Vlera e 10 ditëshit të Dhul Hixhes – Shejh Fejsal ibn Xhemil Gazaui – 10.8.2018

Hytbeja e Mekës 28.Dhul ka’deh.1439 10.8.2018

Vlera e 10 ditëshit të Dhul Hixhes

Shejh Fejsal ibn Xhemil Gazaui

 

Falënderimet dhe lutjet shkojnë për Allahun, Një i vetëm dhe i pashoq, atë e falënderojmë prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë.

Kërkojmë prej Atij të na ruajë prej të këqijave të vetë veteve dhe veprave tona.

Atë kë e udhëzon Ai, nuk ka kush e devijon, dhe atë që Ai devijon, nuk ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, sikurse dëshmoj së Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, lutjet dhe përshëndetjet më të plota qofshin për të, familjen e tij dhe mbarë shokët e ndjekësit e tij!

Kijeni frikë Allahun, ashtu sikurse e meriton! Kapuni fort pas kësaj feje: “O Ju që keni besuar, frikësojuni Allahut, ashtu sikurse e meriton Ai, dhe mos vdisni vetëm se si besimtarë!”.

Allahu me urtësinë e Tij, ka zgjedhur që jeta e Umetit të Muhamedit në krahasim me jetën e Umeteve të tjera, është më e shkurtër.

Transmeton Tirmihiu dhe Ibn Maxheh nga Ebu Hurejra se Profeti a.s ka thënë: “Mosha e Umetit tim është midis 60-70 dhe të pakët janë ata që e kalojnë këtë”.

Po ashtu e përcjell dhe Ebu Ja’la në musnedin e tij nga Ebu Hurejre, se Profeti a.s ka thënë: “Mesatarja e moshës së Umetit do jetë mes 60-70”.

Edhe pse ky umet është me moshën më të shkurtër, por Zoti e ka nderuar duke i dhënë begati në veprat e tij, i ka ligjëruar vepra e adhurime me shpërblime të mëdha.

Nëse myslimani i shfrytëzon ashtu siç duhet këto vepra, korr sukses e shpërblime të mëdha për vepra të vogla, vepra që të krahasuara me shpërblimin e premtuar, do kërkonin kohë shumë herë më të madhe.

Nisur nga kjo, dalim në konkluzion se jeta e adhurimit, është më e gjatë nga jeta e tij reale.

Dhe meqë është si e tillë, njeriu duhet të shfrytëzojë sa më shumë kohën në vepra të mira, kjo vetëm e vetëm që të arrijë prodhim sa më të lartë.

Të nderuar besimtarë! Myslimani nuk kujdeset për kohën pse ajo është koha, por për të përfituar sa më shumë të mira, për të bërë vepra sa më të vyera, vepra që të lartësojnë në gradë të larta në xhenet.

Duhet të shfrytëzojë mbarë mundësitë që i ofrohen për të bërë vepra të mira dhe ta lusë Atë që të jetë prej atyre që bën mirë.

LEXO  Këshilla nga Haxhi i Lamtumirës -Meka 05.07.2019

Vlera e vërtetë është në të vepruarin mirë dhe jo në të jetuarin gjatë, sikurse na njofton Profeti a.s ku thotë: “Njeriu më i mirë është ai që jeton gjatë dhe vepron mirë”.

Argument dhe shembull konkret i faktit se Zoti ia ka kompensuar këtij umeti jetën e shkurtër, është se ka caktuar për to ditë dhe net të veçanta, kohë të shtrenjta, vende të begata dhe vepra të çmueshme, të cilat konsiderohen madhështore në mënyrën e të shpërblyerit.

Si Nata e Kadrit, 10 ditëshi i Dhul Hixhes, Haxhi i pranuar, agjërimi i ditës së Ashurasë, i ditës së Arafatit, namazi në Mekë, këndimi i Kuranit, namazi me xhemat, lidhjet farefisnore, etj. Vepra që përmenden në tekstet fetare.

Po ju sjell një shembull konkret, që tregon se si shumëfishohet shpërblimi i veprës së mirë: Qabja është xhamia ku namazi në të shpërblehet më shumë se në vende të tjera, sikurse transmeton Xhabir ibn Abdilah se Profeti a.s ka thënë: “Namazi në xhaminë time, shpërblehet me njëmijë-fish më shumë se në xhamitë e tjera, përveç Qabesë, sepse namazi në të shpërblehet me 100 mijë fish i namazit në xhamitë e tjera.

Disa dijetarë kanë bërë një llogaritje në lidhje me namazin në Qabe dhe kanë dalë në përfundim, se në bazë të shpërblimit i bie, sikur të jetë falur 55 vite, pesë muaj e 26 net, e të falësh pesë kohët në Qabe i takon 277 vite, nëntë muaj e dhjetë net dhe Zoti ia shton shpërblimin e Tij kujt të dojë, mirësia e Tij është e madhe.

Ajo që duhet të përmendet, është fakti se dijetarët kanë thënë se një shpërblim i tillë përfshin gjithë haremin dhe se e tërë Meka konsiderohet e Shenjtë.

Ndër mirësitë e Zotit për këtë umet, është dhe ligjërimi i një sezoni më të veçantë, ku garojnë garuesit, fitojnë vepruesit, në të mblidhen nderi i vendit dhe i kohës.

Kohët e veçanta janë muajt e shenjtë: Dhul Ka’deh, Dhul Hixheh, Muharremi dhe Rexhebi, ndërsa vendi i nderuar është Mekja, toka më e Shenjtë mbi faqe të dheut.

Ajo është synimi i çdo adhuruesi e përkujtuesi, Zoti e ka bërë të ndaluar që në të të derdhet gjaku, t’i bëhet padrejtësi dikujt, të gjuhet gjahu i saj, apo të priten pemët e saj.

Në këtë atmosferë të begatë, mbërrin dhe koha e kryerjes së Haxhit, të cilin shumë njerëz do e dëshironin me zemër, përmallohen gjatë përmendjes së tij, dridhen gjatë shikimit të saj dhe kjo nga respekti që kanë për Zotin dhe për shenjat që Ai ka vendosur.

LEXO  Fjalë të mira për të arritur vepra të mira

Karvanët e haxhilerëve, po vërshojnë mbi Mekë nga të gjitha drejtimet, duke iu përgjigjur thirrjes së Ibrahimit a.s të cilin e urdhëroi kur i tha: “Thirri njerëzit për haxhillëk, ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta” Haxh 27.

E mbyll fjalën time duke kërkuar faljen e Allahut, ju këshilloj t’i kërkoni falje Atij, vërtetë Ai është Falës dhe Mëshirues.

Falënderimet i takojnë Allahut i Cili u ligjëroi robërve të Tij sezonin e mirësive, në të cilin ua fal gjynahet dhe ua shton begatitë.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut i cili zbriti sheriatin dhe vendosi rregulla, sikurse dëshmojmë se Muhamedi është rob dhe i dërguari i tij, njeriu më i mirë që është falur e agjëruar, ka bërë tavaf e qëndruar në Arafat, paqja e Zoti qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij.

Të nderuar vëllezër! Ne jemi në prag të një sezoni madhështor, të disa ditëve të begata, pikërisht dhjetët ditët e para të Dhul Hixhes.

Këto ditë, janë ditët më të mira që ka krijuar Allahu i Madhëruar, sikurse na e ka përmendur dhe Profeti a.s.

Këto janë ditë shpëtimi dhe fitimi, ndaj ai që merr prej flladit të tyre lumturohet, sikurse është një mundësi e mirë shfrytëzimi dhe kompensimi i asaj që na ka shkuar.

Ky sezon mbledh haxhilerë dhe jo haxhilerë, prej nesh kërkohet shfrytëzimi i mirë e veçanërisht i këtyre dhjetë ditëve, për të cilat është betuar Allahu ku thotë: “Betohem për agimin dhe ato dhjetë netët (e Dhul Hixhes)” Fexhr 1-2.

Për vlerën e tyre, flet dhe Profeti a.s ku thotë:

-Nuk ka ditë ku puna është më e mirë se këto.

I thanë: -As lufta në rrugë të Allahut?

Ai tha: -As lufta në rrugë të Allahut, përveç njeriut i cili shkon të luftojë bashkë me pasurinë e tij dhe s’kthehet më.

Në një tjetër transmetim thuhet: “Nuk ka ditë më madhështore për Zotin, dhe as vepër më të dashur se në këto dhjetë ditë, ndaj shpeshtoni madhërimin, tekbirin dhe falënderimin e Allahut.”

I mençur është ai që përzgjedh veprat më të mira në këto ditë, dhe i punon për t’ju afruar Atij, sepse veprat e mira të gjitha janë të pëlqyeshme në këto dhjetë ditë.

LEXO  Gëzimi dhe lumturia - Meka 28.02.2020

Në këto ditë ka shumë vepra të ligjëruara si: përmendja e Tij në përgjithësi, këndimi i Kuranit, kërkimi faljes, agjërimi, lutja, lëmosha, respektimi i prindërve, lidhjet farefisnore, urdhërimi për mirë dhe ndalimi nga e keqja, pendimi, si dhe interesimi për veprat e zemrës, ndër to: sinqeriteti dhe vërtetësia, falja dhe tolerimi, flakja tutje e urrejtjes dhe inateve, si dhe çdo vepre të ligë të cilën nuk i pëlqen Madhërisë së Tij.

Të nderuar myslimanë! Nëse themi se garimi në të mira është e preferueshme vazhdimisht, dijeni se të garosh në vende të shenjta dhe në kohë të veçanta është edhe më me vlerë dhe më e shpërblyeshme.

Ndaj përvishuni këtyre flladeve hyjnore, shfrytëzojeni kohën në të mira se ndoshta rastis që të bëhesh pjesë e kësaj arome dhe lumturohesh përgjithmonë.

Dërgoni salavatë mbi atë që vetë Zoti urdhëroi që t’i dërgojmë salavate ku thotë: “Vërtetë Allahu e bekon të dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O ju besimtarë! Lutuni për të dhe përshëndeteni me selam” Ahzab 56.

Zot bekoje Muhamedin, gratë dhe pasardhësit e tij, ashtu sikurse e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij, begatoje Muhamedin, gratë dhe pasardhësit e tij, ashtu sikurse e begatove familjen e Ibrahimit, Ti je i Lavdëruari dhe i Lartësuari.

Ji i kënaqur o Zot prej kalifëve të përzgjedhur, për sahabët mbarë dhe mbi mbarë ata që i pasojnë ata!

Zot lartësoje Islamin dhe myslimanët, poshtëroje mohimin dhe mosbesimtarët, shtypi mbarë shtypësit dhe agresorët, shndërroje në të sigurt e të rehatshëm këtë vend dhe mbarë trevat Islame.

Zoti ynë! Sigurona në shtëpitë dhe vatanin tonë, drejtoji udhëheqësit dhe mbarë pushtetarët, udhëzoje prijësin tonë në më të mirën vepër e fjalë, si dhe në sjelljet më të mira!

Zoti ynë! Kushdo që planifikon të keqe për ne, myslimanët dhe Islamin, angazhoje me veten e tij ndërsa kurthet e tij bëji shkatërrim për të!

Zot ndihmoji vëllezërit tanë të shtypur dhe ata që luftojnë e qëndrojnë fort në fushëbeteja të ndryshme!

Ji Ndihmës dhe Mbrojtës i tyre, Zot ruaji haxhilerët dhe Umrexhijtë, ndihmoji në kryerjen e këtyre riteve, falua gjynahet, pranoja lutjet, pranoja Haxhin dhe përpjekjen e tyre!

Zot pajisna me devotshmëri dhe forcona në shfrytëzimin e këtyre dhjetë ditëve, në arritjen e shpërblimit të madh!

Zoti ynë! Jepna të mira në këtë botë, të mira në botën tjetër dhe mbrona nga ndëshkimi i zjarrit!

Meka / by

Post Author: admin