Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 25-01-1448 H 10-07-2026 D
Shejh Abdul Bari Ibn Avad Eth-Thubejti
Tema Pushimi i dobishëm në peshoren e Islamit
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili e bëri fenë të lehtë dhe të gjerë.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok, dëshmi që sjellën vetëm shpëtim dhe dobi.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i dërguari me udhëzim dhe mëshirë. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, lutje dhe përshëndetje vazhdueshme dhe të përhershme.
Në vijim
Këshilloj ju dhe veten time që ta kemi frikë Zotin, sepse frika ndaj Tij, devotshmëria është ushqimi i zemrave, nëpërmjet të cilës arrihet kënaqësia e Zotit, lehtësohet shqetësimi, hapen dyert e mirësisë dhe udhëzimit. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi).”(Et-Talak 2)
Islami është fe e lehtësimit, ligj i mëshirës, rrugë e mesatares dhe ekuilibrit. Islami lejon gjërat e mira dhe i jep të gjithëve të drejtat që u takojnë. Islami i jep shpirtit pjesën e tij, trupit pjesën e tij, përpjekjes pjesën e saj, pushimit pjesën e tij, jetës së kësaj bote pjesën e saj dhe botës Tjetër, Ahiretit, pjesën e saj.
Nga ky aspekt, pushimi shpirtëror është çështje legjitime nëse ai është brenda kufijve të lejuar, ndihmon në bindjen ndaj Zotit, që nuk shpërqendron nga obligimet dhe nuk çon në atë që është e ndaluar.
Rekreacioni, pushimi shpirtëror, është mjet me të cilin muslimani mund të rifitojë energjinë e tij, forcon me të vendosmërinë e tij dhe rifillon udhëtimin e tij drejt Zotit të tij. Kjo është pjesë e përsosmërisë dhe mëshirës së Sheriatit, ligjit Islam, nga se e njeh natyrën e njeriut, merr parasysh nevojat e tij dhe e vendos çdo gjë në vendin e duhur. Islami nuk e ngarkon shpirtin me atë që nuk mund ta durojë, por përkundrazi rafinon dëshirat e tij, i drejton dhe i lidh ato me kënaqësinë e Zotit.
Legjislacioni Islam, është në përputhje me prirjen natyrore që Zoti krijoi tek njerëzit, sepse shpirtrat lodhen, trupat dobësohen dhe zemrat ligështohen. Pavarësisht se sa e lartë është ambicia e njeriut, ai ka nevojë për pushim për të rifituar me të energjinë e tij, për të mbledhur mendimet e tij të shpërndara dhe për t’u përgatitur për të vazhduar rrugën e tij drejt Zotit. Për këtë arsye, Kurani u tërhoqi vëmendjen besimtarëve tek mënyrat e pushimeve të dobishëm që zgjojnë zemrën, ushqejnë mendjen dhe ripërtërijnë besimin, Zoti i Lartësuar ka thënë: “ Thuaj: “Udhëtoni nëpër Tokë dhe shikoni se si Ai e ka zënë fill krijimin.”(El ‘Ankebut 20) Udhëtimi në Tokë nuk është thjesht një udhëtim fizik, por një udhëtim përmes argumenteve të Zotit, meditim në mrekullitë e krijimit të Tij dhe shqyrtim i historive të popujve, kështu që zemrës i shtohet besimi, mendjes njohja dhe shpirtit qetësia.
Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar e ka lejuar robin e Tij që të zbukurohet me gjëra të mira, Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Thuaj: “Kush i ka penguar stolitë dhe ushqimet e këndshme, të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet?” (El-A’raf 32) Gëzimi është bekim, bukuria është bekim, gjërat e mira janë bekim dhe çdo bekim kërkon mirënjohje ndaj Dhuruesit të tyre, ndërsa bekimet rritet nëse përdoret në një mënyrë që i pëlqen Atij.
Suneti profetik ka ardhur për ta konfirmuar këtë kuptim në deklaratën më të qartë. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, bënte shaka me shokët e tij dhe thoshte vetëm të vërtetën, garonte me familjen e tij, miratonte zbavitjet e lejuara dhe lejonte atë që u sillte gëzim shpirtrave nëse ishte e pastër nga gjynahi. Rekreacioni, pushimi dhe qetësimi shpirtëror, në Islam nuk do të thotë t’i ikësh përgjegjësive, të braktisësh adhurimin ose të humbasësh kohët, por përkundrazi, është një kalim nga një aktivitet në tjetrin dhe nga një përfitim në tjetrin. Në mënyrë që edhe nëse trupi pushon, zemra të mos bëhet e pavëmendshme edhe nëse shpirti gëzohet, ai të mbetet i lidhur me Zotin e tij.
Nëse pushimi është bekim atëherë ai nuk është i plotë nëse nuk përdoren në një mënyrë që i pëlqen Zotit. Për këtë arsye, sheriati, legjislacioni Islam, e ka rrethuar pushimin me etiketa që e ruajnë atë, e kontrollojnë dhe e pastrojnë atë. Në mënyrë që të mbetet brenda rrethit të asaj që është e lejuar, larg gjithçkaje që është e ndaluar, nuk e pengon namazin, as nuk shpërdoron një të drejtë, as nuk ndërpret lidhjet familjare, as nuk shpërqendron një detyrë, as nuk çon në mosbindje. Gjithashtu bën thirrje për moderim në të, sepse ajo që tejkalon kufirin e saj shndërrohet në të kundërtën e saj. Shumë gjëra të lejuara prishen nga teprimi, shumë kënaqësi i sjellin vepruesit të tyre keqardhje, shumë orë pushimi i sjellin zemrës neglizhencë dhe shpërdorojnë nga jeta atë që nuk mund të kompensohet.
Prandaj pushimi nuk përcaktohet nga forma e tij, por nga efekti i tijj. Nëse njeriu kthehet nga pushimi i tij duke u ndjerë më i qetë, më i gëzuar, më i vendosur, me karakter më të mirë dhe më i prirët për t’iu bindur Zotit të tij ai ka arritur pushim të dobishëm. Ndërsa nëse kjo çon në përtaci, letargji, neglizhencë ose kohë të humbur, atëherë ai ka humbur rrugën dhe nëse mendon se po kënaqet.
Një nga vuajtjet më të mëdha me të cilat përballen njerëzit në këtë epokë është se koncepti i rekreacionit, pushimit është reduktuar për shumë njerëz në ekrane. Pushimet tani kalojnë mes klipesh të shkurtër dhe mediave sociale, derisa ditët ikin duke lënë pas vetëm një mendje të shpërndarë, një zemër të zbrazët, lidhje të dobësuara familjare dhe pak ngushëllim me Librin e Zotit. Ajo është një kënaqësi kalimtare, ndikimi i saj shkurtër dhe çmimi i saj i lartë. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Prandaj, kur të çlirohesh (nga punët e ndryshme), përpiqu fort (në adhurim) dhe vetëm ndaj Zotit tënd përkushtohu!” (Esh-Sherh 7-8)
Zotit të Plotëfuqishëm i kërkoj falje për vete dhe për ju, tek Zoti kërkoni falje, vërtet, Ai është Falësi i madh, Mëshirëploti.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili na ka dhuruar bekime të shumta.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok, dëshmi që ngjall tek deklaruesi i saj aspiratat më të larta.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij, më i miri nga ata që janë zbukuruar me cilësi fisnike. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, më të mirët nga njerëzit e fesë dhe vlerave.
Në vijim
Këshilloj ju dhe veten time që ta kemi frikë Zotin!
Pushimi, që ka siguruar Sheriati, legjislacioni Islam, është ai që kombinon kënaqësinë dhe përfitimin, dhe në mes të rehatisë së trupit, ushqimit të zemrës dhe dritës së mendjes. Një shëtitje në të cilën robi mediton mbi argumetet e Zotit të tij, ose një takim në të cilin është i sjellshëm me prindërit e tij, ose një vizitë në të cilën ruan lidhjet e tij farefisnore, ose një takim në të cilin gëzon familjen dhe fëmijët e tij, ose një libër me të cilin rrit njohuritë e tij, ose një aftësi të dobishme që mëson, ose një sport që i forcon trupin, ose vetmi me Librin e Zotit, të cilin e lexon dhe mediton në të, në të cilin gjen rehatin e zemrës dhe qetësinë shpirtit të tij.
Nëse pushimet janë një mundësi për qetësim, ato janë para së gjithash një mundësi për të ripërtërirë besimin, për të ndërtuar veten dhe për të kompensuar veprat e mira të humbura. Kjo në mënyrë që pushimi të ndihmojë në bindjen ndaj Zotit të tij, pushimet të jenë furnizim për besimin e tij, të mund të kthehet në punë me zemër më të pastër, shpirt më të pastër dhe vendosmëri më të madhe. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Por përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë. Bëju mirë të tjerëve, ashtu si të ka bërë mirë ty Allahu.” (El-Kasas 77)
Gjëja më e mirë me të cilën mund të përfundojnë predikimet, të mbahen predikimet dhe të parfumosen kuvendet, është lutja dhe përshëndetja mbi zotërinë dhe profetin tonë, Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, sa numri i lutjeve të atyre që luten për të dhe sa numri i atyre që harrojnë dhe neglizhojnë ta përmendin atë, dhe jepi atij pozitat më të lartë, me lutjet më të plota dhe më të pastra deri në Ditën e Gjykimit.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, bëje këtë vend të sigurt dhe të mbrojtur, dhe të gjitha vendet muslimane.
O Zot, përmirëso gjendjen e muslimanëve dhe bashkoni fjalën e tyre në të vërtetën. O Zot, të lutemi të jesh mbështetës, ndihmës dhe mbrojtës i të gjithë muslimanëve të shtypur, në Palestinë dhe në çdo vend, ndihmoji ata kundër armikut Tënd dhe armikut të tyre.
O Zot, të lutemi të na japësh çdo të mirë, të menjëhershme dhe të vonuar, atë që dimë dhe atë që nuk e dimë, kërkojmë mbrojtjen Tënde nga çdo e keqe, të menjëhershme apo të vonuar, atë që dimë dhe atë që nuk e dimë.
O Zot, na përmirëso në fenë tonë e cila është pjesë e jetës tonë, përmirëso jetën tonë ( në këtë botë) që është vendqëndrimi i përkohshëm për ne, dhe përmirëso jetën tjetër (Ahiretin) në të cilën është takimi ynë. O Zot, bëj jetën tonë shtim të çdo mirësie dhe vdekjen rehati prej çdo të keqeje, o Zoti i botëve.
O Zot, mëshiro të vdekurit tanë, shëro të sëmurët tanë, o i Gjallë o i Përhershëm, me mëshirën Tënde kërkojmë ndihmë, përmirëso të gjitha punët tona dhe mos na lër vetëm për asnjë çast.
O Zot, jepi sukses udhëheqësit tona, kujdestarit të dy xhamive të shenjta në atë që do dhe je i kënaqur. O Zot, jepu sukses zëvendësit të tij, në çdo të mirë, bëj veprat e tyre të pranuara tek Ti, o Zot i Botëve, jepu sukses të gjithë sundimtarëve të muslimanëve që të veprojnë sipas Librit Tënd dhe të zbatojnë Sheriatin Tënd.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
Afrim Smakaj