Haxhi dhe veçoritë e umetit Islam

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme      08-12-1445 H     14-06-2024 D 

Shejh Abdul Bari  Eth-Thubejti 

Tema Haxhi dhe veçoritë e umetit Islam

Lavdërimet janë për Allahun. Lavdërimet janë për Allahun, i Cili ka ndriçuar zemrat tona me bindjen ndaj Tij, i ka bashkuar ato me Urtësinë e Tij dhe na ka nderuar me mirësinë e mesazhit me të cilin ka dërguar profetin e Tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Dëshmojmë se ai e ka përcjellë mesazhin, ka këshilluar umetin, nuk dinte ndonjë të mirë për popullin e tij në të cilën të mos e ketë udhëzuar në të, dhe asnjë të keqe prej të cilës të mos e ketë paralajmëruar. Na ka lënë në një rrugë të ndriçuar, nata e të së cilës është si dita e saj, prej të cilës nuk devijon vetëm se i humburi.  Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të,  mbi familjen dhe shokët e tij, mbi ata dërgojmë lutje të shumta.

Në vijim

Porosis veten dhe ju që ti frikësohemi Zotit. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi)” ( Et-Talak 2) Dhe ka thënë: “ Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia lehtësojë çështjen. ” ( Et-Talak 4)

Në ditë si këto gjatë sezonit të Haxhit tek muslimani, në të vërtetë tek të gjithë muslimanët, ripërtërihen qëndrime që gëzojnë zemrat e tyre  dhe magjepsen shpirtrat e tyre para ritualeve të tyre. Njeriu kthen sytë dhe sheh me sytë e tij skena që ngrohin zemrën dhe kënaqin mendjen. Në ambientet e dy xhamive të shenjta dhe përreth vendeve të shenjta është vërtetë një pamje madhështore. Bashkimi i umetit në një takim shpirtëror dhe fetar, me një veshje të vetme, një thirrje të vetëm, një drejtim, kible, një i dërguar, qëllimi i tyre është kënaqësia e Zotit Një të Vetëm i pa shok. Prandaj,  nuk është çudi se Zoti deshi që ky umet të jetë i madh. I dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Vërtetë ju jeni udhëheqësit e shtatëdhjetë popujve, prej të cilëve ju jeni më të mirët dhe më të nderuarit tek Zoti.” Hadithin e ka transmetuar Tirmidhiu.

Ligjshmëria e Allahut dhe urtësia e Tij në këto adhurime sezonale pasqyron unitetin e kombit, të zhveshur nga sloganet, thirrjet dhe fanatizmat. Kjo nën dritën e sigurisë së mjaftueshme, bollshme, mobilizimit të jashtëzakonshëm të zellshme dhe përpjekjeve bujare nga udhëheqja dhe kujdestarët e këtij vendi, mbretëria e Arabisë Saudite,  në shërbim të mysafirëve të Zotit, Haxhinjëve dhe Umarëve, atyre që bëjnë Umren. Sa madhështor është ky umet i Muhamedit teksa ecën me veshje madhështore, duke hedhur petkun më të bukur, i veshur me një adhurim në të cilin pozitat dhe klasat e njerëzve janë të barabarta, pa marrë parasysh ngjyrën, gjininë, gradën apo pozicionin.  Këtu i jepet përparësi vlerës së dijes mbi pamjen e jashtme dhe ndershmërisë në fjalë e në vepër ndaj pretendimeve.  Këto kuptime u bënë të dukshme në hutben, ligjërimin e lamtumirës me fjalët e të dërguarit të Zotit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, kur thotë: “ O ju njerëz, vërtetë Zoti juaj është Një. Vërtetë nuk ka epërsi një arab para një jo arabi, dhe as një jo arab nga një arab, as një i kuq nga një i zi, dhe as një i zi nga një i kuq, vetëm se me devotshmëri. Vërtet, më i nderuari prej jush tek Allahu është ai më i devotshmi prej jush.”

Skena që shikojmë sot në ritualet e Haxhit flet shumë për vlerat e Islamit. Barazia, drejtësia, familjariteti, dashuria, vëllazëria, përmbushja e adhurimit ndaj Zotit, përkushtimi ndaj Zotit, sinqeriteti dhe përulësia. Kjo është arsyeja e tërheqjes së natyrshmërisë ndaj parimeve të larta të tij, Islamit. Njerëzit e deshën Islamin, ai u përhap dhe po përhapet, sepse ka synime të qarta. Ajo është një e vërtetë e dukshme  që kënaqën shpirtrat, zgjeron gjokset, kënaq zbrazëtinë e zemrave, rafinon pështjellimin e shpirtrave, mbush zbrazëtinë e mendjes, plotëson nevojat e shpirtit, i shuan etjen dhe i jep siguri, Zoti i Madhëruar ka thënë; “natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Er-Rum 30)

LEXO  Surja El-‘Asr: Përfitime dhe rregulla

Këto grupe të shumta me mijëra vetë nuk kanë ardhur në Haxh me forcë dhe me dhunë, përkundrazi zemrat e tyre u ka prirë trupave të tyre drejtë ambienteve të dy xhamive të shenjta nga dashuri, përmallimi dhe dëshira, duke duruar vështirësi në kërkim të kënaqësisë së të  Gjithëmëshirshmit. E kjo është dëshmia më e mirë se përhapja e Islamit ishte dhe vazhdon, të përhapet, përmes provave të qarta dhe argumenteve të prera, përmes tolerancës, vlerave dhe moralit. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “S’ka detyrim në fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra!” (El-Bekare 256) Sikurse ka thënë: “ Vallë, ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?!”(Junus 99)  

O ti musliman! Mos u çudit, nëse këto delegacione, grupe njerëzish nga të gjitha anët e tokës,  mblidhen nga të gjitha anët. Sepse vlerat e Islamit dhe shtyllat e besimit i tejkalojnë barrierat, i kapërcejnë kufijtë dhe arrijnë në zemrat e shpirtrave në çdo pjesë të tokës. I përmirëson dhe i pastron ato duke i bërë ato krijesa të tjera. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Thoni: “Kjo fe është ‘ngjyra’ që na ka dhënë Allahu! S’ka ‘ngjyrë’ më të bukur se ajo që jep Allahu!” (El-Bekare 138)

Këto masa u konvertuan, erdhën në Islam sepse ajo është fe e ekuilibruar që i përgjigjet ndryshimeve të jetës dhe epokave. Ai, Islami, strehon çdo njërin, të gjithë njerëzimin, në çdo kohë dhe në çdo vend, i përgjigjet çdo pyetjeje dhe deshifron çdo incident. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (El-Ma’ide 3) Ky umet Islam e deshi fenë e tij sepse ajo është burimi i stabilitetit, stabilitetit në aspektin psikologjik, sigurie dhe atë social, shoqëror. Largon shkaqet e shqetësimit dhe ankthit dhe strehon në shpirt qetësinë, lumturinë dhe stabilitetin. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Allahu ia hap zemrën për (të pranuar) Islamin atij që dëshiron ta udhëzojë, ndërsa atij që dëshiron ta lërë në humbje, (ia mbyll zemrën e) ia shtrëngon gjoksin si të jetë duke u ngritur në qiell.” (El-En’am 125)

Vitet kalojnë, koha ecën, epoka pason epokën dhe umeti Islam qëndron krenarë me Islamin e tij, i fortë me besimin e tij, i qëndrueshëm me parimet e tij sepse ai është umeti i vlerave, i ideales dhe i moralit. Ajo që shikojmë sot mishëron një umet të vetëm, të unifikuar në legjislacionin dhe ndjenja. E kjo është një mirësi e madhe, e ne duhet që ta çmojmë vlerën e saj, të kujdesimi për të me anë të mirënjohjes dhe  falënderimit ndaj Dhuruesit të kësaj mirësie. Allahu ka garantuar vazhdimësinë e saj me një tjetër mirësi madhështore gjithashtu, që është mirësia e Librit të Tij, Kuranit dhe syneti i të dërguarit të Tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Kala e fortifikuar dhe roje të sigurta. E  në varësi të lidhjes së fortë të umetit me të do të jetë vazhdimësia e tij,  rradhët e tij do të bëhen më të qëndrueshme dhe struktura e tij do të forcohet. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Duke i bashkuar zemrat e tyre (si një zemër e vetme). Sikur të shpenzoje tërë pasurinë që gjendet në Tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu i bashkoi ato.” (El-Enfal 63)

Kjo kërkon refuzimin e ndasive me të gjitha format e saj, me fjalë, me vepra, ose me  armë. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “…dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do të humbni guximin e do t’ju lërë fuqia.” (El-Enfal 46)

LEXO  Këshilla të mira për besimtarët dhe besimtaret

Nga umeti Islam kërkohet që të arrihet siguria e plotë me të cilën arrihet qetësia, paqja në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret. Kjo arrihet përmes përmirësimit të Akides, besimit, nga devijimet dhe të dyshimtat, dhe duke rritur sigurinë intelektuale për të rinjtë e umetit nga ekstremizmi, të egzagjeruarit  dhe grupacionet, dhe nga rënia në kthetrat e dëshirave dhe në grackat e dyshimeve.

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Cili nga ne e meriton të jetë i sigurt? Më thoni, nëse njihni të vërtetën! Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.”(El-En’am 81)

Umeti Islam në të vërtetë është umeti i dijes dhe punës, të vepruarit, ecën në hap me zhvillimin e dobishëm, merr pjesë në zhvillimin e jetës, nxitën përpjekjet e mira në dobi të tokës dhe në ndërtimin e vendit. Sikurse distancohet nga injoranca, padija, dembelizmi dhe varësia nga tjetri, duke ruajtur në këtë mënyrë parimet e fesë, shtyllat e Islamit dhe vlerat e tij.

E në këtë kontekst është e domosdoshme që umeti Islam të nxjerrë në pah tolerancën, lehtësinë, drejtësinë dhe vendimet e gjëra të tij. Dhe duke u larguar nga çdo gjë që shtrembëron imazhin e Islamit dhe integritetin e legjislacionit të tij. Ndërsa kush mediton në Kuranin Famëlartë dhe në sunet, përmes vargjeve të ritualeve dhe aspekteve të tjera do të shikojë një shtyllë të fortë të kësaj feje nga të nxiturit për lehtësi, jo vështirësi, në përgëzim dhe  jo frikësim. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë.” ( El-Bekare 185) Ndërsa i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, kur ai dërgonte ambasodorët dhe thirrësit e tij, ka thënë: “ Lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni dhe mos largoni.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu dhe Muslimi.

Vëllezër në Islam! Muslimani është krenar me këtë umet, e ai është umeti më i nderuar. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “ Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin…” (Al ‘Imran 110) Umet i mesëm, i moderuar, pa ekzagjerime, jo arrogant dhe jo vetëkënaqësi. I ruajtur nga shkatërrimi dhe dëmtimi, çrrënjosja. Umet që nuk shkatërrohet me vite, as me uri dhe as me mbytje, do të mbetet për sa të mbetet koha. A nuk i shikoni ato rrallë të cilat i rregullojmë në namaz me të cilat është veçuar, është unik me ta ky umet, ku rrallët e tyre janë sikur rreshtat e Melaiket. Ndërsa nderimi më i madh është në ditën e Kijametit kur ky umet do të vij të thinjur dhe të zbardhur nga efektet e abdesit, që është cilësi me të cilën i dërguari ynë, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, do të njohë umetin e tij. Pastaj do të rritet pozita, statusi i tyre, e ky umet do të jetë i pari që do të kalojë urën e Siratit dhe i pari që do të hyj në Xhenet.

Tek Zoti i Madhërishëm kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, tek Ai kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i Madh, Mëshirëploti.

Hutbeja e dytë

Zotin e lavdërojmë për vazhdimësinë e sezoneve të mirësive, Allahun e Madhërishëm e lavdërojmë dhe Atij i lutemi për më shumë vepra të mira të vazhdueshme.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër  veç Allahut, Një i Vetëm, pa shok, Zot në tokë dhe në qiej. Dëshmoj se zotëria dhe i dërguari ynë, Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, i mbështeturi me mrekulli. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, sa numri i krijesave të Zotit në tokë dhe në qiej.

Në vijim

Porosis veten time dhe ju që ti frikësohemi Allahut.

Vëllezër në Islam! Nesër është një ditë nga ditët e Zotit, dita e Arefatit, kush e agjëron këtë ditë ai ka shpërblim të madh. Ka ardhur hadith i saktë nga i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, se Allahu, me agjërimin e ditës së Arefatit, fshinë gjynahet e vitit para kësaj dite dhe vitit pas saj. Shqiptimi i tekbirit mutlak (të pakufizuar)  është sunet në dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes  dhe në ditët e tjera të teshrikut, tre ditët tjera të Bajramit. Ndërsa Tekbiri mukajed, (i kufizuar) fillon nga agimi, sabahu i ditës së Arefatit  deri në perëndim të diellit të ditës së fundit të teshrikut, Bajramit. Kur besimtari jepet selam në namazin farz, i obliguar, kërkon falje tek Zotit tre herë dhe thotë: “ O Zot, Ti je Paqja dhe prej Teje është paqja, Madhërimi dhe Nderimi është për Ty o më i Madhi.”, atëherë fillon me tekbir, e kjo është e gjitha për ata që nuk janë në Haxh.

LEXO  Këshilla për popullin e Palestinës dhe për të gjithë muslimanët

Ndërsa Haxhiu fillon Tekbirin e kufizuar në të drejtën e tij nga dreka e ditës së Kurbanit.

Zoti pranoftë nga ne dhe ju veprat e mira.

Adhurues të Zotit lutuni dhe dërgoni salavate për të dërguarin dhe udhëzuesin tonë, Allahu ju ka urdhëruar për këtë në Librin e Tij, dhe ka thënë: “Vërtetë Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt  e Tij  luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me selam.” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale dhe mëshiroje Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.

O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me katër Halifet e drejtë, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, me familjarët dhe shokët e tij të nderuar, dhe me ne sëbashku me ta me Faljen, Bujarinë dhe Mirësinë  Tënde, o më i Madhi Mëshirues.

O Zot, të lutemi të na japësh Xhenetin, dhe atë që na afron me të prej fjalëve dhe veprave.

O Zot, të lutemi të na mbrosh prej zjarrit,  dhe çfarë na afron me të  prej fjalëve dhe veprave.

O Zot, të lutemi  të na japësh gjithë të mirat, të tashmet dhe të vonshmet, nga ato që i dimë dhe ato që nuk i dimë.

O Zot, të lutemi na mbro nga gjithë të këqijat, të tashmet dhe të më vonshmet, nga ato që i dimë dhe që nuk i dimë.

O Zot, të lutemi të na japësh hapje dhe mbyllje të mirë, fillimin dhe  fundit e mirë, të dukshmet dhe të padukshmet e tyre, dhe të lutemi të na japësh gradë të larta në Xhenet, o Zoti i Botëve.  

O Allah, ji me ne dhe jo kundra nesh, na ndihmo dhe mos ji kundra nesh, planifiko për ne dhe jo kundra nesh, na  udhëzo dhe na e bëj të lehtë udhëzimin, dhe na ndihmo kundra  atyre që na bënë padrejtësi.   

O Zot, kërkojmë mbrojtjen Tënde nga humbja e Mirësive Tua, nga përkeqësimi i shëndetit që na ke dhënë, nga ndëshkimi Yt i papritur dhe nga gjithë zemërimi Yt.

O Zot, Palestinën e ka goditur fatkeqësia dhe e keqja, me të cilën Ti je i ditur dhe mund t’i largosh. O Zot, largoje fatkeqësinë prej tyre, shëro të plagosurit e tyre, shëro të sëmurët e tyre, shpëto të sprovuarit e tyre dhe jepu atyre fitoren mbi ata që i kanë sulmuar. O Zot, bëhu Ndihmës, Mbështetës dhe Përkrahës i tyre. O Zot, ata janë këmbëzbathur prandaj mundësoju të vishen, të uritur mundësoju ushqim, të zhveshur mundësoju atyre mbulim dhe të shtypur prandaj jepu fitore përballë jehudëve të padrejtë, o i Fortë, o i Plotfuqishëm.

O i Gjallë o i Përjetshëm, me Mëshirën Tënde kërkojmë mbrojtje, përmirëso të gjitha çështjet tona dhe mos na lër në dorën tonë as sa hapim dhe mbyllim sytë.

O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, në atë do dhe je i kënaqur. O Zot, jepi sukses në udhëzimin Tënd dhe bëj që punët e tij të meritojnë kënaqësinë Tënde. O Zot, jepi sukses zëvendësit të tij në çdo gjë të mirë, o më i Madhi Mëshirues.

“O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit.” ( El-A’raf  23)

“O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!” (El-Hashr 10)

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

“Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun, Ai ju kujton ju, falënderojeni për të mirat e Tij që t’ua shumojë ato.

Përkujtimi i Allahut është gjëja më e madhe.

Allahu është i Ditur për çfarë veproni.

Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/782139344067357

Post Author: endrit