Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 26-12-1447 H 12-06-2026 D
Shejh Dr. Husejn Bin Abdulaziz Ali Shejh
Tema Emigrimi i Profetit: Mësime dhe Udhëzime
Lavdërimet janë për Zotin, Ai i Cili menaxhon muajt dhe vitet, kontrollon netët dhe ditët. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Zotëruesi i Madhërisë dhe i Nderit.
Dëshmoj se i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i dërguari mëshirë për njerëzimin. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjen dhe shokët e tij fisnik.
Në vijim
O ju adhurues të Zotit! Porosia e Zotit për të parët dhe të fundit është që t’i përmbahen devotshmërisë dhe të binden ndaj Sunduesit të tyre, Zotit. “Ne i kemi porositur ata që u është shpallur Libri para jush dhe juve: “Frikësojuni Allahut!” (En-Nisa’ 131)
Adhurues të Zotit! Ndërsa i afrohemi fillimit të një viti të ri Hixhri që përkujton migrimin e profetit të madh, Muhamed, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është detyrë e çdo muslimani të kujtojë historinë e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në mënyrë që jeta e tij të jetë e mirë dhe bota e përtejme, Ahireti, të jetë për të e bekuar dhe e lumtur. Duke përvetësuar shembullin e tij mënyrë jetese njeriu arrin sukses dhe duke ndjekur rrugën e tij muslimani arrin të përmirësohet. “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet!”(Al ‘Imran 31) Një nga aspektet më të mëdha të jetës së tij të këndshme, të mirë dhe të pastër është ngjarja e Hixhretit me vështirësitë, mundimet dhe sprovat e saj, ngjarje të cilën umeti Islam duhet ta marrë si dritë udhërrëfyese për jetën e tij në nivelin e individëve dhe shoqërive. Përmes kësaj qasjeje zbatohet fjala e Zotit, kuptohen sekretet dhe implikimet e tij, Kuranit. “Ndërsa ty (o Muhamed) të zbritëm Përkujtesën (Kuranin), me qëllim që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë!” (En-Nahl 44) Umeti Islam nuk do të arrijë rezultate efektive për zgjidhjen e problemeve të tij dhe daljen nga krizat dhe plagët e tij të dhimbshme përveçse nëpërmjet një leximi të vetëdijshëm të shpalljes së Zotit të tij dhe sunetit të profetit të tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, me një kuptim të saktë, analizë të thellë dhe të saktë, dhe një meditim të asaj që është vërtetuar në biografinë e tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.
Ngjarja fisnike e Hixhretit, emigrimit, mbart mësime të thella dhe njohuri ndriçuese, që përfshijnë ndjekjen dhe rritjen e përfitimeve, si dhe parandalimin dhe zvogëlimin e dëmeve, si në çështjet fetare ashtu edhe në ato të kësaj bote. Këto mësime nuk mund të eksplorohen plotësisht në këtë kontekst, por do të ndalemi për të reflektuar mbi këtë ngjarje të rëndësishme dhe bekim të madh që i është dhënë të gjithë njerëzimit.
Qëndrimi i parë: Jeta e profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në çdo moment kishte objektiva parësore dhe objektiva dytësore, ndihmëse. Qëllimi i saj madh dhe synimi suprem ishte të vendoste Njëshmërinë e Zotit të Lartësuar, në Zotërimin, Hyjninë, Emrat dhe Cilësitë e Tij. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, nuk pushoi kurrë, gjatë gjithë jetës së tij, duke përfshirë edhe migrimin e tij, të shpallte Njëshmërinë e Zotit dhe provat e tij, të luftonte politeizmin dhe manifestimet e tij. Ai nuk devijoi nga ky objektiv ndërsa ishte në rrugën e emigrimit, edhe atëherë kur armiku intensifikoi ndjekjen e tij. As nuk pushoi së foluri për të ndërsa kauza e tij ishte e shquar dhe e respektuar në Medine midis mbështetësve dhe ndihmësve të tij. Ai nuk e mbylli portën për ta diskutuar atë pas pushtimit të Mekës ndërsa ishte fitimtar, prandaj, monoteizmi dhe shqetësimi për të duhet të jenë përparësia e parë dhe e fundit në çdo epokë dhe në çdo vend. “Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Kështu jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij.”(El-En’am 162-163)
O adhurues të Zotit! Lavdëroni vetëm Zotin e Madhëruar me lavdërim dhe frikë të plotë, dhe distancohuni nga çdo gjë që bie ndesh me adhurimin ekskluziv të Zoti, tme nënshtrim, përulësi dhe dorëzim vetëm ndaj Tij. Shmangni çdo mendim që minon nënshtrimin e robit ndaj Zotit të tij. Ndërpritni të gjitha lidhjet e adhurimit me të gjithë krijimin. Kapuni fort pas lidhjes së plotë vetëm me Krijuesin e Plotfuqishëm, në duart e të Cilit është dëmi dhe dobia. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri. Për keqbërësit nuk ka ndihmës.”(El-Ma’ide 72) I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Kush vdes duke iu lutur dikujt tjetër përveç Zotit, do të hyjë në Zjarr, Xhehenem.” Muttefikun Alejhi.
Monoteizmi, Njësimi i Zotit, duhet të jetë qëllimi i muslimanit në të gjithë jetën e tij, monoteizëm me anë të të cilit ndërgjegjet, zemrat dhe gjuhët pastrohen nga lutjet ndaj dikujt tjetër përveç Zotit të Lartësuar, ritualet pastrohen nga drejtimi ndaj dikujt tjetër përveç Zotit, vendimet dhe ligjet pastrohen nga pranimi i diçka tjetër përveç ligjit të Zotit dhe sunetit të të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe pastrohen nga metodat intelektuale dhe termat logjikë. Sikurse, ato kuptohen me një kuptim të saktë ashtu siç i kuptuan shokët e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, Zoti qoftë i kënaqur me ata dhe paraardhësit e këtij umeti, Zoti i mëshiroftë të gjithë.
Qëndrimi i dytë: Biografia e profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është një histori e mrekullueshme profetike. Në varësi të pasimit të saj do të jetë dhe udhëzimi, siguria, përmirësimi dhe shpëtimi. Zoti ynë, i Lartësuari, e ka bërë lumturinë në të dy botët të kushtëzuar me ndjekjen e sunetit të tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe ka bërë mjerimin, frikën, devijimin, humbjen dhe braktisjen në të dy botët të kushtëzuar me devijimi nga udhëzimi i tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Zoti i Lartësuar ka thënë: “ E, nëse i bindeni atij, do të jeni në rrugën e drejtë, kurse i Dërguari është i detyruar vetëm që të përcjellë qartë (Mesazhin Hyjnor).” (En-Nur 54)
Dallimet dhe konfuzioni në fe nga i cili po vuan umeti sot, dhe sprovat e shumta, siç janë përçarja, fanatizmi dhe ndarja e pahijshme partiake, janë të gjitha për shkak të devijimit nga rruga e saktë e sunetit, të cilën e ndoqën shokët e të dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, dhe ata që i ndoqën ata në mirësi. Këto sprova janë për shkak të ndjekjes së dëshirave, risive, opinioneve të pahijshme, qasjeve dhe metodave teologjike, metodave intelektuale dhe shijeve preferenciale. “Le të frikësohen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, që të mos i arrijë ndonjë sprovë ose që të mos i godasë një dënim i dhembshëm.” (En-Nur 63)
O umet Islam dhe o dijetarë të umetit! Përmbajuni sunetit të Muhamedit të jeni të udhëzuar, të unifikoheni dhe të qëndroni të bashkuar. Ndiqni sunetin dhe mbrojeni atë. “O ju që keni besuar! Mos nxitoni para (urdhrit të) Allahut dhe të Dërguarit të Tij…” (El-Huxhurat 1) I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Ju porosis ta keni frikë Zotin dhe të dëgjoni e të bindeni edhe nëse mbi ju caktohet një rob. Sepse kushdo prej jush që do jetojë mjaftueshëm gjatë do të shikojë shumë mospajtime. Prandaj, përmbajuni sunetit tim dhe sunetit të kalifëve të udhëzuar drejt pas meje. Kapuni fort pas tij dhe mbajini fort. Kini kujdes nga gjërat e shpikura, sepse çdo çështje e shpikur është bidat dhe çdo bidat është devijim.” Hadithin e ka transmetuar Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe.
Zoti na bekoftë me atë që dëgjuam dhe na shtoftë udhëzimin dhe suksesin.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë Zotin e Vetëm.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjen dhe shokët e tij.
Në vijim
Kini frikë Zotin, që të keni sukses dhe të fitoni.
Nga mësimet e Hixhretit është se kush i frikësohet Zotit dhe përmbush bindjen e Tij, Zoti do të jetë me të me fitore, mbështetje, ruajtje, mbrojtje, sukses dhe udhëzim. “Nëse ju nuk e ndihmoni atë (Muhamedin a.s.), Allahu tashmë e ka ndihmuar ditën kur atë e dëbuan mohuesit vetë të dytin, kur ishin në shpellë e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit): “Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne!” Atëherë, Allahu zbriti qetësinë e Vet mbi të, e ndihmoi me një ushtri të padukshme (engjëjsh) dhe bëri që fjala e mosbesimtarëve të jetë më e poshtëruara, kurse Fjala e Allahut të jetë më e lartësuara. Vërtet, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.”(Et-Teube 40) Adhurues të Zotit! Disa që kanë shkruar për Hixhretin, emigrimin, kanë përfshirë shumë histori me zinxhirë transmetimi të dobët dhe të pabesueshëm. Prandaj, publiku i gjerë nuk duhet të mashtrohet nga këto rrëfime. Ne duhet të konsultohemi me librat e saktë të sunetit dhe të verifikojmë informacionin përpara se të publikojmë ndonjë rrëfim nga ngjarjet e Hixhretit të madh dhe jetës së bekuar të profetit. Ky verifikim është i lehtë dhe i drejtpërdrejtë, veçanërisht në kohën tonë, kur qasja në deklaratat e dijetarëve me reputacion në lidhje me atë që rrëfehet dhe përmendet është e lehtë. Allahu është Mbrojtësi i të drejtëve.
Nga veprat më të mëdha është praktika e vazhdueshme e dërgimit të lutjeve dhe përshëndetjeve mbi profetin fisnik. O Allah, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, profetin tonë Muhamed. O Zot, të lutemi që të jesh i kënaqur me Halifët e udhëzuar drejtë, me të gjithë sahabët dhe familjen e profetit.
O Zot, fali muslimanët dhe muslimanet, të gjallët dhe të vdekurit prej tyre.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
O Zot, ruaj muslimanët kudo që janë. O Zot, lehtëso shqetësimet dhe çështjet e tyre. O Zot, poshtëro armiqtë e tyre.
O Zot, jepi sukses kujdestarit të çështjeve tona dhe zëvendësin e tij drejt asaj që Ti do dhe me të cilën je i kënaqur, o Zot i botëve. O Zot, ji ndihmësi dhe mbështetësi i tyre. O Zot, jepu sukses të gjithë kujdestarët e çështjeve të muslimanë në atë që është më e mira për popullin e tyre.
O Zot, na beko në atë që kemi dëgjuar, na bëj nga robërit e Tu të drejtë dhe të devotshëm.
Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dërguarin tonë, Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij.
Afrim Smakaj