Ramazani muaj frymëzimi dhe me ndikim të qëndrueshëm

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar     10-09(Ramazan)-1447 H     27-02-2026 D

Shejh Abdurrahman Sudejs 

Tema    Ramazani muaj frymëzimi dhe me ndikim të qëndrueshëm

Vërtetë lavdërimi i takon Zotit. Atë e lavdërojmë, prej Tij ndihmë dhe falje  kërkojmë. Zotin e Madhërishëm  e lavdërojmë dhe e falënderojmë. Na ka bekuar me sezone të lavdëruara si nga gjymtyrët ashtu edhe nga mendimet më të thella, që shqiptohen nga gjuhët dhe ndërgjegjet.

“Lavdërime për Zotin, lavdërime njëra pas tjetrës, për bujarinë e Tij të shumëfishuar dhe shtuar. Atë e falënderojmë gjithmonë, në çdo kohë dhe kërkojmë shpërblimin për të në Ditën e Gjykimit.”

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, i Cili u ka dhënë atyre që nxitojnë të bëjnë mirë një pozitë të lartë.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij,  ai që thirri në moral dhe vepra të mira mëngjes e mbrëmje. Paqja, bekimet dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, të shquar në vepra fisnike dhe në të mira të bollshme, ata që arritën gradat më të larta të nderit duke lënë një trashëgimi të pastër,  të cilëve iu dha një pozitë e lartë në afërsi të Tij, mbi tabi’inët dhe ata që i pasojnë  në vepra të mira deri në Ditën e Gjykimit.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin, shijoni aromën e muajit të agjërimit dhe flladin e këndshëm të ditëve të tij. Agjërimi është ligjëruar vetëm për të arritur devotshmëri ndaj Zotit të Madhërishëm. “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, me qëllim që të ruheni (nga gjynahet).”(El-Bekare 183)

O muslimanë! Ja ku jemi, duke shijuar bekimet e këtij muaji fitimi, mirësitë dhe begatitë e tij, bukuritë dhe madhështitë e tij. Muaj aromatik, vlera e tij është e dukshme, plot mirësi. Mëngjesi agoi me fatin e tij të mbarë dhe qytetet u parfumosën me aromën e tij të ëmbël. Ai i freskon shpirtrat tanë të etur me paqe dhe qetësi dhe na afron më shumë me të Gjithëmëshirshmin, Gjykatësin e Drejtë.

Zoti është më i Madhi! Muaji i Ramazanit është një bekim hyjnor, që mbush jetën e muslimanëve me përkujtim dhe akte përkushtimi. Në të, gjuhët recitojnë vargjet aromatike të Kuranit, shpirtrat gëzohen nga udhëzimi i agjërimit dhe drita e lutjeve, namazeve të natës. Ramazani erdhi për të zgjuar rrjedhat e mirësisë në zemra dhe për të shuar rrjedhat e gjynahit dhe kanalet e shkeljes. Ai erdhi për të mprehur vlerat e drejtësisë në ndjenja, kuptimet e mirësisë dhe përhapjen e gëzimit. Kështu, shpirtrat e humbur dhe të lodhur çlirohen nga barrët e jetës dhe çlirohen nga prangat e materializmit të munduar. Veshi është i vëmendshëm, syri është i përlotur, shpirti është i përulur dhe zemra është e mbushur me mall.

Ky është flladi i pranimit që ka fryrë, përroi i mirësisë që është derdhur, ky është muaji në cilin shejtani është lidhur me zinxhirë dhe është shkatërruar.

“Ky agjërim dhe të gjitha këto mirësi nuk janë gjë tjetër veçse lexim i përkujtimit, lavdërimit dhe madhërimit.

Shpirti përpiqet me fjalë dhe vepra, duke agjëruar ditën dhe falur namazin e teravisë natën.”

O besimtarë! Le të jenë gjymtyrët tuaja të kufizuara me arsye dhe urtësi, të ruajtura me frikë dhe vetëdije ndaj Zotit, në mënyrë që agjërimi juaj të ruhet nga mangësitë dhe gjynahet. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Agjërimi është mburojë, me të cilin robi mbron veten nga Zjarri.” Hadithin e ka transmetuar Imam Ahmedi.

Kjo mund të arrihet vetëm duke agjëruar gjymtyrët nga gjynahet dhe ofendimet e rënda, duke e mbajtur gjuhën të pastër nga fjalët boshe dhe të pakuptimta, duke e ruajtur të folurit nga fjalët boshe, duke e ulur shikimin nga ajo që është e ndaluar, duke i frenuar këmbët nga veprimet e shëmtuara, duke e shtrirë dorën me bujari, duke qenë i kujdesshëm ndaj dëmit dhe përmbajtjes, duke iu lutur Zotit me zemra të pastra dhe të frikësuara, me qëllime të pendimit të sinqertë, përkushtimit dhe monoteizmit të pastër. Çfarë shpërblimi ka për të gjitha këto përveç vendbanimeve më të larta në Kopshtet e Xhenetit?! Urime dhe përgëzime për ata që agjërojnë dhe falin namaz nate!

LEXO  Gëzimi i Bajramit dhe zbutja e zemrave

O muslimanë! Sheriati, legjislacioni ynë i lavdishëm është përpjekur gjithmonë ta pastrojë muslimanin dhe ta ngrejë atë në majat dhe gradat më të larta me vlerat dhe meritat më fisnike, në mënyrë që të arrijë udhëheqje, dhe shpresat e mëdha që frymëzojnë admirim dhe habi. Kjo bëhet duke e nxitur muslimanin të bëjë vepra të mira dhe të nxitojë të fitojë cilësi fisnike.

Cili muaj është më i mirë dhe më i madhërishëm se ky muaj i bekuar për të qenë burim frymëzimi dhe për të krijuar një ndikim të qëndrueshëm duke arritur qëllimet e mëdha të agjërimit, siç janë përmirësimi dhe ngritja e shpirtrave, pastrimi i tyre nga papastërtitë dhe forcimi i rolit pozitiv të muslimanit në familjen, komunitetin dhe vendin e tij, duke transformuar kuptimet e bazuara në besim të agjërimit në një sistem ndikimi të bazuar në besim dhe veprimi të qëndrueshëm? Ai kontribuon në ngritjen e parimeve dhe vlerave, duke nxitur njerëzit të investojnë kohën e tyre dhe të kenë një ndikim, duke balancuar njohuritë dhe punën, adhurimin dhe sjelljen, duke iu përmbajtur rrugës së mesme dhe moderimit në diskursin fetar, duke lidhur realitetin me tekstin ligjor në një mënyrë që arrin objektivat ligjore, ruan unitetin e bashkësisë Islame, nxit kohezionin dhe solidaritetin midis segmenteve të ndryshme të shoqërisë.

Kjo sepse frymëzimi është: Qëllim dhe vullnet, ambicie dhe vendosmëri, konkurrencë dhe nxitim, rivalitet dhe iniciativë, përsosmëri dhe mjeshtëri, dallim dhe pasion, cilësi, ambicie dhe kreativitet. Ndërsa vazhdimësi do të thotë përfitim i vazhdueshëm, ndikim i qëndrueshëm dhe shpërblim i akumuluar. Në një hadith të transmetuar nga Aisha, nëna e desimtarëve, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është pyetur: “Cila vepër është më e dashur tek Zoti?”  Ai ka thënë: “Vepra më e qëndrueshme, vazhdueshme, dhe nëse është e vogël.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.

O musliman! Muaji i Ramazanit nuk është muaj përpjekjesh vetëm në akte bindjeje, përkundrazi, është burim frymëzimi dhe krijim i një ndikimi të qëndrueshëm gjatë gjithë ditëve të vitit. Ai është një program gjithëpërfshirës për individë ambiciozë dhe për familjen muslimane, si një sistem brezash të integruar.

Një program për të rriturit, duke aktivizuar ndikimin e tyre në rritjen e brezave, duke konsoliduar vlerat, lidhjet dhe duke promovuar modele të mira.

Një program për fëmijë dhe të vegjël, duke ngulitur kuptimet e agjërimit në ndërgjegjësimin e tyre të hershëm përmes metodave tërheqëse edukative dhe duke e transformuar adhurimin në një ndikim pozitiv të qëndrueshëm.

Dhe një program për të rinjtë, drejtimin e energjive të tyre drejt pjesëmarrjes aktive në programet vullnetare të Ramazanit dhe aktivizimin e vetë monitorimit në shpirtrat e tyre, në mënyrë që ata të ndiejnë detyrën dhe përgjegjësitë e tyre shoqërore.

Për më tepër, ai është një program për gruan muslimane, pasi ajo është shtylla e familjes dhe ajo që prodhon stabilitet në shtëpi.

Kështu, muaji i bekuar dhe adhurim i veçantë transformohen në një stil jetese gjithëpërfshirës dhe në një qasje të integruar edukative. Muaji është një stinë ripërtëritjeje dhe ndryshimi për mirë në të gjitha fushat e jetës. Nuk është një zakon i paqartë, por më tepër është një akt frymëzues adhurimi dhe krijimi i një ndikimi të qëndrueshëm, efekti dhe thesari i të cilit mbeten në këtë botë dhe në botën Tjetër.

“O vëllai im, njeriu gjykohet nga veprat e tij, prandaj përpiqu të bësh veprat më të mira që mundesh.

Nëse njerëzit ngurrojnë të mbajnë barrën e dijes, atëherë bëhu ti bartës i saj.”

Vëllezër në besim! Ata e bënë muajin e agjërimit një pikënisje për akte bamirësie dhe drejtësie, faljeje dhe pajtimi, duke hedhur poshtë zilinë dhe mërinë, duke pastruar zemrat dhe mendjet, duke nxitur unitetin dhe besimin e mirë, duke dhënë sadaka dhe bërë bamirësi, duke u kujdesur për familjen dhe duke ruajtur lidhjet farefisnore, duke u kushtuar vëmendje të rinjve dhe të rejave, duke i rritur ata mirë, duke promovuar unitetin e umetit, duke shmangur mosmarrëveshjet dhe përçarjet, duke forcuar rrugën e moderimit dhe ekuilibrit, duke arritur sigurinë dhe paqen, duke u përpjekur për Xhenetin dhe u mbrojtur nga zjarri i Xhehenemit, duke ruajtur kohën dhe duke mbështetur parimet etike dhe morale. Kjo për të krijuar përmbajtje kuptimplote, veçanërisht në platformat e mediave sociale, kanalet satelitore dhe mediat e reja, dhe duke shfrytëzuar teknologjinë për t’i shërbyer fesë dhe vlerave, sigurisë së atdheut dhe shoqërive.

LEXO  Objektivat e mëdha të Haxhit

Prandaj, falënderojeni Zotin tuaj që ju ka lejuar të arrini këtë muaj të bekuar, sepse sa njerëz ishin me ne Ramazanin e kaluar dhe tani janë larguar prej nesh! Zotit i kërkojmë mëshirë për ne dhe për ta, dhe i kërkojmë kopshtet e gjera në Xhenet.

Pjesë e të qenit vërtet mirënjohës për bekimet e këtij muaji është të jesh bujar dhe bamirës, ​​të ndihmosh ata që kanë nevojë dhe t’ua lehtësosh gjërat robërve të Zotit. I dërguari i juaj, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ishte më bujari i njerëzve por bëhej më bujar se asnjë herë gjatë Ramazanit. Ai ishte më bujar në vepra të mira sesa flladi i erës së shpejtë. Ndaj ndiqni shembullin e tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, nxitoni të bëni mirë dhe përpiquni në lutje, sepse kjo inkurajohet në ajetet që flasin për agjërimin. “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam pranë, u përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua.” (El-Bekare 186)

Jemi në muajin e dhënies, bamirësisë dhe solidaritetit social.

“Njerëzit ikin, por veprat e tyre mbeten, andaj zgjidh për veten tënde atë që do të lërë një trashëgimi të lavdërueshme.”

Zoti mos na privoftë nga përfitimi dhe shpërblimi, Ai është Bujar dhe i Mirë.

Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “ Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë. Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.”(El-Bekare 185)

Zoti na begatoftë të gjithëve në dy shpalljet, në Kuranin Famëlartë dhe në synet, na bëftë dobi me udhëzimin e zotërisë së dy botëve.

Zotit të Madhërishëm i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah,  Zotit kërkoni falje dhe tek Ai pendohuni, sepse me të vërtetë Ai është i Butë dhe Falës.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin, i Cili na ka nxitur të garojmë në vepra të mira me iniciativë dhe përpjekje fisnike.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok.

Dëshmoj se i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij, mirësia ishte një tipar i pandashëm dhe i njohur i tij. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjarët dhe të gjithë shokët e tij, mbi tabi’inët dhe mbi ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Gjykimit, ditën kur njerëzit do të ringjallen në shumicë.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin ashtu siç duhet me fjalë dhe me vepra, kini frikë Atë me nënshtrim dhe bindje.

O besimtarë! Agjërimi është urdhëruar për qëllime të mëdha dhe rregulla të qarta, më kryesorja ndër të cilat ruajtja e fesë dhe arritja e devotshmërisë, që është qëllimi më sublim dhe objektivi më i lartë nga obligimi i agjërimit. Po kështu, agjërimi është për ruajtjen e adhurimeve, leximin e Kuranit, përkujtimin e Zotit, lutjet dhe itikafin, izolimin në xhami. Qëllimet e tij manifestohen gjithashtu në ruajtjen e shpirtit, duke e frenuar atë nga instinktet dhe dëshirat dhe duke e drejtuar atë drejt akteve të bindjes dhe përkushtimit. Për më tepër, është për ruajtjen e mendjes dhe frenimin e impulseve të saj duke ngushtuar rrugët e shejtanit, duke thyer fuqinë e tij dhe duke larguar ankthet dhe iluzionet.

Si dhe në ruajtjen e nderit të dikujt duke u përmbajtur nga përgojimi, shpifja dhe akuzat e rreme. Buhariu transmeton në Sahihun e tij, nga hadithet e Ebu Hurejrës, Zoti qoftë i kënaqur me të, ku tregon se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush nuk heq dorë nga fjalët e rreme dhe të vepruarit  me to, Zoti nuk ka nevojë që ai të heqë dorë nga ushqimi dhe pija e tij.”

LEXO  Ditët e Haxhit janë mirësi dhe mëshirë

Në ruajtjen e pasurisë duke dhënë dhe shpenzuar, duke mos qenë shpërdorues dhe ekstravagantë, duke qenë të sjellshëm me të varfrit, nevojtarët dhe të munduarit, duke forcuar rolin e sektorit jofitimprurës, veçanërisht në vakëfe dhe testamente, për një qasje të besueshme, të mirëqeverisur, institucionale dhe të qëndrueshme, dhe duke dhënë zekatin e pasuris tuaj për të pastruar me të shpirtrat tuaj,  sepse ai është pastrim, rritje dhe purifikim.

“Vërtetë, agjërimi është akt dhembshurie dhe mirësie, urdhëruar nga Kurani dhe argumenti i tij, suneti.

Çfarë agjërimi i bekuar është kur shoqërohet me bujari, e nuk ka privim me të madh se ai që është privuar prej tij.”

Sa shumë duhet që umeti, populli, musliman të përfitojë nga muaji i agjërimit, nga muaji i frymëzimit dhe ndikimit të qëndrueshëm,  nga qëllimet e agjërimit, duke e bërë atë një burim frymëzimi për të arritur ndikim të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit. Sidomos pasi e treta e parë e tij ka kaluar tashmë, e Allahu është Ndihmësi ynë. Prandaj, shfrytëzoni sa më shumë atë që mbetet me vepra të mira, pendim dhe kërkim faljeje, në mënyrë që t’ju jepet pranimi dhe çlirimi nga zjarri i Xhehenemit me anë të mirësisë dhe bujarisë së Allahut.

Zoti ju mëshiroftë! Lutuni dhe përshëndeteni me selam, fshehurazi dhe haptazi, më të mirin e të gjithë krijimit, më të nderuarin dhe më të dalluarin midis tyre, profetin tonë, Muhamed Ibn Abdullah, sikurse ju ka urdhërua me këtë Zoti juaj Bujar dhe i Lartësuar, Allahu i Madhërishëm në fjalën e Tij të vërtetën, ka thënë:  “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

“Zoti e bekoftë të dashurin me mirësinë e Tij, i dhuroftë nder të madh në mes të njerëzimit.

O ju që shpresoni për ndërmjetësimin e tij, lutuni për të dhe i dërgoni përshëndetje të bollshme.” O Zot, fale dhe mëshiroje robin dhe të dërguarin Tënd, profetin tonë Muhamed,  familjen dhe të gjithë shokët e tij, ata që ndoqën dhe pasojnë rrugën e tyre, o Ti më i Miri që fal dhe mëshiron, dhe na fal ne së bashku me ta me mirësinë, bujarinë dhe begatinë Tënde, o më i Madhi Bujar.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë, bëje këtë vend të paqtë,  të sigurtë, të qetë dhe me stabilitet, dhe të gjitha vendeve  muslimanëve.    

O Zot, na jep siguri në vendet dhe shtëpitë tona, ruaj dhe jepu sukses udhëheqësve dhe kujdestarëve të çështjeve tona. O Zot, mbështet me të vërtetën dhe në të drejtën udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta.

O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij në atë që është lartësimi i Islamit dhe përmirësimi i muslimanëve, në atë që është lartësimi i Islamit dhe përmirësimi i muslimanëve, dhe në atë që është  e mirë dhe e dobishme për  vendin dhe për popullin.      

O Zot, jepu sukses të gjithë kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve, dhe bëj ata mëshirë për të gjithë robërit e Tu besimatrë.    

O Zot, jepu sukses njerëzve të sigurisë tonë dhe atyre që janë të vendosur dhe vigjilojnë në kufijtë tanë,  ji me muslimanët e shtypur në çdo vend, kudo që janë. O Zot, ji me ta në Palestinë. O Zot, ruaj xhaminë Aksa nga sulmet e agresorëve dhe bëje atë të lartësuar dhe të nderuar deri në Ditën e Gjykimit.

O Allah, na ndihmo të përfundojmë agjërimin dhe namazet e Ramazanit, na jep sukses në kryerjen e veprave të mira dhe bekimet gjatë tij, na ndihmo në të që të të kujtojmë Ty, të të falënderojmë dhe të të adhurojmë mirë.

O Zot, bëje atë pikënisje për ne për të kryer vepra të mira dhe fund të gjynaheve dhe veprave të këqija, përmirëso qëllimet tona në të, lartëso në të gradët tona dhe fshij gjynahet tona, o Ti që i përgjigjesh lutjeve.

O Zot, na mundëso Ramazani, na begato në të dhe prano në të nga ne të gjitha veprat tona. O Zot, Ti je Falës, e do faljen, prandaj na fal ne, na bëj prej atyre që Ti i ke shpëtuar nga Zjarri i Xhehenemit, ne, prindërit tanë, prindërit e tyre dhe muslimanët, o Zoti  i botëve.

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)

“…dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 128)

O Zot, na fal ne, me të vërtetë Ti je Falësi Madh, Mëshirplotë.

“I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Saffat 180-182)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1498455882281087/892949160243801

Post Author: endrit