçka që zotëronte. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i tha: “Çfarë ke lënë për familjen tënde?” Ai tha: “Ua kam lënë atyre Zotin dhe të dërguarin e Tij.” Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, tha: “Nuk do të konkurroj kurrë me ty në asgjë.” Transmetuar nga Tirmidhiu.
Në një ditë të vetme, Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte me agjërim,përcolli një xhenaze, ushqeu një të varfër dhe vizitoi një të sëmurë. I dërguari i i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, tha: “Kur këto cilësi bashkohen tek një person vetëm se ai do të hyjë në Xhenet.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.
Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me të, duke përshkruar Ebu Bekrin, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Ai është gjithmonë i pari në kryerjen e veprave të mira, sa herë që kemi garuar në vepra të mirë Ebu Bekri na ka paraprirë, fituar në to.” Hadithin është transmetuar nga Ahmedi.
Të parët e Muhaxhirëve dhe Ensarëve që shpenzuan para çlirimit të Mekes dhe luftuan janë në një shkallë më të lartë se të gjithë sahabet e tjerë. Më të mirët nga garuesit e parë janë katër Kalifët, e më i miri prej tyre është Ebu Bekri, pastaj Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me të gjithë.
Në umet ka nga ata që përpiqen dhe nxitojnë të bëjnë vepra të mira, duke i kaluar të tjerët. Zoti i plotëfuqishëm ka thënë: “ …ndërsa disa, me lejen e Allahut, shkojnë përpara me të mira (përtej detyrimeve)…” (El-Fatir 32)
Nga garat e besimtarëve që nxitojnë në veprave të mira që ua kanë ngritur statusin e tyre është se ata i frikësohen Zotit të tyre, besojnë në ajetet e Zotit të tyre, nuk i shoqërojnë asgjë Zotit të tyre, dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen tek Zoti i tyre.
Kush ka mundësinë t’i afrohet Zotit dhe t’i bindet Atij le të nxitojë dhe të garojë në të, sepse qëndrueshmëria dhe vendosmëria lëkunden shpejt dhe rrallë qëndrojnë të palëkundura. Ibn El Kajimi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Zoti i Plotëfuqishëm e ndëshkon këdo që i hap një derë mirësie dhe nuk e shfrytëzon atë duke i vendosur një pengesë midis zemrës dhe vullnetit të tij, në mënyrë që të mos ia mundësojë ta bëjë këtë më pas si ndëshkim për të.” Zoti i Plotëfuqoshëm ka thënë: “ O besimtarë! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë! Dhe ta dini se Allahu ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij…”(El-Enfal 24)
I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka nxitur të shpejtojmë në vepra të mira para se ato të na bëhen të pamundura dhe të preokupohemi, angazhohemi me fatkeqësitë që zbresin, shumohen dhe na grumbullohen. Ai tha: “Nxitoni të bëni vepra të mira përpara se sprovat të vijnë si copëzat e natës së errët, kur njeriu do të zgjohet besimtar në mëngjes dhe ngryset jobesimtar në mbrëmje, ose zgjohet jobesimtar në mëngjes dhe ngryset besimtar në mbrëmje, dhe e shet fenë e tij për një përfitim të kësaj bote.” Hadithi është transmetuar nga Muslimi.
I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, na ka treguar për vepra të cilat, të cilat, nëse njerëzit do ta dinin shpërblimin e tyre do të garonin në to. Ai ka thënë: “Sikur njerëzit do ta dinin se çfarë shpërblimi përmban ezani dhe radha, safa e parë, nuk do të gjenin mënyrë tjetër për ti marrë përveçse duke hedhur short, do të hidhnin short për to. Nëse do ta dinin çfarë shpërblimi përmban shkuarja herët në namaz, do të nxitonin për të. Nëse do ta dinin çfarë shpërblimi përmban namazi i jacisë dhe i sabahut, do të vinin në to dhe nëse do t’u duhej të zvarriteshin.” Muttefikun Alejhi.
Kush garon në këtë botë të bëjë vepra të mira dhe ia del mbanë, fiton, do të jetë ndër të parët që do të hyjë në Xhenet në jetën e Përtejme, në Ahiret. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “Dhe ata që kanë prirë (në besim) e që do të prijnë (edhe në Xhenet). Ata janë të afërtit (tek Allahu), në kopshtet e kënaqësisë.” (El-Uaki’a 10-12)
Në vijim
O ju muslimanë! Konkurroni, garoni në përpjekje për përsosmëri në vepra, e nëse mundesh që askush të mos të paraprijë tek Zoti, atëherë bëjeni këtë. Veprat e bamirësisë dhe bindjes janë të shumta. Kështu që kush ju paraprin në njërën prej tyre, nuk duhet t’ju paraprijë në tjetrën. Kush pengohet nga një justifikim për të garuar, atëherë një qëllim i sinqertë zë vendin e veprës. Ai me zemër të pastër lutet për falje për këdo që e paraprin atë në veprat e devotshmërisë. Zoti i Plotfuqishëm thotë: “ Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh…” (El-Hashr 10)
Kush garon të kryejë akte adhurimi dhe ia del mbanë, le ta lavdërojë Zotin për udhëzimin dhe ndihmën e Tij, dhe të mos impresionohet nga puna e tij në mënyrë që ajo të humbasë vlerën.
Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “ Pastaj, Ne ua dhamë Librin robërve Tanë të zgjedhur (nga ndjekësit e Muhamedit a.s.). Disa prej tyre i bëjnë dëm vetes (duke bërë vepra të ndaluara), disa janë në rrugë të mesme (duke kryer detyrimet dhe duke shmangur të ndaluarat), ndërsa disa, me lejen e Allahut, shkojnë përpara me të mira (përtej detyrimeve); kjo është dhuntia e madhe.” (El-Fatir 32)
Zoti na begatoftë në Kuranin Famëlartë, Zoti na bëftë dobi nga argumetet dhe urtësitë e tij të mëdha.
Zotit i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët, tek Zoti kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirbërës.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet i takojnë Zotit për mirësitë e Tij, Atë e falënderojmë për suksesin dhe arritjet. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai meriton Madhërime.
Dëshmoj se i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij. Paqja e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, atyre u dërgojmë selame të shumta.
O ju muslimanë! Debati i tepërt është pengesë për kryerjen e shumë vepra të mira, e lëre më në garimin për kryerjen e tyre. Kur politeistët debatuan me besimtarët për ndryshimin e drejtimit të namazit, Zoti ndaloi besimtarëve të debatonin me ta që të mos shpërqendroheshin nga veprat e mira, dhe i urdhëroi ata të garonin në punë të mira. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “Çdokush ka një drejtim nga i cili kthehet. Pra, bëni garë me njëri-tjetrin për punë të mira.” (El-Bekare 148)
Kush ndjekën dëshirat e veta është i privuar nga gara në vepra të mira. Zoti e ndaloi të dërguarin e Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, që të ndjekë ata që ndjekin dëshirat e tyre dhe urdhëroi që të garojë në vepra të mira, Ai ka thënë: “…dhe mos ndiq dëshirat e tyre, duke u shmangur kështu nga e Vërteta që të është shpallur. Ne për secilin nga ju kemi sjellë një ligj dhe një rrugë të qartë. Sikur të donte Allahu, do t’ju kishte bërë një popull të vetëm, por Ai kërkon që t’ju provojë në atë që ju ka dhënë, andaj bëni gara për punë të mira!” (El-Ma’ide 48)
Një nga shenjat e largimit të Zotit nga një rob është që ta angazhojë atë me gjëra që nuk i përkasin. Ai që është i bekuar është ai që udhëzohet drejt veprimeve të bindjes dhe garon në to.
Dijeni se Allahu ju ka urdhëruar që të bieni në Salavate dhe ta përshëndesni të dërguarin e Tij, Ai ka thënë në Kuranin Famëlartë: “Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me “selam!” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje të dërguarin tonë, Muhamedin.
Kënaqësia e Zotit qoftë mbi Halifet e parë të drejtë, të cilët gjykuan me të vërtetën dhe me të bënë drejtësi, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij dhe me ne së bashku me ta, me Bujarinë dhe Mëshirën Tënde, o më i Madhi Bujar.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro politeizmin dhe politeistët, dhe shkatërro armiqtë e fesë.
O Zot, bëje të paqtë, të sigurt dhe të begatë këtë vend dhe të gjitha vendet muslimane, o Zoti i botëve. O Zot, përmirëso gjendjen e muslimanëve në çdo vend.
O Zot, bëj vendet e tyre të qeta dhe të sigurta, o Zoti i botëve, dhe ruaj ata nga fitnet, sprovat, ato që janë shfaqur dhe ato që janë të fshehta.
O Allah, Ti je Zot, nuk ka Zot tjetër përveç Teje. Ti je i pasur, ske nevoj për diçka, e ne jemi të varfër, kemi nevojë për Ty, dërgo mbi ne shi dhe mos na bëj prej të dëshpëruarve. O Zot, na jep shi.
“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” ( El-A’raf 23)
O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, dhe zëvendësit të fronit të tij në atë që Ti do dhe je i kënaqur, udhëzoi ata në drejtësi dhe devotshmëri, bëji ata të dy të dobishëm për Islamin dhe muslimanët. Jepu sukses të gjithë sundimtarëve muslimanë që të veprojnë sipas Librit Tënd, Kuranit, dhe të zbatojnë Sheriatit, legjislacionin Tënd.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju,
Falënderojeni për të mirat dhe begatitë e Tij që t’ua shumojë ato.
“ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)
Afrim Smakaj