Këshilla që theksojnë domosdoshmërinë e drejtësisë dhe kujdesin për Xhaminë Aksa

Hutbe e ditës së Xhuma nga Xhamia El Aksa     22-10-1447 H    10-04-2026 D

Shejh Muhamed Selim 

Tema   Këshilla që theksojnë domosdoshmërinë e drejtësisë dhe kujdesin për Xhaminë Aksa

Lavdërimet janë për Allahun, Zotit të Botëve, ka përsosur mirësitë e Tij mbi ne duke na mundësuar të falemi në xhaminë  Aksa më parë dhe na ka kthyer përsëri në të. O robër të Allahut! Zotin falënderoni që ju ka bërë të qëndrueshëm, të palëkundur në fenë dhe Librin e Tij, dhe duke përcjellë mesazhin e Tij, siç ju urdhëron Ai duke thënë: “ Prandaj qëndro i patundur në udhën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar.”(Hud 112)

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, bëri përulësinë dhe nënshtrimin tonë ndaj Tij themel të qëndrueshmërisë tonë ndaj fesë dhe ligjit të Tij, dhe ka thënë për të dërguarin e  Tij: O Muhamed! Thuaj: “ …e më është urdhëruar që t’i nështrohem Zotit të botëve.”(Gafir 66)

Dëshmoj se Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, Sufjan ibn Abdullah i ka thënë: “O i dërguar i Zotit, më trego diçka për Islamin që nuk do të kem nevojë të pyes askënd tjetër pas teje.” Ai i tha: “Thuaj: Unë i kam besuar Zotit, pastaj vazhdo i palëkundur, në rrugë të drejtë.”

O adhurues të Zotit! Merri porosinë, urdhrin e Zotit tuaj dhe porosinë e dërguarit tuaj, sepse është porosi që përfshin të gjitha vlerat e fesë suaj. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje të dërguarin tonë Muhamedin, i cili mishëroi të gjitha aktet e bindjes dhe u përmbajt, hoqi dorë, nga të gjitha ndalesat, dhe ishte shembulli i atyre që ndjekin drejtësinë, që qëndrojnë në rrugë të drejtë. O Zot, dërgo bekimet e Tua mbi familjarët e tij të mirë dhe shokët e tij pastër, të cilët ishin shembull në qëndrueshmërinë në rrugë të drejtë, duke respektuar Librin e Zotit të tyre dhe sunetin e  të dërguarit të tyre. O Zot, dërgo bekimet e Tua mbi çdo musliman që besoi dhe qëndroi i palëkundur në rrugë të drejtë, lutje dhe përshëndetje të përhershme deri në Ditën e Gjykimit.

Në vijim

O ju muslimanë! Nëse ecni në një rrugë me një drejtim, rrugë të drejtë, pa u kthyer djathtas ose majtas, atëherë jeni duke ecur në një rrugë të drejtë pa devijim. Ky është një shembull i përsosur për ata prej jush që qëndrojnë të palëkundur në bindjen ndaj urdhrit të Zotit, duke ndjekur Librin e Tij dhe duke u udhëzuar me sunetin të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.

O ju besimtarë! Qëndrueshmëria në bindjen ndaj urdhrave të Zotit dhe në respektimin e fesë dhe ligjit të Tij nuk është një zgjedhje për ju, përkundrazi, është detyrim për ju, me të cilin jeni të urdhëruar nga Zoti juaj, Allahu i Plotëfuqishëm, i Cili urdhëroi të dërguarin tuaj dhe ju kur ka thënë: “Prandaj qëndro i patundur në udhën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar. Ashtu le të veprojnë edhe besimtarët që janë me ty, e mos i kaloni kufijtë, se Ai, me të vërtetë, i sheh mirë ato që punoni ju.” (Hud 112)

O pasues të Islamit! Kushtoni vëmendje, urdhri në këtë ajet është i detyrueshëm për të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe për të gjithë muslimanët që janë me të, deri në Ditën e Kijametit.

O adhurues të Zotit! Në këtë ajet, Zoti ju ka urdhëruar të bëni diçka dhe ju ka ndaluar diçka, pastaj e përfundon me një paralajmërim për ju. Sa i përket urdhrit, është thënia e Tij: “Prandaj qëndro i patundur në udhën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar. Ashtu le të veprojnë edhe besimtarët që janë me ty…” Sa i përket ndalimit, është thënia e Tij: “…e mos i kaloni kufijtë…”

Sa i përket paralajmërimit, Zoti i Plotfuqishëm është i Gjithëdijshëm për atë që ju bëni dhe Gjithëshikues për atë që ju veproni. Ai di qëndrueshmërinë tuaj në rrugë të drejtë, di devijimin tuaj dhe shikon shkeljen tuaj. Kush  devijon nga feja dhe ligji i Tij, dhe kush karakterizohet nga një tipar i shkeljes, Zoti do ta kapë atë me poshtërim dhe turpërim.

Kujdesuni për fenë tuaj, sepse Zoti ynë i Lartësuar dhe i Madhërishëm,  o muslimanë, ju nxit që të qëndroni të palëkundur në fenë tuaj në mënyrën e drejtë që Ai ka legjitimuar për ju.

O muslimanë! Qëndrueshmëria juaj në fenë tuaj do të thotë që të vazhdoni të veproni sipas mësimeve të Islamit, të mbetet të vepruarit, punuarit sipas këtyre mësimeve shqetësimi juaj, për të cilin mendoni në vazhdimësi, në mënyrë që të jetë i pranuar nga Zoti juaj, Allahu i Plotfuqishëm.

O adhurues të Zotit! Qëndrueshmëria juaj në të punuarit e vazhdueshëm me rregullat e Sheriatit tuaj  është qëndrueshmëri individuale dhe kolektive nga i gjithë umeti, bashkësisë muslimane. Prandaj, o muslimanë, bashkohuni rreth Librit të Zotit tuaj d dhe mbahuni fort pas tij ashtu siç ju ka urdhëruar Ai të mbaheni të bashkuar rreth tij.  Ky unitet, bashkim rreth tij është thelbi i qëndrueshmërisë. Mos u përçani në lidhje me sunetin e të dërguarit tuaj, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, sepse dallimi, të përçarit rreth tij është një devijim që Zoti dhe i dërguari i Tij e urrejnë, dhe bie ndesh me qëndrueshmërinë në fenë tuaj.

LEXO  Të kesh mendim të mirë për Zotin në kohë të mira dhe të këqija

O besimtarë! E gjithë kjo pengon përparimin e umetit tonë musliman, sepse, siç e shikojmë sot, zemrat dhe gjymtyrët e tij largohen nga respektimi i Librit të Zotit të Plotfuqishëm dhe suneti i të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. A nuk është poshtërimi i umetit sot për shkak të largimit të tij nga qëndrueshmëria në rrugë të drejtë dhe respektimi i Librit të Zotit të tij? A nuk është parëndësia e umetit tonë sot dhe nënshtrimi i tij ndaj popujve të tjerë për shkak të përçarjes së tij ndaj sunetit të të dërguarit të tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të? Umeti jonë sot, është indiferent ndaj të vepruarit sipas tij, ndaj udhëzimit nga mësimet e tij dhe ndjekjes së parimeve të tij.

Prandaj, nuk ka vend për risi në fe, as për devijim nga rruga e drejtë, sepse kjo është një formë e largimit nga rruga e drejtë. Nuk ka vend për kërkimin e dijes dhe udhëzimit nga metodologjitë e jomuslimanëve, sepse ushqimi, mendimi dhe dija e vërtetë vjen vetëm nga Kurani i Shenjtë,i cili është themeli i drejtësisë, i qëndrueshmërisë në rrugë të drejtë, dhe nga suneti i profetit tonë të dashur Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. A nuk i keni dëgjuar fjalët e profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të: “Ata që erdhën para jush u shkatërruan nga pyetjet e tyre të tepërta dhe mospajtimi, përçarjet e tyre me profetët e tyre?”

O ju muslimanë! Devijimi i umetit nga veprimi sipas ligjit të Zotit të tij, Librit dhe sunetit profetik, është ajo që e çoi atë në shkatërrim dhe është ajo që e çoi atë në këto pozita nënshtrimi ndaj popujve të tjerë. E nëse ky devijim do të ishte vetëm një çast, ai do të sinjalizonte një ndëshkim nga Zoti, të cilin Ai nuk do ta largonte prej tij përveçse me qëndrueshmërin në rrugë të drejtë të umetit në veprimin sipas të gjithë sheriatit, legjislacionit Islam.

O besimtarë! Si mund të jetë dikush besimtar i vërtetë nëse nuk i përmbahet Sheriatit, legjislacionit të Islamit?! Si mund të udhëzohet drejt një umet, popull,  nëse nuk e përqafon fenë e tij ashtu siç një nëna përqafon fëmijën e saj?! A mund ta imagjinoni një nënë të arsyeshme që e braktis fëmijën e saj pa u kujdesur për të?! Atëherë, si mund ta imagjinoni një umet që pretendon të jetë besimtar në fenë e tij, por nuk i përmbahet rregullave dhe ligjeve të tij, ku Islami është nëna dhe babai i tij?

O muslimanë! Asnjë person prej jush nuk mund të jetë besimtar nëse nuk i përmbahet fesë Islame. Një umet, popull, nuk mund të jetë besimtar nëse nuk kthehet në udhëzimin dhe vetëdijen e tij, nuk i përmbahet Sheriatit të Islamit dhe nuk e pranon atë si kushtetutë dhe mënyrë jetese të tij.

O adhurues të Zotit! O muslimanë! Zoti ju ka udhëzuar drejt shenjës së parë të qëndrueshmërisë në rrugë të drejtë: Pendimi i sinqertë. Kur Zoti urdhëroi të dërguarin e Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ta, që të qëndrojë i palëkundur në Islam, në ajetin të cilin e përmendëm më lartë,Ai gjithashtu urdhëroi atë dhe shokët e tij fisnikë që të pendohen.  Nëse shokët e profetit, brezi më i mirë, ishin të urdhëruar të pendoheshin kolektivisht, atëherë ju jeni dhe më primarë që të pendoheni sinqerisht dhe të nxitoni ta bëni atë, në mënyrë që të jeni nga njerëzit që qëndrojnë në rrugë të drejtë në këtë botë dhe nga njerëzit e pranuar dhe të kënaqur tek Zoti në Jetën e Përtejme, në Ahiret. Zoti i Plotfuqishëm, duke iu drejtuar profetit dhe besimtarëve, thotë: “Prandaj qëndro i patundur në udhën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar. Ashtu le të veprojnë edhe besimtarët që janë me ty, e mos i kaloni kufijtë, se Ai, me të vërtetë, i sheh mirë ato që punoni ju.” (Hud 112)

O ju musliman! Ju nuk do besoni vërtet derisa të jeni të drejtë dhe nuk do jeni të drejtë derisa të pendoheni. Sepse besimi pa drejtësi dhe pendim është thjesht shkelje, karakteristikë që zemëron Zotin dhe shkatërron robin. A nuk e kuptoni çfarë po them? A nuk e keni vendosur të ripërtërini besimin në zemrat tuaja duke i drejtuar veprimet tuaja drejt tërësisë së fesë së Zotit, në mënyrë që të dilni nga kjo dobësi në të cilën ndodheni?

LEXO  “ Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”

O besimtarë! O adhurues të Zotit! Besimi që ju shpëton nga tipari i tiranisë, në thelb, është pendim nga gjynahet e vogla dhe të mëdha, ashtu siç është pendim nga politeizmi dhe mosbesimi. Prandaj, pendohuni nga të gjitha gjynahet tuaja, të vogla dhe të mëdha, dhe pendohuni nga të gjitha manifestimet e politeizmit, mosbesimit, hipokrizisë, imoralitetit dhe mosbindjes. Angazhoni veten dhe gjymtyrët tuaja në këtë pendim të vërtetë dhe të sinqertë, sepse nuk ka shpëtim për ju dhe nuk ka çlirim për umetin tonë përveçse nëpërmjet tij.

Dëgjoni se çfarë ka thënë Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, ka thënë: “Nuk i është zbritur asnjë ajet të dërguarit të Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, që të ishte më i rëndë ose më i vështirë se ky ajet.” Ajo është fjala  e Zotit të Lartësuar: “Prandaj qëndro i patundur në udhën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar. Ashtu le të veprojnë edhe besimtarët që janë me ty, e mos i kaloni kufijtë, se Ai, me të vërtetë, i sheh mirë ato që punoni ju.” (Hud 112)

O muslimanë! Pendohuni të gjithë ju, individualisht dhe si umet, nga tirania, padrejtësia, që Zoti juaj ua ka ndaluar. Pendohuni nga mbajtja e anës së shtypësve, në mënyrë që të jeni besimtarë të vërtetë dhe të palëkundur në fenë tuaj. Pendohuni nga e gjithë kjo në mënyrë që të hidhni poshtë rrobën e papërshtatshme për një besimtar që e do Zotin dhe të dërguarin e Tij, rrobën e poshtërimit dhe rrobën e hipokrizisë. Hidhni ato nga vetja që Zoti të largojë nga ju mundimin e urisë dhe frikës që ka filluar të bjerë mbi ju para se të intensifikohet kapja e saj.

O adhurues të Zotit! Kërkoj mbrojtje e Zotit për ju! O muslimanë!  Kërkoj mbrojtje e Zotit për ju! O të lidhur me këtë vend! Kërkoj mbrojtjen e Zotit për ju, që të mos jeni si ata që Zoti i ka sjellë shembull dhe ka thënë: “Allahu e ka bërë shembull qytetin (e Mekës), i cili ishte i sigurt dhe i qetë. Atij i arrinin ushqime të bollshme nga të gjitha anët, por pastaj banorët e tij i mohuan dhuntitë e Allahut dhe Ai i bëri të shijojnë urinë dhe frikën, si ndëshkim për atë që bënë.” (En-Nahl 112)

O ju muslimanë! Jini të bindur në atë që Zoti ju ka paralajmëruar në thënien e Tij: “…Ai, me të vërtetë, i sheh mirë ato që punoni ju.” (Hud 112) Prandaj bëni kujdes nga tirania, shkelja, në format e saj të shumta! Sepse Zoti është i Ditur për çdo vepër që bëni dhe do të mbaheni përgjegjës për të në Ditën kur të dilni para Tij për gjykim në Ditën e Gjykimit, asgjë rreth jush nuk do t’i fshihet Atij.

O ju muslimanë! Forma e kërkuar e drejtësisë nga ju dhe nga umeti ynë  është që të qëndroni të palëkundur në një rrugë, në rrugën e Islamit, në besim dhe në praktikë, pa u kthyer djathtas ose majtas, drejt asgjëje tjetër. Nga Othman El Asadiut transmetohet se ka thënë:  Shkova te Ibn Abasi dhe i thashë: “Më këshillo!” Ai më tha: “Po, përmbaju devotshmërisë ndaj Zotit dhe drejtësisë, të qëndruarit në rrugë të drejtë. Paso dhe mos shpik diçka të re, risi.”

O muslimanë! Kini frikë Zotin, jini të drejtë dhe mos shpikni, mos sajoni risi, dhe mos futni në fenë tuaj atë që Zoti dhe i dërguari i Tij ua kanë ndaluar.

O Zot, na jep qëndrueshmëri në fenë Tënde, në Librin Tënd dhe në sunetin e të dërguarit Tënd, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. O Zot, na bëj prej atyre që i dëgjojnë fjalët dhe ndjekin më të mirën e tyre. O Zot, na jep siguri në Kuds dhe në xhaminë tonë Aksa, sepse Ti je Zoti dhe Sunduesi ynë.

Adhurues të Zotit! Kërkoni falje nga Zoti, tek Ai pendohuni dhe lutuni Atij duke qenë të sigurt për përgjigjen e Tij.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin e botëve. Ne kemi besuar në Librin e Tij që Ai ka shpallur dhe në të dërguarin e Tij që Ai dërgoi.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok.

Dëshmoj se zotëria ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij.  O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij, dhe ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Kijametit.

Në vijim

O ju muslimanë! Zoti ua ka ndaluar dhe ju ka thënë: “ e mos i kaloni kufijtë, se Ai, me të vërtetë, i sheh mirë ato që punoni ju.” (Hud 112) A e dini se çfarë nënkuptohet me thënien e Tij të Plotfuqishmit: “ …e mos i kaloni kufijtë…?”

O adhurues të Zotit! O muslimanë! Është guximi i umetit, individëve dhe kolektivisht, bashkarisht,  që të kundërshtojnë atë që Zoti u ka urdhëruar. Shikoni umetin tonë: A nuk i ka shkelur ai, si një i tërë,  urdhërat e Zotit?! A mund të guxoj ta përshkruaj umetin si tiran, shkelës, sot?! Tirania që e ka çuar atë në thellësitë e poshtërimit, deri në atë pikë sa nuk i kthen dot dorën  asnjë shkelësi!

LEXO  Dhembshuria dhe mëshira e besimtarit për gjynahqarin

O ju besimtarë! Nga format e shkeljes që Zoti ju ndalon juve dhe umetit tonë musliman është mungesa e shqetësimit që rritet brenda tij. Për shembull, Zoti ju urdhëron të hani vetëm atë që është e mirë dhe nga fitimet e ligjshme, a është e ligjshme e gjithë pasuria juaj? A është e ligjshme çdo gjë që hani dhe pini?

Po jua lë përgjigjen ju, dhe ju jap prova nga Kurani se kush nuk e pastron ushqimin dhe pijen e tij, dhe kush nuk fiton pasuri të ligjshme ai karakterizohet me atributin e tiranisë. Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “Hani nga ushqimet e shijshme e të lejuara me të cilat ju kemi furnizuar dhe mos e kapërceni kufirin, përndryshe do t’ju zërë zemërimi Im.”(Ta Ha 81) Mosbindja ndaj ligjit të Zotit është një shkelje që sjell zemërimin e Tij. Po sikur i gjithë umeti, individë dhe kolektivë, të largohet nga kjo rrugë e drejtë? Ku qëndron atëherë kjo në lidhje me urdhërat e Zotit?

O adhurues të Zotit! Nga format e shkeljeve të cilat  Zoti ua ka ndaluar është që askush të mos e shtypi tjetrin. Kjo shkelje është e përhapur midis njerëzve, brenda familjeve, midis fqinjëve, midis të afërmve dhe të njohurve. A nuk është sjellja mburravece që shfaqim ndaj njëri-tjetrit një manifestim i shëmtuar i kësaj tiranie, e cila shkakton zemërimin e Zotit mbi ata që e zotërojnë atë?

O muslimanë! Të gjithë ju më dëgjoni, por kush prej jush do të nxitojë drejt drejtësisë siç ka urdhëruar Zoti?! Kur do të ngrihet umeti ynë nga gjumi dhe nga neglizhenca?! Pasha Zotin tim, është sikur shikoj  Hasan El Basrin duke ngritur zërin e tij në umetin tonë sot, duke e paralajmëruar dhe e këshilluar atë duke i thënë: “Zoti e ka vendosur fenë midis dy mos, ndalesave; midis ‘Mos e teproni’ dhe në mes ‘Mos u vetëkënaqni’.”

O namazfalës të nderuar! Para se të largoheni nga Qyteti i Vjetër, Kudsi, bëni pazar në dyqanet e tij, nga besimi dhe bindja në shpërblim, në një formë solidariteti me ta. Ky pazar është një formë e qëndrueshmërisë në rrugë të drejtë,  për të cilën i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Zoti është në ndihmë të robit për sa kohë robi është në ndihmë të vëllait të tij.”, dhe për të cilën i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Besimtari për besimtarin është si një ndërtesë, secila pjesë e së cilës forcon, mbështetën, tjetrën.”

O adhurues të Zotit! O njerëz të Islamit! Ja ku jeni, u kthyet në xhaminë Aksa pas një mungese disa javore dhe u gëzuat për kthimin tuaj në të. Urime për këtë kthim, urime për këtë kthim të bekuar. U gëzuat për këtë kthim, por kur do t’i kthehemi Librit të Zotit dhe sunetit të profetit tonë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të? Kur do t’i kthehemi vlerave dhe moralit të fesë sonë? Kur do të gëzoheni për respektimin tuaj të Sheriatit të Zotit tuaj dhe udhëzimit të Tij, me qëndrim në rrugë të drejtë, me bindje dhe me vepra të mira?  Kur do të gëzohemi për pendimin tonë? Kur do të gëzohemi për respektimin e umetit ndaj mirësisë së tij të natyrshme, në mënyrë që të udhëheqë njerëzimin drejt drejtësisë, sigurisë dhe paqes?

O ju muslimanë! Namazi juaj në xhaminë Aksa është qëndrim në rrugë të drejtë, udhëtimi dhe ardhja juaj për në të është qëndrim në rrugë të drejtë. Ndaj ndiqeni këtë drejtësi kudo që të çon, sepse është rrugë e drejtë dhe përmirësimi, rrugë mirësie dhe udhëzimi. Përmes saj do të gjeni strehim në Shtëpinë e Shenjtë, Kuds, e cila është themeluar mbi pastërtinë dhe bekimet, është Kibla juaj e parë dhe vendi Udhëtimi i Natës së Israsë i dërguarit tuaj, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.

O Zot, na mundëso të shkojmë dhe të vijmë në Aksanë tonë në çdo kohë dhe moment.

O Zot, ndihmo Islamin dhe muslimanët, ndihmo Librit Tënd, fenë Tënde dhe sunetin e të dërguarit Tënd, o Zot i botëve.

O Zot, na bëj nga të përgëzuarit me besim, nga ata që janë të lumtur me veprat e mira dhe na bëj nga të udhëzuarit në rrugë të drejtë.

O Zot, na jep shëndet në trupat tanë, mbrojtje në fenë tonë dhe një fund të mirë për jetën tonë. Na jep mirëqenie dhe bindjen ndaj Teje për sa kohë që na mban gjallë.

O Zot, të lutemi të na japësh siguri dhe mirëqenie, të lutemi të na japësh çdo të mirë, nga ajo që dimë për të si dhe atë që nuk e dimë, kërkojmë mbrojtjen Tënde nga çdo e keqe, nga ajo që dimë për të dhe nga ajo që nuk e dimë.

O Zot, Ti je Sunduesi, i Gjithëpushtetshmi, çfarëdo që Ti të duash ndodhën, të lutemi për falje, mirëqenie dhe shëndet të përhershëm në fe, në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret.

O Zot, mundëso shlyerjen e borxhit atyre që kanë borxhe, shëro të sëmurët dhe të pikëlluarit, kthe të munguarit te familjet e tyre shëndoshë e mirë, jepu muslimanëve lehtësim nga çdo hidhërim dhe zgjidhje nga çdo shqetësim.

O Zot, na fal ne, prindërit tanë, dhe ata që kanë të drejta mbi ne. O Zot, fali muslimanët dhe muslimanet,  të gjallë dhe të vdekur prej tyre.

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun, Ai ju kujton ju, kërkoni falje prej Tij sepse Ai ju falën, kërkoni prej Tij sepse Ai ju dhuron pa fund.

Ti që fton për namaz, fto në namaz!

“…Vërtet, namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe, vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1534856835307658/1693131855177388

Post Author: endrit