Hytbe e Qabes 04-07 1440 H 28-02-2020
Shejh Mahir El Muajkili Tema: Gëzimi dhe lumturia
Falenderimi i takon Allahut. Falenderimi i takon Allahut i cili jetën e bëri vend të vështirësive e të sprovës, me situata të ndryshme; gëzim, lumturi e hidhërime. Atë falenderoj e i jam mirënjohës.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut i cili është i vetëm e i pashoq. Ai jep vdekjen dhe jetën, të bën të qeshësh e të qash.
Dëshmoj se i nderuari ynë profeti Muhamed (salallahu alejhi ue selem) robi i Allahut dhe i dërguar i Tij, gëzohej me mëshirën e Allahut dhe me mirësinë e Tij. Ai bënte durim ndaj vështirësive me të cilat Allahu e vinte në provë. Nderimet e Allahut, shpëtimi dhe begatitë e Tij qofshin mbi të, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe pasuesit e udhëzimit të tyre deri në ditën e gjykimit.
O besimtarë u porosis ju dhe veten time me devotshmërinë ndaj Allahut a.xh sepse ajo është garanci kundrejt vështirësive dhe belave, shlyerse e gjynaheve dhe e gabimeve.
“O besimtarë! Nëse i frikësoheni Allahut, Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit drejt, do t’ju lirojë nga gjynahet tuaja dhe do t’ju falë. Allahu zotëron mirësi të madhe.” (Enfal; 29).
Umet i islamit, gëzimi dhe lumturia janë kënaqësi, ëmbëlsi dhe ndriçim i zemrës sikundër stresi e mërzia janë shkak i irritimit e i dobësimit të saj.
Ligji i Mëshirëplotit ka zbritur në përputhje me natyrën njerëzore duke sistemuar sjelljet dhe reagimet e saj. Allahu i madhërishëm është krijuesi i krijesave. Ai i di mirë situatat e natyrës njerëzore dhe atë që është e dobishme për të, e kështu gëzimin dhe lumturinë e ka bërë fryt të nënshtrimit me dëshirë e të besimit të paluhatshëm.
“E si të mos dijë Ai që ka krijuar gjithçka, kur Ai njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Gjithëinformuari?!” (Mulk; 14).
Njerëzit besimtarë gëzohen me udhëzimin që Allahu ka sjellë me të dërguarin e Tij (salallahu alejhi ue selem).
“Ata, të cilëve ua kemi zbritur Librin, gëzohen për atë që të kemi shpallur ty.” (Rra`d; 36).
Për këtë, shkalla më e madhe e gëzimi, më e larta dhe më e vyera është gëzimi me islamin e me imanin (besimin), me udhëzimin në rrugën profetike e me kuranin. Kjo sjell qetësi dhe rehati në veten e njeriut, gëzim dhe aktivitet, dëshirë për dije e për besim dhe mirënjohje ndaj Fisnikut Dhuruesit të madh.
“Thuaj: Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.” (Junus; 58).
Vëllezër besimtarë prej shkaqeve të ndriçimit e të gëzimit të zemrës në këtë botë e në botën tjetër është ndezja e lumturisë dhe e gëzimit në zemrat e njerëzve. Njeriu sa më shumë të japë nga kjo aq më shumë shtohet lumturia dhe gëzimi i tij. Shpërblimi është sipas llojit të punës. A mund të shpërblehet ndryshe mirësia vetëm se me mirësi!?
Në Mu`xhemin e Taberanit me zinxhir të mirë transmetimi përcillet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kushdo që e takon vëllain e tij musliman me diçka që e do me qëllim që ta gëzojë me të, Allahu do ta gëzojë këtë person ditën e kijametit.”
Ti gëzosh të tjerët është një prej veprave më të mira e më të dashura tek Allahu. Me të fitohet mëshira dhe falja e Allahut e me të hyn në xhenetin e Tij.
Nga ibn Umer r.a transmetohet se një person erdhi tek Profeti (salallahu alejhi ue selem) dhe tha: O i Dërguar i Allahut cili njeri është më i dashur tek Allahut dhe cila vepër është më e dashur tek Allahu. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: Njeriu më i dashur tek Allahu i lartësuar është ai i cili është më i dobishëm për njerëzit. Ndërsa puna më e dashur tek Allahu është të bësh të gëzuar një musliman, apo ti largosh atij një brengë, apo ti shlyesh ndonjë borxh, apo ti largosh urinë, të shkoj me ndonjë vëlla ti kryej atij ndonjë hall është më e dashur për mua se të qëndroj një muaj (i`tikaf) në xhami. Këtu ka për qëllim xhaminë e tij (salallahu alejhi ue selem) në Medine. Këtë hadith e ka përcjellë Taberaniu me zinxhirë të mirë trasnmetimi.
Një prej mënyrave për të gëzuar njerëzit është interesimi për çështjet e tyre, përpjekja për të larguar brengat e për të përmbushur nevojat e tyre. Kjo është derë e madhe prej dyerve të mirësisë e të shpërblimit. Kjo është cilësi prej cilësive të besimtarëve të vërtetë të cilët në dashurinë e tyre, në mëshirën e tyre, në solidaritetin e tyre janë si një trup i vetëm që kur paraqet probleme një gjymtyrë angazhohet për të i tërë trupi me pagjumësi e me ethe.
Të parët tanë të mirë, të mençurit e islamit dhe pishtarët e umetit synonin të ishin afër Allahut duke i përmbushur nevojat e të tjerëve, duke i ofruar çdo gjë të dobishme, duke u munduar ti largojnë atyre brengat qoftw me ndërmjetësim të ndershëm për ta atje ku kanë nevojë.
Në librin “Degët e besimit” të imam El Bejhakij tregohet se ibn Abasi r.a ishte duke qëndruar në i`tikaf në xhaminë e të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe aty erdhi një person. Ai dha selam pastaj u ul. Ibn Abasi i tha: O filan po të shoh të ngrysur e të mërzitur?! Ai tha: Po, i kam diçka filanit për ti dhënë por nuk mundem. Ibn Abasi r.a tha: A ti flas unë për ty? Ai tha: Po nëse dëshiron. Ibn Abasi u ngrit dhe doli prej xhamisë. Njeriu që erdhi i tha: A e harrove se ku ishe!? Dmth, i`tikafin. Ibn Abasi tha: Jo, por unë kam dëgjuar personin e këtij varri (salallahu alejhi ue selem) duke thënë: Kush shkon të kryejë hallin e vëllait të tij dhe e kryen atë vlen më shumë se dhejtë vjet i`tikaf qëndrim në xhami.
Në Mu`xhem të Taberanit Kush shkon me vëllain e tij në një hall derisa tia kryejë atë Allahu do tia forcojë këmbët ditën në të cilën rëshqasin këmbët.
Prej mënyrave të gëzimit të të tjerëve është buzëqeshja ndaj tyre. Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka qenjë njeriu më i qeshur. Xherir ibn Abdilah El Bexhelij ka thënë: I Dërguari i Allahut sa herë që më shihte më buzëqeshte.
Në sunenin e Tirmidhiut përcillet se i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Buzëqeshja ndaj muslimanit është për ty sadekah.
Dhurata o rob të Allahut sjell dashuri, përforcon lidhjet, afron zemrat dhe largon mllefet e kraharorëve.
Profeti Muhamed (salallahu alejhi ue selem) e kishte traditë të dhuronte e ta pranonte dhuratën. Në Sahihun e Buhariut përcillet se Profetit (salallahu alejhi ue selem) i sollën rrobe e në mes tyre ishte një copë e vogël me ngjyrë të zezë. Ai tha: Kujt mendoni t`ia japim këtë? Njerëzit heshtën. Ai pastaj tha: Më thirrni Ume Khalid! Ajo ishte një vajzë e vogël që kishte lindur në tokën e Habeshesë (Etiopisë). Atë e sollën duke e mbajtur në krahë. Profeti (salallahu alejhi ue selem) e mori rroben dhe ia veshi vajzës së vogël me dorën e tij. Ajo e shikonte rroben plot gëzim, lumturi e kënaqësi. Profeti Muhamed (salallahu alejhi ue selem) në ato momente tha: E gëzofsh dhe paç të tjera pas saj! ‘Senah’ o Ume Khalid, ‘Senah’ o Ume Khalid.
Kjo fjalë ‘Saneh’ është fjalë e habeshesë e cila do të thotë ‘e bukur’.
Profeti (salallahu alejhi ue selem) e kishte traditë të bënte shaka me familjen dhe me shokët për ti ngazëllyer e për ti kënaqur. Në Musnedin e imam Ahmedit përcillet se një person prej beduinëve të shkretëtirës i cili quhej Zehiran ishte njw person i dashur prej Profetit Muhamed (salallahu alejhi ue selem). Një ditë Profeti (salallahu alejhi ue selem) e gjeti duke shitur mallra të tij. Profeti (salallahu alejhi ue selem) e mbërtheu nga pas dhe tha: Kush do ta blejë këtë skllav? Kush do ta blejë këtë skllav? Ai tha: O i Dërguari i Allahut, pasha Allahun do të dalësh me humbje me mua. Profeti Muhamed (salallahu alejhi ue selem) i tha: Mirëpo tek Allahu ti nuk je me humbje. Ose ka thënë: Jo, ti tek Allahu je i shtrenjtë.
Në tregimin e tre personave që munguan në betejën e Tebukut vërejmë gadishmërinë e sahabëve se si garojnë për të gëzuar njëri-tjetrin, e për ti përgëzuar me atë që dëshirojnë. Allahu zbriti pendesën mbi Ka`b ibn Malik dhe dy shokëve të tij e kjo ndodhi nga pjesa e fundit e natës. Profeti Muhamed (salallahu alejhi ue selem) ishte tek Umu Selemeh. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: O Umu Selemeh iu pranua pendesa Ka`bit. Ajo tha: A të dërgoj dikënd ta përgëzojë. Ai tha: Kështu do të dalin njerëzit e do tu lënë pa gjumë tërë natën. I Dërguari i Allahut pasi fali namazin e sabahut tregoi që Allahu ua kishte pranuar atyre pendimin. Pati prej sahabëve që i hipën kalit për të shkuar tek ta e ti përgëzojë. Prej tyre pati që hipën në kodrën Sel`ij dhe bërtiti me tërë zërin e tij duke njoftuar pranimin e pendesës së tyre. Ka`bi r.a thotë: Ndërkohë që unë po qëndroja dhe kisha arritur në atë gjendje që përmend Allahu në kuran ku më ishte ngushtuar shpirti e më ishte ngushtuar e tërë toka dëgjova një thirrje të fortë që vinte prej Kodrës Sel`ij. Ai thirrte me zë të lartë: O Ka`b ibn Malik përgëzohu!Ka`bi tha: Pas këtyre fjalëve rashë në sexhde dhe e kuptova se kishte ardhë shpëtimi. U nisa menjëherë drejt të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem). Njerëzit më takonin grupe grupe e më uronin pranimin e pendimit. Hyra në xhami. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) qëndronte ulur e rreth tij kishte njerëz. Unë e përshëndeta me selam. Atij i ndriçonte fytyra prej gëzimit e më tha: Përgëzohu me ditën më të mirë për ty që ditën që të ka lindur nëna jote. Ka`bi tha: A prej teje o i dërguar i Allahut a po prej Allahut? Ai tha: Nuk është prej meje por prej Allahut. I dërguari i Allahut kur gëzohej i ndriçonte fytyra si të ishte një pjesë e hënës. Transmeton Buhariu.
O Besimtarë të Allahut e të dërguarit të Tij, përpiquni të vendosni gëzim e hare në zemrat e vëllezërve tuaj duke pyetur për atë që mungon, duke vizituar të sëmurin e
tyre, duke pajtuar mes tyre, duke i pakësuar dhimbjet dhe mërzitë e tyre, duke ushqyer të uriturin prej tyre dhe duke shlyer borxhet e tyre. Një i mençur e i shkathët e gjen gjithmonë mënyrën për ta gëzuar vëllain e tij musliman.
Ibnul Kajim, (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Llogjika dhe shpallja, natyra njerëzore dhe praktikat e popujve me tërë divergjencat e tyre në raca, fe e kultura tregojnë se përpjekja për të qenë afër me Zotin e botëve, përpjekja për të fituar kënaqësinë e Tij, bamirësia dhe sjellja e mirë me krijesat e Tij është një prej shkaqeve më të mëdha që sjell çdo mirësi dhe e kundërta e këtyre është një prej shkaqeve më të mëdha që sjell çdo të keqe.
Mirësitë e Allahut nuk fitohen, e ndërshkimi i tij nuk largohet më mire se me bindjen ndaj Tij dhe me përpjekje për tu afruar me Të dhe me bamirësinë ndaj krijesave të Tij.
Mbrohem me Allahun prej shejtanit të mallkuar:
“O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët. Thuaj: Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.” (Junus; 57, 58).
Allahu më dhëntë mua edhe ju begati në Kuran e në sunet e na mundësoftë të kemi dobi me ajetet e urtësitë në të.
Thashë këtë që dëgjuat dhe i kërkoj falje Allahut për veten dhe për ju nga çdo gjynah. Kërkojini falje se ai është Falës.
Hutbeja e dytë
Falenderimi i takon Allahut, falenderimi i takon Allahut pranuesit të pendimit Fisnikut, të Butit, Bamirësit, Mëshirëplotit. Ai e ka lënë hapur derën e pendimit për robërit e Tij, e ka bërë të lehtë rrugën për tek pendimi, dhe u ka treguar njerëzve se ai gëzohet me pendimin e tyre.
Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut i vetëm e i pashoq.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij. Salavatet dhe selamet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
O Besimtarë, të gëzuarit është atribut prej atributeve të Krijuesit plot madhështi e me emra të shenjtë. Një gëzim që i shkon përshtat lartësisë dhe madhështisë së Allahut pa deformim e pa anullim, pa formëzim e pa shëmbëllim.
“Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha.” (Shura; 11).
Në sahihun e Muslimit përcillet se Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: Allahu gëzohet më fort me robin e Tij kur ai pendohet tek Ai se sa gëzohet dikush prej jush që gjendet me devenë e tij në një tokë të shkretë por ajo i shpëton e mbi të gjendet ushqimi dhe pija e tij. Pasi i humb shpresat për gjetjen e saj shkon tek një pemë e shtrihet nën hije me shpresa të humbura për devenë e tij. Ndërkohë që qëndronte aty në atë gjendje sheh devenë e tij në këmbë, e kap për kapistalli dhe prej gëzimit të madh thotë: O Allahu im Ti je robi im e unë jam Zoti Yt. Gaboi prej gëzimit të madh. Allahu gëzohet me pendimin e robit të tij besimtar më shumë se ky njeri për devenë e tij me gjërat që kishte mbi të.
Ibnul Kajim tregon në librin e tij ‘Tarikul Hixhratejn’ se Allahu i ka krijuar robërit për veten e Tij e për këtë ka blerë prej robërve vetet e tyre. Kjo blerje tregon se ato janë të dashura për Të, të zgjedhura prej Tij e të pranuara tek Ai. Vlera e mallit njihet me vlerën e atij që e blen atë dhe masën e çmimit të saj. Malli je ti e Allahu është blerësi. Çmimi është xheneti, vështrimi në fytyrën e Allahut dhe dëgjimi i fjalëve të Tij në vendbanimin e sigurisë e të paqes.
Robi nëse arratiset prej zotërisë dhe prej sundimtarit të tij duke e lënë mënjanë pëlqimin e tij, duke bërë aleancë e miqësi me armikun e tij, duke u bërë një ushtar i tij e duke i dhënë përparësi pëlqimit të këtij të fundit ndaj pëlqimit të zotërisë dhe sundimtarit të tij. Ai me këtë e ka ekspozuar veten e tij ndaj ndërshkimit. Mirëpo nëse kthehet dhe drejtohet për tek ai duke i lënë të tjerët, e si të mos gëzohet me të dashamirësi i tij, patjetër që do të gëzohet shumë. Kjo është mirësia e Allahut që ia jep kujt të dojë e Allahu posedon mirësi të mëdha.
Vëllezër besimtarë kur robi kthehet tek Zoti i tij me pendim, pranues i fajit, i penduar për të, i vendosur të mos kthehet më në të e në këtë rast Zoti i madhërishëm gëzohet me pendimin e tij me një gëzim bamirës e përgëzues e Ai është i panevojshëm për robërit e Tij. Allahu e shpërblen robin e Tij të penduar me gëzim e me lumturi, me kënaqësi e me ngazëllim. Allahu kur gëzohet me pendesën e robit i vendos atij në zemër gëzim e ngrohtësi.
Në hadithin kudsij Allahu a.xh thotë: Kush bën një vepër të mirë ai do të shpërblehet sa dhjetëfishi i saj e do t`ia shtoj më shumë. Ndërsa kush bën një vepër të keqe do të shpërblehet aq sa është ajo e keqe ose do t`ia fal. Kush më afrohet një pëllëmbë do të afrohem me të një parakrah, e kush më afrohet një parakrah do të afrohem me të një pash, kush vjen drejt Meje duke ecur do ti shkoj atij duke nxituar. Kush takohet me Mua me gabime sa globi tokësor pa bërë shirk (gjynahu i politeizmit) ndaj meje unë do të takohem me të po me aq falje. Transmeton Muslimi.
Allahu a.xh dëshiron që robërit e Tij të pendohen tek Ai e të jenë të përkushtuar në bindjen ndaj tij me qëllim që të fitojnë xhenetin dhe pëlqimin e Tij.
“Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre – e kush i fal gjynahet përveç Allahut? – dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë, pra, për këta do të ketë si shpërblim falje madhështore (të gjynaheve) nga ana e Zotit të tyre dhe kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojnë përherë. Sa shpërblim i bukur është ky për ata që punojnë (vepra të bukura)!” (Al Imran; 135,136).
Jo vetëm kaq por Ai me mëshirën, fisnikërinë dhe bujarinë e tij veprat e gabuara të të penduarit i këmben në vepra të mira.
“Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (Furkan; 70).
Le të jemi të sinqertë në pendimin tonë o rob të Allahut. Pendesa është stacioni i parë i udhëtarëve drejt Allahut, stacioni i mesëm e i fundit, e robi nuk duhet të largohet prej saj deri në vdekje.
“Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” (Nur; 31).
O Allah na mundëso të arrijmë lumturinë me bindjen ndaj Teje! Na i mbush zemrat me rehati prej Teje e na mundëso që të jemi sa më pranë Teje! Na bëjë të kënaqur dhe kënaqu me ne o i Gjallë e i Përhershëm, i Madhërishëm e Bujar!
O Allah bekoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse ke bekuar familjen e Ibrahimit
O Allah bekoje Muhamedin, familjen e Muhamedit, pasardhësit dhe bashkëshortet e tij ashtu sikurse bekove familjen e Ibrahimit. Ti je i Lavdëruari i Madhërishmi.
O Allah kënaqësia jote qoftë mbi katër mëkëmbësit e tij të drejtë Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe Aliun dhe shokët e profetit Tënd Muhamed dhe mbi ata që ecin në gjurmët e tyre dhe zbatojnë traditën e tyre deri në ditën e gjykimit edhe ne bashkë me ta me faljen tënde, bujarinë tënde, bamirësinë tënde ! O më i Mëshirëshmi i mëshiruesve!
O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!
O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!
O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!
Mposhte idhujtarinë dhe zhduki idhujtarët!
O Allah mbroje fenë tënde!
O Allah këtë vend bëje të sigurtë e të qetë dhe tërë vendet muslimane!
O Allah rregulloje gjendjen e muslimanëve kudo që ata ndodhen me mëshirën Tënde o madhështor fisnik!
O Allah të kërkojmë me mirësinë dhe dhurimin Tënd, me bujarinë dhe me fisnikërinë Tënde ti ruash vendet e muslimanëve nga çdo e keqe dhe e urryer!
O Allah ruaje vendin e Dy të shenjtave. O Allah ruaje atë me përkujdesjen, ndihmën dhe përkrahjen Tënde.
O Allah bëje të vazhdueshme sigurinë dhe besimin e këtij vendi, bollëkun dhe stabilitetin e tij me mëshirën tënde o Dhurues o i madhërishëm o fisnik!
O Allah jepi sukses Shërbëtorin e Dy Xhamive të Shenjta për atë që Ti dëshiron e kënaqesh. Jepi atij shpërblimin më të mirë për islamin dhe muslimanët. O Allah jepi sukses atij dhe pasardhësit të tij besnik të bëjnë atë që është e dobishme për islamin dhe muslimanët!
O Allah jepi sukses të gjithë udhëheqësve të muslimanëve në atë që dëshiron dhe kënaqesh.
O Allah jepi fitore ushtarëve tanë që vigjëlojnë në kufijtë e vendit tonë, o Allah, ndihmoji ata me përkrahjen Tënde, ruaji ata me mbrojtjen Tënde, më mëshirën Tënde o Më i mëshirëshmi i mëshiruesve.
O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!
Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira në jetën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit!
I lartësuar qoftë Zoti Ynë, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe lutja jonë e fundit të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!
Përshtati në shqip: Arjan Haskasa