Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 08-10-1447 H 27-03-2026 D
Shejh Mahir El Muajkili
Tema Arsyet për shpëtim nga Xhehenemi dhe fitim të Xhenetit
Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin, i Cili është unik në pushtetin dhe madhështinë e Tij, Ai i dhuron mirësi të bollshme krijesave të Tij. Zotin e Madhërishëm e lavdëroj dhe e falënderoj, tek Ai pendohem dhe prej Tij falje kërkoj.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai u ka dhënë sukses robërve të Tij në adhurime dhe i ka ndihmuar.
Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, më i miri nga ata që na ka mësuar dhe shpjeguar rregullat e fesë. Paqja e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët dhe bashkëshortet e tij, njerëzit e udhëzimit dhe të besimit, dhe mbi ata që i pasojnë në mirësi, atyre u dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.
Në vijim
O besimtarë! Këshilloj ju dhe veten time që t’i frikësohemi Zotit të Madhërishëm, kini frikë Zotin duke kryer vazhdimisht adhurime dhe duke braktisur gjërat e ndaluara, sepse kush i përmbahet devotshmërisë do të jetë i suksesshëm, e kush ndjekën dëshirat e tij do të zhgënjehet dhe do të humbasë. “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!”(El-Hashr 18)
O popull muslimanë! Fitorja e vërtetë të cilën e kërkojnë njerëzit e mençur dhe të virtytshëm është çlirimi i vetes së tyre nga Zjarri i Xhehenemit, “ Çdo njeri e fillon ditën e tij duke qenë tregtar i vetes së vet, mund ta çlirojë ose mund ta shkatërrojë.” Fitorja arrihet vetëm duke hyrë në Xhenet, sikurse Allahu i Lartësuari ka thënë: “…kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.” (Al ‘Imran 185)
Në Jetën e Përtejme, në Ahiret, nuk ka vendbanim të tretë, por ose Xhehenem ose Xhenet. Fjala “shpëton” tregon se çështja kërkon përpjekje, durim dhe këmbëngulje, kjo sepse Xhehenemi, Zoti na ruajt ne dhe ju prej tij, është i rrethuar nga dëshirat, e shpirtrat janë të prirur drejt dëshirave, dhe se njeriu mezi mund të largohet prej tyre përveçse me vështirësi.
Në Sunenin e Ebu Daudit ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kur Zoti krijoi Xhehenemin Ai tha: “O Xhebrail, shko dhe shikoje atë, Xhehenemin, çfarë kam përgatitur në të për banorët e tij!” Ai shkoi dhe e shikoi atë, e pastaj u kthye dhe tha: “ O Zot, Pasha krenarinë Tënde, askush që dëgjon për të nuk do të dëshirojë të hyjë në të!” Allahu urdhëroi që të rrethohet Xhehenemi me dëshira, epshe e pastaj Ai tha: “ O Xhebrail, kthehu dhe shikoje atë, Xhehenemin, përsëri!” Xhebraili shkoi dhe e shikoi atë, pastaj ai u kthye dhe tha: “ O Zot, Pasha krenarinë Tënde, kam frikë se askush nuk do t’i shpëtojë hyrjes në të!”
Vëllezër në besim! Sikurse Zoti i Plotfuqishëm e ka bërë muajin e Ramazanit sezon për çlirimin nga Zjarri i Xhehenemit, Bujari, i Lartësuar qoftë Ai, i ka pajisur robërit e Tij me vepra të mira me anë të të cilave ata mund të çlirohen nga Xhehenemi gjatë gjithë muajve të vitit. Më e madhja prej tyre është Njësimi i Tij, i Madhërishëm dhe i Lartësuar është Ai, dhe sinqeriteti i adhurimit vetëm ndaj Tij. Tek dy Sahihët, Buhariu dhe Muslimi, ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Vërtet, Zoti ia ka ndaluar, bërë haram, Xhehenemin kujtdo që thotë: “S’ka Zot tjetër përveç Allahut”, duke kërkuar me të kënaqësinë e Zotit.”
Nga këto vepra të mira është: Kryerja e namazeve, sepse ato janë një arsye e madhe për t’u shpëtuar nga Zjarri i Xhehenemit, veçanërisht namazet e Sabahut dhe të Ikindisë. Tek Sahihu i Muslimit, ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Askush që falet para lindjes së diellit dhe para perëndimit të diellit nuk do të hyjë në Xhehenem.” Ka për qëllim agimin, sabahun, dhe pasditen, iqindinë. Kush kujdeset për faljen e katër rekateve para namazit të drekës dhe katër pas saj, Zoti do ta ndalojë atë nga Xhehenemi.
Agjërimi është mburojë dhe fortesë e fortë kundër Zjarrit të Xhehenemit. Nëse ka mbaruar agjërimi i Ramazanit mbeten agjërime vullnetare, agjërimi i gjashtë ditëve të Sheualit, agjërimi i ditës së hënë dhe të enjte, dhe agjërimi i tre ditëve nga mesi i çdo muaji. Agjërimi më i mirë është agjërimi i Daudit, paqja e Zotit qoftë mbi të, që është agjërimi i një dite dhe ndërprerja e agjërimit ditën tjetër.
Vëllezër në besim! Nga arsyet për shpëtim nga Zjarri i Xhehenemit janë karakteri i mirë, butësia dhe mirësia ndaj njerëzve. Prandaj, o ti që dëshiron që të shpëtosh nga Zjarri i Xhehenemit ji i butë në marrëdhëniet me të tjerët, i butë dhe i sjellshëm me vëllezërit e tu, i gëzuar në fytyrat e tyre dhe i durueshëm me ta. Nga Ibn Mes’udi, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ A dëshironi të ju tregoj se kush është i ndaluar nga Xhehenemi, ose kujt i është bërë haram, i ndaluar Zjarri i Xhehenemit? Çdo njeri i afërt me të tjerët, i butë dhe i qetë me ta.” Hadithin e ka transmetuar Tirmidhiu.
Kush është bekuar me vajza ose motra, i trajton mirë dhe i nderon ato, ato do të jenë mburojë për të nga Zjarri i Xhehenemit. Në Musnedin e Imam Ahmedid ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush ka tre vajza ose tre motra, ose dy vajza ose dy motra dhe sillet mirë me to, është i durueshëm me to dhe i frikësohet Zotit në marrëdhëniet e tij me to, do të hyjë në Xhenet.” Në një transmetim tjetër tek Musnedi i Imam Ahmedid ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush ka tre vajza dhe i strehon, i mëshiron dhe i furnizon ato, Xheneti është i garantuar për të.” I është thënë: “O i dërguar i Zotit, çfarë ndodh nëse ka dy?” Ai ka thënë: “Edhe nëse ka dy.” Ka thënë: Disa njerëz menduan se nëse ai do të thoshte një, do të thoshte një.”
O besimtarë! Vërtet i pafuqishëm, i dobët, është ai që nuk është i aftë të lutet. Prandaj, lutja e shpeshtë për shpëtim nga Zjarri i Xhehenemit është një mjet, arsye shpëtimi prej tij. Në Sunenin e Tirmidhiut ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush i kërkon Zotit Xhenetin tre herë, Xheneti thotë: “O Zot, fute atë në Xhenet!” Kush kërkon strehim nga Xhehenemi tre herë, Xhehenemi thotë: “O Zot, ruaje atë nga Xhehenemi.”
Allahu i Madhërishëm dhe Fuqiplotë përmendën cilësitë e robërve të Tij të drejtë, të mirë dhe të devotshëm duke thënë: “ Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë (të këqija), ata përgjigjen (me mirësi): “Paqe!”; dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë; dhe ata që thonë: “O Zoti ynë, largoje prej nesh ndëshkimin e Xhehenemit, sepse, me të vërtetë, dënimi i tij është i përjetshëm dhe ai është vendbanim dhe vendstrehim i keq.”(El-Furkan 63-66) Zoti na ruajt ne dhe ju nga kjo.
Zoti na begatoftë të gjithëve në Kuranin Famëlartë dhe sunet, na bëftë dobi të gjithëve nga argumentet dhe urtësitë e tyre të qarta.
Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju nga çdo gjynah dhe gabim, tek Ai kërkoni falje me të vërtetë Ai është Falës i madh.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin, nuk ka askush që mund të ndalojë atë që Ai jep dhe askush që mund të anulojë atë që Ai cakton. Nuk ka Zot tjetër që meriton adhurim përveç Tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi ata që e pasojnë atë.
Në vijim
O besimtarë! Nëse besimtari kërkon të kryejë vepra me të cilat shpreson të fitojë shpërblimin e çlirimit nga Zjarri i Xhehenemit, ai duhet të jetë i kujdesshëm ndaj asaj që rezulton kërcënimin për hyrjen në të. Në të vërtetë, shumica e asaj që i hedh njerëzit në Zjarr të Xhehenemit me fytyrat e tyre është ajo çfarë korrin, thonë gjuhët e tyre, sikurse na ka lajmëruar për këtë i dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Kjo sepse të këqijat e gjuhës dëmtojnë strukturën, prishin dashurinë, përhapin urrejtje dhe ndajnë familjen. Veçanërisht me zhvillimin e mjeteve të komunikimit të cilave disa njerëz nuk u kushtojnë shumë vëmendje. Për këtë arsye, legjislacioni Islam, Sheriati e ka ndaluar përgojimin dhe shpifjen, ka nxitur në mbrojtjen e nderit të muslimanit dhe e ka bërë atë një arsye për shpëtim nga Xhehenemi. Në Musnedin e Imam Ahmedit ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush mbron nderin e vëllait të tij në mungesë të tij, është detyrë e Zotit ta lirojë atë nga Zjarri i Xhehenemit.” Nëse kjo vlen për masën e gjerë të muslimanëve, kjo është dhe më e rëndësishme dhe me vlerë më të madhe në të drejtën e sundimtarëve dhe dijetarëve.
Të dashur vëllezër! Nga gjërat që do t’ju shpëtojnë në Ditën e Gjykimit është ruajtja dhe kujdesi për veprat e mira që zgjasin. Në Sunenin e Nesa’iut ka ardhur nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: Ishim përreth të dërguarit të Allahut, paqja hde mëshira e Zotit qoftë mbi të, i cili ka thënë: “ Merrni mburojat tuaja.” I kanë thënë: “ O i dërguari i Allahut, a ka ndonjë armik që na është afruar?” Ai ka thënë: “ Jo, por mburoja tuaj nga Zjarri i Xhehenemit. Thoni: Lavdërimi është për Zotin, falënderimi është për Zotin, nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, Zoti është më i Madhi. Sepse ata do të vijnë në Ditën e Gjykimit si mburoja dhe roje, ata janë veprat e mira të përhershme.”
Sikurse i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, na ka informoi gjithashtu për veprat e mëdha që do ta shpëtojnë vepruesin e tyre nga Xhehenemi. Në Sunenin e Tirmidhiut ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Dy sy nuk do të preken nga Zjarri: Një sy që qanë nga frika ndaj Zotit dhe një sy që qëndroi zgjuar duke ruajtur në rrugë të Zotit.”
Ky është një shembull i përdorimit të termit “pjesë” për t’iu referuar të tërës. Kur njeriu kujton Madhështinë dhe Fuqinë e Zotit, mendon mbi gjendjen dhe mangësitë e tij në përmbushjen e detyrës ndaj Zotit të tij dhe qanë nga frika e ndëshkimit të Tij ose nga respekti për Madhështinë e Tij, atij i premtohet shpëtimi nga Zjarri i Xhehenemit. Kështu është për këdo që e kalon natën duke ruajtur vendin e tij do të jetë kjo arsye për shpëtimin dhe suksesin e tij në Ditën e Gjykimit.
Nëse ky është rasti në vendet muslimane në përgjithësi, atëherë çfarë ndodh me tokën e dy xhamive të shenjta?! Por se dhe për kujdestarët dhe shërbëtorët e dy xhamive të shenjta, mbretërinë e Arabisë Saudite, Zoti e ruajt nga çdo e keqe.
O besimtarë! Dijeni se Zoti ju ka urdhëruar në një çështje fisnike, të cilën e filloi me Veten e Tij dhe ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El-Ahzab 56)
O Zot, fale dhe mëshiroje Muhamedin, bashkëshortet dhe pasardhësit e tij, siç e mëshirove familjen e Ibrahimit.
O Zot, bekoje Muhamedin, bashkëshortet dhe pasardhësit e tij, siç e bekove familjen e Ibrahimit, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhërishëm.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me Halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij dhe tabi’inët, me ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e Kijametit, dhe me ne së bashku me ta, me Faljen, Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, bëj këtë vend të begatë, të siguri, të qetë dhe të stabilizuar dhe të gjitha vendeve muslimane.
O Zot, na jep siguri në vendit tonë, mbështet me të vërtetën udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona. O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, dhe zëvendësit të tij besnik, në atë që është lavdia e Islamit dhe përmirësimi i musimanëve, dhe në atë që është në të mirë të vendit dhe popullit, dhe shpërbleji ata të dy me shpërblimet më të mira për atë që japin për Islamin dhe muslimanët.
O Zot, kujt do që synon të dëmtojë tokën e dy xhamive të shenjta, Mbretërinë e Arabisë Saudite, ktheje komplotin e tyre kundër tyre dhe bëj që planet e tyre të kthehen kundër tyre. O Zot, ti lëmë që të merresh Ti me ata dhe kërkojmë strehim tek Ti nga e keqja e tyre. O Zot, mos u jep atyre fitore, mos lejo që të arrijnë qëllimet e tyre, bëji ata mësim dhe paralajmërim për të tjerët.
O Zot, ruaj tek ne fenë tonë, udhëheqësit tanë dhe sigurinë tonë. O Zot, jepu sukses njerëzve të sigurisë tonë dhe atyre që vigjilojnë në kufijtë tanë. O Zot, mbroji ata nga ajo që është para tyre dhe ajo që është pas tyre, nga e djathta e tyre dhe nga e majta e tyre, dhe nga sipër tyre, kërkojmë mbrojtje në Madhështinë Tënde që të mos goditen nga poshtë këmbëve të tyre.
O Zot, jepu vëllezërve tanë në Palestinë siguri, mbrojtje, stabilitet dhe qetësi shpirtërore. O Zot, të lutemi që të jesh për ata mbrojtje dhe ndihmues, mbështetës dhe përkrahës.
O Zot, o i Gjallë i Përhershëm, me Mëshirën Tënde kërkojmë ndihmë, përmirëso të gjitha çështjet tona, dhe mos na lër në dorë të veteve tona as sa hapim dhe mbyllim sytë.
O Zot, na përmirëso në fenë tonë e cila është pjesë e jetës tonë, përmirëso jetën tonë ( në këtë botë) që është vendqëndrimi i përkohshëm për ne, dhe përmirëso jetën tjetër (Ahiretin) në të cilën është takimi ynë. O Zot, bëj jetën tonë shtim të çdo mirësie dhe vdekjen lehtësim për ne nga çdo e keqe, na shpëto nga poshtërimi në këtë botë dhe nga dënimi në botën Tjetër, Ahiret.
O Zot, fali muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët dhe të vdekurit prej tyre.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit).” (El-Bekare 201)
“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)
“…dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 128)
“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)
Afrim Smakaj