Hytbeja e xhumasë nga Meka 28.9.2018
Kursimi në këndvështrimin islam
Dr.Suud esh Shurejm
Falënderimet i takojnë Allahut, që ngjall eshtrat dhe të vdekurit, drita e të Cilit ka mbushur tokën e qiejt, Ai di të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, i Vetëm dhe i Pashoq, Atij i takojnë nderimet dhe lutjet tona, dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Allahut, ai ftoi për në rrugën e Allahut me argumente të qarta, ndërsa me mesazhin e tij Zoti bashkoi përçarjet e ndryshme, atij iu dhuruan fjalët kuptimplota dhe këshillat, ai e përcolli mesazhin, e kreu amanetin dhe e adhuroi Zotin e tij, derisa vdiq.
Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, mbi familjen tij të ndershme, mbi gratë e tij të cilat janë nëna për besimtarët, mbi shokët e tij që ishin fetarë e burra, si dhe mbi mbarë ata që i ndoqën dhe i ndjekin ata, për sa kohë që pas errësirës vjen agimi.
Të nderuar besimtarë! Frikësojuni Zotit sikurse e meriton, kapuni fort pas kësaj feje, se ai që s’ka devotshmëri është si trupi pa shpirt dhe kushdo që synon udhëzimin e ngre Allahu në gradët e devotshmërisë.
“Kurse ata që e gjetën rrugën e drejtë, Ai ua shton atyre edhe më udhëzimin në rrugë të drejtë dhe u ofron mundësinë të jenë dhe më të matur” Muhamed 17.
Të nderuar besimtarë! Njerëzit kanë një pasion të madh për pasurinë dhe burimet e jetesës së tyre, pasion ky që merr një pjesë të madhe të kohës dhe të menduarit të tyre.
Pasion ky që i shoqëron në mëngjes dhe në mbrëmje, u shkakton stres e merak, i ndan në kërkimin e rizkut në njerëz tepër seriozë dhe të tjerë sportivë, mes atyre që i mbështetet fort Zotit dhe atyre që i mbështeten vetes, mes të babëziturit dhe atij që pajtohet, mes shfrytëzuesit dhe shpërdoruesit, punëtorit dhe dembelit…
Harrojnë se mirësitë nuk janë të përjetshme dhe se jeta ka bollëk e ngushtësi, çiltërsi e vranësinë, ëmbëlsi e hidhësi dhe të pasurit e një gjendje të vetme është e pamundur.
“Allahu është Ai që ju krijoi në një gjendje të dobët, pastaj pas asaj dobësie ju dha fuqi, e pas fuqisë dobësi e pleqëri” Rum 54.
Duke mos harruar se çështja e rizkut dhe kërkimit të rizkut, për disa është e paqartë, dhe se Zoti që është i Gjithëpushtetshëm dhe Furnizues është Ai që ka urdhëruar ta kërkosh riskun dhe të përpiqesh për të pasur një stabilitet ekonomik dhe jetik, ndër këto shkaqe është dhe kursimi e depozitimi për të ardhmen.
Kursimi është një bazë e domosdoshme që njeriu e heq mënjanë nga të ardhurat e tij, pasi ka shpenzon për jetesën e përditshme.
Kursimi është një bazë e madhe, një virtyt ekonomik tepër i rëndësishëm, në mënyrë që shoqëria të ketë një stabilitet ekonomik e jetik.
Situatat e jetës janë të pashmangshme, ky është ligji i Zotit në tokë dhe ligji i Zotit nuk mund të ndryshohet.
Kujdesi dhe bërja mirë e llogarive është ndër ato gjëra për të cilat na ka nxitur feja jonë e bukur, në mënyrë që njeriu të mos detyrohet t’ua shtrijë dorën të tjerëve, të mos detyrohet të hidhet në haram, apo të mos preokupohet natën dhe ditën me merakun që prodhon borxhi.
Kursimi përmban në vetvete dy baza tepër të rëndësishme: e para bindja në të dhe e dyta mënyra e konsumimit të kursimeve.
Bindja mendore fiksohet në tru, nëpërmjet kuptimit të drejtë të argumenteve që trajtojnë kursimin, ligjërimin dhe nevojën e tij në realitetin ekonomik.
Jeta e njeriut lidhet ngushtë me ekuilibrimin e drejtë të shpenzimit për vete dhe familjen e tij.
Konsumimi i drejtë është baza për një kursim të suksesshëm, kur njeriu arrin të bëjë dallimin mes të domosdoshmeve, nevojave dhe përmirësimit, duke iu nënshtruar kështu pesë dispozitave fetare dhe duke i gërshetuar bukur mes konsumit dhe kursimit.
Pesë dispozitat sheriatike janë: Detyra ose obligimi, e ndaluara, e pëlqyeshmja, e urryera dhe e lejuara.
Nëse njeriu i mirëkupton këto dhe zbret me këmbë në tokë, e gjithë ekonomia e tij do bazohet mbi tre gjëra: plotësimin e nevojave konsumatore vetjake, ndarja e drejtë të të tjerëve dhe kursimi për të ardhmen.
Këto tre mënyra janë përmendur në Kuran: “Hani frutat e tyre kur të piqen dhe ditën e korrjes së frutave jepeni atë pjesë që është obligim dhe mos e teproni, pse Ai nuk i do shpërdoruesit” En’am 141.
“Hani frutat e tyre”, lidhet ngushtë me konsumin vetjak.
“…ditën e korrjes së frutave jepeni pjesën që është obligim…” lidhet me atë që u jepet të tjerëve.
“…mos shpërdoroni…” lidhet ngushtë me kursimin për të ardhmen.
Si mendoni të nderuar, për një shoqëri që i kupton drejt këto udhëzime, a mund të varfërohet? A mund ta marrë përpjetëzën e të ketë uri?
Në mënyrë absolute jo. Ai që i ka bërë shkaqet e kërkuara fetarisht, padyshim që do korrë frytin e punës së tij ekuilibruese, duke mos qenë tolerues e as ekzagjerues.
Konsumi i kontrolluar, dhënia e caktuar dhe kursimi për të ardhmen është trekëndëshi që mundëson ekuilibër ekonomik për individin dhe për shoqërinë.
Këto i ka përmbledhur Profeti a.s në fjalën e tij: “Hani, ushqeni dhe kurseni” Mutefekun Alejhi.
Keq menaxhimi dhe mosshpërndarja siç duhet e të ardhurave mes jetikeve, nevojave dhe luksit, padyshim që është shkaku kryesor i grumbullimit të borxheve ndaj individit që është një tullë nga muri i kësaj shoqërie dhe që nuk mund ta përballojë.
Ekonomia e mirë vjen pas një konsumi të kontrolluar dhe kursimit të mirëstudiuar, ndaj që kursimi është një bazë e domosdoshme për sigurimin monetare dhe jetik.
Një veprim i tillë ndihmon individin dhe shoqërinë për atë që i surprizon dhe nuk e dinë.
Ai që e përdor filozofinë e kursimit, është i përgatitur për ndonjë fatkeqësi dhe bela që i troket derën, apo që ndodh në rrethin e tij.
Nuk ka dyshim se një veprim i tillë tregon për menaxhimin e duhur dhe ndarjen e të ardhurave të individit në mënyrën më të drejtë, jetiket, nevojat dhe luksi, si dhe luhatjet që mund ta shoqërojnë njeriun gjatë jetës.
Njeriu nuk mund të ketë një stabilitet nëse nuk do ekuilibrojë kursimin, konsumin dhe ndarjen e kërkuar.
Prej urtësive të Zotit është se Ai ka vendosur që baza në shpërndarjen e rizkut, të jetë një pjesë prej të gjithës ku thotë: “Dhe nga ajo që Zoti ju ka furnizuar ju jepni”.
Vërejmë që Zoti thotë, jepni nga ajo që Zoti ju ka dhënë dhe nuk ka thënë, dhe atë që Zoti ju ka dhënë ju jepeni.
Këtu të bëhet e qartë domethënia e shpenzimit dhe kursimit, dhe dihet fetarisht dhe realisht se ai që shpenzon diçka nga ajo që fiton dhe kursen, është larg varfërisë e urisë.
Umeri r.a përcjell se: “Profeti a.s shiste hurmat e fisit Beni Nedijr dhe hiqte mënjanë nevojën e familjes së tij për një vit”, Mutefekun Alejhi.
Disa nga selefët kanë thënë: “Nga hadithi përftohet lejimi i depozitimit dhe se një veprim i tillë tregon përgatitje për sprova të jetës dhe jo shpresën e madhe në jetë.
Të nderuar besimtarë! Kursimi të cilin na e ka ligjëruar Allahu dhe i dërguari i tij, është shenjë maturie dhe ekuilibrimi qoftë tek individi apo shoqëria, është një metodë e ndershme që e fiton këtë nder duke u bazuar në fenë islame.
Islami është fe lehtësimi dhe tolerance, nuk është fe vështirësimi dhe ngushtimi, është ligji për ekonominë që nuk lejon të dëmtohesh dhe as të dëmtosh.
Kursimi nuk kritikohet vetëm se atëherë kur shndërrohet në monopol apo grumbullim për thesar, gjë që lind nga ngushtësia e zemrës ose lakmia, apo të dëmtosh të tjerët, të mos japësh obligimin e Zotit dhe të mos u japësh hakun që u takon nevojtarëve në pasurinë tënde.
“O ju që besuat, vërtet një shumicë e parisë fetare të hebrenjve dhe të krishterëve, në mënyrë të paligjshme e hanë pasurinë e njerëzve dhe pengojnë të tjerët nga rruga e Allahut. Ata që e ruajnë arin e argjendin e nuk e japin për rrugën e Allahut, lajmëroji për një dënim të dhembshëm” Teube 34.
Profeti a.s ka thënë: “Nuk monopolizon vetëm se gjynahqari” Muslimi.
Dije se sado që njerëzit janë përpjekur për vendosjen e metodave dhe rregullave për një ekuilibrim ekonomik në kohë trazirash, islami ka metoda më të lehta, më të sigurta dhe më të frytshme.
Pikërisht këtë ekuilibër e përmend Zoti në suren Jusuf me ëndrrën e shtatë lopëve të cilën e komentoi: “Ai tha: -Mbillni shtatë vjet vazhdimisht, e ç’ka keni korrur lëreni në kallinj, përveç një pakice nga e cila do hani. Pastaj do të vijnë shtatë vite skamje që do ta hanë atë që keni ruajtur për to, përveç një pakice që do ta ruani në depo për farë. Mandej pas asaj vjen një vit në të cilin njerëzve u bie shi dhe në të cilin do të shtrydhin fruta” Jusuf 46-48.
Fjala “mbillni” tregon për politikën serioze, që duhet ndjekur për zbatimin e metodave të ligjëruara në punë, duke i angazhuar të tërë me punë dhe duke shporrur njëherë e përgjithmonë papunësinë dhe dembelizmin.
Kush kërkon gjë dhe kush mbjell korr.
Ndërsa në lidhje me konsumin: “E ç’ka keni korrur lëreni në kallinj, përveç një pakice nga e cila do hani” është vizatim i politikës së tashme që duhet ndjekur me prodhimin, por dhe për kursimin për nevojat e të ardhmes të cilat nuk i dimë.
Jo çdo gjë që njeriu e korr duhet ta shpenzojë menjëherë, kjo tregon papjekuri dhe naivitet nga njeriu që sillet në këtë formë.
Të bësh llogari për të ardhmen dhe sfidat që mund të të surprizojnë, tregon për vizionin dhe largpamësinë e njeriut në bërjen pritë të surprizave që vijnë pa trokitur.
Kursimi të cilin e ka ligjëruar Allahu, është si një port për anijen e rizkut që e ruan nga fundosja dhe nga stuhitë e ndryshme që e rrezikojnë dhe shpëtuese për të tjerët që kërkojnë ndihmë.
Mos mendo se rizku vje pa lodhje dhe mundim apo me forcë, fito ,ha, jepu të tjerëve e kurse, dhe bëj kujdes që të mos jesh barrë i njerëzve.
Kjo është ajo që dëshiroja të këshilloja, Zotit i kërkoj falje për çdo mysliman e myslimane, për çdo gabim e gjynah, ndaj lutuni Zotit e kërkojini Falje, se vërtetë Ai fal dhe mëshiron.
Falënderimi i takon Allahut për çdo mirësi e sukses, bekimet e Tij qofshin mbi Profetin që ftoi për në kënaqësinë e Tij!
Kini frikë, o ju robër të Allahut dhe dijeni se Zoti nuk i a ka ligjëruar diçka njerëzve vetëm se është më e mirë për jetën dhe pas vdekjes së tyre.
Kursim i legjitimuar është pengesë për sëmundjen e shpërdorimit të pakontrolluar, si dhe i mbyll rrugën sëmundjes së lakmisë, që është grumbullimi i arit, sikurse i mbyll rrugën monopolist që është dëm për të tjerët dhe i refuzuar.
Kursimi nuk bien ndesh me të mbështeturit Zotit, sepse Ai që i ka urdhëruar që t’i mbështeten Atij është po, Ai që i ka ligjëruar kursimin.
Ai që u ka thënë: “Në qiell gjendet rizku juaj dhe çfarë ju premtohet” është po Ai që tokën e bëri të përshtatshme për të ecur dhe për të ngrënë nga furnizimi i Tij.
Ajo që nuk ka dyshim se nëse individi dhe shoqëria do e shfrytëzojnë kursimin në mënyrën e drejtë, do kenë një burim mbështetje, pas Allahut të Madhëruar në përballimin e sfidave të jetës.
Kjo bën që të mos ua shtrijnë dorën njerëzve për hallet e tyre dhe të mbyllin derën nga ku fryn kriza e përsëritshme ekonomike.
Thotë Allahu i Lartësuar: “Le të frikësohen ata në prag të vdekjes, sikur të linin pas vete pasardhës të paaftë për të cilët kanë droje, prandaj le t’i druhen Allahut dhe le t’ju thonë jetimëve fjalë të drejta” Nisa 9.
Ky ajet ka zbritur për atë që le testament duke mos i lënë pjesën më të madhe fëmijës dhe familjes së tij.
Profeti a.s i ka thënë Sa’d ibn Ebi Uekasit, kur deshi që të jepte lëmoshë dy të tretat e pasurisë së tij: “Ti leri pasardhësit e tu të pasur, është më e mirë se t’i lesh nevojtarë e tu të lypin njerëzve” Mutefekun Alejhi.
Ka’b ibn Malik i pati thënë Pofeti a.s: “Për të treguar pendimin tim unë do e lë lëmoshë pasurinë time për Allahun dhe të dërguarin e tij, ndërsa Profeti i tha: -Mbaj një pjesë të pasurisë, se është kjo është më e mirë për ty” Buhariu.
Ky është vizioni islam në lidhje me kursim, një vizion përplot ekuilibra dhe mature, butësi e llogari për të ardhmen.
Mos u habit se kjo është feja e Allahut: “Kjo feja jonë është ngjyrosje e Allahut, e kush ngjyros më mirë se Allahu, Ne vetëm Atë adhurojmë” Bekare 138.
“A ka gjykim më të mirë se ai i Allahut, në qofshi një popull që beson bindshëm?” Maide 50.
Ju këshilloj të dërgoni salavatë mbi të mirin e njerëzisë dhe më të ndershmin Muhamedi dhe familja e tij, ky është një urdhër që Zoti e ka nisur me Veten e Tij, më pas me Melaiket që e madhërojnë Atë, dhe më pas ka kërkuar prej jush ku thotë: “O ju të cilët keni besuar, lutuni për të dhe dërgoni selam!”.
Zoti ynë nderoje e bekoje Muhamedin, fytyrëndriturin e ballëlartin, ji i Kënaqur prej katër kalifëve të tij, Ebu Bekrin, Umerin, Uthmanin dhe Aliun si dhe mbi mbarë shokët e Profetit tënd Muhamedit a.s, dhe mbi këdo që e ndjek rrugën e tyre, deri në ditën e fundit, na radhit dhe ne me ata me mëshirën dhe Bujarinë Tënde, o më i Mëshirshmi dhe më Bujari!
Zot lartësoje islamin dhe myslimanët, poshtëroje idhujtarinë dhe idhujtarët, ndihmoje fenë, Kuranin dhe synetin e profetit Tënd, si dhe robërit e tu besimtarë!
Zot largojua brengat dhe hallet myslimanëve, shtyjua borxhet, shëroi të sëmurët e tyre dhe tanët me mëshirën Tënde!
Zot na siguro në trevat tona, udhëzoji prijësit dhe përgjegjësit tanë, bëj që të priemi nga njerëz që të kanë frikë dhe përpiqen për kënaqësinë Tënde!
Zot udhëzoje prijësin tonë për në ato vepra që Ti pajtohesh me to, rrethoje nga këshilltarë të hajrit, Zot prije atë dhe zëvendësin e tij në atë që është në të mirë të fesë dhe vatanit tonë!
Zot na jep të mira në këtë jetë, të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit.
Allahu urdhëron për drejtësi, bamirësi, ndihmesë ndaj të afërmve, ndalon nga e liga, e urryera dhe e pështira, ju këshillon në mënyrë që të përkujtoheni!
Kujtojeni Zotin e Lartësuar t’ju kujtojë, falënderojeni për mirësitë e dhëna t’ua shtojë, vërtetë që përmendja e Allahut është vepra më e lartë, Allahu di atë që ju veproni!