Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 15-10-1447 H 03-04-2026 D
Shejh Fejsal Gazaui
Tema Zbukurimi i të keqes dhe rreziku i përmbysjes së koncepteve
Me të vërtetë lavdërimet janë për Zotin. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që Zoti e udhëzon s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.
Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, për ata dërgojmë shumë lutje dhe përshëndetje.
Në vijim
O adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahut, Zotit tuaj, vërtetë kush i frikësohet Zotit të tij, Ai do të ja bëj të qartë të vërtetën nga e pavërteta dhe do t’i sigurojë atij për të bërë atë që dëshiron nga e mira. “O besimtarë! Nëse i frikësoheni Allahut, Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit drejt, do t’ju lirojë nga gjynahet tuaja dhe do t’ju falë. Allahu zotëron mirësi të madhe.” (El-Enfal 29)
O ju njerëz! Nga gjërat më të rrezikshme me të cilat mund të preket njeriu është që zemra e tij të prishet dhe punët e tij të ngatërrohen. Sa që ai ta shikojë të shëmtuarën të bukur dhe të bukurën të shëmtuar, të pavërtetën të vërtetë dhe të vërtetën si gënjeshtër, devijimin udhëzim dhe udhëzimin devijim, gabimin të saktë dhe të saktën gabim. Zoti e ka sqaruar gjendjen e njerëzve, puna e të cilëve është bërë e pavlefshme dhe është zhdukur, ndërsa ata mendojnë se po bëjnë mirë duke e bërë atë. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Për ata, përpjekja e të cilëve ka qenë e kotë në jetën e kësaj bote, ndërkohë që mendonin se po bënin vepra të mira?”(El-Kehf 104) Kjo për shkak të dëshirave dhe gjynaheve të cilat shejtani i bëri tërheqëse për ta. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ A është ai, që veprat e veta të këqija i duken të mira (si ai që është i udhëzuar në rrugën e drejtë)?”(El-Fatir 8)
Shejtani bën veprat e këqija t’u duken tërheqëse, duke ua shfaqur ato në formën e përfitimeve, kënaqësive dhe gjërave të mira, dhe i bën ata të pavëmendshëm ndaj pasojave të dëmshme dhe rezultateve të këqija të tyre.
O ju vëllezër! Kjo është gjendja e dikujt, peshoret e të cilit janë të pabalancuara dhe konceptet e tij janë përmbysur:
“Njeriu gjykohet në kohë të vështira derisa të shikoj të mirën në atë që nuk është e mirë.”
Adhurues të Zotit! Kush lexon në Librin e Zotit, Kuran, dhe mediton në ajetet e tij, atij do t’i bëhet e qartë se zbukurimi i veprave është dy llojesh: I mirë dhe i keq.
Sa i përket zbukurimit të të mirës, është ajo që Zoti i Plotfuqishëm i ka atribuar Vetes, sikurse ka ardhur në fjalën e Tij, ku Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “Kështu, Ne ia paraqesim të bukura çdo populli veprat e veta.” ( El-En’am 108) Në këtë ajet Zoti i Plotëfuqishëm ia atribuoi Vetes dekorimin, si në krijim ashtu dhe në vullnet. Sa i përket zbukurimit të të keqes, është ajo që Zoti i Plotfuqishëm ia atribuoi shkakut të tij dhe atij që e kreu atë nëpërmjet tij, sikurse në fjalën e Tij, ku Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “ Djalli ua paraqiste të bukura sjelljet e tyre, duke i larguar nga rruga e drejtë…”(En-Neml 24) Zoti ia atribuoi këtu zbukurimin shejtanit, i cili është zbukurimi i veprimit të drejtpërdrejtë, ku shejtani bën veprat e këqija të shfaqen me një imazh të mirë.
Adhurues të Zotit! Kurani Famëlartë është plot me shembuj të ndryshëm të atyre që shejtani i joshi dhe i futi në grackat e tij. Bëri që tundimi të dukej tërheqës për ta, e keqeja dhe devijimi të dukeshin të mirë për ta. Prej tyre, fjala e Zotit të Plotëfuqishëm që thotë: “Por djalli e cyti: “O Adem, a do të të tregoj pemën e përjetësisë dhe të një mbretërimi që nuk zhduket?”(Ta Ha 120) Ai e bëri të këndshme ngrënien nga pema për Ademin dhe gruan e tij, kështu që i tundoi ata të hanin prej saj, t’i bindeshin urdhrit të armikut të tyre dhe të mos i bindeshin urdhrit të Zotit të tyre. Pastaj Zoti pranoi pendesën e tyre dhe i udhëzoi ata që të qëndronin të palëkundur në rrugën e drejtë.
Nga shembujt është gjithashtu kur shejtani ua zbukuroi veprat jobesimtarëve nga Kurejshët dhe luftën kundër muslimanëve. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Djalli ua zbukuroi atyre veprat e këqija dhe u tha: “Askush në botë nuk do t’ju mundë sot dhe unë jam mbrojtësi juaj.”(El-Enfal 48)
Një shembull tjetër është rasti kur pupëza, një lloj shpendi, i tha Sulejmanit, paqja e Zotit qoftë mbi të, në lidhje me mbretëreshën e Shebës dhe popullin e saj: “Kam parë se ajo dhe populli i saj adhuronin Diellin e jo Allahun. Djalli ua paraqiste të bukura sjelljet e tyre, duke i larguar nga rruga e drejtë, prandaj nuk ishin të udhëzuar.”(En-Neml 24) Domethënë, ata janë larguar nga rruga e drejtë dhe nuk janë udhëzuar drejt adhurimit të të Gjithëdijshmit, të Mirinformuarit.
Një nga shembujt më të njohur të dikujt që u mashtrua nga shejtani dhe ia bëri tiraninë tërheqëse është Faraoni, i cili devijoi dhe i çoi të tjerët në rrugë të gabuar, shkeli rregullat dhe shtypi, u bëri padrejtësi njerëzve dhe përhapi shkatërrim në tokë. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Kështu, Faraonit iu dukën të bukura veprat e tij të shëmtuara dhe u shmang nga rruga e drejtë…” (Gafir 37)
O ju vëllezër! Zbukurimet që përdor shejtani për të tunduar njeriun janë dy llojesh: Zbukurimi i të shëmtuarës dhe të bërit e të bukurës të shëmtuar.
Shembull i zbukurimit të së shëmtuarës është ajo që ka ardhur në fjalët e Zotit të Plotfuqishëm ku thotë: “ Shumë paganëve, idhujt e tyre ua kanë bërë t’u duket e bukur vrasja e fëmijëve të tyre, për t’i shkatërruar dhe për t’i ngatërruar ata në fenë e tyre.”(El-En’am 137) Shejtanët ua zbukuronin këtyre politeistëve vrasjen e fëmijëve të tyre nga frika e varfërisë dhe varrosjen e vajzave të tyre të gjalla nga frika e turpit, dhe pse ky veprim është jashtëzakonisht i shëmtuar dhe i lig. Një shembull i kësaj është ajo që përmend Zoti i Plotfuqishëm në lidhje me pretendimin e hipokritëve se ata janë njerëz të përmirësimit: “ Kur u thuhet: “Mos bëni çrregullime në tokë!” – ata thonë: “Ne bëjmë vetëm përmirësime në tokë!”(El-Bekare 11)
Nga Muxhahidi, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ka thënë: “ Nëse bëjnë ndonjë gjynah ndaj Zotit dhe u thuhet: ‘Mos e bëni këtë e atë’, ata thonë: ‘Ne jemi vetëm reformatorë në rrugën e drejtë’.”
Nga ato që futen në këtë kategori janë promovimi ideve të rreme, të devijuara, dhe dëshirave mashtruese, zbukurimi i adhurimit me praktika që Zoti nuk i ka lejuar dhe që i dërguari i Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, nuk i ka legjitimuar, praktikuar, siç janë; Kërkimi i ndihmës nga të vdekurit, lutja ndaj tyre, sakrifica ndaj tyre dhe bërja e premtimeve ndaj tyre. Gjithashtu prej tyre janë kryerjen e veseve, akteve imorale dhe veprave të papranueshme, siç është ekspozimi i pjesëve intime të dikujt, shfaqja e zbukurimeve të grave ndaj jo të afërmve dhe zbulimi i bukurive të tyre ndaj atyre që nuk u lejohet. Përdorimin e gjuhës së ndyrë, maskimin e kritikave dhe fyerjeve shkatërruese si këshilla dhe kritika konstruktive, miratimi i fitimeve të paligjshme dhe i transaksioneve të ndaluara.
Nga shembull i bërjes së diçkaje të bukur të duket e shëmtuar ajo çfarë ka përmendur Zoti i Plotfuqishëm në lidhje me arsyen e dhënë nga populli i Lutit për dëbimin e familjes së tij, Lutit, duke thënë: “Përgjigjja e popullit të tij ishte: “Dëbojini ata nga vendbanimi juaj! Ata janë njerëz që duan të mbahen të dëlirë.”(El-A’raf 82)
Kur ligësia shumohet, shtohet, të pastrit përçmohen dhe pastërtia bëhet akuzë. Disa dijetarë kanë thënë: Thënia e tyre: “Ata janë njerëz që pastrojnë veten”, është tallje me ta dhe pastrimin e tyre nga veprimet imorale dhe krenaria për ndyrësinë në të cilën ata ndodheshin.
Adhurues të Zotit! Nga efektet më të mëdha të bërjes tërheqëse të veprave të këqija është që njeriu të preferojë gënjeshtrën para të vërtetës, të zgjedhi devijimin, humbjen, para udhëzimit dhe veprat e tij të shëmtuara nga politeizmi, mosbesimi dhe gjynahet i bëhen tërheqëse. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “ E njëjta gjë u ndodhi edhe fiseve Ad dhe Themud, gjë që ju është bërë e qartë prej (gjurmëve të) banimeve të tyre. Atyre djalli ua kishte zbukuruar veprat e veta dhe i kishte shmangur nga rruga e drejtë, edhe pse qenë largpamës.”(El ‘Ankebut 38) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Fisit Themud, Ne ia treguam rrugën e drejtë, por ai parapëlqeu verbërimin e jo rrugën e drejtë, andaj e goditi rrufeja e dënimit poshtërues, për atë që kishte bërë.”(Fussilet 17)
Një nga pasojat e zbukurimit të të keqes është se robi largohet nga udhëzimi dhe besimi, dhe kthehet në devijim dhe mosbesim. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Vërtet, ata që kthehen në mosbesim, pasi u është treguar rruga e drejtë, djalli i ka joshur dhe i ka ushqyer me shpresa të kota.”(Muhammed 25)
Zotit i kërkoj falje për veten dhe për ju.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin e Madhërishëm. Lutje dhe përshëndetje për robërit e Tij të përzgjedhur.
Në vijim
O adhurues të Zotit! Nga pasojat e fatkeqësisë së zbukurimit të veprave të këqija është se robi bëhet aleat i shejtanit pasi që ai humbi kujdestarinë e të Gjithëmëshirshmit. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “ Betohem për Allahun se edhe para teje, Ne u kemi çuar të dërguar popujve të tjerë, por djalli ua zbukuroi sjelljet e tyre dhe tani ai është zotëria i tyre; andaj ata i pret dënimi i dhembshëm.”(En-Nahl 63) Tek Zoti kërkoj mbrojtje nga humbja e rrugës së drejtë pas udhëzimit dhe nga humbja e rrugës së drejtë pasi që jemi udhëzuar!
Adhurues të Zotit! Kush është i sinqertë me Zotin e tij, zemra e të cilit është e mbushur me besim, ai është i udhëzuar dhe ndjek të vërtetën dhe është i lirë nga dëshirat, ai është në dritë nga Zoti i tij, ka prova të qarta në fenë e tij dhe nuk është i impresionuar nga puna e tij. Por se ai është gjithmonë i kujdesshëm ndaj shejtanit, gjithmonë duke pritur ndihmën dhe mbështetjen e Zotit, ai është i përkushtuar ndaj urdhrit të Tij duke qenë i drejtë në ligjin e Tij. Ky përson nuk është i barabartë me atë që është duke u endur në errësirë dhe ka hipur, qëndron, mbi dëshirat, ndaj të cilit shejtani ka fituar pushtet dhe ia ka bërë të bukur gënjeshtrën, e ka larguar nga ndjekja e udhëzimit, ka hedhur në zemrën e tij dyshime dhe dëshira që e bëjnë atë të prirur drejt gjynaheve dhe e pengojnë atë të pendohet. Ai njeri është bërë mendjemadh, refuzon këshillat dhe ndjekën dëshirat e tij, çdo gjë që e shikon si të mirë, e bën, dhe çdo gjë që e shikon si të shëmtuar, e braktis. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Vallë, a është ai që i përmbahet udhëzimit të Zotit, i njëjtë me atë të cilit i duken të bukura punët e veta të shëmtuara dhe që ndjek dëshirat e kota?”(Muhammed 14)
Shikoni ndryshimin midis atij që është në rrugën e drejtë dhe është i udhëzuar nga drita e Zotit të tij, dhe atij rruga e të cilit është prishur dhe që veprat e këqija të të cilit i janë bërë tërheqëse! Ibn Tejmijetu, Zoti e mëshiroftë ka thënë: “ Shpirtrat e mirë gjejnë kënaqësi duke bërë mirë dhe duke treguar mirësi, ndërsa shpirtrat e këqij gjejnë kënaqësi duke bërë keq dhe duke sulmuar të tjerët.”
Adhurues të Zotit! Lutuni dhe dërgoni salavate, përshëndetje mbi mëshirën dhe mirësinë e dhuruar, sikurse ju ka urdhëruar ta bëni këtë Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë dhe idhujtarët.
O Zot, ruaj vendin e dy xhamive të shenjta, bëje atë vend lavdie, sigurie, begatie dhe qetësie, që të zotërojë çdo të mirë dhe të jetë i sigurt nga çdo e keqe, dhe të gjitha vendet muslimane. O Zot, kush synon të dëmtojë sigurinë dhe stabilitetin e këtij vendi, kthe komplotin e tij kundër tij dhe bëj planin e tij shkatërrim për të, o Dëgjues i lutjeve.
O Zot, ruaj umetin, popullin musliman nga çdo e keqe, pikëllim, vështirësi dhe shqetësim. Largo prej tij të keqen e të ligjve, komplotet e të korruptuarve dhe të këqijat e atyre që këpusin rrugët natën dhe ditën. Largo pre tij luftërat, grindjet, vështirësitë dhe sprovat, nga ato që janë shfaqur dhe të fshehtat.
O Zot, jepu fitoren të shtypurve, muxhahidinëve, atyre që përpiqen në rrugën Tënde, atyre që janë të vendosur në kufij dhe mbrojtësve të fronteve tona.
O Zot, na jep siguri në vendet dhe shtëpitë tona, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, bëj që udhëheqja jonë të jetë në duart e atyre që të kanë frikë Ty, janë të devotshëm ndaj Teje dhe kërkojnë kënaqësinë Tënde, o Zot i botëve.
O Zot, jepi sukses kujdestarit të çështjeve tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, në atë që do dhe je i kënaqur, nga fjalët dhe veprat, o i Gjallë, o i Përhershëm.
O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij në udhëzimin Tënd dhe në devotshmërinë ndaj Teje. O Zot, kërkojmë tek Ty fitore, lavdi dhe fuqizim për robërit e Tu besimtarë.
O Zot, të lutemi të jesh me vëllezërit tanë në Palestinë dhe në çdo vend, o Zoti i botëve. O Zot, lehtëso vuajtjet e tyre, largo shqetësimet e tyre, përmirëso marrëdhënijet e tyre, merru në dorën Tënde çështjet e tyre, shuaj urinë e tyre, mbroi ata nga frikërat e tyre, bashko forcat e tyre dhe lehtëso çështjet e tyre, planifiko për ta dhe jo kundër tyre.
O Zot, na fal ne, besimtarët dhe besimtaret, muslimanët dhe muslimanet, bashko zemrat e tyre, pajto mosmarrëveshjet e tyre, jepu fitoren mbi armikun Tënd dhe armikun e tyre.
O Zot, na udhëzo në rrugën Tënde të drejtë dhe na jep mundësinë të ndjekim udhëzimin e drejtë. Na e trego të vërtetën ashtu siç është dhe na jep mundësinë ta ndjekim atë, na e trego të pavërtetën ashtu siç është dhe na jep mundësinë t’i shmangemi asaj, mos na e bëj atë të ngatërruar tek ne dhe të humbasim rrugën. Vërtet, Ti je që dëgjon gjithçka, je gjithmonë afër dhe u përgjigje lutjeve.
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robi dhe të dërguarin Tënd, të dërguarin tonë Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij.
Afrim Smakaj