Hutbe e ditës së xhuma nga Meka e bekuar 29- 12-1445 H 05-07-2024 D
Shejh Mahir El Muajkili
Tema Gjuha…shkaku i fitimit të kënaqësisë ose i humbjes
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili na ka bekuar me mirësinë e besimit dhe ka zbritur Kurani, udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Allahun e Madhërishëm e lavdëroj dhe e falënderoj, tek Ai pendohem dhe kërkoj falje. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe bashkëshortet e tij, dhe mbi të gjithë shokët e tij dhe ata që i pasojnë në vepra të mira.
Në vijim
O besimtarë! Porosis veten dhe ju që të kemi frikë Allahun, të meditojmë në ajetet e Librit të Tij, Kuranit, dhe të pasojmë udhëzimin e të dërguarit të Tij. “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”(El-Ahzab70-71)
Popull muslimanë! Vërtetë fjala e njeriut është nga veprat e tij për të cilat do të merret në llogari. Nëse do të jetë e mirë do të shpërblehet me të mirë, e nëse është e keqe, me të keqe do të ndëshkohet. Fjala ka rëndësi të madhe, me anë të saj njeriu hynë në Islam, me të bën dallimin mes të lejuarës dhe të ndaluarës, dhe me të njeriu ngrihet në gradët më të larta, ose zbret në gradët më të ulëta. Në Sahihun e Buhariut ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Vërtetë njeriu mund të flasë një fjalë me të cilën është i kënaqur Zoti, dhe nuk i kushton asaj vëmendje, e me atë Zoti e ngrenë në gradë të larta. Sikurse njeriu mund të flasë një fjalë me të cilën Allahu është i hidhëruar, dhe nuk kushton asaj vëmendje, por Allahu për shkak të saj e dërgon atë në Xhehenem.”
Allahu i Madhërishëm e ka bërë të qartë vlerën e fjalës së mirë dhe ka thënë: “ Tek Ai ngjiten fjalët e bukura…” (El-Fatir 10) E tek Allahu i Madhërishëm nuk ngjitet vetëm se ajo që Ai do dhe është i kënaqur me të, e për këtë kanë ardhur tekset nga Libri, Kurani dhe syneti i të dërguarit të Zotit duke e nxitur besimtarin që të bëj kujdes me atë me të cilën flet. “ Kush beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit le të flasë fjalë të mira ose le të heshtë.”
O adhurues të Zotit! Kërkoni kënaqësinë e Zotit me fjalët tuaja. Përmes fjalës së mirë njeriu largohet nga zjarri i Xhehenemit dhe fiton Xhenetin. “ … kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.” (Al ‘Imran 185)
Tek dy Sahihët, Buhariu dhe Muslimi, ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Nuk ka asnjë prej jush të cilit nuk do t’i flasë Zoti i tij, dhe se në mes të robit dhe Zotit nuk do të ketë përkthyes. Njeriu do të shikojë në të djathtën e tij dhe nuk ka për të parë vetëm se atë që ka vepruar. Do të shikojë në të majtë të tij dhe nuk ka për të parë vetëm se veprat që ai ka bërë. Do të shikojë para duarve të tij dhe nuk do të shikojë vetëm se zjarrin përballë fytyrës së tij. Frikësojuni zjarrit të Xhehenemit qoftë dhe me një gjysëm hurme, e ai që nuk ka, hurmë për të dhënë sadaka, me një fjalë të mirë.”
Vëllezër të besimit! Vërtetë të frenuarit e gjuhës nga të ndaluarat është rrugë që të shpie drejtë paqes, sigurisë, drejtë kënaqësisë së Allahut të Madhërishëm dhe Xhenetit. Në Synenin e Tirmidhiut ka ardhur se Muadhi, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “ O i dërguari i Allahut, më trego për një punë, vepër që më shpie në Xhenet dhe më largon nga zjarri i Xhehenemit?” I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, i ka përmendur atij portat e të mirave, pastaj ka thënë: “ A do të tregon për brumosjen, kryesoren e gjithë kësaj?” Kam thënë: “ Me pa tjetër, o i dërguari i Allahut!” “ Ai, i dërguari, ka kapur gjuhën e tij, dhe ka thënë: “Përmbaje këtë, përmbaje këtë, kontrollo gjuhën.” Kam thënë: “ O i dërguari i Allahut, a do të merremi në përgjegjësi, llogari dhe për atë që flasim?” Ka thënë: “ Mbettë nëna pa ty o Muadh, a mos do të hidhen njerëzit në zjarr për shkak të fytyrave të tyre, apo për shkak të hundëve të tyre, përveçse për shkak të gjyhëve të tyre, fjalëve të tyre.”
Sa nga njerëzit flasin fjalë pa u menduar apo pa e menduar fjalën dhe ajo fjalë është bërë sebep, shkak për humbje dhe shkatërrim, e për shkak të saj ka përfunduar në zjarr të Xhehenemit, thellësia e të cilit është më larg se distanca në mes lindjes dhe perëndimit. I zgjuari dhe i mençuri është ai që i vendosën kontroll gjuhës së tij, rojë që e ndalon atë nga dëshmia e rreme, thashethemi, nga shpifja dhe përgojimi, gënjeshtra dhe përbuzja, nga tallja dhe përqeshja. Në betejën e Tebukut dolën disa njerëz me të dërguarin e Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, dhe folën me fjalë që u kishin rrëshqitur nga gjuhët e tyre, e tepruan. Dhe kanë thënë: “ Nuk kemi parë askënd sikur këta lexuesit tonë, që nuk kanë më dëshirë që të fshihen, që nuk gënjejnë me fjalë dhe që nuk frikësohen kur takohen, me armikun.” Ata kanë për qëllim të dërguarin e Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, dhe shokët e tij. Ka ardhur shpallja nga qielli me lajmin e këtyre fjalëve të këqija ku Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Nëse i pyet, ata do të të përgjigjen: “Ne vetëm po bënim shaka dhe po luanim”. Thuaj: “A mos vallë me Allahun, me Shpalljet dhe me të Dërguarin e Tij po talleshit?” Mos u shfajësoni! Ju e mohuat fenë, pasi patët besuar…” (Et-Teube 65-66) Atëherë ata njerëz erdhën për të kërkuar falje dhe thanë: “ O i dërguari i Allahut, ato janë vetëm fjalë me të cilat çlirohemi nga shqetësimet dhe vështirësitë e rrugëve, udhëtimit.” I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, nuk u kushton vëmendje atyre, nuk i shikon, dhe nuk u shton asgjë, përveçse thotë: “ A mos vallë me Allahun, me Shpalljet dhe me të Dërguarin e Tij po talleshit?” Mos u shfajësoni! Ju e mohuat fenë, pasi patët besuar…” (Et-Teube 65-66)
Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “ Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli? Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin. Fjala e keqe është si pema e keqe me rrënjë të shkulura, e paqëndrueshme për ekzistencë. Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje; Allahu bën ç’të dojë.” (Ibrahim 24-27)
Zoti na begatoftë me Kuranin Famëlartë dhe në synet, dhe na bëftë dobi të gjithëve nga argumentat dhe urtësitë e tyre.
Zotit i kërkoj falje për vete dhe ju nga çdo gjynah dhe gabim, tek Zoti kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i Madh.
Hutbeja e dytë
Lavdërimet janë për Zotin. Lavdërimet janë për Zotin e botëve. Lutjet dhe përshëndetjet janë për të dërguarin e nderuar, Muhamedin të birin e Abdullahut, të dërguarin besnik. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen, shokët e tij dhe tabiinët, dhe mbi ata që i pasojnë në vepra të mira deri në ditën e Kijametit.
Në vijim
O besimtarë! Vërtetë çdo fjalë që thotë njeriu është e shkruar mbi të dhe gjuha e tij në Ditën e Kijametit ose do të dëshmojë për të ose kundër tij. “Atë Ditë që do të dëshmojnë kundër tyre gjuhët, duart dhe këmbët e tyre për çfarë kanë bërë.” (En-Nur 24) Duke qenë se gjuha është në këtë pozitë, status, mbyllja, kontrolli i saj konsiderohet një nga arsyet e shpëtimit në Ditën e Kijametit. Në Synenin e Tirmidhiut ka ardhur se Ukbetu Ibn Amir, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “ O i dërguari i Allahut, çfarë apo kush është shpëtimi?” Ka thënë: “ Mbajë, kontrollo gjuhën tënde.” I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, na ka ftuar në pastërtinë e gjuhës, dhe që t’u shmangemi sharjeve dhe mallkimeve. Më i miri prej muslimanëve është ai nga i cili janë të qetë muslimanët prej gjuhës dhe dorës së tij. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka garantuar Xhenetin për ata që ruajnë gjuhën e tyre dhe organet e tyre gjenitale. Por se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka përsëritur se fjala e mirë është sadaka, lëmoshë. E nga fjalët e mira është përkujtimi i Zotit të njerëzve. Falënderimi i Zotit mbushën peshoren, Madhërimi i Allahut dhe lavdërimi i Allahut mbushin apo barazojnë atë që është në mes qiejve dhe tokës. Tek dy Sahihët, Buhari dhe Muslimi, ka ardhur se i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Dy fjalë që janë të lehta për gjuhën, janë të rënda, peshojnë shumë në peshore, janë të dashura tek i Gjithëmëshirshmi, Subhan Allahi Ve Bi Hamdihi, Madhërimi dhe lavdërimi është për Allahun, Subhan Allahil Adhim, Madhërimi është për Allahun e Lartësuar.” Ibn Kajjimi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Vërtetë njeriu do të vij në Ditën e Gjykimit me vepra të mira të shumta si shembulli i maleve, por shikon se gjuha e tij i shkatërron të gjitha ato. Sikurse vjen me vepra të këqija të shumta si shembulli i maleve dhe shikon se gjuha e tij i shkatërron ato nga përmendja e shtuar e Allahut dhe çfarë është e lidhur me të.”
Lutuni dhe përshëndeteni të dashurin e përzgjedhur dhe të dërguarin e dalluar, Allahu ju ka urdhëruar për këtë ku Zoti i Madhërishëm dhe i Lartësuar ka thënë: “ Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El-Ahzab 56)
O Zot, fale dhe mëshiroje Muhamedin, bashkëshortet dhe pasardhësit e tij, siç e mëshirove familjen e Ibrahimit.
O Zot, bekoje Muhamedin, bashkëshortet dhe pasardhësit e tij, siç e bekove familjen e Ibrahimit, me të vërtetë Ti je i Lavdishëm dhe i Madhërishëm.
O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me Halifet e parë të drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me të gjithë shokët e tij, me tabiinët, me të gjithë ata që i pasojnë me mirësi deri në ditën e Fundit, dhe me ne së bashku me ata, me Faljen, Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët. O Zot, jepi këtij vendi dhe të gjitha vendeve muslimanëve paqe dhe siguri, begati dhe mirësi.
O Zot, na jep siguri në vendit tonë, përmirëso udhëheqësit dhe kujdestarët e çështjeve tona, mbështete me të vërtetën udhëheqësin dhe kujdestarin e çështjeve tona.
O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta dhe zëvendësit të tij besnik, në atë që është lavdia e Islamit dhe përmirësimi i muslimanëve, në atë që është e mirë për popullin dhe vendin, dhe të gjithë kujdestarët e çështjeve të muslimanëve.
O Zot, ruaj tek ne fenë tonë, udhëheqësit tanë dhe sigurinë tonë.
O Zot, jepu sukses njerëzve të sigurisë tonë dhe atyre që vigjilojnë në kufijtë tanë, me Mëshirën, Mirësinë dhe Bujarinë Tënde, o Zoti i botëve.
O Zot, ndihmoi ata kundër armiqve Tu dhe armiqve të tyre, o i Fuqishëm o i Plotpushtetshëm, o më i Madhi më Bujari.
O Zot, lehtëso shqetësimet e vëllezërve tanë në Palestinë. O Zot, të lutemi të jesh ndihmës dhe mbështetës për ta, mbrojtës dhe përkrahës i tyre. O Zot, ata janë të zbathur prandaj mbroji ata, të zhveshur mbuloi ata, të uritur mundësoju ushqim. O Zot, të lutemi të jesh kundër armikut Tënd dhe armikut të tyre, o i Fuqishëm o i Plotpushtetshëm, o më i Madhi më Bujari.
O Zot, ruaj xhaminë e Aksasë dhe bëje atë të fortë dhe krenare deri në ditën e Kijametit.
O Zot, fali muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të gjallët prej tyre dhe ata që kanë ndërruar jetë.
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)
“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)
“…dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 128)
“I Lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i atribuojnë ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, Të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!” (Es-Saffat 180-182)
Afrim Smakaj