Fuqia: Kuptimi, shfaqjet dhe përbërësit e saj

Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar    08-08-1446 H    07-02-2025 D

Shejh Fejsal Gazaui     

Tema   Fuqia: Kuptimi, shfaqjet dhe përbërësit e saj

Me të vërtetë lavdërimet janë për Zotin. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Zoti  s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se Muhamedi  është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, për ata dërgojmë shumë lutje dhe përshëndetje.

“ O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al Imran 102)

Në vijim

Nga ajo që është vendosur, e sigurtë,  në akiden, besimin e çdo besimtari është se të gjitha gjërat janë nën kontrollin, dominimin dhe autoritetin e Zotit, siç Allahu i Madhërishëm dhe i Lartësuar na ka informuar në deklaratën e Tij të qartë, në Kuran: “…se e tërë fuqia i përket Allahut…” (El-Bekare 165) Të gjitha llojet e fuqive janë të fiksuara dhe të qëndrueshme për Atë, Allahun e Lartësuar,  dhe Ai është i Vetmi që posedon të gjitha fuqitë.  Prandaj, zemra e besimtarit duhet të jetë e lidhur me të Fortin dhe të Fuqishmin. Forca e Tij është mbi çdo forcë dhe fuqia  e Tij mposht çdo fuqi. “Me të vërtetë, Zoti yt është i Forti dhe i Plotfuqishmi.” (Hud 66) Besimtari është i sigurt se Zotin e Madhërishëm dhe të Lartësuar nuk e kufizon në aftësi asgjë, nuk mund ta mundë Atë asgjë, dhe asgjë nuk i fshihet Atij, Ai është i fuqishëm për të bërë çdo gjë, Z Zotërues, Kontrollues dhe Njohës i çdo gjëje, Ai që bën çfarë të dojë dhe sundon si të dojë.

Adhurues të Zotit! Nga kuptimi i fuqisë është se administrimi i gjithë kësaj gjithësie është në dorën e Tij, Allahut të Lartësuar, dhe se çdo gjë tjetër përveç Tij nuk posedon për vete as fuqi dhe as forcë, nuk posedon as dobi e as dëm, as vdekje, as jetë dhe as ringjallje, e si mund ti zotërojë këto për dikë tjetër?

Nga kuptimi i fuqisë është se kushdo nga krijesat që u kënaq, mrekullua nga fuqia e tij, duke e konsideruar atë të madhe dhe u mbështet në të, humbi dhe u shkatërrua. Ibn Kethiri, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: Zoti i Madhërishëm ka thënë: “Sa i përket fisit Ad, ata u treguan arrogantë në Tokë dhe, pa kurrfarë të drejte…” (Fussilet 15) Do me thënë: ata u rebeluan, shtypën dhe nuk u bindën. “…thoshin: “Kush është më i fortë se ne?”(Fussilet 15) Do me thënë: ata besonin në forcën fizike dhe fuqitë e tyre dhe besonin se do të mbroheshin me to nga zemërimi i Zotit. “Vallë, a nuk e dinin ata se Allahu që i kishte krijuar, është më i fuqishëm se ata?!” (Fussilet 15) Do me thënë: A nuk mendojnë për Atë  me të cilin  përballen me armiqësi? Ai është i Madhi që krijoi gjërat dhe vendosi në to fuqitë që ato bartin, kështu që ata e përballën të Plotfuqishmin me armiqësi, mohuan, injoruan argumentet e Tij dhe nuk iu bindën të dërguarit të Tij. Për këtë Allahu ka thënë: “Dhe, Ne u dërguam atyre në ditët e fatkeqësisë erë të acartë…” (Fussilet 16)

O ju vëllezër! Njeriu është i dobët në të gjitha aspektet dhe në të gjitha çështjet e tij. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ …pasi njeriu është krijuar si një qenie e pafuqishme.”(En-Nisa’28) Ibn Kajjimi, Zoti e mëshiroftë, pasi që ka përmendur thëniet që kanë ardhur për kuptimin e ajetit, ka thënë: “ E sakta është se dobësia e njeriut përfshinë të gjitha këto, e dobësia e tij është më e madhe se këto dhe më shumë. Sepse ai është i dobët në trup, i dobët në fuqi, i dobët në vullnet, i dobët në dije, i dobët në durim. Ndërsa fatkeqësitë që e godasin atë me këtë dobësi janë më të shpejta se përroi në një rrebesh shiu në një  shpat mali.  Sipas nevojës, ai duhet të ketë një ruajtës dhe mbrojtës të veçantë që ta forcojë, ta mbështesë, ta ndihmojë dhe ta përkrahi atë. E  nëse ky Ndihmës i veçantë, specifik e braktisën, atëherë shkatërrimi është më afër tij se sa vetja, shpirti i tij.”

Adhurues të Zotit! Si mundet që njeiu i dobët të mashtrohet nga forca dhe fuqia e tij?! Ai harron si ishte gjendja e tij dhe se çfarë do të bëhet me të. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Allahu është Ai që ju ka krijuar të dobët, pastaj, pas dobësisë, ju ka bërë të fuqishëm e, pas fuqisë, ju  bën sërish të dobët dhe të thinjur. Ai krijon çfarë të dojë; Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Fuqishëm për çdo gjë.” (Er-Rum 54) Sa’diju, Zoti e mëshiroftë ka thënë: “ Nga urtësia e Tij është se Ai i mundëson robit të shikojë dobësinë e tij,  se fuqia e tij është e rrethuar nga dy dobësi, dhe se ai nuk ka asgjë nga vetja e tij përveç mangësive. E po të mos ishte forcimi i tij nga Zoti, ai nuk do të kishte arritur forcën dhe fuqinë, dhe nëse fuqia e tij vazhdonte të shtohej, ai do të shkelte, do të shtypte dhe do të rebelohej. Andaj, le ta dinë njerëzit përsosmërinë e fuqisë së Zotit, e cila vazhdon të ekzistojë, me të cilën Ai krijon gjërat, menaxhon me të punët, dhe që nuk i nënshtrohet në asnjë mënyrë lodhjes, dobësisë apo mangësisë.”

LEXO  Rreth ditës së ringjalljes - Meka   20.12.2019

O ju vëllezër! Ajo që e pengon njeriun të mos habitet, mrekullohet nga fuqia e tij është të dijë se ajo është një bekim, mirësi nga Zoti për të, amanet me të për të përmbushur të drejtën e saj, dhe se të mrekulluarit me të, fuqinë është mosmirënjohje për bekimin, mirësinë e saj. Kështu që kur profeti i Zotit, Sulejmani, paqja e Zotit qoftë mbi të, mundi të sillte arshin, fronin e Belkises, në periudhën sa çel e mbyll sytë, ka thënë: “ Kjo është nga dhuntitë e Zotit tim, për të më provuar a jam mirënjohës apo mohues.” (En-Neml 40) Domethënë: Për të më sprovuar, a do ta falënderoj Atë për këtë dhe të pranoj se është nga mirësia e Tij, pa asnjë fuqi apo forcë nga unë, apo do të mohoj duke mos qenë mosmirënjohës, duke mos e falënderuar Atë dhe duke mos e bërë këtë. Besimtari e merr forcën dhe vendosmërinë e tij nga Zoti i tij, Allahu i Madhërishëm, heqën dorë, mohon fuqinë dhe forcën e tij, e di se nuk ka forcë apo fuqi të tij përveç Zotit dhe nuk mund të bëjë asgjë përveçse me mbështetjen e Tij, Allahut të Madhërishëm. Këtë e pranojnë ata që janë të përulur ndaj Zotit, siç ka thënë profeti i Zotit, Shuajbi, paqja qoftë mbi të: “Ndërsa suksesi im varet vetëm nga Allahu.” (Hud 88) Do të thotë; Suksesi im në arritjen e së vërtetës dhe rrugës së drejtë është vetëm nëpërmjet udhëzimit dhe ndihmës së Zotit, jo nëpërmjet fuqisë apo forcës sime.

Nga gjërat që sjellin përsosmërinë e forcës së njeriut janë kërkimi i faljes dhe pendimi. Allahu i Madhërishëm duke transmetuar fjalët e Hudit, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “O populli im! Kërkoni falje nga Zoti juaj dhe kthehuni tek Ai të penduar, se Ai do t’ju sjellë shi të begatshëm dhe do t’ju shtojë fuqi mbi fuqinë tuaj. Mos u shmangni prej Atij duke qenë keqbërës!” (Hud 52)

Adhurues të Zotit! Përkujtimi i Zotit forcon zemrën dhe trupin, pasi që ai, përkujtimi i Zotit, rritën qëndrueshmërinë e shpirtit, qetësinë e zemrës, qetësia e njeriut dhe forcon trupin.  I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka këshilluar të bijën e tij Fatimen dhe burrin e saj Aliun, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, që të Lavdërojnë Zotin para gjumit të tyre tridhjetë e tre herë, të Falënderojnë Zotit tridhjetë e tre herë dhe të Madhërojnë Zotin tridhjetë e katër herë, dhe i lajmëroi ata se kjo gjë është më e mirë për ata të dy se një rob. Aliu, Zoti qoftë mbi të, ka thënë: “ Nuk e kam lënë këtë vepër që kur e kam dëgjuar atë prej të dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të.” I kanë thënë: “ As në natën para betejës, luftës?” Ai ka thënë: “ As në natën para betejës, luftë.” Në këtë hadith tregohet se përmendja e Zotit forcon trupin dhe për shkak të këtij përkujtimi njeriu fiton fuqi. Shejhul Islami, Ibn Tejmije, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Atij që është mësuar, e ka bërë traditë, të madhërojë Zotin para gjumit, do t’i jepet energji dhe fuqi për të përmbushur nevojat e tij dhe forcë në adhurimin e Tij.”

Adhurues të Zotit! Besimtari e merr fuqinë dhe forcën e tij nga më i Larti dhe më i Madhi. Nëse zemra e tij mbështetet në shkaqe Zoti do të ua besojë atë, njeriun, atyre, shkaqeve, e nëse ai beson tek Zoti i shkaqeve dhe i mbështetet Atij, Ai nuk do ta zhgënjejë atë asnjë herë. Kjo është ajo që Abdullah Ibn Ravaha, Zoti qoftë i kënaqur me të, u kujtoi shokëve të tij kur tha: “ Pasha Zotin, ne nuk i luftojmë njerëzit me numra, me masa ose me shuma, përveçse i luftojmë vetëm me këtë fe me të cilën na ka nderuar Zoti.”  Besimtarët nuk mbështeten në fuqinë e tyre, sado e madhe që të jetë ajo, as nuk mashtrohen nga numri dhe pajisjet e tyre, as nuk mbështeten në to.  Megjithëse janë të urdhëruar të marrin në konsiderat shkaqet dhe mjetet e forcës morale dhe materiale dhe të mos qëndrojnë të dobët. Sikurse Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Përgatisni kundër tyre kuaj dhe forcë për luftë sa të mundni…” (El-Enfal 60)

LEXO  Përfitoni nga muaji Shaban dhe përgatituni për Ramazan

Sa herë që dikush mashtrohet nga forca dhe numri, kjo nuk do ta ndihmojë aspak, siç u ndodhi shokëve të profetit, Allahu qoftë i kënaqur me ta, në betejën e Hunejnit,  pasi u tha: “Ne sot nuk do të mundemi për shkak të numrit të pakët, nga se ishin shumë.”   Kështu që ndodhi humbja në fillim e më pas kur u tërhoqën, ata fituan.

O adhurues të Zotit! Nga kuptimi i fuqisë është se fitorja dhe triumfi janë të lidhura me ekuilibrin e zemrave, jo me ekuilibrin e fuqisë. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Ne do të mbjellim frikë në zemrat e jobesimtarëve…” (Al ‘Imran 151) Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ …dhe për t’i forcuar zemrat tuaja dhe këmbët.” (El-Enfal 11)  Sikurse forca dhe qëndrueshmëria e umetit Islam bazohet në unitetin e tij dhe bashkimin e fjalës së tij, dhe se përçarja dhe shpërndarja janë ndër shkaqet e dështimit,  humbjes së prestigjit dhe epërsisë, sikurse Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ …dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do të humbni guximin e do t’ju lërë fuqia.” (El-Enfal 46)

O ju vëllezër! Nga kuptimi i fuqisë është dhe ajo që përfitojmë nga thënia e të dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ku thotë: “ Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu se besimtari i dobët, dhe në secilin prej tyre ka të mira.” I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka preferuar  më shumë besimtarin e fortë nga besimtari i dobët, pavarësisht mirësive tek të dy ata. Kjo sepse një besimtar i fortë është më i dobishëm dhe ka ndikim më të madh, nga se ai prodhon dhe punon në një mënyrë që i sjell dobi vetes, plotëson interesat e muslimanëve, u sjell atyre të mira dhe fitore ndaj armiqve, duke mbrojtur fenë dhe duke mposhtur gënjeshtrën dhe njerëzit e saj. Në këtë mënyrë përfitohet nga forca e tij fizike, forca e tij e besimit dhe forca e tij praktike.

Ajo që duhet ditur se forca fizike nuk është as e lavdërueshme dhe as e qortueshme në vetvete, por nëse njeriu e përdor këtë fuqi në një mënyrë që i sjell dobi në këtë botë dhe në Ahiret, botën Tjetër, si dhe në vepra, punë dhe në bindje, adhurime që Zoti i do dhe është i kënaqur me të, ajo fuqi bëhen, vlerësohet të lavdërueshme. Nëse njeriu e përdor këtë fuqi në kundërshtim të Zotit, të tilla si rrahja e njerëzve dhe dëmtimi i tyre, kjo forcë dhe fuqi kthehet, vlerësohet e dënueshme.

Nga kuptimi i fuqisë është ajo që ka përmendur i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, me fjalën e tij ku thotë: “I fortë nuk është ai që i mund njerëzit me fuqinë e tij, por ai që e përmban, kontrollon veten duke qenë i zemëruar.”  Vërtetë person i fortë dhe i fuqishëm është ai që lufton me veten dhe e nënshtron, kontrollon atë kur e pushton zemërimi, sepse kjo tregon fuqinë e tij mbi veten dhe fitoren e tij ndaj shejtanit.

Nga kuptimi i fuqisë gjithashtu është se fuqia nuk është gjithmonë në atë që themi dhe bëjmë, por ndonjëherë është në atë që ne heshtim dhe në atë që ne lëmë jashtë vullnetit tonë dhe në atë që neglizhojmë dhe në atë që tregohemi të pavëmendshëm ndaj saj.

O ju musliman! Sa shumë ka nevojë njeriu për forcë dhe vendosmëri, në mënyrë që të marrë të vërtetën seriozisht dhe me zell, siç e ka thënë Zoti i Madhërishëm:  “Merreni seriozisht atë që ju dhamë…” (El-Bekare 63) Sikurse  Zoti i Madhërishëm, duke informuar për vlerat e robërve të Tij, të dërguarve dhe profetëve të Tij adhurues, ka thënë: “Kujto robërit Tanë: Ibrahimin, Is’hakun dhe Jakubin, të fortë (në besim) dhe largpamës.” (Sad 45) Ata ishin njerëz të fortë në fenë e Zotit dhe njohës në fenë e Tij.

Adhurues të Zotit! Vërtetë ka arsye dhe faktorë që të gjitha të marra së bashku çojnë në formimin e komponentëve të fuqisë së muslimane. Këtu përfshihen: Të kapurit pas librit të Zotit, Kuranit, dhe sunetit të profetit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, të punuarit sipas sheriatit, ligjit të drejtë të Zotit në të gjitha aspektet e jetës, braktisja e të kotës,  refuzimi i risive dhe devijimeve,   rikujtimi i historisë Islame për të rikujtuar përmes saj historinë e lavdishme të umetit dhe të kaluarën e tij të ndritshme, e cila stimulon, nxitën shpirtrat, frymëzon vendosmërinë dhe thërret për optimizëm. Për shkak se fuqizimi është për këtë fe dhe fitorja është aleati i besimtarëve. Kështu që ata ndjejnë përgjegjësinë që u është besuar, përpiqen të reformojnë, përmirësojnë shoqëritë e tyre dhe kërkojnë atë që është më e mira dhe më e përshtatshme në çdo gjë që sjellin  dhe çdo gjë që bëjnë; “O besimtarë! Përkuluni dhe përuluni në sexhde (para Allahut)! Adhuroni Zotin tuaj dhe bëni vepra të mira për të arritur shpëtimin!” (El-Haxhxh 77)

LEXO  Mirësitë e shumta të Zotit, roli i muslimanëve ndaj tyre

Zotit i kërkoj falje për vete dhe për ju!

Hutbeja e dytë

Lavdërimi i takon Zotit, Zotëruesit të Fuqisë dhe Madhështisë, Atë, Allahun e Madhërishëm,  e lavdëroj dhe  e falënderoj, tek Ai pendohem dhe kërkoj falje.  

Dëshmoj se s’ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, i Gjalli i Përhershëm i Cili nuk des kurrë.

Dëshmoj se Muhamedi  është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, për ata dërgojmë shumë përshëndetje dhe selame.

Në vijim

O adhurues të Zotit! Fuqia ka shumë manifestime, shfaqje në jetën e muslimanit, prej tyre: Fuqia e besimit, fuqia e përvetësimit të tij, fuqia e bindjes të saktë dhe e metodës së shëndoshë, fuqia e qëndrueshmërisë në fe, respektimi i së vërtetës, fuqia e mprehtësisë që buron nga njohuritë, dituritë e dobishme, fuqia e adhurimit, bindjes dhe garës për të bërë vepra të mira, fuqia e durimit përballë fateve dhe fatkeqësive të dhimbshme, durimi i vështirësive për hir të Zotit, fuqia e vendosmërisë dhe vullnetit, fuqia për t’u larguar nga dëshirat dhe për të frenuar shpirtin, fuqia e mendimit dhe vendosja e gjërave në vendin e duhur, fuqia për të kryer detyrat dhe për të ruajtur amanetet, fuqia për të thirrur në rrugë të Zotin, për të dhënë këshilla, për të urdhëruar në të mirë dhe për të ndaluar nga e keqja.

Adhurues të Zotit! Sa i madh është bekimi i Zotit për atë që e shpenzon mundin dhe energjinë e tij në mënyrë të ligjshme, i jepet kënaqësia e gjymtyrëve, organeve dhe fuqisë  së tij për gjatë gjithë jetës së tij në këtë botë, dhe përfiton nga fuqia dhe energjia e tij para dobësisë dhe paaftësisë së tij. Ka qenë një nga dijetarë që kanë mbushur njëqind vite dhe ishte ende në gjendje të mirë shëndetësore dhe mendore, e kur është pyetur për këtë ai ka thënë: “Këto janë gjymtyrët që i ruajtëm nga gjynahet kur ishim të rinj, kështu që Zoti i ruajti për ne kur ishim të moshuar.”

Adhurues të Zotit! Ne jemi në muajin e Shabanit i cili është sy hyrje në Ramazan. Është vërtetuar se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, e ka shtuar agjërimin në këtë muaj. Ibn Rexhepi, Zoti e mëshiroftë, në kontekstin e shpjegimit të urtësisë së agjërimit në Shaban, ka thënë: “ Agjërimi i tij është si stërvitje për agjërimin e Ramazanit, në mënyrë që të mos hyjmë në agjërimin e Ramazanit me vështirësi dhe me mund, përkundrazi, të jemi të stërvitur me agjërim dhe të jemi mësuar me të.  Sikurse në agjërimin e Shabanit para tij, Ramazanit kemi gjetur ëmbëlsinë dhe kënaqësinë e agjërimit.  Kështu besimtari hynë në agjërimin e Ramazanit me forcë dhe energji. E duke qenë se Shabani është si hyrje në Ramazan është legjitimuar në të ajo çfarë është legjitimuar, urdhëruar në Ramazan, prej agjërimit dhe leximit të Kuranit,  për t’u përgatitur për Ramazanin dhe për t’i stërvitur shpirtrat në bindjen ndaj të Gjithëmëshirshmit.”

Zoti ju mëshiroftë! Lutuni dhe përshëndeteni zotërinë e të parëve dhe të fundit, udhëheqësin e të dërguarve, siç ju ka urdhëruar për këtë Zoti i botëve: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd,  Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro idhujtarinë dhe idhujtarët. O Zot, ndihmo ata që janë të dobët, ata që luftojnë në rrugën Tënde, ata që janë të lidhur fort, me vendet e shenjta, dhe  mbrojtësit e kufinjëve. Bëje vendin tonë të paqtë, të siguritë dhe të begatë dhe të gjitha vendet  muslimanëve.

O Zot, na jep siguri në vendin dhe shtëpinë tonë, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona.

O Zot, jepi sukses kujdestarit të çështjeve tona në atë që Do dhe je i Kënaqur, nga fjalët dhe veprat, o i Gjallë, o i Përhershëm.

O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij në udhëzimin Tënd dhe në devotshmërinë ndaj Teje. O Zot, të lutemi për ndihmë, fitore dhe qëndresë për vëllezërit tanë muslimanë në çdo vend, o Zoti i botëve. O Zot, jepu atyre  fitore të madhe dhe të fuqishme, të shpejt dhe jo të vonë. O Zot, jepu atyre fitore, bëji ata të palëkundur dhe forco zemrat e tyre. O Zot, mëshiro dobësinë e tyre, shëro plagët e tyre, largo shqetësmiet dhe ankthet e tyre. O Zot, shëro të sëmurët e tyre, shpëto të sprovuarit prej tyre, ndalo gjakderdhjen e tyre dhe mëshiro të vdekurit e tyre. O Zot, mbulo të metat e tyre dhe mbroji ata nga të frikshmet e tyre. O Zot, të lutemi të jesh me ata dhe jo kundër tyre, ndihmoi ata kundër atyre që i kanë sulmuar, hakmerru kundër armikut Tënd dhe armikut të tyre, dhe shto kontrollin ndaj tyre, o i Forti, o i Plotfuqishmi.

O Zot, na furnizo me dashurin Tënde dhe dashurin e atyre që të duan Ty. O Zot, çdo gjë që na ke dhënë nga ajo që duam, na bëje forcë në atë që Ti do. O Zot, çdo gjë që na ke dhuruar nga ajo që duam, na mundëso për të bërë atë që Ti do.

O Zot, na jep kënaqësi me dëgjimin, shikimin dhe forcën tonë sa të jemi gjallë, dhe bëje atë trashëgimtarit tonë. 

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/1629313617715996

Post Author: endrit