Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 11-01-1448 H 26-06-2026 D
Shejh Abdurrahman Sudejs
Tema Emigrimi i profetit: Bindja në fitore dhe imuniteti i popullit
Vërtetë lavdërimet janë për Zotin, Atë e lavdërojmë, prej Tij ndihmën dhe falje kërkojmë. Zoti e Madhërishëm e lavdërojmë, me mirësitë e Tij zbresin bekimet dhe me favorin e Tij plotësohen veprat e mira.
“ Lavdërimet janë për Zotin, nuk kërkojmë zëvendësim për Të, lavdërime që sjellin shpresë nga kënaqësia e Tij.”
Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, bëri përfundimin e mirë për të drejtët dhe fitoren për besimtarët, me siguri dhe bindje.
Dëshmoj se i dërguari dhe zotëria ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, më i miri nga ata që kanë madhëruar Zotin me fjalë dhe vepra. Paqja, bekimet dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, që mbrojtën Islamin si heronj të guximshëm, mbi tabi’inët dhe mbi ata që i ndoqën në mirësi për sa kohë që dy dritat alternojnë dhe ndjekin njëra-tjetrën, atyre u dërgojmë lutje dhe përshëndetje të bekuara dhe të vazhdueshme.
Në vijim
O ju adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin e Plotfuqishëm ashtu siç i takon Atij t’i frikësohemi, sepse devotshmëria është mbështetja më e fortë, ndihmësi më i plotë, pajisja më e mirë dhe furnizimi më i ndershëm për këtë jetë dhe për botën Tjetër, Ahiret. “O besimtarë! Nëse i frikësoheni Allahut, Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit drejt, do t’ju lirojë nga gjynahet tuaja dhe do t’ju falë. Allahu zotëron mirësi të madhe.”(El-Enfal 29)
“E pashë qartë lavdinë në devotshmëri dhe në të qëndron nderi në vendin e ringjalljes.
Çfarë furnizimi i mrekullueshëm është frika ndaj Zotit dhe çfarë thesari i mrekullueshëm është ajo në Ditën e Gjykimit!”
O besimtarë! Vërtetë, në vazhdimësinë, ndërrimin e stinëve dhe sezoneve ka përkujtim, në ndryshimin e ditëve dhe netëve ka mësim. Umeti ynë Islam ende po shijon mirësinë e këtij viti të ri dhe fillimin e muajve të vitit: Muajin e Zotit, Muharrem. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas Ramazanit është agjërimi në muajin e Zotit, Muharrem.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.
Sunet është të agjërohet dita e Ashures, e cila është dita në të cilën Zoti i dha fitoren profetit dhe bashkëbiseduesit të Tij, Musait, paqja e Zotit qoftë mbi të, dhe të agjërohet dita para saj ose dita pas saj, që është dita e njëmbëdhjetë. Zoti pranoftë nga ne dhe ju veprat e mira.
O muslimanë! Muaji i Zotit, Muharrem na kujton ngjarjen e bekuar të Hixhretit, kur Zoti ndihmoi robin dhe të dërguarin e Tij, Muhammedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. “Nëse ju nuk e ndihmoni atë (Muhamedin a.s.), Allahu tashmë e ka ndihmuar ditën kur atë e dëbuan mohuesit vetë të dytin, kur ishin në shpellë e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit): “Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne!”(Et-Teube 40)
Ebu Bekri, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Për Zotin, o i dërguar i Allahut, nëse ndonjëri prej tyre do të shikonte poshtë këmbës së tij, do të na shikonte.” I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, tha me gjuhën e të bindurit në ndihmën e Zotit të tij: “O Ebu Bekr, çfarë mendon për dy njerëz kur Zoti është i treti i tyre? Mos u pikëllo, sepse Zoti është me ne.”
Zoti është më i Madhi! Është bindja në ndihmën e Zotit të Botëve. Për shkak të rëndësisë së madhe të kësaj ngjarjeje muslimanët në epokën e Omerit, Zoti qoftë i kënaqur me të, u dakortësuan që t’i datojnë ngjarjet sipas kësaj ndodhie, fillojnë kalendarin,kjo nga krenaria për identitetit fetar dhe historik, i cili duhet të ndiqet dhe të çmohet. Ne jemi një umet që ka një histori, lavdi, qytetërim dhe një mesazh gjatë gjithë ditëve dhe vazhdimësisë së viteve.
O ju besimtarë! Merrni nga ky burim i kthjellët e vezullues mësimet e krenarisë dhe ambicies, si dhe aktet heroike të sfidës drejt majave, në mënyrë që e gjithë bota të kuptojë se si përkthehet në realitet dhe formulohet vendosmëria e zjarrtë e muslimanëve, dhe si shijohet nektari i lavdisë.
Vëllezër në Islam! Kjo fe e drejtë është bekimi dhe favori më i madh, përmes saj dallohen besimtarët nga njerëzit e tjerë të feve të tjera që ndajnë me ta bekimin e ekzistencës, intelektit, furnizimit dhe gjërave të tjera. Përveç se muslimani është unik në bekimin me Islam, me bekimin “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, Muhamedi është i dërguari i Tij.” Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.
“Kur Islami zbret në tokën e një populli, vështirësitë e tyre shndërrohen gjithmonë në lehtësim. Ai është siguria, besimi dhe bekimi me anë të të cilave brezat janë të lumtur në të gjitha punët e tyre.”
Kush nuk jeton me të në këtë jetë është vërtet i vdekur. I Drejti, i Bekuari dhe i Lartësuari ka thënë: “A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?! Kësisoj, jobesimtarëve u duken të bukura veprat që bëjnë.”(El-En’am 122)
O popull musliman! Pavarësisht realitetit aktual të umetit tonë Islam, ne jemi të sigurt se suneti, ligjshmëria e shqyrtimit duhet të ndriçojë rrugën tonë drejt vitit të ri Hixhri, të sigurt se feja jonë e vërtetë është forca dhe përgatitja jonë, fortesa jonë e fortë kundër sprovave në kohë ndryshimesh dhe fatkeqësish. Kjo është ligjshmëria e Zotit në krijimin dhe robërit e Tij.
Adhurues të Zotit! Kapuni fort pas fesë tuaj të vërtetë, ndiqni udhëzimin dhe sunetin e profetit tuaj, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Edukoni fëmijët dhe familjet tuaja sipas vlerave dhe mësimeve të tij dhe mbroni ata nga devijimet doktrinare, intelektuale dhe etike. Investimi në mendjet e brezave dhe ndërtimi i vetëdijes ligjore dhe intelektuale është fortesa e fortë dhe bërthama e parë për rilindjen e shoqërive dhe ndërtimin e atdheut dhe qytetërimeve, në mënyrë që fitorja, lavdia dhe fuqizimi të mund të arrihen nga ne.
Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “ Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë trashëgues (të pushtetit) në Tokë, ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që frikën do t’ua shndërrojë në siguri. Le të më adhurojnë Mua e të mos Më shoqërojnë asgjë (në adhurim). Sa për ata që, pas kësaj, mohojnë (besimin), pikërisht ata janë të mbrapshtët.”(En-Nur 55)
O Zot, bëje këtë vit më të mirë se të kaluarin tonë, të ardhmen tonë më të mirë se e tashmja jonë, dhe na jep në të lavdi, fitore dhe fuqi Islamit dhe muslimanëve, o Zot i botëve. O Zot, bashko fjalën e tyre, njëso radhët e tyre dhe jepu atyre fitore mbi armikun Tënd dhe armikun e tyre, o i Plotfuqishëm, o i Lartësuar.
Zoti na bekoftë të gjithëve me Kuran dhe sunet, na bëftë dobi të gjithëve me ajetet dhe urtësinë që ata përmbajnë. Zotit të Madhërishëm dhe të Lartësuar i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët e muslimanet, nga çdo gjynah dhe shkelje. Zotin kërkoni falje dhe tek Ai pendohuni, vërtetë Ai është Pranuesi i Madh i pendesës, Mëshirëploti.
Hutbeja e dytë
Të gjitha lavdërimet janë për Zotin, lavdërime që janë gjithmonë aromatike dhe gjithëpërfshirëse.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, dëshmi drita e së cilës shkëlqen fort.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij, i cili ia kushtoi fenë Zotit në thirrje dhe përmirësim. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familje dhe shokët e tij, atyre ju dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.
Në vijim
O adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin e Madhërishëm dhe të Lartësuar, çështjet tuaja do të pastrohen dhe do të ngriheni në lartësitë e pranimit. Dijeni se fjala më e vërtetë është Libri i Zotit, Kurani, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, çështjet më të këqija janë ato që janë shpikur rishtas, e çdo shpikje, risi është devijim. Përmbajuni xhematit, bashkësisë, sepse dora e Zotit është me xhematin, e kush devijon do të përfundojë në zjarr.
O popull musliman! Në këtë kohë, vapa e verës përvëluese po na bëhet e dukshme dhe erërat e saj përvëluese po fryjnë mbi ne. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kur vapa bëhet e fortë, qetësohuni, vononi namazi deri në kohën e freskut, sepse intensiteti i vapës është nga vapa përvëluese e Xhehenemit.” Muttefikun alejhi.
Shpresat janë të larta për të investuar në verë, aspiratat janë të mëdha dhe nxitëse për ta shfrytëzuar atë.
“Toka e rifitoi shkëlqimin e saj me verën, ajo është si një grua e bukur kur zbukurimet e saj janë të plota.
Imazhe bukurie të gjelbëruar, të freskëta dhe të gjalla, sa askush nuk ka ngelur ndonjëherë pa i dëshiruar.”
Adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin dhe filloni vitin tuaj me pendim dhe kërkim faljeje, me seriozitet, ambicie, vendosmëri, shpresë, optimizëm dhe përgëzim, sepse fillimi i vitit është ambicie, frymëzim dhe një ndikim i qëndrueshëm.
Jini mirënjohës për bekimet e Zotit mbi ju, merrni mjetet e mbrojtjes nga Zjarri i Xhehenemit, përmbushni monoteizmin dhe jini të sinqertë ndaj Zotit dhe përmbajuni udhëzimit të profetit tuaj, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.
Kjo është mirësia e Zotit ndaj nesh që vendin tonë të bekuar, mbretërinë e Arabisë Saudite, me lavdërimet dhe mirësitë e Tij, e ka bërë një strehë besimi dhe monoteizmi, fortesë të besimit dhe sunetit, burim ekuilibri dhe mesatareje, pionier të sigurisë, paqes dhe mirësisë së qëndrueshme. Zoti e ruajt vendin tonë nga çdo e keqe dhe dëm, dhe të gjitha vendet muslimane, me mirësinë dhe bujarinë e Tij.
Zoti ju mëshiroftë! Lutuni dhe përshëndeteni me selam, të zgjedhurin, udhëzuesin, të besuarin, shembulli i besimtarëve, i dërguari me ligjin e qartë, me Kuran, sikurse ju ka urdhërua me këtë Zoti juaj, Zoti i botëve, Allahu i Madhërishëm në fjalën e Tij të vërtetën, ka thënë: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje profetin tonë Muhamed, familjen e tij të mirë dhe të pastër, shokët e tij të parët e mirë, pasardhësit e tij të udhëzuar drejt me nder të dukshëm dhe status të lartë: Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, të gjithë shokët, tabiinët dhe ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Gjykimit, dhe ne bashkë me ta me mirësinë, bujarinë dhe begatinë Tënde, o më i Madhi Bujar.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, mbro ndjekësit e fesë, jepu paqe atyre që bëjnë umre, vizitorëve dhe udhëtarëve, bëje këtë vend të paqtë, të sigurt, të qetë dhe me stabilitet, dhe të gjitha vendeve muslimanëve.
O Zot, na jep siguri në vendet dhe shtëpitë tona, ruaj dhe jepu sukses udhëheqësve dhe kujdestarëve të çështjeve tona. O Zot, mbështet me të vërtetën dhe në të drejtën udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona. O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, vishi atij rrobën e shëndetit dhe mirëqenies.
O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij në atë që është lartësimi i Islamit dhe përmirësimi i muslimanëve, dhe në atë që është e mirë dhe e dobishme për vendin dhe për popullin. O Zot, bëj ata ndihmë për Islamin dhe muslimanët.
O Zot, jepu sukses të gjithë kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve.
O Zot, jepu sukses njerëzve të sigurisë tonë dhe atyre që janë të vendosur dhe vigjilojnë në kufijtë tanë.
O Zot, fal muslimanët dhe muslimanet, bashko zemrat e tyre dhe udhëzoji ata në rrugët e paqes. O Zot, lehtëso brengën e të pikëlluarve, lehtëso vuajtjet e të munduarve, mundëso shlyerjen e borxheve atyre që kanë borxhe, shëro të sëmurët tanë dhe të sëmurët e muslimanëve, mëshiro të vdekurit tanë dhe të vdekurit e muslimanëve, me mëshirën Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, kush synon të keqen kundër nesh, Islamit dhe muslimanëve, angazhoje me veten e tij, kthe komplotin e tij kundër tij dhe bëje planin e tij shkatërrim për atë, o Dëgjues i lutjeve.
O Zot, bashko fjalën e umetit në Librin Tënd, Kuran, dhe në sunetin, o Zotëruesi i bujarisë, mirësive dhe favorit.
O Zot, ruaj xhaminë Aksa, mbaji larg saj ata që devijojnë nga feja Jote dhe kërkojnë ta dëmtojnë atë, bëje atë të lartësuar dhe të nderuar deri në Ditën e Gjykimit.
O Zot, shpëto muslimanët e shtypur në çdo vend. O Zot, shpëto të shtypurit në Palestinë dhe në çdo vend tjetër, o Zot i botëve.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
“Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)
Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju, Falënderojeni për të mirat dhe begatitë e Tij që t’ua shumojë ato.
“ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45) “I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Saffat 180-182)
Afrim Smakaj