Kurani Famëlartë udhëzim për besimtarët

Hutbe e ditës së xhuma nga Medineja e Ndritshme    27-03-1447 H   19-09-2025 D

Shejh Dr. Abdul Muhsin El Kasim

Tema   Kurani Famëlartë udhëzim për besimtarët

Me të vërtetë lavdërimet janë për Zotin. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Zotit i kërkojmë mbrojtje nga të këqijat e veteve tona dhe nga veprat tona të këqija. Atë që e drejton Allahu s’ka gjë që e humbet,  e ai që e humbet veten e tij s’ka kush e udhëzon veç Tij.

Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok.

Dëshmoj se Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, për të gjithë dërgojmë lutje dhe përshëndetje të shumta.

Në vijim

Adhurues të Zotit! Frikësojuni Zotit me frikë të vërtetë dhe binduni Atij në fshehtësi dhe hapur.

O ju muslimanë! Zoti i Lartësuar ka krijuar njerëzit, i ka urdhëruar që ta adhurojnë Atë dhe dërgoi tek ata profetët e Tij mëshirë për ta. Sikurse ka zbritur me çdo njërin prej profetëve libër për përsosmërinë e argumentit dhe shpjegimit. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “   Dikur, të gjithë njerëzit përbënin një bashkësi të vetme. Pastaj Allahu u dërgoi profetët me lajme të mira dhe paralajmërime. Bashkë me ata, Ai zbriti edhe Librin me të vërtetën…” (El-Bekare 213)

Zoti i Plotëfuqishëm ka veçuar Kuranin Famëlartë në mesin e librave të tjerë me përparësi, ku ka përmbledhur në të më të mirat e librave para tij dhe shtoi në të nga përsosmëritë që nuk gjenden tek librat e tjerë. Ai është dëshmues, vërtetues dhe gjykues mbi të gjithë ata. Çdo libër që Kurani dëshmon për vërtetësinë e tij ai është libër i Zotit. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “ Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si përmbushës të shkrimeve të mëparshme dhe mbrojtës të tyre.” (El-Ma’ide 48) Nga qielli nuk ka zbritur libër më udhëzues se ai, e ai është nga fjalët  më të mira të zbritura nga Zoti. “Allahu ka shpallur Fjalën më të bukur (Kuranin) në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten.” (Ez-Zumer 23) Zoti ia ka dhuruar atë të dërguarit të Tij  dhe ka thënë: “ Ne të kemi shpallur shtatë vargje që përsëriten dhe Kuranin e madhërishëm.” (El-Hixhr 87) E ka bërë atë nder për të. “Pa dyshim që Kurani është përkujtesë për ty dhe popullin tënd…” (Ez-Zuhruf 44) Shejhul Islami, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Bekimi më i madh që Zoti i dhuroi të dërguarit të Tij, paqja e Zotit qoftë mbi të, është libri i Zotit, Kurani.” Ai, Kurani, është nder për ata, nga ky umet, të cilët e ndjekin dhe veprojnë sipas tij.  Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë: “Ne të kemi shpallur Librin, i cili është përkujtesë për ju.” (El-Enbija’ 10) Zoti e përshkroi si të lavdishme, bujare dhe të fuqishme, dhe sfidoi njerëzit që të sjellin diçka të ngjashme me të, ose diçka si dhjetë sure të tij, ose diçka si një sure të tij. Elokuenca, retorika, kompozimi dhe stili i tij janë të mahnitshme, të mrekullueshme dhe të jashtëzakonshme. Njerëzit elokuentë dhe të artikuluar nuk ishin në gjendje të konkurronin me të, sepse ai nuk është si poezia, recitimet rexhezi, oratoria apo letrat, dhe kompozimi i tij nuk është si asnjë nga të folurit e njerëzve, arabë apo jo-arabë. Ajetet e tij kanë kombinuar elokuencën, rrjedhshmërinë, forcën dhe ëmbëlsinë. Arabët elokuentë dhe të artikuluar dhe mjeshtrat e tyre të retorikës e dëgjuan atë dhe e pranuan veçantinë e kësaj fjale. Velid Ibn El Mugira, i cili ishte një nga udhëheqësit më elokuentë të jobesimtarëve, ka thënë: Pasha Zotin, nuk ka njeri midis jush që është më i ditur për poezinë se unë, as më i ditur në recitimin rexhezi, as për poema se unë, as për poezi për xhindët. Pasha Zotin, ai që e thotë këtë nuk i ngjan asgjëje të tillë. Pavarësisht natyrës së tij të mrekullueshme, Zoti e ka lehtësuar për njerëzit leximin e tij dhe e ka bërë të lehtë kuptimin e tij. “Vërtet, Ne e kemi bërë Kuranin të lehtë për t’u kuptuar dhe kujtuar…” (El-Kamer 22) Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “ Sikur Zoti të mos e kishte lehtësuar atë, Kuranin,  për  gjuhën e  njerëzve, askush nga krijesat nuk do të ishte në gjendje të fliste me fjalën e Zotit.” Mrekullia në kuptimin e Kuranit është më e madhe dhe më e shumtë se mrekullia në fjalët e tij. Shejhul Islami, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Asnjë nga njerëzit e mençur të popujve nuk  janë të aftë të sjellin diçka të ngjashme me kuptimet e tij, sikurse nuk janë të aftë arabët të sjellë diçka të ngjashme me fjalët e tij.”

Kurani është fjalë vendimtare, përmban parimet e fesë, kësaj bote dhe të botës Tjetër, Ahiretit. Ai përmban besim, vendime, legjislacion, moral, histori, lajme, predikime dhe themelet e lumturisë dhe suksesit. Zoti i Plotëfuqishëm ka thënë për të: “Ky (Kuran) është udhërrëfyes në rrugën e drejtë.” (El-Xhathije 11) Ajetet e tij janë të përcaktuara mirë në formulim dhe të detajuara në kuptim. Një ajet në të shpjegon urtësinë që qëndron pas krijimit të dy botëve: “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (Edh-Dharijat 56) Një pjesë e një ajeti të tij është themeli i fesë, ka themeluar fenë: “ Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim)…” (En-Nisa’ 36) Tre fjalë, kush u përgjigjet atyre do të jetë i lumtur në këtë botë dhe në botën Tjetër, Ahiret:  “ Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit…” (Al ‘Imran 132)

LEXO  Përfitime dhe mësime nga sureja Asr

Ibn El Kajjimi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Nuk ka libër nën qiell që përmban prova, argumente dhe ajete mbi çështje, kërkesa të larta sikur Kurani.”

Mrekullitë e Tij janë të pafundme dhe janë të padepërtueshme, siç gjenden në ajetet dhe suret e Tij. Ajeti Kursi, i Fronit të Zotit,  është ajeti më i mirë në Librin e Zotit, në Kuran,  ai e mbron robin: “Ai që e lexon këtë ajet, do të ketë një mbrojtës nga Allahu  dhe asnjë shejtan nuk do t’i afrohet deri në mëngjes.” Hadithin e transmeton Buhariu. “Kush e lexon atë pas çdo namazi të obliguar, farz, asgjë nuk do ta pengojë të hyjë në Xhenet përveç vdekjes.” Hadithin e ka transmetuar Nesaiu. “Kush i lexon dy ajetet e fundit të Sures Bekare natën, ato do t’i mjaftojnë, do ta mbrojnë atë nga e keqja.” Muttefikun Alejhi.

Ka tre ajete të cilat nëse robi i lexon,  Zoti thotë: “Robi  Im më ka madhëruar, lartësuar dhe lavdëruar Mua.”  “ Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, Sunduesit të Ditës së Gjykimit.” (El-Fatiha 2-4) Hadithin e ka transmetuar Muslimi. “Kush mëson përmendësh dhjetë ajete nga fillimi i Sures Kehf, do të mbrohet nga Dexhali.” Hadithin e ka tranmsetuar Muslimi. “Sureja Fatiha është sureja më e madhe në të, në Kuran.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu. Shejhul Islam, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Mendova për lutjen më të dobishme dhe ajo ishte kërkimi i ndihmës për ta kënaqur Atë. Pastaj e pashë atë në suren Fatiha në ajetin: “ Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.”(El-Fatiha 5)

Dy sure të shkurtra që u shpallën natën, me të cilat nuk janë parë kurrë më parë të ngjashme me to, domethënë, mbrojtje nga e keqja e keqbërësve: “ Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i agimit.” (El-Felek 1)  Dhe “ Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve.” (En-Nas 1) Hadithin e ka transmetuar Muslimi.

Ajetet e tij, Kuranit, janë shërim nga sëmundjet. Ebu Said El Hudrij, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “ Kemi ndaluar në një vend dhe një grua ka ardhur tek ne duke na thënë: “Kryetari i fisit, Salimi, është pickua. A ka ndonjë shërues, lexues nga ju?!” Një burrë nga ne u ngrit me të dhe i lexoi atij suren Fatiha dhe ai u shërua.” Muttefikun Alejhi. Ibn El Kajjimi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “ Unë e kam trajtuar, mjekuar, veten me suren Fatiha dhe shihja efektin mahnitshëm të saj. Ua përshkrova, tregova, këtë atyre që ankoheshin për dhimbje dhe shumë prej tyre shëroheshin shpejt.”

Ajetet e tij i bënë njerëzit e mëdhenj të qanin. Kur Ebu Bekri, Zoti qoftë i kënaqur me të, falte namaz njerëzit nuk e dëgjonin për shkak të të qarës së tij. Omer Ibn El Hatabi,  Zoti qoftë i kënaqur me të, një herë fali namazin e sabahut me shokët e tij, sa rënkimet e tij u dëgjuan nga fundi i rreshtave ndërsa lexonte ajete të sures Jusuf: “(Jakubi) tha: “Unë dhimbjen time dhe pikëllimin tim ia paraqes vetëm Allahut e nga Allahu di atë që nuk e dini ju.”(Jusuf 86)

Kur lexohet Kurani arrinë në veshë, depërton në zemra dhe i bën ato të qajnë me përulësi. Profeti, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i ka thënë Ibn Mes’udit, Zoti qoftë i kënaqur me të: “Lexo Kuran për mua.” Ka thënë: I thashë: “O i dërguar i Zotit, a duhet të lexoj  për ty kur ai të është shpallur ty?” Ai tha: “Dëshiroj ta dëgjoj nga dikush tjetër përveç meje.” Kështu që i lexova suren Nisa derisa arrita në fjalën e Zotit: “Si do të bëhet kur prej çdo populli të sjellin dëshmitarë dhe të të sjellin ty (o Muhamed!) për dëshmitar mbi të gjithë ata?!” (En-Nisa’ 41) Ngrita kokën dhe pashë lotët që po i rridhnin nga sytë e tij.” Muttefikun Alejhi.

Xhafer Ibn Ebi Talib, Zoti qoftë i kënaqur me të, i lexoi  Nexhashiut një pjesë nga sureja Merjem, e ai qau derisa iu qull mjekra, do të thotë se u lag nga lotët e tij. Peshkopët e tij, do të thotë udhëheqësit fetarë në mesin e tyre,  qanë derisa kopjet e tyre të Kuranit u lagën. Transmetuar nga Ahmedi.

Kurani Fisnik pushton zemrat dhe ai është mjeti më i fuqishëm për t’i thirrur njerëzit në Islam. Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Para hixhretit, Ebu Bekri ndërtoi një xhami në oborrin e shtëpisë së tij. Ai falej dhe lexonte Kuran aty. Gratë dhe fëmijët e politeistëve qëndronin atje, të mahnitur nga ai dhe e shikonin atë. Ebu Bekri ishte një burrë që qante dhe nuk mund t’i kontrollonte sytë kur lexonte Kuran. Politeistët thanë: “Kemi frikë se ai mund t’i tundojë gratë dhe fëmijët tanë.”, do të thotë se mund t’i konvertojë ata nga feja e tyre në fenë e tij.” Transmetuar nga Buhariu.

Xhubejr Ibn Mut’imi,  Zoti qoftë i kënaqur me të, e ka dëgjuar të dërguarin e Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, duke lexuar suren Tur, e kur arriti tek ajetet: “A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?! A mos vallë ata kanë krijuar qiejt dhe Tokën?! Nuk është kështu, por ata nuk janë aspak të bindur. A mos zotërojnë thesaret e Zotit tënd?! Apo mos janë ata sunduesit (e gjithçkaje)?!” (Et-Tur 35-37) Ai ka thënë: “ Zemra ime gati sa nuk fluturoi.” Hadithin e ka transmetuar Buhariu.

LEXO  Paralajmërim kundër ruajtjes së degëve dhe neglizhencës së parimeve

Xhindët e dëgjuan Kuranin, besuan dhe u gëzuan. Ata thanë, duke folur për bekimet e Zotit ndaj  tyre: “ Posa dëgjuam udhëzimin (Kuranin), ne besuam në të…” (El-Xhinn 13) Nëse Zoti do ta kishte zbritur Kuranin mbi një mal, ai do të ishte përulur dhe do të ishte ndarë nga frika ndaj Zotit, nga frika se mos nuk do të përmbushnin të drejtën e Zotit në lavdërimin e Kuranin.  Prandaj, Zoti i urdhëroi njerëzit ta pranonin Kuranin me frikë dhe përulësi të skajshme.

Ajetet e tij ndryshuan gjendjen e sahabeve, Zoti qoftë i kënaqur me ta.  Kur u shpall ndalimi i alkoolit dhe Omeri,  Zoti qoftë i kënaqur me të, dëgjoi fjalët e Zotit të Plotfuqishëm:  “Prandaj, a po hiqni dorë?” (El-Ma’ide 91) Ai tha: “Ne i kemi dhënë fund, i kemi dhënë fund.” Transmetuar nga Ahmedi.  “ Ata e derdhën alkoolin derisa  rrodhi lum nëpër rrugët e Medinës.” Muttefikun Alejhi.

Kur ka zbritur ajeti: “ Nuk keni për ta arritur përkushtimin e vërtetë, derisa të ndani (lëmoshë) nga ajo (pasuri) që e doni.” (Al ‘Imran 92) Ebu Talha, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: ““Më e dashura nga pasuritë e mia është Bejruhan, kopësht pranë xhamisë së profetit,  dhe ajo është  bamirësi për hatrin e Zotit. Shpresoj për mirësinë dhe furnizimin e saj tek Zoti.” I dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “E po kjo është pasuri fitimprurëse.” Muttefikun Alejhi.

Një ajet që i forcoi sahabet, Zoti qoftë i kënaqur me ta, në fatkeqësinë më të rëndë që i goditi, kur i dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, vdiq, dhe disa prej tyre refuzuan, kundërshtuan, vdekjen e tij për shkak të tmerrit të asaj që dëgjuan, Ebu Bekri,  Zoti qoftë i kënaqur me të, lexoi fjalët e Zotit: “Muhamedi është vetëm i Dërguar, para të cilit ka pasur edhe të dërguar të tjerë. Nëse ai vdes ose vritet, a mos do të ktheheni ju prapa?” (Al ‘Imran 144) Ibn Abasi, Zoti qoftë i kënaqur me ata të dy, ka thënë: “Pasha Zotin, ishte sikur njerëzit nuk e dinin që Zoti e kishte zbritur këtë ajet derisa Ebu Bekri e lexoi atë, të gjithë njerëzit e morën atë prej tij, dhe nuk dëgjoje asnjë qenie njerëzore përveçse duke e lexuar atë.” Hadithi është transmetuar nga Buhariu.

Kur është shpallur ajeti i mbulimit dhe dëlirësisë, pastërtisë: “Le t’i mbulojnë kraharoret me mbulesat e tyre (të kokës) dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre…” (En-Nur 31) Aishja, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “ Zoti i mëshiroftë gratë e emigrantëve të parë. Ato i grisën pelerinat e tyre, pra, rrobat e tyre, dhe u mbuluan me to.” Hadithi është transmetuar nga Buhariu.

Ajetet e Kuranit shtojnë, rrisin besimin: “…dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi…” (El-Enfal 2) Për shkak të pozitës së Kuranit tek Allahu, shpërblimi për leximin e tij është i barabartë me numrin e shkronjave, ose edhe i shumëfishuar. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “Kush lexon një shkronjë nga Libri i Allahut, Kurani, do të marrë një të mirë për të, dhe një e mirë shumëfishohet dhjetëfish.” Hadithi është transmetuar nga Tirmidhiu.

Për shkak të thesareve të mëdha në Kuran, sahabet, Zoti qoftë i kënaqur me ta, ishin të kujdesshëm që të mos humbisnin asnjë prej tyre kur zbriste. Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Unë dhe fqinji im nga Ensarët e vizitonim me radhë të dërguarin e Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, një ditë shkonte ai për vizitë dhe një ditë tjetër shkoja për vizitë unë. Sa herë që e vizitoja, i sillja lajme për atë ditë, qoftë shpallje apo diçka tjetër, dhe sa herë që ai e vizitonte, bënte të njëjtën gjë.” Hadithi është transmetuar nga Buhariu.

Ithtarët, ndjekësit e Librit që i përmbahen atij gëzohen me Kuranin, për shkak të provave në librat e tyre për vërtetësinë e tij dhe lajmin e mirë që ai sjell. Zoti i Plotfuqishëm ka thënë: “ Ata, të cilëve ua kemi zbritur Librin, gëzohen për atë që të kemi shpallur ty.” (Er-Ra’d 36)

Libër mrekulli që Zoti i Plotfuqishëm e bëri shenjë vërtetësie  për profetësinë e Muhamedit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, që nuk zhduket me vdekjen e tij, por do të mbetet deri në Ditën e Kijametit. Nëse mrekullia vazhdon, ndjekësit do të shtohen. I dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka thënë: “ Nuk ka profet midis profetëve të cilit nuk i janë dhënë shenja të ngjashme, mrekulli,  që i kanë bërë njerëzit të besojnë tek ai. Ajo që më është dhënë mua është zbulesa që Zoti ma ka shpallur mua, prandaj shpresoj se do të kem numrin më të madh të ndjekësve në Ditën e Gjykimit.” Muttefikun Alejhi.

Allahu i Lartësuar është zotuar për ruajtjen e kësaj mrekullie të profetit, Kuranin, në mënyrë që të mos shtrembërohet ose fshihet, zhduket. I dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, një ditë në ligjërimin e tij ka thënë: “ Vërtet, Zoti im më ka urdhëruar t’ju mësoj atë që ju nuk e dini nga ajo që Ai më ka mësuar mua sot.”, Ai ka thënë: “Unë të kam zbritur një libër që uji nuk mund ta lajë.” Hadithi është transmetuar nga Muslimi. Neveviu, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Kuptimi i tij ruhet në zemra dhe nuk i nënshtrohet humbjes, përkundrazi mbetet gjatë gjithë kohës.” Kur sahabet, Zoti qoftë i kënaqur me ta,  kujtuan ndërprerjen e shpalljes pas vdekjes së profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, qanë. Ebu Bekri, Zoti qoftë i kënaqur me të,  i tha Omerit, Zoti qoftë i kënaqur me të: “Le të shkojmë tek Umu Ajmani ta vizitojmë atë, sikurse i dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, e vizitonte atë.” Kur arritëm tek ajo, ajo qau. Ata i thanë: “Çfarë të bëri të qash? Ajo që është tek Zoti është më e mirë për të dërguarin e Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.” Ajo tha: “Unë nuk qaj sepse nuk e di se ajo që është tek Zoti është më e mirë për të dërguarin e Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, por qaj sepse shpallja nga qielli ka pushuar, përfunduar. Kështu që ajo i nxiti të qanin, dhe ata filluan të qanin me të.” Hadithi është transmetuar nga Muslimi.  

LEXO  Urtësia e Zotit të Gjithëdijshëm në mos përgjigje ndaj arrogantëve

Për shkak të pozitës, ngritjes së Kuranit, Allahu i ngriti njerëzit e tij në grada dhe pozita të larta, dhe ua lartësoi vlerën. I dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, i donte recituesit, lexuesit e Kuranit, u besonte atyre dhe u pikëllonte me vdekjen e tyre. Ai u lut një muaj për ata që i vranë dhe nuk është lutur një kohë kaq të gjatë për askënd  përveç se kundër atyre që i sulmuan ata. Kalifët e drejtë filluan t’i respektonin dhe nderonin lexuesit e Kuranit dhe të njihnin vlerën e tyre. Omeri, Zoti qoftë i kënaqur me të, i afronte ata pranë vetes, i vendoste në ballë të këshillit të tij dhe i bënte këshilltarët e tij. Kurtubiu, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Transmetimet tregojnë se katër imamët e përpiluan, mblodhën Kuranin gjatë kohës së profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  për shkak të përparësisë së tyre në Islam dhe respektit të profetit, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,  për ta.”

Në vijim

O ju muslimanë! Zoti nuk ka zbritur asnjë libër nga qielli, nga librat e ndryshëm që Ai u dërgoi profetëve të Tij, që të jetë më i përsosur, më gjithëpërfshirës, ​​më elokuent, më i madh ose më i nderuar se Kurani. Ai është nga mirësitë dhe mëshira e Zotit mbi robërit e Tij. Kush gëzohet me të dhe me Islam është gëzuar me gëzimin më të madh.  Ato, Kurani dhe Islami, janë më të mira se çdo gjë tjetër që mblidhet nga rrënojat e kësaj bote, paratë dhe thesaret e saj. “Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.” (Junus 58)

Kush e do Kuranin e do Allahun. Ibn El Kajimi, Zoti e mëshiroftë, ka thënë: “Nëse do të dish se çfarë dashurie ke ti dhe të tjerët për Zotin, shiko dashurinë për Kuranin në zemrën tënde dhe kënaqësinë që ke kur e dëgjon atë.” I lumtur është ai që ia kushton përpjekjet e tij mësimit të Kuranit dhe të mësuarit e tij të tjerëve, dhe i suksesshëm është ai që Zoti e ka zgjedhur për ta lavdëruar atë, për t’i lavdëruar njerëzit e tij, Kuranit,  dhe për t’ua kujtuar atë njerëzve.

Zotit i kërkoj mbrojtje nga shejtani i mallkuar: “Ndërsa ky (Kuran) është Këshillë e bekuar, të cilën Ne e kemi shpallur, prandaj, si mund ta mohoni ju atë?!” (El-Enbija’ 50)

Zoti na begatoftë në Kuranin Famëlartë, Zoti na bëftë dobi nga argumetet dhe urtësitë e tij të mëdha.

Zotit i kërkoj falje për vete, për ju dhe për të gjithë muslimanët nga çdo gjynah, tek Zoti kërkoni falje, me të vërtetë Ai është Falës i madh, Mëshirbërës.

Hutbeja e dytë

Lavdërimet i takojnë Zotit për mirësitë e Tij, Atë e falënderojmë për suksesin dhe arritjet. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, Një i Vetëm dhe pa shok, Ai meriton Madhërime.

Dëshmoj se i dërguari ynë Muhamedi është rob i Zotit dhe i dërguar i Tij. Paqja e Zotit qoftë mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij, atyre u dërgojmë selame të shumta.

O ju musliman! Kush dëshiron udhëzim le t’i drejtohet Kuranit. Kush dëshiron të përfitojë prej tij, le ta përqendrojë zemrën e tij kur e lexon dhe e dëgjon atë, dhe le t’i ndiejë fjalët e Allahut ndaj tij, sepse ato u drejtohen robërve të Tij nëpërmjet gjuhës së të dërguarit të Tij. Nuk ka asgjë më të dobishme për robin në këtë botë dhe në botën Tjetër, dhe më afër shpëtimit të tij, sesa leximi i Kuranit. Kush mediton në Kuran, duke kërkuar udhëzim prej tij, do t’i bëhet e qartë nga ai rruga e vërtetë.

Dijeni se  Allahu ju ka urdhëruar që të bieni në Salavate dhe ta përshëndesni  të dërguarin e Tij, Ai ka thënë në Kuranin Famëlartë: “Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për të. O besimtarë, lutuni për të dhe përshëndeteni me “selam!” (El- Ahzab 56)

O Zot, fale, mëshiroje dhe bekoje  të dërguarin tonë,  Muhamedin.

Kënaqësia e Zotit qoftë mbi Halifet e parë të drejtë,  të cilët gjykuan me të vërtetën dhe me të bënë drejtësi, Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin dhe Aliun, mbi të gjithë shokët e tij, dhe mbi ne së bashku me ta, me  Bujarinë dhe Mëshirën Tënde, o më i Madhi Bujar.

O Zot, lartëso Islamin dhe muslimanët, poshtëro politeizmin dhe politeistët, dhe shkatërro armiqtë e fesë.

O Zot, bëje të paqtë, të sigurt dhe të begatë këtë vend  dhe të gjitha vendet muslimane, o Zoti i botëve.

O Zot, jepi sukses udhëheqësit tonë dhe zëvendësin e fronit të tij në atë që Ti do dhe je i kënaqur, udhëzoi ata në drejtësi dhe devotshmëri, o Zot, bëji ata të dy të dobishëm për Islamin dhe muslimanët.

O Zot, të lutemi që të jesh mbrojtës dhe mbështetës, ndihmës dhe përkrahës për besimtarët e shtypur. O Zoti ynë, furnizoi ata nga ku nuk e presin,  zbrit mbi ta qetësi dhe mëshirë, o Zot i botëve.

“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)”. (El-Bekare 201)

Adhurues të Zotit! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (En –Nahl 90)

Përmendeni Allahun e Madhërueshëm, Ai ju kujton ju,

Falënderojeni për të mirat dhe begatitë e Tij që t’ua shumojë ato.

“ Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (El-Ankebut 45)

 Afrim Smakaj

https://www.facebook.com/3teshenjta/videos/756996250482625

Post Author: endrit