Fanatizmi, dëmet e tij dhe mjekimi – Meka 15.11.2019

Hytbe e Qabes   18-03-1441 H   15-11-2019 D

Shejh Saud Shurejm           Tema: Fanatizmi, dëmet e tij dhe mjekimi.

Falenderimi i takon Allahut të Lartmadhërishëm, më të Lartit. Ai ka krijuar gjithçka dhe e ka përpjestuar drejt, ka caktuar fatin e çdo gjëje dhe ia ka rrëfyer rrugën; që bën të rriten kullotat e pastaj të thahen e të vyshken.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të vetëm e të pashoq.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij. Ai është më i miri i krijesave të Allahut. Zotëria i bijve të Ademit deri ditën e kijametit. Ai e përcolli shpalljen dhe e përmbushi amanetin. Ai na orientoi në një rrugë të qartë aq sa nata për të është si të ishte ditë, e prej kësaj rruge devijon vetëm një i mbaruar.

Nderimet dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, mbi familje e tij të mirë e të pastër, mbi bashkëshortet e tij të cilat janë nënat e besimtarëvve, mbi shokët e tij të dalluar e të mbarë dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tyre me përpikmëri deri në ditën e gjykimit.

O Njerëz, u porosis ju dhe veten time të jemi të devotshëm ndaj Allahut. Kjo është porosi për të parët e për të mbramët. Me devotshmërinë ndaj Allahut bashkohet ajo që është shpërndarë, zmadhohet ajo çka është e vogël, rregullohet ajo që është prishur dhe ngrihet lart ajo që ka rënë poshtë. Me devotshmërinë qetësohet zemra, largohet brenga, sigurohet i frikësuari dhe me të fitohet miqësia; “Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar. (Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut).” (Junus; 62,63).

Robër të Allahut: Allahu i ka mundësuar umetit islam që përmes Librit të Tij Madhështor dhe traditës së të Dërguarit të Tij të ngërthejë lidhjet e ithtarëve të islamit e ti forcojë ato me qëllim që të jenë të denjë në aspektin e përfaqësimit. Babai i tyre është Ademi dhe nëna e tyre është Havaja. Askush nuk duhet të mburret mbi tjetrin, një i bardhë nuk mund të jetë më i mirë se i ziu dhe as një joarab mbi arabin vetëm në masën e devotshmërisë që posedon, të cilën Allahu e ka bërë normë të matjes së mirësisë e të fisnikërisë. Prejardhja, ngjyra dhe gjuhët e njerëzve janë pikënisje të njohjes mes tyre. Allahu i madhërishëm thotë: “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.” (Huxhurat; 13).

Pra njohje e cila mënjanon refuzimin dhe afrimitet që mënjanon diferencimin. Allahu nuk i bëri popuj e fise që ata ti bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit, apo ti shkatojnë dhimbje njëri-tjetrit apo për të mallkuar njëri-tjetrin.

Gjuhët, ngjyrën dhe tokat e tyre nuk i ka bërë mjet bashkimi por ka bërë një fe që i bashkon e nuk i ndan, i rregullon e nuk i dëmton, largon fanatizmin dhe kryeneçësinë prej tyre ashtu siç farkëtimi largon papastërtitë e hekurit. Por akoma ka njerëz që i interpretojnë çështjet sipas dëshirave të tyre e jo sipas realitetit që dëshiron për ta Krijuesi me urtësinë dhe drejtësinë e Tij. Ata i komandon epshi e jo llogjika, rrëmbimi e jo urtësia. I japin përparësi dëshirës përpara mirëmenaxhimit, verbërisë para udhëzimit. E kjo sjellje e tyre ka prodhuar një praktikë të mangët e të paplotë për shkak të së cilës ka dalë në pah fanatizmi i shëmtuar, tribalizëm i mallkuar, nacionalizëm e populizëm.

Fanatizmi, o robër të Allahut kultivon tek njeriu nënçmim të të tjerëve që nuk janë në rrethin e tij, apo që nuk janë të së njëjtës ngjyrë e të së njëjtës prejardhje me ta. E ky është një mëkat i qartë dhe e keqe e madhe. E si të mos jetë i tillë e Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Një njeriu musliman i mjafton si e keqe të nënçmojë vëllain e tij musliman” (transmeton Ebu Daudi).

Fanatizmi, o muslimanë, e shkatërron mbartësin e tij. Kraharorin ia ngushton aq shumë saqë ai nuk sheh vetëm veten e tij dhe ata që janë në rrethin e fanatizmit të tij. Ndryshe është toleranca e cila kraharorin e mbartësit të saj e shndërron si një pemë me hije të gjerë nën të cilën prehet çdo vëlla i tij në fe sado dallime shoqërore e morale ose mospajtime të padëmshme të ketë mes tyre. Themelet përbashkuese mes tyre nuk rrënohen për aq kohë sa qëndrojnë nën flamurin e drejtësisë së islamit.

Dijeni, qofshi në kujdesin e Allahut, se çdo fanatik për udhëheqës ka egon e tij. Egoizmi të verbon e të bën të shurdhër. Asnjëherë nuk është parë ndonjë fanatik të jetë i drejtë e i barabartë, fanatik të jetë i vetëpërmbajtur e i matur apo fanatik mesatar. Fanatiku është bisht e imitues. Ai është sy mbyllur i lidhur pas egos së tij e pas fansave të tij.

Fanatizmi, pa dyshim është një sëmundje ngjitëse. Si rezultat i përhapjes së saj fanatikun e kaplon çoroditja përballë të vërtetës. Ai sheh qimen në syrin e vëllait të tij e nuk sheh shkopin në syrin e tij. Kritikon të tjerët për diçka e ai vetë ka rënë në diçka akoma më të keqe.

Çdo person, ka mangësi në ndonjë aspekt, sado që të ketë arritur në lartësinë e diturisë, autoritetit, prejardhjes apo medh’hebit.

Shumë njerëz që injorojnë mangësitë e tyre, vendosin perden e fanatizmit për të fshehur pas saj atë që nuk dëshirojnë të shihet, për tu shafqur kështu me përsosmëri fallco.

Fanatizmi është potencial i çuar dëm, lodhje e shumëfishtë e që shpenzohet për një objektiv të palëvdueshëm. Ai është një marrëzi i cili end perin me iluzionin e lavdisë fallco. Ai buron prej ndjenjës së egoizmit të pa anë, ndjenjës së madhështisë së pakufijshme. Ai është si gërhushja e një koteleje me të cilën fanatiku përpiqet të stimulojë sulmin shpartallues të luanit. E këto, pasha Allahun janë fije shumë të holla me të cilat mbahet fanatiku, tamam si fijet e rrjetës së merimangës. “Por shtëpia më e dobët është pikërisht rrjeta e merimangës. Veç sikur ta dinin ata!” (Ankebut; 41).

Nëse sjellim ndërmend të gjithë këtë, le ta dimë se fanatizmi si fjalë e si kuptim është përmendur në Kuran e në Sunet vetëm si diçka e keqe, si pjesë e veseve të injorancës e që nuk mund të përputhet me natyrën islame fisnike e të dobishme që duhet të ketë njeriu. Allahu a.xh ka thënë: “Dhe, kur në zemrat e mohuesve u shfaq zelltaria (pagane) e injorancës.” (Fet’h; 26).

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Me të vërtet, Allahu e ka larguar nga ju krenarinë arrogante te injorancës dhe zakonin e mburrjes me baballarët tuaj. (Njeriu është ose) Besimtarë i devotshëm ose mëkatarë i shkretë. Ju jeni të gjithë bijtë e Ademit e Ademi është i krijuar nga dheu. Njerëzit ose do të ndalen së krenuari me njerëzit të cilët nuk janë veçse gaca prej gacave të Xhehnemit, ose ata do të jenë më të ulët tek Allahu se buburreci që me hundën e tij shtyn ndytësitë.” Transmeton Ebu Daud.

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush i largohet bindjes, përçan unitetin dhe pastaj vdes, le ta dijë se po vdes me vdekje primitive të injorancës. Kush lufton nën një flamur të kotë ku zemërohet për fisin, thërret për rend fisnor dhe lufton për fisin e pastaj vritet le ta dijë se vdekja e tij është vdekje primitive e injorancës. Kush ngrihet mbi umetin tim duke vrarë të mirin dhe të keqin e tyre duke mos hezituar fare para besimtarit dhe duke mos mbajtur besën ndaj askujt nuk është prej meje e unë nuk jam prej tij.” Këtë hadith e transmeton Muslimi.

Në një hadith tjetër transmetohet se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) dëgjoi një prej shokëve të tij nga Ensarët që po thërriste: Ku jeni o Ensarë! Muhaxhirët iu përgjigjën duke thirrur: Ku jeni o Muhaxhirë! I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) tha: Si është e mundur të dëgjohet thirrja primitive (e injorancës)? Ata thanë: O i Dërguar i Allahut, një burrë prej Muhaxhirëve goditi një burrë prej Ensarëve! Ai (salallahu alejhi ue selem) tha: “Lëreni atë se ajo është thirrje e ndyrë!” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Në traditën e Mustafasë (të zgjedhurit) (salallahu alejhi ue selem) qëndruan shokët e tij dhe ndjekësit e tyre të denjë. Është bërë e njohur prej katër imamëve; Ebu Hanife, Malik, Shafiu dhe Amedi, edhe pse me shprehje të ndryshme, se që të gjithë ata nuk ishin aspak fanatikë pas mendimit të tyre. Ata distancoheshin prej gabimit që kundërshtonte Kuranin dhe Sunetin. Kështu ata vendosën një rregull të përgjithshëm që e kuptonin njerëzit që ishin pranë e ata që ishin larg;

Po të jetë hadithi i saktë ai është medh`hebi (mendimi, zgjedhja) im.

Shejhul Islam Ibn Tejmijeh (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Ai i cili tregohet fanatik për njerëzit e vendit të tij, për medh`hebin e tij, për të afërmit e tij e për shokët e tij përballë të tjerëve le ta dijë se tek ai ka cilësi primitive të injorancës. Besimtarët duhet të jenë ashtu siç urdhëron Allahu të kapur bashkë për litarin e Allahut, Librin e Tij dhe Sunetit e profetit të Tij (salallahu alejhi ue selem). Libri i tyre është i njëjtë, feja e tyre është e njëjtë, profeti i tyre është i njëjtë, Zoti i tyre është një i adhuruar i vetëm nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij, Atij i përket lavdia në këtë jetë e në tjetrën, Atij i takon gjykimi e tek Ai është kthimi. Ai gjithashtu ka thënë: “Kushdo që del prej thirrjes islame dhe Kuranit në thirrje të prejardhjes, nacionalitetit, rracës, medh`hebit apo tarikatit le ta dijë se ato janë thirrje të fanatizmit primitiv të injorancës”.

Ibnul Kajim ka thënë: “Thirrja primitive e kohës së injorancës, si thirrja tribale dhe klanore apo ngjashëm me to thirrja në medh`hebe, në sektarizma, në dijetarë duke i dhënë vlerë disave mbi disa të tjerë duke thirrur në to, duke lidhur miqësinë dhe armiqësinë në bazë të tyre, të gjitha këto janë sjellje primitive të injorancës” Këtu mbaron fjala e tij, Allahu e mëshiroftë.

Për Allahu, sa i shëmtuar është fanatizmi! Sa shumë viktima ka lënë ai! Sa shumë të vrarë janë shkatërruar nën flamurin e kryeneçësisë klanore. Sa e sa familje janë shpërndarë për shkak të tij! Sa përçarës të unitetit janë djegur në zjarrin e tij!

Nëse kur takohet dy ndërluftues kemi një vrasës e një të vrarë, në rastin e dy fanatikëve ndërluftues ata janë që të dy të vrarë. Po, që të dy janë të vrarë prej armës së fanatizmit vrastar.

Por në të vërtetë mendja e hapur nuk sillet njëjtë si fanatizmi i ngushtë. Nuk është habi, rob të Allahut, që mendja e hapur nuk përulet përpara stuhisë së fanatizmit e nuk mbytet në ujërat e tij. Allahu të vërtetën thotë: “Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër.” (Al Imran; 103).

Allahu na mundësoftë të përfitojmë prej dobive të Kuranit madhështor e na mundësoftë të kemi dobi me ajetet e urtësitë në të.

Pas këtyre fjalëve i lutem Allahut të më falë mua, ju dhe tërë muslimanët dhe muslimanet çdo gjynah e çdo gabim. Kërkojini falje dhe pendohuni tek Ai. Zoti im është Falësi dhe Mëshiruesi.

Hutbeja e dytë

LEXO  Jeta  në këtë botë - Meka 19.06.2020

Falenderimi i takon Allahut me një falenderim që nuk shteron kurrë. Ai është më i miri që duhet të falenderohet. Nderimet dhe shpëtimi qoftë mbi më të mirin e të zgjedhurve Muhamedin.

Fjalët më të mira janë fjalët e Allahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (salallahu alejhi ue selem). Më e keqja e çdo gjëje janë risitë sepse çdo risi në fe është shpikje. Përmbajuni unitetit sepse dora e Allahut është me unitetin.

Robër të Allahut, fanatizmi konsiderohet diçka e keqe në fenë tonë të pastër e në këtë gjykim renditet çdo formë që e zbukuron atë, qoftë në rang individual, sektorësh, organizatash apo klubesh, qoftë me poezi, prozë apo parrulla sepse nëse objektivi është diçka e ndaluar edhe mjetet që të çojnë në to janë të ndaluara. Kështu që po të zotërojmë mirë mjetet nuk do arrijmë në objektiva negativë. Një person i llogjikshëm e kupton që fatatizmi është një lloj mendjemadhësie, kryelartësie dhe pretendim i përsosmërisë por në realitet fanatikët kanë mangësi plot e njerëzit flasin.

Profeti Muhamed (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Të gjithë bijtë e Ademit janë gabimtarë e më të mirët e gabimtarëve janë ata që pendohen.” Transmeton Ahmedi e të tjerë.

Mënyra më e sukseshme në dëbimin e frymës fanatike është mbjellja e influencës fetare e cila orienton në drejtësi dhe mënjanon padrejtësinë e shpifjen. Gjithashtu mjet i mirë për këtë është edukimi i brezave me shpirtin e unitetit e të afrimitetit. Islami, me dy burimet e tij; Libri i Allahut dhe Tradita e Muhamedit, është mantel mbrojtës ndaj fatatizmit për shkak të ngjyrës, gjuhës, rracës, atdheut, medh`hebit, apo fisit. Muslimanët janë të gjithë të një mendimi se i dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) është më i miri i krijesave në prejardhje, fe dhe shpallje, dhe më madhështori në pozitë tek Allahu, asnjë krijesë nuk ka pozitë më të madhe se pozita e tij, askush nuk posedon mundësi ndërmjetësimi më madhështor se ndërmjetësimi i tij, megjithatë ai kurrë nuk u tregua fanatik ndaj të tjerëve me tërë këto. Ai ka thënë: “Unë jam zotëria i bijve të Ademit, pa mburrje. Unë jam i pari që do ti hapet toka ditën e kijametit, pa mburrje. Unë jam i pari që kërkon ndërmjetësim dhe i pari që lejohet të ndërmjetësojë, pa mburrje. Flamuri i falenderimit do të jetë në dorën time ditën e kijametit, pa mburrje.” Transmeton Ibn Maxhe dhe origjina e tij gjendet në Dy Sahihet.

Profeti Muhamed (salallahu alejhi ue selem) e ka përforcuar këtë duke udhëzuar popullin e tij. Ai ia nis me veten e tij që ata të ndjekin shembullin e tij e tek ai është modeli dhe shembulli. Për këtë thotë: “Mos e egzagjëroni me mua sikundër e egzagjëruan të krishterët me të birin e Merjemes se unë jam një rob. Më thërrisni: Rob i Allahut dhe i dërguar i Tij.” Transmeton Buhariu.

Përfundimisht o rob të Allahut; fanatizmi është portë e së keqes për njerëzit që nëse hapet është vështirë të mbyllet. Fanatizmi është atribut i ulët e jo i mirë. Nëse njeriut i duhet patjetër të jetë fanatik atëherë le të jetë për moralet fisnike, cilësitë e bukura. Le ti shtrëngojë ato me dhëmballë, se pasha Allahun ky është fanatizëm që nuk kritikohet. Të mbërthyerit fort pas këtyre cilësive duhet pasur lakmi. Allahu është ndihmësi dhe Ai është udhëzuesi në rrugën e drejtë.

Allahu ju mëshiroftë, dërgoni salavate dhe selame mbi më të mirin e krijesave, më të pastërtin e njerëzimit Muhamedin të birin e Abdullahit poseduesin e Burimit e të Ndërmjetësimit . Allahu u ka urdhëruar me diçka që e nis me Veten e Tij, e më pas me Melaiket e Tij që e madhërojnë lart Shenjtërinë e Tij e pastaj edhe me ju o besimtarë. Allahu i madhërishëm thotë: “O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me selam!” (surja Ahzab; 56).

O Allah bekoje dhe shpëtoje robin dhe profetin Tënd Muhamedin, fytyrëndriturin plot hijeshi.

O Allah kënaqësia jote qoftë mbi katër mëkëmbësit e tij Ebu Bekrin, Umerin, Osmanin dhe Aliun dhe shokët e profetit Tënd Muhamed dhe mbi ata që ecin në gjurmët e tyre dhe zbatojnë traditën e tyre deri në ditën e gjykimit edhe ne bashkë me ta me faljen tënde, bujarinë tënde, bamirësinë tënde ! O më i mëshirshm i mëshiruesve!

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

O Allah jepi krenari islamit dhe muslimanëve!

O Allah ndihmoje fenë tënde, librin tënd dhe rrugën e profetit tënd Muhamedit salallahu alejhi ueselem dhe robërit e tu besimtarë.

O Allahu rregulloje gjendjen e muslimanëve në çdo vend! O Allah ndihmoi vëllezërit tanë të shtypur për shkak të fesë kudo qofshin!

O Allah na jep siguri në vatanet tona, na i rregullo prijësat dhe qeveritarët tanë.

Udhëheqjen mbi ne mundësoja atij që të frikësohet Ty, që është i devotshëm e që mundohet të fitojë kënaqësinë tënde o Zot i botëve.

O Allah jepi sukses udhëheqësit tonë për atë që Ti dëshiron e kënaqesh prej fjalëve e prej veprave o i Gjalli e Kujdestari përjetshëm.

O Allah përmirësoja nënpunësit e tij të afërm o i Lartmadhërishëm o Fisnik!

Jepi sukses atij dhe pasardhësit të tij që të bëjnë atë çka është e mirë për njerëzit dhe vendin!

O Allahu im, Ti je Allahu, nuk ka të adhuruar me të drejtë pos Teje, Ti je i Pasuri e ne jemi të varfërit, na e zbrit shiun e mos na bëj prej atyre që e humbin shpresën.

O Allah mos na pengo të mirat që ke Ti për shkak të së keqes që kemi ne, o Madhërishëm O Fisnik!

Zoti ynë na jep të mira në këtë jetë, të mira në jetën tjetër e na mbro prej dënimit të zjarrit!

I lartësuar qoftë Zoti Ynë, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe lutja jonë e fundit të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!

 

Post Author: endrit