Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 24-02-1448 H 07-08-2026 D
Shejh Dr. Abdullah El Buajxhan
Tema Lumturia e vërtetë
avdërimet janë për Zotin, i Cili ka bërë bindjen ndaj Tij burim lumturie për zemrat, në përmendjen e Tij qetësin e shpirtrave dhe në besimin në Të shkakun më të madh të suksesit. Zotin e Madhërishëm e lavdëroj dhe e falënderoj.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, dëshmi që i mundëson thënësit të saj lumturi në këtë botë dhe shpëtimin në botën Tjetër, Ahiret.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, udhëheqësi i njerëzve të lumtur dhe shembulli i njerëzve të devotshëm. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, dhe mbi ata që ecin në udhëzimin e tij dhe u mjaftua me gjurmët e tij deri në ditën e Kijamet.
Në vijim
Adhurues të Zotit! Ju këshilloj që të keni frikë Zotin sepse ajo është çelësi i çdo të mire dhe baza e çdo lumturie. “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.”(Et-Talak 2-3)
Adhurues të Zotit! Vërtetë, lumturia është dëshirë e madhe dhe qëllim i kërkuar nga çdo qenie njerëzore. Zoti ka ngulitur tek njerëzit natyrshmërinë për ta dashur dhe dëshiruar atë. Meqenëse lumturia e vërtetë nuk arrihet vetëm me dëshira, por përmes shkaqeve që të çojnë drejt saj, Sheriati i urtë, legjislacioni Islam, ka udhëzuar për në rrugët e saj, ka treguar metodat e saj dhe na ka nxitur të ndjekim shkaqet e saj. Lumturia është shpërblim që nuk arrihet veçse përmes besimit dhe bindjes ndaj Allahut. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.”(El-‘Asr 1–3)
O ju njerëz!
Lumturia është qëllim i rënë dakord universalisht dhe objektiv i pranuar unanimisht. Drejt saj nxiton çdo njeri, dhe e kërkon atë në çdo vend dhe kohë. Mirëpo, mund të gabojë në përfytyrimin e realitetit të saj dhe në njohjen e thelbit të saj, madje mund të gabojë dhe në rrugën drejt saj dhe largohet nga shkaqet që e çojnë tek ajo, ndërkohë që është duke e kërkuar.
Nuk ka rrugë drejt lumturisë veçse përmes besimit dhe veprave të mira. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (En-Nahl 97)
Në të kundërtën, ai që largohet nga devotshmëria ndaj Zotit dhe braktis bindjen ndaj Tij, do jetë i mjerë dhe do të zhytet në baltën e vuajtjeve, shqetësimit, pikëllimit dhe mundimeve. Atë do ta kaplojnë dëshpërimi, shqetësimi, tensioni, mungesa e qetësisë, ankthi, vështirësia dhe pikëllimi. Zoti thotë të vërtetën: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër.” (Ta-Ha 124)
Adhurues të Zotit!
Lumturia është ndihmë dhe sukses nga Zoti i Madhëruar, me të cilën Ai begaton kë të dëshirojë prej robërve të Tij. Përmes saj njeriu ndien hapjen e kraharorit, kënaqësinë, qetësinë, rehatinë shpirtërore dhe qetësinë e zemrës.
Nga shkaqet më të rëndësishme të saj janë besimi dhe veprat e mira. Besimi është boshti rreth të cilit sillen lumturia, kënaqësia, fitorja dhe siguria në të tashmen dhe në të ardhmen. Ai është një prej shkaqeve më të mëdha të shpëtimit në këtë botë dhe në Ahiret. Përmes tij, besimit, largohet sprova, zhduken shqetësimet, pikëllimi dhe vuajtjet. Përmes tij lehtësohen vështirësitë, arrihet siguria, falen gjynahet dhe ngrihen gradat. Ai, besimi, është burim i shpëtimit dhe çlirimit, rruga drejt suksesit dhe fitores.
Kur besimi shoqërohet me mirësi ndaj krijesave, me të bërit mirë dhe sjellje të dobishme për njerëzit, atëherë kjo bëhet nga shkaqet më madhore të lumturisë. Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (En-Nahl 97)
Adhurues të Zotit! Nga shkaqet më të mëdha të lumturisë është ruajtja e obligimeve dhe detyrave fetare, në krye të të cilave qëndron namazi. Namazi është lidhja ndërmjet robit dhe Zotit të tij, i cili i sjell zemrës qetësi dhe shpirtit çlirim, dhe e ndalon njeriun nga imoraliteti dhe veprat e këqija. Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “Ata që besojnë dhe kryejnë vepra të mira, falin namazin dhe japin zeqatin, do të kenë shpërblim te Zoti i tyre dhe nuk do të kenë pse të frikësohen apo pikëllohen.” (El-Bekare 277)
Nga shkaqet ku gjendet lumturia është përmendja e vazhdueshme e Allahut të Madhëruar dhe leximi i Kuranit. Zemrat nuk e gjejnë qetësinë dhe prehjen e tyre veçse me përmendjen e Zotit të Madhëruar e të Lartësuar. Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut! Për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira ka çdo mirësi dhe vendbanim të mrekullueshëm!” (Er-Ra’d 28–29)
Kurani është Fjala e Zotit të Madhëruar dhe është burim i çdo udhëzimi dhe lumturie. Në të gjendet shërimi për atë që gjendet në zemra, udhëzimi dhe mëshira për besimtarët. Zoti i Plotëfuqishëm thotë: “…Kur t’ju vijë udhëzim nga ana Ime, kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim. Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër.” (Ta-Ha 123–124)
Nga shkaqet e lumturisë është dhe besimi në kaderin dhe caktimin e Zotit, i cili është një prej shtyllave të besimit dhe një prej bazave të akides Islame. Nga frytet e këtij besimi është durimi gjatë sprovave, të pranuarit, të kënaqurit, me atë që ka caktuar Zoti, moskundërshtimi dhe mos dëshpërimi, qetësia e mendjes dhe e shpirtit. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “(Këtë paracaktim e kemi bërë) që ju të mos dëshpëroheni për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai ju ka dhënë.” (El-Hadid 23)
Nga Ebu Hurejra, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kujdesu për atë që të sjell dobi, kërko ndihmë tek Zoti dhe mos u bëj i paaftë, dembel. Nëse të godet diçka, mos thuaj: ‘Sikur të kisha bërë kështu e kështu, do të kishte ndodhur kështu e kështu’, por thuaj: ‘Ky ishte caktimi i Allahut dhe Ai bën çfarë dëshiron’, sepse fjala ‘sikur’ hap rrugën veprës së shejtanit.” Hadithi është transmetuar nga Buhariu.
Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfûdh) para se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë!” (El-Hadid 22)
Zoti na begatoftë të gjithëve me Kuranin Famëlartë, dhe na bëftë dobi të gjithëve me argumentet dhe me përkujtimin e tij të urtë.
Zotit i kërkoj falje për vete, pr ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, tek Ai kërkoni falje, vërtet, Ai është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.
Hutbeja e dytë
Zotin e lavdërojmë për mirësitë e Tij që na ka dhuruar, Ai meriton të falënderohet për sukseset dhe të mira që na ka dhënë.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok, Ai meriton të Lavdërohet dhe të Madhërohet.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, ftues për në kënaqësinë e Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij, për ata lutemi dhe dërgojmë përshëndetje të shumta.
Adhurues të Zotit! Lumturia nuk qëndron tek begatitë dhe kënaqësitë e kësaj bote, as tek zhytja në epshe e dëfrime, e as tek rehatia e trupit. Përkundrazi, lumturia e vërtetë është kënaqësia e zemrës, qetësia e shpirtit dhe pastërtia e brendshme. Ajo është lumturi, pasojat e së cilës shtrihen në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret.
Nga gjërat më të mëdha që e pengojnë njeriun nga lumturia janë sëmundjet e zemrës, si zilia, urrejtja, gjynahi i armiqësisë dhe mospëlqimit, mendjemadhësia dhe sy faqësia. Zemra është mbreti i gjymtyrëve, ajo është vendi ku qëndron besimi dhe burimi i lumturisë. Nëse ajo përmirësohet, përmirësohet i gjithë trupi, e nëse ajo prishet, prishet i gjithë trupi.
Nu’man Ibn Beshiriu, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, duke thënë: “Vërtetë, shenjtëria e Allahut janë ndalesat e Tij. Vërtetë në trup ndodhet një copë mishi, nëse ajo përmirësohet, përmirësohet i gjithë trupi, e nëse ajo prishet, prishet i gjithë trupi. Vërtetë ajo është zemra.”
Nga pengesat e lumturisë janë gjithashtu neglizhimi i detyrimeve, obligimeve, zhytja në gjëra të ndaluara dhe ndjekja e epsheve dhe të dyshimtave. Të gjitha këto shkaktojnë errësim dhe ngurtësi të zemrave, e privojnë njeriun nga çdo e mirë dhe sjellin shqetësim, brengë, vetmi dhe pendim. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “A mos mendojnë ata që bëjnë vepra të këqija, se Ne do t’i bëjmë të njëjtë me ata që kanë besuar dhe që kanë bërë vepra të mira, se jeta dhe vdekja e tyre do të jetë e njëjtë? Sa keq që gjykojnë ata!” (El-Xhathije 21)
Nga gjërat më të mëdha që e privojnë njeriun nga lumturia është gjithashtu mendimi i keq për Zotin dhe çfarë rrjedh prej tij: Humbja e shpresës në mëshirën e Tij, dëshpërimi nga mirësia e Tij, dorëzimi ndaj vesveseve dhe pesimizmit, frika dhe ankthi për të ardhmen dhe për humbjen e begative, pritja e vazhdueshme e fatkeqësive dhe ndëshkimeve.
Adhurues të Zotit! Mendoni mirë për Zotin! Besimtari e di se caktimi dhe vendimi i Zotit është i gjithi mirësi. Nga Suhejbi, Zoti qoftë i kënaqur me të, transmeton se i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Sa e çuditshme që është çështja e besimtarit: gjithçka që e godet atë, është në të mirën e tij dhe kjo nuk është për askënd përveç besimtarit. Kur i vjen ndonjë begati, ai falënderon, gjë që është në të mirën e tij, e, nëse e godet ndonjë vështirësi, ai bën durim, gjë që është po në të mirën e tij.” Hadithin e transmeton Muslimi.
O adhurues të Zotit! Nga pengesat më të dukshme që e privojnë njeriun nga lumturia janë humbja e kohës, neglizhimi i detyrimeve, obligimeve, zhytja në argëtime dhe gjëra shpërqendruese, përdorimi i tepruar i telefonave, varësia nga ndjekja e përmbajtjeve dhe videove të shkurtra në platformat e rrjeteve sociale. Këto gjëra e humbin kohën, e shpërqendrojnë mendjen, e dobësojnë aftësinë për përqendrim dhe shkaktojnë shqetësim, ankth e depresion, dhe ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes psikologjike për shkak të krahasimeve shoqërore. Kështu, zemra humbet qetësinë e saj dhe njeriu privohet nga kënaqësia e pranimit dhe e të qenët i kënaqur me atë që Zoti ka caktuar.
Prandaj, o adhurues të Zotit, frikësojuni Allahut dhe mos e kërkoni lumturinë jashtë rrugës së saj. Mos e kërkoni atë në porta që nuk të çojnë drejt saj, sepse kjo vetëm sa e largon njeriun më shumë prej saj dhe e privon nga realiteti i saj.
Rruga e lumturisë është kapja fort pas Librit të Zotit të Madhëruar, Kuranit, dhe ndjekja e udhëzimit të të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Në këto të dyja gjenden udhëzimi, mëshira dhe mjaftueshmëria.
Zoti na bëftë prej atyre që e dëgjojnë fjalën dhe ndjekin më të mirën prej saj. “Këta janë ata që Allahu i ka udhëzuar në rrugë të drejtë; këta janë njerëzit e mençur.” (Ez-Zumer 18)
Lutuni dhe dërgoni përshëndetje për atë që Zoti ju ka urdhëruar të luteni dhe të dërgoni përshëndetje për të, Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen e tij dhe të gjithë shokët e tij. O Zot, të lutemi që të jesh i kënaqur me pasardhësit e tij, të udhëzuar drejt, dhe me ata që i pasuan në mirësi deri në Ditën e Kijametit.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, ndihmo robërit e Tu besimtarë, që të Njësojnë Ty.
O Zot, bëje të paqtë, qetë dhe të sigurt këtë vend dhe të gjitha vendet muslimane.
O Zot, përjetëso sigurinë, mbrojtjen dhe stabilitetin në vendin tonë, ruaje atë nga çdo e keqe dhe e urryer, largo prej tij komplotet e komplotistëve dhe skemat e intrigantëve, o Zot i botëve.
O Zot, ruaj kufijtë tanë, jepu sukses ushtarëve tanë të stacionuar në kufijtë dhe frontet tona, saktëso goditjen e tyre, forco vendosmërinë e tyre, bëji ata mburojë të fortë dhe jepu fitore mbi armiqtë e tyre, o i Plotfuqishëm, o i Lartësuar.
O Zot, përmirëso situatën e muslimanëve. O Zot, përmirëso marrëdhëniet në mes tyre dhe bashko fjalën e tyre në të vërtetën, o Zoti i botëve.
O Zot, na jep siguri në vendet tona, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona.
O Zot, jepi sukses kujdestarit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, nga suksesi Yt, mbështete atë me mbështetjen Tënde. O Zot, jepi atij shëndet dhe mirëqenie të plotë, o Zoti i botëve. O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij në atë që Ti do dhe je i kënaqur, o Ti që i dëgjon lutjet.
“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)
“…dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 128)
O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje Muhamedin dhe familjen e tij të pastër, shokët e tij të ndershëm dhe ne së bashku me ata me mëshirën Tënde, o i Plotëfuqishëm, o Falës i Madh.
Afrim Smakaj