Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 21-04-1448 H 02-10-2026 D
Shejh Dr. Abdullah El Buajxhan
Tema Kënaqësia me atë që ke është pasuri e zemrës dhe rehati e jetës
Vërtetë lavdërimet janë për Zotin, Atë e lavdërojmë dhe prej Tij ndihmë kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e udhëzon Zoti s’ka gjë që e humbet, e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
Në vijim
Adhurues të Zotit! Frikësojuni Allahut sa të mundeni, sepse vërtetë Ai: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia lehtësojë çështjen.”(Et-Talak 4) dhe “ Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia shlyejë veprat e këqija dhe do t’ia shtojë shpërblimin.”( Et-Talak 5)
“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Al ‘Imran 102)
O ju muslimanë! Vërtetë, Zoti i Madhëruar krijoi krijesat me urtësinë e Tij, i solli në ekzistencë me fuqinë e Tij, i begatoi me mirësitë e Tij dhe ua zgjeroi atyre bujarinë e Tij. Vetëm Zoti i Lartësuar ka në dorë krijimin dhe urdhrin, përcaktimin dhe rregullimin. Ai ka ndarë furnizimet mes robërve të Tij, ka caktuar ndryshimin në afatet e jetës së tyre dhe i ka dalluar disa prej tyre sipas rrethanave. Disa njerëz janë të kënaqur me atë që Zoti u ka caktuar, prandaj zemrat e tyre janë qeta, shpirtrat e tyre gjejnë prehje dhe jeta e tyre bëhet e mirë. Ndërsa disa të tjerë i drejtojnë sytë nga ajo që kanë të tjerët, kështu që i pushton pakënaqësia, i lodhën lakmia dhe bëhen të varfër në shpirt edhe nëse kanë shumë pasuri.
O ju njerëz! Zoti i ka përcaktuar kaderet para se të krijonte qiejt dhe tokën, ka shkruar afatet e jetës dhe furnizimet. Robi nuk do të marrë veçse atë që i është shkruar dhe nuk do t’i shpëtojë asgjë nga ajo që Zoti ka caktuar për të.
O ti që të është ngushtuar gjoksi për shkak të pasurisë të pakët! O ti që të kanë rënduar shqetësimet e jetesës! O ti që e ke lodhur veten duke ndjekur atë që kanë njerëzit! Qetësohu dhe beso në rregullimin e Zotit tënd, merr në konsideratë, vepro shkaqet e lejuaradhe mos e lidh zemrën me atë që nuk është shkruar për ty. Furnizimi është i ndarë dhe afati i jetës është i përcaktuar. “Por shpërblimi i Allahut është më i mirë dhe më i përhershëm…” (Esh-Shura 36)
Adhurues të Zotit! Jetojmë në një kohë ku janë shtuar tundimet, është rritur konkurrenca për çështjet e kësaj bote dhe shumë njerëz e matin lumturinë e tyre me atë që zotërojnë, vlerën e tyre me atë që veshin dhe pozitën e tyre me atë që shfaqin.
Pamjet dhe videot kalojnë vazhdimisht para syve tanë dhe njeriu mund të joshet nga krahasimet. Njeriu shikon mirësitë e tjerëve dhe harron mirësitë e Zotit ndaj tij, shikon atë që i mungon dhe nuk i kushton vëmendje asaj që ka.
Në mes të gjithë kësaj, nevoja për kënaqësi me atë që ke bëhet edhe më e madhe. Kjo kënaqësi, mbetet një nga thesaret më të mëdha që mund të zotërojë njeriu, sepse ajo është pasuria e vërtet që sjell lumturinë, kënaqësinë dhe qetësinë e zemrës. Ajo e ndalën shpirtin nga krahasimi me të tjerët, nga pakënaqësia, zilia dhe lakmia, dhe e bën njeriun të jetojë në paqe, të patundur nga stuhitë e dëshirave dhe lakmisë.
Adhurues të Zotit! Kënaqësia me atë që ke është të jesh i kënaqur me atë që Zoti ka caktuar, të mos lakmosh atë që kanë njerëzit, të mjaftohesh me atë që ke dhe të mos dëshirosh me ngulm atë që të mungon.
Kënaqësia është të shikosh mirësitë e Zotit ndaj teje para se të fillosh të numërosh ato që të mungojnë.
Kënaqësia është thesar i madh dhe nga mirësitë më të çmuara. Përmes saj jeta bëhet e mirë, njeriu ndien kënaqësi dhe qetësi, dhe përmes saj arrihen lumturia, shpëtimi dhe zbret qetësia, me të arrihet drejtësia dhe mjaftueshmëria. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Ka shpëtuar ai që është bërë musliman, ka furnizim vetëm sa i nevojitet (për të jetuar) dhe Zoti e ka bërë të kënaqur me atë që i ka dhënë.” Hadithin e transmeton Muslimi.
Kënaqësia është nga mirësitë më madhështore dhe nga virtytet e vlerat më të mëdha. Islami e ka nxitur, e ka lavdëruar dhe ka bërë thirrje për të, e ka bërë atë prej shkaqeve të pasurisë së vërtetë, jetës së mirë dhe pastërtisë së zemrës. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e këshilloi Ebu Hurejrën duke i thënë: “Ji i kënaqur me atë që Zoti ka caktuar për ty që të jesh njeriu më i pasur.”
Adhurues të Zotit! Pasuria e vërtetë nuk qëndron tek shuma e pasurisë materiale, as tek rritja e gjendjeve dhe llogarive bankare, as tek shuma e shtëpive dhe automjeteve. Pasuria e vërtetë është pasuria e shpirtit, që robi të jetë i kënaqur me Zotin e tij, të jetë i kënaqur me atë që Zoti i ka dhënë dhe të mos bëhet rob i asaj që nuk i është dhënë. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Pasuria e vërtetë nuk është në shumën e pasurisë materiale, por pasuria e vërtetë është pasuria e shpirtit.” Mutefikun alejhi.
O adhurues të Zotit! Kërkoni pasurinë që nuk merret, thesarin që nuk grabitet dhe mirësinë që nuk zhduket. Kërkoni kënaqësinë dhe pasurinë e shpirtit.
“I pasur vërtetë është ai që është i pasur në shpirt, edhe nëse shpatullat i ka të zhveshura.
Jo çdo gjë mbi faqen e tokës është e mjaftueshme por kur je i kënaqur, çdo gjë të mjafton.”
O adhurues të Zotit! Sa shumë kemi nevojë për kënaqësi që rikthen qetësinë në shtëpitë tona, kënaqësinë dhe paqen në zemrat tona dhe dashurinë në marrëdhëniet tona! Sa shtëpi janë prishur nga krahasimet! Sa familje janë rënduar nga borxhet për shkak të konkurrencës! Sa zemra janë lodhur duke parë atë që kanë njerëzit!
O ti që shikon atë që kanë të tjerët, shiko atë me të cilën Zoti të ka begatuar.
O ti që numëron atë që ke humbur, numëro mirësitë që ke.
O ti që ankohesh për vështirësinë e jetës, mos harro se nga mirësitë më të mëdha janë një zemër e pastër, besimi i qëndrueshëm, shëndeti dhe mirëqenia, familja dhe siguria, si dhe mirësi të panumërta që nuk mund të numërohen e as të falënderohet Zoti për to sa duhet.
O ti që ankohesh për pasuri të pakët, mendo sa mirësi të ka dhuruar Zoti, të cilat nuk mund të blihen me thesaret e kësaj bote.
O ti që vëzhgon furnizimet e njerëzve, largo shikimin nga pasuritë e tyre dhe shiko mirësinë e Zotit ndaj teje.
O ti që krahason jetën tënde me jetën e tjerëve, mos krahaso pjesën e dukshme të jetës tënde me pjesën e dukshme të jetës së tyre, sepse ti nuk e di se çfarë fshihet pas ekraneve dhe dyerve.
O ti që dëshiron të jetosh i lumtur, mëso të thuash nga thellësia e zemrës:
“Lavdërimet janë për Zotin për atë që Ai ka dhënë,
Lavdërimet janë për Zotin për atë që Ai ka privuar,
Lavdërimet janë për Zotin për atë që Ai ka lënë,
Lavdërimet janë për Zotin për atë që Ai ka larguar.”
O besimtarë! Kënaqësia nuk do të thotë të braktisësh punën, as që të heqësh dorë nga përpjekja për të siguruar furnizimin, as që të braktisësh ambiciet, dhe as që të dorëzohesh ndaj paaftësisë apo të kënaqesh me mangësitë. Përkundrazi, ajo do të thotë të punosh dhe të përpiqesh, ndërsa zemrën e ke të lidhur me Zotin tënd dhe, pasi të kesh marrë shkaqet e nevojshme, të jesh i kënaqur me atë që Zoti të ka caktuar. Mos të robërojë lakmia dhe mos të lodhë dëshira për atë që kanë të tjerët.
Adhurues të Zotit! Bashkoni në mes të përpjekjes dhe kënaqësisë, dhe në mes marrjes në konsideratë të shkaqeve dhe mbështetjen tek Sunduesi i krijesave. Dijeni se ai që bën synim të tij mbledhjen e pasurisë së kësaj bote nuk do të ngopet kurrë me të, ndërsa ai që bën synim të tij kënaqësinë e Zotit, Ai do t’ia mjaftojë atë që e shqetëson.
Zotit i lutemi të na dhurojë zemra të kënaqura, shpirtra të pajtuar me caktimin e Tij, furnizim të mirë dhe jetë të begatë e të lumtur.
Zotit i kërkoj falje, tek Ai kërkoni falje, vërtet, Ai është Falës i Madh, Mëshirëplotë.
Hutbeja e dytë
Të gjitha lavdërimet i takojnë Zotit për të mirat e Tij, Atë e falënderojmë për suksesin dhe bekimet e Tij.
Lutjet dhe përshëndetjet janë për të dërguarin tonë, Muhamedin, për familjen, shokët dhe pasuesit e tij.
Adhurues të Allahut! Zoti i Lartësuar sprovon robërit e Tij me të mirë dhe me të keqe, provë për ta. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.” (El-Enbija’ 35)
I varfri sprovohet me varfërinë dhe nevojën e tij, ndërsa i pasuri sprovohet me pasurinë dhe begatinë e tij. Nga begatitë më të mëdha që Zotit mund t’ia dhurojë robit është që t’i japë një zemër dhe shpirt të kënaqur në mënyrë që ai të jetë falënderues në kohë begatie dhe lumturie, dhe të jetë i durueshëm në kohë vështirësish dhe fatkeqësish.
Prandaj, si i pasuri ashtu dhe i varfri kanë nevojë për kënaqësinë me atë që Zoti ka caktuar. Kënaqësia e të pasurit është të jetë i kënaqur dhe falënderues, ndërsa kënaqësia e të varfrit është të jetë i kënaqur dhe i durueshëm.
O njerëz! Kënaqësia me atë që ke është ilaç për sëmundjet dhe ligësitë e shpirtit, nga urrejtja, mllefi, zilia, armiqësia dhe inati, nga lakmia dhe poshtërimi që sjell etja për më shumë. Kënaqësia është ilaç shërues nga pakënaqësia, ankesa dhe mërmëritja, nga shqetësimi, dëshpërimi dhe ankthi, nga pikëllimit, brengave dhe trishtimit.
Adhurues të Zotit! Kënaqësia është moral që fitohet dhe virtyt me të cilin edukohet shpirti. Nga gjërat më të mëdha që e ndihmojnë njeriun të jetë i kënaqur me atë që ke është besimi në kaderin dhe caktimin e Zotit, me të mirën dhe të keqen e tij, me të ëmblën dhe të hidhurën e tij.
Besimtari e di se Zoti i tij është i Urtë në caktimin e Tij dhe i Mëshirshëm me robërit e Tij. Ai e di se ajo që e ka goditur nuk mund ta kishte shmangur, dhe ajo që e ka anashkaluar nuk mund ta kishte goditur.
I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Sa e mrekullueshme është çështja e besimtarit! E gjithë çështja e tij është mirësi dhe kjo nuk i takon askujt tjetër përveç besimtarit. Nëse e godet një e mirë, ai falënderon dhe kjo është mirë për të, e nëse e godet një e keqe, ai duron dhe kjo është mirë për të.”
Nga gjërat që e ndihmojnë njeriun të jetë i kënaqur me atë që ka është të meditojë mbi urtësinë e Zotit në ndryshimin e furnizimeve dhe të pozitave të njerëzve, në mënyrë që toka të zhvillohet dhe njerëzit të shkëmbejnë dobi e shërbime mes tyre. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Jemi Ne ata që ua ndajmë njerëzve mjetet e jetesës në këtë botë, duke i ngritur në shkallë disa më lart mbi të tjerët, me qëllim që disa t’u shërbejnë të tjerëve. Mëshira e Zotit tënd është më e mirë nga ajo që grumbullojnë ata.” (Ez-Zuhruf 32)
Askush nuk duhet ta ketë zili tjetrin për atë që Zoti i ka dhënë nga mirësia e Tij. Përkundrazi, ai duhet të jetë i kënaqur me ndarjen e Zotit të tij, t’i kërkojë Atij nga mirësia e Tij dhe të përdorë të gjitha shkaqet e lejuara që ka në dispozicion. Asnjë shpirt nuk do të vdesë derisa ta plotësojë furnizimin dhe afatin, caktimin e tij. Prandaj, kërkojeni furnizimin me qetësi dhe në mënyrë të bukur.
Nga gjërat që e ndihmojnë njeriun të jetë i kënaqur me atë që ai ka është menaxhimi ekonomik i jetesë, moderimi në shpenzime dhe shmangia e shpërdorimit dhe teprimit. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “…por mos bëni shpenzim të tepruar. Dorëshpuarit me të vërtetë, janë vëllezërit e djallit dhe djalli është mosmirënjohës ndaj Zotit të tij.” (El-Isra’ 26–27)
Në vijim
Adhurues të Zotit! Silluni me butësi ndaj të dobëtëve dhe të varfërve, silluni me mëshirë ndaj nevojtarëve dhe njerëzve në vështirësi. Ruani begatitë nga mburrja, shfaqja dhe fotografimi i tyre, dhe mos i bëni ato shkak për thyerjen e zemrave të vëllezërve tuaj apo për dobësimin e kënaqësisë së tyre me atë që kanë. Vërtetë disa begati falënderohen pikërisht duke i mbajtur të fshehta.
Ajo për të cilën është për të ardhur keq që në kohën tonë disa njerëz fotografojnë atë me të cilën Zoti i ka begatuar, nga veshjet, ushqimet, pijet, udhëtimet, shtëpitë dhe mjetet e udhëtimit, pastaj i publikojnë ato në rrjetet sociale, sikur begatia të mos plotësohej veçse kur ta shikojnë të tjerët.
Jo çdo gjë që zotëron është e përshtatshme ta shfaqësh dhe jo çdo gjë që je në gjendje ta bësh duhet t’ua tregosh njerëzve. Sepse pas ekraneve ka njerëz që mund të harrojnë kënaqësinë me atë që kanë dhe të bien në krahasim me të tjerët. Dikush mund të ketë nevojë për gjërat më themelore, ndërsa ti shfaq gjëra luksi, kështu mund t’ia shtosh dhimbjen e dëshirës, t’i kujtosh pamundësinë dhe t’i zgjosh zilinë.
Ndoshta njeriu shikon atë që ka dikush tjetër, por nuk ka mundësi ta arrijë atë që shikon, ndaj kthehet në shtëpi me zemër të thyer dhe shpirt të rënduar nga dëshpërimi. Ndoshta një i varfër shikon begati që nuk ka mundësi t’i përballojë. Ndoshta një i privuar shikon atë që dëshiron, por nuk gjen rrugë për ta arritur. Ndoshta një baba nuk është në gjendje t’u sigurojë fëmijëve të tij disa prej gjërave që shikon tek fëmijët e njerëzve të tjerë.
Prandaj, adhurues të Zotit! Kini frikë Allahun! Ruani begatitë e Zotit me falënderim dhe ruani zemrat e robërve të Tij me mëshirë. Dijeni se prej përsosmërisë së burrërisë dhe fisnikërisë është të gëzohesh për atë që Zoti të ka dhënë, pa e bërë gëzimin tënd shkak për trishtimin e dikujt tjetër, lumturinë tënde shkak për pikëllimin e një të varfri dhe begatinë tënde shkak për humbjen e kënaqësisë së një muslimani.
O ti të cilit Zoti ia ka zgjeruar furnizimin! Falëndero Zotin, ushqe atë që është i uritur, jepi atij që është privuar dhe gëzo zemrën e një nevojtari.
Nëse dëshiron ta shfaqësh begatinë e Zotit mbi ty, atëherë shfaqe ndikimin e saj në sadakanë tënde, në bamirësinë, mirësinë dhe lidhjen tënde me të afërmit, bashkë me sinqeritetin ndaj Zotit tënd, dhe jo përmes një fotografie që ua rëndon zemrat të tjerëve.
Prandaj, o adhurues të Zotit! Fshihini prej begative të Zotit ato që janë më të buta për zemrat e vëllezërve tuaj t’i mbani të fshehta, më larg mburrjes dhe më ndihmuese për kënaqësinë me atë që kanë.
O Zot, na bëj të kënaqur me atë që na ke furnizuar dhe na beko me të.
O Zot, na mjafto me hallallin Tënd që të mos kemi nevojë për haramin dhe na pasuro me mirësinë Tënde që të mos kemi nevojë për askënd tjetër përveç Teje.
O Zot, na bëj prej atyre që të përmendin Ty dhe që janë mirënjohës për begatitë e Tua.
O Zot, mos e bëj dynjanë shqetësimin tonë më të madh, as synim të dijes sonë dhe mos na lër në dorë të veteve tona as sa një çast.
O Zot, na e bëj të dashur besimin dhe zbukuroje atë në zemrat tona, bëj të urryer për ne mosbesimin, gjynahin dhe mosbindjen, dhe na bëj prej të udhëzuarve në rrugë të drejtë.
O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, ndihmo robërit e Tu besimtarë, që të Njësojnë Ty.
O Zot, bëje të paqtë, qetë dhe të sigurt këtë vend dhe të gjitha vendet muslimane.
O Zot, përjetëso sigurinë, mbrojtjen dhe stabilitetin në vendin tonë, ruaje atë nga çdo e keqe dhe dëm, largo prej tij komplotet e komplotistëve, planet e intrigantëve, urrejtja e atyre që e urrejnë dhe zilinë e ziliqarëve, o Zot i botëve.
O Zot, ruaj kufijtë tanë, jepu sukses ushtarëve tanë të stacionuar në kufijtë dhe frontet tona, saktëso goditjen e tyre, forco vendosmërinë e tyre, bëji ata mburojë të fortë dhe jepu fitore mbi armiqtë e tyre.
O Zot, përmirëso situatën e muslimanëve, përmirëso marrëdhëniet në mes tyre dhe bashko fjalën e tyre në të vërtetën, o Zoti i botëve.
O Zot, jepi sukses kujdestarit tonë, kujdestarit të dy xhamive të shenjta, nga suksesi Yt, mbështete atë me mbështetjen Tënde dhe lartëso me të fenë Tënde, o Zoti i Botëve. O Zot, jepi sukses atij dhe zëvendësit të tij në atë që Ti do dhe je i kënaqur, o Ti që i dëgjon lutjet.
“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka!” (El-Bekare 127)
“…dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (El-Bekare 128)
O Zot, fale dhe mëshiroje të dërguarin tonë, Muhamedin, familjen e tij dhe të gjithë shokët e tij.
Afrim Smakaj