Dobitë e Haxhit – Dr.Su’ud Esh’shurejm – 17.08.2018

Hytbeja e haremit të Mekës

6.Dhul Ka’de.1439

17.8.2018

Dobitë e Haxhit

Dr.Su’ud Esh’shurejm

Falënderimet dhe lavdet qofshin për Allahun, i Cili caktoi kohë më të begata dhe përfituese dhe lartësuese në gradë të larta për robërit e Tij!

Dëshmoj e deklaroj se nuk ka Zot tjetër i Cili meriton të adhurohet e madhërohet veç Allahut, Një i Vetëm dhe i pashoq!

Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, më i miri i mbarë krijesave, miku dhe i përzgjedhuri i Tij në mesin e Profetëve!

Ai e përcolli mesazhin e Zotit të cilin ia solli Xhibrili nga qielli, paqja e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen e tij të ndershme, mbi gratë e tij që janë nëna të besimtarëve, mbi shokët e tij të ndershëm dhe mbi mbarë ndjekësit e tij, deri në ditën e fundit!

Këshilla ime për veten dhe për ju, është që t’i frikësohemi Atij që di të fshehtat dhe publiket, frikësojuni Atij dhe dijeni se nuk zhgënjehet ai që i frikësohet dhe shpreh devotshmëri ndaj Zotit!

“Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar. Të tillë janë ata që i besojnë dhe i frikësohen” Junus 62-63.

Haxhilerë të nderuar! Ju jeni afër përjetimit të sezonit më të mirë të vitit, një ndër ritet më të mira të kësaj feje, pikërisht peligrinazhi i Shtëpisë së Shenjtë.

Të qëndruarit në mejdanin e Zotit, të shprehurit të bindjes nda Tij në natën e Arafatit, Telbijen, përmendjes së Allahut, flakjes së guralecëve, si dhe therjen e kurbanit, bërjes së tavafit dhe ecjes në safa.

Është ndjenjë e mbushur përplot spiritualitet, ku zhvishesh prej rrobave të qepura në shenjë madhërimi të shenjave të Zotit, nëpërmjet së cilave prehet, gëzohet e stoliset zemra.

“Kështu është! Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij” Haxh 32.

Haxhilerë të shtëpisë së shenjtë! Allahu e ka ligjëruar Haxhin dhe e ka rrethuar me një sërë qëllimesh e dobish, ku Umeti islam nuk i kalon dot pa medituar rreth këtyre qëllimeve të thella.

Zoti e urdhëroi Ibrahimin që t’i thërrasë njerëzit për në Haxh, menjëherë do të dilte në pah dhe qëllimi si dhe përfitimet e urtësitë e kësaj thirrje.

“Thirri njerëzit për në haxhillëk, ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta. Që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara, mbi kafshët për kurban të cilat ua ka dhuruar Ai”, Haxh 27-28.

Këto janë dobitë e Haxhit, dobitë që ngrenë lart çështjen e këtij Umeti dhe e bëjnë të peshojë.

Këto janë përfitime që lidhen me botën tjetër dhe me këtë botë.

Ndër këto dobi shpirtërore që e përfton haxhiu, është lidhja e fortë me Zotin, një lidhje që nuk e tundojnë dyshime dhe forcohet dhe më shumë njehsimi i Zotit.

Kjo shihet qartazi në të përgjigjurit ndaj Atij, duke iu larguar shirkut dhe duke dëshmuar dhe njëherë tjetër të qenit të Tij i Vetëm dhe i Pashoq.

LEXO  Një mbyllje e mirë e muajit të agjërimit

Profeti a.s dhe shokët e tij, e ngrinin lart këtë sllogan duke thënë: “T’u përgjigjëm Ty, o Zot, t’u përgjigjëm, t’u përgjigjëm duke mos të bërë shok Ty, falënderimi, mirësia janë Tuat, po ashtu dhe sundimi i paortak je Ti!”

Haxhi të nderuar besimtar, është vendi ku më së miri mund t’i kuptosh këto ndjenja që njehsojnë Zotin.

“Këto janë urdhërimet për atë që nderon ritet e shenjta të Allahut, do të jetë më mirë te Zoti i tij. Ju janë lejuar bagëtitë, përveç atyre që ju janë thënë se janë të ndaluara. Andaj largohuni prej ndotësisë së idhujve dhe largohuni prej fjalëve të rreme. Përuluni plotësisht para Allahut duke mos i shoqëruar asgjë Atij!” Haxh 29-30.

Pas përfundimit të këtij riti, Profeti a.s niset për të treguar dobinë e Haxhit, që është rëndësia e pasimit të tij, të ndjekjes së rrugës së tij.

Kjo më së miri trupëzohet në kryerjen e Haxhit nga haxhiu, në përmbajtje të udhëzimeve dhe distancimit prej risive në fe.

Thotë Profeti a.s: “Mësojini prej meje ritet e Haxhit!” Muslimi.

Ndër dobitë e Haxhit është dhe edukimi i vetes me të qenit i sinqertë me Zotin vazhdimisht, larg syfaqësisë dhe dëshirës për t’u dukur.

Syfaqësia dhe dëshira e famës, nuk janë të kufizuara vetëm me gjendjen e bollëkut, por frika prej tyre është dhe në gjendje vuajtje, tregim modestie e thjeshtësie.

Profeti a.s e ka kryer Haxhin vetëm me dy rroba, rroba të paqepura, me thjeshtësi e modesti, ndonjëherë i ngjitur mbi deve e ndonjëherë duke ecur në këmbë, por sërish na mësonte duke u lutur gjatë haxhillëkut kur thoshte: “Zot kërkoj Haxh të sinqertë, pa syfaqësi e kërkim fame”.

Haxhilerë të nderuar! Një tjetër dobi e haxhit është dhe vlerësimi i lehtësimit dhe thjeshtësimit, përballë së cilës qëndron metoda e vështirësimit.

Lehtësia dhe butësia kudo gjenden janë të dobishme, dhe kurdo që eliminohen, ajo gjë shëmtohet.

Lehtësimi dhe butësia, janë shenja e të qenit i mençur dhe me moral e sjellje të lartë, dhe kjo më së miri vërehet në Haxhin e Profetit a.s.

Ditën e Kurbanit, kur pyetej për veprime që ishin bërë para kohe, apo ishin shtyrë nga koha thoshte: “Veproje se s’ka gjë.”, Mutefekun alejhi.

Apo kur tha: “Këtu është vendi ku theret kurbani, e gjithë Minaja është vendtherje kurbani, ndaj therini aty ku jeni kurbanet tuaj, kam qëndruar këtu ku më shihni, Arafati i gjithi është vendqëndrimi.” Muslimi.

Ndërsa në lidhje me kritikimin e ekstremizmit dhe vështirësimit, si dhe paralajmërimit prej rrezikut të tyre, përcjell ibn Abasi se Profeti a.s i ka thënë ditën e Akabesë, ku ish i ngjitur mbi devenë e tij dhe më tha t’i jepja guralecët, ia zgjodha guralecët dhe ia dhashë, pasi i mori në dorë, i fryu prej pluhurit dhe u tha se të tillë duhet të jenë guralecët për t’i flakur.

LEXO  Gjuha, rëndësia dhe rreziku i saj - Dr Suud esh’Shurejm - Mekë 9.11.2018

Më pas iu drejtua e u tha: “O ju njerëz! Kujdesuni prej ekstremizmit në fe, se është pikërisht ekstremizmi, ai që i ka shkatërruar ata që kanë jetuar para jush.” Ibn Maxhe.

O ju haxhilerë! Kijeni frikë Allahun dhe tregojini devotshmërinë tuaj, shfrytëzojeni qëndrimin tuaj në këto vende të begata, duke u frymëzuar prej dobive të tij.

Të gjithën këtë bëjeni në emër të pasimit të Profetit të përzgjedhur, të njeriut më të mirë që ka shkelur në këto treva dhe ka bërë Haxh.

Kurorëzojeni këtë adhurim me përfitimin e virtytit të butësisë, maturisë dhe seriozitetit, njeriu pa butësi është si ushqimi pa kripë.

Në këtë pasoni Profetin a.s për të cilin përcjell Ibn Abasi, se ai ishte bashkë me Profetin a.s në Arafat, dhe dëgjuan një zhurmë nga pas tyre, zëra të lartë dhe goditje e shtyrje.

Ai iu drejtua atyre me kamxhikun e tij e u tha: “O ju njerëz! Jini të qetë se vepra e mirë nuk kryhet me shpejtësi!”, Buhariu.

Apo sikurse i tha Umerit r.a: “O Umer! Ti je me fizik të fortë, ndaj mos shtyj për tek guri i zi se mund ta dëmtosh të dobëtin, nëse gjen ndonjë shteg të lirë preke, e në të kundërt bëji me shenjë!” Ahmedi.

“Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar. Kush vendos të kryejë haxhillëkun le të largohet nga marrëdhëniet intime, grindjet dhe sharjet. Ndërkaq çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di! Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria! Prandaj kini frikë prej meje o njerëz të mençur” el Bekare 197.

Zoti më begatoftë mua dhe ju me çka gjendet në kuranin Famëlartë, na e mundësoftë të përfitojmë nga mësimet e tij.

Kjo ishte ajo ç’kisha për të thënë, faljen e Zotit e kërkoj për vete dhe për ju, si dhe për mbarë besimtarët e besimtaret, ndaj kërkojini falje Atij, se vërtetë Allahu është Mëshirues dhe Falës!

Falënderimi i takon Allahut, ashtu sikurse e meriton Ai të falënderohet e madhërohet, ndërsa salavtet dhe përshëndetjet i dërgoj për më të mirin e krijesave!

Besimtarë të nderuar! Allahu i Madhëruar e ka lehtësuar rrugën e mbërritjes për në Haxh, ndryshe nga vështirësitë që përjetonin të parët tanë, duke kaluar nëpër detet e duke rrezikuar në rrugën e gjatë të Haxhit.

Mungesë e gjatë dhe familja s’kishte të dhëna për të, ai që shkonte për Haxh konsiderohej i humbur, e kur kthehej prej tij, ishte si i lindur për së dyti.

Një gjendje e tillë vazhdoi për një kohë të gjatë, derisa Zoti mundësoi ndryshimin e gjendjes, përdorimin e mjeteve lehtësuese dhe shkurtimin e kohës.

Madje sot mundet që të kontaktojnë me të afërmin e tyre kudo që të ndodhet në Haxh.

Zoti e ka nderuar dhe këtë vend, për të qenë organizatore dhe shërbyese e dy xhamive të Shenjta, shërbim me të cilin krenohet nga prijësi i këtij vendi e deri tek personi më i thjeshtë që i shërben haxhinjve të Shtëpisë së Shenjtë.

LEXO  Këshilla për vepra të mira në lamtumirën e Ramazanit

Të gjithë e konsiderojnë nder shërbimin e Qabesë dhe vizitorëve të saj, duke shpenzuar gjithçka munden për rehatinë e xhamisë dhe vizitorëve të saj.

E gjitha kjo për nder dhe respekt të haxhilerëve, për t’ua lehtësuar dhe për t’ua mundësuar ta ndjejnë veten e tyre si në shtëpinë e tyre, e kështu derisa të kthehen në trevat e tyre me Haxh të pranuar, inshaAllah!

Prej jush kërkohet t’i përmbahuni rregullave dhe sistemit, duke mos krijuar zhurmë e gjurulldi, apo duke përdorur parrulla që nuk kanë asnjë lidhje me Haxhin!

Zoti ua pranoftë Haxhin haxhilerëve, ua shtoftë mirësinë kujtdo që ka kontribuar për shërbimin dhe rehatinë e tyre!

Duke nisur me udhëheqjen, dijetarët, udhërrëfyesit, njerëzit e sigurisë dhe mbarë popullin fisnik e bujar!

Dërgoni salavatë mbi më të mirën krijesë dhe njeriun më të kulluar, Muhamedin të birin e Abdullahut, të zotin e ndërmjetësimit dhe pellgut, një vepër e tillë ka ardhur urdhër prej Zotit i cili e ka nisur me veten, më pas me Melaiket e tij dhe më pas na drejtohet neve ku thotë: “O ju që keni besuar, lutuni për të dhe dërgoni selame të shumta!”

Zot bekoje, begatoje e shtoja mirësitë Muhamedit, të zotit të fytyrës së ndritur dhe punës së çmueshme, ji i kënaqur o Zot me katër kalifët e tij, Ebu Bekrin, Umerin, Uthmanin dhe Aliun, si dhe mbarë sahabët e tij. Tabiinët dhe gjithë ata që i pasojnë në mirësi, si dhe ne neve me mëshirën e bujarinë Tënde o Mëshiruesi i madh!

Zot Lartësoje islamin dhe myslimanët, poshtëroje idhujtarinë dhe idhujtarët, ndihmoje fenë dhe librin Tënd, Sunetin e të dërguarit Tënd si dhe robërit e Tu besimtarë!

Zot largoja brengat të brengosurve, stresin e të stresuarve, laja borxhet borxhlinjve, shëroi të sëmurit tanë dhe të mbarë myslimanëve, ruaji haxhilerët dhe udhëtarët!

Zot sigurona në vendet tona, drejtoji prijësit dhe përgjegjësit e çështjeve tona, drejtimin tonë lërja në dorë atij që të frikësohet Ty dhe punon për kënaqësinë Tënde!

Zot udhëzoje prijësin tonë për në atë që t’i do dhe je razi, o i gjalli që nuk vdes kurrë, rrethoje nga njerëz të devotshëm!

Zot jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij në gjithçka që Ty të pëlqen dhe pajtohesh me të, si dhe rrethoji nga këshilltarë të mirë!

Zot pranoje haxhilerëve Haxhin e tyre, ktheji tek familjet e tyre shëndoshë e mirë dhe me Haxh të pranuar!

Çdo të mirë që ta kërkuam, Zot na e jep, e atë që e harruam Zot mos na privo, atë që mundësitë tona e shohin të pamundur, na e bëj të mundur!

I Lartësuar qofsh Ti o Zot prej asaj që të mveshin Ty, paqja qoftë mbi Profetët, e lutjet tona të fundit janë: “Falënderimi të takon Ty, o Zoti Gjithësisë!”

Meka / by

Post Author: admin