Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme 14-06-1447 H 05-12-2025 D
Shejh Dr. Husejn Bin Abdulaziz Ali Shejh
Tema Kuptimi i ajetit më të madh në Kuranin Famëlartë
Lavdërimet janë për Zotin, i Cili i mbron ata që kërkojnë strehim tek Ai nga çdo e keqe dhe largon prej tyre çdo fatkeqësi.
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.
Dëshmoj se i dërguari ynë, Muhamedi, është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. O Zot, fale dhe mëshiroje atë, familjen dhe shokët e tij.
Në vijim
O ju muslimanë! Frikësojuni Zotit me frikë të vërtetë dhe binduni Atij në të mirë dhe në të keqe, vështirësi. “ …dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni.” (El-Huxhurat 10)
O muslimanë! Ajeti më madhështorë në librin e Zotit, në Kuran, siç është transmetuar në mënyrë autentike, të saktë, nga i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është ajeti Kursij: “Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë pas njerëzve, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursi-u i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato. Ai është i Larti, Madhështori!” (El-Bekare 255) Kush e lexon këtë ajet është i mbrojtur nga të këqijat dhe ruhet nga lëndimet e shejtanëve. Në Sahihun e Buharit jemi lajmëruar nga i dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, se ai që e lexon këtë ajet kur shkon për në shtratin e tij do vazhdojë të jetë i ruajtur nga Zotit dhe nuk i afrohet dot shejtani deri sa të zbardhë, të zgjohet.
Nga vlerat e leximit të këtij ajeti është ajo që ka ardhur në hadith ku thuhet: “ Kush e lexon ajetin Kursij pas çdo namazi atë nuk e ndalo gjë që të hyjë në Xhenet vetëm se vdekja.” Hadithin e ka transmetuar Ibn Hibani në Sahihun e tij. Këtë hadith e kanë konsideruar të mirë një grup dijetarësh të hadithit, nga të parët dhe nga të fundit, për shkak të rrugëve të shumta të transmetimit dhe larmisë së burimeve të tij. Ajeti Kursij përmban argumente të Njësimit të Zotit në mënyrën më të plotë dhe më të përsosur, dhe përfshinë kuptime që tregojnë përsosmërinë, madhështinë dhe bukurinë e Zotit. Zoti i Plotfuqishëm thotë: “ Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij…” (El-Bekare 255) duke na informoi se Ai, Zoti i Madhërishëm dhe Fuqiplotë, është Zoti i Vërtetë, të Cilit duhet t’i drejtohen të gjitha format e adhurimit, bindjes dhe përkushtimit vetëm Zotit të Plotëfuqishëm, dhe se adhurimi i çdo gjëje tjetër përveç Tij është gënjeshtra më e hapur dhe padrejtësia më e madhe.
Më pas Zoti i Plotëfuqishëm e ka përshkruar Veten me fjalën e Tij: “ …të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje!” (El-Bekare 255) Ai, Zoti i Plotfuqishëm, është i Gjallë, me një jetë të përsosur, të përhershme, të përjetshme, të vazhdueshme, përherë dhe përgjithmonë, të cilës nuk i paraprinë mosekzistenca, as nuk do ta pasojë asgjësimi apo zhdukja. “Mbështetu në të Gjithëjetshmin, i Cili nuk vdes…” (El-Furkan 58)
Ai është Zoti i Lartësuari, Mbajtësit të gjithçkaje, zotëron vetëmjaftueshmëri të plotë, i pavarur nga të gjithë krijesat e Tij, Mbështetësi i çdo gjëje që ekziston, mbështetën dhe menaxhon çdo gjë, asnjë gjë nuk mund të ekzistojë në asnjë mënyrë përveçse nëpërmjet Allahut të Madhërishëm, lavdërimi dhe falënderimi i takon Atij.
Nga përsosmëria e jetës së Tij dhe Mbajtësi i gjithçkaje nga Ai: Ai është i përsosur në ekzistencën, atributet dhe veprimet e Tij, nuk është i mangët në asnjë mënyrë, nuk preket Zoti i Lartësuar nga asnjë mangësi, nuk e godet asnjë përgjumje, gjumë, harresë apo neglizhencë, pakjujdesi, Ai është i Lartësuari.
Vëllezër në Islam! Ky ajet përmban në vetvete lajmin e vërtetë se çdo gjë që ekziston në qiej dhe në tokë i përket Atij në krijim, në sundim dhe në menaxhim, gjithçka është nën sundimin, autoritetin, fuqinë, pushtetin dhe vullnetin e Tij. “Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë.” (El-Bekare 255)
Nga madhështia dhe pushteti i Tij i absolut: Askush nuk guxon të ndërmjetësojë tek Ai përveçse me lejen e Tij dhe vetëm ata që Ai, Zoit i Lartësuar, ka zgjedhur nga mesi i njerëzve të monoteizmit dhe besimit. “Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij?” (El-Bekare 255)
I dërguari ynë, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, është njeriu më i mirë në ndërmjetësimin e tij për njerëzit e tubimit në Ditën e Ringjalljes, kur të gjithë profetët do të tërhiqen nga kjo gjë, dhe secili prej tyre do të thotë: “ Vetja ime, vetja ime.” Njerëzit do të vijnë tek i dërguari ynë Muhamedi, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e ai do të thotë: “Unë jam ai që e bën këtë, ndërmjetësimin.” Ai bie në sexhde për Zotin nën Fronin e Tij, lavdërim të Zotit, më të Lartin, Zoti i mundëson atij nga kuptimet dhe lutje derisa t’i thuhet: “Ngrije kokën, kërko dhe do të të jepet, ndërmjetëso dhe ndërmjetësimi yt do të pranohet.” Muttefikun Alejhi.
Vëllezër në Islam! Ndërsa fjala e Zotit të Lartësuar: “ Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë pas njerëzve… ” (El-Bekare 255) Deklaratë, lajmërim nga Zoti i Lartësuar dhe i Madhërishëm rreth njohurisë së Tij, njohuri e plotë rreth asaj që ishte, çfarë do të jetë me atë çfarë nuk ka qenë, e nëse do të ishte si do të kishte qenë. Njohuri që përfshin të gjitha gjërat para ekzistencës, pas ekzistencës dhe pas mosekzistencës, njohuria e asaj që është e dukshme dhe e asaj që është e fshehur, njohuri m të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, njohuri me të gjitha gjërat në përgjithësi, me të gjitha detajet dhe veçoritë. “…dituria e Tij përfshin çdo gjë.” (Ta Ha 98)
Sa i përket krijesave, ata nuk kanë dije tjetër përveç asaj që Zoti i Lartësuari ua ka mësuar atyre, siç përmendet në këtë ajet: “…kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron.” (El-Bekare 255) Ata nuk kanë asnjë njohuri apo dije të çështjeve fetare dhe ë universit që ndodhin në këtë jetë, përveç asaj që Zoti i Lartësuar ua ka shpallur dhe ua ka mësuar atyre. “Qofsh i lavdëruar! – thanë ata – Ne dimë vetëm atë që na ke mësuar Ti.” (El-Bekare 32) “Thuaj: “Askush, përveç Allahut, në qiell apo në Tokë, nuk i di të fshehtat…” (En-Neml 65) Kështu, ne nuk kemi njohuri për asnjë nga emrat, cilësitë dhe veprimet e Tij përveç asaj që Ai na ka mësuar në Kuran dhe sunet, dhe atë që kuptuan paraardhësit e këtij umeti nga mesi i sahabëve dhe i pasuesve të tyre, i tabi’inëve, Zoti qoftë i kënaqur me ta.
Adhurues të Zotit! Nga përsosmëria e madhështisë së Zotit të Plotfuqishmit dhe autoriteti, pushteti i Tij i gjërë është lajmërimi i Tij kur thotë: “ Kursi-u i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën” (El-Bekare 255) Ibn Kethiri ka thënë: “Mendimi më i saktë është se Kursij është përtej Arshit, dhe Arshi është më i madh dhe më madhështor se ai, siç tregohet nga rrëfimet dhe transmetimet.” Nga madhësia e saj është se kjo Kursi përfshin qiejt dhe tokën dhe gjithçka që është në to dhe midis tyre nga engjëjt, krijesat dhe botët, siç transmetohet nga Ibn Mes’udi dhe Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me ta.
Adhurues të Zotit! Vërtet, Zoti i Plotfuqishëm është i Gjithëpushtetshmi, asgjë nuk është përtej fuqisë së Tij dhe çdo gjë është nën kontrollin dhe menaxhimin e Tij. Zoti i Lartësuar ka thënë: “ …dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato.” (El-Bekare 255) Do të thotë: Nuk e ngarkon dhe nuk e shqetëson Atë ruajtja e qiejve dhe e tokës, dhe e gjithçkaje që është në to dhe midis tyre, përkundrazi, është e lehtë dhe e mundur për Të. Të gjitha gjërat janë të parëndësishme para Tij, të përulura, të nënshtruara dhe të vogla në krahasim me fuqinë e Tij. Të gjithë robërit dhe krijesat janë të varura të varfëra, të nevojshme për ekzistencën dhe vazhdimësinë e tyre tek Ai, Lavdërimi dhe Madhërimi i takon Atij. “ Me të vërtetë, Allahu mban ekuilibrin e qiejve dhe të Tokës, që të mos shkatërrohen.” (El-Fatir 41) “Njeriu ka përcjellës (engjëj), para tij dhe pas tij, që e mbikëqyrin atë me urdhrin e Allahut.” (Er-Ra’d 11)
Në përfundim të këtij ajeti, Zoti i Lartësuar e përshkruan Veten me përsosmërinë më të madhe, duke thënë: “Ai është i Larti, Madhështori!” (El-Bekare 255) Ai është më i Larti nga vetë natyra e Tij dhe është mbi të gjitha krijesat. “I Gjithëmëshirshmi mbi Fron u ngrit (si i takon Madhërisë së Tij).” (Ta Ha 5) Më i Larti, me madhështinë e Tij, madhështinë e atributeve të Tij, bukurinë dhe madhështinë e tyre, Ai është i Madhi dhe i Lartësuari. Më i Larti, i Cili i ka nënshtruar të gjitha krijesat, të Cilit i nënshtrohen të gjitha qeniet, të Cilit i dorëzohen çështjet dhe i përulen qafat. “Ai është i Lartësuar dhe i Madhërishëm.” (Sebe’ 23) “ Ai është i Sunduesi mbi robërit e Vet…” (El-En’am 18) I Plotfuqishmi, i Lartësuar është Ai, i Madh në ekzistencën, në atributet dhe në sundimin e Tij. Ai përmban të gjitha atributet e madhështisë dhe fuqisë. Siç thuhet në hadithin Kud’sij: “Krenaria është rroba Ime dhe madhështia është manteli, mbulesa Ime. Kush më afrohet Mua me to, më bën konkurencë, do ta ndëshkoj.” Hadithin e ka transmetuar Muslimi.
O ju adhurues të Zotit! Lavdërojeni Zotin ashtu siç Ai e meriton të lavdërohet, dhe madhërojeni Atë ashtu siç e meriton të madhërohet, vlerësoni ligjin e Tij, zbatoni urdhrat e Tij dhe urdhrat e të dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, në mënyrë që të keni sukses, të jeni të lumtur dhe të triumfoni. “Prandaj kijeni frikë Allahun, o njerëz me intelekt, me qëllim që të shpëtoni.”(El-Maide 100)
O Zot, na mëso nga ajo çfarë na bën dobi, na shto udhëzimin, suksesin dhe diturinë. O Zot, na fal dhe na i shlyej gjynahet tona, o Zotërues i Madhështisë dhe i Lavdisë.
Hutbeja e dytë
Zotin tim e lavdëroj dhe Atë e falënderoj!
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm i pa shok.
Dëshmoj se i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje atë, familjen dhe shokët e tij.
Në vijim
O ju muslimanë! Ruajini lutjet dhe këshillat e përmendura në Kuran dhe sunet, mësojuani ato fëmijëve dhe familjarëve tuaj, ruajini ato ditën dhe natë, në gjithçka që shfaqet në jetën tuaj për arsye që i dini gjatë natës dhe ditës, sepse në ato kanë mirësi të madhe dhe ato janë fortesë e fortë.
Zoti i Plotfuqishëm na urdhëroi në një vepër të madhe, e cila është të lutemi dhe të dërgojmë përshëndetje mbi profetin fisnik. O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje robin dhe të dërguarin Tënd, profetin tonë Muhamed. O Zot, të lutemi të jesh i kënaqur me të gjithë sahabët, me familjarë dhe me ata që i pasojnë në mirësi deri në Ditën e Gjykimit.
O Zot, të lutemi Ty të na mbrosh nga ajo që është para nesh dhe ajo që është pas nesh, nga e djathta dhe e majta jonë, nga ajo që është poshtë nesh, kërkojmë strehim në Madhështinë Tënde që të mos goditemi nga poshtë nesh, o më i Madhi Mëshirues.
O Zot, mbro muslimanët kudo që janë. O Zot, njëso radhët e tyre dhe bashko fjalën e tyre. O Zot, largo sprovat, fitnet prej tyre, o Zotërues i Madhështisë dhe i Lavdisë. O Zot, pasuro të varfrit e tyre. O Zot, jepu siguri të frikësuarve prej tyre. O Zot, mëshiro të vdekurit e tyre. O Zot, na fal neve dhe të gjithë muslimanët.
O Zot, jepi sukses kujdestarit të dy xhamive të shenjta dhe princit të tij të kurorës në atë që Ti do dhe me të cilën je i kënaqur. O Zot, mbroji ata me mbrojtjen Tënde. O Zot, jepu sukses të gjithë sundimtarëve të muslimanëve në atë që është e drejtë, o Zotërues i Madhështisë dhe i Lavdisë.
O Zot, na furnizo me shi! O Zot, o i Pasur, o i Lavdëruar, o Zot, na furnizo me shi! O Zot, mëshiro varfërinë tonë. O Zot, mëshiro dobësinë tonë. O Zot, plotëso nevojat tona, o më i Madhi Mëshirues. O Zot, krijesat e Tua ka nevojë për shi. O Zot, jepu shi kudo, o Zotërues i Madhështisë dhe i Lavdisë.
O Zot, kërkojmë nga Mirsia, Bujaria dhe Begatitë e Tua, o më Bujari, më i Madhi Mëshirues. O Zot, përgjigju lutjeve tona! O Zot, përmbush shpresat tona!
O Zot, lavdërimi dhe falënderimi të takojnë Vetëm Ty, nuk ka Zot tjetër përveç Teje, ne kërkojmë falje nga Ti dhe pendohemi tek Ti.
Afrim Smakaj