Mirësia dhe ruajtja e lidhjeve farefisnore udhëzimi i zemrave besimtare

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar     18-01-1448 H     03-07-2026 D

Shejh Abdullah El Xhuhenij   

Tema   Mirësia dhe ruajtja e lidhjeve farefisnore udhëzimi i zemrave besimtare

Vërtetë lavdërimi i takon Zotit. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë.  Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Zoti  s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij.

“ O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al Imran 102)

“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e nga ai krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej atyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”(En-Nisa’ 1)

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab 70-71) 

Në vijim

O ju njerëz! Kini frikë Zotin e Plotfuqishëm, sepse jeni të obliguar të jeni të devotshëm, ti frikësoheni Atij. Jini të sinqertë për hir të Zotit, sepse ju kërkohet që ta bëni këtë. Përgatituni të dilni para Zotit, sepse tek Ai do të ktheheni. Përmbajuni sinqeritetit në fjalë, vepra dhe situata, në mënyrë që të shpëtoni, të keni sukses. Llogaritni veten para Ditës së Llogarisë dhe meditoni në atë që ju lexohet nga Libri, sepse Zoti i Plotfuqishëm ka lavdëruar ata që mbajnë lidhjet (familjare) që ka urdhëruar Allahu të mbahen,  Zoti i Lartësuar ka thënë: “Këta janë ata që i përmbahen besëlidhjes me Allahun dhe nuk e prishin premtimin dhe ata që mbajnë lidhjet (familjare) që ka urdhëruar Allahu të mbahen, që kanë frikë Zotin e tyre e i frikësohen llogarisë së rëndë dhe ata që durojnë për të fituar dashurinë e Zotit të tyre, që falin namazin, që ndajnë fshehurazi dhe haptazi nga ajo që ua kemi dhënë Ne dhe, që të keqen, e kthejnë me të mirë. Këtyre u takon shpërblimi në Shtëpinë e fundit.” (Er-Ra’d 20-22)

LEXO  Nga shkaqet e lumturisë bashkëshortore dhe të një jete të lumtur

Adhurues të Zotit! Zoti ju ka ftuar për në Xhenet, ku janë ata që përgjigjen? Ai i ka lavdëruar këto vepra dhe njerëzit e tyre, ku janë ata që veprojnë? Vërtet, ata që mbajnë lidhjet (familjare) që ka urdhëruar Allahu të mbahen, janë ata që besojnë në Zot, dhe besojnë në të dërguarin, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe në atë që erdhi prej tij, bëjnë vepra të mira, i frikësohen Zotit të tyre, kanë frikë, i tremben të keqes së llogaridhënies dhe janë të kujdesshëm.

Ata zbatojnë atë që Zoti ka urdhëruar për durim në bindje, këmbëngulin me shpirtrat e tyre dhe përpiqen kundër tyre për të braktisur gjërat e ndaluara. Ata mbajnë lidhje farefisnore dhe familjare, janë të mirë me të varfrit, fqinjët dhe jetimët. Kujdesen ndaj nënave dhe baballarëve, largohen nga të këqijat dhe imoraliteti.  Ata urdhërojnë në të mirë dhe ndalojnë nga e keqja, e përkujtojnë shpesh Zotin, e përkujtimi i Zotit është gjëja më e madhe.

Adhurues të Zotit! Kini frikë Zotin dhe bëni mirë për veten tuaj, që ta gjeni atë. Ruajuni nga keqardhja e humbjes së një dite për shkak të vdekjes. Punoni para saj për atë që vjen pas saj. Mos u bëni si ata që kanë ndërruar jetë me regjistrat e tyre të nxirë nga gjynahet. Ata u mashtruan nga shpresa dhe shtyrja. Sikur të kishin qenë të vetëdijshëm për shpërblimin, do të ishin përgatitur për të.

Zoti na pastroftë të gjithëve nga papastërtia e gjynaheve dhe na faltë për gjynahet e mëdha që kemi bërë.

O Zot! Na beko me Kuranin e Madhërishëm, na bëj dobi me ajetet dhe përkujtimet e tij të urta. O Zot, na ndihmo të të kujtojmë, të të falënderojmë dhe të të adhurojmë sa më mirë. O Zot, na frymëzo me udhëzim, na dhuro mëshirë nga ana Jote dhe përgatit për ne udhëzim në çështjet tona. O Zot, na kthe tek Ti në mënyrën më të bukur.

Zotit i kërkoj falje për veten time, për ju dhe për të gjithë muslimanët, nga Zoti kërkoni falje, vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet janë për Zotin e botëve.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

LEXO  Përfundimi i Ramazanait - Meka 31.05.2019

Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij Zot, fale dhe mëshiroje robin dhe të dërguarin Tënd, të dërguarin tonë Muhamedin, familjen dhe shokët e tij, dhe ata që i pasojnë në mirësi.

Në vijim

O ju njerëz! Kini frikë Zotin e Plotfuqishëm me devotshmëri të vërtetë dhe forconi lidhjen midis jush dhe Zotit tuaj duke e përkujtuar dhe falënderuar shpesh Atë. Duke dhënë shumë lëmoshë, do furnizoheni, do mbështeteni dhe  ngushëlloheni. Përgatituni për jetën tuaj të përtejme, Ahiret,  nga jeta juaj e kësaj bote, merrni nga shëndeti juaj për sëmundjen tuaj, nga koha juaj e lirë për angazhimet tuaja, nga pasuria juaj për varfërinë tuaj, nga siguria juaj për frikën tuaj dhe nga gëzimi juaj për hidhërimin tuaj, sepse gjërat nuk mbeten të njëjta dhe kushtet shpesh ndryshojnë në të kundërtën e tyre. “Ato ditë (fitoreje dhe humbjeje) Ne i ndërrojmë midis njerëzve…” (Al ‘Imran 140)

Kërkoni Zotit ndihmë, udhëzim, sukses dhe drejtësi, sepse të gjitha çështjet janë në duart e Tij, e robi nuk ka fuqi tjetër përveçse të ndërmarrë sebepet. Prandaj, shtoni lutjet tuaja ndaj Tij, kërkimin e faljes prej Tij dhe mbështetjen tuaj tek Ai, afrohuni me Zotin duke iu bindur Atij dhe duke iu bindur të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dhe familjen e tij, lutje dhe përshëndetje të shumta.

O ju muslimanë! Zoti i Plotfuqishëm na ka urdhëruar në diçka me të cilën Ai e ka filluar Vetë, Zoti i Madhërishëm ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El-Ahzab 56) 

I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush më dërgon një salavat, Allahu atij i dërgon me të dhjetë salavate.”

Ai ishte më modesti nga të gjithë njerëzit dhe më i dobishmi prej tyre në të gjitha rrethanat,  hante që i është e mundur nga ajo që është e lejuar, u jepte përparësi të varfrit dhe familjes mbi veten e tij,  nuk e refuzonte me atë që kishte në dispozicion dhe as nuk kërkonte atë që i mungonte. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, profetin tonë Muhamed. O Zot,  lartësoje atë në një pozitë të lavdërueshme dhe jepi atij pozitën, vlerën dhe gradën e lartë dhe fisnike.

LEXO  Nga vlerat e larta të Islamit

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër halifet e prarë dhe të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tjerë të profetit Tënd, me familjen e tij të pastër dhe të drejtë, me ata që i ndjekin në mirësi deri në Ditën e Gjykimit. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me ne së bashku me ta me mirësinë dhe begatinë Tënd, o më i Madhi  Mëshirues.

O Zot, të lutemi forco Islamin, o Ti që u ke dhënë mëshirën Tënde robërve të Tu, lartëso statusin e muslimanëve,  përfshi me kujdesin dhe suksesin Tënd ata që kanë bërë punë të mirë, dhe nëpërmjet të cilëve Zoti ka reformuar vendin dhe popullin, kujdestarin e dy xhamive të shenjta, mbretin Selman Ibn Abdulaziz, dhe zëvendësin e tij, princin e kurorës, princin e besuar Mohamed Ibn Selman. Zoti u dhëntë atyre fitore nga fitoret e Tij,  i mbështestë ata me suksesin dhe ndihmën e Tij.

O Zot, jepu sukses sundimtarëve të muslimanëve që të veprojnë sipas Librit Tënd dhe sunetit të profetit Tënd Muhamed,  paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dhe familjen e tij.

O Zot, ruaj ushtarët tanë të stacionuar në kufij. O Zot, forco vendosmërinë e tyre, drejto goditjet  e tyre, mposht armiqtë e tyre dhe jepu atyre fitoren mbi njerëzit e padrejtë, o Zot i botëve.

O Zoti ynë, të lutemi Ty, o i Gjallë, o Vetëmbështetës, o Ti që nuk të kaplon kotja as gjumi, t’u japësh nevojtarëve midis nesh dhe të privuarve, të na furnizosh me furnizim të ligjshëm dhe të mirë, o Ti që i thua një gjëje: Bëhu, dhe ajo bëhet.

O Zot, na jep sukse që të bindemi Ty, të adhurojmë Ty, të bëjmë atë që Ti do dhe me të cilën je i kënaqur. O Zot, pastro zemrat tona nga politeizmi, hipokrizia, ligësia, zilia, lakmia, urrejtja dhe armiqësia.

O Zot, na jep një fund të mirë dhe na lejo të vdesim me fjalën, “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, Muhamedi është i dërguari i Tij!” O Zot, fali besimtarët dhe besimtaret, muslimanët dhe muslimanet, të gjallët dhe të vdekurit prej tyre, me të vërtet, Ti je Ai që dëgjon gjithçka, Ai që i përgjigjesh lutjeve.

O Zot, zbrit mbi ne shi dhe mëshirë dhe mos na bëj prej të dëshpëruarve. O Zot, kërkojmë falje vetëm prej Teje, sepse Ti je Falës i Madh, prandaj zbrit shi të bollshëm mbi ne. O Zot, ne jemi vetëm krijesa nga krijesat e Tua, prandaj mos na privo nga mirësia Jote për shkak të gjynaheve tona. O Zot, ki mëshirë për robërit e Tu, tokën Tënde dhe kafshët e Tua, përhape mëshirën Tënde dhe ringjalle tokën Tënde të shkretë, sepse Ti je i aftë për çdo gjë.

Adhurues të Zotit! Përkujtojeni Zotin sa më shpesh, sepse nëpërmjet përkujtimit të Zotit ringjallen zemrat dhe falen gjynahet.

“…vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/100063500681483/videos/pcb.1610121461114528/993704886802025

Post Author: endrit