Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 25-04-1439 H 12-01-2018 D
Shejh Salih Ibn Abdullah Ibn Humejd
Tema Arsyet për qëndrueshmëri të zemrave
Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin, i Cili krijoi të gjitha krijesat dhe u siguroi atyre furnizim të mjaftueshëm për ata. Zoti e Madhërojmë dhe Ai meriton të Lavdërohet, Ai u ka dhënë dhurata të bollshme robërve të Tij, mirësitë e Tij janë të pafundme.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmia e atij që e di kuptimin e saj dhe vepron në përputhje me të.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, vendosi shtyllat e besimit dhe i ngriti ato në majat më të larta të tij. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, më të pastrit, më të drejtët dhe më të devotshmit e umetit, mbi tabi’inët dhe mbi ata që i pasuan në mirësi, lutje dhe përshëndetje të shumta dhe të bollshme.
Në vijim
O ju njerëz! Këshilloj ju dhe veten time që të kemi frikë Zotin. Ju këshilloj që të keni frikë Zotin dhe të keni moral, sjellje të mirë. Zoti ju mëshiroftë, kini frikë Zotin, çdo bir i Ademit, njeri, është gabimtarë, prandaj fshihni gabimet tuaja dhe mos i ekspozoni ato. Kërkoni falje Zotit për gabimet dhe mos vazhdoni në to. Nëse bëni gabim, pas tij të bëni mirë. I lumtur është ai që mëson nga e kaluara e tij dhe reflekton mbi jetën e tij, ndërsa i privuar është ai që grumbullon pasuri për të tjerët dhe është koprrac me veten. I matur është ai që nuk e shtyn punën e sotme për nesër. O rob i Zotit! Dije se pasurimi i tjetrit nuk e zvogëlon furnizimin tënd, as lumturia e tij nuk merret nga lumturia jotja. Prandaj, ji me moral dhe zemër të mirë sepse zemrat e të tjerëve do të duan. Ji mirënjohës, falënderues, i duruar dhe kërko falje tek Zoti. “Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit!” (El-A’raf 199)
O ju muslimanë! Zemra është quajtur me këtë emër vetëm për shkak të ndryshueshmërisë dhe luhatjeve të saj. Ajo ndryshon nga rrethanat dhe ndikimet, tërhiqet në drejtime të ndryshme nga faktorë të mirë dhe faktorë të këqinjë, në mes të ndikimit të Melaikeve dhe ndikimit të shejtanit, dhe në mes të forcimit nga Melaiket dhe tundimit të shejtanëve. Në Kuranin Famëlartë thuhet: “Ne do t’ua largojmë zemrat dhe shikimet e tyre nga e vërteta…” (El-En’am 110) I dërguari ynë, Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, na ka treguar për veprën e mrekullueshme të Zotit në gjendjen e kësaj zemre, kur ai, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, erdhi me këtë formë ndërsa betohej: “Jo, pasha Atë që i kthen, rrotullon, zemrat.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu. Dhe në thënijen e shpeshtë të tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ku thotë: “ O Ti që i kthen, rrotullon, zemrat, bëje zemrën time të palëkundur në fenë Tënde.” E kanë pyetur: “ A frikësohesh, o i dërguari i Zotit?” Ai ka thënë: “ E çfarë më bën të ndihem i sigurt kur zemra është midis dy gishtërinjve të të Gjithëmëshirshmit, i Cili e rrotullon atë si të dojë Ai?” Në një version tjetër: “Nëse Zoti dëshiron ta mbajë drejt, Ai e mban drejt, e nëse Ai dëshiron ta devijojë, e devijon atë.” Hadithin e ka transmetuar Ahmedi dhe Tirmidhiu, zinxhiri i transmetimit të tij është i saktë.
Adhurues të Zotit! Zemra dhe pse është vend ndryshimi, ajo është gjithashtu vend stabiliteti. Prandaj dhe i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, shpesh thoshte: “ O Ti që i kthen, rrotullon, zemrat, bëje zemrën time të palëkundur në fenë Tënde.” Hadithin e ka transmetuar Ibn Maxhe dhe Tirmidhiu e ka konsideruar hadith të mirë, nga hadithet e Enesit, Zoti qoftë i kënaqur me të. Robit nuk mund t’i jepet një dhuratë më e mirë sesa qëndrueshmëria në fjalë dhe në vepra! Ai i gjen frytet e kësaj gjatë gjithë jetës së tij dhe shpërblimin më të madh e gjen kur është në varrin e tij. “Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër…”(Ibrahim 27)
Zoti ju ruajt! Qëndrueshmëria është vendosmëria e vazhdueshme e muslimanit ndaj së vërtetës dhe udhëzimit, përballë tundimeve, dëshirave dhe epsheve. Dijetarët kanë thënë: “Nga shenjat e suksesit dhe qëndrueshmërisë së një robi është se sa më shumë që shtohet dija e tij, aq më shumë shtohet përulësia e tij dhe aq më shumë shtohet mëshira e tij ndaj njerëzve. Sa më shumë që shtohet puna e tij, aq më shumë shtohet frika dhe kujdesi i tij. Sa më shumë që shtohet pasuria e tij, aq më shumë shtohet bujaria, fisnikëria dhe bamirësia e tij. Nëse ai jeton gjatë, lakmia e tij zvogëlohet, dobësohet lidhja e tij me njerëzit e kësaj bote dhe pasimi, ndjekja e lajmeve të tyre.”
Adhurues të Zotit! Qëndrueshmëria shfaqet në fytyrën e tij vetëm kur robi shikon se po i bindet një koprrac, një dëshirë që ndiqet dhe se të gjithë janë të impresionuar me mendimin e tij. Disa nga paraardhësit tanë të mirë, selefët, kanë thënë: “ Nga shenjat e qëndrueshmërisë janë: Kthimi drejt vendbanimit të përjetshëm, largimi nga vendbanimi i mashtrimit dhe përgatitja për vdekjen para se ajo të vijë.”
O muslimanë! Për sa kohë që është kështu, dijetarët kanë përmendur një numër mjetesh dhe arsyesh që ndihmojnë në qëndrimin e palëkundur në situata sprovash dhe ndryshimesh:
Nga arsyet e para dhe më të rëndësishme: Arritja e monoteizmit, Njësimit të Zotit, me fjalë, vepra dhe bindje, besim, arritja e nënshtrimit të plotë vetëm ndaj Zotit dhe njohja e Zotit me njohje të vërtetë. Kush e njeh më mirë Zotin i frikësohet më shumë Atij. Zoti i Lartësuar ka thënë: “Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët…” (El-Fatir 28) Kjo manifestohet me besimin në caktimin e Zotit, duke ia besuar çështjet Atij dhe duke u mbështetur vetëm tek Ai. Çështja e besimtarit është e habitshme. Në fakt e gjithë çështja e tij është mirësi. Nëse i vjen një e mirë, ai falënderon dhe kjo është mirë për të. Nëse e godet një e keqe, ai duron dhe kështu është mirë për të. Kjo i ndodh vetëm besimtarit. Kështu robi mbetet në një gjendje frike, i shqetësuar se mos privohet nga suksesi. Besimtari është urdhëruar me besim e kjo vetëm për qëndrueshmëri dhe vazhdimësi. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “O besimtarë! Besoni …”(En-Nisa’ 136) Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ … e t’u shtohet besimi atyre që besojnë…” (El-Muddeththir 31) Talk Ibn Habib ka thënë: “Mbroni veten nga sprovat dhe fatkeqësitë me anë të devotshmërisë.”
Adhurues të Zotit! Nga arsyet e qëndrueshmërisë janë: Zbatimi, plotësimi, i adhurimeve dhe veprave të mira, qëndrimi i vazhdueshëm në të mirë me sa më shumë që të jetë e mundur, respektimi i rrugës së drejtë, dashuria për të mirën dhe dhënia e saj njerëzve, kërkimi i sevapit dhe shpërblimit nga Zoti. Atë që kryen adhurimet dhe bën vepra të mira Zoti nuk do ta turpërojë kurrë.
Nga arsyet e qëndrueshmërisë është shoqërimi me dijetarët dhe referimi tek ata. Zoti i Plotfuqishëm thotë: “ …andaj pyetni dijetarët e Librit, nëse nuk e dini (këtë).”(En-Nahl 43) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Por, në qoftë se këtë lajm do t’ia përcillnin (për shqyrtim) të Dërguarit dhe parisë, hulumtuesit do ta merrnin vesh prej tyre (se çfarë lajmi duhet përhapur e çfarë jo).”(En-Nisa’83) Të shoqëruarit me dijetarë është mbrojtje kundër devijimit dhe rrëshqitjes. Hasan El Basri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “E gjithë bota është errësirë, përveç tubimeve të dijetarëve.” Ndjekja e udhëzimit të dijetarëve është një nga mjetet më të mëdha të mbrojtjes nga sprovat, të ruajtjes nga devijimi dhe të qëndruarit të palëkundur.
Nga arsyet e qëndrueshmërisë është shoqëria me njerëzit e drejtë dhe të mirë. Besimtari është pasqyrë për vëllain e tij. Besimtari është vëllai i besimtarit, e mbron atë nga humbja, domethënë, parandalon humbjen e tij dhe mbron atë nga dëmi, domethënë, e ruan, mbron dhe e mbështetën atë. Zoti i Plotfuqishëm thotë: “Dhe qëndro me ata që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar Fytyrën (kënaqësinë) e Tij dhe mos i shmang sytë nga ata (tek të tjerët),…”(El-Kehf 28)
Nga arsyet më të mëdha janë lutja, përgjërimi dhe sexhdeja para Allahut, Zotit të Mëshirshëm, Rrotulluesit të zemrave, të angazhuarit me përmendjen e Zotit, lutja dhe përkushtimi ndaj Tij. Zoti ka obliguar robërit e Tij t’i kërkojnë Atij udhëzim në çdo rekat të namazit të tyre, sikurse vjen në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Udhëzona në rrugën e drejtë!” (El-Fatiha 6) Hafiz Ibn Kethiri, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Nëse nuk do të ishte për nevojën e robit, ditë e natë, për të kërkuar udhëzim, Zoti nuk do ta kishte udhëzuar atë drejt kësaj. Në të vërtetë robi ka nevojë në çdo orë dhe në çdo situatë që Zoti i Lartësuar ta forcojë atë në udhëzim, ta bëjë të vendosur në të, ta bëjë të vetëdijshëm për të, të shtojë prej tij dhe ta bëjë të vazhdojë në të. Sepse robi nuk zotëron për vete asnjë dobi ose dëm përveç asaj që dëshiron Zoti.”
Nga arsyet është edhe respektimi i Librit të Zotit të Plotfuqishëm, Kuranit. Zoti i Lartësuar ka thënë: “Ne ta kemi shpallur kështu për të forcuar zemrën tënde…”(El-Furkan 32) Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ (Thuaju o Muhamed): “Tashmë ju kanë ardhur nga Zoti juaj prova të qarta.”(El-En’am 104) Zoti ju ruajt! Meditoni në lidhjen në mes të Librit të Zotit dhe mendjemprehtësisë, zgjuarsisë; “ (Thuaju o Muhamed): “Tashmë ju kanë ardhur nga Zoti juaj prova të qarta.”(El-En’am 104) Nëse robi është bekuar me zgjuarsi ai dallon të vërtetën nga e pavërteta, ai dallon të vërtetën nga e pavërteta, dobinë nga dëmi, sunetin dhe bidati. Besimtari në kohë ndryshimesh dhe fitnesh ka më shumë nevojë për zgjuarsi, sepse drita e saj e zhduk errësirën e fitneve. Hudhejfe, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Fitnet, sprovat, nuk do t’ju dëmtojnë për sa kohë që e njihni fenë tuaj. Fitnet, sprovat ndodhin vetëm kur e vërteta dhe e pavërteta ngatërrohen për ju.”
Nga arsyet e qëndrueshmërisë është të veprosh, punosh me dije dhe sipas asaj që di nga rregullat, traditat dhe etika, morali. Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “ E sikur të vepronin ata siç këshilloheshin, kjo për ata do të ishte më mirë dhe do të ishin më të fortë në besim. Atëherë, Ne, pa dyshim, do t’u jepnim shpërblim të madh nga ana Jonë dhe me siguri do t’i udhëzonim në rrugë të drejtë.” (En-Nisa’ 66-68) Kush vepron sipas asaj që di, Zoti do t’i japë dije për atë që nuk di, dhe një nga frytet e gjithë kësaj është devotshmëria. Zoti i Plotfuqishëm thotë: “ O besimtarë! Nëse i frikësoheni Allahut, Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit drejt…” (El-Enfal 29)
Nga arsyet më të mëdha janë: Përmbajtja e gjuhës nga ankimi, durimi, vetëkontrolli dhe kontrollimi i impulseve të saj nga të nxituarit, pamaturia, zemërimi dhe lakmia, kontrollimi i mërzisë dhe lodhjes, veçanërisht nëse shfaqen provokatorët e fitneve. E gjithë kjo çon në udhëzimin e zemrës, dashurinë për Zotin dhe dashurinë për njerëzit.
Ajo që i bashkon të gjitha këto është mendimi i mirë i robit për Zotin e tij dhe lidhja e tij e plotë me Të. Nuk është në natyrën e besimtarit të dëshpërohet dhe të jetë pa shpresë, por se gjithmonë e shikon të frikësuar me shpresë. Mendimi i mirë nuk është në formën e tij të duhur përveçse me vepra të mira, duke iu drejtuar Zotit, me bindje të vazhdueshme dhe me punë të mira. Ibn Mesu’di, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Pasha Atë përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër, asnjë robi besimtar nuk i është dhënë asgjë më e mirë se mendimi i mirë për Zotin e Plotfuqishëm . Pasha Atë përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër, asnjë rob nuk ka mendim të mirë për Zotin e Plotfuqishëm, përveçse Zoti ia jep atij atë mendim, sepse e mira është në dorën e Tij.”
Kur besimtari ka mendime të mira për Zotin e tij, zemra e tij mbetet në paqe dhe shpirti i tij është i sigurt, i mbushur me lumturi dhe kënaqësi me caktimin dhe vullnetin e Zotit dhe me nënshtrimin e tij ndaj Zotit të tij.
Kur muslimani ka mendim të mirë në Zot, e shikon se sa herë që shikon ndryshime, ai bëhet më aktiv në shpjegimin e së vërtetës dhe në thirrjen drejt saj, duke përhapur virtyte, vlera, dhe duke luftuar veset. Kështu që ai është midis të drejtëve kur njerëzit janë të korruptuar dhe përmirësues i atyre që kanë shkatërruar, dëmtuar, njerëzit.
Të dashur vëllezër dhe motra! Nga arsyet më të mëdha të qëndrueshmërisë është siguria se rezultati përfundimtar u përket të drejtëve dhe se premtimi i Zotit është i vërtetë. Besimtari duron për atë që thonë ata dhe pranon gjykimin e Zotit të tij, e di se feja e Zotit është e ruajtur dhe ushtria e Zotit është fitimtare. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “ Ata dëshirojnë të fikin dritën e Allahut me gojën e tyre, por Allahu e përsos dritën e Vet, edhe nëse (këtë gjë) e urrejnë jobesimtarët. (Allahu) është Ai që e ka çuar të Dërguarin e Vet me udhërrëfimin dhe fenë e së Vërtetës, për ta ngritur atë më lart se të gjitha fetë, edhe nëse nuk e pëlqejnë idhujtarët.”(Es-Saff 8-9) Shejhul Islam, Ibn Tejmije, Zoti e mëshiroftë, thotë: “Ashtu siç Zoti e ndaloi të dërguarin e Tij të trishtohej ose të shqetësohej për ata që nuk hynë në Islam në fillim, ashtu dhe besimtarit i ndalohet të trishtohet prej tyre ose të shqetësohet nga intrigat e tyre.”
Shumë njerëz, kur shohin ndryshime në disa nga gjendjet e njerëzve të Islamit, shqetësohen, lodhen dhe vajtojnë si njerëzit e fatkeqësive. Atyre u ndalohet kjo, përkundrazi, atyre u urdhërohet të jenë të duruar, të mbështeten në Zot dhe të qëndrojnë të palëkundur në fenë Islame, të besojnë se Zoti është me ata që janë të drejtë dhe ata që bëjnë mirë. Ndërsa ajo që u ndodh atyre është për shkak të mgjynaheve ose të metave të tyre, dhe se premtimi i Zotit është i vërtetë. Të kërkojnë falje për gjynahet e tyre dhe ta lavdërojnë Zotin e tyre me lavdërime në mbrëmje dhe në mëngjes. Disa nga njerëzit e drejtë kanë thënë: “Mos i frikësoni njerëzit me varfëri, sepse kjo është vepër e shejtanit, prandaj mos u bëni nga ushtarët e tij pa e kuptuar.” Zoti i Madhërishëm ka thënë: “ Djalli ju frikëson me skamje e varfëri dhe ju urdhëron të bëni vepra të pamoralshme.”(El-Bekare 268) Dije se Ai që të hapi gojën nuk do të të harrojë dhe Zoti nuk ia mbyll kurrë derën një robi me urtësinë e Tij pa i hapur një derë me mëshirën e Tij.
Në vijim
Adhurues të Zotit! Nga suksesi i Krijuesit, Zotit të Madhërishëm dhe të Plotëfuqishëm mbi robin e Tij është që Ai ia lehtëson atij marrjen në konsideratë arsyet, të cilat, me ndihmën e Zotit të Lartësuar, do ta ndihmojnë atë të qëndrojë i palëkundur kur të shfaqen sprovat dhe të shtohen fatkeqësitë. Ajo që është shkruar për robin do të ndodhë edhe nëse ai nuk e dëshiron atë, dhe ajo që nuk është shkruar për të nuk do ta arrijë atë pavarësisht se sa përpiqet dhe sforcohet. Kush e fillon dhe e mbaron ditën e tij pa asnjë shqetësim tjetër përveç Zotit dhe Sunduesit të tij, Zoti do të kujdeset për të gjitha nevojat e tij, do ta çlirojë nga shqetësimet e tij dhe do ta lirojë zemrën e tij për dashurinë e Tij. Asnjë person i gjallë nuk është i sigurt nga sprovat, dhe Zoti ndërhyn midis njeriut dhe zemrës së tij. Qendrestarët e palëkundur janë njerëzit e mëshiruar në fjalën e Zotit të Lartësuar: “ …por ata vazhdojnë të jenë të përçarë, përveç atyre, që i ka mëshiruar Zoti yt.”(Hud 118-119)
Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “ Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje; Allahu bën ç’të dojë.”(Ibrahim 27)
Zoti na bëftë dobi të gjithëve me Kuranin e Madhërishëm dhe me udhëzimin e Muhamedit, paqja dhe mëshira Zotit qoftë mbi të.
Zotit i kërkoj falje për vete, ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah dhe gabim, Zotit kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirues.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin e Lartësuar të Madhin: “ E si të mos dijë Ai që ka krijuar gjithçka, kur Ai njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Gjithëinformuari?!”(El-Mulk 14) Zotin e Madhërishëm e lavdëroj dhe Atë e falënderoj, na ka dhuruar shumë dhe është i kënaqur nga robërit e Tij me pak. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi që të shpëton nga mundimi i Xhehenemit.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij, Zoti i tij është Sunduesi i tij, ndërsa Xhibrili, besimtarët e drejtë dhe melaiket janë mbështetësit e tij. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjarët e tij të pastër dhe të mirë, mbi shokët e tij të drejtë dhe të mirë, mbi tabi’inët, pasuesit, mbi ata që i ndoqën në mirësi dhe ecën në rrugën e së vërtetës, lutje dhe përshëndetje të shumta dhe të vazhdueshme.
Në vijim
O muslimanë! Nga arsyet më të mëdha për qëndrueshmëri është të qenit i kënaqur me Zotin, e cila lidhet me të pasurit mendim të mirë për Atë. Zoti i ka përshkruar robërit e Tij të drejtë me këtë cilësi në katër vende në Librin e Tij, ku në secilën prej tyre Allahu i Plotëfuqishëm thotë: “ Allahu është i kënaqur me ata dhe ata janë të kënaqur me Atë.”(El-Ma’ide 119) “Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë.” (Et-Teube 100) “Allahu është i kënaqur me ata, por edhe ata do të jenë të kënaqur me Të.”(El-Muxhadile 22) “Allahu është i kënaqur me ta, por dhe ata janë të kënaqur me Atë.”(El-Bejjine 8)
O adhurues të Zotit! Shikoni, meditoni, merrni në konsideratë: A jeni të kënaqur me Zotin tuaj? Zoti ju ruajt! Kënaqësia me Zotin është pranimi i çdo gjëje që Zoti ju ka caktuar. Të besoni me siguri se Zoti juaj nuk ka për qëllim asgjë tjetër përveç të mirës për ju në të gjitha rrethanat dhe sprovat tuaja. Nëse jeni të kënaqur me Zotin tuaj, do t’i zvogëloni ankesat tuaja ndaj njerëzve dhe pakënaqësinë tuaj me situatat. Të jeni të kënaqur me Zotin tuaj pavarësisht nëse Ai ju jep apo ju privon, të jeni të kënaqur në shëndet si dhe në sëmundje. Zoti ju ruajt! Kënaqësia nuk bie ndesh me marrjen në konsideratë arsyet për të zgjidhur problemet dhe përmirësimin e situatave, sikurse nuk bie ndesh me dhimbjen që ndjeni dhe trishtimin natyror që përjetoni. Prandaj, përpiquni ta trajtoni dhe lehtësoni atë. Shikoni gjendjen e një robi që nuk është i kënaqur, edhe nëse do të zotëronte të gjithë botën, ai nuk do të ishte i kënaqur. Në hadith ka ardhur: “Kush është i kënaqur do të marrë kënaqësi, dhe kush është i pakënaqur do të marrë pakënaqësi.” Dije se kënaqësia me Zotin është një nga mënyrat më të mëdha për të arritur kënaqësinë e Tij me ty.
Ne jemi të kënaqur me Allahun, Zotin tonë, me Islamin, fenë tonë dhe me Muhamedin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, profet dhe të dërguar.
O Zot, na furnizo që të kemi mendim të mirë tek Ti, mbështetje të vërtetë tek Ti dhe pendim të sinqertë tek Ti, në mënyrë që të jemi më të sigurt në atë që Ti ke sesa në atë që është në duart tona.
Zoti ju mëshiroftë! Kini frikë Zotin dhe dijeni se me të gjitha këto dhe të tjera, sa shumë favore të fshehura dhe urtësi të padukshme ka Zoti ynë Bujar, i Mirë, Dhurues dhe Mëshirues. Ai është që e kthen turbullirën në pastërti dhe e transformon shqetësimin në nderime dhe bekime. Të punosh me shpresë kërkon përpjekje të zellshme me siguri dhe qëndrueshmëri. Lehtësimi është afër dhe kompensimi është i bollshëm. Zotit i përket urdhri para dhe pas, Ai është mbizotërues mbi çështjen e Tij, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
Lutuni dhe përshëndeteni mëshirën e dhuruar, mirësinë e dhënë, të dërguarin tuaj, Muhamedin, të dërguarin e Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, për këtë ju ka urdhëruar Zoti juaj në librin e Tij, Kuranin Famëlartë, Ai ka thënë, e është i Vërtetë në thënien e Tij: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, të dërguarin tonë Muhamedin, të zgjedhurin e dashur, profetin e dalluar, familjen e tij të mirë dhe të pastër, dhe bashkëshortet e tij, nënat e besimtarëve.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër Halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij, me tabi’inë, me ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e Fundit, dhe me ne së bashku me ta, me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë Tënde, o më i Madhi Bujar.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë dhe idhujtarët, mposht tiranët, ateistët dhe të gjithë armiqtë e tjerë të umetit dhe fesë.
O Zot, na jep siguri në vendin tonë, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona. O Zot, bëj udhëheqjen tonë në duart e atyre që të frikësohen, janë të devotshëm ndaj Teje dhe që kërkojnë kënaqësinë Tënde, o Zot i botëve.
O Zot, jepi sukses udhëheqësit dhe kujdestarit të çështjeve tona nga suksesi Yt, lartësoje atë me bindjen ndaj Teje, lartëso me të fjalën Tënde dhe bëje atë burim fitoreje për Islamin dhe muslimanët. O Zot, jepi sukses atij, zëvendësit të tij, vëllezërve dhe ndihmësve të tyre në atë që Ti do dhe je i kënaqur, dhe udhëzoi ata drejtë të mirës dhe devotshmërisë.
O Zot, jepu sukses kujdestarëve të çështjeve të muslimanëve që të punojnë me Librin Tënd, dhe me sunetin e të dërguarit Tënd, Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, bëji ata mëshirë për robërit e Tu besimtarë, bashko fjalën e tyre në të vërtetën dhe udhëzimin, o Zot i botëve.
O Zot, përmirëso gjendjen e muslimanëve në çdo vend që janë. O Zot, ndalo gjakderdhjen e tyre dhe bashko fjalën e tyre në të vërtetën, në udhëzim dhe në sunet, cakto më të mirët midis tyre si udhëheqës të tyre, mbroji ata nga të këqijtë midis tyre, përhap siguri, drejtësi dhe begati në tokat e tyre dhe mbroji ata nga të këqijat dhe sprovat, të dukshmet dhe të fshehurat prej tyre.
O Zot, ndihmo ushtarëve tanë të stacionuar në kufijtë tanë. O Zot, udhëzo mendimet e tyre, saktëso goditjet e tyre, forco vendosmërinë e tyre, shto qëndresën e tyre, bëji këmbët e tyre të forta, forco zemrat e tyre dhe jepu fitore mbi ata që i sulmojnë. O Zot, mbështeti ata me mbështetjen Tënde dhe jepu atyre fitore me fitoren Tënde. O Zot, mëshiro dëshmorët e tyre, shëro të plagosurit e tyre, mbroji ata në familjet dhe pasardhësit e tyre, vërtet, Ti je Dëgjuesi i lutjes.
O Zot, ndihmo vëllezërit tanë! O Zot, ndihmo vëllezërit tanë të shtypur dhe që u bëhet padrejtësi në Palestinë, në Burma, në Afrikën Qendrore, në Libi, në Irak, në Jemen dhe në Siri. O Zot, ata janë goditur me dëme, u ka rënë fatkeqësi dhe situata e tyre është bërë e tmerrshme, janë përballur me padrejtësi, tirani, zhvendosje dhe rrethim, izolim. O Zot, ndihmoi ata, merru në dorë punët e tyre, lehtëso vuajtjet e tyre, largo dëmin e tyre, shpejto rrugëdaljen e tyre, bashko zemrat e tyre dhe unifiko fjalën e tyre. O Zot, mbështeti ata me ndihmën Tënde, forcoji ata me ushtarët e Tu dhe jepu atyre fitoren me fitoren Tënde.
O Zot, të lutemi të jesh kundër shtypësve tiranë dhe atyre që i mbështesin dhe i ndihmojnë ata. O Zot, shpërndaj tubimet e tyre dhe shpërndaj unitetin e tyre, dhe copëtoi ata. O Zot, bëj shkatërrimin e tyre me planit të tyre, o Zot i botëve.
O Zot, të lutemi të jesh kundër hebrenjve uzurpues dhe pushtues, sepse ata nuk mund t’i shpëtojnë pushtetit Tënd. O Zot, dërgo mbi ta zemërimin Tënd që nuk mund të shmanget nga populli i padrejtë, kriminel. O Zot, kërkojmë strehim dhe mbrojtje tek Ti nga ata dhe prej të keqes së tyre.
O Allah, Ti je Zoti, nuk ka Zot tjetër përveç Teje, Ti je i Pasuri, nuk ke nevojë për dikë, e ne jemi të varfër, kemi nevojë për Ty, zbrit mbi ne shi dhe mos na bëj prej të dëshpëruarve. O Zot, zbrit mbi ne shi dhe mos na bëj prej të dëshpëruarve. O Zot, na jep shiun. O Zot, kërkojmë falje nga Ti, sepse Ti je Falës i Madh, dërgo shi të bollshëm nga qielli mbi ne dhe bëje atë që dërgon burim force për ne në bindjen ndaj Teje dhe furnizim për një kohë. O Zot, dërgo shi të bollshëm, të begatë dhe të përhapur, me të cilin gjallëron tokën, shuan etjen e robërve të Tu dhe bëje atë furnizim për ata që janë të pranishëm dhe që do vijnë. O Zot, ne jemi vetëm krijesa nga krijesat e Tua, nuk jemi të pavarur nga furnizimi Yt. O Zot, mos na privo nga mirësitë e Tua për shkak të gjynaheve tona.
Ne jemi mbështetur tek Allahu.
“ O Zoti ynë, mos na bëj sprovë për popullin keqbërës (duke i lënë të na shkatërrojnë).”(Junus 85)
“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.”(El-A’raf 23)
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
“I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Saffat 180-182)
Afrim Smakaj