Hutbe e Kurban Bajramit nga Meka e bekuar 10- 12-1447 H 27-05-2026 D
Shejh Bander Ibn Abdul Aziz Balejla
Tema Kurban Bajrami: Kuptimi dhe rregullat e tij
Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin, i Cili përsosi fenë tonë për ne dhe e plotësoi mirësinë e Tij ndaj nesh. Zotin e Lartësuar e lavdërojmë dhe Atë e falënderojmë, Zotëruesin e Mirësisë dhe Dashamirësisë.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, na nderoi me mësuesin e profetëve dhe nëpërmjet tij u bëmë umeti më i mirë.
Dëshmoj se Muhamedi është robi i Zotit dhe i dërguari i Tij, Zoti i Tij, Allahu i Lartësuar, e dërgoi mëshirë për të gjithë njerëzimin, për të na lexuar ajetet e Tij dhe për të na mësuar Librin dhe urtësinë. Paqja, mëshira dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, familjen e tij të pastër dhe shokët e tij fisnik.
Në vijim
Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Lavdërimet janë vetëm për Zotin.
O ju njerëz! Këshilloj juve dhe veten time që të kemi frikë Zotin. Zoti ju mëshiroftë! Kini frikë Zotin, lavdëroni, madhëroni dhe falënderoni Atë, Zotin e Lartësuar, për atë që ju ka dhuruar dhe binduni Atij. Dijeni se kjo ditë juaja është e dëshmuar në qiellin e lartë, e nderuar dhe e lavdëruar. Kjo është dita e Haxhit të Madh, në të Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka shpallur monoteizmin, Njësimin e Tij, dhe pastërtinë nga njerëzit e politeizmit dhe mohimit. “Ja shpallja e Allahut dhe e të Dërguarit të Tij drejtuar njerëzve në ditën e haxhit të madh: “Allahu dhe i Dërguari i Tij shkëpusin çdo detyrim ndaj idhujtarëve.”(Et-Teube 3)
Kjo është dita më e bekuar, më e vlefshme e vitit, dita me sevapin dhe shpërblimin më të madh. Nga Abdullah Ibn Kurtit, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Vërtet, dita më e madhe tek Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar është dita e Sakrificës, Kurbanit, pastaj Dita e Pushimit, dita e dytë e Kurban Bajramit.” Hadithi është transmetuar nga autorët e Suneneve, ndërsa Ibn Habani e ka konsideruar të saktë. Kjo për shkak se përmban një numër veprimesh që nuk ndodhin në asnjë ditë tjetër.
Shejhul Islami, Ibn Tejmijetu, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Dita më e mirë e vitit është Dita e Kurban Bajramit (Eid al-Adha).” Disa kanë thënë: “Dita e Arafatit”, por e para është e saktë. Ajo përmban akte adhurimi që nuk kryhen në asnjë ditë tjetër, siç është qëndrimi në Muzdelife, hedhja e guralecëve në Xhemretul-Akabe, sakrifica, kurbani, rruajtja e kokës dhe kryerja e Tavaf el-Ifadah. Kryerja e këtyre akteve në këtë ditë është më e mira sipas sunetit dhe konsensusit të dijetarëve.
Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Lavdërime janë vetëm për Zotin.
O ju muslimanë! Zoti i Plotfuqishëm i dhuroi mikut të Tij, Ibrahimit, paqja e Zotit qoftë mbi të, një djalë në pleqërinë e tij, pas lutjes, përulësisë, nënshtrimit, përgjërimit, lutjes dhe durimit. “Qoftë lavdëruar Allahu, i cili në pleqëri më dhuroi Ismailin dhe Is’hakun! Vërtet, Zoti im i dëgjon lutjet!”(Ibrahim 39) Pasi zemra e tij u lidh me të birin dhe ai e donte atë, jetoi për mbrojtjen e tij dhe u mësua me të, Zoti e sprovoi duke e urdhëruar në ëndërr që të sakrifikonte të birin e tij të dashur, Ismailin, paqja e Zotit qoftë mbi të. Ai nuk u lëkund, nuk ngurroi, nuk u tërhoq dhe nuk u rebelua, përkundrazi, iu përgjigj vendimit të Zotit dhe u nënshtrua, duke iu dorëzuar urdhrit të Krijuesit të tij dhe duke iu bindur Atij. Ai e gjeti të birin, Ismailin, të përkushtuar dhe të bindur ndaj tij, një mbështetje dhe ndihmës në bindjen ndaj Zotit të tij. “ O Zoti im, dhuromë një fëmijë prej të mirëve!” Dhe Ne i dhamë lajmin e gëzuar për një djalë të mbarë! Kur fëmija u rrit aq sa ta ndihmonte në punë, Ibrahimi i tha: “O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të flijoj. Çfarë mendon ti?”. I biri i tha: “O ati im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm!” Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit, (Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë. Ne e thirrëm: “O Ibrahim, ti e përmbushe ëndrrën”. Vërtet, Ne kështu i shpërblejmë punëmirët! Kjo, me të vërtetë, ka qenë një sprovë e qartë! Dhe Ne e zëvendësuam atë (Ismailin) me një kurban të madh, dhe e lamë atë (Ibrahimin) kujtim të mirë në brezat e mëvonshëm. “Paqja qoftë mbi Ibrahimin!” Ja, kështu, Ne i shpërblejmë punëmirët. Ai ka qenë vërtet një nga robërit Tanë besimtarë.” (Es-Saffat 100-111) Kështu, Ibrahimi e realizoi monoteizmin, Njësimin e Zotit, në formën e tij më të lartë dhe shprehjen më sublime, në aspektet e tij më sublime dhe të lavdishme. Për këtë, ai meritonte nderim dhe dallim, Zoti e bëri atë model për të gjithë njerëzimin. “Kush është besimtar më i mirë se ai që i dorëzohet sinqerisht Allahut, duke qenë punëmirë dhe zbatues i fesë së pastër të Ibrahimit, të cilin Allahu e ka marrë për mik të ngushtë?!”(En-Nisa’ 125) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Me të vërtetë, Ibrahimi ka qenë prijës shembullor (me të gjitha virtytet e mira), i përulur para Allahut, me besim monoteist dhe nuk ka qenë nga idhujtarët, (por ka qenë) mirënjohës ndaj dhuntive të Tij. Ai e zgjodhi atë dhe e udhëzoi në rrugë të drejtë. Ne i kemi dhënë atij të mira në këtë botë, ndërsa në botën tjetër, sigurisht që ai do të jetë nga të mirët.”(En-Nahl 120-122)
Zoti ynë, i Madhërishëm dhe i Lartësuar, na mëson se arritja e monoteizmit, Njësimit të Tij, nuk kufizohet vetëm në fjalë dhe vepra, por përfshin edhe veprimet e zemrës, emocionet e shpirtit dhe tiparet e karakterit. Prandaj, ndër aktet më të rëndësishme të theksuara në këtë ditë të bekuar është të afruarit tek Zoti i Lartësuar, duke therur sakrificën, Kurbanin, për Haxhinjtë dhe për jo Haxhinjtë. Qëllimi përfundimtar i këtij akti fisnik adhurimi dhe rituali të madh është nënshtrimi ndaj Zotit nëpërmjet adhurimit, t’i bindemi Atij, t’i dorëzohemi Atij nëpërmjet bindjes, të ushqejmë të varfrit dhe nevojtarët, t’u japim dhurata të pasurve dhe të afërmve dhe të arrijmë devotshmëri ndaj Allahut, Zotit të Botëve. “ Devetë dhe gjedhët i kemi bërë për ju si një nga ritet e Allahut për flijim dhe ju keni dobi nga ato. Prandaj, përmendeni emrin e Allahut mbi ato, ndërsa i radhisni në këmbë (për t’i therur). Kur ato të bien në tokë, hani prej (mishit të) tyre dhe ushqeni edhe atë që lyp, edhe atë që nuk lyp. Kështu pra, Ne i kemi vënë ato në shërbimin tuaj, që ju të jeni mirënjohës.”(El-Haxhxh 36)
Adhurues të Zotit! Zoti i Plotfuqishëm, në atë që Ai ka përcaktuar për këtë ritual për robërit e Tij besimtarë, është vetëm për dobinë e kësaj bote dhe shpërblimin tyre në Jetën e Përtejme, Ahiret. Përndryshe, Zoti i Plotfuqishëm nuk ka nevojë për robërit e Tij dhe aktet e tyre të adhurimit, Ai nuk ka nevojë për afërsinë e tyre me Të ose për pasurinë e tyre. “Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj. Kështu, Ai i ka vënë ato në shërbimin tuaj që ju ta madhëroni Allahun sepse ju ka udhëzuar. Dhe, jepu lajmin e mirë, punëdrejtëve!”(El-Haxhxh 37)
Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Lavdërime janë vetëm për Zotin.
O ju muslimanë! Kjo ditë e juaja është një ditë e madhe, në një muaj të madh, në një tokë të madhe. Nga Ibn Abasit, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, iu drejtua njerëzve në Ditën e Sakrificës, duke thënë: “O njerëz, çfarë dite është kjo?” Ata thanë: “Një ditë e shenjtë.” Ai tha: “Dhe çfarë vendi është ky?” Ata thanë: “Vend i shenjtë.” Ai tha: “Dhe çfarë muaji është ky?” Ata thanë: “Një muaj i shenjtë.” Ai tha: “Vërtet, gjaku, pasuria dhe nderi juaj janë të shenjta për ju, ashtu siç është e shenjtë kjo ditë juaj, në këtë vendin tuaj dhe në këtë muaj tuajin.” Ai e përsëriti disa herë, pastaj ngriti kokën dhe tha: “O Allah, a e kam përcjellë mesazhin? O Allah, a e kam përcjellë mesazhin?” Hadithin e ka transmetuar Buhariu.
O adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin dhe njihni vlerën dhe statusin e kësaj dite, rëndësinë dhe shenjtërinë e këtij muaji, si dhe shenjtërinë dhe prestigjin e këtij vendi. “Po, kështu është! Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij.”(El-Haxhxh 32) Jepu njerëzve të drejtat që u takojnë dhe kërko falje për padrejtësitë dhe pasojat e tyre, para se të mos ketë më dinar as dirhem. Nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kushdo që i ka bërë padrejtësi vëllait të tij në lidhje me nderin e tij ose me ndonjë gjë tjetër, le t’i kërkojë falje sot përpara se të mos ketë më dinar ose dirhem. Nëse ai ka vepra të mira, ato do t’i merren në përpjesëtim me padrejtësinë e tij, e nëse nuk ka vepra të mira, disa nga veprat e këqija të shokut të tij do t’i merren dhe i ngarkohen atij.” Hadithi është transmetuar nga Buhariu.
O Haxhinjë në Shtëpinë e Shenjtë të Zotit, Qabes! Kujdesuni në kryerjen e ritualeve tuaja sipas asaj që thuhet në Librin e Zotit tuaj dhe udhëzimin e Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, profetit tuaj. Falënderoni Zotin e Lartësuar për bekimin e monoteizmit dhe sunetit, me të cilin Zoti na ka dhuruar një mirësi të madhe. O adhurues të Zotit! Jini vëllezër, të dashur dhe vëllazërorë me njëri-tjetrin, jini të butë me vëllezërit tuaj dhe jini të sjellshëm me të dobëtit dhe nevojtarët midis miqve dhe shokëve tuaj. “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër.”(El-Ma’ide 2)
Zotit i kërkoj falje për veten, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, tek Ai kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Allahun, Dhuruesin Bujar, mbajtësi i premtimit, Mirësitë e Tij janë shumë të shumta për t’u numëruar dhe favoret e Tij janë shumë mëdha për t’u kuptuar plotësisht. Zotin e lavdërojmë dhe Atë e falënderojmë, Ai na mbulon të metat tona, shmang fatkeqësitë, fal gjynahet dhe i anashkalon gabimet tona. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhamed, të duruarin dhe të palëkundurin në fatkeqësi dhe vështirësi, mirënjohësin dhe falënderuesin në kohë lehtësie dhe begatie. Paqja, bekimet dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, familjen e tij dhe shokët e tij fisnikë dhe të virtytshëm.
Në vijim
Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Lavdërime janë vetëm për Zotin.
Haxhinjë të shtëpisë së shenjtë të Zotit, Qabes! Në këtë ditë tuajën, janë bashkuar një numër veprash dhe ritualesh më të mira, të cilat profeti juaj, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i ka plotësuar me këtë rend: Hedhja e guralecëve në Xhemretul Akabe, pastaj rruajtja ose shkurtimi i flokëve, pastaj therja e kafshës së flijuar për dhuratë, pastaj kryerja e Tavaful Ifadeh. Tre prej këtyre janë të detyrueshme për të gjithë Haxhinjtë: Hedhja e gurëve në Xhemretul Akabe, rruajtja ose shkurtimi i flokëve dhe kryerja e Tavaful Ifadeh. Kush kryen dy prej këtyre e ka përfunduar lirimin e vogël nga Ihrami, i lejohet të përdorë parfum, të veshë rroba të qepura dhe gjëra të tjera, përveç marrëdhënieve intime me bashkëshorten. Kush i kryen të tria përfundon lirimin e madh nga Ihrami dhe i lejohet gjithçka, përfshirë marrëdhëniet intime me bashkëshorten. Therja e kafshës së flijuar, dhuratë, nuk është ndër këto veprime të detyrueshme, kjo sepse dhurata është e detyrueshme vetëm për Mutemetiun, personin që vesh ihramin për të parën herë vetëm për umre, dhe Karinin, personin që vesh ihramin për haxh dhe umre, nga banorët përreth, nga jashtë Mekes, dhe nuk obligohet për Haxhin Mufrid, ai që vesh ihramin vetëm për Haxh, as për ata që kryejnë Haxhin Mutemeti as Kiran nga nga banorët e Mekes.
Kush prej jush që është në gjendje ta kryejë atë në këtë renditje, atëherë gjithçka është në rregull dhe mirë. Kush nuk është në gjendje, por mund ta kryejë atë më herët ose më vonë, nuk ka përgjegjësi për të. Nga Abdullah Ibn Amrit, Allahu qoftë i kënaqur me të ata dy, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, qëndroi gjatë Haxhit të Lamtumirës në Mina ndërsa njerëzit e pyetën. Një burrë erdhi dhe tha: O i dërguar i Allahut, unë nuk isha në dijeni dhe e rruajtja kokën time para se të therja sakrificë, kurban dhuratë. I dërguari i Allahut tha: “Bëj sakrificë, dhe nuk ka përgjegjësi për ty.” Pastaj një burrë tjetër erdhi tek ai dhe tha: O i dërguar i Allahut… Unë nuk isha në dijeni dhe thera sakrificën para se të hidhja guralecët. I dërguari i Allahut tha: “Hidhini ato, nuk ka përgjegjësi në të.” Ai tha: I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, nuk u pyet kurrë për diçka të bërë jashtë renditjes përveçse tha: “Bëjeni, nuk ka përgjegjësi në të.” Muttefikun alejhi.
Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Zoti është më i Madhi, Lavdërime janë vetëm për Zotin.
Adhurues të Zotit! Kjo ditë e juaja është ditë feste, pas saj vijnë ditët e Teshrikut. Këto janë ditë të ngrënies, të pirjes dhe të përkujtimit të Zotit të Plotfuqishëm, sikurse ka thënë i dërguari juaj, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Prandaj, gëzohuni në festën tuaj, hani dhe pini, por mos e teproni. Kush gjen kafshë kurbani duhet ta presë atë, e kush nuk gjen nga njerëzit e rajoneve duhet të agjërojë tre ditë në Meke dhe shtatë ditë kur të kthehet tek familja e tij, sikurse Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “…ai që prej jush kryen umren deri në haxh, le të therë kurban, sipas mundësisë. Ndërsa ai që nuk ka mundësi, është i detyruar të agjërojë tri ditë në haxh dhe shtatë ditë pas kthimit nga haxhi; këto janë dhjetë ditë të plota. Kjo është për ata që nuk banojnë në Mekë.” (El-Bekare 196) Agjërimi në ditët e Teshrikut është i legjitimuar veçanërisht për ata që nuk mund të gjejnë kafshë për kurban, dhuratë.
Dhe mos harroni vëllezërit dhe motrat tuaja të varfra, në nevojë, të dobët dhe të vuajtur. Jepuni atyre lëmoshë dhe sillni gëzim në zemrat e tyre dhe lumturi fëmijëve të tyre përmes platformave zyrtare të vendosura nga shteti, Zoti e përjetësoftë lavdinë dhe sigurinë e tij. Mbani lidhjet me të afërmit tuaj, forconi lidhjet tuaja farefisnore dhe bëni vepra të mira në mënyrë që të mëshiroheni.
Zoti i pranoftë nga ne dhe ju veprat mira! Zoti ktheftë tek ne, ju dhe të gjithë umetit musliman bekime, begati, mirësi dhe gëzim, duke qenë në siguri, paqe, Islam, lavdi, mirësi dhe një jetë të rehatshme.
O Allah, prano Haxhin Haxhinjve, fal gjynahet e tyre, lehtëso çështjet e tyre dhe ndihmoji ata të përfundojnë ritualet e tyre në mënyrën më të mirë dhe më të shkëlqyer, o Zot i botëve. O Allah, plotësoi secilit prej tyre lutjen e tyre dhe përmbushu shpresat e tyre në atë që të pëlqen Ty, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
Lutuni dhe dërgoni përshëndetje për më të mirin e krijesave të Zotit, Muhamedin të birin e Abdullahit, Zoti juaj ju ka urdhëruar për këtë, Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, profetin tonë Muhamed. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me të gjithë shokët e tij, me tabi’inët, dhe me ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Gjykimit.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë dhe ndihmo robërit e Tu besimtarë, që të Njësojnë Ty. O Zot, largo shqetësimet e atyre që janë të shqetësuar nga muslimanët, largo të vështirat e atyre që janë në vështirësi, mundëso larjen e borxheve atyre që janë në borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve.
O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, mbështet me të vërtetën, me sukses dhe vendosmëri udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona, kujdestarin e dy xhamive të shenjta. O Zot, jepi atij jetë të gjatë dhe shëndet të mirë, me mirësi dhe begati të shtuar. O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij besnik, në atë që është në dobi të vendit dhe popullit, dhe në lavdi të Islamit dhe muslimanëve, o Zoti i botëve.
O Zot, ruaj ushtarët tanë që vigjilojnë në kufi. O Zot, ruaj ata me syrin Tënd që nuk fle dhe mbroji ata me forcën Tënde që nuk pakësohet, o Zoti i botëve.
O Zot, të lutemi që të jesh me vëllezërit tanë të shtypur në çdo vend. O Zot, ji mbështetësi, mbrojtësi, ndihmësi dhe mbrojtësi i tyre. O Zot, shndërro dobësinë e tyre në forcë, frikën e tyre në siguri dhe mjerimin e tyre në bollëk dhe begati. O Zot, jepu atyre fitoren në Palestinë mbi sionistët uzurpues.
O Zot, ruaj për vendin tonë sigurinë, stabilitetin, begatinë dhe ushtarët e tij, largo prej tij komplotet e komplotistëve dhe agresionin e agresorëve, dhe nga të gjitha vendet muslimane, o Zoti i botëve.
O Zot, shpërble njerëzit e kësaj toke të bekuar dhe të mirë me shpërblimin më të mirë dhe më të bollshëm për shërbimin, përkushtimin dhe përpjekjet e tyre të palodhura për të siguruar rehatinë, sigurinë dhe mbrojtjen e Haxhinjve dhe atyre që kryejnë Umren. O Zot, shpërble kujdestarin e dy xhamive të shenjta, mbretin Selman Ibn Abdulaziz, dhe princin e tij të kurorës, princin besnik Mohamed Ibn Selman, me shpërblimin më të mirë, dhe vendose atë që ata i kanë ofruar dhe vazhdojnë t’i ofrojnë Islamit dhe muslimanëve në peshoren e veprave të tyre të mira, o Zot i Botëve. O Zot, shpërble forcat tona të guximshme të sigurisë me shpërblimin më të mirë, dhe të gjithë ata që punojnë në fusha të ndryshme, o Bujari më i Madh.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare 201)
“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)
Afrim Smakaj