Nxitimi i qortuar

Hutbe e ditës së xhuma nga  Meka e bekuar      15- 04-1446  H   18-10-2024 D

Shejh Fejsal Gazaui     

Tema   Nxitimi i qortuar

Vërtetë lavdërimi i takon Zotit. Atë e falënderojmë, e prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e udhëzon Zoti  s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se Muhamedi  është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, lutje dhe përshëndetje të shumta.

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al Imran 102)

Në vijim

Vërtetë Allahu i Madhërishëm është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm, të gjitha veprimet e Tij burojnë nga Urtësia e Tij e madhe, interesa madhore dhe synime, qëllime të lavdëruara.  Ai është që i di parimet e çështjeve dhe përfundimet e tyre, Ai që i vendosën gjërat në vendin e tyre, ka dijeni për vetitë dhe dobitë e tyre, ‘Ekspert’, Njohës i të vërtetave dhe rezultateve të tyre. Sa e madhe është pozita dhe  pushteti i Tij.

Adhurues të Zotit! Sa i përket çështjes së njeriut është sikurse e ka bërë të qartë Kurani, Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Njeriu është krijuar i ngutur.” (El-Enbija’ 37) Që do të thotë se ai, njeriu është ndërtuar në dhe i nxituar, dhe vazhdon të jetë i tillë,  ku nxitimi është në natyrën dhe formimin e tij. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ …vërtet që njeriu është i ngutur.” (El-Isra’ 11) Domethënë: I ekzagjeruar në nxitim; ai nxiton të kërkojë gjithçka që i bie në zemër dhe i vjen në mendje, e nuk heziton, por i nisën, fillon gjërat dhe përshpejton për ndodhjen e tyre.

O ju vëllezër! Ngutja, nxitimi ka cilësi me të cilat  njihet. Ebu El Hatimi El Bustiju, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Nga nxitimi është që njeriu të thotë, të flasë diçka para se ta dijë, të përgjigjet para se ta kuptojë, të lavdërojë para se të provojë, të nënçmojë pasi të lavdërojë. Nxitimin, ngutjen e shoqëron keqardhja dhe largohet prej saj paqja Arabët më herët e kanë quajtur atë  nëna e keqardhjeve.”

O muslimanë! Nxitimi i qortuar ka shumë forma dhe shembuj të ndryshëm. Prej nxitimit të qortuar është që njeriu të nxitojë të kërkojë nga Zoti atë çfarë e dëmton atë sikurse nxiton në kërkimin e të mirës. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Njeriu mallkon në të keqe, ashtu siç lutet edhe për të mirë; vërtet që njeriu është i ngutur.” (El-Isra’ 11) Ibn Kethiri, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Allahu i Plotëfuqishëm na lajmëron për nxitimin e njeriut dhe lutjen e tij në disa raste kundër vetes së tij, apo fëmijës së tij, ose pasurisë së tij me të keqe. D.m.th, me vdekje, ose shkatërrim, dëmtim ose me mallkim e të ngjashme. E nëse Zoti i tij do t’i përgjigjej atij ai do të ishte shkatërruar me lutjen e tij, sikurse Allahu i Madhërishëm ka thënë: “  Sikur Allahu, t’ua shpejtonte të keqen njerëzve, ashtu siç e dëshirojnë shpejt të mirën, me të vërtetë që ata do të zhdukeshin.” (Junus 11)

Nga format e nxitimit të qortuar është kur njeriu nxiton të gjykojë në mes të dy palëve në mosmarrëveshje para se të bëhet e qartë situata. Ka ardhur në porosinë e tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, për Aliun, Zoti qoftë i kënaqur me të, kur e dërgoi atë gjykatës në Jemen: “ Nëse para teje ulen dy palë kundërshtare mos i gjyko deri sa të dëgjosh nga tjetri sikurse ke dëgjuar nga i pari, sepse ka shumë gjasa, me dëgjimit e të dytit,  gjykimi t’ju bëhet i qartë.”

Nga format e nxitimit të qortuar është të përshpejtuarit në marrjen e rezultateve të thirrjes, ftesës në rrugë të Allahut,  dhe shikimi i fryteve të përpjekjeve dhe mundit. Nëse shikon mungesën e përgjigjes nga njerëzit ankohet, mërzitet dhe ndalon nga thirrja e tij ndaj tyre, e mund të nxitojë me lutje kundër tyre dhe të përshpejtojë shkatërrimin e tyre. Nga Katadete, Zoti e mëshiroftë, në fjalën e Allahut të Madhërishëm që thotë: “ …dhe mos u bëj si Njeriu i Peshkut (Junusi a.s.)…” (El-Kalem 48) ka thënë: “ Mos u nxito sikurse ai u nxitua, dhe mos u zemëro sikurse ai u zemërua.”

Nga format e nxitimit të qortuar është që besimtari të presë me padurim fitoren. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Vërtet mendoni të hyni në Xhenet, pa provuar atë që kanë provuar të tjerët para jush? Ata i goditi mjerimi dhe sëmundjet dhe, aq shumë u tronditën, saqë çdo i dërguar dhe ndjekësit e tij, thirrën: “Kur do të arrijë ndihma e Allahut?!” Ja, ndihma e Allahut është afër!” (El-Bekare 214) Kurtubiu, Zoti e mëshiroftë ka thënë: “ D.m.th që përpjekja e tyre arriti deri aty sa ata presin me padurim fitore, e Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Ja, ndihma e Allahut është afër!” (El-Bekare 214) Kjo është nga fjalët e të dërguarit bazuar në kërkesën për përshpejtimin e fitores, dhe jo në bazë të dyshimit dhe mosbesimit.”

LEXO  Konturat e rigjenerimit dhe rregullat e tij - Dr. Abdurrahman es Sudejs

Prej formave të nxitimit të qortuar është që besimtari të presë me padurim zbritjen e ndëshkimit mbi armiqtë dhe dënimi ndaj tyre. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “  Prandaj, ti bëhu i durueshëm (o Muhamed), ashtu siç kanë duruar me këmbëngulje të dërguarit e vendosur dhe mos kërko shpejtimin e dënimit për ata!” (El-Ahkaf 35) Bekaiu, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Dhe kur e urdhëroi për durim, që është një nga virtytet më të larta, e ndaloi atë nga nxitimi që është një nga veset më të këqija, në mënyrë që të ishte i saktë në praktikimin e virtytit të durimit, garantuesi i fitores dhe triumfit. …”

O ju vëllezër! Ajo që është më e keqja në këtë çështje, nxitimi, është që mohuesit të përshpejtojnë dënimin e goditjes së tyre, nga përgënjeshtrimi, mohimi, kokëfortësia dhe përjashtimi. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Ata të kërkojnë që t’u shpejtohet dënimi, por Allahu kurrsesi nuk e thyen premtimin e Vet.” (El-Haxhxh 47)

Prej formave të nxitimit të qortuar është bartja e lajmeve para se të verifikohet autenticiteti i tyre dhe transmetimi i thashethemeve dhe gënjeshtrave. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm ju sjell ndonjë lajm, sigurohuni mirë (në është i vërtetë), për të mos i bërë dëm ndokujt padashje, e të pendoheni pastaj për atë që keni bërë.” (El-Huxhurat 6) Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Kur atyre u vjen ndonjë lajm i rëndësishëm që ka të bëjë me sigurinë ose frikën, ata e përhapin (pa e vërtetuar mirë). Por, në qoftë se këtë lajm do t’ia përcillnin (për shqyrtim) të Dërguarit dhe parisë, hulumtuesit do ta merrnin vesh prej tyre (se çfarë lajmi duhet përhapur e çfarë jo).” (En-Nisa’ 83)

Ndër gjërat që përfshihet  në nxitim të qortuar është të nxituarit në atribuimin e fjalëve për njerëz që nuk i kanë thënë ato dhe atribuimi i fjalëve njerëzve që nuk janë thënës te tyre. Shembujt më të dukshëm për këtë janë përhapja e haditheve të rreme për të dërguarin, paqja dhe shpëtimi i  Zotit qoftë mbi të,  dhe atribuomi i tyre për atë që ai nuk e ka thënë.

O ju vëllezër! Nga nxitimet e qortueshme është të shpejtuarit e hapave kur shkon në xhami për faljen e namazit, e në veçanti nëse imami është shumë pranë rënies në ruku ose në ruku. Prej të nxituarit të qortueshëm është nxitimi për faljen e namazit, ku njeriu nuk plotëson siç duhet rukun dhe as sexhden e tij dhe nuk ndien rehati në to. Nëse të nxituarit në namaz prishën kushtin e qetësisë, rehatisë, atëherë ai prishet i tëri, namazi. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, atij që nxitoi në namazin e tij i ka thënë: “ Kthehu dhe falu sepse ti nuk je falur, nuk e ke plotësuar namazin siç duhet.” Sikurse ka ndaluar nga të përngjasuarit  me veprat e hipokritëve në plotësimin e faljes së namazit pa qetësi, rehati.

Nga ato që bëjnë pjesë në të nxituarit e ndaluar në namaz është të jesh para imamit në lëvizje. Ajo që është e kërkuar nga personi që falet pas imamit, xhemati duhet që të jenë pas imamit të tyre, duke mos ecur para tij dhe duke mos u vonuar pas tij, bazuar në fjalën e tij, paja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ku thotë: “ Imami është caktuar që të pasohet, prandaj mos ndryshoni në lidhjen me të, nëse ai merr tekbir merrni dhe ju tekbir, nëse bie në ruku bini dhe ju në ruku, dhe kur ai të bjerë në sexhde bini dhe ju në sexhde me të.”

Prej nxitimit të qortuar është të përshpejtuarit e njeriut në përgjigjen e thirrjes së tij dhe lehtësimi i vështirësisë së tij. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Çdo njërit prej jush do t’i pranohet lutja për sa kohë nuk nxitohet duke thënë; Jam lutur por lutja ime nuk më është pranuar, nuk kam marrë përgjigje.”

Prej nxitimit të qortuar është të kërkojë njeriu nga Allahu nevojat e tij dhe të braktisë atë me të cilën ai duhej që të fillonte me të nga edukata e lutjes. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka dëgjuar një burrë të lutej në namazin e tij, ku nuk e ka madhëruar Allahun dhe nuk ka dërguar lutje dhe përshëndetje për të dërguarin, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Ky njeri nxitoi, pastaj e thirri dhe i tha atij ose dikujt tjetër: Nëse dikush prej jush falet, le të fillojë duke e madhëruar Zotin e tij, të Fuqishmit dhe të Madhërishëm, dhe duke e lavdëruar Atë, të dërgojë lutje dhe përshëndetje për të dërguarin e Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, dhe pastaj le të lutet për çfarë të dojë.”

Nga dobitë e nxjerra prej fjalës së Allahut të Plotëfuqishëm kur thotë: “ Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij dhe për çdo gjë Ai ka caktuar masë.” (Et-Talak 3) është  ajo që ka përmendur Ibn Kajjimi, Zoti e mëshiroftë, me fjalën e tij: “ Kur përmend mjaftueshmërinë e Tij për atë që mbështetet tek Ai, ndoshta kjo të jep përshtypjen e përshpejtimit, nxitimit, të mjaftueshmërisë në kohën e mbështetjes tek Ai, kështu që e pasoi me fjalën e Tij duke thënë: “ …dhe për çdo gjë Ai ka caktuar masë.” (Et-Talak 3) Domethënë: Një kohë që nuk e kalon, e çon atë në kohën që Ai ka caktuar për të, prandaj ai që është mbështetur tek Zoti nuk duhet të nxitohet dhe të thotë: Unë u mbështeta tek Zoti, jam lutur dhe nuk ka shikuar gjë dhe nuk gjeta mjaftueshëm atë që desha. Allahu do e përmbushi urdhrin e Tij në kohën e tij që Ai e ka caktuar për të.” Këtu mbaron fjala e tij, Zoti e mëshiroftë.

LEXO  Sjellja në kohë Epidemie - Meka 10.04.2020

Prej nxitimit të qortuar është të priturit me pa durim të riskut, furnizimit, ku nxitohet dhe e kërkon atë përmes rrugëve të ndaluara dhe metoda të paligjshme. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ E mos lejoni që të vonuarit e riskut, furnizimit të ju shtyjë që ta kërkoni atë përmes mosbindjes ndaj Zotit, sepse ajo që është tek Zoti nuk mund të arrihet përveçse me bindjen ndaj Tij.”

O Ju vëllezër! Nga nxitimet e qortuara është të folurit për Zotin pa dituri dhe të nxituarit në nxjerrjen e fetvasë për personin e kualifikuar ose për personin që e bartën atë. Paraardhësit e këtij umeti, selefët, nga sahabet dhe tabi’inët, i frikësoheshin fetvasë, hezitonin para saj, por se e shtynin atë në mes njëri-tjetrit. 

Prej të nxituarit e qortuar është mungesa e durimit në një gjendje të vetme, dhe nëse ajo është një gjendje mirësie dhe begatie, derisa të lodhet dhe të mërzitet prej saj dhe do të kalojë në një gjendje ndryshe nga kjo gjendje, dhe të jetë i kënaqur me diçka ndryshe prej saj.

Prej të nxituarit e qortuar është nxitimi në gjykimin e njerëzve, fjalëve, veprimeve, synimeve dhe qëllimeve para studimit të gjësë dhe hetimit, dhe të pasurit mendim të keq për vëllezërit muslimanë para se të kesh prova dhe të jesh i sigurt.

Nga të nxituarit e qortuar është nxitimi për t’u mbështetur në rezultatet e teknologjive moderne, motorëve të automatizuar të kërkimit dhe sistemeve të inteligjencës artificiale, pa marrë parasysh informacionet e rreme dhe mashtruese që mund të rezultojnë prej tyre dhe duke mos iu referuar burimeve të besueshme në këtë drejtim.

Nga të nxituarit e qortuar është nxitimi për të pohuar për zbritjen e shenjave të Kiametit, dhe ngjarjet e fundit të kohës, Kijametit, dhe vrasjet në masë në lidhje me realitetin Nga të nxituarit e qortuar është përshpejtimi dhe nxitimi në marrjen e disa vendimeve  që kërkojnë kujdes, studim dhe meditim. Nuk duhet harruar se istikharja dhe konsultimi janë dy shtylla bazë të çdo vendimi të mençur dhe të suksesshëm.

Nga të nxituarit e qortuar është të nxituarit në divorcin e burrit nga gruaja e tij dhe ndarja e gruas nga burri i saj për arsyen më të parëndësishme dhe situatën më të ulët, dhe nxitimi për të marrë vendimin për t’u ndarë pa menduar, pa diskutuar, apo dhe pa marrë parasysh pasojat. E sa pasoja të tmerrshme ka pasur nga këto nxitime për sa i përket shkatërrimit të shtëpive, ndarjes së familjeve, humbjes së fëmijëve dhe shkëputjes së lidhjeve familjare.

Nga të nxituarit e qortuar është të nxituarit dhe përshpejtimi në drejtimin e makinave dhe aksidentet e tmerrshme që ndodhin si pasoj e këtij nxitimi të cilat kanë qenë shkak për humbjen e shumë jetëve, për sëmundje të rënda, paaftësi kronike dhe humbje parash.

Forma më e rrezikshme e nxitimit të qortuar për është preferenca e të shpejtës para asaj të mëvonshme, të zhyturit në kënaqësitë e kësaj bote dhe neglizhimi i jetës së Ahiretit, botës Tjetër. Prej gjërave që do t’u thuhen atyre që nuk besuan në Ditën e Kiametit goditje dhe qorto: “(do t’u thuhet): “Ju keni shfrytëzuar gjithë të mirat në jetën tuaj tokësore dhe jeni kënaqur me to.” (El-Ahkaf 20) Kush i përmbush të mira, kënaqet me dëshirat e tij të ndaluara dhe i përshpejton ato në këtë botë, do të privohet prej tyre në botën Tjetër, Ahiret.

O ju vëllezër! Vërtetë të nxituarit në çështje para se të vijë koha e tyre përfundon duke i prishur ato në shumicën e rasteve. Ndërsa qetësia, durimi, maturia dhe butësia janë prej cilësive madhështore  të cilat i do Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, për të inkurajuar Abdul Kajsin, ka thënë: “ Vërtetë ti ke dy cilësi të cilat i do Allahu, durimi dhe butësia.” Përpjekja me veten për të qenë i duruar, i matur dhe i butë, me lejen e Allahut, të mbron nga rënia në rrugë të devijuar. Ibn Kajjimi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “  Nëse devijon, largohesh nga karakteri i durimit dhe butësisë, do përfundosh ose në nxitim,  në pakujdesi dhe në dhunë, ose në neglizhencë dhe në shpërdorim. Ndërsa butësia dhe durimi janë në mes tyre.”

LEXO  Kujdesi ndaj prindërve gjatë jetë dhe pas vdekjes së tyre - Meka 29.10.2021

Zoti na begatoftë në Kuran dhe në synet, dhe na bëftë dobi të gjithëve nga udhëzimi dhe urtësia e tyre.

Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju, me të vërtetë Ai është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Allahun, të Urtin dhe të Gjithëdijshmin.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi  është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi të gjithë shokët e tij.

Në vijim

O ju muslimanë! Nga natyra e njerëzve është se ata janë të ngutshëm, nxitojnë, ndërsa Allahu i Madhërishëm nuk nxiton me ngutshmërinë e robërve, njerëzve, derisa të arrijnë çështjet aty ku Ai dëshiron. Nga Habab Ibn Aret, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ka thënë: “ Jemi ankuar tek i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ndërsa ai ishte i mbështjellë në rrobën e tij nën hijen e Qabes, dhe i kemi thënë:  “ A nuk po kërkon ndihmë për ne? A nuk po e lutën Allahun për ne?” Ka thënë: “ Më parë (para jush), për shkak të fesë e merrnin njeriun, e hapnin një gropë, e vendosnin në të, pastaj e merrnin sharrën dhe ia vendosnin në kokë dhe e ndanin në dy pjesë, por as kjo nuk e largonte nga feja e tij. Ja ndanin mishin dhe lëkurën me krehër hekuri, por as kjo nuk e largonte nga feja e tij. Pasha Allahun, Zoti do ta plotësojë këtë fe, derisa  kalorësi, udhëtari do të shkojë nga San’a deri në Hadramevt dhe nuk do të frikësohet prej askujt tjetër përveç Allahut dhe ujkut për kopenë e vet, mirëpo ju nguteni, nxitoni.”

Adhurues të Zotit! Ka disa çështje që nuk përfshihen në nxitimin e qortueshëm, dënueshëm, përkundrazi, kërkohet që njeriu të marrë iniciativën për t’i bërë ato dhe të nxitojë për t’i arritur. Nga ato që nuk mund të tolerohet vonesa ose shtyrja e tyre: Të hequrit dorë nga gjynahet dhe shkeljet, gabimet, pendimi i shpejtë dhe kthimi te Zoti, marrja e iniciativës, të nxituarit për të bërë vepra të mira dhe shfrytëzimi i mundësive kur ato shfaqen. Çdo gjë, vlerësimi dhe pasojat e së cilës janë të mira, vjen pas përgatitjes dhe marrjes së masave. Allahu i Madhërishëm duke treguar për Musain, paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ …e unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde.”(Ta Ha 84) Ibn El Kajjimi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Kuptimi i dukshëm i ajetit është se ajo që e mban Musain në nxitim është të kërkuarit e kënaqësisë së Zotit të tij dhe se kënaqësia e Tij qëndron në nxitimin për plotësimin e urdhrave të Tij dhe në të nxituarit drejt tyre.”

O ju vëllezër! Të nxituarit në vepra të mira është vello, mbulojë e lavdëruar dhe karakteristikë e të gjithë të dërguarve, paqja e Zotit qoftë mbi ta. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Me të vërtetë, ata nxitonin për vepra të mira…” (El-Enbija’ 90)

Baza e punës për në botën Tjetër, Ahiretin, është të nxitosh për në të, të garosh për në të, të mos vonosh në adhurim dhe të mos vonosh në të mirën. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Prandaj përpiquni t’ia kaloni njëri-tjetrit, duke kërkuar falje prej Zotit tuaj…” (El-Hadid 21) Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj…” (Al ‘Imran 133) Allahu i Madhërishëm dhe i Lavdëruar ka thënë: “ Pra, bëni garë me njëri-tjetrin për punë të mira.” (El-Bekare 148) Allahu i Lartësuar ka thënë: “Këtë le ta synojnë ata që përpiqen.” (El-Mutaffifin 26) Ndërsa i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Të jesh i ngadaltë, mos të nxitosh, në çdo gjë është e mirë, përveç në punët e Ahiretit.” Nga Aliu, Zoti qoftë i kënaqur me të, tregohet se ka thënë: “ Tre gjëra mos i vono; Namazin nëse ka hyrë koha e tij, xhenazen nëse është prezent, bërë gati, dhe gruan e pamartuar nëse ka kërkesë nga një burrë i përshtatshëm për të për martesë.” Nga Hatim Al Asami, Zoti e mëshiroftë, tregohet se ka thënë: “ Thuhej më parë; Nxitimi është nga shejtani përveçse në pesë gjëra; Të servirurit e ushqimit nëse ka prezantuar musafiri, përgatitja e të vdekurit kur ai ka vdekur, të martuarit e vajzës së re kur ka arritur moshën, shlyerja e borxhit kur është e mundur, dhe të penduarin nga gjynahi nëse bën gjynahe.”

Adhurues të Zotit! Lutuni dhe përshëndeteni mëshirën udhëzuese dhe mirësinë e dhuruar, sikurse ju ka urdhëruar Zoti juaj, Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar, kur ka thënë: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd,  Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë dhe idhujtarët, ndihmo robërit e Tu që të Njësojnë Ty në besim, shkatërro armiqtë e Tu, armiqtë e fesë, bëje vendin tonë të paqtë, siguritë dhe të begatë, dhe të gjitha vendet  muslimanëve.

O Zot, ndihmo ata që janë të dobët, ata që luftojnë në rrugën Tënde, ata që janë të lidhur fort me vendet e shenjta, dhe  mbrojtësit e kufirit.

O Zot, na jep siguri në vendin dhe shtëpinë tonë, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona.

O Zot, jepi sukses kujdestarit të çështjeve tona në atë që Do dhe je i Kënaqur, nga fjalët dhe veprat, o i Gjallë, o i Përhershëm.

O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij në udhëzimin Tënd dhe në devotshmërinë ndaj Teje. O Zot, shpëto të dobëtit nga besimtarët në Palestinë dhe në çdo vend. O Zot, shëro të sëmurët e tyre, shpëto të sprovuarit prej tyre, ndalo gjakderdhjen e tyre, mëshiro të vdekurit e tyre dhe prano dëshmorë të vrarët e tyre. O Zot, të lutemi të jesh me ata dhe jo kundër tyre, ndihmoi ata kundër atyre që i kanë sulmuar. O Zot, hakmerru kundër armikut Tënd dhe armikut të tyre, zbrit ndëshkimin dhe zemërimin Tënd mbi ata, fut frikën dhe tmerrin në zemrat e tyre dhe kthe komplotet e tyre mbi kokat e tyre.

“O Zoti ynë, na jep mëshirë nga ana Jote dhe përgatitna për sjellje të drejtë!” (El-Kehf 10)

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/8424680984311231

Post Author: endrit